ATV

Blog

  • Mbyten dy fëmijë në plazhin e Tales në Lezhë

    Mbyten dy fëmijë në plazhin e Tales në Lezhë

    Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë të premte në bregdetin e Tales në Lezhë. Mësohet se dy të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe kanë humbur jetën pasi janë mbytur në det.

    Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi në një zonë plazhi publik, e cila nuk administrohej nga ndonjë subjekt privat dhe nuk ishte nën menaxhim shtetëror.

    Trupat e pajetë të dy vajzave janë transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.

    “Lezhë / Informacion paraprak Rreth orës 12:50, në plazhin e Tales, dy shtetase të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, dyshohet se janë mbytur duke u larë në det, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

    Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të DVP Lezhë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg.

    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rastit”, njofton policia.

  • Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë rikthehen në grevë nga 22 qershori

    Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë rikthehen në grevë nga 22 qershori

    Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë do të vazhdojnë grevën e pezulluar duke filluar nga 22 qershori 2026.

    Vendimi është marrë sot, më 19 qershor 2026, në një takim të zhvilluar ndërmjet kryetarit të FSPTSPK-së dhe përfaqësuesve të punëtorëve teknikë të shkollave fillore të kryeqytetit, ku është shqyrtuar gjendja aktuale e tyre, thuhet në komunikatë për media.

    Sipas njoftimit, rikthimi në grevë vjen pasi punëtorët ende nuk kanë marrë pagat për muajin maj dhe vazhdojnë të jenë pa kontrata pune.

    Përfaqësuesit e punëtorëve vlerësojnë se situata është krijuar si pasojë e moskryerjes së obligimeve financiare nga ana e Komunës ndaj kompanisë përgjegjëse, gjë që, sipas tyre, ka pamundësuar përmbushjen e obligimeve të kompanisë ndaj punëtorëve.

    Ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të çështjes së pagave dhe rregullimin e statusit të tyre kontraktual, ndërsa kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në adresimin e kërkesave të tyre./KP

  • KPK miraton kandidaturat e pesë prokurorëve për Kryeprokuror të Shtetit

    KPK miraton kandidaturat e pesë prokurorëve për Kryeprokuror të Shtetit

    Me 6 vota për dhe 1 kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar kandidaturat e pesë kandidatëve që kanë hyrë në garë për Kryeprokuror të Shtetit.

    Përkatësisht, prokurorët që kanë aplikuar për këtë pozitë dhe i plotësojnë kushtet sipas kritereve janë:

    Atdhe Dema– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Naim Abazi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Rafet Halimi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Shqipdon Fazliu– Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit,

    Zejnullah Gashi– Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Sekretariati i KPK-së, detyrohet që brenda afatit të publikojë Konceptdokumentet e secilit kandidat.

    Mbledhja e 295 e Këshillit po vazhdon me Raportin vjetor të Komisionit Ad-Hoc Mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për 2025.

    Vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.

    Kujtojmë se në atë mbledhje, anëtari Milot Krasniqi e kishte kundërshtuar shpalljen e konkursit. Ai kishte kritika për atë që e quante “nxitim të shpalljes së konkursit” pa qenë të pranishëm i gjithë Këshilli në takim, duke thënë se Këshilli nuk duhet të bie në diktatin e pushteteve tjera, derisa theksoi se kandidati Blerim Isufaj ishte refuzuar nga atëkohë presidentja Vjosa Osmani, pa një vendim të arsyetuar.

    “Publiku e di që ky proces është bllokuar qëllimisht tash e rreth 4 vjet. Pasi u prit kaq kohë, unë nuk e di thjesht arsyen pse sot ngutemi dhe cila është kjo urgjencë me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Pse të mos presim që të krijohen kushtet ligjore dhe legjitimiteti i plotë për këtë veprim. Pse Këshilli duhet të veprojë kur për këtë proces kanë folë dhe flasin tjerët- ata që kanë më së paku të drejtë, ata që s’kanë as të drejtë kushtetuese, as ligjore e as njerëzore të përfshihen në këtë proces”, kishte thënë ndër të tjera Krasniqi.

    Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata e kishte refuzuar kërkesën dhe se tash lënda gjendet në procedurën e ankesës në Gjykatën e Apelit. /Betimi për Drejtësi

  • Albi Mall Superliga dhe Liga e Parë nisin më 15 gusht

    Albi Mall Superliga dhe Liga e Parë nisin më 15 gusht

    Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur datën e fillimit të garave për edicionin 2026/27 në futbollin kosovar. Sipas njoftimit zyrtar, kampionati në Superligën e Kosovës dhe në Ligën e Parë do të nisë më 15 gusht.

    Ky vendim u jep klubeve kohë të mjaftueshme për të zhvilluar fazën përgatitore verore, për të organizuar ndeshje miqësore dhe për të kompletuar skuadrat para fillimit të garave zyrtare. Klubet do të kenë mundësinë të punojnë në përforcimin e ekipeve dhe në përgatitjen fizike e taktike të futbollistëve për sezonin e ri.

    Ndërkohë, Federata e Futbollit e Kosovës po vazhdon përgatitjet organizative për edicionin e ardhshëm, me qëllim që të sigurojë mbarëvajtjen e kampionatit në të gjitha nivelet.

    FFK-ja ka bërë të ditur se detajet e tjera, përfshirë shortin e garave, orarin e ndeshjeve dhe kalendarin e plotë të sezonit 2026/27, do të publikohen në javët e ardhshme.

    Sezoni i ri pritet me interes të madh nga klubet dhe tifozët, të cilët tashmë kanë marrë konfirmimin për datën kur do të rikthehet gara më e rëndësishme e futbollit në vend.

  • Kosova mëson kundërshtarët në kualifikimet për Botërorin 2028 në futsall

    Kosova mëson kundërshtarët në kualifikimet për Botërorin 2028 në futsall

    Kombëtarja e Kosovës në futsall ka mësuar kundërshtarët e saj në fazën kryesore të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2028.

    Pas shortit të hedhur nga UEFA, Kosova është renditur në Grupin 10, ku do të përballet me Italinë dhe Gjeorgjinë.

    Përfaqësuesja kosovare do të synojë të vazhdojë paraqitjet e mira dhe të sigurojë një vend në fazën e radhës të garës, pavarësisht rivalëve të fortë që ka përballë.

    Kosova e siguroi pjesëmarrjen në këtë fazë pas rezultateve të mira në raundin paraprak të kualifikimeve, duke dëshmuar përparimin e vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare të futsallit.

    Sipas formatit të garës, 36 kombëtare janë ndarë në 12 grupe me nga tri skuadra. Fituesit e grupeve, së bashku me katër ekipet më të mira që renditen në vendin e dytë, do të kualifikohen drejtpërdrejt në fazën elitare. Tetë kombëtaret e tjera që përfundojnë në vendin e dytë do të luajnë në ndeshjet shtesë për një vend në fazën e ardhshme.

    Ndeshjet e fazës kryesore të kualifikimeve do të zhvillohen nga tetori i vitit 2026 deri në mars të vitit 2027.

    Kosova shpreson të vazhdojë rrugëtimin e suksesshëm dhe të afrohet edhe më shumë me ëndrrën për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të futsallit.

  • Haxhiu pret në takim të mbijetuarit dhe organizatat që mbështesin viktimat e dhunës seksuale të luftës

    Haxhiu pret në takim të mbijetuarit dhe organizatat që mbështesin viktimat e dhunës seksuale të luftës

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren Gërvalla, u takuan me Vasfije Krasniqi Goodman, Ramadan Nishori dhe përfaqësueset e Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT-së dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.

    “Për vite me radhë, këto organizata u kanë qëndruar pranë të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, me kujdes, dokumentim, mbështetje ligjore e psikologjike dhe me përkushtim të pandërprerë për drejtësinë dhe dinjitetin e tyre. Sot i falënderova për këtë punë të çmuar dhe për rolin që vazhdojnë ta kenë në mbështetje të të mbijetuarave”, ka thënë Haxhiu.

    Gjithashtu, u diskutua për hapat që institucionet duhet t’i ndërmarrin për ta bërë më të lehtë dhe më dinjitoze rrugën e të mbijetuarve drejt njohjes e drejtësisë.

    “Diskutuam për rishikimin e afateve për aplikim, lirimin nga taksat gjyqësore, një hapësirë më të qasshme për Komisionin e Verifikimit, si dhe garancitë e një procesi të verifikimi ku të mbijetuarit trajtohen me dinjitet”, ka theksuar Haxhiu.

    Sipas saj, këto masa do të kontribuonin në një sistem më të drejtë, më human dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave dhe realitetit të të mbijetuarve.

  • Netanyahu urdhëron ushtrinë ta “godasë Hezbollahun me forcë”: Do të paguajë çmim shumë të rëndë

    Netanyahu urdhëron ushtrinë ta “godasë Hezbollahun me forcë”: Do të paguajë çmim shumë të rëndë

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se Hezbollahu do të paguajë “një çmim shumë të rëndë” pasi katër ushtarë u vranë nga një mjet shpërthyes gjatë natës, ndërsa përleshjet me grupin militant libanez u përshkallëzuan.

    “Pas sulmit kriminal të Hezbollahut, i cili përbën një shkelje të hapur të armëpushimit, unë i kam urdhëruar mbrëmë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të godasin Hezbollahun me forcë”, tha Netanyahu në një deklaratë të premten.

    “Urdhri im është i qartë: Izraeli nuk do të tolerojë sulme ndaj ushtarëve tanë apo territorit tonë dhe do t’i shkaktojë një çmim shumë të rëndë Hezbollahut për sulme të tilla”, shtoi ai.

    Katër ushtarët e vrarë në jug të Libanit janë viktimat e para izraelite që nga nënshkrimi i marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit këtë javë. Izraeli u përgjigj me një valë të rëndë sulmesh në jug të Libanit, duke vrarë të paktën 21 persona të premten.

    Kryeministri izraelit përsëriti se trupat do të “mbeten në zonën e sigurisë në jug të Libanit për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur komunitetet e veriut të Izraelit.”

  • Manuel Neuer konfirmon fundin e karrierës me Gjermaninë pas Kupës së Botës 2026

    Manuel Neuer konfirmon fundin e karrierës me Gjermaninë pas Kupës së Botës 2026

    Portieri legjendar i Gjermanisë, Manuel Neuer, ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026 do të jetë turneu i tij i fundit me kombëtaren gjermane, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme në skenën ndërkombëtare.

    38-vjeçari bëri të ditur se nuk ka në plan të vazhdojë me përfaqësuesen pas këtij kompeticioni dhe se nuk do të jetë pjesë e Kampionatit Evropian që do të zhvillohet pas dy vitesh.

    “Ky do të jetë turneu im i fundit për Gjermaninë. Nuk kam ndërmend të marr pjesë në Kampionatin Evropian pas dy vitesh”, deklaroi Neuer.

    Megjithatë, gardiani gjerman theksoi se nuk dëshiron të përqendrohet te lamtumira gjatë turneut, por te paraqitjet e ekipit në fushë.

    “Dua të pres me padurim çdo ndeshje dhe të mos mendoj për lamtumirën apo ndeshjen e mundshme të fundit”, shtoi ai.

    Neuer po merr pjesë në Kupën e Botës për herë të katërt me Germany national football team dhe vazhdon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës, pavarësisht se ndodhet në vitet e fundit të karrierës së tij ndërkombëtare.

    Portieri i FC Bayern Munich ka fituar pothuajse çdo trofe të mundshëm gjatë karrierës së tij, përfshirë Kupën e Botës, Ligën e Kampionëve dhe tituj të shumtë të Bundesligës. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit.

    Me këtë njoftim, Neuer i ka dhënë një dimension emocional pjesëmarrjes së tij në Kupën e Botës 2026, e cila pritet të jetë paraqitja e fundit e një prej ikonave më të mëdha të futbollit gjerman.

  • Dëmtim i rëndë për Kone-Talenti kanadez përfundon në operacion

    Dëmtim i rëndë për Kone-Talenti kanadez përfundon në operacion

    Momente ankthi u përjetuan në ndeshjen mes Kanadasë dhe Katarit, pas dëmtimit të rëndë të pësuar nga mesfushori kanadez Ismaël Kone.

     

    Ngjarja ndodhi në pjesën e dytë të takimit, kur Kone u rrëzua në fushë pas një përplasjeje me Madibon. Pamjet ishin tronditëse dhe lojtarët e të dy skuadrave u mblodhën menjëherë rreth tij për të shmangur ekspozimin e skenës së rëndë para tifozëve.

     

    Futbollisti u largua nga fusha me barelë dhe u transportua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ekzaminimet mjekësore konfirmuan thyerjen e këmbës, ndërsa talenti kanadez i Sassuolos pritet të mungojë nga katër deri në pesë muaj.

     

    Pas incidentit, mësohet se Madibo shkoi menjëherë në dhomat e zhveshjes për t’i kërkuar falje Kones për faullin që shkaktoi dëmtimin e rëndë.

     

    Trajneri i Kanadasë, Jesse Marsch, nuk e fshehu tronditjen pas ndeshjes.

     

    “Mund ta dëgjoje kockën duke u thyer. Të gjithë u tronditëm për të. Ishte një moment shumë i vështirë për ekipin, por duhej të gjenim forcën për të qëndruar të përqendruar. E dinim se Ismaël do të dëshironte që ne ta vazhdonim ndeshjen dhe të luftonim deri në fund. Të gjithë po mendojmë për të dhe jemi krenarë për karakterin që tregoi skuadra”, deklaroi Marsch.

     

    Dëmtimi i Kones është një goditje e rëndë si për Kanadanë, ashtu edhe për Sassuolon, që do të mbetet pa një nga talentet e saj më premtues për disa muaj.

  • “Në Ikje” vjen në Prishtinë me rrëfimet e të zhvendosurve gjatë luftës në Kosovë

    “Në Ikje” vjen në Prishtinë me rrëfimet e të zhvendosurve gjatë luftës në Kosovë

    “Në Ikje”, titullohet ekspozita performuese që sjellë rrëfime të drejtpërdrejta mbi përvojat e zhvendosjes së detyruar gjatë luftës në Kosovë, e cila mbahet sonte nga ora 18:00, në qendrën Barabar në Prishtinë.

    Ngjarja vendos në qendër zërat e njerëzve që kanë përjetuar largimin nga shtëpitë e tyre, pasigurinë e rrugëtimit dhe jetën në kushte të përkohshme, duke i shndërruar këto dëshmi në një akt të përbashkët kujtese dhe dëgjimi. Përmes interpretimit të fragmenteve autentike nga Muzeu Virtual i Refugjatëve, këto rrëfime marrin një formë të re, jo si kujtime të largëta, por si përvoja që afrohen, prekin dhe vazhdojnë të rezonojnë në të tashmen.

    “Në Ikje” nuk synon vetëm të tregojë, por të krijojë një hapësirë ku publiku përfshihet emocionalisht dhe mendërisht në procesin e kujtesës. Është një ftesë për të ndalur ritmin e përditshmërisë dhe për t’u përballur me fragmente jete që flasin për humbjen, qëndrueshmërinë dhe dinjitetin njerëzor në kohë krize.

    Në këtë format të gjallë, fjala e folur shndërrohet në medium kujtese, ndërsa hapësira bëhet një vend i përkohshëm i reflektimit kolektiv ku historia nuk mbetet vetëm e kaluar, por merr prani të re përmes aktit të dëgjimit.

    Kjo ekspozitë është kuruar nga Çlirimtare Januzaj.