ATV

Blog

  • Zyrtare: Enzo Maresca merr drejtimin e Manchester Cityt

    Zyrtare: Enzo Maresca merr drejtimin e Manchester Cityt

    Manchester City ka zyrtarizuar emërimin e Enzo Marescës si trajnerin e ri të skuadrës, duke i besuar italianit drejtimin e ekipit pas largimit të Pep Guardiolës.

    Maresca rikthehet në “Etihad”, aty ku më parë kishte qenë pjesë e stafit teknik të Guardiolës, ndërsa së fundmi drejtonte Chelsean. Klubi anglez ka bërë të ditur se ai ka firmosur një kontratë trevjeçare, e vlefshme deri në verën e vitit 2029.

    “Manchester City ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Enzo Marescës si trajner të ekipit të parë. Ai ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, e cila do ta mbajë në klub deri në verën e vitit 2029”, thuhet në njoftimin zyrtar të kampionëve të Anglisë.

    Pas zyrtarizimit, Maresca shprehu emocionet për rikthimin në klubin që e konsideron si shtëpinë e tij futbollistike.

    “Manchester City është një klub që e njoh shumë mirë dhe drejtimi i kësaj skuadre është një nder dhe një mundësi e jashtëzakonshme për mua. Kjo është aventura ime e tretë këtu. I njoh standardet, ambiciet dhe kulturën e këtij klubi. Dua të falënderoj drejtuesit për besimin që kanë treguar ndaj meje. Jam i motivuar të nis këtë kapitull të ri dhe të punoj për të arritur suksese të tjera me ekipin”, u shpreh trajneri italian.

  • Haziri: S’kemi pasur as ftesë e as takim me Kurtin

    Haziri: S’kemi pasur as ftesë e as takim me Kurtin

    Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, ka folur pas mbledhjes që kryesia e kësaj partie e ka mbajtur me kryetarët e degëve.

    Ai para mediave u shpreh se nuk ka pasur asnjë takim me liderin e VV-së njëherësh kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    “Më lejoni ta konfirmoi edhe njëherë. As nuk kemi pasur ftesë as nuk iu kemi ofruar askujt. Parimet gjithëpërfshirëse sipas rezultatit të fundit e njohin të drejtën e partisë së parë dhe i njohin të drejtat tona lidhur me peshën që na e kanë dhënë qytetarët. Takime nuk ka pasur deri në momentin që po flasim sepse nuk ka pasur asnjë ftesë”, u shpreh Haziri.

    Haziri dha edhe detaje lidhur me atë se çka është diskutuar në mbledhje e LDK-së.

    “Debati i brendshëm i LDK-së në situata paszgjedhore ka filluar sot. Natyrisht që disa degë dhe kolegë tonë kanë bërë veprime paszgjedhore që kanë shkaktuar edhe procese. Por, sot në kolegjiumin e degëve, diskutuam çështjet, analizuam numrat, vlerësimet e para që dalin nga rezultati zgjedhor. Numrat janë ata që LDK-së i kanë dhënë këtë peshë politike, ne jemi në një grup parlamentar prej 18 deputetësh. Pak a shumë në një situatë paszgjedhore në të cilën besojmë shumë që do të arrijmë ta mbyllim këtë proces pas certifikimit të rezultateve zgjedhore”, u shpreh Haziri.

  • ​Incidenti në Magurë, Daut Haradinaj viziton veteranin Bekim Metajn

    ​Incidenti në Magurë, Daut Haradinaj viziton veteranin Bekim Metajn

    Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj ka vizituar Bekim Metajn, veteran i Ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “simbol të dinjitetit kombëtar e historik”.

    Haradinaj tha se Metaj, pas 25 vitesh shërbim në uniformë, u përball në Magurë të Lipjanit me 21 persona të ardhur nga Serbia, për të cilët përdori termin “kriminelë”, duke pretenduar se tre prej tyre kishin qenë pjesë e formacioneve paramilitare serbe gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit.

    ” Siç edhe e do tradita ai nuk u ligështua për asnjë moment, i përkrahur nga familja dhe fshati i tij arriti t’i neutralizojë këto mbeturina, tre prej të cilëve ishin pjesë e paramilitarëve serbë të kohës së Millosheviqit”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai bëri të ditur se gjatë vizitës, së bashku me Gazin, Binakun dhe Kushtrimin, i shprehën Bekim Metajt dhe familjes së tij mbështetje dhe konsideratë.

    Haradinaj gjithashtu kritikoi institucionet, duke deklaruar se “shteti nuk duhet të heshtë përballë këtij fenomeni që vetë e krijoi”.

    Ngjarja në Magurë të Lipjanit ka nxitur reagime të shumta ditët e fundit, ndërsa autoritetet janë duke trajtuar rastin sipas procedurave ligjore.

    Dje, banorët e Magurës së Lipjanit kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë që personat e përfshirë në incidentin e fundit në fshat të mos lejohen të kthehen më në Magurë.

    Peticioni u nënshkrua gjatë një takimi të mbajtur me banorët, ku u diskutuan zhvillimet e fundit lidhur me incidentin në të cilin mbeti i lënduar veterani i UÇK-së, Bekim Meta. Në përfundim të takimit u vendos që peticioni t’i dorëzohet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë.

    Incidenti kishte ndodhur katër ditë më parë, kur, sipas dyshimeve, një grup personash nga komuniteti rom sulmuan Skënder Shahinin para shtëpisë së tij, si dhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta.

    Gjykata në Lipjan vendosi masë të arrestit shtëpiak për veteranin dhe invalidin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta dhe për Skendër Shahinin, palë të përfshira në incident.

  • Xhuli Nura flet pas kritikave për zgjedhjen që të bëhet nënë e vetme me IVF: Fëmijës i duhet një nënë e lumtur

    Xhuli Nura flet pas kritikave për zgjedhjen që të bëhet nënë e vetme me IVF: Fëmijës i duhet një nënë e lumtur

    Xhuli Nura ka reaguar pas kritikave të shumta që ka marrë për zgjedhjen e saj për t’u bërë nënë e vetme përmes IVF-së.

    Në një intervistë për “Kosova Live”, ajo foli për arsyet që e kanë çuar drejt këtij vendimi, duke theksuar se prioriteti kryesor për një fëmijë është të rritet në një ambient të mbushur me dashuri dhe përkujdesje.

    “E vetmja gjë që i nevojitet fëmijës është një fëmijëri e lumtur edhe një nënë e lumtur që është e përmbushur, që i jep të gjitha gjërat që i nevojiten. Nuk po them që babai nuk është i rëndësishëm, është shumë i rëndësishëm, por nuk do të thotë që nuk vjen nesër një prind që do të jetë prind. Jo gjithmonë prindi biologjik është prindi ideal, adekuat për fëmijën e vet, kemi raste të ndryshme”, u shpreh ajo.

    Nura shtoi se, sipas saj, në shumë raste është më mirë që një fëmijë të rritet larg një ambienti toksik sesa në një familje ku ka dhunë, tradhti apo trauma.

    “Shpeshherë më mirë me qenë vetëm se me njerëz të gabuar që lënë trauma në familje, në shoqërinë tonë e në fëmijët e tyre”, tha ajo.

    Duke iu përgjigjur edhe komenteve që e kanë cilësuar vendimin e saj si egoist, Xhuli theksoi se egoizmi nuk lidhet me dëshirën për t’i ofruar një fëmije dashuri dhe kushte të mira për t’u rritur.

    “Sa i përket fjalës egoizmi, egoizmi është kur ti krijon një familje dhe e lë nëpër spitale, bërllok, jetimore. Nuk është kur një prind i jep çmos fëmijës së vet të rritet me të gjitha të mirat”, përfundoi tutje.

    Vendimi i Xhulit për t’u bërë nënë e vetme me IVF ka nxitur reagime të shumta në publik, duke hapur diskutime mbi prindërimin, zgjedhjet personale dhe paragjykimet që vazhdojnë të shoqërojnë tema të tilla.

  • Tahiri viziton Thaçin: Me gjithë sfidat që po përballon, ai po e ruan qetësinë

    Tahiri viziton Thaçin: Me gjithë sfidat që po përballon, ai po e ruan qetësinë

    Ish-deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, këtë të hënë ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë.
    Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se edhe kjo vizitë ishte jashtëzakonisht emocionuese.

    “Çdo takim sjell emocione të veçanta, sepse përtej mureve të paraburgimit gjen të njëjtën forcë, dinjitet dhe besim që e kanë karakterizuar gjithmonë. Bisedat me të janë gjithmonë frymëzuese dhe të mbushura me shpresë për të ardhmen”, ka shkruar ai.

    Pos tjerash, Tahiri tha se me gjithë sfidat që po përballon Thaçi, sipas ish-deputetit, ai vazhdon ta ruajë qetësinë, vendosmërinë dhe besimin se e vërteta do të dalë në dritë.

    “Uroj që kjo periudhë të marrë fund sa më shpejt dhe ai, së bashku me bashkëluftëtarët e tij, të kthehen pranë familjeve dhe popullit të tyre”.

  • Milan Radoiçiq shfaqet në tubimin e Vuçiqit në Beograd

    Milan Radoiçiq shfaqet në tubimin e Vuçiqit në Beograd

    Pamje që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në faqet serbe tregojnë se Milan Radoiçiq ka marrë pjesë në tubimin e organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 qershor në Beograd.

    Prania e Radoiçiqit në një aktivitet publik të udhëhequr nga presidenti serb ka tërhequr vëmendje, pasi ai është personi që mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

    Në atë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa grupi i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë së Kosovës.

    Pas ngjarjes, Radojçiq pranoi publikisht se kishte organizuar grupin e armatosur që kreu sulmin, ndërsa autoritetet e Kosovës e kërkojnë me urdhër arrest nga Interpoli.

    Ndërkaq, vlen të ceket që Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim. Ndërsa, mbi 40 të tjerë në krye me Radojçiqin sillen ende të lirë në Serbi.

    Shfaqja e tij në tubimin e Vuçiqit vjen kur presidenti serb mbajti një fjalim me tone nacionaliste, duke përsëritur pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe duke paralajmëruar demonstrimin e forcës ushtarake gjatë aktiviteteve të Vidovdanit.

    Në fjalimin e tij, Vuçiq deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin paradën ushtarake, duke theksuar se “nesër do ta shihni forcën e Ushtrisë suaj”.

  • 47 raste me fruth në Kosovë, IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve

    47 raste me fruth në Kosovë, IKShPK bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton se gjatë periudhës 16 prill deri më 29 qershor 2026, në Kosovë janë raportuar gjithsej 47 raste të konfirmuara me fruth.

    Siç thuhet në njoftim sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me katërmbëdhjetë (14) raste, komuna e Ferizajt me dymbëdhjetë (12) raste; Kaçaniku me gjashtë (6) raste; Fushë-Kosova me tre (3) raste; Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.

    IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.

    Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.

    Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.

  • Kosova emëron për herë të parë një grua atashe të Mbrojtjes në Shqipëri

    Kosova emëron për herë të parë një grua atashe të Mbrojtjes në Shqipëri

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nënkolonelja e FSK-së, Fatbardha Osaj, ka pranuar zyrtarisht detyrën si atashe e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, me seli në Tiranë.

    Sipas njoftimit të Ministrisë, Osaj është gruaja e parë që emërohet në këtë pozitë në Shqipëri.

    “Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm institucional, pasi nënkolonele Fatbardha Osaj është gruaja e parë që emërohet në detyrën e atasheut të Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, duke dëshmuar përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për promovimin e profesionalizmit, meritokracisë dhe barazisë në përfaqësimin ndërkombëtar” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Sipas Rregullores për atashetë e Mbrojtjes, atasheu i Mbrojtjes është përgjegjës për bashkërendimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake në shtetin ku është emëruar.

    Rregullorja përcakton se atasheu i Mbrojtjes gëzon imunitet diplomatik, realizon ekuivalencën dhe privilegjet e gradës diplomatike të Ministrit Këshilltar, zhvillon karrierën ushtarake sipas legjislacionit në fuqi dhe është në vartësi organizative të shefit të misionit diplomatik, ndërsa për çështje operacionale, administrative, financiare dhe ushtarake i përgjigjet Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Po ashtu, rregullorja parasheh se atasheu i Mbrojtjes mund të ketë staf civil mbështetës lokal, me autorizim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas procedurave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Emërimi i Osajt vjen në kuadër të përfaqësimit të Kosovës në misionet diplomatike dhe forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë.

  • Dyshohej se u mbyt në det në Shëngjin, raportohet se gruaja nga Kosova e gjeti burrin në kafene

    Dyshohej se u mbyt në det në Shëngjin, raportohet se gruaja nga Kosova e gjeti burrin në kafene

    Një ngjarje që shkaktoi alarm mes pushuesve dhe autoriteteve në bregdetin e Shëngjinit përfundoi fatmirësisht pa pasoja.

    Disa media raportuan se një shqiptar i Kosovës u raportua i zhdukur në det, duke ngritur dyshimet se mund të ishte mbytur. Menjëherë pas njoftimit, u angazhuan forcat e kërkim-shpëtimit, të cilat për rreth tre orë zhvilluan kërkime intensive në zonën detare me mjete lundruese.

    Ndërkohë që operacioni vijonte, bashkëshortja e tij e gjeti burrin shëndosh e mirë në një kafene pranë bregdetit.

    Mësohet se ai ishte larguar nga plazhi pa njoftuar familjarët, duke bërë që niste operacioni i kërkimit.

  • Avokati Kërveshi: Veterani Bekim Metaj ka qenë i sulmuar nga mbi 20 persona, ka vepruar për ta shmangur rrezikun

    Avokati Kërveshi: Veterani Bekim Metaj ka qenë i sulmuar nga mbi 20 persona, ka vepruar për ta shmangur rrezikun

    Avokati Kujtim Kërveshi tha se është angazhuar nga familja e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bekim Metaj për t’i nisur procedurat ligjore lidhur me rastin ku para disa ditësh ish-ushtari i UÇK-së u përfshi në një përlejshme me disa persona në Lipjan.

    “Ju njoftoj se, me kërkesë të z. Bekim Metaj dhe familjes së tij, kam pranuar angazhimin për ta përfaqësuar dhe mbrojtur atë në procedurat ligjore që lidhen me rastin që ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik gjatë javës së kaluar”, shkroi Kërveshi në një postim në Facebook.

    “Si avokat, kam besuar gjithmonë se e drejta për mbrojtje është një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës. Çdo person, pa dallim, ka të drejtë të përfaqësohet me profesionalizëm, pavarësisht natyrës së akuzave apo intensitetit të debatit publik që mund të shoqërojë një rast”, shtoi ai.

    Përveç përgjegjësisë profesionale, ai tha se në këtë rast ka ndier “edhe një detyrim moral për të ofruar ndihmën”.

    “Bekim Metaj ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka dhënë kontributin e tij në një periudhë vendimtare për vendin tonë. Ky fakt për mua përbën një arsye shtesë njerëzore për të mos refuzuar kërkesën e tij për mbrojtje juridike. Mbrojtja që do t’i ofrohet do të zhvillohet ekskluzivisht brenda kornizës së ligjit, me respekt të plotë për institucionet e drejtësisë, për të drejtat e të gjitha palëve dhe për procesin e rregullt ligjor”, shkroi ai.

    “Duke respektuar konfidencialitetin profesional dhe integritetin dhe interesin e klientit, nuk do të komentoj provat, faktet apo pretendimet që lidhen me çështjen jashtë sallës së gjyqit, përveç rasteve kur një komunikim i tillë do të jetë i nevojshëm për informimin e drejtë të opinionit publik”,shtoi avokati.

    Kërveshi u shpreh i bindur se “do të vertetohet se Z Metaj ka qenë i sulmuar dhe ka vepruar ashtu qe ka shmangur rrezikun nga vehtja dhe te tjeret, nga nje sulm i pergatitur nga me shume se 20 persona”.

    “Falënderoj mediat dhe publikun për mirëkuptimin dhe kërkoj që kësaj çështjeje t’i qasemi me maturi, duke respektuar prezumimin e pafajësisë dhe duke lejuar që drejtësia të bëjë punën e saj mbi bazën e fakteve dhe ligjit. Bej ftesë institucioneve tona për trajtimin sa me profesional të këtij rasti, edhe që dyshimet per pjesemarrjen e pjestareve të forcave serbe aktiv gjatë periudhës se luftës në Kosovë të trajtohe me profesionalizëm dhe urgjencë, në këtë dhe rastet tjera! Ju falenderit!”, shkroi ai.