ATV

Blog

  • Zyrtare: Raffaele Palladino është trajneri i ri i Atalantës

    Zyrtare: Raffaele Palladino është trajneri i ri i Atalantës

    Klubi italian, Atalanta BC ka njoftuar se posti i trajnerit i është besuar Raffaele Palladinos, 41 vjeç.

    Tekniku italian ka nënshkruar një kontratë me klubin bergamesk që do ta mbajë në stolin e tyre deri më 30 qershor 2027.

    Palladino, i cili më parë ka drejtuar Monzën dhe Fiorentinën, ka arritur rezultate të rëndësishme, përfshirë gjysmëfinalen e Ligës së Konferencës UEFA 2024/2025.

    Kujtojmë se Atalanta konfirmoi largimin e Ivan Juric të hënën dhe tani ka emëruar ish-taktikun e Fiorentinës.

    Debutimi i Palladinos me Atalantën do të jetë në ndeshjen në transfertë ndaj Napolit pas pushimit ndërkombëtar. /ATVLIVE.TV

  • 10 shprehje që i përdorim çdo ditë, por s’e dimë prej nga vijnë

    10 shprehje që i përdorim çdo ditë, por s’e dimë prej nga vijnë

    Në të folmen tonë të përditshme ka shumë fjalë e shprehje që i përdorim pa mendu shumë, por nëse ndalemi pak, e kuptojmë që secila ka një histori prapa. Disa kanë lindë nga zakonet e vjetra, disa janë huazime, e disa janë aq të lashta sa s’dimë kush i ka thanë i pari.

    Ja disa nga më interesantet:

    1. “E la në baltë”

    Kjo shprehje përdoret kur dikush të tradhton ose të lë në mes të punës. Dikur, rrugët në Kosovë ishin pa asfalt dhe baltë kishte gjithkah. Nëse ndonjë bashkudhëtar të linte vetëm në baltë do të thoshte që të kishte braktisë në vështirësi. Prandaj sot, “me ta lanë dikush baltën” do të thotë që t’ka kthy shpinën kur t’ke pasë nevojë ma së shumti.

    2. “Bëri bllof”

    “Bllofi” vjen nga lojërat me letra, si pokeri, ku lojtari shtiret sikur ka dorë të fortë për me mashtru të tjerët. Me kalimin e kohës, kjo fjalë ka mbetë në të folur si sinonim për dikë që dështoi me mashtru a me “u duk” diçka që s’është. Në gjuhën e përditshme, kur themi “e bani bllof”, mjafton me kuptu që e kapi realiteti.

    3. “Me sy mbyllë”

    Nëse dikush thotë “e boj me sy mbyllë”, nënkupton që e bën shumë lehtë, pa u mundu shumë. Por origjina e kësaj shprehje vjen prej kohës kur puna e mirë matej me besim: nëse e njihshe mirë punën, mund ta bëje edhe “me sy mbyllë”.

    4. “M’u bë zemra mal”

    Një ndër shprehjet më të bukura që kemi. Përdoret kur ndihesh krenar, i lumtun ose i gëzuar për dikë a diçka. “Mali” këtu simbolizon forcë e madhështi, pra zemra që të bëhet “mal” është zemër plot gëzim.

    5. “I doli boja”

    Në kohët e vjetra, letra dhe rrobat që ngjyroseshin me bojë zbeheshin me kalimin e kohës, dhe gjërat e fshehta dilnin në pah. Kështu, “i doli boja” u bë mënyrë popullore për me thanë “iu zbulua e vërteta” ose “u kuptu kush është në të vërtetë”.

    6. “E ka kap inati”

    Në Kosovë, fjala “inat” nuk është veç mllef është ajo ndjenja kur s’mundesh me e duru diçka që të ka pengu. Kjo shprehje lidhet me temperamentin tonë ballkanas: të kap inati, e s’mund ta fshehësh.

    7. “I mori era fjalët”

    Kjo shprehje, që duket poetike, përdoret për dikë që harron çka donte me thanë ose që s’ka ma çka shton. E ka origjinën nga idetë e vjetra se era mund “me marrë gjëra me vete”, madje edhe fjalët.

    8. “E ka pasë me hile”

    Një shprehje tipike për ne. Fjala “hile” vjen nga turqishtja e vjetër dhe nënkupton dredhi ose mashtrim të vogël. Kur themi “e ka pasë me hile”, nënkuptojmë që dikush s’e ka pasë qëllimin e mirë, edhe nëse e ka mbuluar me buzëqeshje.

    9. “I ra shkurt”

    Në të kaluarën, rrugët ishin të gjata e të lodhshme, dhe kush e njihte terrenin, e dinte “rrugën ma të shkurtë”. Kështu, me kohë, kjo u bë metaforë për dikë që s’e zgjat shumë me fjalë dhe shkon drejt e në thelb.

    10. “M’u sos durimi”

    Një nga shprehjet më të përdorura në Kosovë. Fjala “sos” është e vjetër dhe do të thotë “mbaroi” ose “u shterr”. Kur themi “m’u sos durimi”, nënkuptojmë që s’po kemi ma forcë me prit, situatë që s’ka nevojë për shumë shpjegim, se e ndjejmë krejt.

    Në fund, këto shprehje janë pjesë e identitetit tonë. I përdorim çdo ditë pa e ditë që secila prej tyre mban një copëz historie. Ajo që e bën gjuhën tonë të bukur është pikërisht kjo: fjalët që s’janë thjesht fjalë por kujtime, zakone dhe mënyra jete.

  • Orges Shehi drejt largimit nga Ballkani?

    Orges Shehi drejt largimit nga Ballkani?

    Udhëtimi i Orges Shehit me skuadrën e Ballkanit duket se do të zgjasë vetëm një vit.

    Edhe pse zyrtarizimi ende mungon, trajneri durrsak i ka njoftuar drejtuesit e klubit nga Suhareka, pak ditë para ndeshjes me Drenicën, se do të largohet nga ekipi pas përfundimit të fazës aktuale, në dhjetor të këtij viti.

    Shehi ka drejtuar Ballkanin në 34 ndeshje, me një bilanc prej 16 fitoreve, 11 barazimeve dhe 7 humbjeve. Megjithëse rezultatet kanë qenë të qëndrueshme, duket se trajneri nuk e ndien më veten në kushtet optimale për të vazhduar projektin me klubin që ka bërë histori në futbollin e Kosovës gjatë pesë viteve të fundit — sidomos me pjesëmarrjet historike në kupat e Europës nën
    drejtimin e Ilir Dajës.

    Ndërkohë, interesimi për Shehin është i madh. Tirana, Partizani dhe Teuta janë në pritje të një përgjigjeje nga ai për të përcaktuar të ardhmen e tyre në stol. /ATVLIVE.TV

  • Tuchel bën ndryshime – Dy fytyra të reja te “Tre Luanët” para përballjeve me Serbinë dhe Shqipërinë

    Tuchel bën ndryshime – Dy fytyra të reja te “Tre Luanët” para përballjeve me Serbinë dhe Shqipërinë

    Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka ftuar mbrojtësin e Chelseat, Trevoh Chalobah, dhe portierin e Manchester Cityt, James Trafford, për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës kundër Serbisë dhe Shqipërisë.

    Këto thirrje erdhën pas tërheqjes së Anthony Gordon (Newcastle United) për shkak dëmtimi dhe të Nick Pope, i cili vuan nga një tronditje në kokë.

    Chalobah, që debutoi me kombëtaren në qershor, mund të ketë një tjetër mundësi për të treguar veten, ndërsa mbrojtësi Marc Guehi mbetet në dyshim për shkak të një problemi në këmbë.

    Anglia e ka siguruar tashmë kualifikimin për Kampionatin Botëror 2026 si fituese e grupit, ndërsa sfida ndaj Shqipërisë, që do të luhet të dielën në Tiranë, pritet të jetë vendimtare për garën e vendit të dytë, ku po luftojnë Serbia dhe Shqipëria. /ATVLIVE.TV

  • Prokurori turk kërkon mbi 2 mijë vjet burg për kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu

    Prokurori turk kërkon mbi 2 mijë vjet burg për kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu

    Një prokuror turk ka kërkuar dënim me burgim prej më shumë se 2,000 vjetësh për kryetarin e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, për dyshimin se ka drejtuar një rrjet të gjerë korrupsioni që i ka kushtuar shtetit miliarda lira, sipas një aktakuze të parë nga Reuters.

    Imamoglu, i cili është rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij dhe ka thënë se ato janë të motivuara politikisht.

    Kryeprokurori i Stambollit, Akin Gurlek, bëri të ditur aktakuzën në një konferencë për shtyp të martën, duke thënë se ajo përmban 402 të dyshuar, përfshirë Imamoglun, dhe i akuzon ata për formimin e një organizate kriminale, ryshfet, mashtrim dhe manipulim ofertash.

    Gurlek tha se rrjeti i shkaktoi shtetit turk humbje prej 160 miliardë lirash, apo 3.8 miliardë dollarë, gjatë një periudhe 10-vjeçare.

    Aktakuza prej më shumë se 4,000 faqesh përfshin një tabelë organizative që e portretizon Imamoglun si themeluesin dhe kreun e grupit kriminal.

    Raporti citon gjetjet e Bordit të Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK), analizat e ekspertëve dhe provat dixhitale e video, dhe pretendon se disa biznesmenë u detyruan të paguanin ryshfete përmes një fondi sekret që vepronte brenda bashkisë.

    Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur akuzat përtej përmbajtjes së aktakuzës. Bashkia e Stambollit dhe avokatët e Imamoglut nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesave për koment.

    Kryebashkiaku ka qenë në burg që nga marsi, në pritje të gjyqit për akuza për korrupsion, dhe mori një dënim të veçantë me burgim në korrik për fyerje dhe kërcënim ndaj kryeprokurorit të qytetit, një vendim që ai po e apelon.

    Qeveria mohon pohimin e Imamoglut dhe Partisë së tij Republikane Popullore (CHP) se çështja kundër tij është e motivuar politikisht, dhe thekson se gjykatat e Turqisë janë të pavarura.

  • Edwards shpallet MVP i javës së pestë

    Edwards shpallet MVP i javës së pestë

    Tri ndeshje interesante u zhvilluan në javën e pestë të ProCredit Superligës në basketboll, duke dhuruar shumë emocione.

    Derbin e kësaj xhiro e fitoi GO+ Peja ndaj Sigal Prishtinës. Te pejanët u dallua Cesare Edwards me dyshifror të dyfishtë, 21 pikë, dhjetë kërcime, duke shtuar edhe tri asistime e një top të vjedhur. Edwards shpallet MVP i javës së pestë, hera e dytë në këtë edicion për të.

    Te verdhezinjtë Tajh Green kishte 20 pikë, tetë kërcime dhe dy asistime.

    Rahoveci 029 regjistroi fitoren e dytë në këtë edicion me triumf ndaj Vëllaznimit, ku te “Vreshtarët” u dallua Kentrell Pullian me 25 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime.

    Bashkimi shënoi fitoren e pestë në pesë ndeshje. Kësaj radhe fitoi ndaj Golden Eagle Yllit, ku u dalluan Dequon Lake me 12 pikë e 13 kërcime dhe Kyan Anderson me 16 pikë, katër kërcime dhe shtatë asistime.

    MVP

    Cesare Edwards (Peja) 21 pikë, 10 kërcime, 3 asistime, 25 indeksi

    Top 5

    Cesare Edwards (Peja) 21 pikë, 10 kërcime, 3 asistime, 25 indeksi

    Tajh Green (Peja) 20 pikë, 8 kërcime, 2 asistime, 21 indeksi

    Kentrell Pullian (Rahoveci 029) 25 pikë, 8 kërcime, 6 asistime, 29 indeksi

    Dequon Lake (Bashkimi) 12 pikë, 13 kërcime, / asistime, 20 indeksi

    Kyan Anderson (Bashkimi) 16 pikë, 4 kërcime, 7 asistime, 19 indeksi /ATVLIVE.TV

  • Kosova zhvillon seancën e dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”

    Kosova zhvillon seancën e dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”

    Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet vendimtare të këtij muaji kundër Sllovenisë dhe Zvicrës.

    Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, futbollistët dhanë maksimumin në fushë, ndërsa Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Elvis Rexhbeçaj dhe Muharrem Jashari zhvilluan një seancë rigjeneruese.

    Atmosfera në kampin e Dardanëve është shumë pozitive, ndërsa përkushtimi dhe energjia e lojtarëve janë në nivelin më të lartë. /ATVLIVE.TV

  • “Ftohen të gjithë shqiptarët të bashkohen”, veteranët bëhen gati për protestën në Strasburg

    “Ftohen të gjithë shqiptarët të bashkohen”, veteranët bëhen gati për protestën në Strasburg

    Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së ka mbledhur këshillin drejtues të saj rreth përgatitjeve për protestën e 16 nëntorit që mbahet në Strasburg.

    Përmes një njoftimi në Facebook, kjo organizatë fton të gjithë shqiptarët të bashkohen në të.

    “Ftohen të gjithë shqiptarët të bashkohen me ne në Strasburg, më 16 nëntor, ora 13:00, pranë selisë së Këshillit të Evropës, aty ku filloi padrejtësia ndaj UÇK-së dhe Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Protesta e Strasburgut në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së vjen pas atyre që u mbajtën në Prishtinë, Tiranë dhe Hagë.

  • Arrestohet një i mitur në Prishtinë, kërkohej për tentim vrasje

    Arrestohet një i mitur në Prishtinë, kërkohej për tentim vrasje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se është arrestuar një i mitur sot në Prishtinë, i cili ka qenë në kërkim për një rast të tentim vrasjes.

    Policia ka njoftuar edhe se i mituri është dërguar në qendrën e mbajtjes.

    Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë.

    Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, sot nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, është arrestuar personi i dyshuar:

    – M.G, mashkull, ( i mitur) shtetas i Republikës së Kosovës.

    I dyshuari ka qenë në kërkim nga ana e policisë, për një rast tentim vrasje që ka ndodhur me datën 04.11.2025, në rrugën “Mark Sopi“, në Prishtinë.

    Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftim.

  • Kontroversë mes Barcelonës dhe Spanjës për Lamine Yamal!

    Kontroversë mes Barcelonës dhe Spanjës për Lamine Yamal!

    Një situatë e pazakontë ka ndodhur mes Barcelonës dhe Kombëtares së Spanjës lidhur me futbollisten Lamine Yamal. Sipas Federatës Spanjolle, Barcelona i ka kryer Lamine Yamal një trajtim sekret me radiofrekuencë për shqetësime pubike pikërisht në ditën kur nisi grumbullimi i kombëtares, pa asnjë paralajmërim për stafin spanjoll.

    Trajneri i Spanjës, Luis De La Fuente, shprehu tronditjen e tij: “Jam në shok. Nuk kam parë kurrë një situatë të tillë në karrierën time. Nuk na dhanë asnjë informacion paraprak, dhe papritur na dërguan një mesazh për ta rikthyer Lamine.”

    Federata spanjolle theksoi se Barcelona nuk i kishte njoftuar për testet mjekësore të futbollistes, gjë që ka shkaktuar një reagim të ashpër dhe zemërim të madh në kampin e kombëtares.

    Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime serioze mbi komunikimin midis klubeve dhe federatave kombëtare, dhe pritet të sjellë diskutime të mëtejshme në ditët në vijim.