ATV

Blog

  • Një muaj paraburgim për të miturin që theri me thikë dy persona dhe një polic në Ferizaj

    Një muaj paraburgim për të miturin që theri me thikë dy persona dhe një polic në Ferizaj

    Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të miturit që dyshohet se ka therur dy persona dhe një zyrtar policor në dy ngjarje të ndara të ndodhura më 10 korrik në Ferizaj.

    Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa i mituri dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Sipas dosjes së rastit, ngjarja e parë ka ndodhur më 10 korrik, rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj.

    Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i mituri, i veshur me rroba ushtarake, me dorëza dhe i maskuar, ka sulmuar me thikë dy persona me inicialet I.M. dhe S.H., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë vitale të trupit.

    Pas sulmit, ai dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Ferizajt.

    Sipas aktvendimit të gjykatës, rreth 20 minuta pas sulmit, i dyshuari është lokalizuar në oborrin e shtëpisë së gjyshes së tij në fshatin Greme të Ferizajt, ku ndodhej edhe nëna e tij dhe ku dyshohet se ishte fshehur pas largimit nga vendi i ngjarjes.

    Gjykata ka bërë të ditur se i mituri ka refuzuar urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u dorëzuar dhe për ta hedhur thikën që mbante me vete.

    Gjatë ndërhyrjes së policisë për arrestimin e tij, ai dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë.

    Sipas aktvendimit, njëri nga policët është rrëzuar pasi është tërhequr nga nëna e të miturit, ndërsa i dyshuari ka tentuar ta godasë me thikë.

    Në përpjekje për ta neutralizuar, një major i Policisë së Kosovës ka ndërhyrë, por dyshohet se është goditur me thikë në anën e majtë të qafës nga veprimet e të miturit.

    Po ashtu, sipas gjykatës, i dyshuari ka poseduar pa autorizim një thikë kuzhine në vend publik, e cila më pas është konfiskuar nga Policia e Kosovës.

  • ​KFOR-i amerikan patrullon përgjatë kufirit Kosovë-Serbi

    ​KFOR-i amerikan patrullon përgjatë kufirit Kosovë-Serbi

    Ushtarët amerikanë të KFOR-it, të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-East), në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, po zhvillojnë patrullime të rregullta përgjatë asaj që KFOR-i e quan “Vijë Administrative Kufitare”, përgjatë zonës së tyre të përgjegjësisë që lidhet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    KFOR-i, përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se këto patrullime zhvillohen gjatë gjithë vitit dhe kanë për qëllim ruajtjen e vetëdijes për situatën në terren, mbështetjen e stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes, monitorimin e ndryshimeve në mjedisin operacional, si dhe sigurimin e një pranie të dukshme të forcave të sigurisë.

    Sipas KFOR-it, këto aktivitete janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente.

     

  • Kosovarët “pushtojnë” Shqipërinë, mbi 12 mijë qytetarë kaluan kufirin brenda katër orëve

    Kosovarët “pushtojnë” Shqipërinë, mbi 12 mijë qytetarë kaluan kufirin brenda katër orëve

    Gjatë muajve maj dhe qershor është shënuar rekord i hyrje-daljeve në pikat kufitare të qarkut Kukës me Kosovën, ndërsa mijëra qytetarë dhe drejtues mjetesh nga Kosova kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar, Parkut Kombëtar të Valbonës dhe destinacioneve të tjera turistike për fundjavë dhe pushime verore.

    Sipas drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Arben Alika, gjatë këtyre dy muajve janë përpunuar në hyrje dhe dalje mbi 2 milionë shtetas, me një mesatare ditore prej më shumë se 42 mijë personash.

    Pjesa dërrmuese e udhëtarëve kanë qenë shtetas të Kosovës.

    Për të përballuar fluksin në rritje, Policia Kufitare ka shtuar kapacitetet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të qarkut Kukës, duke rritur numrin e sporteleve dhe të efektivëve në shërbim.

    Vëmendja kryesore është përqendruar në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, e cila përballon volumin më të madh të lëvizjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Vetëm gjatë katër orëve të para të kësaj të shtune, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë kanë hyrë në Shqipëri 12 mijë e 431 shtetas nga Kosova, me 2 mijë e 879 automjete të vogla dhe autobusë.

  • Italia “e vendosur” për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

    Italia “e vendosur” për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se vendi i tij është i vendosur të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

    Tajani priti në rezidencën shtetërore Villa Madama në Romë takimin e “Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor” me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në takim morën pjesë ministra dhe zëvendësministra nga Austria, Kroacia, Greqia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia.

    Në fjalimin e tij në hapje të takimit, Tajani theksoi se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është “prioritet absolut politik” për Italinë, raporton Anadolu – transmeton Sinjali.

    Ministri italian bëri të ditur se në takimin e sotëm do të miratojnë një dokument politik që do t’i paraqitet Brukselit me synim përshpejtimin e procesit të zgjerimit.

    Tajani tha se duhet të forcojnë më tej bashkëpunimin dhe harmonizimin mes BE-së dhe Ballkanit në fushat e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

    Pas fotografisë familjare me pjesëmarrësit, Tajani u tha gazetarëve pas takimit: “Italia është e vendosur të mbështesë rrugën e këtyre vendeve drejt BE-së. Disa prej tyre, si Mali i Zi dhe madje Shqipëria, janë gati për anëtarësim”.

    Tajani tha se Italia gjithashtu mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE, por theksoi se përparësi kanë vendet e Ballkanit, duke shtuar se këto vende nuk duhet ta humbasin besimin.

  • Udinese bën ofertë zyrtare për Mërgim Vojvodën, por Como e refuzon

    Udinese bën ofertë zyrtare për Mërgim Vojvodën, por Como e refuzon

    Udinese ka bërë një ofertë zyrtare prej 1 milion eurosh për mbrojtësin e Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda.

    Mbrojtësi kosovar zhvilloi një sezon shumë të mirë me Comon, duke dhënë kontribut të rëndësishëm me paraqitjet e tij, edhe pse jo gjithmonë ishte titullar. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve italiane, ndërsa Udinese është skuadra e parë që ka bërë një ofertë konkrete.

    Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, Udinese i ka ofruar Comos 1 milion euro për kartonin e Vojvodës, por klubi ka refuzuar ofertën, duke e konsideruar atë shumë të ulët.

    Ndërkohë, Udinese i ka propozuar futbollistit një kontratë trevjeçare, me një pagë prej 1.1 milionë eurosh neto në sezon.

    “Como aktualisht e konsideron këtë ofertë si shumë të ulët. Për lojtarin është paraqitur një kontratë trevjeçare me vlerë 1.1 milionë euro neto në sezon”, raportoi Di Marzio.

    Mbetet për t’u parë nëse Como dhe Udinese do të arrijnë një marrëveshje për transferimin, ndërsa ende nuk është e qartë nëse Vojvoda është i gatshëm ta pranojë këtë lëvizje, pasi synon të vazhdojë karrierën në një skuadër që do të garojë në Ligën e Kampionëve.

  • Thibaut Courtois: Nuk doja të largohesha nga fusha, por nuk mund ta godisja më topin

    Thibaut Courtois: Nuk doja të largohesha nga fusha, por nuk mund ta godisja më topin

    Thibaut Courtois ka zbuluar se nuk dëshironte të largohej nga fusha gjatë çerekfinales së Kupës së Botës 2026 mes Belgjikës dhe Spanjës, ndeshje që përfundoi me eliminimin e “Djajve të Kuq”. Portieri belg nuk i mbajti lotët teksa u zëvendësua.

    “Ndjeva diçka pas një rivënieje të gjatë të topit. Fillimisht mendova se ishte vetëm një tendosje muskulore në bicepsin femoral, si pasojë e shumë goditjeve. Më pas ndjeva se gjendja u përkeqësua dhe u ula që të më kontrollonte stafi mjekësor.

    Doja të vazhdoja, por nuk mund ta godisja topin siç duhet. Trajneri më tha se, nëse nuk isha në 100 për qind të formës, do të më zëvendësonte. I thashë se nuk isha mirë, por doja ta provoja edhe një herë. Mendova se, duke shmangur rivëniet e gjata, mund ta vazhdoja ndeshjen. Megjithatë, është vendimi i duhur. Nëse trajneri kërkon një lojtar në formën maksimale, atëherë kështu duhet të jetë”, deklaroi Courtois.

    Në vend të tij u aktivizua Senne Lammens, i cili u bë protagonist në aksionin që solli golin vendimtar të Mikel Merinos, pas një pasimi të gabuar. Megjithatë, Courtois doli menjëherë në mbrojtje të bashkëlojtarit të tij.

    “Kështu është futbolli. Nuk ka arsye ta fajësojmë atë djalë. Është një portier i shkëlqyer, ka zhvilluar një sezon fantastik te Manchester United dhe nuk e meriton këtë kritikë”, shtoi portieri belg.

    Ndërkohë, në Belgjikë kanë nisur kritika të forta ndaj trajnerit Rudi Garcia. Ish-tekniku i Napolit dhe Romës është vënë në shënjestër për vendimin për ta zëvendësuar Courtois, si dhe për mënyrën se si menaxhoi skuadrën gjatë ndeshjes.

    Komentatorët dhe opinionistët kanë kritikuar edhe ndryshimet në formacionin titullar, krahasuar me sfidën ndaj Shteteve të Bashkuara, veçanërisht aktivizimin surprizë të Axel Witsel.

    Mbetet për t’u parë nëse eliminimi në çerekfinale dhe problemet me dëmtimet do të mjaftojnë që Rudi Garcia ta ruajë postin e tij. Edhe pse arritja deri në këtë fazë konsiderohet një rezultat pozitiv, Federata Belge mund të shqyrtojë sërish të ardhmen e pankinës së kombëtares.

  • Marc Marquez dominon në Sachsenring, siguron pole position me kohë rekord

    Marc Marquez dominon në Sachsenring, siguron pole position me kohë rekord

    Pista e Sachsenringut vazhdon të jetë territori i preferuar i Marc Marquez. Piloti spanjoll i Ducatit siguroi pole position në Çmimin e Madh të Gjermanisë, duke regjistruar suksesin e tij të nëntë në kualifikimet e kësaj piste.

    Marquez vendosi edhe një rekord të ri të pistës, duke ndalur kronometrin në 1 minutë, 19 sekonda e 461 të mijtat. Ai la pas vëllain e tij, Alex Marquez, me vetëm 61 të mijtat diferencë.

    Vijën e parë të nisjes e kompletoi italiani Fabio Di Giannantonio, i cili regjistroi kohën e tretë më të mirë, 147 të mijtat më i ngadaltë se Marc Marquez.

    Ndërkohë, nuk pati fat Marco Bezzecchi. Piloti italian fillimisht regjistroi kohën 1 minutë, 19 sekonda e 613 të mijtat, mbi gjysmë sekonde më i ngadaltë se Marquez. Megjithatë, gjatë përpjekjes për të përmirësuar kohën e tij, ai u rrëzua dhe goditi krahun e majtë, duke u detyruar të ndërpresë para kohe kualifikimet.

    Pavarësisht incidentit, Bezzecchi do ta nisë garën përpara liderit të kampionatit, Jorge Martin, i cili u rendit i nënti.

    Andrea Fernandez siguroi vendin e katërt, ndërsa Ai Ogura u klasifikua i pesti. Fabio Quartararo do ta nisë garën nga pozita e gjashtë, ndërsa Franco Morbidelli nga vendi i shtatë.

    Pedro Acosta u rendit i dhjeti, ndërsa Francesco Bagnaia zhgënjeu në kualifikuese, duke u pozicionuar vetëm në vendin e njëmbëdhjetë.

  • Vinicius Junior dhe Real Madridi drejt bisedimeve vendimtare për rinovimin e kontratës

    Saga e rinovimit të kontratës së Vinicius Junior me Real Madridin pritet të hyjë në një fazë vendimtare gjatë ditëve në vijim.

    Sipas ekspertit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, agjentët e sulmuesit brazilian do të zhvillojnë bisedime të reja me drejtuesit e Real Madridit, me synimin për të arritur sa më shpejt një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.

    Të dyja palët dëshirojnë ta zgjidhin situatën, pasi negociatat për rinovimin e kontratës kanë zgjatur për më shumë se një vit.

    Real Madridi është veçanërisht i interesuar që çështja të mbyllet sa më parë, pasi Vinicius ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij dhe, nga janari, do të ketë të drejtën të negociojë me klube të tjera.

    Sipas raportimeve, pengesa kryesore mbetet aspekti financiar. Kampi i 25-vjeçarit kërkon një pagë vjetore prej 30 milionë eurosh, të barabartë me atë të Kylian Mbappe, si dhe një bonus të konsiderueshëm për firmosjen e kontratës së re.

    Nga ana tjetër, oferta aktuale e Real Madridit është 20 milionë euro në sezon, duke krijuar një diferencë të konsiderueshme mes kërkesës së lojtarit dhe ofertës së klubit.

    Pavarësisht kësaj, presidenti Florentino Perez nuk dëshiron të ndahet me Viniciusin dhe e konsideron brazilianin një nga shtyllat kryesore të projektit afatgjatë të klubit.

    Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse palët do të arrijnë një kompromis, apo nëse saga e rinovimit të kontratës do të vazhdojë edhe më tej.

  • Diant Ramaj kërkon largimin nga Dortmundi, synon të jetë portieri i parë në një klub të ri

    Diant Ramaj kërkon largimin nga Dortmundi, synon të jetë portieri i parë në një klub të ri

    Diant Ramaj është i vendosur të largohet nga Borussia Dortmundi gjatë kësaj vere, pasi synon të gjejë një skuadër ku do ta ketë rolin e portierit të parë.

    Sipas raportimit të Bild, portieri 24-vjeçar është rikthyer te Dortmundi pas një huazimi të suksesshëm te Heidenheimi, ku zhvilloi 31 nga 34 ndeshjet e mundshme në Bundesliga gjatë sezonit 2025/26. Megjithatë, ai nuk beson se mund ta fitojë vendin e titullarit te verdhezinjtë.

    Raporti shton se negociatat për largimin e tij kanë nisur, por deri më tani nuk ka oferta konkrete në tavolinë.

    Borussia Dortmundi është e gatshme ta lejojë largimin e Ramajt, pasi Gregor Kobel mbetet zgjedhja e padiskutueshme në portë. Ndërkohë, Alexander Meyer dhe Patrick Drewes pritet të jenë alternativat rezervë për sezonin e ardhshëm.

    Ramaj iu bashkua Dortmundit në shkurt të vitit 2025 për pesë milionë euro, me shpresën se një ditë do ta zëvendësonte Kobelin si portieri kryesor i skuadrës. Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të mira te Copenhageni dhe Heidenheimi, ai e konsideron pothuajse të pamundur ta fitojë këtë rol.

    Portieri ka kontratë me Borussia Dortmundin deri në verën e vitit 2029, ndërsa klubi gjerman pritet të kërkojë një dëmshpërblim për kartonin e tij. Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e Ramajt në treg vlerësohet rreth shtatë milionë euro.

  • Sonte dy ndeshje çerekfinale Norvegji-Angli dhe

    Sonte dy ndeshje çerekfinale Norvegji-Angli dhe

    Sonte dhe në mesnatë pritet të zhvillohen edhe dy ndeshjet të tjera cerekfinale të Kupës së Botës 2026,ku pritet të përcaktohen edhe dy gjysmëfinalistët e tjerë të këtij kompeticioni.

    Në ora 23:00 Anglia  e cila eliminoi Meksikën në 1/8 e finales do të takohet kundër Norvegjisë,e cila konsiderohet njëra nga ndeshjet kryesore të mbrëmjes ku tre luanët synojë kalimin në gjysmëfinale pas 8 vitesh kur për herë të fundit ishin në botëorin e vitit 2018.

    Në anën tjetër Norvegjia arriti në cerekfinale për herë të parë ku eliminoi Brazilin në 1/8 e finales do të synoj për herë të parë gjysmëfinalen,dhe kjo do të ishte një sukses i madh për “vikingët”të cilët u rikthyen në skenën botërore të futbollit pas 28 vitesh.

    Çerekfinalja tjetër interesante pritet të zhvillohet ndërmjet Zvicrës dhe kampionit aktual të botës Argjentinës e cila nis në ora 03:00 të mëngjesit.

    Granit Xhaka dhe Ardon Jashari arritën ta kualifikojnë kombëtaren helvetike në mesin e 8 ekipeve më të mira në botë pas penalltive kundër Kolumbisë,teksa do të synojnë që të eliminonjë kampionët aktual të botës nga Kupa e Botës.

    Ndërkohë Argjentina e cila eliminoj Egjiptin me rikthim do të synoj gjysmëfinalen e dytë me rradhë,dhe Lionel Messi me shokë të vazhdojnë objektivin e tyre për mbrojtjen e titullit.

    Kujtojmë që tashmë është kompletuar edhe gjysmëfinalja e parë e këtij botërori,ku Franca e cila eliminoi Marokun pritet të takohet kundër Spanjës që të premten mbrëma kishte eliminuar Belgjikën.