ATV

Blog

  • Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional

    Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas Samitit të NATO-s në Ankara, duke vlerësuar se Kosova është penalizuar me mosmarrjen e ftesës për të marrë pjesë.

    Sipas Hazirit, mungesa e ftesës është pasojë e krizës së brendshme politike dhe mungesës së stabilitetit institucional.

    “Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s në Ankara. Pa dyshim, mosardhja e ftesës ndodhi si pasojë e mungesës së stabilitetit institutucional”, ka shkruar Haziri.

    Ai ka shtuar se zhvillimet ndërkombëtare po ecin me ritëm të shpejtë, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me kriza të brendshme.

    “Bota po ndryshon, por jo ne. Në qarkun e mbyllur vicioz e me kriza politike”, është shprehur ai.

    Haziri u bëri thirrje akterëve politikë për reflektim dhe bashkëpunim, duke theksuar se vetëm përmes proceseve politike mund të arrihet normalizimi dhe stabiliteti institucional.

    “Është koha e fundit për reflektim të thellë. Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën. Republika mbi të gjithë!”, përfundoi Haziri. /Telegrafi/

  • ShBA-të do të qëndrojnë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike, thotë gjenerali amerikan

    ShBA-të do të qëndrojnë me aleatët evropianë në mbrojtje të vendeve baltike, thotë gjenerali amerikan

    Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah aleatëve të tyre evropianë në mbrojtjen e vendeve baltike, tha të martën komandanti amerikan i forcave tokësore të NATO-s në Evropë, ndërsa aleanca caktoi një seli shtesë në rajon.

    “Ju jeni gati të bëni më shumë dhe fjalët t’i pasoni me vepra, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë aty përkrah jush”, tha gjenerali amerikan Chris Donahue në një ceremoni në qytetin estonez të Valgës.

    “Kështu ndërtohet parandalimi: Jo me fjalë nga një podium, por me çizme në baltë”.

    Donahue, i cili do të heqë dorë nga posti i tij të enjten, shërben edhe si shef i ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë.

    Trupat e NATO-s në shtetet baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, dhe në Poloninë veriore, deri më tani kanë qenë nën komandën e një selie të vetme shumëkombëshe me seli në qytetin veriperëndimor polak të Szczecin.

    Krijimi i një zone të dytë komande i lejon aleancës t’u kushtojë më shumë trupa shteteve baltike. Për momentin, dy divizione shumëkombëshe në Estoni dhe Letoni do të jenë nën komandën e Korpusit Gjerman-Holandez me bazë në qytetin gjerman të Muensterit.

    NATO ka thënë se Rusia, e cila pushtoi Ukrainën në vitin 2022, mund të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë në territorin aleat që në vitin 2029 nëse vazhdon të armatoset siç është tani. Kremlini i mohon këto plane.

    Presioni mbi Evropën për të rritur mbrojtjen e saj është shtuar pas kritikave nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili akuzon bllokun se nuk po përdor peshën e tij ushtarake.

  • Skandali që tronditi Bagdadin: Të brendshme prej 27 kilogramë ari të pastër i gjenden deputetes gjatë bastisjes

    Skandali që tronditi Bagdadin: Të brendshme prej 27 kilogramë ari të pastër i gjenden deputetes gjatë bastisjes

    Gjatë një operacioni kundër korrupsionit në Irak, thuhet se në shtëpinë e deputetes Hind Al-Abbasi u sekuestruan 57 milionë dollarë në para të gatshme, 27 kilogramë ar të pastër dhe të brendshme të veshura me ar. Operacioni rezultoi në arrestimin e 47 të dyshuarve, përfshirë deputetë dhe burokratë, dhe hetimi thuhet se po vazhdon dhe po zgjerohet.

    Një pretendim i habitshëm ka dalë si pjesë e hetimit për korrupsion në Irak. Sipas pretendimit, 57 milionë dollarë në para të gatshme dhe 27 kilogramë ar të pastër u sekuestruan gjatë një kontrolli në shtëpinë e deputetes Hind Al-Abbasi. Gjithashtu u raportua se në operacion u gjetën edhe të brendshme prej ari.

    Si pjesë e hetimit, thuhet se u arrestuan 47 të dyshuar, përfshirë deputetë dhe burokratë. Operacioni u përshkrua si pjesë e një hetimi më të gjerë mbi keqpërdorimin e fondeve publike dhe akuzat për korrupsion.

    Edhe pse deputetja Hind Al-Abbasi shfaqet në faqen zyrtare të internetit të parlamentit irakian, deklaratat e hollësishme nga institucionet zyrtare në lidhje me kontrollin e supozuar dhe materialet e sekuestruara nuk janë konfirmuar ende.

    Incidenti i fundit në Irak është pjesë e një operacioni të gjerë kundër korrupsionit të nisur nga qeveria e Kryeministrit Ali al-Za’id. Operacionet kishin në shënjestër anëtarë të parlamentit, burokratë të lartë dhe zyrtarë publikë. Forcat e sigurisë kryen bastisje në agim në vende të shumta, kryesisht në Bagdad.

    Të paktën shtatë anëtarë të parlamentit dhe një numër zyrtarësh të lartë publikë ishin midis 47 të ndaluarve. Miliona dollarë në para të gatshme, ar, armë dhe municione të shumta u sekuestruan në hetimet për korrupsion.

    Në një operacion të njoftuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut, rreth 10 milionë dollarë në para të gatshme, 3 miliardë dinarë irakianë, bizhuteri ari, armë të shumta me tytë të gjatë dhe rreth 40 prona u sekuestruan në një hetim të lidhur me ish-zëvendësministrin e naftës.

    Kryeministri Ali al-Zaidi tha se nuk do të kishte kompromis në luftën kundër korrupsionit, duke lënë të kuptohet se operacionet mund të zgjerohen për të përfshirë individë të rinj.

  • Pronari i një picerie italiane refuzon të japë pica falas, burri e vret me thikë

    Pronari i një picerie italiane refuzon të japë pica falas, burri e vret me thikë

    Një burrë i dyshuar për vrasjen me thikë të pronarit të një picerie Raffaele Stipa në Reggio Emilia mbrëmë u arrestua gjatë natës. Motra e Stipas u plagos gjithashtu në sulm, raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA.

    Sulm për picën falas
    Sipas informacioneve fillestare, sulmi ndodhi pak pas orës 22:30 në picerinë Yoghi. Një burrë, shtetas i huaj dhe thuhet se klient i rregullt i lokalit, hyri brenda dhe kërkoi një picë falas. Pronari i picerise e refuzoi, duke i thënë gjoja: “Të kam dhënë tre, mjaft.” Burri më pas nxori një thikë, e goditi për vdekje Stipen dhe plagosi motrën e tij, dhe më pas iku me vrap.

    I dyshuari u gjet shpejt
    Policia nisi një kërkim dhe i dyshuari u gjet dhe u arrestua rreth orës 2 të mëngjesit. Raffaele Stipa i vrarë, në të gjashtëdhjetat, ishte me origjinë nga Capo d’Orlando në Siçili, por kishte jetuar prej kohësh në Reggio Emilia, ku drejtonte një piceri në rrugën Gran Sasso d’Italia për njëzet vjet. Motra e tij po trajtohet në spitalin Santa Maria Nuova.

  • ​SHSKUK vazhdon mandatin e Elvir Azizit për drejtor të përgjithshëm

    ​SHSKUK vazhdon mandatin e Elvir Azizit për drejtor të përgjithshëm

    Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka vendosur të vazhdojë mandatin e drejtorit të përgjithshëm, Elvir Azizi, duke e riemëruar në këtë pozitë.

    Sipas njoftimit të SHSKUK-së, vendimi është marrë në bazë të kompetencave ligjore dhe statutore të Bordit, duke u mbështetur në rezultatet e arritura gjatë periudhës së udhëheqjes së Azizit dhe në nevojën për të siguruar vazhdimësi institucionale.

    SHSKUK njofton se gjatë periudhës 2023–2025 janë shënuar përmirësime në treguesit kryesorë të performancës. Numri i pacientëve të hospitalizuar është rritur për 11.9 për qind, operimet për 12.5 për qind, vizitat ambulatore për 24.6 për qind, shërbimet laboratorike për 20.5 për qind, ekzaminimet CT për 12.7 për qind, ndërsa ato me MRI kanë shënuar rritje prej 71 për qind. Po ashtu, është rritur edhe volumi i shërbimeve të kardiologjisë invazive, me 11.9 për qind më shumë koronarografi dhe 13.3 për qind më shumë implantime të stentave.

    Në njoftim përmenden edhe projektet e realizuara gjatë kësaj periudhe, përfshirë funksionalizimin e Cath Lab-it në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, investimet në Mjekësinë Nukleare, zgjerimin e kapaciteteve të Kardiokirurgjisë, hapjen e shërbimeve të reja në spitalet e përgjithshme, zhvillimin e programit të fertilizimit të asistuar (IVF), investimet në Qendrën Stomatologjike Universitare të Kosovës, si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë LuxDev dhe GIZ.

    Bordi Drejtues thekson se sistemi shëndetësor vazhdon të përballet me sfida, si listat e pritjes, mungesat periodike të materialeve dhe nevoja për shtim të personelit e investimeve. Megjithatë, sipas Bordit, vazhdimësia në menaxhim është e domosdoshme për përfundimin e reformave dhe projekteve strategjike në proces.

    Sipas njoftimit, vendimi për riemërimin e Azizit synon të sigurojë stabilitet institucional, vazhdimësi të projekteve zhvillimore dhe konsolidim të mëtejshëm të sistemit shëndetësor publik në Kosovë./KP/

  • Cili ishte motivi i vrasjes së imamit në Dragash? Flet sekretari i Bashkësisë Islame në Gorë

    Cili ishte motivi i vrasjes së imamit në Dragash? Flet sekretari i Bashkësisë Islame në Gorë

    Imami i fshatit Zlipotok, Gazmend Tahirovci, është therur për vdekje mbrëmë në rrethana ende të paqarta.

    Sipas, sekretarit të KBI-së për rajonin e Gorës, Ajhan Beqiri, motivi i vrasjes nuk lidhet me punën e tij si imam i xhamisë.

    “E tëra që mund të them është se vrasja e imamit nuk lidhet me punën e tij. Kemi informacione që ky akt i rëndë ka ndodhur për çështje private. Gazmendi ka qenë imam në zonën tonë dhe jemi të tronditur me humbjen e tij. Urojmë që organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin sa më parë këtë rast. Ne bashkëndjejmë dhimbjen me familjen e të ndjerit dhe urojmë që Zoti ta ketë çuar në xhehnet”, ka thënë Beqiri për Indeksonline.

    Policia ka arrestuar Beshmir Hamzën dhe babain e tij. Ky i fundit është arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “mosdhënie e ndihmës”, ndërkaq i biri i tij për vrasjen e Tahirovcit.

  • Interi mbyll një epokë, katër veteranë largohen nga “San Siro”

    Interi mbyll një epokë, katër veteranë largohen nga “San Siro”

    Interi i ka dhënë fund bashkëpunimit me katër prej futbollistëve më me përvojë të skuadrës. Me skadimin e kontratave, Yann Sommer, Francesco Acerbi, Stefan de Vrij dhe Matteo Darmian nuk do të jenë më pjesë e zikaltërve.

    Portieri zviceran Yann Sommer largohet pas tri sezonesh të suksesshme, gjatë të cilave ishte titullar i padiskutueshëm dhe fitoi dy tituj të Serie A, një Kupë të Italisë, një Superkupë të Italisë, si dhe luajti në finalen e Ligës së Kampionëve.

    Edhe Francesco Acerbi i jep fund aventurës së tij me Interin pas katër sezonesh të mbushura me trofe, ndërsa Matteo Darmian mbyll një kapitull gjashtëvjeçar në “San Siro”, ku ishte një nga lojtarët më të besueshëm të skuadrës dhe kontribuoi në fitimin e tre titujve kampionë.

    Ndërkohë, Stefan de Vrij ka vendosur të mos rinovojë kontratën dhe do ta vazhdojë karrierën në Greqi, ku pritet t’i bashkohet Panathinaikosit.

    Përmes një njoftimi zyrtar, Interi falënderoi të katër futbollistët për kontributin dhe profesionalizmin e treguar ndër vite, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit.

  • Zyrtarja e lartë e BE-së nis vizitën në Kosovë, diskutohet progresi i reformave

    Zyrtarja e lartë e BE-së nis vizitën në Kosovë, diskutohet progresi i reformave

    Drejtoresha e Zgjerimit të BE-së dhe Fqinjësisë Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, ka filluar vizitën e saj në Kosovë.

    Ajo ka marrë pjesë në hapjen e Komitetit të 7-të të Stabilizim-Asociimit me kryenegociatorin e Kosovës me BE-në dhe Koordinatorin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj.

    Në njoftimin e zyrës së BE-së në Kosovë, thuhet se në këtë takim u shqyrtua progresi i reformave, mbështetja e BE-së dhe angazhimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Kosovën.

    “Do të vijojnë bisedimet e Planit të Rritjes me Ministrin në Detyrë të Financave Hekuran Murati dhe Ministren në Detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë Mimoza Kusari Lila.”, thuhet në njoftim.

    Gjatë qëndrimit në Kosovë, përveç liderëve institucionalë, do të ketë takime edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

  • 466 të burgosur drejt lirisë, Begaj dekreton ligjin për amnistinë penale

    466 të burgosur drejt lirisë, Begaj dekreton ligjin për amnistinë penale

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dekretoi sot shpalljen e ligjit “për dhënie amnistie”.

    Gjithashtu, Begaj dekretoi edhe shpalljen e ligjit “për sektorin e energjisë elektrike”, si dhe ligjin “për informacionin elektronik të transportit të mallrave”.

    Sipas projektligjit të miratuar me votat e Partisë Socialiste dhe ato të PSD-së, 466 persona do të lirohen menjëherë nga burgu, nga të cilët 11 janë gra dhe 1 i mitur. Ndërkohë, 869 të tjerët do të përfitojnë ulje dënimi, mes tyre 8 gra dhe 1 i mitur. Amnistia penale hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, shkruan Top Channel.

  • Drejtori i Onkologjisë tregon se si mund të mbrohen nga dielli personat që marrin kimioterapi

    Drejtori i Onkologjisë tregon se si mund të mbrohen nga dielli personat që marrin kimioterapi

    Drejtori i Onkologjisë Ilir Kurtishi përmes një statusi në rrjetin social, Facebook, ka thënë se temperaturat e larta mund të kenë ndikim më shumë te pacientët që marrin kimioterapi.

    Ndërsa ka publikuar disa këshilla për pacientët që janë duke marrë kimioterapi gjatë ditëve të nxehta të verës.

    Ndiqni këto këshilla:

    Qëndroni të hidratuar

    Pini ujë rregullisht gjatë gjithë ditës, edhe nëse nuk ndjeni etje.
    Shmangni alkoolin dhe kufizoni pijet me shumë kafeinë nëse ju dehidratojnë. Shmangni ekspozimin në diell
    Qëndroni në ambiente të freskëta ose me ajër të kondicionuar, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00.
    Përdorni kapelë, syze dielli dhe krem mbrojtës (SPF ≥30) kur dilni jashtë, pasi disa barna të kimioterapisë e bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj diellit. Vishni rroba të lehta
    Zgjidhni rroba të gjera, me ngjyra të çelëta dhe prej pambuku ose materialesh që lejojnë ajrosjen.
    Ushqehuni lehtë
    Konsumoni vakte të vogla dhe ushqime të pasura me ujë, si fruta dhe perime të freskëta, nëse lejohen nga mjeku juaj. Pushoni sa herë që ndiheni të lodhur
    Nxehtësia mund të rrisë lodhjen e shkaktuar nga kimioterapia. Monitoroni temperaturën e trupit
    Nëse temperatura është 38°C ose më e lartë, kontaktoni menjëherë ekipin tuaj mjekësor. Ethet gjatë kimioterapisë mund të jenë shenjë e një infeksioni serioz. Kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë nëse keni:
    Marramendje ose të fikët.
    Vështirësi në frymëmarrje.
    Konfuzion ose përgjumje të pazakontë.
    Të vjella ose diarre të vazhdueshme që pengojnë marrjen e lëngjeve.
    Shenja dehidratimi (gojë e thatë, urinim i pakët, urinë shumë e errët).
    Mos ndryshoni trajtimin tuaj

    Vazhdoni të merrni barnat sipas udhëzimeve dhe mos shtyni seancat e kimioterapisë pa u konsultuar me onkologun.
    :Çdo pacient është i ndryshëm. Nëse keni pyetje ose simptoma të reja, kontaktoni mjekët e onkologjisë.