ATV

Blog

  • Ekspozimi i hershëm ndaj metaleve mund të ndikojë në zhvillimin dhe shëndetin e trurit

    Ekspozimi i hershëm ndaj metaleve mund të ndikojë në zhvillimin dhe shëndetin e trurit

    Ekspozimi ndaj metaleve të caktuara gjatë shtatzënisë dhe viteve të para të jetës mund të ndikojë në zhvillimin e trurit dhe të rrisë rrezikun për probleme njohëse dhe të sjelljes te fëmijët, paralajmërojnë ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë të SHBA-së (NIH).

    Sipas NIH-së, metale si plumbi, merkuri, arseniku dhe kadmiumi mund të ndërhyjnë në zhvillimin normal të sistemit nervor, sidomos gjatë periudhave kur truri zhvillohet me ritme të shpejta. Edhe ekspozimi në nivele të ulëta, por për një kohë të gjatë, mund të ketë pasoja afatgjata.

    Studimet tregojnë se fëmijët e ekspozuar ndaj këtyre metaleve kanë më shumë gjasa të shfaqin vështirësi në të nxënë, probleme me kujtesën dhe përqendrimin, si edhe çrregullime të sjelljes. Në disa raste janë vërejtur edhe ulje të koeficientit të inteligjencës (IQ) dhe vonesa në zhvillimin gjuhësor.

    Ekspertët shpjegojnë se ekspozimi mund të ndodhë përmes ujit të ndotur, ushqimit, ajrit, pluhurit në banesa të vjetra me bojë që përmban plumb, si edhe përmes disa produkteve industriale. Për këtë arsye, gratë shtatzëna dhe prindërit këshillohen të jenë të kujdesshëm ndaj burimeve të mundshme të ndotjes dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.

    NIH thekson se parandalimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur zhvillimin e trurit. Instituti rekomandon përdorimin e ujit të sigurt për konsum, shmangien e ekspozimit ndaj kimikateve të rrezikshme, kontrollin e banesave të vjetra për praninë e plumbit dhe një dietë të pasur me hekur, kalcium dhe vitaminë C, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e përthithjes së disa metaleve të rënda nga organizmi.

    Sipas ekspertëve, nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë efektet afatgjata të ekspozimit ndaj metaleve dhe për të zhvilluar strategji më efektive për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. /Gazeta Shneta/

  • Kryeministri polak thotë se paqja në Ukrainë nuk ka gjasa të arrihet së shpejti

    Kryeministri polak thotë se paqja në Ukrainë nuk ka gjasa të arrihet së shpejti

    Kryeministri polak Donald Tusk tha të martën se dukej shumë e pamundur që paqja në Ukrainë të arrihej së shpejti, dhe se priste që Rusia ta zgjaste konfliktin të paktën deri në dimër.

    Ai tha se e kishte diskutuar situatën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, transmeton Telegrafi.

    “Në këtë pikë, duket e pamundur që të arrihet një armëpushim ose një marrëveshje paqeje në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh qëndrimin e ngurtë të Rusisë dhe Putinit”, u tha Tusk gazetarëve në Paris.

    “Të gjithë presin një përshkallëzim të veprimeve nga Rusia në këtë kohë dhe është shumë e mundshme që Rusia të dëshirojë ta zgjasë këtë luftë të paktën deri në dimër”, shtoi ai.

    Tusk tha se Polonia do të organizojë stërvitje ushtarake me trupa franceze dhe britanike në vjeshtë, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të siguruar sigurinë për Ukrainën dhe rajonin pasi të arrihet përfundimisht një marrëveshje paqeje ose armëpushim.

    “Këto do të jenë ushtrime që do ta përgatisin të gjithë koalicionin (e të gatshëmve) të mbledhur sot në Paris për garanci të tilla reale sigurie për Ukrainën, por edhe për rajonin”, tha ai. /Telegrafi/

  • Komuna e Kaçanikut njofton bizneset për lejet shtesë për punë jashtë orarit gjatë sezonit veror

    Komuna e Kaçanikut njofton bizneset për lejet shtesë për punë jashtë orarit gjatë sezonit veror

    Komuna e Kaçanikut ka njoftuar të gjitha bizneset që operojnë në territorin e saj se për zhvillimin e aktiviteteve jashtë orarit të rregullt të punës gjatë sezonit veror, duhet të pajisen paraprakisht me leje të veçantë.

    Sipas njoftimit të Komunës, bizneset janë të obliguara që, përveç pajisjes me leje, të kryejnë edhe pagesën e taksës shtesë, në përputhje me Rregulloren për Përcaktimin e Orarit të Punës për Subjektet Afariste në territorin e Komunës së Kaçanikut, përkatësisht nenin 5 të saj.

    “Bizneset që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitet jashtë orarit të natës gjatë sezonit veror, janë të obliguara të pajisen paraprakisht me leje të veçantë dhe të kryejnë pagesën e taksës shtesë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.

    Komuna ka bërë të ditur se Inspektorati do të zhvillojë kontrolle në terren për të verifikuar respektimin e rregullave, ndërsa bizneset që operojnë jashtë orarit të lejuar pa lejen përkatëse do të përballen me masa ndëshkuese.

    “Çdo biznes që ushtron veprimtarinë jashtë orarit të lejuar pa qenë i pajisur me lejen përkatëse do t’i nënshtrohet masave ndëshkuese dhe gjobave, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi”, ka njoftuar Komuna.

    Për informata shtesë rreth procedurës së pajisjes me leje, bizneset mund t’i drejtohen Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Kaçanikut. /Telegrafi/

  • ASK: Rritet numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë – mbi 70.000 përdorues

    ASK: Rritet numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë – mbi 70.000 përdorues

    Numri i përdoruesve të telefonisë fikse në Kosovë ka shënuar rritje gjatë muajit maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndonëse trafiku i realizuar përmes këtij rrjeti ka pësuar rënie. Kështu thuhet në publikimin më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit.

    Sipas ASK-së, në muajin maj numri i përdoruesve të rrjetit të telefonisë fikse arriti në 70.816, që paraqet një rritje prej 3,4 për qind krahasuar me majin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 68.478 përdorues.

    Në anën tjetër, trafiku i realizuar në telefoninë fikse ra me 4,1 për qind. Gjatë majit 2026 u regjistruan 1.789.637 minuta komunikim, krahasuar me 1.866.512 minuta në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

    Ndërkaq, numri i përdoruesve me parapagim (Prepaid) në këtë periudhë ishte 1 516 860 ose 2.72 % më shumë se në periudhën e njëjte të vitit të kaluar. Ndërsa numri i përdoruesve me kontratë (Postpaid) ishte 318 946 mije ose 1.65 % më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

  • 57 persona të lënduar gjatë vrapimit tradicional me dema në festivalin San Fermín në Spanjë

    57 persona të lënduar gjatë vrapimit tradicional me dema në festivalin San Fermín në Spanjë

    Dhjetë persona u lënduan gjatë vrapimit të tetë dhe të fundit me dema në festivalin e famshëm San Fermín të Spanjës të martën, duke e çuar në 57 numrin total të personave të lënduar gjatë festimeve të këtij viti.

    Një 18-vjeçar pësoi plagë nga briri i demit në kofshë, ndërsa një 46-vjeçar u godit nga briri në gjoks. Tetë persona të tjerë u dërguan në spital me mavijosje të shkallëve të ndryshme, njoftoi qeveria rajonale e Navarrës.

    Demat përshkuan një pistë prej 848.6 metrash nga vendi ku mbaheshin deri te arena e qytetit për dy minuta e 25 sekonda.

    Për tetë ditë radhazi, qindra persona, shumë prej tyre të veshur me këmisha të bardha tradicionale dhe shalle të kuqe rreth qafës, vrapojnë përpara tufës së demave në rrugët e ngushta të qytetit mesjetar, duke sfiduar rrezikun. Shumica e pjesëmarrësve janë burra.

    Demat më pas përballen me një vdekje pothuajse të sigurt në ndeshjet e pasdites me matadorët më të njohur të Spanjës.

    Festivali San Fermín, i bërë i famshëm nga romani i Ernest Hemingway-t i vitit 1926, “Dielli lind përsëri”, tërheq vizitorë nga e gjithë bota.

    Gjatë vrapimeve të këtij viti, katër persona u goditën nga brirët e demave, përfshirë një 30-vjeçar spanjoll, i cili u plagos në fytyrë.

    Nga 57 të lënduarit, pesë janë shtetas të huaj: dy britanikë, një australian, një amerikan dhe një gjerman, i cili u godit nga briri në krahun e majtë.

    Që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1911, 16 persona kanë humbur jetën gjatë vrapimeve me dema. Vdekja e fundit ndodhi në vitin 2009, kur një dem vrau një 27-vjeçar spanjoll duke e goditur me brirë në qafë, zemër dhe mushkëri, shkruan Euronews.

  • Mungon dëshmitarja, shtyhet seanca ndaj katër mjekëve që akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

    Mungon dëshmitarja, shtyhet seanca ndaj katër mjekëve që akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet procesi gjyqësor të martën ndaj katër mjekëve, Vjosa Zejnullahu, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, të cilët po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, Seanca dështoi për shkak të mungesës së dëshmitares, Valbona Kelmendi-Gashi.

    Rasti gjykohet nga trupi gjykues me këtë përbërje: Adnan Kamberi- kryetar i trupit gjykues, Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi- anëtarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, gjykatësi Kamberi konstatoi se prezent në sallë ishin prokurororja Javorka Perlinçeviq, i dëmtuarit Nazmi Fazliu me avokatin, Redon Byqmeti. Po ashtu, i akuzuari Sheholli me avokatët Skender Musa dhe Faton Haziri, e akuzuara Zejnullahu me avokatin Florent Latifaj, e akuzuara Muja me avokaten Lindita Keqekolla-Gashi, si dhe i akuzuari Demolli, me avokatin Besnik Berisha.

    Më pas, gjykatësi Kamberi tha se dëshmitarjaKelmendi-Gashi është kontaktuar nga sekretaria e gjykatës dhe se ka deklaruar se e ka ngatërruar datën e seancës, duke menduar se ka për të dhënë dëshmi më 16 korrik kur edhe është caktuar data tjetër për këtë gjykim.

    Gjykatësi Kamberi më pas shtoi se anëtari i trupit gjykues, Alban Ajvazi është i angazhuar në sesionin e pasdites me një rast vrasje me paraburgim, andaj seanca nuk mund të zhvillohet për sesionin e pasdites.

    Më pas, gjykatësi Kamberi konstatoi shtyrjen e seancës në mungesë të dëshmitares Kelmendi-Gashi.

    “Në mungesë të dëshmitares, shtyhet seanca e shqyrtimit gjyqësor…”, tha gjykatësi Kamberi.

    Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve më 20 janar 2016 në Prishtinë në QKUK-KGJO, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, duke vepruar me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja pacientin, kanë përdorur metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe me atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të së dëmtuarës – tani të ndjerës S.F.

    Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht në emergjencë apo në terapi intensive, duke nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi dhënien e gjakut, duke vlerësuar gabimisht gjendjen e pacientes dhe anashkaluar konsultimin e transfuziologut.

    Siç thuhet në aktakuzë, e akuzuara Zejnullahu duke e ditur se përkeqësimi i gjendjes së pacientes ka ndodhur pas transfuzionit të gjakut, e ka dërguar pacienten në qendrën urgjente dhe nuk ka dërguar qesen me gjak, për të parë se cili gjak i është dhënë të dëmtuarës, duke ditur faktin se ka grupe të ndryshme të gjakut dhe duke e shkatërruar si provë kryesore në këtë rast.

    Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit Demolli dhe Muja nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit, sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuzuiologun pasi të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut në atë mënyrë që të gjithë ata nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me antireaksion (terapi për reaksion post-tranzionit), pastaj dhanë konkluzione të gabuara duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë transfuziologun, kanë thirrur neurologun, tani të akuzuarin Sheholli.

    Më tej, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sheholli, i cili nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin, duke rekomanduar të bëhet CT e trurit të pacientes dhe anashkaloi konsultën me transfuziologun, ndërsa të gjithë si ekip nuk rekomanduan mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara për analiza të mëtutjeshme, ku në atë rast gjendja përkeqësohet dhe vjen deri te vdekja e të dëmtuarës S.F.

    Në këtë rast, secili prej tyre akuzohet se ka kryer vepër penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 260, par. 4 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

  • KEK thotë se Njësia A4 rikthehet në operim pas riparimit vjetor

    KEK thotë se Njësia A4 rikthehet në operim pas riparimit vjetor

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) tha se Njësia A4 e Termocentralit Kosova A ka përfunduar me sukses riparimin e rregullt vjetor dhe është rikthyer në operim.

    “Startimi i njësisë ka filluar në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:00, ndërsa pas përfundimit të procedurave teknike dhe kontrolleve të nevojshme, Njësia A4 është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 05:15”.

    KEK tha se rikthimi i Njësisë A4 në operim forcon kapacitetet vendore të prodhimit dhe rrit gatishmërinë teknike të KEK-ut në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror.

    “KEK falënderon menaxhmentin, ekipet teknike, inxhinierët dhe të gjithë punonjësit e TC Kosova A për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e treguar në realizimin me sukses të këtij riparimi”.

  • Një goditje e madhe për Brad Pitt-in, fëmijët kërkojnë të mos mbajnë më mbiemrin e tij

    Një goditje e madhe për Brad Pitt-in, fëmijët kërkojnë të mos mbajnë më mbiemrin e tij

    Fëmijët e Angelina Jolie-t dhe Brad Pittit janë të vendosur të heqin dorë nga mbiemri i babait të tyre. Vajza e tyre Zahara (21) dhe djali Maddox (24) kanë ndërmarrë hapin e radhës ligjor për të mos qenë më “Pitt”.

    Revista People ka siguruar dokumentet gjyqësore, ku të dy kanë tashmë dëshmi të publikimit zyrtar që konfirmon synimin e tyre për të ndryshuar mbiemrin.

    Ata praktikisht janë distancuar nga babai i tyre përmes gazetave, pasi njoftimin ligjor e kanë publikuar në Los Angeles Daily Journal.

    Ky është një procedurë e zakonshme ligjore për ndryshimin e emrit, në përputhje me ligjin e Kalifornisë, dhe të dy e kanë bërë publikimin javën e kaluar. Zahara kërkon që emri i saj i plotë të jetë tashmë “Zahara Marley Jolie”, ndërsa Maddox kërkon që emri i tij i plotë të jetë “Maddox Chivan Jolie”. Edhe pse kërkesat e tyre ende nuk janë miratuar, hapi i ardhshëm do të jetë një seancë gjyqësore e caktuar për shtator të këtij viti.

    Jolie paraqiti kërkesën për divorc nga Pitt në vitin 2016, ndërsa divorci u finalizua vetëm dy vite më parë. Megjithatë, menjëherë pas ndarjes së tyre, fëmijët filluan të distancohen nga babai. E para që e bëri këtë ishte Shiloh në vitin 2024, ndërsa këtë vit kërkesa zyrtare për ndryshimin e mbiemrit u paraqitën nga Maddox, Zahara dhe më pas edhe nga binjakët Vivienne dhe Knox.

    Ish-çifti nuk e ka komentuar publikisht situatën familjare, por një burim tha dy vite më parë se Pitt “praktikisht nuk ka kontakt” me fëmijët e tij. Një burim pranë aktorit i tha revistës People:

    “Kjo është rezultat i një fushate të gjatë për largimin e fëmijëve nga njëri prind. Është një realitet jashtëzakonisht i trishtueshëm, por nuk është befasues pas viteve në të cilat një prind i kthen fëmijët kundër prindit tjetër, pavarësisht pasojave”.

  • Kushtet në Pediatri, reagon PRAK-u, kërkon hetim transparent dhe mbrojtje të pacientëve

    Kushtet në Pediatri, reagon PRAK-u, kërkon hetim transparent dhe mbrojtje të pacientëve

    Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar lidhur me raportimet për kushtet në Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së dhe pretendimet për presion ndaj një familjari të pacientit pas publikimit të shqetësimeve të tij.

    PRAK-u ka shprehur shqetësim për situatën e raportuar, duke i uruar shërim të shpejtë fëmijës dhe duke shprehur solidaritet me familjet që përballen me vështirësi gjatë trajtimit në institucionet shëndetësore.

    “Çdo pacient, e në veçanti fëmijët, kanë të drejtë për kujdes shëndetësor cilësor, të sigurt dhe me dinjitet. Këto të drejta garantohen me ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve në sistemin shëndetësor, ligjin për shëndetësinë dhe kartën e të drejtave të pacientëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.

    Sipas kësaj shoqate, pretendimet për mungesë të kushteve elementare higjieno-sanitare, kontroll të infeksioneve, mjete bazike higjienike dhe komunikim jo të duhur me familjarët duhet të trajtohen me seriozitet.

    “Këto nuk janë kërkesa për luks, por standarde minimale që çdo institucion shëndetësor është i obliguar t’i garantojë”, thuhet në reagim.

    PRAK-a ka ngritur shqetësim edhe për pretendimet se familjari i një pacienti është përballur me presion pas shprehjes publike të shqetësimeve të tij.

    “Çdo pacient dhe familjar ka të drejtë të raportojë parregullsitë dhe të kërkojë llogaridhënie pa frikë nga presioni apo intimidimi. Transparenca dhe zëri i pacientëve janë thelbësorë për përmirësimin e sistemit shëndetësor”, ka deklaruar PRAK-u.

    Megjithatë, shoqata ka theksuar se mbrojtja e të drejtave të pacientëve nuk përbën sulm ndaj profesionistëve shëndetësorë.

    “Shumica e tyre punojnë me profesionalizëm dhe përkushtim në kushte të vështira. Mangësitë e evidentuara duhet të trajtohen si probleme institucionale dhe sistemore”, thuhet në reagim.

    PRAK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente pretendimet e ngritura, si dhe të informojnë publikun për gjetjet.

    Po ashtu, ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për përmirësimin e kushteve dhe standardeve të sigurisë së pacientëve, forcimin e mekanizmave për trajtimin e ankesave dhe garantimin që asnjë pacient apo familjar të mos përballet me presion për shkak të ankesave të tij.

    “Ky rast duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të gjithë sistemin shëndetësor. Përmirësimi i cilësisë së kujdesit nuk arrihet duke heshtur kritikën, por duke dëgjuar pacientët, duke reflektuar mbi shqetësimet e tyre dhe duke ndërmarrë masa konkrete”, përfundon reagimi i PRAK-u.

  • Plagosja me armë në Pejë, dyshohet se rasti ndodhi për shkak të mosmarrëveshjes për parking

    Plagosja me armë në Pejë, dyshohet se rasti ndodhi për shkak të mosmarrëveshjes për parking

    Një person mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbrëmë në Pejë.

    “Betimi për Drejtësi” mëson se i dyshuari është B.K., 28-vjeçar, i cili është ndaluar për 48 orë.

    I pandehuri dyshohet se kishte në posedim dy armë, njërën prej tyre me leje. Në vendin e ngjarjes se u gjetën nëntë gëzhoja.

    Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.