ATV

Blog

  • Nis këtë fundjavë Procredit Superliga e Kosovës në basketboll

    Nis këtë fundjavë Procredit Superliga e Kosovës në basketboll

    Këtë fundjavë rikthehet edhe Procredit Superliga e Kosovës në basketboll,ku pritet të ketë ndeshje mjaft interesante në xhiron e parë.

    Të shtunën pritet të zhvillohet një ndeshje,ku Golden Eagle Ylli e pret në palestrën 13 qershori në Suharekë e pret Sigal Prishtinën,ku suharekasit synojnë një start perfekt në sezonin e ri,kurse në anën tjetër kryeqytetasit poashtu synon fitore qysh në xhiron e parë dhe poashtu të luftojnë për titull të kampionit.

    Ndeshja Golden Eagle Ylli-Sigal Prishtina pritet të nis nga ora 19:00.

    Të dielën pritet të zhvillohen edhe dy takime të tjera,ku Bora e pret Rahovecin,ku njëra apo skuadra tjetër synojnë të nisin mjaft mirë këtë sezon të ri në Procredit Superligë.

    Në anën tjetër pritet të zhvillohet edhe takimi Trepça-Peja,i cili do të jetë derbi i javës në Procredit Superligë,ku kampioni synon të nis mbrojtjen e titullit teksa pejanët do të synojnë që këtë stinor të nisin mjaft mirë.

    Ndërkohë ndeshja Vëllaznimi-Bashkimi është shtyer për një datë tjetër,kjo edhe për shkak të angazhimeve të ekipit prizrenas në garat evropiane.

    Të gjitha ndeshjet përpos asaj të ssë shtunës pritet të nisin nga ora 17:00.

     

  • Qeveria spanjolle propozon që aborti të bëhet e drejtë kushtetuese

    Qeveria spanjolle propozon që aborti të bëhet e drejtë kushtetuese

    Qeveria e majtë e Spanjës ka propozuar që aborti të përfshihet si e drejtë kushtetuese, pasi këshilli bashkiak i Madridit informoi gratë lidhur me të ashtuquajturën “sindromë post-abort”.

    Ky zhvillim kundërthënës ndodhi të martën, kur këshilli bashkiak i Madridit, i kontrolluar nga Partia konservatore Popullore (PP), miratoi një propozim të ekstremit të djathtë që kërkon nga institucionet shëndetësore të informojnë gratë që kërkojnë të bëjnë abort për këtë sindromë të pretenduar.

    Propozimi pretendon se kjo sindromë mund të çojë në përdorimin e alkoolit dhe drogave, mendime për vetëvrasje dhe rritje të rrezikut për shfaqjen e kancerit.

    Në propozim thuhet se informacionet mbi këtë sindromë të pretenduar po “fshihen me qëllim”, duke argumentuar se aborti është “biznes i madh” që po promovohet nga ideologjia feministe.

    PP-ja fillimisht mbrojti masat, por pas reagimeve të shumta, kryebashkiaku i Madridit nga PP-ja, Jose Luis Almeida, e pranoi më 2 tetor se sindroma e post-abortit nuk është një “kategori e njohur shkencërisht”. Ai po ashtu tha se informimi i grave për të nuk do të ishte i detyrueshëm.

    Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez, më 3 tetor akuzoi PP-në se “ka vendosur të bashkohet me ekstremin e djathtë” dhe njoftoi se planifikon të paraqesë një propozim në Parlament për ta mbrojtur me Kushtetutë të drejtën e abortit.

    Reformat kushtetuese në Spanjë janë të vështira, pasi për ndryshime të saj kërkohet një shumicë prej tre të pestave në Parlament. Kjo i bie se për çdo ndryshim, Sanchez duhet të sigurojë mbështetje nga ligjvënësit e opozitës konservatore.

    Spanja ka dekriminalizuar abortin më 1985 në rastet e përdhunimit, nëse fetusi është i deformuar, ose nëse lindja paraqet rrezik serioz fizik ose psikologjik për nënën.

    Ligji u ndryshua më 2010 për të lejuar abortin sipas kërkesës gjatë 14 javëve të para të shtatzënisë.

    Megjithatë, gratë spanjolle ende përballen me pengesa, pasi shumë mjekë në sektorin publik refuzojnë të kryejnë këtë procedurë.

    Vitin e kaluar, Franca u bë shteti i parë në botë që e përfshiu në Kushtetutë të drejtën për të ndërprerë shtatzëninë./REL

  • Prishtina-Ballkani derbi i fundjavës në Albi Mall Superligë

    Prishtina-Ballkani derbi i fundjavës në Albi Mall Superligë

    Kjo fundjavë pritet të sjellë xhiron e 8-të në Albi Mall Superligë,ku në program pritet të ketë ndeshje mjaft interesante.

    Vëmendja pritet të jetë të shtunën në Hajvali,ku lideri aktual Prishtina e pret përcjellësin Ballkanin në derbin e kësaj fundjave në elitën e futbollit kosovar.

    Kryeqytetasit po e përjetojnë startin më të mirë këtë sezon në Superligë ku në 4 ndeshje kanë po aq fitore,duke u vendosur në krye të tabelës pas 7 xhirove,teksa sa i përket takimit kundër Ballkanit synimi i Prishtinës është vetëm fitorja.

    Ndërkohë Ballkani në anën tjetër po kalon formë të jashtëzakonshme,ku në ndeshjet e fundit ka 4 fitore e 1 barazim,dhe është e vetmja skuadër pa humbje në Albi Mall Superligë.

    Në anën tjetër një ndeshje tjetër e cila zhvillohet të shtunën do të jetë ajo ndërmjet Malishevës dhe Llapit,ku Malisheva synon pikë të plota për të mbetur në hap me skuadrat në top 4-she teksa Llapi me fitoren e rradhës synon të dal nga zona e rrezikshme.

    Të dielën pritet të zhvillohen edhe 3 takime të tjera,ku kampioni Drita luan derbin e Anamoravës kundër Gjilanit.

    Dukagjini luan në shtëpi kundër Prishtinës së Re,kurse Drenica i shkon në udhëtim Ferizajt.

    Kujtojmë që të gjitha ndeshjet pritet të nisin nga ora 15:00.

  • Qyteti i Holandës që nuk ka rrugë

    Qyteti i Holandës që nuk ka rrugë

    Ka shumë fshatra të bukur në Holandë, por Giethoorn është diçka vërtet speciale. I njohur në mbarë botën si “Venecia e Holandës” ose “fshati pa rrugë”, ai të bën të ndihesh sikur ke hyrë në një botë përrallore.

    Atmosfera është aq e qetë dhe paqësore sa që të lind dëshira të qëndrosh gjatë dhe të harrosh gjithçka tjetër. Kanale të ngushta, shtëpi të vogla me çati kashte dhe kopshte të mbushura me lule shumëngjyrëshe, ku e vetmja zhurmë është ajo e rosakëve dhe e ujit që përplaset lehtë, krijojnë një pamje që nuk haset çdo ditë.

    Në fillimet e tij, Giethoorn ka qenë vetëm një grumbull shtëpish të vogla të rrethuara nga kanale, të lidhura me ura druri. Sot ka rrugë që të çojnë deri në fshat dhe rrugica të zakonshme brenda tij, por pjesa e vjetër mbetet një rrjet kanalesh ku makina nuk kanë vend. Pikërisht kjo pjesë është ajo që e bën fshatin unik.

    Çdo shtëpi është si një ishull i vogël, me një kopsht përreth të mbushur me lule dhe me varkën e familjes të lidhur në një dok të vogël. Giethoorn ka rreth 176 ura që lidhin ishujt e vegjël, por jo të gjitha janë të hapura për vizitorët.

    Historia e fshatit daton nga viti 1225, ndërsa emri i tij lidhet me “brirët e dhive” që u gjetën pas një përmbytjeje të madhe. Kanaleve dhe liqeneve që e rrethojnë ua kanë dhënë formën gërmimet e torfës shekuj më parë.

  • Murati për qarkullimin e bizneseve: 10.06 % më shumë këtë vit

    Murati për qarkullimin e bizneseve: 10.06 % më shumë këtë vit

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se qarkullimi i bizneseve deri në fund të muajt gusht të këtij viti ka shënuar 15.2 miliardë më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

    “Qarkullimi i bizneseve deri në fund të muajit gusht të këtij viti ka shënuar 15.2 miliardë euro, apo 10.06% më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Dinamikë të ngjashme ka pasur edhe fitimi neto i bizneseve, i cili bazuar në deklarimet e tatimit në fitim të korporatave del se ka shënuar rritje prej 9.45% krahasuar me vitin e kaluar”, ka shkruar Murati.

  • Reshjet e borës lënë pa rrymë disa rajone të Kosovës

    Reshjet e borës lënë pa rrymë disa rajone të Kosovës

    Si pasojë e reshjeve të borës, në disa rajone të Kosovës janë shkaktuar prishje në rrjetin elektrik shpërndarës, duke lënë një numër të caktuar të konsumatorëve pa furnizim me energji elektrike.

    Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS).

    Sipas njoftimit të KEDS, rajonet më të prekura janë Prishtina, Gjilani, Prizreni dhe Mitrovica, ku bazuar në informacionet e kompanisë, disa dalje janë jashtë funksionit.

    “KEDS-i ka mobilizuar ekipe shtesë edhe nga rajone të tjera, të cilat, pavarësisht rrethanave të vështira në terren, po përkushtohen që të eliminojnë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet, dhe në një afat sa më optimal konsumatorëve tanë të afektuar t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike, për çka kërkojmë mirëkuptim”, thuhet mes tjerash në njoftim.

  • Rita Ora me stil unik në Francë, publikon të tjera fotografi nga paraqitja elegante në Javën e Modës në Paris

    Rita Ora me stil unik në Francë, publikon të tjera fotografi nga paraqitja elegante në Javën e Modës në Paris

    Rita Ora ka rikthyer vëmendjen e publikut me një seri fotografish të reja nga paraqitja e saj në Javën e Modës në Paris, duke treguar edhe një herë stilin e saj unik dhe të rafinuar.

    Në postimet e ndara me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, këngëtarja 35-vjeçare shihet e veshur me një fustan të zi mjaft elegant, i cili thekson linjat e trupit dhe veçanërisht gjoksin e saj, duke i dhënë paraqitjes një hijeshi të veçantë dhe glamuroze.

    Flokët e rinj bionde, të prerë shkurt, i japin Ritës një pamje tjetër, më të sofistikuar dhe moderne, duke theksuar një ndryshim të dukshëm nga paraqitjet e mëparshme.

    Ky stil i ri ka marrë vëmendje të madhe nga ndjekësit, të cilët e kanë komplimentuar për guximin dhe elegancën që ajo gjithmonë shfaq në publik.

    Eventi ku Rita shfaqet ka qenë i organizuar nga dizenjatori i njohur Tom Ford, një nga emrat më të fuqishëm të modës botërore, dhe është pjesë e Javës së Modës në Paris, një prej ngjarjeve më prestigjioze në industrinë e modës.

    Prezenca e Ritës në këtë event e ka vendosur artisten shqiptare mes yjeve më të mëdhenj botërorë, duke treguar jo vetëm stilin e saj personal, por edhe praninë e fuqishme në skenën ndërkombëtare.

    Ky moment në karrierën e Ritës Ora vjen pas një serie paraqitjesh të suksesshme në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare, ku ajo gjithmonë ka ditur të kombinojë muziken dhe modën në mënyrë perfekte. /Telegrafi/

  • Ursula von der Leyen viziton Kosovën më 15 tetor

    Ursula von der Leyen viziton Kosovën më 15 tetor

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Kosovën më 15 tetor, si pjesë e një turneu në Ballkanin Perëndimor. Vizita e saj e gjen vendin në një ngërç të thellë politik, i cili ka bllokuar fondet kyçe nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Kjo situatë shënon një kontrast të plotë me vizitën e një viti më parë, kur ajo premtonte pagesa të shpejta si shpërblim për reformat. Për shkak të moskonstituimit të institucioneve të reja, Kosova, krahas Bosnjë e Hercegovinës, mbetet i vetmi vend që ende nuk i ka pranuar këto fonde.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Von der Leyen pritet të takojë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    Vizita e saj i paraprin publikimit të Raporteve vjetore të Progresit, të cilat sipas burimeve në Bruksel janë shtyrë për në fillim të muajit nëntor.

  • Kombëtarja e Kosovës publikon listën për ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Suedisë.

    Kombëtarja e Kosovës publikon listën për ndeshjet kundër Sllovenisë dhe Suedisë.

    Kombëtarja e Kosovës në futboll,ka bërë publike listën e futbollistëve për ndeshjet kualifikuese të botërorit 2026 kundër Sllovenisë dhe Suedisë.

    Selektori Franco Foda ka ftuar gjithsej 27 futbollistë për dy ndeshjet mjaft të rëndësishme,ku në listë është përfshirë Albian Hajdari i cili pranoi ftesën për të luajtur për dardanët,kurse në anën tjetër janë rikthyer Edon Zhegrova dhe Milot Rashica.

    Përndryshe selektori Foda ka publikuar edhe një listë të zgjeruar me futbollistë që mund të zëvendësojnë ndojnë lojtar që mund të pësoj lëndim,duke përfshirë emra si: Faton Maloku, Kreshnik Krasniqi, Behar Neziri, Ismet Lushaku, Bledian Krasniqi, Andi Hoti, Rilind Nivokazi, Bersant Celina dhe Donat Rudhani.

    Dardanët pritet të grumbullohen të hënën më 6 tetor ku do mbajnë një seancë stërvitore në kampin nacional në Hajvali nga ora 17:00,kurse më herët nga ora 12:00 selektori Foda do të mbajë një konferencë për shtyp.

    Kujtojmë që Kosova ndeshjen e parë e zhvillon kundër Suedisë në “Fadil Vokrri”më 10 tetor,e më pas 13 tetor kundër Suedisë në Goteborg.

     

  • Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses

    Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kërkon nga partitë parlamentare të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

    Sipas tij, Kushtetuesja ishte shumë e qartë se legjislatura e nëntë nuk është konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

    Duke folur për KosovaPress, ai bën thirrje për formim të shpejtë të institucioneve të reja pasi, siç thotë ai, Kosovës i duhet një qeveri legjitime për të shtyrë përpara proceset euroatlantike.

    Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë, mirëpo në njoftimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

    Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast që nuk kompletohen trupat e legjislativit.

    Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

    Diplomati suedez thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, andaj duhet të respektohen vendimet e saj.

    “Gjykata Kushtetuese ka dhënë një deklaratë shumë të qartë për këtë. Parlamenti nuk është konstituuar, por në vend të kësaj, duhet të procedohet me emërimin e një nënkryetari nga një prej komuniteteve jo-shumicë. Nuk kam ndonjë mendim për vetë përmbajtjen, por jam shumë i kënaqur që kjo është një deklaratë mjaft e qartë nga Gjykata Kushtetuese. Tani, mos harroni që Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, dhe duhet t’i përmbahemi asaj dhe të respektohen të gjitha vendimet”, thekson ai.

    Westerlund thotë tutje se Kosovës i duhet një qeveri legjitime në mënyrë që vendi të përqendrohet në anëtarësimin në Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe NATO.

    Duke e konsideruar të domosdoshme formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ambasadori përmend Shqipërinë dhe Malin e Zi, që sipas tij po ecin përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Ne po shohim tani që Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara ndoshta për t’u bërë anëtarë të BE-së pas disa vitesh. Kosova duhet të nisë të njëjtin proces, të përqendrohet në këtë, të përqendrohet në anëtarësimin në BE, të përqendrohet në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të përqendrohet në anëtarësimin në NATO. Ata kanë mbështetjen tonë për këto aspirata, por me të vërtetë u duhet një qeveri dhe të përqendrohen në anëtarësimin në BE”, shton diplomati suedez.

    Krahas kësaj, ambasadori i Suedisë në Kosovë flet edhe për fillimin e largimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

    Bashkimi Evropian, që nga muaji qershor i vitit 2025, ka nisur heqjen graduale të masave, ku kanë filluar takimet në kuadër të MSA-së dhe lirimin e disa fondeve në projekte si energjia dhe digjitalizimi.

    Westerlund thotë se heqja e masave në formë graduale do të vazhdojë, por duhet të shohin të ardhmen se çfarë do të ndodhë në heqjen totale të masave.

    Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, si pasojë e tensioneve në veri të vendit.

    “Ne tashmë kemi vendosur për një heqje graduale të masave, dhe ajo heqje graduale do të vazhdojë. Por do ta shohim në të ardhmen se çfarë do të ndodhë”, potencon ai.

    Në anën tjetër, ambasadori Westerlund, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, deklaron se posa të formohet qeveria në Kosovë duhet të ketë diskutime serioze në Bruksel për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

    Ai shton se është shumë i kënaqur me emërimin e diplomatit danez, Peter Sorensen, si emisar i BE-së për dialogun, duke thënë se i njëjti po ndërmerr hapa përpara në procesin e normalizimit.

    “Jam shumë i kënaqur që kemi një zë të ri të BE-së, që nga fillimi i këtij viti, Peter Sorensen. Ai po ndërmerr hapa përpara për procesin e normalizimit. Shpresoj që të mund ta përshpejtojmë procesin. Nuk kemi parë shumë progres këtë vit ende, ndaj shpresoj që të mund të kemi një qeveri në Kosovë dhe që të kemi diskutime më serioze në Bruksel mbi dialogun e normalizimit”, thekson ai.

    Pavarësisht që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, në Bruksel janë mbajtur dy takime në nivel të kryenegociatorëve mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo që nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të dakorduar në vitin 2023.