ATV

Blog

  • Malisheva rikthen në Superligë mesfushorin argjentinas Agustin Rojas

    Malisheva rikthen në Superligë mesfushorin argjentinas Agustin Rojas

    Malisheva ka vazhduar me përforcime edhe pas nisjes së sezonit në Albi Mall Superligën e Kosovës.

    Skuadra bardhekaltër ka arritur të rikthejë në futbollin kosovar mesfushorin ofensiv, Agustin Rojas.

    Fantazisti argjentinas, i njohur ndryshe si “Tuco”, sezonin e kaluar ishte pjesë e Prishtinës së Re, ku u dallua si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Ai është formuar te klubi Racing në Argjentinë dhe më parë ka luajtur edhe në Superioren e Shqipërisë me Erzenin.

    FC Malisheva e ka mirëpritur me entuziazëm ardhjen e tij, duke theksuar se Rojas do të shtojë edhe më shumë cilësi dhe kreativitet në mesfushën e skuadrës.

  • Hailey Bieber mahnit me pamjen atraktive në Paris

    Hailey Bieber mahnit me pamjen atraktive në Paris

    Hailey Bieber shkëlqeu të hënën gjatë natës së parë të Javës së Modës në Paris, duke postuar një seri fotografish joshëse në Instagram, ku shfaqte këmbët e tonifikuara dhe të pasmet e përsosura.

    Nëna e një djali, Jack Blues, me bashkëshortin Justin Bieber, 28 vjeç, veshi një kostum mëndafshi të verdhë me detaje dantelle për shfaqjen e Saint Laurent në kryeqytetin francez.

    Shoqja e ngushtë Gigi Hadid, 30 vjeçe, komentoi me entuziazëm: “Mamaja e Jack-ut po shkëlqen!”, ndërsa Kylie Jenner, 28 vjeçe, shkroi thjesht: “Epo, çfarë dreqin”, shkruan DailyMail.

    Në të njëjtën sfilatë ishin gjithashtu Kate Moss dhe Charli XCX, ndërsa Anthony Vaccarello vijon të drejtojë Saint Laurent që nga viti 2016, duke ofruar silueta të mprehta dhe joshëse që nderojnë trashëgiminë e markës.

    Hailey ishte pa bashkëshortin Justin në Paris, i cili është kryesues i ardhshëm i festivalit Coachella vitin e ardhshëm.

    Burimet thonë se pjesëmarrja e tij u ndikua shumë nga Hailey, e cila e ka mbështetur vazhdimisht dhe e ka inkurajuar për të ndarë muzikën e tij me fansat.

    Justin po punon aktualisht mbi performancën e tij, që do të përfshijë albumet e reja dhe hitet e mëparshme, me synimin që të shndërrohet në një festë të karrierës së tij dhe të tregojë “rilindjen” e tij artistike.

    Burimet konfirmojnë gjithashtu se për këtë dy-fundjavë performancë, ai ka siguruar një pagë rekord mbi 10 milionë dollarë (afërsisht 9.3 milionë euro), duke e bërë interpretuesin më të paguar në historinë e Coachella-s. /Telegrafi/

  • Vdekje e dyshimtë në Pejë, Policia nis hetimet

    Vdekje e dyshimtë në Pejë, Policia nis hetimet

    Një person është gjetur pa shenja jete të hënën në Pejë, duke bërë që autoritetet të nisin një hetim për vdekje të dyshimtë në rrethana ende të paqarta.

    Rastin e ka raportuar një qytetar, pas së cilit njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull menjëherë pas mbërritjes në lokacion.

    Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është transportuar për në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’iu nënshtruar procedurës së obduksionit.

  • Përleshje me armë në Ferizaj, dy të dyshuar përfundojnë në mbajtje

    Përleshje me armë në Ferizaj, dy të dyshuar përfundojnë në mbajtje

    Tre persona janë arrestuar nga Policia në Ferizaj, pasi dyshohet se të njëjtit kanë sulmuar fizikisht tre persona të tjerë pas një mosmarrëveshjeje.

    Gjatë përleshjes së dhunshme, njëri nga të dyshuarit ka ekspozuar një armë zjarri, duke e drejtuar atë nga viktimat me qëllim kanosjeje serioze.

    Sipas njoftimit zyrtar të policisë, tre viktimat kanë pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor për shkak të lëndimeve të marra gjatë sulmit. Në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë konfiskuar armën e zjarrit, një pistoletë, së bashku me një karikator me katër fishekë dhe një leje për poligon qitjeje.

    Pas përfundimit të intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin kompetent, ndaj dy prej të dyshuarve është caktuar masa e mbajtjes ndërkohë, i dyshuari i tretë është liruar për të vazhduar rastin në procedurë të rregullt ligjore.

  • Kurti takon kongresistin amerikan Ritchie Torres, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kurti takon kongresistin amerikan Ritchie Torres, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara është takuar me kongresistin amerikan Ritchie Torres.

    Në qendër të diskutimit ishin ambiciet strategjike të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, për të cilat Kurti kërkoi mbështetje të vazhdueshme.

    Gjatë bisedës u diskutua edhe për potencialin ekonomik të Kosovës, me theks të veçantë te teknologjia, si dhe për mundësinë e investimeve të reja amerikane në infrastrukturën e vendit.

    Kurti e vlerësoi kongresistin Torres si një zë të fuqishëm dhe aleat të rëndësishëm për avancimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës.

  • William Saliba rinovon kontratë me Arsenalin: “Ndjehem si në shtëpi”

    William Saliba rinovon kontratë me Arsenalin: “Ndjehem si në shtëpi”

    Mbrojtësi francez, William Saliba, është kthyer në një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Arsenalit nën drejtimin e Mikel Artetës.

    Forma e tij mbresëlënëse në vitet e fundit e ka bërë atë një figurë të pazëvendësueshme në prapavijën e “topçinjve”.

    Sot, Saliba ka vendosur të zgjasë kontratën e tij me klubin londinez edhe për 5 vite të tjera, duke konfirmuar besnikërinë ndaj skuadrës ku është rritur si futbollist.

    Pas firmosjes së kontratës së re, francezi u shpreh i entuziazmuar:

    “Ndjehem krenar për veten time. Nënshkrova për herë të parë në vitin 2019 dhe tani, pas kaq vitesh, jam ende këtu për të zgjatur kontratën. Ndjehem si në shtëpi. Është vendi më i mirë ku mund të jem. Shijoj çdo ditë që kam mundësinë të vesh këtë fanellë.”

    Që prej ardhjes së tij në vitin 2019, Saliba ka grumbulluar 140 paraqitje me Arsenalin, duke shënuar 7 gola dhe dhënë 3 asistime. /ATVLIVE.TV

  • A ia vlen të blesh iPhone-in e ri? Mos merr vendim pa i parë këto detaje

    A ia vlen të blesh iPhone-in e ri? Mos merr vendim pa i parë këto detaje

    iPhone 17 – sezoni i mandarinave

    Tema e shtatorit worldwide ke si e cdo shtatori tjeter “A e pe ajfunin e ri”.
    Po tash edhe ajo osht tu shendrru ne “A me ble ajfunin e ri”.

    E tash, 17shi baz ofroj dicka dicka – senzori katror i kameres per selfie qe me i rrok krejt, ekrani prej 60 fps u dyfishum n’pro display me 120 fps (e vren dallimin e vren). – Good package.

    iPhone air – interesant, i hollë, spat dicka tjeter me rendsi qe me permen🤷.

    E modelet pro me dizajn t’ri po pak fragjil, 3 kamera ka 48 megapixel kualitet tamon 4k edhe chipi i ri A19 Pro.

    Po tash, a ja vlen?

    N’shitje dominon gjithmone modeli Pro Max, e ky model ket vit na ka dal pak problematik.

    Alumini s’osht titanium, e as ajfuni I ri, e as kuleta jote se besoj se e ka te veshtire me perballu me ble t’ri sa here t’dredhohet …. Pra te pjesa e kamerave vrejtshem mundet me u pa qe nese perdoret pa ni case ko me u vrejt PER-DO-RI-MI.

    Nese e ki telefonin se paku 3 gjenerata ma t’vjetra , pah 14shhhh, ather nuk osht qe ki me pa naj dallim ose ndryshim.

    A nese je pa martu, tu eksploru edhe ki shumeee paaakkkk pasiguri qe nuk je tu fit in – qu meniher bleje.

    Also, nese pernime e perdor telefonin edhe shumica e puneve qe i kryn jon permes tij at’her mendoje ni Mac.

    A duhet me e marrë iPhone-in e ri? Po, nëse ke nevojë me kallxu qe e ki. Jo, nese ki nevoje me e perdore se nuk eshte qe t’ofron dicka ma shume pervec nese te pelqen qe telefonit me ja ndrru formen, me apo pa hiri…

  • Trump vendos tarifa të reja mbi drurin dhe mobiliet e importuara

    Trump vendos tarifa të reja mbi drurin dhe mobiliet e importuara

    Presidenti Donald Trump ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja mbi produktet e drurit dhe mobiliet e importuara, duke rritur shqetësimet për çmime më të larta në ndërtim dhe rinovim banesash.

    Sipas vendimit të ri, që hyn në fuqi më 14 tetor, SHBA do të aplikojë: 10% tarifë mbi drurin e butë ndërtimor, si dërrasa dhe trarët, 25 për qind tarifë mbi mobiliet prej druri, dollapët e kuzhinës dhe mobiliet me tapiceri.

    Nga 1 janari 2026, tarifat do të rriten sërish, deri në 50 për qind për dollapët dhe 30 për qind për mobiliet me tapiceri, shkruan CNN.

    Trump tha se kjo masë synon të mbrojë prodhuesit amerikanë dhe të forcojë sigurinë kombëtare, duke akuzuar shtete si Kanadaja, Kina dhe Vietnami për “furnizim të tepruar” në tregun amerikan.

    Por ekspertët paralajmërojnë se tarifat do të ndikojnë në rritjen e kostove të ndërtimit dhe mobilimit, në një kohë kur çmimet e banesave janë në nivele rekord dhe industria amerikane nuk ka kapacitet të plotë për të zëvendësuar importet.

    Sipas të dhënave zyrtare, çmimet e mobilieve janë rritur me 4.7 për qind gjatë vitit të fundit, ndërsa mobiliet e dhomës së ndenjës dhe ngrënies kanë pësuar rritje mbi 9 për qind.

  • Putini urdhëron rekrutimin më të madh ushtarak në 10 vjetët e fundit

    Putini urdhëron rekrutimin më të madh ushtarak në 10 vjetët e fundit

    Vladimir Putin, president i Rusisë, ka lëshuar një urdhër për rekrutimin e më shumë se 100 mijë rusëve në Ushtri – që paraqet rekrutimin më të madh vjeshtor që prej vitit 2016.

    Kremlini po planifikon t’i rekrutojë 135 mijë të rinj të moshave 18 deri 30 vjeç, në shërbimin e rregullt mes tetorit dhe dhjetorit. Shërbimi ushtarak zakonisht zgjat një vit qëndrimi në një bazë brenda Rusisë.

    Edhe pse shërbimi i rregullt nuk nënkupton zyrtarisht dërgimin në fushëbetejën me Ukrainën – që konsiderohet mobilizim nën ligjet luftarake ruse. Ata që kompletojnë stërvitje ushtarake janë të prirë të dërgohen në luftë.

    Rusia raportohet se po përjeton humbje të mëdha në njerëz në Ukrainë, në vijën e frontit 1000-kilometërshe.

  • Rutte pas shkeljeve me dronë: Duhet ta ruajmë qiellin tonë

    Rutte pas shkeljeve me dronë: Duhet ta ruajmë qiellin tonë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje të martën për përpjekje shtesë për ta mbrojtur më mirë hapësirën ajrore të aleatëve, pas një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore dhe shfaqjes së dronëve.

    “Ne duhet ta mbajmë qiellin tonë të sigurt”, tha Rutte, duke folur përkrah presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, para një takimi me komisionarët e BE-së.

    “Ne e kemi parë gjatë javëve të fundit se çfarë ka ndodhur me dronët në Poloni, MiG-31 [avionët luftarakë) në Estoni, por edhe çfarë po ndodh tani në Danimarkë”, tha Rutte.

    Në fillim të shtatorit, tre avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë pasi një numër i madh dronësh rusë depërtuan në hapësirën ajrore polake. Pamje të përsëritura të dronëve në Danimarkë shkaktuan pengesa të mëdha në trafikun ajror danez.

    “Në Danimarkë, ne ende po vlerësojmë se çfarë fshihet pas kësaj, por kur bëhet fjalë për Poloninë dhe Estoninë, është e qartë se janë rusët. Megjithatë, ne ende po vlerësojmë nëse është e qëllimshme apo jo. Por, edhe nëse nuk është e qëllimshme, është pakujdesi dhe e papranueshme”, theksoi Rutte.

    Rutte mbështeti idenë e ndërtimit të ashtuquajturit “murit të dronëve” për ta mbrojtur më mirë hapësirën ajrore evropiane, duke e cilësuar atë si gjënë “e duhur dhe domosdoshme”.

    “Ne nuk mund të shpenzojmë miliona euro ose dollarë për raketa për të rrëzuar dronë që kushtojnë vetëm disa mijëra dollarë”, tha Rutte.

    Nisma, e promovuar nga von der Leyen, pritet të diskutohet nga liderët e Bashkimit Evropian të mërkurën në Kopenhagë.

    Von der Leyen premtoi “veprime të menjëhershme për krijimin e murit të dronëve”.

    “Evropa duhet të japë një përgjigje të fortë dhe të bashkuar ndaj depërtimeve të dronëve rusë në kufijtë tanë”, tha ajo.