ATV

Blog

  • Ganimete Musliu me anëtarë tjerë të Komisionit shkojnë në AKI, takohen me drejtorin Petrit Ajeti

    Ganimete Musliu me anëtarë tjerë të Komisionit shkojnë në AKI, takohen me drejtorin Petrit Ajeti

    Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kanë takuar sot Drejtorin e AKI’së, Petrit Ajeti.

    Takimi është mbajtur në drejtorinë qendrore të këtij institucioni.

    “Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë (AKI), në përmbyllje të sesionit pranveror të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetarja Ganimete Musliu, takuan drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, në drejtorinë qendrore të këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

  • Presidentja Osmani takon strukturat udhëheqëse të Odës Ekonomike Amerikane

    Presidentja Osmani takon strukturat udhëheqëse të Odës Ekonomike Amerikane

    Promovimi i koordinuar i potencialeve ekonomike të Kosovës dhe fuqizimi i dialogut publiko-privat, ishin në thelb të diskutimit gjatë një takimi që Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, mbajti me strukturat udhëheqëse të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

    Duke folur para anëtarëve të Bordit të Guvernatorëve dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e dialogut publiko-privat si proces në të mirë të Kosovës e në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në ndërlidhje me këtë, ajo inkurajoi përfshirjen aktive të sektorit privat përmes ofrimit të rekomandimeve konkrete. Ajo tha se dera e Zyrës së Presidentes do të jetë përherë e hapur për përfaqësuesit e sektorit privat, duke demonstruar vullnetin e saj për përkrahje dhe përpjekje të koordinuara. Presidentja tha se duke e fuqizuar sektorin privat në vend, e bëjmë atë edhe më atraktiv në aspektin e punësimit.

    Duke folur për popullsinë e Kosovës, e cila vijon të jetë popullsia më e re në moshë në Kosovë, Presidentja Osmani tha se kapitali njerëzor është aseti më i rëndësishëm i Kosovës. Në ndërlidhje me këtë, Presidentja theksoi nevojën e investimit në zhvillimin e vazhdueshëm të kapitalit njerëzor. Presidentja foli edhe për rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

    Në takimin në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Presidentja Osmani, foli edhe kontributin e tejçmuar të SHBA-së në fuqizimin ekonomik por edhe subjektivitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe anëtarësimin në organizata të rëndësishme e konventa ndërkombëtare.

    Duke folur për sektorin e drejtësisë në vend, Presidentja tha se progresi në aspektin ekonomik e social, do të duhej përcjellur edhe me fuqizimin e vazhdueshëm të sektorit të drejtësisë, si në aspekt të profesionalizmit, ashtu edhe në atë të integritetit, në mënyrë që sektori privat dhe segmentet e tjera të shoqërisë të mund të rrisin besimin në institucionet e drejtësisë dhe promovimin e parashikueshmërisë ligjore.

    Presidentja Vjosa Osmani Sadriu foli edhe për rëndësinë e koordinimit të përpjekjeve për promovimin e potencialeve për investime në Kosovë.

  • Dy djemtë rrahin dhe ia thyejnë telefonin babait në Fushë-Kosovë

    Dy djemtë rrahin dhe ia thyejnë telefonin babait në Fushë-Kosovë

    Dy të dyshuar janë arrestuar nga Policia në Fushë-Kosovë pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht babanë e tyre.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, të dyshuarit përveç sulmit fizik, e kanë kanosur me thikë dhe ia kanë thyer telefonin babait.

    Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Pesë zonat që harroni të vendosni kremin kundër diellit, duke u rrezikuar nga kanceri i lëkurës

    Pesë zonat që harroni të vendosni kremin kundër diellit, duke u rrezikuar nga kanceri i lëkurës

    Rreziku i kancerit të lëkurës mund të rritet në rast se ekspozojmë trupin në temperaturat e larta gjatë stinës së verës.

    Mënyra më e mirë për të shmangur kancerin e lëkurës është të mbroni lëkurën tuaj nga rrezatimi i dëmshëm ultravjollcë (UV), duke aplikuar rregullisht kremin kundër diellit, shkruan The Sun.

    Por, sipas një specialisti të kancerit të lëkurës, janë pesë zona të trupit që njerëzit shpesh harrojnë t’i mbrojnë.

    Këta janë zonat më të prirura ndaj kancerit të lëkurës, nga të cilat ekzistojnë dy lloje kryesore – melanoma dhe jo-melanoma.

    “Vazhdoni të aplikoni rregullisht SPF dhe mos harroni zona të tilla si skalpi, të cilin mund ta mbuloni me një kapele nëse preferoni”, tha mjeku Paul Banwell, i cili drejton një njësi kërkimore dhe është një profesor vizitor i kirurgjisë plastike në Shkollën Mjekësore të Harvardit.

    “Duart dhe këmbët janë shpesh zona që harrohen gjithashtu, prandaj sigurohuni që edhe ato të kenë një faktor të lartë SPF”.

    “Njerëzit shpesh harrojnë të mbrojnë buzët, veshët dhe lëkurën e kokës”.

    “Buzët janë veçanërisht të rrezikuara, pasi njerëzit shpesh harrojnë të aplikojnë SPF”.

    “Veshët janë gjithashtu një zonë që harroni lehtësisht, por është e rëndësishme të përdorni SPF në veshët tuaj pasi ata janë ende të ekspozuar ndaj rrezeve UV”.

    “Është shumë e rëndësishme të jeni vigjilent, për secilën pjesë të veshësve si përpara dhe pas veshëve”, theksoi mes tjerash. /Telegrafi/

  • Pse Ryva Kajtazi nuk blen asnjëherë torte për ditëlindje?

    Pse Ryva Kajtazi nuk blen asnjëherë torte për ditëlindje?

    Në “The Elite Way” me Elita Rudi dhe Nderim Neziri, së fundi ka qenë e ftuar edhe këngëtarja e aktorja Ryva Kajtazi.

    Kjo e fundit ka folur për angazhimet e saj si këngëtare e aktore, por jo vetëm.

    Në program, Ryves i është përmendur edhe pasioni për gatimin. Ajo, është ndalur pak minuta për të treguar se sa me qejf gatuan.

    Ryva, potencoj se nuk blen asnjëherë torta, pasi i bënë vetë. Madje, tha se edhe për dhuratë dergon vetëm torta të bërë nga duart e saj.

  • Loriana Kuka ndalet në garën për medalje

    Loriana Kuka ndalet në garën për medalje

    Loriana Kuka është ndalur në luftën e dytë në Lojërat Olimpike në Paris.

    Në xhiron e dytë të kategorisë deri 78 kilogramë, Loriana pësoi nga ukrainasja Yelyzaveta Lytvynenko. Luftën e vendosi një uazari i Lytvynenkos.

    Ajo u ndal në rrethin e tetë të finales në kategorinë -78 kg.

  • Kjo është kundërshtarja e radhës e Loriana Kukës, mësohet koha e nisjes së duelit

    Kjo është kundërshtarja e radhës e Loriana Kukës, mësohet koha e nisjes së duelit

    Loriana Kuka do të përballet me ukrainasen Yelyzaveta Lytvynenko në xhiron e dytë të kategorisë deri 78 kilogramë.

    Lytvynenko në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa Loriana e mposhti me Ippon të bukur sllovenen Metka Lobnik.

    Lytvynenko është bartëse e tetë, ndërkaq Loriana renditet në vendin e 29-të në renditjen botërore të kategorisë deri në 78 kilogramë.

    Dueli i radhës i Lorianës do të zhvillohet pritet të nisë rreth orës 11:10.

  • BQK: Investimet direkte në Kosovë arritën në 341.22 milionë euro

    BQK: Investimet direkte në Kosovë arritën në 341.22 milionë euro

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se vlera e investimeve direkte në Republikën e Kosovës deri në fund të muajit maj 2024 ka arritur 341.22 milionë euro.

    Sipas BQK-së, vlera e investimeve direkte jashtë Republikës së Kosovës për këtë periudhë ishte 84.14 milionë euro.

    “Eksporti i mallrave për këtë muaj shënoi vlerën e 373.86 milionë eurove”, thuhet në njoftim të BQK-së.

    Sipas BQK-së, importi i mallrave ishte 2 miliardë e 207.79 milionë euro.

    BQK njofton se llogaria e shërbimeve shënoi vlerën e 439.60 milionë eurove, ndërkaq dërgesat preliminare nga mërgata deri në muajin maj 2024 ishin 512.96 milionë euro.

    Bilanci i pagesave deri në fund të muajit maj 2024 u karakterizua me një deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 556.39 milionë eurosh, i cili tregon rritje prej 101.88 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Bilanci tregtar në mallra deri në fund majit 2024 shënoi deficit në vlerë 1,833.93 milion euro, i cili është për 8.04 % më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 373.86 milionë euro, që përfaqëson rritje prej 4.14 %, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje prej 7.36 %, duke arritur vlerën 2,207.79 milionë euro.

    Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, deri në fund të majit 2024 shënoi vlerën e 439.60 milionë eurove, që është për 0.33 % më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

    Të ardhurat parësore deri në fund të majit 2024 shënuan bilanc pozitiv prej 65.79 milionë euro, të cilat në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin vlerë 32.21 milionë euro duke treguar një rritje prej 104.28 %.

    Të ardhurat dytësore mbeten kontribuueset kryesore në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse. Deri në maj 2024 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 772.16 milionë eurosh, e cila paraqet vlerë pothuajse të njëjtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar.

    Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në maj 2024 shënoi 512.96 milionë euro, që paraqet rritje prej 9.56 milionë euro ose 1.90 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin qershor 2024 ishin rreth 119.71 milionë euro, duke arritur kështu vlerën për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 në 632.67 milionë euro (preliminare). Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit qershor kanë qenë përmes IFJB 60.14 %, përmes bankave komerciale 15.50% dhe kanaleve tjera 24.36 %.

    Asetet në llogarinë financiare deri në fund të majit 2024 kanë shënuar bilanc negativ për 21.47 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë prej 352.01 milionë euro.

    Investimet direkte në Kosovë deri në fund të majit 2024 ishin 341.22 milionë euro, që paraqesin një rritje prej 10.00 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën 84.14 milionë euro.

    Asetet rezervë deri në fund të majit 2024 janë rritur për 99.31 milionë euro, e cila përfaqëson rritje prej 52.70 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave të cilat gjatë periudhës janar-maj 2024 u rritën për 192.29 milionë euro. Ndërsa, investimet në letra me vlerë gjatë kësaj periudhe u zvogëluan për 92.98 milionë euro për shkak të maturimit të disa prej letrave me vlerë.

  • Qiti me armë në ajër gjatë dasmës, arrestohet babai i dhëndrit në Suharekë

    Qiti me armë në ajër gjatë dasmës, arrestohet babai i dhëndrit në Suharekë

    Mbrëmë në fshatin Peqan të Suharekës, gjatë ahengut familjar në një shtëpi – festës së martesës, pati të shtëna me armë zjarri në ajër.

    Siç raporton klankosova se pas kësaj, në familjen në fjalë kanë shkuar organet e rendit, të cilët kanë gjetur disa gëzhoja dhe konfiskuan armë. Po ashtu në stacion kanë shoqëruar pronarin e shtëpisë, përkatësisht babanë e dhëndrit që po martohej.

    Këto informacione i konfirmoi edhe zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Vesel Gashi, i cili bëri të ditur se patrulla policore tek i dyshuari ka gjetur dhe sekuestruar ne cilësinë provave materiale dy armë: armë automatike AK-47 dhe një pistoletë.

    Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

  • Loriana Kuka fiton me ippon ndeshjen e parë në Lojërat Olimpike

    Loriana Kuka fiton me ippon ndeshjen e parë në Lojërat Olimpike

    Xhudistja kosovare Loriana Kuka ka kaluar në rrethin e dytë të garës në Lojërat Olimpike Parisi 2024, pasi e mposhti sllovenen Metka Lobnik.

    Ajo e mundi garuesen sllovene me ippon, pasi e hodhi atë në tatami me një lëvizje spektakolare.

    Kuka, 27-vjeçare, do të përballet me ukrainasen Yelyzaveta Lytvynenko në kategorinë deri në 78 kilogramë, në kërkim të medaljes së parë olimpike në karrierë.

    Ajo i ka fituar shtatë medalje të arta në karrierë, por ende është në kërkim të një medaljeje të artë në një turne të madh.

    Kuka është xhudistja e fundit e Kosovës e mbetur në garë në Lojërat Olimpike në Paris, pasi katër garuesit e tjerë garuan në ditët e kaluara.

    Kampionia olimpike Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë fundjavën e kaluar, ndërsa Laura Fazliu e fitoi medaljen e bronztë në fillim të kësaj jave.

    Akil Gjakova dhe Nora Gjakova nuk arritën të fitojnë medalje.

    Kosova i ka fituar dy medalje olimpike deri tani në Paris 2024, dhe pesë në përgjithësi në historinë e saj në Lojëra Olimpike.

    Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani.

    Kosova udhëtoi drejt Parisit me nëntë atletë në sporte si, xhudo, not, atletikë dhe boks.

    Gjashtë prej tyre i kanë përfunduar garat në sportet e tyre përkatëse tashmë, me Adell Shaboviq, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Donjeta Sadiku që nuk arritën të fitojnë medalje.

    Në ditët në vijim do të garojnë edhe Gresa Bakraqi në atletikë, Hana Beiqi në not.

    Lojërat Olimpike Verore mbahen çdo katër vjet dhe vlerësohen si gara më e shquar me shumë sporte individuale dhe ekipore në botë.

    Kosova e shënoi debutimin në vitin 2016 në Olimpiadën e Rios në Brazil.