ATV

Blog

  • Loriana Kuka pensionohet nga xhudo në moshën 27-vjeçare

    Loriana Kuka pensionohet nga xhudo në moshën 27-vjeçare

    Xhudistja nga Kosova, Loriana Kuka ka vendosur të pensionohet nga sporti i xhudos, pas përfundimit të garave në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

    Gara në Lojërat Olimpike “Paris 2024” ishte e fundit për xhudisten pejane, Loriana Kuka, e cila ka vendosur të pensionohet nga moshën 27-vjeçare.

    Vendimi për pensionim erdhi pas ditës së sotme (e enjte), ku Loriana fitoi një ndeshje dhe u eliminua në raundin e 1/8-tës në kategorinë deri në 78 kilogramë.

    Menjëherë pas ndeshjes, trajneri dhe xhaxhai i saj, Driton Kuka, la të kuptohet për pensionimin e saj, në një shkrim emocionues.

    Megjithatë, tani ka ardhur edhe konfirmimi i pensionimit të Lorianës, e cila gjatë karrierës së saj ka fituar shumë medalje.

    Gjatë karrierës së saj, 27-vjeçarja ka fituar medalje të bronzta në Kampionatin Botëror, dy medalje në Kampionate Evropiane, një në Lojërave Evropiane, dhe një të artë dhe një të argjendtë në Lojërat Mesdhetare.

    Loriana gjithashtu ka fituar edhe shumë gara Grand Slam, ndërsa ishte e kualifikuar dy herë edhe për Lojërat Olimpike, por fatkeqësisht pa arritur të stoliset me medalje. /Telegrafi/

  • Kryetari i Malishevës shpallë “Qytetar nderi” tri personalitete nga ShBA-ja: Miqësia jonë është vëllazëri e përjetshme

    Kryetari i Malishevës shpallë “Qytetar nderi” tri personalitete nga ShBA-ja: Miqësia jonë është vëllazëri e përjetshme

    Komuna e Malishevës ka ndarë çmimet “Qytetar nderi” për tri personalitete nga ShBA-ja, David Carr, Charles D. Fall dhe Naser Nika, raporton EO.

    Kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati ka thënë se falë kontributit te ShBA-së, Kosova sot është e pavarur dhe e lirë.

    Ai e ka vlerësuar shumë përkrahjen e Carr, Fall dhe Nikës për Kosovën, ndërsa ka shtuar se miqësia mes Kosovës dhe ShBA-së është vëllazëri e përjetshme. Falë kontributit të qytetarëve të nderit, ai ka thënë se dy festa të Kosovës njihen në New York e se dy rrugë mbajnë edhe emra shqiptarë.

    “Jam i nderuar në vazhdimësi me lidhjet tona shpirtërore që kombi shqiptar ndërtoi me shekuj të tërë. Kontributi i ShBA-së për të bërë Kosovën më të fortë dhe të pavarur dhe të lirë. Për historikun e Komunës sonë jam i nderuar që të ndaj çmimet si “Qytetar nderi”, për te gjitha çështjet që ngriten në New York nga këta personalitete, që asnjëherë nuk janë ndalur duke përkrahur Kosovën atje. Falë tyre dy festa të Kosovës njihen në dy institucione në New York. Davidi ka kërkuar që një rrugë në New York të quhet Ismail Qemaili. Po ashtu edhe një rrugë me emrin Isa Boletini. Miqësia dhe aleanca jonë nuk është e rastësishme por është vëllazëri e përjetshme”.

    “Populli shqiptar e kujton kontributin historik të tyre, në këtë angazhim nuk duhet te harrojmë diasporën që bëjnë kontribut për shqiptarët. Nuk harrojmë kontributin e presidentëve te ShBA-së. Sot është një moment gëzimi dhe krenarie për Malishevën, kjo komunë është shembull i lirisë dhe i nderit”, ka thënë Kastrati.

    Qytetari amerikan, Charles D. Fall, u shpreh i nderuar më çmimin e marrë. Ai theksoi se populli shqiptar është popull shumë punëtor që nuk ndalet asnjëherë.

    “Jam me të vërtetë i nderuar për këtë çmim që e mora sot, unë dua ta falënderoj kryetarin e Komunës për të gjitha këto që po i bënë për komunitetin shqiptar. Do të doja të njoftoja edhe ish-kryeministrin Fatmir Lima, nëse mendoni për projektet e mëdha në Kosovë tregon se sa është përkujdesur për vendin e tij. Ne kemi një popullatë të madhe te shqiptarëve atje dhe mund të shohim se punojnë shumë dhe ata punojnë dhe sjellin tek komuniteti i vet. Unë e kam shefin e stafit që është shqiptar dhe një problem që e kam me të është sepse ai nuk di të ndalë të mos punojë një ditë. Kjo na jep një shembull se sa punëtor të mëdhenj ka ky komunitet” ka thënë Fall.

    Tutje, qytetari David Carr ka thënë se ky çmim është një privilegj për të.

    Ai ka treguar se është i përkushtuar për kauzën shqiptare në ShBA dhe se mundohet që të krijojë sa më shumë shkolla në gjuhën shqipe.

    “Është privilegj ta njohim në këtë komunitet kemi njohur shumë njerëz që janë në shqiptar në Amerikë. Të pranoj një çmim të tillë do te thotë gjithçka për mua. Kam ardhur për disa arsye dhe njëra prej tyre është se edhe pse jemi dy amerikanë të partive te ndryshme ne bashkohemi dhe do te jemi gjithmonë miqtë e juaj. Zotëri Lima e njoh punën e tij që ka bërë dhe për këtë arsye iu falënderoj. Ne kemi bërë gjera reale ne tentojmë që të investojmë në Amerikë për çështje shqiptare, mundohemi që të krijojmë shkolla në gjuhën shqipe që të mos e harrojnë gjuhën e tyre”, ka thënë Carr.

    Kurse, Naser Nika ka thënë “të tre neve do të ka keni ambasador të Malishevës në New York”.

    “Është shumë të vështirë të flas sepse kemi marrë çmimin me të lartë. Jemi bërë bashkë dhe jemi munduar të punojmë për Kosovës. Të tre neve do të ka keni ambasador të Malishevës në New York. Jam qytetar i juaj nga dita e sotme. Nuk mundem pa e përshëndet Fatmir Lima për përkrahjen që na ka dhënë neve, e keni”, shtoi Nika.

  • ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin

    ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Thaçin dhe Veselin

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

    Për Thaçin dhe Veselit, ZPS-ja i ka bërë dy kërkesa të ndara, me anë të së cilave thekson se ekziston rreziku që dy të akuzuarit “të pengojnë procesin gjyqësor, të kryejnë krime të tjera ose edhe të arratisen”.

    “Asnjë nga modalitetet e lirimit me kusht nuk është në gjendje të zbusë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet…Rreziqet përkatëse mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së, siç është riafirmuar së fundmi nga ky Panel”, thuhet në dy kërkesat e ZPS-së.

    Po ashtu, në të dyja kërkesat, ZPS-ja ka rikujtuar se sa i takon rreziqeve të pengimit të procedurave të DhSK-së, dhe “rrezikut për kryerjen e krimeve të mëtejshme nga të akuzuarit”, Paneli ka konstatuar se asnjë nga kushtet e propozuara më parë dhe as ndonjë masë shtesë nuk mund t’i zbus rreziqet të cilat ekzistojnë në këtë rast.

    Sipas ZPS-së, asgjë nuk ka ndryshuar që nga vendimi i fundit i trupit gjykues për vazhdimin e paraburgimit ndaj dy të akuzuarve.

    ZPS-ja ka shtuar se “sjellja e Thaçit përfaqëson një rrezik jashtëzakonisht të rritur e sidomos me vazhdimin e gjykimit dhe zbulimin e mëtejshëm të provave”.

    “Përkundrazi, sjellja e Thaçit tani përfaqëson një rrezik të jashtëzakonshëm të rritur që edhe kufizimet dhe monitorimi standard i komunikimeve të Qendrës së Paraburgimit janë të pamjaftueshme për ta zbutur atë, duke e bërë të nevojshme vendosjen e një regjimi edhe më të rreptë nga ky Panel. Prandaj, sidomos në lidhje me vazhdimin e gjykimit dhe zbulimin e mëtejshëm të provave, rreziqet bazë janë më të larta se kurrë”, thuhet në kërkesën e ZPS-së.

    Po ashtu, sa i takon sjelljes së Veselit, ngjashëm thuhet edhe në kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.

    ZPS-ja rikujtoi sërish arsyetimin e Panelit për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve, ku për Thaçin kishte konstatuar se duhet vlerësuar faktet e çdo rasti dhe veçoritë e tij personale e “që përfshijnë ndikimin dhe autoritetin e të akuzuarit, njohuritë e tij mbi akuzat dhe provat kundër tij, mundësinë për një dënim të gjatë me burgim, rrezikun e pengimit të procedurave, kryerjes së krimeve”, etj.

    Ndërsa, në kërkesën për Veselin, ZPS-ja rikujtoi arsyetimin e panelit për vazhdimi e paraburgimit ndaj tij, duke theksuar se ai është i akuzuar për dhjetëra akuza të krimeve të rënda ndërkombëtare, në të cilat pretendohet se ka luajtur rol të rëndësishëm dhe nëse dënohet mund të përballët me burgim të gjatë, etj.

    Si rrjedhojë, ZPS-ja ka parashtruar se duke marrë parasysh këta faktor dhe faktorët shtesë, masa e paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit “vazhdon të jetë e arsyeshme dhe se ata duhet të mbesin në paraburgim”.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020, raporton Betimi për Drejtësi.

  • Dogana thyen rekord – Mbi 1 miliard euro të hyra këtë vit

    Dogana thyen rekord – Mbi 1 miliard euro të hyra këtë vit

    Dogana e Kosovës të enjten ka njoftuar për atë që e kanë quajtur sukses historik, duke mbledhur për mbi 1 miliard euro të hyra deri në gusht të këtij viti.

    Që nga themelimi i Doganës, sipas njoftimit, është hera e parë që në periudhën janar-gusht arrihet kjo shumë.

    “Dogana e Kosovës ka arritur një sukses historik duke mbledhur mbi 1 miliard euro të hyra. Kjo arritje përfaqëson një pikë të rëndësishme për institucionin dhe për ekonominë e vendit tonë, duke reflektuar përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar proceset dhe për të rritur efikasitetin e shërbimeve tona”, thuhet në njoftimin e Doganës.

    Për këtë rritje, Dogana ka thënë se ka pasur “kombinim faktorësh”.

    “Ky rekord i ri është rezultat i një kombinimi faktorësh, duke përfshirë: Përmirësimin e procedurave Doganore: Implementimi i sistemeve të reja dhe teknologjive për të thjeshtuar dhe shpejtuar proceset doganore ka luajtur një rol kyç në arritjen e këtij suksesi. Lufta kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal: Masat e intensifikuara dhe bashkëpunimi me agjencitë tjera të zbatimit të ligjit kanë kontribuar në uljen e kontrabandës dhe evazionit fiskal, duke rritur të hyrat. Transparenca dhe edukimi publik: Rritja e ndërgjegjësimit publik dhe edukimi i qytetarëve dhe bizneseve për rëndësinë e përputhshmërisë me ligjet doganore ka rezultuar në një përputhshmëri më të lartë dhe, rrjedhimisht, në të hyra më të larta”, vijon njoftimi.

    Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu, sipas njoftimit shprehu mirënjohjen për stafin e Doganës dhe për partnerët strategjikë që kanë ndihmuar në arritjen e këtij suksesi.

    “Ky është një moment i rëndësishëm për Doganën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë, mbledhja e 1 miliard eurove të hyra është dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe profesionalizmit të Doganës së Kosovës”, ka thënë Llugaliu, sipas njoftimit.

  • Shkalla e papunësisë në Eurozonë rritet në qershor

    Shkalla e papunësisë në Eurozonë rritet në qershor

    Papunësia në eurozonë u rrit në 6.5% në qershor krahasuar me 6.4% në maj, tha të enjten zyra e statistikave të BE-së.

    Numri i të papunëve u rrit me 41,000 nga muaji i kaluar në 11.12 milionë në zonën e monedhës së përbashkët, treguan të dhënat e Eurostat.

    Papunësia në mbarë BE-në, e cila përfshin vendet që janë në bllok, por nuk përdorin monedhën e saj të përbashkët, ishte e qëndrueshme në 6% në qershor.

    Rreth 13.26 milionë njerëz në BE ishin të papunë në qershor, duke shënuar një rritje prej 52,000 nga maji.

    Një total prej 2.83 milionë të rinjsh (nën 25 vjeç) ishin të papunë në BE, duke përfshirë 2.27 milionë në zonën e monedhës së përbashkët.

    Shkalla e papunësisë tek të rinjtë ra në 14.1% në eurozonë dhe 14.4% në BE./AA

  • ​Lëvizja FOL: Qeveria realizoi vetëm 33 për qind të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-qershor 2024

    ​Lëvizja FOL: Qeveria realizoi vetëm 33 për qind të Planit Kombëtar për zhvillim për periudhën janar-qershor 2024

    Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga monitorimi i Planit Kombëtar për Zhvillim për periudhën janar-qershor 2024.

    Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim.

    “Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-qershor 2024 ka arritur të realizoj vetëm 49 apo 33 % nga to, ndërkaq 59 apo 40 % nga to kanë mbetur të parealizuara. Ndërsa, për 39 aktivitete apo (27 %) nga tri ministri (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), FOL nuk ka pranuar përgjigje se sa janë realizuar aktivitetet e tyre për periudhën e parë gjashtë mujore”, ka thwnw ajo.

    Demolli-Nimani, listoi dhe ministritë të cilat s’kanë planifikuar asnjë aktivitet për periudhën e parë gjashtë mujore 2024 janë; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.

    Ndërkaq Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-qershor të vitit 2024 janë:

    • Zyra e Kryeministrit – kishte paraparë vetëm 16 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, nga to janë realizuar 13 dhe 3 kanë mbetur pa u realizuar.

    • Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 8 aktivitete brenda periudhës janar – qershor 2024. Prej tyre kanë realizuar 6 ndërkaq 2 janë të parealizuara.

    • Ministria e Drejtësisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 36 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 22 janë të pa përfunduara.

    • Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 3 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024, prej të cilave ka realizuar 1 dhe 2 të tjera janë të parealizuara.

    • Ministria e Ekonomisë – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 18 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë realizuar brenda afatit të paraparë ndërkaq 12 janë të parealizuara.

    • Ministria e Punëve të Brendshme – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 10 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024. Vetëm 6 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 4 janë të parealizuara.

    • Ministria e Mbrojtjes – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.

    • Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – nga 15 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar-qershor 2024 , ka realizuar 3 dhe 12 kanë mbetur të parealizuara.

    • Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – ka paraparë të realizojë vetëm 1 aktivitet gjatë periudhës janar-qershor 2024 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor i cili ka mbetur i parealizuar.

    Ndërkaq tri ministri nuk janë përgjigjur në pyetësorin e Lëvizjes FOL, dhe nuk dimë nëse i kanë realizuar aktivitetet e parapara apo jo.

    • Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 11 aktivitetet brenda periudhës janar – qershor 2024.

    • Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 9 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2023.

    • Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 19 aktivitete brenda periudhës janar- qershor 2024.

    Sipas Demolli-Nimanit, Lëvizja FOL ka bërë krahasimin ndër vite të realizimit të aktiviteteve në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor të parapara të përfundojnë në periudhën janar-qershor për vitet 2022, 2023, 2024. Në vitin 2022 niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 48%, ndërsa në vitin 2023 Qeveria e Kosovës ka realizuar 34% dhe në vitin 2024 ky plan është realizuar vetëm 33 % për periudhën e parë gjashtë mujore.

    Për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 sipas FOL kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 1032 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e më sipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tri vitet e fundit.

  • Osmani uron Zvicrën për ditën kombëtare: Ke qenë një mike e vërtetë

    Osmani uron Zvicrën për ditën kombëtare: Ke qenë një mike e vërtetë

    Presidentja Vjosa Osmani e ka uruar Zvicrën për ditën e saj kombëtare.

    Në një postim në platformën X, ajo e ka shpërndarë një fotografi të sajën me presidenten zvicerane, Viola Amherd.

    “Zvicra ka qenë një mike e vërtetë dhe një aleate e palëkundur, duke qëndruar krah për krah me Kosovën gjatë gjithë viteve”.

    “Sot, ne festojmë me ju, duke nderuar lidhjet e forta që lidhin vendet tona, përfshirë rolin që diaspora jonë ka luajtur në ndërtimin e këtij partneriteti të fortë”, ka shkruar Osmani.

  • Këto janë aktivitetet që po bëjnë komunat për mërgimtarët, flasin ekskluzivisht kryetarët e (disa) komunave

    Këto janë aktivitetet që po bëjnë komunat për mërgimtarët, flasin ekskluzivisht kryetarët e (disa) komunave

    Mërgimtarët veçse kanë filluar të vijnë për pushime në Kosovë… Në komunat e tyre përkatëse për t’u mirëpritur – ata janë duke u nderuar me një bollëk aktivitetesh, organizuar specifikisht për ta.

    Në emisionin veror “n’mal A n’det”, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se veçse kanë filluar aktivitetet në komunën e tyre, derisa tregoi edhe për kohëzgjatjen.

    “Kemi filluar që nga data 26 korrik me ditët e diasporës që do të zgjasin përafërsisht diku 15 ditë (deri me datën 9 gusht)…”, theksoi Bulliqi.

    Ndërkohë kryetari i komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi, krahas aktiviteteve tregoi se komuna e tyre e ka themeluar edhe departamentin për diasporë.

    “…E kemi themeluar departamentin për diasporë (në kuadër të komunës së Vushtrrisë) që e ka për obligim me u marrë me çdo gjë që lidhet me diasporën, jemi munduar që të krijojmë kushte sa ma të mira që diaspora të ndihet shumë më afër. Edhe ne i kemi filluar ditët e diasporës më 26 korrik…”, theksoi Idrizi.

    Shumë aktivitete me artistë të njohur vendorë por edhe nga mërgata, përmendi edhe kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

    “…Këtë vit kemi pasur aktivitete shumë. Prej datës 25 korrik kemi filluar me një ekspozitë (që është tash në edicionin e dytë me radhë), ku organizimi është kryesisht për artistë nga mërgata. Në këtë vit kanë qenë mbi 40 sosh…”, deklaroi Hyseni derisa përmendi edhe aktivitete të tjera si Stand – up komedi, cirk veror dhe shfaqje të tjera të ndryshme që do të mbahen gjatë ditëve në vijim.

    Në mënyrë të përgjithësuar edhe kryetari i komunës së Suharekës Bali Muharremaj, përmendi aktivitetet që komuna e tyre po i bën, për diasporën.

    “…Ne këtë vit startojmë (si çdo vjet) për festën e diasporës (që e kemi me 2 dhe me 3) dhe organizohet në shesh… Mundohemi që mërgimtarëve t’ju krijojmë lehtësira, e kemi zgjatur orarin e punës, kemi lëshuar oborrin e komunës dhe shkollave për parkingje (nuk kanë pagesë)… Gjithashtu mundohemi edhe koncerte që të organizojmë për shkak të tyre…”, theksoi Muharremaj. Ai gjithashtu përmendi se në të ardhmen është në planet e tyre që të organizojnë edhe shkolla për gjuhë (që do t’u ndihmoj mërgimtarëve ta mësojnë gjuhën akoma më mirë)!

    Meqë  datat e “ditëve të diasporës” janë të caktuara, z.Ferizi nga komuna e Vushtrrisë tregoi se kanë pasur ankesa nga mërgimtarët (të cilët nisin pushimet e tyre ndryshe nga datat e festivalit), por ai premtoi se do të vazhdohet sërish pjesa e dytë e festivalit në komunën e Vushtrrisë.

    Për ta shikuar emisionin e plotë “n’mal A n’det” dhe të gjitha intervistat e gjithashtu kuizin dhe lojërat atraktive të këtij emisioni, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë

    Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë

    Gjatë paradites, me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilën u diskutua rreth situatës së sigurisë në vend, aktiviteteve të institucioneve anëtarë të këtij mekanizmi dhe planifikimet për periudhën në vijim.

    Përveç tjerash në takim u diskutuan edhe çështjet e përgjithshme të sigurisë publike, dhe sfidat aktuale të ndërlidhura me zjarret dhe sigurinë në komunikacion.

    Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim i kanë shtuar aktivitetet e tyre për të parandaluar por edhe mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarreve, si dhe masat tjera në shërbim të rritjes së sigurisë në komunikacion.

    Ato do t’i shtojnë përpjekjet e tyre edhe në kuadër vetëdijesimit të qytetarëve në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe sigurisë së shtuar në trafik.

  • Gërvalla emëron Nita Shalën ambasadore të Kosovës në Itali

    Gërvalla emëron Nita Shalën ambasadore të Kosovës në Itali

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se prej sot ambasadore e Kosovës në Itali do të jetë Nita Shala.

    Gërvalla ka thënë se Shala është profesoreshë e së drejtës dhe avokate me eksperiencë të gjerë profesionale në institucione ndërkombëtare.

    “Nita Shala është profesoreshë e së drejtës dhe avokate me eksperiencë të gjerë profesionale në institucione ndërkombëtare. Ajo mban titullin doktor shkencash në drejtësi nga Graduate Institute-Geneva dhe ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, studimet master për drejtësi penale në Universitetin e Oxfordit dhe studime ekzekutive në Harvard, Shkolla për Qeverisje Kennedy.”

    Gërvalla ka shtuar se marrëdhëniet me Italinë do të shënojnë hapa të ri të zhvillimit dhe fuqizimit.

    “Jemi të bindur që me Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Kosovës, Nita Shala, marrëdhëniet tona ndërshtetërore me Italinë do të shënojnë hapa të ri të zhvillimit dhe fuqizimit të tyre. Ambasada jonë dhe Ambasadorja Shala do t’i shërbejnë me përkushtim mërgatës sonë të përqendruar në Itali.”

    Ajo e ka falënderuar ambasadoren e deritanishme. Lendita Haxhitasim, “për kontributin e saj të çmuar”.