ATV

Blog

  • Vdes i moshuari pasi u rrëzua në banesën e tij në Jalë

    Vdes i moshuari pasi u rrëzua në banesën e tij në Jalë

    Një 74-vjeçar ka humbur jetën ditën e sotme në Jalë, në ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një rrëzimi brenda banesës.

    Sipas informacionit paraprak, viktima, me inicialet F.A., dyshohet se është rrëzuar në ambientet e banesës së tij, duke pësuar dëmtime fatale.

    Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat, në bashkëpunim me grupin hetimor, po punojnë për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

    Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të hedhur dritë mbi rastin. /NOA.al

  • Kandiq ngre dyshime për një varr masiv në Pasuljanski Livade të Serbisë

    Kandiq ngre dyshime për një varr masiv në Pasuljanski Livade të Serbisë

    Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka bërë të ditur se në vitin 2008 kishte informuar ministrin e atëhershëm serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, për dyshimet mbi ekzistencën e një varri masiv në zonën ushtarake të Pasuljanski Livade.

    Në një postim në rrjetin social X, Kandiq shkruan se tema e një varri masiv të mundshëm ishte pjesë e takimit të saj me ministrin Shutanovac.

    “Një varr masiv i mundshëm në Pasuljanski Livade ishte tema e takimit tim me Ministrin serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovec, në vitin 2008. E informova se kisha folur me një person që pretendonte të kishte qenë shoferi i kamionit frigoriferik që ai përdori për të transportuar trupat nga Kosova në bazën ushtarake në Pasuljanski Livade. Ai kërkoi para për më shumë informacion. Ai nuk më telefonoi më kurrë. Unë menjëherë e informova Ministrin Šutanovac. As ai nuk më u përgjigj kurrë”, ka shkruar Kandiq.

    Deklarata e saj vjen në kohën kur çështja e varrezave masive dhe e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas raporteve të institucioneve të Kosovës, rreth 1,600 persona ende janë të zhdukur nga lufta e fundit.

  • “Momenti të japësh dorëheqjen”, Rama i përgjigjet Haçkaj: Kam nënshkruar me popullin deri në 2029-ën

    “Momenti të japësh dorëheqjen”, Rama i përgjigjet Haçkaj: Kam nënshkruar me popullin deri në 2029-ën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është përgjigjur drejtuesit të “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj, në një debat të ashpër publik që lidhet me protestën e diasporës që po vijon prej më shumë se 28 ditësh dhe me akuzat për gjendjen në sistemin shëndetësor në vend.

    Debati është zhvilluar përmes deklaratave publike, ku të dyja palët kanë shkëmbyer akuza të forta për qeverisjen, përgjegjësinë politike dhe trajtimin e qytetarëve shqiptarë.

    Florian Haçkaj ka akuzuar kryeministrin Rama për gjuhë fyese ndaj qytetarëve dhe për gjendjen e shëndetësisë në Shqipëri, duke pretenduar se shumë shqiptarë detyrohen të kurohen jashtë vendit për shkak të mungesës së shërbimeve cilësore në sistemin publik.

    Ai ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit, duke e akuzuar për përgjegjësi në degradimin e sistemit shëndetësor dhe për, siç u shpreh ai, “ikjen e qytetarëve për kurim jashtë vendit”.

    Në një tjetër deklaratë, Haçkaj ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, duke thënë se qytetarët duhet të marrin vetë drejtimin e vendit dhe të ndërtojnë një sistem pa korrupsion.

    Në përgjigjen e tij, kryeministri Rama ka deklaruar se nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj qytetarëve dhe ka theksuar se deklaratat e tij janë nxjerrë nga konteksti.

    Ai ka thënë se i është referuar kritikëve politikë dhe jo popullit në përgjithësi, duke shtuar se “populli nuk përfaqësohet nga individë që, sipas tij, përdorin gjuhë fyese dhe shpifje”.

    Rama ka reaguar edhe ndaj akuzave për sistemin shëndetësor, duke theksuar se në dekadën e fundit janë bërë reforma të rëndësishme në këtë sektor, ndërsa ka pranuar se ka ende nevojë për përmirësime.

    Në deklaratën e tij, kryeministri është shprehur se është i lidhur me një “kontratë me popullin sovran të Shqipërisë deri në vitin 2029”, duke nënkuptuar vazhdimin e mandatit të tij politik.

    Haçkaj ka këmbëngulur se sistemi shëndetësor në Shqipëri është në gjendje të rënduar dhe se qytetarët përballen me vështirësi të mëdha, duke u detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

    Rama i ka kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se transformimi i shëndetësisë në vitet e fundit është “i dukshëm dhe i dokumentuar”, edhe pse, sipas tij, sistemi mbetet ende me nevoja për përmirësim.

    Debati është përshkallëzuar edhe mbi protestën e diasporës, ku Haçkaj ka akuzuar kryeministrin për mungesë përgjegjësie dhe për trajtim të padrejtë të qytetarëve kritikë.

    Rama ka deklaruar se protesta është ndikuar nga grupe dhe individë me agjenda të caktuara, duke theksuar se nuk i konsideron ata përfaqësues të gjithë popullit shqiptar.

  • Të hënën temperaturat në Kosovë deri në 38 gradë, apelohet për kujdes

    Të hënën temperaturat në Kosovë deri në 38 gradë, apelohet për kujdes

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka bërë të ditur se java e fundit e qershorit dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga kushte të ndryshueshme atmosferike, duke nisur me mot shumë të nxehtë dhe duke përfunduar me freskim të ndjeshëm dhe paqëndrueshmëri.

    Sipas njoftimit zyrtar, në ditët e para të javës vendi do të ndikohet nga masa të ajrit të nxehtë, të cilat do të sjellin temperatura të larta dhe kushte tipike vere me vapë intensive.

    Megjithatë, nga mesi i javës parashikohet një ndryshim i dukshëm i situatës meteorologjike, si pasojë e depërtimit të një mase më të freskët ajrore nga veriperëndimi i kontinentit. Ky ndryshim pritet të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, rritje të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe zhvillim të vranësirave lokale.

    IHK paralajmëron gjithashtu mundësinë e reshjeve të shiut në disa zona, të shoqëruara me shkarkime rrufesh, duke krijuar kushte të përkohshme të motit të paqëndrueshëm.

    Paralelisht me njoftimin meteorologjik, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta.

    Instituti rekomandon respektimin e masave mbrojtëse, veçanërisht për grupet e ndjeshme të popullsisë, për të shmangur rreziqet shëndetësore që lidhen me vapën ekstreme.

  • Katy Perry detyrohet të anulojë koncertin për shkak të motit të keq

    Katy Perry detyrohet të anulojë koncertin për shkak të motit të keq

    Katy Perry është detyruar të anulojë koncertin e saj në festivalin Werchter Boutique në Belgjikë, vetëm pak orë para se të dilte në skenë, për shkak të kushteve të rrezikshme atmosferike.

    Këngëtarja 41-vjeçare njoftoi fansat përmes Instagramit se autoritetet urdhëruan anulimin e aktivitetit për arsye sigurie, duke theksuar se nuk kishte asnjë mundësi tjetër.

    “ Fatkeqësisht, performanca ime sonte nuk mund të zhvillohet për shkak të anulimit të urdhëruar nga qeveria për shkak të motit të keq. Nuk kisha zgjidhje tjetër”, shkroi ajo.

    Perry zbuloi se ndodhej tashmë prapa skene duke u përgatitur për koncertin kur mori lajmin, shkruan DailyMail.

    “Jam po aq e zhgënjyer sa edhe ju. Kjo situatë është jashtë kontrollit tim, por siguria e të gjithëve mbetet përparësia kryesore”, shtoi artistja.

    Ajo u kërkoi fansave mirëkuptim dhe u uroi të ktheheshin të sigurt në shtëpi, duke shprehur keqardhjen që nuk mundi të rikthehej në skenën e festivalit, ku kishte performuar për herë të fundit në vitin 2009.

  • OVL-UÇK thërret nesër konferencë për media

    OVL-UÇK thërret nesër konferencë për media

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar për një konferencë për media që do të mbahet nesër.

    Konferenca do të mbahet në zyrat e OVL- UÇK-së në Prishtinë, nga ora 13:00.

    Detaje të tjera lidhur me temat që do të diskutohen nuk janë bërë të ditura.

  • Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”

    Kënduan këngë nacionaliste, Policia ndalon disa persona pas përfundimit të “Vidovdanit”

    Policia ka ndaluar disa persona pas përfundimit të manifestimit të “Vidovdanit” në Gazimestan.

    Personat janë ndaluar nën dyshimin se kanë kënduar këngë nacionaliste kundër shtetit të Kosovës.

    Gatë kontrollit të pjesëmarrësve në dalje nga Gazimestani, janë identifikuar të dyshuarit, të cilët më pas janë shoqëruar nga policia, raporton Kallxo.com.

    Ende nuk dihet se sa persona janë ndaluar.

    Policia e Kosovës u kishte dhënë udhëzime se si duhen të sillen gjatë manifestimit. Atyre u ishte bërë të qartë që të mos bëjnë veprime që nxisin urrejtje.

    Me të përfunduar manifestimi, Policia ka filluar t’i kontrolloj një nga një pjesëmarrësit para se të largohen nga Gazimestani.

  • Chelsea shumë afër marrëveshjes me Granit Xhakën

    Chelsea shumë afër marrëveshjes me Granit Xhakën

    Chelsea ka arritur marrëveshje të plotë verbale me Granit Xhakën për kushtet personale, duke e bërë transferimin një hap larg finalizimit.

    Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i “Sky Sport Germany”, Florian Plettenberg, i cili raporton se klubi londinez tashmë ka nisur bisedimet zyrtare me Sunderland për të arritur marrëveshjen përfundimtare mes klubeve.

    Sipas burimeve pranë negociatave, interesimi i Chelseat për mesfushorin zviceran tregon një ndryshim të qartë të strategjisë në “Stamford Bridge”. Klubi londinez po synon të afrojë lojtarë me eksperiencë të madhe në nivele të larta, duke u larguar pjesërisht nga politika e mëparshme e fokusuar kryesisht te talentet e reja me potencial rishitjeje.

    Granit Xhaka, kapiten i Sunderlandit dhe i kombëtares së Zvicrës, shihet si një profil ideal për të sjellë stabilitet, lidership dhe përvojë në mesin e fushës së Chelseat.

    Edhe pse Xabi Alonso raportohet se po shtyn për transferimin e tij, Chelsea aktualisht mbetet në avantazh dhe marrëveshja konsiderohet shumë pranë finalizimit, nëse klubet arrijnë akordin përfundimtar mbi kushtet e transferimit.

  • Manchester City përgatit ofertën për yllin italian Sandro Tonalin

    Manchester City përgatit ofertën për yllin italian Sandro Tonalin

    Manchester City ka nisur lëvizjet konkrete në afatin kalimtar të verës, me objektivin kryesor për të përforcuar repartin e mesfushës. Në krye të listës së City-it është mesfushori italian i Newcastle United, Sandro Tonali.

    Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, City është gati të paraqesë një ofertë prej rreth 70 milionë eurosh, plus bonuse, për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarit. Tonali konsiderohet si një nga objektivat kryesorë të trajnerit Enzo Maresca, i cili dëshiron të ndërtojë një mesfushë më dinamike dhe më agresive për sezonin e ri.

    Drejtuesit e klubit anglez janë në kërkim të një lojtari me intensitet të lartë, personalitet të fortë dhe përvojë në Ligën Premier – cilësi që Tonali i ka dëshmuar me fanellën e Newcastle. Italiani shihet si futbollisti ideal për të sjellë ekuilibër mes fazës mbrojtëse dhe organizimit të aksioneve sulmuese.

    Megjithatë, Newcastle United nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtësisht nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Pavarësisht kësaj, një ofertë që i afrohet 70 milionë eurove, e shoqëruar me bonuse, mund t’i detyrojë drejtuesit e klubit të shqyrtojnë mundësinë e shitjes.

    Interesim për Tonalin ka shfaqur edhe Tottenham Hotspur, i cili synon të përfitojë nga situata për të realizuar një marrëveshje. Megjithatë, Manchester City mbetet favorit falë projektit sportiv, garancisë për të luftuar për trofe dhe mundësisë për të qenë pjesë e një skuadre që synon sukses në çdo kompeticion.

    Nga ana e tij, Sandro Tonali raportohet se e sheh me interes një transferim në “Etihad Stadium”, duke vlerësuar stilin e lojës së Cityt dhe mundësinë për të bërë një tjetër hap të madh në karrierë.

    Nëse bisedimet mes klubeve përparojnë në javët e ardhshme, transferimi i Tonalit mund të shndërrohet në një nga marrëveshjet më të bujshme të kësaj vere në Premierligë.

  • Cristiano Ronaldo hyn në histori, bëhet futbollisti i dytë me më së shumti pozicione jashtë loje në Botërorët e shekullit 21

    Cristiano Ronaldo hyn në histori, bëhet futbollisti i dytë me më së shumti pozicione jashtë loje në Botërorët e shekullit 21

    Cristiano Ronaldo ka shtuar edhe një rekord në karrierën e tij të jashtëzakonshme, këtë herë në një statistikë jo fort të dëshirueshme. Kapiteni i Portugalisë është ngjitur në vendin e dytë në listën e futbollistëve me më së shumti pozicione jashtë loje në historinë e Kupës së Botës gjatë shekullit XXI.

    Në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Botërorit 2026, ku Portugalia barazoi 0-0 me Kolumbinë, Ronaldo u sinjalizua dy herë në pozicion jashtë loje. Me këto dy raste, 41-vjeçari ka shkuar në total në 23 pozicione jashtë loje në paraqitjet e tij në Kupat e Botës.

    Më shumë se Ronaldo ka regjistruar vetëm ish-sulmuesi i Holandës, Robin van Persie, me 25 raste, ndërsa pas portugezit renditet legjenda franceze Thierry Henry me 22.

    Edhe pse kjo nuk është një statistikë për t’u krenuar, ajo dëshmon rolin që Ronaldo ka pasur për më shumë se dy dekada si pika kryesore e repartit ofensiv të Portugalisë. Prania e tij e vazhdueshme në vijën e fundit të mbrojtjes kundërshtare dhe kërkimi i vazhdueshëm i hapësirave kanë bërë që ai të jetë shpesh në kufirin e pozicionit jashtë loje, duke hyrë kështu edhe në historinë e Botërorëve për këtë tregues.