ATV

Blog

  • Numri i viktimave nga zjarri në Tuzlla rritet në 13

    Numri i viktimave nga zjarri në Tuzlla rritet në 13

    Në Qendrën Klinike të Tuzllës të enjten në mbrëmje ka ndërruar jetë një person tjetër, duke e çuar numrin e të vdekurve nga zjarri që më 4 nëntor kaploi shtëpinë e pleqve në Tuzlla në 13.

    Kjo u bë e ditur të premten mëngjesin e 7 nëntorit nga ky institucion shëndetësor.

    Sipas rezultateve preliminare të autopsive të kryera deri më tani, të cilat mjekët ia kanë komunikuar gojarisht Prokurorisë, 11 persona kanë vdekur si pasojë e mbytjes, pra helmimit nga monoksidi i karbonit.

    Nga Prokuroria e Kantonit të Tuzllës u bë e ditur më 6 nëntor se hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe se ky institucion do t’i dorëzojë raportet në periudhën e ardhshme Sektorit të Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij kantoni.

    “Rreth shkaqeve të zjarrit do të informojmë publikun pasi të analizohen raportet dhe gjetjet e ekspertëve dhe hetuesve”, tha prokuroria në këtë katon.

    Në Tuzlla janë shpallur katër ditë zie.Drejtori i shtëpisë së pleqve në Tuzlla, Mirsad Bakalloviq, dha dorëheqjen më 5 nëntor.

    Ky institucion financon vetë veprimtarinë nga të ardhurat që siguron dhe, sipas deklaratës së drejtorit dhënë për N1 në janar, shtëpia e pleqve nuk merr para nga asnjë buxhet.

    Qyteti i Tuzllës është pronar i ndërtesës së shtëpisë së pleqve dhe emëron menaxhmentin, por nuk ka subvencione ose fonde nga buxheti.

    Kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiq, premtoi ndihmën e Qeverisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për kujdesin e personave të vendosur në shtëpinë e pleqve./REL/

  • Skandal në “Miss Universe” – Konkurentet braktisin garën pas fyerjes ndaj ”Miss Meksikës”

    Skandal në “Miss Universe” – Konkurentet braktisin garën pas fyerjes ndaj ”Miss Meksikës”

    Një situatë e tensionuar ka shpërthyer në konkursin ndërkombëtar të bukurisë “Miss Universe 2025”, pasi disa konkurrente kanë vendosur të largohen nga gara në shenjë proteste ndaj ofendimeve që iu bënë përfaqësueses së Meksikës, Fátima Bosch.

    Incidenti ndodhi gjatë një aktiviteti promovues, ku drejtori ekzekutiv i organizatës, Nawat Itsaragrisil, e quajti publikisht Miss Meksikën “budallaqe”  për shkak të mospjesëmarrjes së saj në disa aktivitete të organizuara nga stafi.

    Deklarata fyese shkaktoi reagime të forta si brenda sallës ashtu edhe në rrjetet sociale, duke detyruar Bosch të largohej menjëherë nga eventi. Pas saj, disa konkurrente të tjera nga vende të ndryshme vendosën të braktisnin garën në solidaritet.

    Pas valës së kritikave në internet, Itsaragrisil kërkoi falje publikisht, duke pranuar se kishte gabuar në mënyrën e komunikimit. Megjithatë, dëmi tashmë ishte bërë: shumë prej pjesëmarrëseve dhe ish-fituesve e kanë dënuar sjelljen e tij, duke kërkuar transparencë dhe respekt më të madh ndaj konkurrenteve.

    Skandali ka shkaktuar reagime të shumta në mediat ndërkombëtare dhe ka vënë në pikëpyetje imazhin e konkursit “Miss Universe”, një prej eventeve më të njohura të bukurisë në botë.

  • Princesha Eugenie shfaqet për herë të parë publikisht pas heqjes së titujve mbretërorë të Princit Andrew

    Princesha Eugenie shfaqet për herë të parë publikisht pas heqjes së titujve mbretërorë të Princit Andrew

    Princesha Eugenie ka bërë paraqitjen e saj të parë publike që prej se babai i saj, Princi Andrew, u privua nga të gjithë titujt dhe nderimet mbretërore dhe prania e saj ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat britanike.

    Eugenie, 35 vjeç, u pa të martën në West London së bashku me bashkëshortin e saj, Jack Brooksbank. Çifti zgjodhi një dalje të thjeshtë dhe pa bujë: ajo kishte veshur xhinse të zeza, çizme kadifeje dhe një bluzë minimaliste, ndërsa Jack mbante një kapuç sportiv “Las Vegas Raiders”.

    Dalja e saj vjen vetëm disa ditë pas njoftimit nga Pallati Buckingham se Princi Andrew do të largohej nga Royal Lodge dhe do të hiqte dorë nga të gjithë titujt zyrtarë, pas lidhjeve të tij me famkeqin Jeffrey Epstein.

    Megjithëse as Eugenie dhe as motra e saj Beatrice nuk kanë komentuar publikisht për skandalin, praqitja e fundit shihet si një përpjekje për të treguar qetësi dhe normalitet në mes të krizës familjare. Sipas burimeve pranë pallatit, Mbreti Charles III synon të mbrojë vajzat e Andrew-t nga ndikimet e këtij vendimi, duke u siguruar që ato të ruajnë rolin e tyre publik.

    Për Eugenie, e cila është nënë e dy fëmijëve dhe përpiqet të balancojë jetën private me angazhimet publike, kjo paraqitje simbolizon qetësinë dhe forcën në mes të turbulencave mbretërore. Ndërsa babai i saj përballet me pasojat, princesha duket e vendosur të vazhdojë jetën sipas rregullave të saj, me dinjitet dhe pa bujë.

  • Publikohet lista e Shqipërisë për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë

    Publikohet lista e Shqipërisë për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë

    Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë Silvinjo ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Andorrës dhe Anglisë.

    Tekniku kuqezi ka përzgjedhur 25 futbollistë.

    Lista e plotë:

    Portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni

    Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klisman Cake

    Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani

    Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku, Indrit Tuci

    Grumbullimi i Kombëtares nis të hënën, më 10 nëntor, në Barcelonë, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen ndaj Andorrës, e cila do të luhet më 13 nëntor në stadiumin “Estadi FAF Encamp”, në orën 20:45.

    Sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese do të zhvillohet më 16 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, ndaj Anglisë, në orën 18:00.

  • Millie Bobby Brown dhe David Harbour: Një premierë, një ribashkim dhe thashethemet që vazhdojnë

    Millie Bobby Brown dhe David Harbour: Një premierë, një ribashkim dhe thashethemet që vazhdojnë

    Në premierën madhështore të sezonit të pestë të “Stranger Things” në Los Anxhelos, atmosfera ishte menduar të ishte festë dhe spektakël. Por, në vend të kësaj, të gjithë sytë u përqendruan në një moment të vetëm: ribashkimin e Millie Bobby Brown dhe David Harbour, aktorëve për të cilët marrëdhënia jashtë ekranit ka qenë objekt i spekulimeve të shumta.

    Brown, 21 vjeç, dhe Harbour, 50, ecën së bashku në tapetin e kuq, u përshëndetën me përzemërsi, përqafuan njëri-tjetrin dhe qeshën bashkë, momente që dukeshin si dëshmi e një ngrohtësie profesionale në kontrast me titujt e zhurmshëm të javëve të fundit. Ngjarja shënoi një shfaqje publike të miqësisë në një kohë kur raportimet sugjeronin një histori krejt tjetër pas kamerave.

    Në javët e fundit, disa media kanë raportuar se Brown ka paraqitur një ankesë formale për ngacmim dhe bullizëm ndaj Harbour, përpara xhirimeve të sezonit final. Sipas burimeve, ankesa përfshinte “faqe të tëra me akuza” dhe shkaktoi një hetim të brendshëm brenda produksionit. Për më tepër, jeta personale e Harbour ndarja nga këngëtarja Lily Allen dhe akuzat për tradhti, krijuan një sfond tensioni ndërsa shfaqja më e madhe e Netflix-it i afrohej fundit të saj.

    Megjithatë, në tapetin e kuq, asgjë nga këto nuk u pa. Të dy pozuan me lehtësi, buzëqeshën gjerë dhe dukeshin të bashkuar përpara fotografëve dhe fansave. Siç shkruante një editorial, “ribashkimi i papritur në tapetin e kuq … i habiti shumë vëzhgues për sa miqësorë dukeshin të dy.” Për Brown, e veshur me një fustan me dantella dhe pupla, momenti kishte peshë të veçantë, si një urë midis një marrëdhënieje që dikur përshkruhej si “si babë e bijë” dhe detyrimit formal të yjeve të Hollywood-it për të shfaqur unitet.

    Çfarë mund të nxjerrim nga ky moment? Në një nivel, mund të jetë thjesht një gjest profesional: dy aktorë që promovojnë sezonin e fundit të një serie që kanë mbajtur gjallë për gati një dekadë. Në një tjetër, ai ngre pyetje të rëndësishme: nëse akuzat janë të vërteta, çfarë nënkupton kjo pamje miqësore për situatën pas dyerve të mbyllura? Komentet e fansave variojnë nga optimizëm i kujdesshëm deri te skepticizëm i hapur, a ishte ky ribashkim sinjal i një pajtimi të sinqertë apo një skenë e kuruar me kujdes për publikun?

    As Brown, as Harbour, dhe as Netflix nuk kanë komentuar publikisht për akuzat, duke e lënë fushën e interpretimeve plotësisht të hapur. Me premierën e sezonit final të “Stranger Things” që po afron, momenti i sotëm mund të mbajë më shumë domethënie sesa një foto e zakonshme në tapetin e kuq, ndoshta një simbol i asaj që vjen: pajtim, trashëgimi, ose ndoshta pyetje që do të mbeten pa përgjigje.

    Vetëm koha do të tregojë nëse ky moment do të shihet si një ribashkim i vërtetë apo një fasadë e kujdesshme për publikun.

  • Mos përdorni kurrë uthull të bardhë në këto tre sipërfaqe të shtëpisë, rrezikoni dëmtime serioze

    Mos përdorni kurrë uthull të bardhë në këto tre sipërfaqe të shtëpisë, rrezikoni dëmtime serioze

    Uthulla e bardhë është një produkt shumëpërdorimësh që mund të shërbejë për shumë gjëra – nga ndihma në zierjen e vezëve, deri te heqja e njollave nga rrobat.

    Prej brezash, uthulla është cilësuar si një nga produktet natyrale më të mira për pastrim, falë përmbajtjes acidike që ndihmon në heqjen e papastërtive dhe neutralizimin e aromave të këqija.

    Në rrjete sociale, shumë faqe për truket e pastrimit e paraqesin uthullën e bardhë si zgjidhjen e mrekullueshme për çdo njollë apo erë në shtëpi. Por sipas një eksperteje të pastrimit, kjo nuk është plotësisht e vërtetë.

    Në fakt, ekzistojnë tre vende në shtëpi ku nuk duhet kurrë të përdorni uthullën e bardhë.

    Ekspertja e higjienës personale dhe shtëpiake, Madame Sweat, ndau një video në Instagram ku shpjegoi se nëse keni disa elemente të caktuara në shtëpi, nuk duhet t’i pastroni me uthull.

    Ajo tha:

    “Jam eksperte e higjienës personale, por dua t’ju ndihmoj edhe me higjienën e shtëpisë. Ja tre vende që nuk duhet t’i pastroni me uthull”.

    Gurët natyralë

    Nëse keni banakë, tavolina apo mobilje prej guri natyral, mos i pastroni me uthull – as të holluar.

    Madame Sweat këshillon: “Mos përdorni kurrë, as uthull të holluar, mbi gurin natyral. Është shumë acidike”.

    Në vend të saj, ajo sugjeron të përdorni pak detergjent enësh të holluar me ujë dhe një leckë të butë për të pastruar njollat apo derdhjet.

    Dyshemetë prej druri

    Dyshemetë prej druri janë shumë të bukura, por uthulla mund t’i dëmtojë. Ekspertja paralajmëron se uthulla mund të “heqë shtresën mbrojtëse” dhe ta shtrembërojë drurin.

    Pjesët prej gome

    Së fundi, Madame Sweat këshillon të mos përdorni uthull të bardhë në pjesët prej gome – siç janë vulat e lavatriçes apo të pjatalarëses, edhe pse ajo shpesh përmendet si zgjidhje kundër mykut.

    Ajo shpjegon: “Uthulla mund ta konsumojë dhe dëmtojë gradualisht gomën. Nëse doni të hiqni aromat e këqija, përdorni sodë buke”.

    Uthulla e bardhë përmendet shpesh edhe për neutralizimin e aromave në peshqirë, rroba sportive apo veshje të tjera. Në këto raste, mund ta përdorni në lavatriçe, por derdhni uthullën në ndarjen e detergjentit, në mënyrë që të mos prekë gomën rreth derës.

  • “Në emër të drejtësisë…”- Rugovasi marshon me skelet mbi kurriz kundër padrejtësive

    “Në emër të drejtësisë…”- Rugovasi marshon me skelet mbi kurriz kundër padrejtësive

    Besnik Lajçi, një banor i fshatit Drelaj në Rugovë, ka ndërmarrë një akt simbolik proteste, duke marshuar për 4 orë në një distancë prej rreth 29 kilometrash për të denoncuar padrejtësitë dhe shkatërrimin e mjedisit në këtë zonë të njohur.

    Me një “skelet” mbi kurriz, Lajçi ka kërkuar që të tërhiqet vëmendja ndaj gjendjes së rëndë të Rugovës, e cila sipas tij është shndërruar në një “skelet” të vërtetë. Ai ka akuzuar autoritetet për mbylljen e shkollave, ndotjen e Lumbardhit, shkatërrimin e maleve dhe ambientit, si dhe dhënien e tokës për interesa të paligjshme në Mal të Zi.

    Në një lidhje direkte me emisionin “Compass” në ATV, Lajçi ka theksuar se “Rugova është shkatërruar, ndotja është e përhapur, dhe e gjithë kjo është bërë për interesa që nuk kanë asnjë lidhje me mirëqenien e banorëve të kësaj zone.”

    Marshi i tij simbolik është ndjekur nga policia, që ka siguruar rrethinën gjatë kalimit të tij. Lajçi ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente për të shpëtuar Rugovën nga shkatërrimi i mëtejshëm dhe ka kërkuar një mbështetje të fortë nga institucionet shtetërore dhe të tjera.

    Për më shumë ndiqni videon e plotë në linkun e mëposhtëm: 

  • Vrasja në Malishevë: I dyshuari për krimin dërgohet në Klinikën Emergjente

    Vrasja në Malishevë: I dyshuari për krimin dërgohet në Klinikën Emergjente

    Astrit Isufi i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve Driton dhe Naim Morina para shtëpisë së tyre në Golluboc të Malishevës pas arrestimit që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit është sjell në Klinikën Emergjente në QKUK, për të marrë trajtim mjekësor për plagët e marra e që dyshohet se janë nga armë zjarri.

    Sipas Policisë së Kosovës i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë është gjetur në fshatin Pllaqicë dhe më pas është arrestuar.

    “Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar.

    Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor. Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër dhe po udhëhiqen në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Dje në fshatin Gullboc të Malishevës dy vëllezër u vranë nga dhëndri i tyre para shtëpisë së tyre. I dyshuari pasi shtiu për vrasje në drejtim të dy vëllezërve iku nga vendi i ngjarjes.

  • Lëndohet në vendin e punës një person në Varosh të Ferizajt

    Lëndohet në vendin e punës një person në Varosh të Ferizajt

    Një person ka pësuar lëndime trupore gjatë punës në vendin e tij, të enjten, në fshatin Varosh të Ferizajt.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, viktima ka marrë tretman mjekësor.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitë përkatëse.

  • Arrestohet në Ferizaj shtetasja serbe që plagosi me thikë të dashurin pas një zënke

    Arrestohet në Ferizaj shtetasja serbe që plagosi me thikë të dashurin pas një zënke

    Një shtetase e Serbisë është arrestuar të enjten në Ferizaj, pasi dyshohet se e ka goditur me thikë të dashurin e saj.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se dyshohet se therja me thikë ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarës dhe të dashurit të saj.

    Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.