ATV

Blog

  • KFOR kryen stërvitje pranë kampit Bondsteel

    KFOR kryen stërvitje pranë kampit Bondsteel

    Ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E), pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, zhvilluan një stërvitje për reagim ndaj rrëzimit të një avioni pranë Kampit Bondsteel, duke forcuar koordinimin shumëkombësh mjekësor dhe kapacitetet e reagimit të shpejtë në të gjithë zonën e operimit.

    Në njoftim thuhet se stërvitja mblodhi ekuipazhe ajrore, personel mjekësor të fluturimeve dhe pjesëmarrës në role të ndryshme për të ushtruar procedurat e triazhimit, trajtimit dhe evakuimit të të lënduarve, duke përmirësuar njëkohësisht ndërveprueshmërinë ndërmjet njësive të KFOR-it.

    Njoftimi i plotë:

    Ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (Regional Command-East – RC-E), pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, zhvilluan një stërvitje për reagim ndaj rrëzimit të një mjeti ajror pranë Camp Bondsteel, duke forcuar koordinimin shumëkombësh mjekësor dhe aftësitë për reagim të shpejtë në të gjithë zonën e operacioneve.

    Stërvitja mblodhi ekuipazhe ajrore, mjekë të fluturimit dhe pjesëmarrës që luanin rolin e të lënduarve, për të ushtruar procedurat e triazhimit, trajtimit dhe evakuimit të të plagosurve, si dhe për të rritur ndërveprueshmërinë ndërmjet njësive të KFOR-it. Kjo ndihmon që personeli të mbetet i gatshëm për t’iu përgjigjur me shpejtësi dhe efektivitet situatave emergjente.

    Këto stërvitje u mundësojnë pjesëtarëve të KFOR-it të ruajnë ndërgjegjësimin për situatën, gatishmërinë operacionale dhe aftësitë e nevojshme për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues ndaj çështjeve të sigurisë.

  • Reagoi për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, nëna thotë se u përball me presion dhe iu kërkua raport

    Reagoi për kushtet në Pediatrinë e QKUK-së, nëna thotë se u përball me presion dhe iu kërkua raport

    Aulona Memeti, qytetarja e cila publikoi fotografi dhe reagoi për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ka thënë se pas reagimit të saj publik ka filluar të ndiejë presion.

    Në një postim në rrjetet sociale, Memeti ka deklaruar se mbrëmë rreth orës 23:30 është vizituar në dhomën ku po qëndron me djalin e saj dhe i është kërkuar të verifikojë ato që kishte shkruar në reagimin e saj.

    Ajo ka thënë se edhe sot rreth orës 10:30 është vizituar sërish, ku sipas saj i është thënë se pretendimet e publikuara janë të pasakta dhe i është kërkuar të përgatisë një raport lidhur me rastin.

    “Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të”, ka shkruar ajo.

    Memeti ka thënë se fotografitë e publikuara, sipas saj, janë dëshmi për gjendjen në të cilën ndodhen disa hapësira të klinikës.

    “Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital”, ka deklaruar ajo.

    Reagimi i saj vjen pasi më herët kishte publikuar fotografi nga Pediatria e QKUK-së, duke ngritur shqetësime për kushtet në këtë klinikë.

    Ajo ka theksuar se kritika e saj, sipas saj, nuk është kundër individëve, por lidhet me kërkesën për përmirësim të shërbimeve shëndetësore.

    “Duhet ta duam dhe ta mbështesim shëndetësinë publike. Por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të”, ka shkruar Memeti.

  • Trump: Po e marrim Ngushticën e Hormuzit nën kontroll

    Trump: Po e marrim Ngushticën e Hormuzit nën kontroll

    Presidenti amerikan, Donald Trump, është deklaruar në lidhje me Ngushticën e Hormuzit.

    “Po e marrim ngushticën nën kontroll”, tha ai.

    Gjithashtu, Trump tha se SHBA do të paguhet për kontrollin e rrugës ujore, por nuk dha detaje se nga kush do të vijnë këto para.

    “Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta drejtojmë atë”, shtoi presidenti amerikan.

    “Ne do të bëhemi rojet e ngushticës. Ndoshta do të jemi engjëlli mbrojtës i ngushticës dhe duhet të rimbursohemi për këtë”, vazhdoi ai.

    Mesazhi i tij vjen pasi Irani dyfishoi qëndrimin mbi Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve të fundit gjatë natës.

    “Ngushtica e Hormuzit është territori ynë”, tha Trupa e Gardës Revolucionare Islamike e Iranit, duke shtuar se nuk do të lejonte asnjë vend të “vazhdonte ndërhyrjen e tij të paligjshme në të”.

    Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së këmbënguli se “Irani nuk e kontrollon” ngushticën pas kryerjes së sulmeve.

    Ndryshe, Trump foli gjithashtu se si të qenit president nuk është një punë e sigurt dhe iu referua numrit të presidentëve që janë vrarë gjatë mandatit të tyre.

    Kjo deklaratë vjen pasi ai tha javën e kaluar se ishte “objektivi numër një” i Iranit.

  • Sonte në Galerinë e Arteve në Prishtinë hapet “another time”

    Sonte në Galerinë e Arteve në Prishtinë hapet “another time”

    Ekspozita personale e artistit visual, Arianit Beqiri, me titull “another time”, hapet sonte nga ora 19:00, në Galerinë e Arteve në Prishtinë.

    E kuruar nga artistja Rudina Xhaferi, ekspozita do të nisë me një performancë-instalim në platonë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

    Pas performancës, publiku do të ftohet të vizitojë hapësirën e Galerisë, ku do të prezantohen veprat e artistit.

    Ekspozita “another time” sjell një qasje të veçantë në prezantimin e krijimtarisë artistike, duke i ftuar vizitorët në një përvojë ndryshe të ndërveprimit me veprat.

    Kjo ekspozitë synon të krijojë një dialog mes artit bashkëkohor, hapësirës ekspozuese dhe publikut, duke ofruar një koncept kuratorial që ndërthur performancën me ekspozimin e veprave.

  • KPK dorëzon në Presidencë nominimin e Zejnullah Gashit për Kryeprokuror të Shtetit

    KPK dorëzon në Presidencë nominimin e Zejnullah Gashit për Kryeprokuror të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se procesi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ka hyrë në fazën e radhës.

    Pas takimit të mbajtur sot, KPK ka dorëzuar edhe zyrtarisht në Presidencën e Republikës së Kosovës nominimin për Zejnullah Gashi për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Nominimi i është përcjellë Shkëlqesisë së Saj, Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, së bashku me dokumentacionin e plotë që ka shoqëruar tërë procesin e përzgjedhjes që nga hapja e procedurës e deri te vendimmarrja përfundimtare e KPK-së”, thuhet në njoftim.

    Me dorëzimin e nominimit dhe dokumentacionit përkatës, procedura kalon në fazën e trajtimit nga Presidenca, ndërsa hapat e mëtejshëm do të zhvillohen në përputhje me kompetencat dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

  • Ferizaj: 26 drejtues motoçikletash gjobiten, 15 mjete konfiskohen

    Ferizaj: 26 drejtues motoçikletash gjobiten, 15 mjete konfiskohen

    Kontrollet janë zhvilluar nga 6 deri më 12 korrik, me fokus të veçantë te drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve, në kuadër të planit operativ për kontrollin e shtuar të qarkullimit të tyre.

    Sipas Policisë, gjobat janë shqiptuar për shkelje të rregullave të komunikacionit, përfshirë drejtimin e motoçikletës pa patentë shoferi, pa regjistrim, pa helmetë mbrojtëse dhe kundërvajtje të tjera.

    Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar edhe 15 motoçikleta/skuterë, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.

    Policia ka apeluar te qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut, të përdorin pajisjet mbrojtëse dhe të përshtatin ngasjen me kushtet e rrugës.

    “Ngasja e papërshtatshme e motoçikletave dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën e drejtuesit dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe gjithmonë vendosni helmetën mbrojtëse. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën”, thotë Policia.

  • Trajkoviq: Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Radoiçiqit ndaj aktgjykimit me të cilin ishte hedhur poshtë padia e tij kundër meje

    Trajkoviq: Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Radoiçiqit ndaj aktgjykimit me të cilin ishte hedhur poshtë padia e tij kundër meje

    Gjykata e Apelit në Beograd ka refuzuar ankesën e Milan Radoiçiqit ndaj vendimit që kishte hedhur poshtë padinë e tij kundër politikanes serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, për pretendime për cenim të nderit dhe reputacionit.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Trajkoviq, e cila tha se ankesën në emër të Radoiçiqit e kishte paraqitur avokati i tij, Goran Petronijeviq.

    “Gjykata e Apelit në Beograd më në fund e ka refuzuar ankesën e Milan Radoiçiqit ndaj vendimit për refuzimin e padisë së tij kundër meje”, ka deklaruar Trajkoviq.

    “Ja edhe një lajm i mirë: Gjykata e Apelit në Beograd më në fund e ka refuzuar ankesën e Milan Radoiçiqit – të paraqitur nga avokati i tij Petronijeviq – ndaj vendimit për refuzimin e padisë së Radoiçiqit kundër meje për gjoja cenim të ‘nderit dhe reputacionit’”, ka shkruar Trajkoviq.

    Ajo gjithashtu iu referua akuzave të ngritura ditët e fundit ndaj avokatit Petronijeviq, për të cilin, sipas saj, pretendohet se është “avokat i SNS-së për detyra speciale dhe presione ndaj atyre që regjimi nuk ka arritur t’i blejë apo t’i thyejë”.

    “Gjithçka dalëngadalë po del në dritë. Historia do të gjykojë”, ka shtuar Trajkoviq.

    Portali KoSSev ka bërë të ditur se deri tani nuk kanë pasur qasje në vendimin e Gjykatës së Apelit, ndërsa Radoiçiq dhe avokati i tij nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të Trajkoviqit.

    Radoiçiq e kishte paditur Trajkoviqin në vitin 2019, duke kërkuar pesë milionë dinarë dëmshpërblim, pasi ajo në deklaratat e saj publike e kishte lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe e kishte akuzuar për ndikim në veri të Kosovës.

    Gjykata e Lartë në Beograd në vitin 2021 e kishte refuzuar padinë, duke vlerësuar se deklaratat e Trajkoviqit kishin të bënin me çështje me interes publik dhe se Radoiçiq, si figurë publike, duhet të përballojë një nivel më të lartë kritikash.

    Me atë vendim, Radoiçiq ishte obliguar t’i paguante Trajkoviqit mbi 325 mijë dinarë për shpenzimet e procedurës.

    Trajkoviq ka deklaruar ndër vite se për shkak të qëndrimeve të saj dhe dëshmive lidhur me rastin e Oliver Ivanoviqit është përballur me presione, kërcënime dhe procese gjyqësore.

    Ajo gjithashtu ka pretenduar se është ndaluar disa herë nga autoritetet serbe në aeroportin e Beogradit dhe në pikën kufitare në Merdare, akuza të cilat autoritetet serbe i kanë mohuar ose i kanë kundërshtuar.

  • Totaj: Komunës së Prizrenit i janë marrë mbi 40 milionë euro, vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë

    Totaj: Komunës së Prizrenit i janë marrë mbi 40 milionë euro, vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka deklaruar se Komuna po përballet me vështirësi të mëdha financiare, duke bërë të ditur se gjatë viteve të fundit nga buxheti komunal janë marrë mbi 40 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë euro.

    Përmes një postimi në Facebook, Totaj tha se Komuna po pranon çdo ditë kërkesa nga qytetarët për investime në lagje dhe fshatra, duke theksuar se ato trajtohen me seriozitet.

    “Po pranojmë çdo ditë kërkesa të shumta e plotësisht të arsyeshme për investime në lagjet dhe fshatrat e Komunës sonë. Dua t’ju siguroj se secila prej tyre dëgjohet dhe trajtohet me seriozitet”, ka shkruar Totaj.

    Ai ka fajësuar barrën financiare të Kontratës Kolektive për gjendjen aktuale, duke thënë se, ndonëse kjo kontratë është obligim i Ministrisë së Arsimit dhe një e drejtë e punëtorëve të arsimit, kostoja është bartur te komunat.

    “Fatkeqësisht, Komuna e Prizrenit po përballet me një goditje të rëndë financiare. Edhe pse Kontrata Kolektive është obligim i Ministrisë së Arsimit dhe një e drejtë e merituar e punëtorëve të arsimit, barra financiare është bartur te komunat. Gjatë këtyre viteve, Komunës së Prizrenit i janë marrë mbi 40 milionë euro, ndërsa vetëm gjatë këtij viti mbi 17 milionë euro. Këto janë mjete që do të ishin investuar në rrugë, shkolla, shëndetësi, infrastrukturë dhe projekte të tjera në shërbim të qytetarëve”, është shprehur ai.

    Totaj u ka kërkuar mirëkuptim qytetarëve për vonesat në realizimin e disa projekteve, duke theksuar se ato nuk lidhen me mungesën e vullnetit të komunës.

    “Ju e dini se gjatë mandatit tonë kemi investuar në çdo pjesë të komunës dhe ky mbetet angazhimi ynë. Prandaj, ju kërkoj mirëkuptim për vonesat në realizimin e disa projekteve, të cilat nuk janë pasojë e mungesës së vullnetit, por e rrethanave financiare me të cilat po përballemi”, ka deklaruar Totaj.

    Në fund, kryetari i Prizrenit tha se do të vazhdojë të kërkojë një zgjidhje me institucionet qendrore për tejkalimin e kësaj situate.

    “Si Kryetar i Komunës, do të vazhdoj të kërkoj, së bashku me nivelin qendror dhe institucionet përkatëse, një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për këtë çështje, në mënyrë që komunat të kenë mundësi t’i vazhdojnë investimet dhe t’u ofrojnë qytetarëve projektet dhe shërbimet që i meritojnë”, ka përfunduar Totaj.

  • Dyshohet se përfitoi para nga një i burgosur, aktakuzë ndaj një oficeri korrektues në Dubravë

    Dyshohet se përfitoi para nga një i burgosur, aktakuzë ndaj një oficeri korrektues në Dubravë

    Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një oficeri korrektues të Qendrës Korrektuese në Dubravë, me inicialet D.Q., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria.

    “I pandehuri D.Q., në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria, me qëllim që të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Prokuroria vlerëson se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se oficeri korrektues ka përmbushur elementet e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

    Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

    Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues, përkatësisht ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

  • Gjini pret në një takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë

    Gjini pret në një takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv.

    Ai ka thënë se me të kanë biseduar për zhvillimet aktuale në vend dhe për mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të raporteve tona bilaterale.

    “Marrëdhëniet me shtetin e Izraelit janë të një rëndësie të veçantë e strategjike për ne. Falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe të përkushtuar për të thelluar këtë partneritet në fusha me interes të përbashkët”, ka shkruar Gjini.