ATV

Blog

  • Aleanca Kosovare e Bizneseve: Rritja e pagës minimale duhet të bazohet në ligj, e padrejtë që u përjashtuan veteranët e UÇK’së

    Aleanca Kosovare e Bizneseve: Rritja e pagës minimale duhet të bazohet në ligj, e padrejtë që u përjashtuan veteranët e UÇK’së

    Aleanca Kosovar e Bizneseve kanë reaguar sot pasi ka hyrë në fuqi rritja e pagës minimale në vlerë 500 euro. AKB ka thënë se rritja duhet të bazohet në ligj, analiza ekonomike dhe dialog social, dhe jo në vendim të njëanshme.

    AKB ka listuar disa pyetje në drejtim të Qeverisë për atë se ku janë bazuar kur kanë vendosur për rritjen e pagës minimale.

    Gjithashtu kanë rikujtuar faktin se veteranët e UÇK’së janë lënë jashtë saj, duke e cilësuar si një vendim të padrejtë.

    Reagimi i plotë:

    AKB: Rritja e pagës minimale duhet të bazohet në ligj, analiza ekonomike dhe dialog social – jo në vendime të njëanshme

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) e mbështet parimisht rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve, por kundërshton mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka vendosur rritjen e pagës minimale në 500 euro.

    Sipas legjislacionit në fuqi, paga minimale nuk duhet të ndryshohet me vendime të njëanshme, por mbi bazën e kritereve të përcaktuara me ligj dhe pas konsultimeve në Këshillin Ekonomik-Social (KES). Ligji parasheh që gjatë përcaktimit të pagës minimale të merren në konsideratë tregues ekonomikë dhe socialë, si: shkalla e inflacionit, kostoja e jetesës, niveli i pagave, produktiviteti i punës, zhvillimi ekonomik, niveli i punësimit dhe gjendja në tregun e punës.

    AKB pyet publikisht Qeverinë e Kosovës:

    – Cilat nga kriteret e përcaktuara me ligj janë analizuar dhe janë përdorur si bazë për rritjen e pagës minimale në 500 euro?

    – Ku është analiza ekonomike që dëshmon se ekonomia dhe bizneset kanë kapacitet ta përballojnë këtë rritje?

    – Pse është anashkaluar Këshilli Ekonomik-Social, institucioni i krijuar me ligj për të ndërtuar konsensus ndërmjet Qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve?

    AKB vlerëson se vendimet që nuk mbështeten në analizë ekonomike dhe dialog social rrezikojnë të rrisin ekonominë joformale, të dëmtojnë konkurrueshmërinë e bizneseve, të rëndojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe të ndikojnë negativisht në punësim.

    Po ashtu, AKB rikujton se ka qenë organizata e vetme ekonomike që ka kundërshtuar publikisht përjashtimin e veteranëve të UÇK-së nga përfitimi i pagës minimale. Ky përjashtim është i padrejtë dhe bie ndesh me parimin e trajtimit të barabartë. Vendimi do të ishte më i drejtë dhe më gjithëpërfshirës po të mos i linte veteranët jashtë këtij mekanizmi.

    Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se nuk është kundër rritjes së pagës minimale. Përkundrazi, ne mbështesim çdo rritje që bazohet në ligj, analiza ekonomike dhe dialog social. Vendimet e njëanshme krijojnë pasiguri për bizneset dhe rrezikojnë ta shtyjnë ekonominë drejt informalitetit. Qeveria duhet të sqarojë se cilat kritere ligjore ka zbatuar për këtë vendim dhe pse nuk është respektuar roli i Këshillit Ekonomik-Social.

    AKB i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të respektojë ligjin, të rikthejë dialogun social dhe të marrë vendime ekonomike mbi baza profesionale, në interes të punëtorëve, bizneseve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

  • BIK dënon ashpër vrasjen e imamit nga Dragashi, kërkon hetim të plotë nga Policia

    BIK dënon ashpër vrasjen e imamit nga Dragashi, kërkon hetim të plotë nga Policia

    Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar me dhimbje të thellë dhe shqetësim pas lajmit për vrasjen e imamit Gazmen ef. Tairovci në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit.
    Në reagim thuhet se, pavarësisht motiveve apo rrethanave të rastit, askush nuk ka të drejtë të privojë tjetrin nga jeta, duke theksuar se jeta e njeriut është dhuratë e Zotit dhe cenimi i saj përbën një nga krimet më të rënda si në aspektin fetar ashtu edhe ligjor.

    BIK e ka dënuar ashpër këtë akt, duke kërkuar nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore

    Pavarësisht motiveve apo rrethanave të këtij rasti tragjik, askush nuk ka të drejtë ta privojë tjetrin nga jeta. Jeta e njeriut është dhuratë e Zotit të Madhëruar dhe cenimi i saj përbën një nga krimet më të rënda, të dënuara si nga feja, ashtu edhe nga ligji. Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të rëndë kriminal të kryer ndaj imamit Gazmend ef. Tahirhovci dhe kërkojmë nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që autori i këtij krimi të marrë dënimin e merituar në përputhje me ligjin dhe drejtësia të vihet në vend.

  • Bielsa largohet nga Uruguai pas dështimit në Botëror: I zhgënjyem të gjithë

    Bielsa largohet nga Uruguai pas dështimit në Botëror: I zhgënjyem të gjithë

    Marcelo Bielsa ka konfirmuar largimin nga posti i trajnerit të Uruguait, pasi kombëtarja u eliminua që në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026.

    Në konferencën e tij të lamtumirës, tekniku argjentinas e cilësoi këtë fund si një nga momentet më të vështira të karrierës.

    “Është një lamtumirë shumë e dhimbshme. Kisha ëndrra të mëdha për këtë ekip, por nuk ia dolëm. I zhgënjyem tifozët dhe përgjegjësia bie mbi mua”, deklaroi Bielsa.

    Ai pranoi se nuk arriti të menaxhonte skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme, megjithëse theksoi se lojtarët dhe stafi dhanë maksimumin.

    Bielsa hodhi poshtë gjithashtu zërat për përçarje brenda ekipit, duke sqaruar se kishte pranuar disa kërkesa të futbollistëve për mënyrën e stërvitjes dhe takimeve taktike, me synimin për të ruajtur harmoninë në grup.

    Tekniku argjentinas shtoi se, pavarësisht eliminimit, beson se Uruguai kishte cilësinë për të kaluar fazën e grupeve, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara.

    Kështu, pas gati katër vitesh në krye të “La Celeste”, merr fund aventura e Marcelos Bielsas me kombëtaren uruguaiane.

  • Arrestohet në Prizren 25-vjeçari i kërkuar, ishte dënuar me një vit burg për vjedhje të rëndë

    Arrestohet në Prizren 25-vjeçari i kërkuar, ishte dënuar me një vit burg për vjedhje të rëndë

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për një person të arrestuar, i cili ishte në kërkim si i dënuar me një vit burg për vjedhje të rëndë.

    I arrestuari është B.Q 25 vjeçar, është dërguar në burg për vuajtjen e dënimit.

    Postimi:

    Në Prizren arrestohet një i kërkuar dhe i dënuar me 1 (një ) vit burg për veprën “Vjedhje e rëndë”

    Prizren, 01 korrik 2026

    Më datë 30 qershor 2026, policët e njësitit për realizimin e urdhëresave të Stacionit Policor Prizren, pas veprimeve operative–hetimore kanë arritur të lokalizojnë dhe të arrestojnë të kërkuarin B.Q. mashkull rreth 25 vjeçar nga Prizreni. I njëjti ka qenë në kërkim pasi ishte dënuar 1 (një) vit burg efektiv me vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

    I arrestuari është dënuar për veprën penale “ Vjedhje e rëndë” nga neni 327, i KPRK-së.

    I arrestuari B.Q. fillimisht është sjellë në Stacionin Policor Prizren dhe më pas është dërguar në burg për vuajtjen e dënimit.

    Policia mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë publike, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të kërkuar, si dhe për parandalimin e veprave penale që cenojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

  • Mbappe thyen rekorde në Kupën e Botës, vetëm Messi mbetet para tij

    Mbappe thyen rekorde në Kupën e Botës, vetëm Messi mbetet para tij

    Kylian Mbappe vazhdon të shkëlqejë në skenën më të madhe të futbollit botëror. Sulmuesi francez ishte protagonist në fitoren 3-0 të Francës ndaj Suedisë, duke realizuar dy gola dhe duke hyrë sërish në historinë e Kupës së Botës.

    Me golin e parë të mbrëmjes, Mbappe arriti në kuotën e nëntë golave në ndeshjet me eliminim direkt, duke u bërë futbollisti me më shumë realizime në këtë fazë të turneut. Ai la pas legjendat braziliane Leonidas dhe Ronaldo Nazario, të cilët kishin nga tetë gola secili.

    Francezi nuk u ndal me kaq, pasi realizoi edhe golin e dytë të ndeshjes, duke e çuar rekordin e tij në 10 gola në fazat eliminatore të Botërorit.

    Dygolëshi ndaj Suedisë e ngjiti gjithashtu Mbappen në vendin e dytë të golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës. Sulmuesi francez tani numëron 18 gola, duke kaluar legjendën gjermane Miroslav Klose.

    Në krye të renditjes mbetet vetëm Lionel Messi me 19 gola, por me formën që po kalon Mbappe, diferenca është minimale dhe rekordi i argjentinasit duket më i rrezikuar se kurrë.

  • Haaland po shkruan historinë me Norvegjinë, rekordet duken më pranë se kurrë

    Haaland po shkruan historinë me Norvegjinë, rekordet duken më pranë se kurrë

    Erling Haaland po vazhdon të lërë gjurmë me fanellën e Norvegjisë, duke konfirmuar statusin e tij si lideri i padiskutueshëm i kombëtares.

    Sulmuesi ishte vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës 2026, teksa realizoi golin që i siguroi Norvegjisë një kualifikim historik në çerekfinale për herë të parë.

    Me këtë gol, Haaland ka arritur shifrën e 60 realizimeve në vetëm 53 ndeshje me kombëtaren, ndërsa në Botërorin e këtij viti numëron pesë gola në tri paraqitje, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të turneut.

    Edhe pse ndaj Bregut të Fildishtë nuk pati shumë kontakte me topin, sulmuesi tregoi edhe një herë instinktin e tij para portës, duke vendosur fatin e ndeshjes me një rast të vetëm.

    Legjenda angleze Wayne Rooney e vlerësoi paraqitjen e Haalandit, duke theksuar se ai është lojtari që bën diferencën dhe se ka dëshmuar se i përket nivelit më të lartë të futbollit botëror.

    Me ritmin që po mban, Haaland po afrohet gjithnjë e më shumë me rekordet historike dhe, nëse vazhdon me të njëjtën formë edhe në vitet e ardhshme, mund të sfidojë seriozisht Cristiano Ronaldon për vendin e parë në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e kombëtareve.

  • Ronald Koeman largohet nga drejtimi i Holandës pas eliminimit nga Kupa e Botës

    Ronald Koeman largohet nga drejtimi i Holandës pas eliminimit nga Kupa e Botës

    Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të kombëtares së Holandës, vetëm pak kohë pasi “Tulipanët” i dhanë fund aventurës së tyre në Kupën e Botës.

    Holanda u eliminua në fazën e 1/16-tës nga Maroku, pasi ndeshja përfundoi 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesë, ndërsa afrikanët triumfuan në serinë e penalltive.

    Lajmin për largimin e tij e bëri të ditur vetë Koeman përmes një postimi në rrjetet sociale.

    “Pas ndeshjes së mbrëmshme mora vendimin për t’i dhënë fund detyrës sime si trajner i kombëtares së Holandës. Më dhemb që rrugëtimi im me Portokallinjtë përfundon në këtë mënyrë. Të gjithë ëndërronim të bënim histori në këtë Kupë Bote, por nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë”, shkroi ai.

    Tekniku holandez theksoi se e merr përsipër plotësisht përgjegjësinë për rezultatin.

    “Si trajner, përgjegjësia bie mbi mua. Kështu e kam ndjerë gjithmonë dhe kështu do të vazhdoj ta ndiej”, u shpreh Koeman.

    Holanda e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë me shtatë pikë të grumbulluara në tri ndeshje, por nuk arriti të kalonte pengesën e parë në fazën me eliminim direkt, duke u ndalur nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive.

  • Rizvanolli për projektin e gazit amerikan: Çështje strategjike, por duhet ta matim me gram se sa na kushton

    Rizvanolli për projektin e gazit amerikan: Çështje strategjike, por duhet ta matim me gram se sa na kushton

    Kyçja në centralin e Vlorës, vazhdon të jetë qëndrimi i Qeverisë së Kosovës sa i përket thirrjes së SHBA-së për t’iu bashkuar projektit strategjik të LNG-së. Këtë qëndrim e ka ripërsëritur të martën në një intervistë në ATV, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Sipas Rizvanollit, kur diskutohet për këtë temë, s’mund të flitet njëjtë sikur për Serbinë e Bosnje Hercegovinën, sikurse për Kosovën, meqë Kosova s’ka importuar kurrë gaz rus.

    “SHBA ka synim heqjen e gazit rus nga ky rajon, mirëpo s’mund të flasim për Kosovën njëjtë sikur të flasim për Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, sepse Kosova s’ka importuar kurrë gaz rus. Prej cilit gaz do të pavarësohemi ne”, ka thënë Rizvanolli.

    Ndonëse Kosova nuk importon gaz rus, importon energji elektrike nga shtete të cilat janë të varura nga gazi rus. E pyetur lidhur me milionat që importohen, Rizvanolli është arsyetuar se të dhënat e Doganës së Republikës së Kosovës s’janë të sakta, meqë sipas saj, aty përfshihet edhe rryma që kalon tranzit nëpër Kosovë.

    “Shifrat e importit s’janë të sakta. Shifrat e Doganës që iu referohen të gjithë janë shifra që përfshijnë energjinë që kalon tranzit nëpër Kosovë. Shifra reale është 30-40 % më e ultë, varësisht se në cilin vit e shikon”, ka thënë Rizvanolli.

    Tutje në këtë intervistë, ministrja e Qeverisë Kurti ka thënë se sa i përket projektit të gazit, aktualisht s’ka një koncept specifik dhe sipas saj, vendimi për këtë çështje s’mund të merret as bazuar në euforinë e debateve televizive e as në diskutimet parazgjedhore.

    “Duhet të kemi një gjë të qartë, s’ka një projekt në tavolinë, për të cilin jemi duke folur. Do të doja që të gjithë ata që flasin për gazin, të fillojnë me atë e të shpjegojnë se çfarë po mendojnë për gazin”, ka thënë Rizvanolli në ATV.

    E pyetur nëse ky qëndrim i Qeverisë Kurti nënkupton që Kosova s’do të shtrojë rrjet të gazit brenda vendit, Rizvanolli ka thënë se ky “s’është qëndrimi” dhe se do të merret një vendim që do të jetë transparent.

    “Do të bëhet duke i marrë parasysh konsideratat politike dhe konsideratat ekonomike”, ka shtuar ajo.

    Sipas Rizvanollit, sa i përket kësaj teme, nuk shtrohet diskutimi nëse Kosova është me Amerikën apo me Rusinë.

    Ministrja ka thënë që për projektin në fjalë sigurisht që do të shikohen gjërat me llupë sa i përket asaj se a i konvenon Kosovë, por gjithashtu edhe duke marrë parasysh aspektin strategjik.

    “Sigurisht që shihet si vendim strategjik, por edhe pse është vendim strategjik nuk do të thotë të mos matet me gram. Edhe vendimet strategjike duhet të merren në mënyrë të tillë, që të dinë qytetarët se sa do të na kushtojë neve si qytetarë. Unë s’mund të them një qëndrim për sot, duke qenë se s’kemi një koncept për projektin”, ka thënë Rizvanolli.

  • Trump fitoi mbi 1 miliard dollarë nga kriptovalutat në vitin e parë pas rikthimit në detyrë

    Trump fitoi mbi 1 miliard dollarë nga kriptovalutat në vitin e parë pas rikthimit në detyrë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, fitoi më shumë se 1 miliard dollarë vitin e kaluar nga aktivitetet e tij të biznesit në fushën e kriptovalutave, sipas raportit të detyrueshëm financiar për vitin 2025, shkruan BBC.

    Në një deklarim financiar prej 927 faqesh, ai raportoi 635 milionë dollarë të ardhura nga honoraret e monedhës meme të Trumpit, vlera e së cilës ka rënë ndjeshëm nga lançimi i saj, vetëm pak ditë para se ta merrte detyrën.

    Ai raportoi gjithashtu mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga World Liberty Financial, një kompani e kriptovalutave e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Witkoff.

    Trump fitoi edhe miliona të tjerë nga pasuritë e paluajtshme dhe produktet me markën Trump. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë mohoi se ai po përfitonte nga posti i presidentit.

    Të ardhurat e raportuara në deklarimin më të fundit financiar tejkalojnë ndjeshëm ato të raportit të vitit 2024, kur Trump kishte deklaruar mbi 600 milionë dollarë të ardhura.

    Por Shtëpia e Bardhë, e cila ka theksuar vazhdimisht se Trump i ka vendosur bizneset e tij në një fond të administruar nga djemtë e tij, mohoi sërish se ekziston ndonjë konflikt interesi.

    Zëvendëssekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se presidenti e ka bërë me krenari SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptovalutave”.

    “As presidenti dhe as familja e tij nuk janë përfshirë ndonjëherë – dhe nuk do të përfshihen kurrë – në konflikte interesi”, tha ajo në një deklaratë.

    Ajo shtoi: “Të gjitha veprimet e Presidentit Trump dhe administratës së tij ndërmerren në interesin më të mirë të popullit amerikan – dhe çdo i ashtuquajtur ‘gazetar’ që pretendon të kundërtën, thjesht po riciklon të njëjtin narrativ të lodhur dhe të rremë që demokratët dhe mediat tradicionale kanë përhapur prej një dekade”.

    Vetë presidenti ka theksuar gjithashtu se ai nuk i nënshtrohet ligjeve federale për konfliktin e interesit.

    Trump dikur ishte kritik ndaj kriptovalutave, duke e quajtur famshëm Bitcoinin një “mashtrim” dhe “një katastrofë që pret të ndodhë”.

    Por deklarimi i së martës tregon se të ardhurat e tij nga kriptovalutat i tejkalojnë ndjeshëm ato nga biznesi i pasurive të paluajtshme, i cili fillimisht e bëri të famshëm.

    Ai fitoi rreth 77 milionë dollarë nga klubi i tij Mar-a-Lago dhe 122 milionë dollarë nga klubi i golfit në Doral të Floridës.

    Ai gjithashtu fitoi më shumë se 30 milionë dollarë nga secili prej klubeve të golfit në Bedminster të New Jersey-t, Jupiter të Floridës dhe Turnberry të Skocisë.

    Sipas deklarimit financiar, Trump fitoi miliona të tjerë edhe nga sipërmarrje të tjera biznesi.

    Këto përfshinin 4.7 milionë dollarë honorare nga orët me markën Trump, si dhe nga Biblat, atletet, parfumet dhe kitarat me markën Trump.