ATV

Blog

  • Hyseni i PSD-së: Kjo shumicë qeverisëse përkundër numrave, s’është përkthyer në efikasitet

    Hyseni i PSD-së: Kjo shumicë qeverisëse përkundër numrave, s’është përkthyer në efikasitet

    Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate (PSD), Zgjim Hyseni, ka thënë për Ekonomia Online se Programi Legjislativ i qeverisë aktuale është i dëmshëm për qytetarët.

    Ai shton se përkundër numrit të ligjeve e që janë 54, nuk do të thotë asgjë, për faktin se rëndësi më të madhe do t’i jepej faktit se sa kanë arritur të hyjnë në funksion ato ligje.

    “Ligjet që i kanë bë, kanë qenë të këqija, d.m.th nuk është puna se kanë qenë pak, por problemi është se këta kanë prodhuar ligje problematike. Ligje që d.m.th ia ngushtojnë hapësirën e ligjeve njerëzve. Si ligji për KPK-në, konfiskim të pasurisë krejt këto janë ligje që qëllim kryesorë kanë koncentrimin e pushtetit të ekzekutivit të kryeministrit”, ka thënë Hyseni.

    “Kjo shumicë qeverisëse përkundër numrave, nuk është dëshmuar që d.m.th prania e madhe e numrave përkthehet në efikasitet, sa i përket ligjeve në parlament, një mënyrë qysh mundet me u pa puna e një shumicës qeverisëse është numri i ligjeve mirëpo që d.m.th volumi i punës, mbi të gjitha ne duhemi me pa cilësinë e ligjeve çfarë ligje kanë sjell dhe çfarë qëllime ka mbrapa atyre ligjeve”, ka thënë ai për EO.

    Ligjin për Byronë, Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë, sipas Hysenit janë ligjet më antikushtetuese.

    “Në këtë drejtim ne duhemi me pa cilat janë ato ligje me të cilat është identifikuar kjo shumicë qeverisëse edhe që janë konsideru sikur prove për ndryshimin që pushteti aktual e ka propagandu sa ka qenë në opozitë ato ligje kanë qenë Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e formimi i gjyqësorit etj etj, mirëpo secila prej këtyre ligjeve ka dalë me qenë antikushtetuese”, ka deklaruar ai.

    Tutje, Hyseni tha se krahas përqindjes së ulët të miratimit të ligjeve, janë prodhuar edhe ligje “problematike”.

    “Nëse janë 11 për qind sigurisht se janë shumë pak mirëpo kjo është veç një mënyrë është volumi i ligjeve dhe sigurisht se deputetët janë aty për me bë ligje për me i’a përmirësu jetën qytetarëve mirëpo duhet analiza me qenë edhe cilësore duhet me pa edhe çfarë ligje po bëhen, se ligjet që i kanë bë kanë qenë të këqija d.m.th nuk është puna se kanë qenë pak por problemi është se këta kanë prodhuar ligje problematike ligje që d.m.th ia ngushtojnë hapësirën e ligjeve njerëzve si ligji për KPK-në, konfiskim të pasurisë, krejt këto janë ligje që qëllim kryesorë kanë koncentrimin e pushtetit të ekzekutivit të kryeministrit”, ka thënë Hyseni.

  • ​Si lindi dashuria për letërsinë dhe krijimtaria e pasur e Ismail Kadaresë

    ​Si lindi dashuria për letërsinë dhe krijimtaria e pasur e Ismail Kadaresë

    Kadare u lind më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, në një familje bektashie qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët, duke pasur kështu nga e ëma paraardhës bejtexhiun Hoxhë Dobi. Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit. Në vogëli kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga e ëma, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. I ati punonte postier i gjykatës së qytetit, më 1920 qe ndër 218 vullnetarët gjirokastritë që morën pjesë në Luftën e Vlorës.

    Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër.

    Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para, të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18-vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar “Frymëzime djaloshare”.

    Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-’58) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës”, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik.

    Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht.

    Përgjatë viteve ’50 dhe në fillimet e viteve ’60 u njoh për poezi, kurse duke filluar nga vitet ’60 edhe për prozë. Në atë periudhë pjesa më e madhe e shkrimtarëve i përkisnin brezit të dalë nga lufta. Pas kthimit nga Moska, veprën “Qyteti pa reklama” e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin “Ditë kafenesh” më 1962 te “Zëri i Rinisë”.

    Në vitin 1963 e botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, “Përbindëshi”, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.

    Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze “Albin Michel” botoi në frëngjisht romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë.

    Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet “Kështjella” (1970) dhe “Kronikë në gur” (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.

    Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet e tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961, që pastaj t’i kishte duart e lira t’u rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re. Romanit i vuri titullin “Dimri i vetmisë së madhe”. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar “Dimri i madh” dhe u përkthye edhe në frëngjisht.

    Në vitin 1989 autoritetet e caktuan zv/kryetar të Frontit Demokratik. Duke shfrytëzuar famën e tij në Shqipëri dhe jashtë saj bëri deklarata gjithnjë e më të zëshme mbi domosdoshmërinë e ndryshimeve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut. Në parathënien e romanit të guximshëm “Thikat” (1989) nga Neshat Tozaj që denonconte shkeljet e Sigurimit, Kadare pohoi se vetëm duke pranuar dhe korrigjuar gabimet e mëparme mund të ecte Shqipëria përpara. Në shkurt 1990 Kadare kërkoi një takim me Ramiz Alinë ku i kërkoi të respektonte të drejtat e njeriut, të zbatonte reforma demokratike, reforma ekonomike dhe të hapej ndaj botës së jashtme.

    Pasi la Tiranën dhe aplikoi për azil politik në Francë, mundi të ushtrojë profesionin e tij në liri të plotë. Mërgimi i tij në Paris qe i frytshëm dhe i mundësoi sukses të mëtejshëm, si në shqip ashtu edhe në frëngjisht.

    Pas fitores së Partisë Demokratike në vitin 1992, Kadare u kthye në Shqipëri. Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar, duke shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.

    Në vitin 1996 u pranua në Akademinë e Shkencave Sociale dhe Politike në Francë, ku zëvendësoi filozofin Karl Popper. Nga viti 1994 deri 2004 shtëpia botuese franceze “Fayard” botoi veprën komplet të Kadaresë në frëngjisht dhe shqip. Gjatë viteve ’90 ai ndihmoi botimin e shumë autorëve shqiptarë në Francë, qoftë duke ua sugjeruar botuesve francezë, qoftë duke ua shkruar parathëniet. Në vitet ’90 Kadare loboi për Kosovën dhe përkrahu bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.

    Ndër vite ka deklaruar se ka hequr dorë nga shkrimi i poezive (1997) dhe letërsisë artistike (2011)./Oranews.tv/

  • Konjufca: Institucionet kanë informata për përgatitje të një sulmi të ri të Serbisë ndaj Kosovës

    Konjufca: Institucionet kanë informata për përgatitje të një sulmi të ri të Serbisë ndaj Kosovës

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë informata të sakta se një grup terroristësh janë duke u trajnuar në Serbi për të sulmuar Kosovën, raporton EO.

    Sipas tij, Kosova është e gatshme dhe e koordinuar më të gjithë aleatët që t’i bëjë ballë çfarëdo sulmi të mundshëm nga Serbia.

    “Ne si institucione Mendoj se qëndrojmë të unifikuar sa i përket këtyre tri kushteve. Serbia e ka marr pozicioni që nuk e zbaton marrëveshjen, për Kosovën ajo marrëveshje ishte e favorshme… Serbia nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje dhe mbi bazën e mos nënshkrimet nuk po e zbaton. E dyta për kriminelët Radojiçiq që e ka pranuar fajin, ai ndodhet i lirë në Serbia dhe vepra e tij në Serbi po trajtohet me e lehtë se ai ta kishte shkelur ndonjë rregull trafiku. E ka mbrojtjen shtetërore të Serbisë. Institucionet tona kanë informacione të sakta se një grup po ushtrohen në Serbi. Ne jemi gjithmonë të përgatitur për çfarë do sulm nga ana e Serbisë dhe me një koordinimi me të gjithë. E treta letra e Brnabiqit, ajo thotë se klauzolat e marrëveshjes së Brukselit do t’i zgjedhin sipas dëshirës. Kjo i ka dhënë goditje kësaj marrëveshje”, tha Konjufca.

  • Osmani pret në takim kryeparlamentaren sllovene

    Osmani pret në takim kryeparlamentaren sllovene

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič, raporton EO.

    Takimi është duke u zhvilluar në presidencë dhe mediat janë lejuar që të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

    Kryetarja Klakočar Zupančič, është takiar sot gjatë ditës edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, e cila pas takimit në një konferencë për media ka thënë se dialogu është e vetmja rrugë përpara, dhe se Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën.

    Kryetarja Klakočar Zupančič gjatë ditës do të zhvillojë takim edhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

  • Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë: Dialogu e vetmja rrugë përpara, mbetemi të përkushtuar për stabilitetin e Kosovës

    Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë: Dialogu e vetmja rrugë përpara, mbetemi të përkushtuar për stabilitetin e Kosovës

    Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič, ka thënë se shteti i saj do të jetë e përkushtuar për stabilitetin e Kosovës, ndërsa dialogun me Serbinë e sheh rrugën e vetme të Kosovës drejtë Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit që ka mbajtur me kryetarin Konjufca, kryeparlamentarja sllovene ka thënë se e mbështesin perspektivën integruese të Kosovës dhe anëtarësimin për në Këshill të Evropës.

    “Ne kemi pasur një takim të këndshëm në një atmosferë miqësor dhe raporte ndër dy vendet janë miqësore pa ndonjë pyetje të hapur politike. Ne dëshirojmë që të zhvillohet ky bashkëpunim në të gjitha fushat. Bashkëpunimi jonë është i kënaqshëm në aspektet të ekonomisë. Kuvendi është i gatshëm që t’i ndaj praktikat e mira sa i përket eksperiencës që Sllovenia e ka me BE-në dhe me përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Kosova dëshiron që të bëhet anëtare e BE-së dhe Sllovenia mund ta ndihmojë Kosovën këtu shumë. Ne mbështesim perspektivën integruese të Kosovës dhe anëtarësimin në KiE. Në përmbushjen e marrëveshjes si pjesë e dialogut është kyçe për këtë sukses. Dialogu është e vetmja rrugë përpara. Sllovenia mbetet e përkushtuar për stabilitetin e Kosovës dhe ne do të jemi prezent këtu si pjesë e KFOR-it”, ka thënë ajo.

  • Bislim Zyrapi dëshmon për plot 7 ditë në rastin ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë

    Bislim Zyrapi dëshmon për plot 7 ditë në rastin ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë

    Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi, është dëshmitari i 75 i ZPS-së në çështjen kundër katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Zyrapi, si asnjë dëshmitar më parë, është planifikuar të dëshmojë për plot 7 ditë, pasi Prokuroria ka kërkuar 8 orë për ta marrë në pyetje ndërkaq ekipet e mbrojtjes 25 orë.

    Poashtu, Bislim Zyrapi u paraqit në gjykatoren e Gjykatës Speciale me avokat mbrojtës, belgun Rik Vanreusel, meqë sipas kryegjyqtarit Charles Smith ekziston rreziku i vetëinkriminimit nga ana e Zyrapit, gjatë kohës sa ky do të flas për veprimtarinë, strukturën, qasjen dhe bashkëpunimet e UÇK-së gjatë periudhës së aktakuzës.

    Për ta dëgjuar dëshminë e ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në sallë janë të pranishëm që të katër të akuzuarit, përfshi Jakup Krasniqi që gjatë javëve të fundit ishte paraqitur vetëm me video-lidhje.

  • Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orë, gjashtë persona të arrestuar

    Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orë, gjashtë persona të arrestuar

    Në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëshit të fundit janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje.

    Lidhur me këto raste, gjashtë persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa një person është në kërkim nga policia.

    Njoftimi i policisë:

    DHUNË NË FAMILJE

    · Obiliq 23.06.2024, NN. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar më datën e lartcekur ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta me vendim të prokurorit është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    · Hajvali 30.06.2024, 11:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    · Lipjan 30.06.2024-19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

    . Suharekë 30.06.2024, 10:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë kanosur dhe sulmuar njëri tjetrin. Në konsultim me prokurorin është bërë bastisja në shtëpinë e të dyshuarve ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe një fishek. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    · Dragash 29.06.2024-14:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

    · Prizren 30.06.2024-17:05. Dy të dyshuarat femra kosovare kanë ushtruar dhunë në familje ndaj viktimës mashkull kosovar. Palët e përfshira në rast janë intervistuar. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.

    . Gjakovë 30.06.2024, 08:00. Është raportuar se dy të dyshuar një femër kosovare dhe një mashkull kosovar në gjendje të dehur, janë përleshur në mes vete. E dyshuara është arrestuar dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur. Pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

  • Konjufca ia shpreh shqetësimet homologes së tij sllovene për “tendencat destabilizuese të Serbisë”

    Konjufca ia shpreh shqetësimet homologes së tij sllovene për “tendencat destabilizuese të Serbisë”

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur shqetësimet e tij për “tendencat destabilizuese të Serbisë”, të cilat sipas tij kulmuan me ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë, raporton EO.

    Pas takimit që ka mbajtur me homologen e tij sllovene, Konjufca ka shprehur falënderime për shtetin e saj në të gjitha etapat. Konjufca ka thënë se Sllovenia ka përkrahur Kosovën në rrugëtimin drejtë anëtarësimit në Këshill të Evropës e me përkrahjen për heqjen e vizave.

    “Në kuadër të vazhdimit të marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore. Kjo është vizita e parë në nivel të kryetarëve. Ë zhvilluam një bisedë shumë miqësore. E njoftova kryetaren për përparimet që ka bërë Kosova në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik që ka arritur. E falënderova që Sllovenia që përkrahu heqjen e vizave. E shpreha mirënjohjen edhe për mbështetjen e madhe që na jep shteti slloven për në Këshillin e Evropës. Me homologen time i ndamë pikëpamjet për zhvillimet në rajon dhe në përgjithësi. Kosova dhe Slloveni janë të drejtuara në anën e Ukrainës. Kosova është ende në pritje të përgjigjes për kërkesës e saj për anëtarësim në BE duke qenë i vetmi vend në rajon që nuk e ka këtë status”, u shpreh Konjufca.

    Ai tha se e ka njoftuar kryetaren edhe në lidhje me sulmin që shteti serb e ka shkaktuar në veri të Kosovës, ku mbeti i vrara rreshteri Afrim Bunjaku, duke thënë se nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa u dënuar kryesit e këtij krimi.

    “Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u dënuar kryesit e këtij krimi. Theksova që institucionet tona i kanë përmbushur kërkesat e BE-së por masat ende vazhdojnë. Sllovenia e ka treguar aleancën e saj të fort me Kosovën”, u shpreh tutje Konjufca.

  • ASHAK: Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe

    ASHAK: Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe

    Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka shkruar se është lajm i trishtueshëm vdekja e shkrimtarit Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane.

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës”, thuhet në njoftimin e ASHAK.

    ASHAK vlerëson se Kadar ishe anëtar i jashtëm i kësaj Akademi dhe përveç si shkrimtar, ‘ishte personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.

    Kadare lindi në Gjirokastër, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe letërsi botërore në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë.

    Sot, më 1 korrik 2024, është ndarë nga jeta shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe mbylli sytë përgjithmonë këtë të hënë.

  • ​LDK me telegram ngushëllimi për vdekjen e Kadaresë: Sot bota shqiptare u zgjua në zi

    ​LDK me telegram ngushëllimi për vdekjen e Kadaresë: Sot bota shqiptare u zgjua në zi

    Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka dërguar telegram ngushëllimi.

    “Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, thuhet në telegramin e LDK-së.

    Në komunikatën e lëshuar nga LDK thuhet se Kadare ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare.

    “Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë. Kadare, ka fituar çmime dhe njohje të panumërta për mjeshtërinë e tij në letërsi, e po ashtu ai ishte përmendur shumë herë edhe si kandidat potencial për Çmimin Nobel në Letërsi”, është thënë në telegram ngushëllimi.

    Kadare sipas LDK-së do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë.

    “Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm. Po ashtu, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kujtojmë me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm.

    Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Dritë pastë shpirti i tij!”, përfundon telegrami i ngushëllimit.