ATV

Blog

  • Netanyahu urdhëron ushtrinë ta “godasë Hezbollahun me forcë”: Do të paguajë çmim shumë të rëndë

    Netanyahu urdhëron ushtrinë ta “godasë Hezbollahun me forcë”: Do të paguajë çmim shumë të rëndë

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se Hezbollahu do të paguajë “një çmim shumë të rëndë” pasi katër ushtarë u vranë nga një mjet shpërthyes gjatë natës, ndërsa përleshjet me grupin militant libanez u përshkallëzuan.

    “Pas sulmit kriminal të Hezbollahut, i cili përbën një shkelje të hapur të armëpushimit, unë i kam urdhëruar mbrëmë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të godasin Hezbollahun me forcë”, tha Netanyahu në një deklaratë të premten.

    “Urdhri im është i qartë: Izraeli nuk do të tolerojë sulme ndaj ushtarëve tanë apo territorit tonë dhe do t’i shkaktojë një çmim shumë të rëndë Hezbollahut për sulme të tilla”, shtoi ai.

    Katër ushtarët e vrarë në jug të Libanit janë viktimat e para izraelite që nga nënshkrimi i marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit këtë javë. Izraeli u përgjigj me një valë të rëndë sulmesh në jug të Libanit, duke vrarë të paktën 21 persona të premten.

    Kryeministri izraelit përsëriti se trupat do të “mbeten në zonën e sigurisë në jug të Libanit për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur komunitetet e veriut të Izraelit.”

  • Manuel Neuer konfirmon fundin e karrierës me Gjermaninë pas Kupës së Botës 2026

    Manuel Neuer konfirmon fundin e karrierës me Gjermaninë pas Kupës së Botës 2026

    Portieri legjendar i Gjermanisë, Manuel Neuer, ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026 do të jetë turneu i tij i fundit me kombëtaren gjermane, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme në skenën ndërkombëtare.

    38-vjeçari bëri të ditur se nuk ka në plan të vazhdojë me përfaqësuesen pas këtij kompeticioni dhe se nuk do të jetë pjesë e Kampionatit Evropian që do të zhvillohet pas dy vitesh.

    “Ky do të jetë turneu im i fundit për Gjermaninë. Nuk kam ndërmend të marr pjesë në Kampionatin Evropian pas dy vitesh”, deklaroi Neuer.

    Megjithatë, gardiani gjerman theksoi se nuk dëshiron të përqendrohet te lamtumira gjatë turneut, por te paraqitjet e ekipit në fushë.

    “Dua të pres me padurim çdo ndeshje dhe të mos mendoj për lamtumirën apo ndeshjen e mundshme të fundit”, shtoi ai.

    Neuer po merr pjesë në Kupën e Botës për herë të katërt me Germany national football team dhe vazhdon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës, pavarësisht se ndodhet në vitet e fundit të karrierës së tij ndërkombëtare.

    Portieri i FC Bayern Munich ka fituar pothuajse çdo trofe të mundshëm gjatë karrierës së tij, përfshirë Kupën e Botës, Ligën e Kampionëve dhe tituj të shumtë të Bundesligës. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit.

    Me këtë njoftim, Neuer i ka dhënë një dimension emocional pjesëmarrjes së tij në Kupën e Botës 2026, e cila pritet të jetë paraqitja e fundit e një prej ikonave më të mëdha të futbollit gjerman.

  • Dëmtim i rëndë për Kone-Talenti kanadez përfundon në operacion

    Dëmtim i rëndë për Kone-Talenti kanadez përfundon në operacion

    Momente ankthi u përjetuan në ndeshjen mes Kanadasë dhe Katarit, pas dëmtimit të rëndë të pësuar nga mesfushori kanadez Ismaël Kone.

     

    Ngjarja ndodhi në pjesën e dytë të takimit, kur Kone u rrëzua në fushë pas një përplasjeje me Madibon. Pamjet ishin tronditëse dhe lojtarët e të dy skuadrave u mblodhën menjëherë rreth tij për të shmangur ekspozimin e skenës së rëndë para tifozëve.

     

    Futbollisti u largua nga fusha me barelë dhe u transportua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ekzaminimet mjekësore konfirmuan thyerjen e këmbës, ndërsa talenti kanadez i Sassuolos pritet të mungojë nga katër deri në pesë muaj.

     

    Pas incidentit, mësohet se Madibo shkoi menjëherë në dhomat e zhveshjes për t’i kërkuar falje Kones për faullin që shkaktoi dëmtimin e rëndë.

     

    Trajneri i Kanadasë, Jesse Marsch, nuk e fshehu tronditjen pas ndeshjes.

     

    “Mund ta dëgjoje kockën duke u thyer. Të gjithë u tronditëm për të. Ishte një moment shumë i vështirë për ekipin, por duhej të gjenim forcën për të qëndruar të përqendruar. E dinim se Ismaël do të dëshironte që ne ta vazhdonim ndeshjen dhe të luftonim deri në fund. Të gjithë po mendojmë për të dhe jemi krenarë për karakterin që tregoi skuadra”, deklaroi Marsch.

     

    Dëmtimi i Kones është një goditje e rëndë si për Kanadanë, ashtu edhe për Sassuolon, që do të mbetet pa një nga talentet e saj më premtues për disa muaj.

  • “Në Ikje” vjen në Prishtinë me rrëfimet e të zhvendosurve gjatë luftës në Kosovë

    “Në Ikje” vjen në Prishtinë me rrëfimet e të zhvendosurve gjatë luftës në Kosovë

    “Në Ikje”, titullohet ekspozita performuese që sjellë rrëfime të drejtpërdrejta mbi përvojat e zhvendosjes së detyruar gjatë luftës në Kosovë, e cila mbahet sonte nga ora 18:00, në qendrën Barabar në Prishtinë.

    Ngjarja vendos në qendër zërat e njerëzve që kanë përjetuar largimin nga shtëpitë e tyre, pasigurinë e rrugëtimit dhe jetën në kushte të përkohshme, duke i shndërruar këto dëshmi në një akt të përbashkët kujtese dhe dëgjimi. Përmes interpretimit të fragmenteve autentike nga Muzeu Virtual i Refugjatëve, këto rrëfime marrin një formë të re, jo si kujtime të largëta, por si përvoja që afrohen, prekin dhe vazhdojnë të rezonojnë në të tashmen.

    “Në Ikje” nuk synon vetëm të tregojë, por të krijojë një hapësirë ku publiku përfshihet emocionalisht dhe mendërisht në procesin e kujtesës. Është një ftesë për të ndalur ritmin e përditshmërisë dhe për t’u përballur me fragmente jete që flasin për humbjen, qëndrueshmërinë dhe dinjitetin njerëzor në kohë krize.

    Në këtë format të gjallë, fjala e folur shndërrohet në medium kujtese, ndërsa hapësira bëhet një vend i përkohshëm i reflektimit kolektiv ku historia nuk mbetet vetëm e kaluar, por merr prani të re përmes aktit të dëgjimit.

    Kjo ekspozitë është kuruar nga Çlirimtare Januzaj.

  • Botërori 2026 vazhdon me ndeshjet e grupeve C dhe D

    Botërori 2026 vazhdon me ndeshjet e grupeve C dhe D

    Botërori 2026 në SHBA,Kanada dhe Mekiskë vazhdon me ndeshjet e grupeve C dhe D,ku shumë kombëtare kërkojnë pikë në mënyrë që të mbesin në garë për pozitat që dërgojnë në raundin e 32-të.

    Në ora 21:00 nikoqiri SHBA do të takohet kundër Australisë në ndeshjen e dytë të grupit D,ku amerikanët me fitore do të siguronin raundin tjetër njëjtë sikurse edhe australianët të cilët nga fitorja befasuese kundër Turqisë.

    Në ora 24:00 Maroku dhe Skocia do të zhvillojnë një nga ndeshjet kryesore të grupit C,ku marokenët pas barazimit ndaj Brazilit synojnë fitoren e parë teksa skocezët për 3 pikët e rradhës.

    Në ndeshjen tjetër të grupit C Brazili synon fitore përballë Haitit,ku 5 herë kampionët e botës konsiderohen favoritë ndaj autsajderëve të grupit të cilët humbën kundër Skocisë në ndeshjen e parë.

    Në anën tjetër ndeshja tjetër e grupit D ndërmjet Turqisë dhe Paraguajit zhvillohet në ora 4 të mëngjesit.

    Turqit vijnë nga humbja 2:0 kundër Australisë dhe do të tentojnë që të marrin pikët e plota,dhe një rezultat tjetër do të rrezikonte gjasat e Turqisë për kalim në raundin tjetër,teksa e njëjta gjë vlen edhe për Paraguajin të cilët poashtu pësuan humbje në ndeshjen e parë ndaj SHBA-së.

  • ​Si e rriti Lista Serbe mbështetjen me 20 për qind brenda gjashtë muajsh?

    ​Si e rriti Lista Serbe mbështetjen me 20 për qind brenda gjashtë muajsh?

    Lista Serbe mund të lëvdohet se është njëra nga fitueset e mëdha të zgjedhjeve të fundit në Republikën e Kosovës.

    Kjo pasi subjekti që mbledh rreth vetes serbët kosovarë pro presidentit nga Beogradi, Aleksandar Vuciq,rriti rezultatin e saj me rreth 20 për qind krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke kaluar nga 4.49 për qind në 5.40 për qind të votave në nivel vendi.

    Ky është suksesi më i madh i saj në katër proceset e fundit elektorale sa i përket përqindjes së besimit të marrë nga qytetarët, ndonëse me shifrën prej 43,838 votave që kapën me 7 qershor, Zlatan Elek me bashkëpartiakët e tij nuk arritën rekordin edhe në numër votash, në po aq zgjedhje. Atë e kishin kapur më 14 shkurt 2021, kur patën marrë besimin e 44,407 qytetarëve.

    Në votimet e 28 dhjetorit 2025, kjo listë kishte marrë 42,759 vota ose 4.49 për qind, duke siguruar po ashtu nëntë ulëse parlamentare.

    Më 9 shkurt 2025 pati regjistruar rezultat më të dobët, pasi nuk shkoi në më tepër se 39,915 vota ose 4.26 për qind, ndërsa kishte ruajtur numrin e njëjtë të mandateve.

    Ndërkaq, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Lista Serbe kishte marrë 44,407 vota ose 5.09 për qind.

    Sipas një vëzhgimi që i ka bërë KosovaPress rezultateve të KQZ, del se krahasuar me 28 dhjetorit 2025, Lista Serbe, më 7 qershor e ka rritur mbështetjen për 1,076 vota, ndërsa në raport me zgjedhjet e shkurtit 2025, ajo ka fituar 3,920 vota më shumë.

    Megjithatë, rekordi i Listës Serbe në numër votash, por jo me përqindje, mbetet ai i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur kishte marrë 44,407 vota, që janë 572 më shumë se rezultati i regjistruar më 7 qershor 2026.

    Pavarësisht kësaj, rezultati prej 5.40 për qind në zgjedhjet e fundit përbën performancën më të mirë të krye subjektit të serbëve të Kosovës në aspektin proporcional gjatë katër proceseve të fundit zgjedhore. /Kp/

  • KQZ gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare, pret të përmbyllet afati 48-orësh për ankesa lidhur me rinumërimin

    KQZ gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare, pret të përmbyllet afati 48-orësh për ankesa lidhur me rinumërimin

    Pas përfundimit të rinumërimit të 185 vendvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se është i gatshëm që të shpallë rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, tha se tani janë në pritje nëse do të paraqitet ndonjë ankesë lidhur me këtë proces, në afatin prej 48 orësh duke u llogaritur nga ora 12:00 e ditës së sotme kur u përmbyll rinumërimi.

    Ai bëri me dije se para shpalljes së rezultateve përfundimtare, do të kërkojnë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse është duke shqyrtuar ndonjë ankesë.

    “Më përfundimin e rinumërimit, mund të konstatojmë se KQZ ka përmbyllur administrimin e procesit që përfshin aktivitetet në QKN dhe QNR. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm teknikisht që të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit….Para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ do të kërkojë konfirmim nga ana e PZAP nëse ka ndonjë ankesë që është duke u shqyrtuar në këtë institucion”, ka deklaruar Elezi në konferencë.

    Sa i përket rinumërimit, Elezi tha se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të dalë me raport të detajuar me gjetjet nga secili vendvotim.

    Ai tha se beson se raporti do të hartohet shpejt.

  • Besnik Tahiri tri pyetje publike Albin Kurtit

    Besnik Tahiri tri pyetje publike Albin Kurtit

    Deputeti në ardhje i Aleancës, Besnik Tahiri ka tri pyetje publike për Albin Kurtin për Ditën e Shërbimit Publik.

    “Së pari, pse një qeveri në dorëheqje po vazhdon të shpallë konkurse për pozita të larta drejtuese? Një qeveri në dorëheqje ka mandat të kufizuar dhe nuk mund të veprojë sikur gëzon legjitimitet të plotë. Shpallja e dhjetëra konkurseve në këtë periudhë bie ndesh me frymën e Ligjit për Qeverinë dhe krijon dyshime të arsyeshme për përpjekje të ndikimit politik në institucione para formimit të qeverisë së re.

    Së dyti, pse janë dobësuar garancitë juridike të shërbimit civil? Shndërrimi i pozitave drejtuese nga vende të përhershme pune në mandate të kufizuara cenon sigurinë juridike të nëpunësve publikë dhe rrezikon pavarësinë e administratës. Kjo qasje largohet nga standardet evropiane për një shërbim civil profesional, meritokratik dhe të depolitizuar.

    Së treti, pse po tolerohen emërimet e ushtruesve të detyrës në kundërshtim me ligjin? Vetëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sipas raportit të Auditorit, janë evidentuar 29 pozita me ushtrues detyre, prej të cilave 3 në kundërshtim me ligjin. Vetë Auditori ka paralajmëruar se mbajtja e pozitave për periudha të gjata me ushtrues detyre rrezikon që funksionet publike të ushtrohen nga persona që nuk i plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale.

    Këto nuk janë raste të izoluara. Së bashku, ato dëshmojnë një prirje shqetësuese drejt kontrollit të plotë partiak të administratës publike, dobësimit të meritokracisë dhe zëvendësimit të shtetit ligjor me logjikën e parti-shtetit. Kosova ka nevojë për institucione të pavarura, profesionale dhe të mbrojtura nga ndërhyrjet politike, jo për praktika që minojnë besimin e qytetarëve në shtet.

    Pavarësisht këtyre shqetësimeve, në Ditën e Shërbimit Publik shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për të gjithë nëpunësit publikë që me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim i shërbejnë qytetarëve dhe Republikës së Kosovës çdo ditë” shkruan Tahiri në reagim.

  • Bllokohen mbi 1 mijë infuzione në Spitalin e Mitrovicës, shkak dyshimet për cilësi të produktit

    Bllokohen mbi 1 mijë infuzione në Spitalin e Mitrovicës, shkak dyshimet për cilësi të produktit

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovëska njoftuar se janë ndërmarrë veprime të menjëhershme pas raportimit të një rasti që lidhet me produktin medicinal “Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml” në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

    Si masë parandaluese, bëhet e ditur se Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar bllokimin e 1,432 njësive të këtij produkti, deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe procedurave përkatëse vlerësuese.

    Sipas njoftimit, farmacistja përgjegjëse e barnatores së spitalit kishte ngritur dyshime se produkti mund të mos ishte në përputhje me specifikat e përcaktuara për përdorim.

    Pas pranimit të informacionit, SHSKUK, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) dhe Inspektoratin Farmaceutik, ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për verifikimin e rastit.

    “Më 17.06.2026, Inspektorati Farmaceutik ka kryer inspektim në barnatoren e spitalit, ku është verifikuar gjendja e raportuar për produktin në fjalë.Përmes procesverbalit, Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar bllokimin e 1,432 njësive të produktit medicinal Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe procedurave përkatëse vlerësuese”.
    “Natyra e gjetjes do të përcaktohet pas përfundimit të analizave laboratorike dhe vlerësimeve profesionale nga institucionet kompetente, dhe do të ju njoftojmë për rezultatet përkatëse pas përfundimit të këtyre procedurave.
    ShSKUK mbetet e përkushtuar në ruajtjen e shëndetit publik dhe sigurisë së pacientëve. Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të pacientëve dhe garantimit të cilësisë së produkteve medicinale që përdoren në institucionet shëndetësore, do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme në përputhje me rekomandimet dhe vlerësimet e institucioneve kompetente”, thuhet në njoftim të SHSKUK-së.

  • Ndërron jetë njëri nga të akuzuarit për rastin tragjik në Koçan

    Ndërron jetë njëri nga të akuzuarit për rastin tragjik në Koçan

    Edhe një person tjetër i akuzuar për tragjedinë e Koçanit ka vdekur. Ky është Ljupço Grnçishtanov, i cili ishte 54 vjeç dhe ishte ndër të akuzuarit në rastin që lidhet me aksidentin, përcjell “TV21”.

    Grnçishtanov shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm, ose Shef i Shërbimit të Inspektimit, në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim nga 15 janari 2013 deri më 16 mars 2025.

    Si pjesë e rastit të tragjedisë së Koçanit, ai u akuzua për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”.

    Sipas informacionit në dispozicion, Grnçishtanov kaloi 77 ditë në paraburgim efektiv, pas të cilave ai ishte nën arrest shtëpiak për gati 14 muaj.