ATV

Blog

  • Një ditë kohë për të vendosur – mandatar i ri apo zgjedhje

    Një ditë kohë për të vendosur – mandatar i ri apo zgjedhje

    Një ditë ditë kohë i kanë mbetur Lëvizjes Vetëvendosje që të vendosë nëse do të provojë sërish për taformuar qeverinë me një kandidat tjetër për kryeministër apo do që vendi të shkojë në zgjedhje. Deri të hënën, vendim nuk ka pasur nga kjo parti.

    Lëvizja Vetëvendosje nuk është përcaktuar ende se kush mund të jetë kandidati për kryeministër në përpjekjen e dytë për krijimin e Qeverisë, ndërsa kanë mbetur vetëm një ditë afat për propozimin e tij.

    Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

    Për dallim nga Kurti, partitë e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend, janë të vendosur për shkuarjen në zgjedhje. Sipas përfaqësuesve të tyre, që të premten u takuan me presidenten Vjosa Osmani, asnjëra prej partive që kanë zënë ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur qeverinë e re. Në rast të mandatimit nga presidentja, kandidati për kryeministër ka kohë 15 ditë që në Kuvend të prezantoj programin dhe kabinetin e tij.

    Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve. Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.

  • Moti sot: I vranët, me reshje shiu të herëpashershme

    Moti sot: I vranët, me reshje shiu të herëpashershme

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët deri në pjesën e parë të ditës, ku lokalisht, gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjes, herë pas here priten reshje shiu. Gjatë pasdites pritet të ketë vranësira të pjesshme, ndërsa më të shtuara parashihen në pjesën lindore të vendit.

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, me shpejtësi prej 10-36 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 13°C.

  • Rrëmbimi i një shtetasi të Kosovës nga xhandarmëria serbe, deklarohet KFOR-i

    Rrëmbimi i një shtetasi të Kosovës nga xhandarmëria serbe, deklarohet KFOR-i

    Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se është dijeni rreth njoftimit të Policisë së Kosovës se një serb i Kosovës dyshohet të jetë plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria e Serbisë brenda territorit të Kosovës, mirëpo situata e sigurisë në vijën kufitare administrative është e qetë.

    “Policia e Kosovës ka nisur hetime dhe vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me disa entitete, përfshirë KFOR-in. Policia e Kosovës e ka koordinuar aktivitetin e vet në anën kosovare të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, është thënë në përgjigjen e këtij misioni.

    Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar të hënën Serbinë për cenim të integritetit territorial të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 1 nëntor ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, me inicialet M.V., dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.

    Në anën tjetër, autoritetet në Serbi nuk janë deklaruar rreth këtij rasti.

    Sipas njoftimit të Policisë, vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës [siç quhet pika zero -0-], në afërsi të zonës së Leposaviqit, qytet në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe.

    Sipas këtij institucioni, Policia e Kosovës ka bashkëpunuar me misionin e NATO-s në Kosovë [KFOR] si përgjegjës për zonën/brezin kufitar.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se bota demokratike duhet të reagojë e t’i ndalë këto sulme të Serbisë.

    Sipas saj, “kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme”.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se ky veprim është pjesë e politikave të Serbisë për frikësim dhe përndjekje ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.

    “Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook, dhe i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë ndaj Serbisë dhe që këto veprime armiqësore të mos përsëriten.

    Çfarë tha tjetër Policia?
    Policia e Kosovës tha se viktima, i identifikuar me inicialet M.V., sipas dëshmitarëve është dërguar me një autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.

    Policia tha se ka intervistuar dëshmitarët okularë dhe përmes tyre ka siguruar informacionet se “persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën, të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë”.

    Lidhur me këtë rast, Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrisë e Mbrojtjes të Serbisë, por deri më tani nga këto institucione nuk janë përgjigjur.

    Përgjigje nuk kthyen as nga Qendra Klinike Universitare në Nish.

    Informacionet e para lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e dyshuar i pari i bëri publike avokati Ivan Niniq në Serbi. Ai shkroi në X se Millan Vukashinoviq ishte plagosur rëndë gjatë të shtënave në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit dhe se mjekët në Qendrën Klinike Universitare në Nish po tentojnë që t’ia shpëtojnë jetën.

    Leposaviqi gjendet në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është reaguesi i tretë i sigurisë në vend, pas Policisë dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

    KFOR-i, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës akuzojnë xhandarmërinë serbe se hyn në territorin e shtetit. Në mars të vitit 2012, dy policë të Kosovës ishin arrestuar në fushatin Dumnicë të Podujevës. Pas 48 orësh ata ishin liruar.

    Ndërkaq, më 2023 tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin arrestuar.

    Sipas autoriteteve në Beograd, ata u kapën më shumë se një kilometër thellë në territorin serb, ndërsa zyrtarët në Prishtinë thanë se ata u rrëmbyen në Kosovë, gjatë një patrullimi kufitar./REL

  • LDK nis fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    LDK nis fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Kosovë, e cila do të zgjasë gjashtë ditë.

    Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, ka ndarë një video-incizim nga lagjja Dardania, ku premtoi vazhdimin e punës për ndriçimin publik e ndërtimin e parkingut nëntokësor.

    Rama po ashtu rikujtoi punët e realizuara pranë Termokosit, ku sheshi i ri dhe hapësirat përreth ndërtesave me fasada të rinovuara kanë transformuar zonën.

    Në Gjilan, kandidati i LDK-së, Arbër Ismajli, i cili garon në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) takoi banorët e Malishevës së heroit Abdullah Tahiri, nga aty u tha se qytetarët po bashkohen për “ndryshimin përfundimtar të një qeverisjeje që ka dështuar në zhvillimin e Gjilanit”.

    Kurse në Fushë Kosovë, kandidati Besnik Osmani ka premtuar rinovimin e banesave në Bresje, duke e cilësuar këtë si një zotim të palëkundur ndaj banorëve të asaj zone.

    Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi që kërkon edhe një mandat të ri kërkoi besimin e qytetarëve për të vazhduar projektet zhvillimore me mesazhin: “Premtimet e dhëna i kemi dëshmuar me punë e vepra.

    Gazmend Muhaxheri, kryetari në detyrë i Pejës, ditën e parë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve ka ndarë pamje nga transformimi i qytetit me moton “#PejaDje & #PejaSot.

    Sokol Haliti, kryetari aktual i komunës së Vitisë dhe kandidat për një mandat të ri, ka zhvilluar takim me Forumin e Gruas të LDK-së teksa ka lavdëruar angazhimin e grave në politikë.

    Në Junik, kryetari aktual dhe kandidat për mandat të ri, Ruzhdi Shehu u zotua për qeverisje të ndershme dhe kritikuar “kontratat e keqmenaxhuara” të ish-qeverisjes, duke thënë se “ka kaluar koha e jackpotëve”.

  • Balotazhi i 9 nëntorit, kandidatët e VV-së dalim në terren

    Balotazhi i 9 nëntorit, kandidatët e VV-së dalim në terren

    Lëvizja Vetëvendosje ka hapur sot zyrtarisht fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të kulmojë më 9 nëntor.

    Në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku u takua me banorët e Mramorit për të diskutuar problemet bazike dhe potencialin turistik të zonës, duke promovuar projektin “10 fshatrat” për zhvillim rural dhe agroturizëm.

    Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola tha se kjo javë është vendimtare për qytetarët që kërkojnë ndryshim teksa prezantoi vizionin e tij për Gjakovën e së nesërmës.

    Në Gjilan, kryetari aktual dhe kandidati për mandat të dytë, Alban Hyseni premtoi ndërtimin e një strehimoreje të re për të mbijetuarat e dhunës në familje, subvencionim të pagave për gratë që kërkojnë punë, si dhe bursa studimore për vajzat dhe gratë studente.

    Në Kaçanik, kandidati Jeton Raka falënderoi qytetarët për mbështetjen në raundin e parë dhe ftoi për mobilizim të plotë në balotazh.

    Në Mitrovicë, kandidati Faton Peci ndau një video-mesazh nga ku premtoi takim e komunikim të drejtpërdrejtë me banorët në çdo lagje dhe fshat për të rikonfirmuar fitoren më 9 nëntor.

    Kandidati, Halil Thaçi mbajti një tubim në Obiliq ku mori pjesë lideri i partisë Albin Kurti. Thaçi u zotua për punë të ndershme dhe prioritet në arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe bujqësinë.

    Në Prizren, kandidati Artan Abrashi nisi fushatën me një takim në Shatërvan së bashku me partnerët e tij politikë: Zafir Berisha (BD), Besnik Krasniqi (AAK), Emilija Redžepi (NDS) dhe Haxhi Avdyli (Guxo). “Bashkë me partnerët për ndryshimin dhe fitoren e madhe të Prizrenit më 9 nëntor! Fitorja është e pashmangshme”, shkroi Abrashi.

    Në Vushtrri, kandidati Sylejman Meholli krahë me Albin Kurtin premtuan zhvillim ekonomik, mbështetje për bizneset e vogla dhe investime në Zonën Ekonomike të Lumadhit. Meholli gjithashtu ftoi qytetarët për mobilizim të plotë në balotazh më 9 nëntor.

  • Kandidatët e PDK-së nisin fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Kandidatët e PDK-së nisin fushatën gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Në ditën e parë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash, kryetari aktual i Prizrenit dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, ka nisur fushatën me publikimin e një video-mesazhi, duke theksuar vazhdimësinë e projekteve zhvillimore dhe përkushtimin për ndërtimin e një Prizreni modern.

    Kryetari aktual i Kaçanikut, kandidati për një mandat të dytë, Sabedin Vishi, premtoi vazhdimin e punëve të filluara, përmirësimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e mëtejshëm të komunës. Ai ka ftuar qytetarët që më 9 nëntor të mbështesin një qeverisje me përkushtim dhe transparencë.

    Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së Arian Tahiri ka hyrë në raundin e dytë me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka mbajtur një tubim me qytetarët ku është konfirmuar bashkëpunimi ndërmjet dy subjekteve politike për të siguruar një qeverisje të përbashkët në interes të qytetit.

    Kryetari aktual i Vushtrrisë dhe kandidati për një mandat të dytë, Ferit Idrizi, ka vizituar disa biznese lokale gjatë ditës së parë të fushatës, duke vlerësuar kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të komunës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

    Në Klinë, kandidati i PDK-së Sokol Bashota ka filluar fushatën për balotazhin me falënderime për qytetarët dhe me thirrje për pjesëmarrje të gjerë në zgjedhjet e 9 nëntorit, duke theksuar rëndësinë e një qeverisjeje të ndershme dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve.

  • Spasiç tërhiqet nga gara në Kllokot, KQZ: Gara për mryetar vazhdon sipas planit

    Spasiç tërhiqet nga gara në Kllokot, KQZ: Gara për mryetar vazhdon sipas planit

    Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiç nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”, ka njoftuar më 3 nëntor se i është bashkuar Listës Serbe dhe nuk do të marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, i planifikuar të mbahet më 9 nëntor.

    Në një deklaratë, Spasiç tha se të gjithë energjitë dhe burimet e nismës qytetare do t’i përkushtojë fitores së Listës Serbe, të cilën e cilësoi “familja politike që bashkon popullin serb në Kosovë”.

    “Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.

    Lista Serbe ka mirëpritur vendimin e tij, duke e quajtur atë “dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike”.

    Ndërkohë, Valmir Elezi nga Komisionin Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se tërheqja e Spasiçit nuk ndikon në zhvillimin e raundit të dytë.

    “Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në rundin e parë”, tha Elezi.

    Sipas rezultateve preliminare nga raundi i parë në Kllokot, Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe fitoi 893 vota ose 41.38 për qind, ndërsa Sreçko Spasiç mori 674 vota ose 31.23 për qind.

    Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe ku zhvillohet balotazhi, pasi në nëntë komunat e tjera Lista Serbe fitoi qysh në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor.

  • AAK nis fushatën e balotazhit për kryetarët e komunave

    AAK nis fushatën e balotazhit për kryetarët e komunave

    Në ditën e pare të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjdhjeve lokale për kryetarë komunash, kryetari aktual i Gjakovës dhe kandidati i AAK-së për një mandat të ri, Ardian Gjini, ka hapur zyrtarisht fushatën e balotazhit duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e deritanishme teksa ka premtuar vazhdimin e projekteve zhvillimore duke bërë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje aktive gjatë ditëve të fushatës.

    Në Suharekë, kryetari aktual Bali Muharremaj ka nisur fushatën duke theksuar përkushtimin për përmirësimin e infrastrukturës lokale teksa ka njoftuar për asfaltimin e rrugëve në Vraniq dhe segmentin Shirokë–Topliqan.

    Kryetari i Rahovecit dhe kandidati I AAK-së për mandat të ri, Smajl Latifi, falenderoi qytetarët për mbështetjen e tyre dhe bëri thirrje për pjesëmarrje active gjatë fushatës gjashtëditore për balotazh.

    Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuci, që garon në këtë balotazh me mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje premton punë të ndershme teksa kërkoi vote me 9 nëntor.

  • Luis Enrique beson se PSG do ta mposhtë Bayern-in

    Luis Enrique beson se PSG do ta mposhtë Bayern-in

    Trajneri i PSG-së Luis Enrique ka folur para ndeshjes së nesërme kundër Bayern Munich-ut,e vlefshme për xhiron e 4-të të fazës së Ligës së Kampionëve.

    Enrique thotë se ndeshja kundër ekipit gjerman është e rëndësishme,dhe se ndaj bavarezëve beson se skuadra do të shënoj fitore.

    “Nuk është koha për të vlerësuar ekipin tonë. Duhet të kemi besim. Fitorja nesër është e rëndësishme, si për tre pikët ashtu edhe për pozicionin në grup, që është më i vështiri i kompeticionit. Duam të jemi konkurrues në çdo ndeshje dhe ta shijojmë këtë moment me tifozët tanë”

    Përndryshe Enrique shton se Bayerni nuk do ta ndryshoj stilin e lojës,dhe se beson se do të mundohen të iu shkaktojnë probleme,duke marrë parasysh që bavarezët janë një skuadër mjaft e fortë.

    Kujtojmë që ndeshja PSG-Bayern pritet të zhvillohet të martën me fillim nga ora 21:00.

  • Dyshohet që xhandarmëria serbe ka plagosur dhe ka rrëmbyer një qytetar serb brenda territorit të Kosovës

    Dyshohet që xhandarmëria serbe ka plagosur dhe ka rrëmbyer një qytetar serb brenda territorit të Kosovës

    Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V. i nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Sipas komunikatës zyrtare, ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 1 nëntor në një zonë të njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Policia ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, ka njoftuar dhe bashkëpunuar me KFOR-in që është përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar.

    “Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet zyrtare, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës – Departamentin për Krime të Rënda, si dhe me institucionet e tjera relevante të sigurisë.