ATV

Blog

  • Dua Lipa shpallet artistja më e pasur nën 30 vjeç në Britani

    Dua Lipa shpallet artistja më e pasur nën 30 vjeç në Britani

    Këngëtarja me origjinë kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, është shpallur personi më i pasur nën 30 vjeç nga revista prestigjioze Heat për vitin 2025, me një pasuri të vlerësuar në 129 milionë funte. Kjo e vendos atë përpara shumë emrave të njohur të muzikës dhe filmit, duke dëshmuar fuqinë e saj si një figurë globale e showbizit.

    Raporti i revistës thekson se rritja e pasurisë së Duas ka ardhur nga suksesi i turneut të saj global “Radical Optimism”, fejesa me aktorin britanik Callum Turner, si dhe bashkëpunimet luksoze me Versace dhe Porsche. Përveç muzikës, Dua ka zgjeruar aktivitetin e saj në fusha të tjera, duke përfshirë podcasting, një klub letrar dhe aktrimin, duke u bërë një nga figurat më të kompletuara të showbizit ndërkombëtar.

    Në vendin e dytë të listës është aktori i njohur i filmave Spider-Man, Tom Holland, me £35.7 milion, ndërsa vendi i tretë i takon këngëtarit Lewis Capaldi, me £35 milion.

    Top 10-shen e plotë e përmbyllin:
    Millie Bobby Brown Bongiovi – £24 milion
    Molly-Mae Hague & Tommy Fury – £22.1 milion
    Sophie Turner – £21.9 milion
    Jorja Smith – £17 milion
    Dave – £16.8 milion
    Aitch – £14.4 milion
    Asa Butterfield – £13.7 milion

    Kjo arritje e Duas e vendos atë jo vetëm në majën e muzikës botërore, por edhe si një nga ikonat më të suksesshme financiare të brezit të saj, duke dëshmuar se një vajzë me rrënjë nga Kosova mund të bëhet fytyra më e ndritshme e artit bashkëkohor global.

  • Acetoni nuk është vetëm për heqjen e manikyrit të thonjve, ja si mund ta përdorni për të pastruar shtëpinë tuaj

    Acetoni nuk është vetëm për heqjen e manikyrit të thonjve, ja si mund ta përdorni për të pastruar shtëpinë tuaj

    Edhe pse më shpesh e përdorim për të hequr manikyrin e thonjve, acetoni mund të jetë një agjent pastrimi jashtëzakonisht i gjithanshëm në shtëpi.

    Nëse ndonjëherë keni lënë aksidentalisht një send plastik shumë afër një tenxhereje ose tigani të nxehtë, ndoshta keni vënë re gjurmë të plastikës së shkrirë që janë të vështira për t’u hequr.

    Në raste të tilla, acetoni mund të jetë një shpëtim i vërtetë.

    Thjesht aplikoni një sasi të vogël të pastruesit të manikyrit në një copë pambuku dhe fshijeni butësisht zonën e prekur. Në mënyrë të ngjashme, acetoni heq në mënyrë efektive ngjitëset kokëforta nga sipërfaqe të ndryshme, të tilla si qelqi ose qeramika.

    Njollat e stilolapsit ose të shënuesit permanent shpesh duken si një problem i pazgjidhshëm, veçanërisht nëse shfaqen në tavolina, mure ose mobilje. Acetoni mund të ndihmojë edhe në këto situata. Lagni lehtë një top pambuku ose një leckë të butë me aceton dhe fërkoni me kujdes njollën. Për njolla më të mëdha, procedura mund të përsëritet disa herë, duke u siguruar që ta ndërroni topin e pambukut rregullisht për të parandaluar përhapjen e bojës.

    Acetoni është një pastrues i shkëlqyer për sipërfaqet e porcelanit si lavamanët, vaska dhe filxhanët. Ai heq njollat e ujit, njollat e kafesë dhe madje edhe gjurmët e bojës së flokëve. Gjithashtu mund të ndihmojë në heqjen e pikave të thata të bojës nga sipërfaqet e qelqit, siç janë dritaret ose pasqyrat. Megjithatë, kur e përdorni, kini kujdes që acetoni të mos bjerë në kontakt me sipërfaqet e lyera, pasi mund të heqë ngjyrën e dëshiruar.

    Edhe pse i dobishëm në shumë situata, acetoni nuk është i përshtatshëm për të gjitha sipërfaqet. Duhet të shmanget përdorimi i tij në dyshemetë prej druri, pasi mund të dëmtojë shtresën mbrojtëse, si dhe në lloje të caktuara të plastikës, stiroporit dhe pajisjeve elektronike. Gjithashtu, për shkak të forcës së tij kimike, rekomandohet përdorimi i dorezave, veçanërisht nëse keni lëkurë të ndjeshme.

  • Janë bërë të ditura detajet e vilës luksoze të re të Lamine Yamal – shtëpia që dikur ishte e Piqué dhe Shakirës!

    Janë bërë të ditura detajet e vilës luksoze të re të Lamine Yamal – shtëpia që dikur ishte e Piqué dhe Shakirës!

    Superylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, ka blerë zyrtarisht vilën e tij të parë luksoze, dhe jo cilëndo — por shtëpinë që dikur i përkiste Gerard Piqué dhe Shakirës, raporton Diario Sport.

    Procesi i blerjes ka zgjatur rreth 3 deri në 4 muaj, dhe tashmë gjithçka është finalizuar. Vila ndodhet në lagjen ekskluzive “Ciutat Diagonal” në Barcelonë, një nga zonat më të shtrenjta dhe më të sigurta të qytetit.

    Detajet e pronës:
    • Sipërfaqe totale prej 1,240 metrash katrorë, e përbërë nga dy shtëpi të lidhura me njëra-tjetrën.
    • Vetëm 10 kilometra larg qendrës stërvitore të Barcelonës.
    • Pranë shtëpive të Ronald Araújo, Alejandro Balde dhe Andres Iniesta.
    • Përfshin 6 dhoma gjumi, 2 pishina (të brendshme dhe të jashtme), palestër, bibliotekë dhe një studio muzikore, e përdorur dikur nga Shakira – që tani mund ta shfrytëzojë Nicky Nicole.

    Sipas burimeve, vila do t’i nënshtrohet një rindërtimi të plotë, për t’u përshtatur me jetesën e një futbollisti profesionist.
    Projekti përfshin:Një fushë të vogël futbolli, një palestër private, dhomë fizioterapie, sistem sigurie të avancuar për privatësi maksimale, dhe një fushë padeli.

    Vetëm 17 vjeç, Yamal po tregon se është gati jo vetëm për futbollin e madh, por edhe për një jetë të nivelit më të lartë në Barcelonë — në një shtëpi që mbart histori yjesh.

  • Meriton Mjekiqi reagon ndaj thashethemeve për burg dhe arrati

    Meriton Mjekiqi reagon ndaj thashethemeve për burg dhe arrati

    Moderatori i njohur dhe ish-finalisti i Big Brother VIP 3, Meriton Mjekiqi, ka reaguar publikisht ndaj lajmeve të fundit që pretendonin se ai dhe i vëllai i tij ishin arrestuar pas një konflikti të rëndë. Mjekiqi theksoi se këto informacione nuk përputhen me të vërtetën.

    “Dallimi mes realitetit dhe asaj që shpërndahet online është shumë i madh,” tha ai. “As jam arrestuar, as kam qenë në burg, as jam arratisur. Është një keqkuptim total. Shpesh portalet abuzojnë, sidomos me personazhet e showbizit.”

    Moderatori shtoi se nuk është hera e parë që emri i tij përdoret për të tërhequr klikime. Ai kujtoi një rast të vitit të kaluar, kur u publikuan lajme të rreme për një aksident, gjë që shqetësoi familjen e tij.

    “Pak zhurmë mund të bëjë edhe mirë për marketingun, por jo kur ekzagjerohen akuza si arrestimet,” shtoi Mjekiqi, duke kujtuar një portal që kishte raportuar edhe për një “arrestim” të vitit 2019, të cilin e përshkroi si trillim të plotë.

  • Surprizë në Paris: Alcaraz eliminohet nga Norrie

    Surprizë në Paris: Alcaraz eliminohet nga Norrie

    Një surprizë e madhe tronditi turneun Masters 1000 që nisi këtë javë në Paris.

    Spanjolli Carlos Alcaraz u eliminua që në raundin e dytë, duke humbur në ndeshjen e tij të parë ndaj britanikut Cameron Norrie.

    Norrie fitoi 2-1 (4-6, 6-3, 6-4) pas një përballjeje që zgjati 2 orë e 25 minuta. Kjo humbje mund të ndikojë seriozisht tek Alcaraz, i cili mund të humbasë kreun e renditjes botërore nëse italiani Jannik Sinner fiton këtë turne.

    Sinner, numri 2 në botë, është më pak se 800 pikë pas Alcaraz, dhe një fitore në Paris mund t’i sigurojë 1000 pikë, duke e çuar përpara spanjollin. Alcaraz shfaqi një nivel të dobët, me shumë gabime ndaj Norrie.

    Spanjolli vinte pas një serie prej 18 fitoreve radhazi dhe këtë vit do të marrë pjesë edhe në Finalet ATP në Torino dhe në Kupën Davis. Megjithatë, rivaliteti me Sinner për të mbyllur vitin si “numri 1” do të mbetet i hapur deri në momentin e fundit.

    Sinner sot do të ketë përball belgun Berges, në ndeshjen që fillon nga ora 15:00. /ATVLIVE.TV

  • Bukayo Saka drejt rinovimit! Bisedimet me Arsenalin po ecin drejt marrëveshjes përfundimtare

    Bukayo Saka drejt rinovimit! Bisedimet me Arsenalin po ecin drejt marrëveshjes përfundimtare

    Lajme të mira për tifozët e Arsenalit! Sipas raportimeve të Fabrizio Romano, bisedimet për rinovimin e kontratës së Bukayo Saka me klubin londinez po përparojnë me sukses dhe palët janë shumë afër një marrëveshjeje të re.

    Saka, një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të dashur të “Topçinjve”, pritet të nënshkruajë një kontratë afatgjatë, që do ta mbajë atë në “Emirates Stadium” për disa vite të tjera.

    Burime të afërta me klubin konfirmojnë se negociatat po zhvillohen në atmosferë shumë pozitive, dhe se detajet përfundimtare po diskutohen — përfshirë rritjen e ndjeshme të pagës së lojtarit, që do ta bëjë atë një nga më të paguarit në skuadër.

    Saka, 23-vjeçar, ka qenë thelbësor në projektin e Mikel Artetës, duke kontribuar me gola, asistime dhe liderizëm në fushë. Arsenal e sheh atë si “shtyllën kryesore” për të ardhmen e klubit.

    Zyrtarizimi i marrëveshjes së re pritet të vijë së shpejti, nëse gjithçka shkon sipas planit.

    “Gjithqka po ecën mirë,” – raportoi Romano, duke konfirmuar se tifozët e Arsenalit mund të qetësohen, pasi ylli i tyre është shumë afër firmës së madhe me klubin.

  • Prokuroria nuk kundërshton pranimin e deklaratës së Wesley Clark si provë materiale në rastin Thaçi

    Prokuroria nuk kundërshton pranimin e deklaratës së Wesley Clark si provë materiale në rastin Thaçi

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se, në parim, nuk kundërshton që deklarata e Gjeneralit Wesley Clark të pranohet si provë materiale, për sa kohë plotëson kriteret e Rregullës 154.

    Në një parashtresë të dërguar në gjykatë, Prokuroria thekson se nuk kundërshton as ndryshimin e listës së provave të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për të përfshirë deklaratën e Clark, si dhe as masat e propozuara sipas Rregullës 107, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Atvlive.tv

    Sipas Prokurorisë, deklarata e Clark përmban prova dhe opinione që lidhen me çështje të rëndësishme, dhe pranimi i saj nuk do të krijojë kundërshtim ligjor, megjithatë duhet kujdes në vlerësimin e peshës së saj.

    “Për këto arsye, ZPS nuk kundërshton: (i) pranimin e provave të propozuara, me kusht që të plotësohen kriteret e Rregullës 154; (ii) ndryshimin e listës së provave; ose (iii) masat e propozuara sipas Rregullës 107”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar rrëzimin e disa akuzave sipas Rregullës 130. Trupi gjykues, nën kryesimin e Charles Smith III, rrëzoi mocionin, duke theksuar se nuk ka autoritet për të hequr materialet që lidhen me periudha të caktuara kohore të ngjarjeve.

    Po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave paraqiti provat e saj, duke thirrur dy dëshmitare eksperte, të cilat dëshmuan më 16 dhe 17 korrik 2025.

    Aktakuza e ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e dorëzuar më 30 shtator 2022, përfshin dhjetë pika akuzash për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para, ndërsa aktakuza e tyre u konfirmua më 26 tetor 2020.

  • Real Madrid merr vendimin për Vinicius Jr — çdo gjë në duart e Xabi Alonsos!

    Real Madrid merr vendimin për Vinicius Jr — çdo gjë në duart e Xabi Alonsos!

    Sipas raporteve më të fundit nga Spanja, Real Madrid ka vendosur që nuk do të vendosë asnjë gjobë apo sanksion disiplinor ndaj Vinicius Junior pas ngjarjeve të fundit që kanë tërhequr vëmendjen e mediave.

    Megjithatë, situata e tij nuk është mbyllur ende plotësisht — pasi klubi madrilen ka vendosur që çdo masë e mundshme disiplinore ose vendim i brendshëm të merret vetëm nga një person: Xabi Alonso.

    Burimet afër klubit bëjnë të ditur se presidenti Florentino Pérez ka besim të plotë tek Alonso, duke ia lënë atij drejtimin e çështjeve të brendshme të ekipit dhe menaxhimin e marrëdhënieve me lojtarët.

    Ky vendim shihet si një dëshmi e respektit dhe autoritetit që Alonso ka tashmë brenda klubit, sidomos në pritje të rolit të tij të ardhshëm si trajner i Real Madridit.

    Vinicius, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes për disa reagime të tij gjatë ndeshjeve të fundit, pritet të ketë një bisedë direkte me Alonson, për të zgjidhur çdo keqkuptim brenda ekipit.

    Ky zhvillim tregon qartë se Real Madrid po ndjek një qasje të qetë dhe strategjike, duke shmangur tensionet publike dhe duke ruajtur unitetin brenda skuadrës.

  • Në “Derby Arena” sot kërkohet fitore

    Në “Derby Arena” sot kërkohet fitore

    Kombëtarja e Koosvës në hendboll sot do të kërkojë fitore në palestrën “Derby Arena” të Anglisë, kundër Britanisë së Madhe.

    Në arenën e bukur multisportive, të martën mbrëma Kombëtarja zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes së re me britanikët.

    Ndeshja do të zhvillohet nga ora 18:00, në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2027.

    Vetëm shtatë lojtarë që ishin paraqitur më 13 janar 2024, janë pjesë e Kombëtares aktualisht.

    Selektori Jesper Ostlund në stërvitjen e fundit është fokusuar në aspekte taktike të lojës në mbrojtje dhe sulm, ndërsa synimi i vetëm i tyre sonte është fitorja. /ATVLIVE.TV

  • Lajm i mirë për Arsenalin: Declan Rice rikthehet sot, gati për aksion!

    Lajm i mirë për Arsenalin: Declan Rice rikthehet sot, gati për aksion!

    Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar lajmin e madh për “topçinjtë” – Declan Rice është rikuperuar plotësisht dhe është gati për lojë që sot!

    Mesfushori anglez, i cili mungoi në ndeshjen e fundit për shkak të një shqetësimi muskulor, është stërvitur normalisht me skuadrën dhe pritet të jetë në dispozicion për përballjen e sotme.

    Arteta tha në konferencë:
    “Declan është kthyer dhe ndihet shumë mirë. Ai është gati të luajë që sot nëse është e nevojshme.”

    Ky është një lajm shumë i rëndësishëm për Arsenal-in, i cili kërkon të mbajë hapin me liderët në Premier League dhe të rikthehet te fitoret pas rezultateve jo të qëndrueshme në javët e fundit.

    Rice, që ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës që nga transferimi i tij nga West Ham, pritet të rikthejë ekuilibrin në mesfushën londineze.

    Arsenal luan sot një ndeshje tejet të rëndësishme, dhe rikthimi i Rice vjen në momentin ideal për skuadrën e Artetës.