ATV

Blog

  • Gollopeni: Kosova ka humbur rreth 10% të popullsisë nga viti 2011 deri në vitin 2024

    Gollopeni: Kosova ka humbur rreth 10% të popullsisë nga viti 2011 deri në vitin 2024

    Demografi Besim Gollopeni ka deklaruar se Kosova ka shënuar rënie të ndjeshme të numrit të banorëve gjatë më shumë se një dekade.

    Në emisionin “Info Magazine”, mbrëmë në Klan Kosova, Gollopeni tha se krahasimi mes dy regjistrimeve të popullsisë tregon se Kosova ka humbur të paktën 10% të popullsisë.

    “Pra, nëse e shikojmë dhe bëjmë një krahasim mes pak më shumë se një dekade, po flas mes dy regjistrimeve, nuk po shkojmë më mbrapa. Vetëm nga viti 2011 deri në vitin 2024, Kosova ka humbur të paktën 10% të popullsisë. Pra, përderisa në vitin 2011 ne i kishim 1.8 milion banorë, sot i kemi 1.6 milion banorë. Ky numër mund të jetë edhe më i vogël se kaq, bazuar në bindjen dhe analizat e mia. Çdo vit, Kosova pritet që mesatarisht ta humbë 1% të popullsisë së përgjithshme”, tha Gollopeni në Klan Kosova.

  • Erling Haaland kritikon arbitrin pas eliminimit: Të gjitha vendimet 50-50 shkuan kundër nesh

    Sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haaland, ka shprehur zhgënjimin e tij pas humbjes 2-1 ndaj Anglisë, pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës së tij, por edhe duke kritikuar vendimet e arbitrave në momentet kyçe të takimit.

    “Për të qenë i sinqertë, është shumë e vështirë ta përshkruaj atë që ndiej tani. Mendoj se meritonim më shumë.

    “Në të njëjtën kohë, ishim vetëm një hap larg eliminimit të Anglisë. Ka një ndjenjë boshllëku, por njëkohësisht jemi krenarë që luajtëm një çerekfinale kundër Anglisë dhe i dhamë një betejë të fortë. Emocionet e mia janë të përziera”, deklaroi Haaland.

    I pyetur për dy vendimet e diskutueshme të gjyqtarit gjatë ndeshjes, sulmuesi norvegjez nuk e fshehu pakënaqësinë.

    “Janë pikërisht këto episode të vogla që vendosin fatin e ndeshjeve në Kupën e Botës. Kundër Brazilit arritëm t’i kthenim në favorin tonë, por sot, në të gjitha situatat 50-50, vendimet shkuan kundër nesh. Kur luan ndaj një skuadre si Anglia, kjo e bën gjithçka shumë më të vështirë”, u shpreh ai.

    Haaland u ndal edhe te goli i anuluar i Norvegjisë, duke vënë në dyshim vendimin e arbitrit.

    “Ne arritëm t’ia impononim lojën kundërshtarit. Martin kontrolloi ritmin e ndeshjes dhe luajtëm ashtu siç kishim planifikuar. Shënuam gol, por ai u anulua sepse, sipas gjyqtarit, unë shtyva Elliot Anderson gjatë goditjes nga këndi. Sinqerisht, mua më shtyjnë në pothuajse çdo duel të tillë. Është paksa zhgënjyese”, shtoi sulmuesi.

    Në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 1-1, gjyqtari francez Clément Turpin anuloi golin e Torbjørn Heggem pas ndërhyrjes së VAR-it, duke sinjalizuar faull të Haaland gjatë ekzekutimit të një goditjeje nga këndi dhe urdhëroi përsëritjen e kornerit.

    Pavarësisht eliminimit, 25-vjeçari beson se paraqitja në Botërorin 2026 ka ndryshuar mënyrën se si perceptohet Norvegjia në futbollin ndërkombëtar.

    “Është e vështirë ta përpunoj gjithçka tani, por mendoj se ky turne e ka ndryshuar Norvegjinë.

    “Jam krenar për skuadrën tonë dhe shpresoj që edhe të gjithë norvegjezët të jenë krenarë për ne. Ajo që kemi arritur është një sukses i madh.

    “Gjithçka duket e pabesueshme. Ndihem sikur ky turne më ka ndryshuar edhe mua si person. Ndoshta tani njerëzit më njohin edhe më shumë”, përfundoi Haaland.

    Sulmuesi norvegjez e mbylli Kupën e Botës 2026 me shtatë gola në pesë ndeshje, duke qenë një nga futbollistët më të spikatur të turneut, pavarësisht eliminimit të Norvegjisë në çerekfinale.

  • Opta publikon favoritin për fitimin e Botërorit 2026, Franca kryeson para gjysmëfinaleve

    Opta publikon favoritin për fitimin e Botërorit 2026, Franca kryeson para gjysmëfinaleve

    Katër kombëtaret më të mira të Botërorit 2026 kanë siguruar një vend në gjysmëfinale, ku priten përballje spektakolare mes Francës, Spanjës, Argjentinës dhe Anglisë.

    Pas çerekfinaleve dramatike, turneu ka hyrë në fazën vendimtare. Gjysmëfinalja e parë do të sjellë një duel të madh evropian mes Francës dhe Spanjës, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër kampionia në fuqi, Argjentina, do të përballet me Anglinë në një sfidë që pritet të jetë jashtëzakonisht e luftuar.

    Në prag të këtyre ndeshjeve, superkompjuteri i Opta-s ka publikuar parashikimin e tij për skuadrën favorite për ta fituar Kupën e Botës 2026.

    Sipas analizës statistikore, Franca është favoritja kryesore për të ngritur trofeun, me 34.05 për qind mundësi për t’u shpallur kampione e botës dhe për të fituar titullin e tretë në histori.

    Pas “Les Bleus” renditet Spanja, së cilës Opta i jep 23.45 për qind shanse për të triumfuar, ndërsa Anglia pozicionohet e treta me 21.94 për qind mundësi për ta fituar Botërorin.

    Kampionia në fuqi, Argjentina, vlerësohet si skuadra me më pak gjasa për të triumfuar mes katër gjysmëfinalisteve. Sipas superkompjuterit të Opta-s, “Albiceleste” ka 20.55 për qind mundësi për ta mbrojtur titullin dhe për të fituar Kupën e Botës për herë të dytë radhazi.

    Megjithatë, me vetëm dy ndeshje të mbetura deri në fund të turneut, çdo parashikim mbetet vetëm statistikë, pasi në këtë fazë të garës edhe detajet më të vogla mund të përcaktojnë fituesin e trofeut më prestigjioz në futbollin botëror.

  • Gianni Infantino nuk e përjashton Botërorin me 64 kombëtare: Do ta shqyrtojmë pas vitit 2026

    Gianni Infantino nuk e përjashton Botërorin me 64 kombëtare: Do ta shqyrtojmë pas vitit 2026

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se mundësia e zgjerimit të Kupës së Botës nga 48 në 64 kombëtare do të shqyrtohet pas përfundimit të Botërorit 2026.

    Kreu i qeverisë botërore të futbollit e cilësoi formatin aktual me 48 ekipe si një sukses të madh, duke theksuar se niveli i konkurrencës në turne ka qenë shumë i lartë dhe se përfaqësueset nga të gjitha kontinentet kanë dëshmuar se mund të rivalizojnë në skenën më të madhe të futbollit.

    “Një turne me 48 kombëtare ka rezultuar jashtëzakonisht i suksesshëm. Të gjitha ekipet kanë treguar një nivel të lartë loje. Kombëtaret nga çdo kontinent kanë shënuar gola dhe kanë arritur të marrin të paktën një pikë”, deklaroi Infantino.

    Ai veçoi edhe paraqitjen e skuadrave afrikane në Botërorin 2026, duke nënvizuar se nëntë nga dhjetë përfaqësueset e kontinentit siguruan kualifikimin në fazën me eliminim direkt.

    “Kjo tregon edhe një herë se sa e rëndësishme është t’u japim të gjithëve një mundësi për të konkurruar në skenën më të madhe të futbollit”, shtoi presidenti i FIFA-s.

    I pyetur nëse Kupa e Botës mund të zgjerohet në 64 kombëtare, Infantino nuk e përjashtoi këtë mundësi, duke lënë të kuptohet se tema do të diskutohet pas përfundimit të turneut aktual.

    “Botërori me 64 ekipe? Pa dyshim që kjo çështje do të shqyrtohet pas përfundimit të këtij Botërori. Kur organizojmë një turne të tillë, duhet të marrim parasysh jo vetëm Evropën dhe Amerikën e Jugut, por të gjithë botën. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të realizojë ëndrrën për të marrë pjesë në Kupën e Botës”, u shpreh Infantino.

    FIFA e zgjeroi Kupën e Botës nga 32 në 48 kombëtare për edicionin e vitit 2026, ndërsa një zgjerim i mundshëm në 64 ekipe do të sillte ndryshime edhe më të mëdha në formatin e kompeticionit më prestigjioz të futbollit botëror.

  • Jude Bellingham i përgjigjet Thomas Tuchelit: Ndoshta nuk e di sa e vështirë është të luash ndaj kësaj Norvegjie

    Jude Bellingham i përgjigjet Thomas Tuchelit: Ndoshta nuk e di sa e vështirë është të luash ndaj kësaj Norvegjie

    Mesfushori i Anglisë, Jude Bellingham, ka reaguar ndaj kritikave të trajnerit Thomas Tuchel pas fitores së vështirë 2-1 ndaj Norvegjisë, pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës.

    Pavarësisht kualifikimit në gjysmëfinale, Tuchel u shpreh se nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen e “Tre Luanëve”, duke theksuar se skuadra ende nuk e ka shfaqur potencialin e saj të plotë në këtë turne.

    I pyetur për komentet e trajnerit, Bellingham pranoi se pritshmëritë ndaj Anglisë janë gjithmonë të larta, por nënvizoi se përballja me Norvegjinë ishte shumë më e vështirë sesa mund të dukej.

    “Ndoshta. Por ndoshta ai nuk e di se çfarë do të thotë të luash në këto kushte ndaj Erling Haaland, Martin Ødegaard, Antonio Nusa dhe Alexander Sørloth. Ky nuk ishte aspak një kundërshtar i lehtë”, deklaroi Bellingham.

    Ylli i Real Madridit theksoi se në fazat eliminatore të një Botërori nuk ka rëndësi vetëm loja e bukur, por mbi të gjitha rezultati.

    “Nuk mund ta fitosh çdo ndeshje vetëm duke pasuar topin dhe duke bërë një mijë pasime. Ndonjëherë duhet të fitosh edhe në mënyrë jo të bukur, dhe sonte e bëmë përsëri”, u shpreh ai.

    Bellingham ishte protagonisti kryesor në triumfin e Anglisë, duke realizuar dy golat që i siguruan ekipit kualifikimin në gjysmëfinale.

    Mesfushori anglez ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të këtij Botërori, duke regjistruar gjashtë gola dhe një asistim në gjashtë ndeshje të zhvilluara.

    Në fund, 23-vjeçari bëri thirrje që skuadra të vazhdojë të ruajë atmosferën pozitive dhe unitetin në prag të sfidës së radhës.

    “Mendoj se u përpoqëm të krijonim një atmosferë pozitive dhe duhet ta vazhdojmë këtë. Nuk gjej fjalë për t’i lavdëruar sa duhet këta djem”, përfundoi Bellingham.

  • Rikthimi i McGregorit zgjati vetëm 69 sekonda, Holloway triumfon me TKO në UFC 329

    Rikthimi i McGregorit zgjati vetëm 69 sekonda, Holloway triumfon me TKO në UFC 329

    Rikthimi i shumëpritur i Conor McGregorit në oktagon u mbyll në mënyrën më të hidhur të mundshme, pasi irlandezi u mposht nga Max Holloway me nokaut teknik (TKO) në duelin kryesor të UFC 329.

     

    Ish-kampioni i UFC-së, i cili rikthehej në aksion pas pesë vitesh mungesë, pësoi një dëmtim serioz në gju vetëm pak sekonda pas fillimit të përballjes, teksa tentoi një goditje të lartë me këmbë. I pamundur për të vazhduar meçin, McGregor u bë pre e sulmeve të Hollowayt, ndërsa arbitri ndërhyri për ta ndërprerë duelin pas vetëm 69 sekondash.

     

    Për Hollowayn, kjo ishte paraqitja e parë në kategorinë welterweight (77 kilogramë), ndërsa fitorja ndaj një prej emrave më të mëdhenj në historinë e UFC-së i siguroi një debutim të jashtëzakonshëm në këtë peshë.

     

    Dy luftëtarët ishin përballur edhe në vitin 2013, kur McGregor kishte dalë fitues me vendim unanim. Edhe në atë duel irlandezi kishte pësuar një dëmtim në gju, por këtë herë pasojat pritet të jenë shumë më të rënda dhe mund ta mbajnë larg oktagonit për një periudhë të gjatë.

     

    Pas triumfit, Holloway nuk e përjashtoi mundësinë e një përballjeje të tretë me McGregorin, duke theksuar se tashmë bilanci mes tyre është barazuar në 1-1.

     

    “Do ta bëj të mendojë se mund të rikthehet edhe një herë, që të ndeshemi sërish në fund të vitit”, kishte deklaruar Holloway para meçit.

     

    Megjithëse shpërblimet financiare të luftëtarëve nuk janë bërë ende publike, UFC 329 raportohet se ka gjeneruar rreth 25 milionë dollarë të ardhura vetëm nga shitja e biletave, duke dëshmuar edhe një herë se McGregor mbetet një prej figurave më tërheqëse të sporteve luftarake, pavarësisht humbjes në rikthimin e tij.

  • Tronditet futbolli: Ndërron jetë në moshën 25-vjeçare mesfushori i Afrikës së Jugut, Jayden Adams

    Tronditet futbolli: Ndërron jetë në moshën 25-vjeçare mesfushori i Afrikës së Jugut, Jayden Adams

    Futbolli është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të mesfushorit të Afrikës së Jugut, Jayden Adams, i cili ka vdekur në moshën 25-vjeçare, vetëm pak javë pasi përfaqësoi vendin e tij në Kupën e Botës 2026.

    Sipas raportimit të eNCA, Adams ka ndërruar jetë, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur. Megjithatë, mediat lokale raportojnë se ekzistojnë dyshime se ai mund të ketë kryer vetëvrasje, pasi, sipas njerëzve të afërt, futbollisti kishte kohë që vuante nga depresioni. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

    Policia e Afrikës së Jugut ka bërë të ditur se ka nisur hetimet, pasi trupi i një 25-vjeçari u gjet të shtunën në mëngjes në një banesë në zonën Schotschekloof, në qendër të Kejptaunit.

    Adams ishte pjesë e Mamelodi Sundowns, klub të cilit iu bashkua verën e kaluar pas transferimit nga Stellenbosch, skuadra ku u zhvillua si futbollist.

    Në Kupën e Botës 2026 ai regjistroi tri paraqitje me Kombëtaren e Afrikës së Jugut, e cila u eliminua nga Kanadaja në fazën e 1/16 së finales.

    Pas debutimit me kombëtaren në vitin 2024, Adams u shndërrua shpejt në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, ndërsa paraqitjet e tij me Mamelodi Sundowns në Betway Premiership i siguruan një vend në listën për Kupën e Botës. Gjatë sezonit, ai kontribuoi me tre gola në 37 ndeshje në të gjitha garat.

    Lajmi bëhet edhe më prekës pasi Federata e Futbollit e Afrikës së Jugut kishte njoftuar se Adams kishte luajtur në barazimin 1-1 ndaj Republikës Çeke vetëm një ditë pasi kishte humbur gjyshen e tij.

  • Fisnik Asllani ëndërron Barcelonën-Ndalon negociatat për transferim tek Borussia Dortmund

    Fisnik Asllani ëndërron Barcelonën-Ndalon negociatat për transferim tek Borussia Dortmund

    Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, po e ëndërron një transferim te Barcelona, gjë që po e vonon kalimin e tij të mundshëm te Borussia Dortmund.

    Mediat gjermane kanë raportuar javët e fundit se Asllani është pranë transferimit te Dortmundi, me klubin gjerman që është i gatshëm të paguajë 35 milionë euro për shërbimet e tij, duke aktivizuar klauzolën e lirimit.

    Megjithatë, sipas mediumit spanjoll Sport.es, vetë Asllani është arsyeja kryesore pse marrëveshja ende nuk është finalizuar, pasi ai vazhdon të shpresojë për një transferim te Barcelona.

    Raporti shton se Barcelona, përveç interesimit për Julian Álvarez, është në kërkim edhe të një sulmuesi tipik, pasi Ferran Torres po i afrohet gjithnjë e më shumë një transferimi te Paris Saint-Germain.

    Sipas të njëjtit burim, drejtori sportiv Deco e konsideron Asllanin prioritet ndaj Dusan Vlahovićit, por vendimin përfundimtar do ta marrë trajneri Hansi Flick.

    “Opsioni më i preferuar nga drejtori sportiv është Asllani, një lojtar që ka shkëlqyer në Bundesliga dhe që ka një klauzolë lirimi prej 29 milionë eurosh”, thuhet në raport.

    Po ashtu, mediumi spanjoll thekson se Borussia Dortmund mbetet e interesuar për ta transferuar sulmuesin kosovar, por Asllani i ka pezulluar negociatat, duke pritur një mundësi për t’u transferuar te Barcelona. Klubi katalanas ka zhvilluar bisedime me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij, ndërsa vendimi përfundimtar pritet t’i takojë Hansi Flick.

  • Policia shqiptoi 2486 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia shqiptoi 2486 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2486 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 27 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 39 me dëme materiale.

    Po ashtu, policia njofton se janë arrestuar 12 persona, ndërkaq 10 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Turqia kujton Srebrenicën, thotë se mbetet zë i të shtypurve – edhe i Kosovës

    Turqia kujton Srebrenicën, thotë se mbetet zë i të shtypurve – edhe i Kosovës

    Drejtori i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Burhanettin Duran, ka përkujtuar 31-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke e cilësuar atë si një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit dhe një plagë që vazhdon të mbetet e hapur në ndërgjegjen kolektive.

    Në një deklaratë, Duran tha se masakra, në të cilën u vranë më shumë se 8 mijë myslimanë boshnjakë, mbetet një nga krimet më të rënda të kryera ndonjëherë kundër dinjitetit njerëzor. Ai tha se i kujton me mëshirë viktimat e gjenocidit dhe se ndan me gjithë zemër dhimbjen dhe pikëllimin e popullit të Bosnjë e Hercegovinës, raporton “TRT World”.

    Duran theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, si dhe do të mbetet zë i të shtypurve kudo që ndodhin përndjekje, padrejtësi apo tragjedi humanitare – nga Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, te Kaukazi, Lindja e Mesme, Gaza dhe Afrika.

    Ai rikujtoi fjalët e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se një botë më e drejtë është e mundur, duke shtuar se Ankaraja do të vazhdojë të punojë për forcimin e ndërgjegjes së përbashkët të njerëzimit dhe për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme.

    Gjenocidi i Srebrenicës ndodhi në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, pushtuan zonën e shpallur të sigurt nga OKB-ja në Srebrenicë dhe, gjatë disa ditëve, vranë sistematikisht më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

    Ky krim është njohur nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid dhe konsiderohet mizoria më e rëndë e kryer në tokën evropiane që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

    Ankaraja e ka shfrytëzuar edhe në vitet e kaluara përvjetorin e Srebrenicës për të ripërsëritur thirrjet për llogaridhënie ndërkombëtare dhe për të paralajmëruar kundër përsëritjes së mizorive masive që mbeten pa u trajtuar nga komuniteti ndërkombëtar.