ATV

Blog

  • Cilët janë kundërshtarët e mundshëm të Kombëtares së Kosovës në hendboll

    Cilët janë kundërshtarët e mundshëm të Kombëtares së Kosovës në hendboll

    Kombëtarja e Kosovës në hendboll për herë të parë do të paraqitet në fazën e dytë kualifikuese për Kampionat Botëror 2026.

    Ndeshjet e fazës së dytë kualifikuese luhen më 18/19 dhe 21/22 mars të vitit të ardhshëm.

    Në fazën e dytë kualifikuese do të garojnë 16 Kombëtare. Tetë prej tyre që shpallen fituese kalojnë në raundin e tretë dhe të fundit të kualifikimeve për Botërorin 2027.

    Në short Kombëtarja jonë do të jetë në vazon e dytë, ku ndodhen edhe Sllovakia, Lituania, Belgjika, Finlanda, Izraeli, Turqia e Letonia. Pra, me këto Kombëtare nuk mund të përballet Kosova.

    Në vazon e parë do të jenë Greqia dhe Bosnjë-Hercegovina si dhe gjashtë Kombëtaret që përfundojnë në vend të fundit në grupet e Euro 2026.

    Kombëtarja jonë do të përballet me një ekip të vazos së parë. Shorti do të tërhiqet pasi të përfundoi faza e parë grupore në Euro 2026. Evropiani i vitit të ardhshëm mbahet prej 15 janarit deri më 1 shkurt në Danimarkë, Norvegji e Suedi.

    Kombëtarja jonë u kualifikua në raundin e dytë duke fituar të dy ndeshjet me Britaninë e Madhe, aty ku kualifikimi u sigurua të dielën mbrëma. /ATVLIVE.TV

  • Aktori Jonathan Bailey shpallet “mashkulli më i pashëm në botë për vitin 2025”

    Aktori Jonathan Bailey shpallet “mashkulli më i pashëm në botë për vitin 2025”

    Revista People ka zgjedhur aktorin britanik, Jonathan Bailey, (37 vjeçar) si ‘burrin më të pashëm’ për vitin 2025.

    Lajmi u bë i ditur mbrëmë në “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”.

    Bailey fitoi famë botërore falë rolit të tij si Lord Anthony Bridgerton në dramën e suksesshme të Netflix “Bridgerton”, e cila fitoi audiencën në të gjithë botën.

    Pas kësaj, aktori u zhvendos në ujërat e Hollywoodit dhe arriti role të shquara në projekte të mëdha filmike si “Jurassic World Rebirth”, “Wicked” dhe vazhdimi i ardhshëm “Wicked: For Good”.

    Bailey pasoi John Krasinskin, i cili e mbante këtë titull vitin e kaluar.

    I njëjti është nga Oxfordshire, Angli, dhe e filloi karrierën e tij si aktor që fëmijë.

    Më vonë ai u bë një aktor i njohur teatri, duke u shfaqur në prodhime të Royal Shakespeare Company dhe në West End të Londrës.

    Titulli “Burri më i pashëm” nga revista People është mbajtur nga shumë aktorë dhe muzikantë të famshëm para tij, përfshirë Chris Evans, John Legend, Michael B. Jordan, Paul Rudd, Ryan Reynolds, Chris Hemsworth, Bradley Cooper, Dwayne Johnson, Idris Elba, Adam Levine, Richard Gere, Channing Tatum dhe David Beckham. /Telegrafi/

  • Ndjesia e shpimit, dobësia dhe ngërçet paralajmërojnë mungesë kaliumi: Ja si ta rimbushni këtë mineral jetik

    Ndjesia e shpimit, dobësia dhe ngërçet paralajmërojnë mungesë kaliumi: Ja si ta rimbushni këtë mineral jetik

    Kur trupi për ndonjë arsye humbet shumë kalium, ndodh hipokalemia, një gjendje që mund të shkaktojë shqetësime serioze në funksionimin e muskujve dhe zemrës

    Kaliumi është mineral i tretë më i përhapur në trupin e njeriut dhe një nga elektrolitet kryesorë, të domosdoshëm për funksionimin normal të çdo qelize. Niveli i tij ndikon drejtpërdrejt në punën e zemrës, muskujve, stomakut…

    Pse është i rëndësishëm kaliumi për trupin?

    Ndërsa natriumi vepron kryesisht jashtë qelizave, kaliumi luan rolin kryesor brenda tyre, sepse ruan ekuilibrin e lëngjeve, rregullon ngarkesën elektrike të membranave qelizore dhe mundëson kalimin e impulseve përmes fibrave nervore dhe muskulore

    Së bashku me natriumin, klorin, magnezin dhe kalciumin, ky mineral përbën bazën e stabilitetit elektrolitik të organizmit. Nga balanca e këtyre mineraleve varen pothuajse të gjitha funksionet fiziologjike: nga rrahjet e zemrës dhe tkurrjet muskulore, deri te aktiviteti i trurit dhe presioni i gjakut.

    Roli kryesor i kaliumit në sistemet e trupit

    Kaliumi është kationi kryesor brendaqelizor, që do të thotë se ruan stabilitetin elektrik dhe osmotik të qelizës. Roli i tij më i rëndësishëm është në përçimin e impulseve nervore dhe tkurrjen e muskujve, veçanërisht të atyre të zemrës

    Së bashku me natriumin merr pjesë në funksionimin e të ashtuquajturës pompë natrium-kalium, mekanizëm që mundëson shkëmbimin e joneve midis brendësisë dhe jashtësisë së qelizës. Ky proces është jetik për funksionimin normal të qelizave nervore dhe muskulore.

    Kaliumi gjithashtu ndihmon në rregullimin e ekuilibrit acido-bazik (balanca e acideve dhe bazave në organizëm), ndikon në metabolizmin e glukozës, rritjen dhe ndarjen qelizore, si dhe në proceset e detoksifikimit.

    Kërkimet tregojnë se marrja e mjaftueshme e kaliumit ul rrezikun e presionit të lartë të gjakut, goditjes në tru dhe gurëve në veshka, duke përmirësuar njëkohësisht shëndetin e kockave dhe muskujve, transmeton Telegrafi.

    Kur dhe si humbet kaliumi?

    Kaliumi eliminohet nga organizmi kryesisht përmes veshkave, mbi 90% përmes urinës, ndërsa një pjesë më e vogël përmes jashtëqitjes dhe djersës. Kur trupi humbet shumë kalium, ndodh hipokalemia, gjendje që mund të shkaktojë çrregullime në punën e muskujve dhe zemrës

    Simptomat e nivelit të ulët të kaliumit përfshijnë dobësi, ngërçe, lodhje, rrahje të parregullta të zemrës, kapsllëk dhe ndjesi shpimi në gjymtyrë.

    Hipokalemia është e zakonshme tek personat që ushtrojnë shumë, tek sportistët që humbin elektrolite me djersë, por edhe tek ata me diarre të zgjatur, të vjella ose përdorim të tepruar të diuretikëve dhe laksativëve.

    Përveç kësaj, personat që përdorin ilaçe si kortikosteroidet, beta2-agonistët, kardiotonikët ose teofilinën, mund të zhvillojnë çrregullime elektrolitike.

    Tek pacientët me sëmundje inflamatore të zorrëve (sëmundja e Crohn-it, koliti ulceroz) ndodh ulje e përthithjes dhe humbje e kaliumit, gjë që e përkeqëson gjendjen klinike.

    A është e rrezikshme kur kemi shumë kalium?

    Nga ana tjetër, niveli i lartë i kaliumit në gjak (hiperkalemia) mund të jetë po aq i rrezikshëm. Ajo ndodh zakonisht tek personat me dëmtim të funksionit të veshkave, sepse veshkat nuk arrijnë të eliminojnë tepricën e elektroliteve

    Hiperkalemia mund të shkaktojë ngadalësim të rrahjeve të zemrës, aritmi, madje edhe arrest kardiak, ndaj kërkon vlerësim të menjëhershëm mjekësor.

    Si të sigurojmë marrjen e duhur të kaliumit

    Burimi më i mirë i kaliumit është një dietë e larmishme dhe e freskët. Ai gjendet në frutat dhe perimet, sidomos në banane, avokado, patate, domate, spinaq, fasule, thjerrëza dhe fruta të thata. Duhet pasur parasysh se gatimi (zierja, pjekja) dhe përpunimi industrial i ushqimeve mund të ulin përmbajtjen e kaliumit deri në 70%

    Studimet moderne tregojnë se raporti midis kaliumit dhe natriumit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës: sa më shumë kalium në raport me kripën, aq më i vogël rreziku nga hipertensioni.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon 3.500 mg kalium në ditë për të rriturit, me kufizim paralel të kripës.

    Kaliumi – shumë më tepër se një mineral i zakonshëm

    Kaliumi është rregullatori kryesor i jetës brenda çdo qelize. Disbalanca e tij ndikon në sinjalet nervore, forca e muskujve, funksionimin e zemrës dhe trurin.

    Kujdesi për marrjen e mjaftueshme të kaliumit përmes ushqimit të shëndetshëm dhe stilit aktiv të jetës është një nga mënyrat më të thjeshta, por më të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit afatgjatë. /Telegrafi/

     

  • Pse shtojmë në peshë edhe kur hamë pak? Mjeku zbulon keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    Pse shtojmë në peshë edhe kur hamë pak? Mjeku zbulon keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    Si ta kuptoni nëse shtimi në peshë lidhet me metabolizmin apo me zakonet tuaja të përditshme

    Metabolizmi përfshin të gjitha proceset kimike që ndodhin në organizmin e gjallë për të ruajtur jetën dhe funksionimin e trupit. Këto procese përfshijnë shndërrimin e ushqimit në energji, rritjen dhe rigjenerimin e qelizave.

    Një shtesë e vogël në peshë është pothuajse e pashmangshme në moshën e mesme. Shpesh themi: “Pothuajse nuk ha asgjë, por prapë shtoj në peshë”, duke ia hedhur fajin metabolizmit. Ekspertët theksojnë se kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Metabolizmi nuk “rrënohet” domosdoshmërisht me moshën; ai mbetet stabil për dekada dhe vetëm pak ngadalësohet pas të 60-tave. Plakja ndikon në metabolizëm, por mënyra e jetesës luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e peshës trupore.

    Çfarë është metabolizmi?

    Metabolizmi ngadalësohet me kalimin e moshës, por nuk është arsyeja e vetme për shtimin në peshë.

    – Metabolizmi përfshin të gjitha proceset kimike në organizmin e gjallë që sigurojnë funksionimin e jetës dhe trupit. Këtu hyjnë shndërrimi i ushqimit në energji, rritja, rigjenerimi i qelizave dhe mbështetja e punës së organeve. Shkalla metabolike është sasia e energjisë që trupi përdor për të mbajtur këto procese jetike, shpjegon dr. Matyas Fehervari, kirurg bariatrik në “Nuffield Health”.

    Edhe kur jemi në pushim, trupi vazhdon të punojë për ta mbajtur zemrën në rrahje, mushkëritë në frymëmarrje dhe trurin aktiv. Ky proces quhet shkalla bazale e metabolizmit (BMR), transmeton Telegrafi.

    Keqkuptimet më të zakonshme rreth metabolizmit

    – Një nga mitet më të mëdha është se personat me “metabolizëm të mirë ose të shpejtë” mund të hanë gjithçka pa u shëndoshur. Në realitet, dallimet mes njerëzve me metabolizëm të shpejtë dhe atyre me të ngadaltë janë të vogla, thekson dr. Fehervari.

    Një tjetër keqkuptim është se metabolizmi është faktori i vetëm që përcakton peshën trupore.

    – Pesha trupore rregullohet nga një rrjet faktorësh kompleksë që nuk lidhen vetëm me djegien e kalorive. Janë të rëndësishme cilësia e ushqimit, masa muskulore, gjumi, aktiviteti fizik dhe mekanizmat fiziologjikë më të thellë, si ndryshimet në rrjedhën e tëmthit, përshtatja e funksionit dhe madhësisë së stomakut, sinjalet nervore dhe rregullimi i hormoneve të zorrëve që ndikojnë në tretje dhe funksionin e tyre, sqaron mjeku.

    Flora e zorrëve gjithashtu ka rol thelbësor, pasi ndikon në efikasitetin e përthithjes së energjisë nga ushqimi, në sekretimin e acideve biliare dhe në funksionimin e përgjithshëm të metabolizmit.

    Si ndryshon metabolizmi me moshën?

    Metabolizmi nuk bie në mënyrë të drejtvizore, shpjegon dr. Fehervari. Një studim i madh i botuar në revistën Science në vitin 2021, që përfshiu mbi 6.000 persona, tregoi se konsumi i energjisë është më i lartë në fëmijërinë e hershme dhe bie gradualisht deri në moshën 20-vjeçare.

    – Nga mosha 20 deri në 60 vjeç, shkalla metabolike mbetet habitshëm e qëndrueshme, sepse përshtatet me përmasat dhe përbërjen e trupit. Pas të 60-tave, vërehet një rënie e ngadaltë, por e dukshme, shpjegon mjeku.

    Pas kësaj moshe, ajo bie mesatarisht me 0,7% në vit. Shkaqet kryesore janë humbja e masës muskulore (sarkopenia), ulja e aktivitetit fizik dhe ndryshimet hormonale, si rënia e niveleve të hormonit të rritjes dhe atyre seksualë. Edhe mitokondritë, “fabrikat e energjisë” të qelizave, bëhen më pak efikase me vite. Trupi nuk “harron” si të djegë energjinë, thjesht e bën këtë më ngadalë, saktëson dr. Fehervari.

    Si ndikon mënyra e jetesës në metabolizëm

    Disa zakone jetese mund ta forcojnë ose ngadalësojnë funksionin metabolik:

    Mungesa e masës muskulore ose pasiviteti çojnë në djegie më të ulët të energjisë, pasi muskujt përdorin më shumë kalori se yndyra edhe në pushim.
    Dietat ekstreme me kufizim të rreptë kalorish mund të ngadalësojnë përkohësisht metabolizmin.
    Gjumi i dobët ndikon te hormonet leptin (ndjenjë ngopjeje) dhe grelin (ndjenjë urie).
    Stresi kronik rrit nivelin e kortizolit, duke nxitur grumbullimin e yndyrës.
    Duhani dhe alkooli i tepërt dëmtojnë metabolizmin qelizor dhe ekuilibrin hormonal, thekson dr. Fehervari.
    A mund të “përshpejtojmë” metabolizmin?

    Nuk ekziston ndonjë “pilulë magjike” apo metodë e shpejtë, paralajmëron mjeku. Edhe pse pas aktivitetit fizik apo konsumimit të kafeinës rritet përkohësisht djegia e energjisë, këto efekte janë të kufizuara

    – Mënyra më e sigurt dhe e provuar shkencërisht për të ruajtur metabolizmin aktiv është ruajtja e masës muskulore dhe aktiviteti fizik gjatë gjithë jetës, thekson dr. Fehervari.

    Si ta mbajmë metabolizmin aktiv edhe në moshë të thyer?

    Rekomandimi është të qëndrojmë fizikisht aktivë. Kombinimi i ushtrimeve aerobike (si ecja e shpejtë apo çiklizmi) me stërvitjet e forcës ndihmon në ruajtjen e muskujve. Është thelbësor përfshirja e proteinave të mjaftueshme në dietë, sidomos në moshën e shtyrë, pasi ato rigjenerojnë muskujt dhe parandalojnë sarkopeninë.

    Këshilla e dr. Fehervarit është e qartë: “Shmangni dietat ekstreme, flini mjaftueshëm dhe menaxhoni stresin – kështu do ta mbani metabolizmin tuaj të shëndetshëm sa më gjatë.” /Telegrafi/

     

  • Kruarje, djersitje dhe lodhje – sëmundje e rrallë e gjakut që kërkon trajtim të hershëm dhe terapi inovative

    Kruarje, djersitje dhe lodhje – sëmundje e rrallë e gjakut që kërkon trajtim të hershëm dhe terapi inovative

    Policitemia vera, “sëmundja e gjakut të dendur” që kërkon zbulim të hershëm dhe terapi të avancuar për të parandaluar komplikacionet serioze

    Terapia bashkëkohore ul rrezikun e përparimit të sëmundjes dhe mundëson jetëgjatësi më të madhe për pacientët, shkruan European Hematology Association dhe konstatojnë hematologët që merren me trajtimin e policitemisë vera, një sëmundje e rrallë, por e menaxhueshme, e palcës kockore.

    Çfarë është policitemia vera?

    Policitemia vera (PV) është një sëmundje malinje kronike hematologjike që karakterizohet nga prodhimi i shtuar i qelizave të kuqe të gjakut në palcën kockore.

    Sipas Mayo Clinic dhe Cleveland Clinic, kjo gjendje bën që gjakut t’i rritet viskoziteti (trashësia), duke e bërë më të vështirë qarkullimin, sidomos në enët e vogla të gjakut, gjë që rrit rrezikun për formim të trombeve (mpiksje gjaku).

    Shkaku kryesor është mutacioni i fituar në gjenin JAK2 (V617F), i cili aktivizon në mënyrë të pakontrolluar ndarjen e qelizave në palcën kockore. Kjo është mutacion i fituar, jo i trashëguar – pra, nuk kalon në mënyrë direkte te pasardhësit, transmeton Telegrafi.

    Simptomat: shpesh shfaqen vite para diagnozës

    Mjekët vërejnë se shenjat paralajmëruese mund të shfaqen disa vite përpara vendosjes së diagnozës. Sipas Leukemia & Lymphoma Society, simptomat më të zakonshme përfshijnë:

    Lodhje kronike, ndjenjë e përgjithshme dobësie;
    Kruarje e trupit (sidomos pas dushit të ngrohtë), për shkak të çlirimit të histaminës;
    Djersitje natën, ndonjëherë e shoqëruar me humbje peshe;
    Dhimbje koke, marramendje dhe ndjesi shpimi në gishta;
    Ndjesi presioni ose dhimbjeje në pjesën e majtë të barkut, që vjen si pasojë e zmadhrimit të shpretkës (splenomegalisë).
    Këto simptoma ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe, sipas studimeve të publikuara në Blood Advances, pacientët me PV kanë jetëgjatësi më të shkurtër mesatare krahasuar me popullatën e përgjithshme në të njëjtën grupmoshë, nëse sëmundja nuk trajtohet siç duhet.

    Rreziqet: tromboza dhe transformimi në sëmundje më të rënda

    Policitemia vera i përket grupit të neoplazmave mieloproliferative (MPN), sëmundje të palcës kockore me rritje të tepërt të qelizave të gjakut. Rreziku më i madh është tromboza (formimi i mpiksjeve), që mund të çojë në goditje cerebrale, infarkt të miokardit ose trombozë të venave të thella.

    Në disa raste, sëmundja mund të transformohet në mielofibrozë, një formë më agresive e kancerit të gjakut, ku indet e palcës kockore zëvendësohen me fibrozë, duke penguar prodhimin normal të qelizave të gjakut.

    Sipas American Society of Hematology, rreth 1 në 4 pacientë me policitemi vera zhvillon mielofibrozë brenda 15-20 viteve nga diagnoza, sidomos nëse sëmundja nuk trajtohet me terapi të përshtatshme.

    Diagnoza dhe trajtimi

    Diagnoza konfirmohet me analiza laboratorike të gjakut, biopsi të palcës kockore dhe testim gjenetik për mutacionin JAK2.

    Trajtimi standard përfshin:

    Flebotomi (heqje gjaku): hiqen 300–400 ml gjak për të ulur hematokritin dhe për të parandaluar mpiksjet;
    Hidroksiurea (citostatik): redukton prodhimin e qelizave të gjakut;
    Aspirin në doza të ulëta për profilaksë kundër trombozës;
    Kontroll të faktorëve kardiovaskularë të rrezikut, si tensioni i lartë, kolesteroli dhe ndalimi i duhanit.
    Terapitë inovative

    Sipas raporteve të European Medicines Agency (EMA) dhe FDA, përdorimi i inhibitorëve të JAK2 (si ruxolitinibi) ka ndryshuar ndjeshëm ecurinë e sëmundjes, sidomos te pacientët që nuk reagojnë mirë ndaj hidroksiuresë.

    Këto barna:

    Ulin madhësinë e shpretkës,
    Zbutin simptomat sistemike (kruarje, lodhje, etj.),
    Ulin rrezikun e transformimit në mielofibrozë,
    Zgjatin jetën mesatare të pacientëve.
    Në disa qendra të Evropës Perëndimore dhe SHBA, po testohen gjithashtu kombinime të reja terapish (p.sh. ropeginterferon alfa-2b) që synojnë modifikimin e rrënjës së sëmundjes në nivel qelizor, jo vetëm simptomat e saj.

    Rëndësia e diagnozës së hershme dhe mbështetjes afatgjatë

    Hematologët theksojnë se zbulimi i hershëm dhe trajtimi i personalizuar janë kyç për të parandaluar komplikacionet serioze.

    “Sa më herët të identifikohet policitemia vera, aq më e madhe është mundësia që pacienti të jetojë gjatë dhe me cilësi të mirë jete”, konstaton prof. dr. Heinz Gisslinger nga Universiteti i Vjenës, një nga ekspertët kryesorë për sëmundjet mieloproliferative.

    Shoqatat e pacientëve, po theksojnë gjithashtu nevojën për qasje ndaj terapive të reja dhe përfshirje të mbështetjes psikologjike dhe sociale në kujdesin afatgjatë të pacientëve.

    Përfundim

    Policitemia vera është një sëmundje kronike, por e menaxhueshme e palcës kockore.
    Me diagnostikim të hershëm, monitorim të kujdesshëm hematologjik dhe terapi moderne, mund të sigurohet një jetë e gjatë dhe aktive për shumicën e pacientëve.

    Sipas Journal of Clinical Oncology, trajtim i individualizuar dhe qasje multidisiplinare janë faktorët që sot bëjnë dallimin ndërmjet një sëmundjeje të rrezikshme dhe një gjendjeje të kontrolluar me sukses. /Telegrafi/

  • Mikrovala plot yndyrë? Mënyra më e thjeshtë për të pastruar mikrovalën pa detergjentë të dëmshëm

    Mikrovala plot yndyrë? Mënyra më e thjeshtë për të pastruar mikrovalën pa detergjentë të dëmshëm

    Yndyra në mikrovalën tuaj nuk është vetëm një problem estetik, ajo mund të mbajë aroma të pakëndshme dhe të ndikojë në ngrohjen e njëtrajtshme të ushqimit.

    Për fat të mirë, ekziston një mënyrë e thjeshtë dhe natyrale për ta pastruar mikrovalën tuaj shpejt dhe në mënyrë efektive.

    Gjithçka që ju nevojitet është një limon dhe ujë. Mbushni një enë me ujë dhe shtoni limonin e shtrydhur dhe mbetjet e tij në ujë.

    Vendoseni enën në mikrovalë dhe ndizeni në fuqi të lartë për disa minuta, derisa uji të vlojë dhe të krijojë avull. Ky avull zbut yndyrën në muret e pajisjes, duke i bërë ato shumë më të lehta për t’u fshirë.

    Pasi mikrovala të ketë mbaruar gatimin, lëreni derën të mbyllur për disa minuta të tjera që avulli të bëjë punën e vet. Pastaj hiqeni me kujdes enën dhe fshijeni pjesën e brendshme të mikrovalës me një leckë mikrofibre ose sfungjer të butë. Yndyra duhet të hiqet lehtë, pa fërkim ose kimikate të ashpra.

    Nëse ende nuk mund ta hiqni lehtë yndyrën, mund të bëni një pastë me sodë buke dhe ujë, ta aplikoni në njollë, ta lini për disa minuta dhe pastaj ta fshini.

    Pas një pastrimi të plotë, mirëmbajtja e rregullt është gjithashtu e rëndësishme gjatë çdo ngrohjeje të zgjatur të ushqimit. Në këtë drejtim, fshijeni pjesën e brendshme të mikrovalës për të parandaluar grumbullimin e yndyrës.

    Përdorni një kapak ose një enë të përshtatshme për të parandaluar spërkatjen e yndyrës në mure. Lëreni derën e mikrovalës hapur herë pas here pas pastrimit për të shmangur aromat e pakëndshme.

  • Hetohen dy vdekje të dyshimta në Prishtinë dhe Gjakovë

    Hetohen dy vdekje të dyshimta në Prishtinë dhe Gjakovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton dy raste vdekjesh që kanë ndodhur të hënën në qytetet e Prishtinës dhe Gjakovës.

    Sipas raportit zyrtar, rasti i parë është regjistruar në Prishtinë, rreth orës 14:40, ku një grua kosovare ka humbur jetën pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

    “Është raportuar se viktimës femër kosovare, pasi i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, është ftuar ambulanca, e cila e ka dërguar në QKUK, ku më pas ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion,” thuhet në raportin e policisë.

    Ndërkohë, një tjetër rast i ngjashëm është raportuar në Gjakovë, rreth orës 15:00, ku një burrë kosovar ka ndërruar jetë në spitalin rajonal. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e të dyja vdekjeve.

  • Dy persona lëndohen rëndë nga një sulm me thikë në Suharekë – i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Dy persona lëndohen rëndë nga një sulm me thikë në Suharekë – i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Dy persona kanë mbetur të lënduar rëndë pas një sulmi me thikë që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Suharekë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 19:00, në rrugën “Brigada 123”.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari – një mashkull kosovar – është arrestuar menjëherë pas ngjarjes. Ai dyshohet se ka sulmuar me thikë dy meshkuj kosovarë, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Rr. Brigada 123, Suharekë / 03.11.2025 – 19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se ka sulmuar me thikë dy meshkuj kosovarë. Viktimat kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

  • Kos: Shqipëria, me progres të dalluar në procesin e integrimit

    Kos: Shqipëria, me progres të dalluar në procesin e integrimit

    Një ditë përpara se të publikojë raportet e zgjerimit për shtetet kandidate për anëtarësimin në BE, komisionerja Marta Kos veçoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi me reformat e integrimit.

    Ajo e konsideroi Shqipërinë si një nxënëse të dalluar në raport me përmbushjen e detyrimeve ndaj Brukselit.

    “Të martën do të raportojmë mbi progresin që kemi arritur gjatë vitit të kaluar me shtetet kandidate në procesin e zgjerimit të BE-së. Dy shtete dallohen në këtë proces, Mali i Zi dhe Shqipëria. Ato kanë realizuar përparim të suksesshëm me reformat e integrimit. Ne kemi hapur dhe mbyllur më shumë kapituj brenda një viti me këto dy shtete sesa gjatë 15 viteve të fundit”.

    “Këto dy vende të vogla, Mali i Zi me 600,000 banorë dhe Shqipëria me 2.5 milionë, janë duke përparuar drejt anëtarësimit në familjen tonë evropiane. Të dyja këto shtete kanë vendosur afate konkrete me data ambicioze për të mbyllur negociatat. Kjo e bën vitin e ardhshëm një moment të së vërtetës për to, veçanërisht për realizimin e reformave themelore, sidomos në funksionimin e shtetit ligjor”, tha Kos.

    Nga leximi paraprak që i është bërë progresraportit vjetor për Shqipërinë, nënvizohet roli i SPAK-ut në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta politike, ku kërkohen dënime të formës së prerë.

    Një vend të veçantë zë sekuestrimi i pasurive që rrjedhin nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Bëhet thirrje sërish për vijimin e dialogut politik për përmirësimin e procesit zgjedhor nëpërmjet reformës së re zgjedhore.

  • Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen tre persona

    Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen tre persona

    Tre persona janë arrestuar për një tentim vrasje në Podujevë, ditën e djeshme.

    Viktima dyshohet se është sulmuar me thikë. I njëjti është dërguar në QKUK për tretman të mjekësor, bën të ditur Policia e Kosovës.

    Në këtë rast janë arrestuar tre persona, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy mjete të mprehta –thika. Dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    VRASJE NË TENTATIVË /ARMËMBAJTJE PA LEJE

    Podujevë / 03.11.2025 – 14:35. Është pranuar një informatë për përleshje mes disa personave. Në vendin e ngjarjes është hasur viktima mashkull kosovar i lënduar, i cili dyshohet se është lënduar me një mjet i mprehtë-thikë, dhe i njëjti është dërguar në QKUK për tretman të mjekësor. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, ku gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dy mjete të mprehta –thika. Me vendim të prokurorit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.