ATV

Blog

  • Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për nxitje të urrejtjes mes grupeve fetare në Facebook

    Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për nxitje të urrejtjes mes grupeve fetare në Facebook

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.K. për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Sipas aktakuzës, më 16 prill 2026, i pandehuri, përmes rrjetit social Facebook, dyshohet se me dashje ka ndërmarrë veprime me qëllim të nxitjes dhe përhapjes publike të urrejtjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve fetare.

    “Aktakuza pretendon se i pandehuri i I.K., përmes veprimeve të tij inkriminuese, ka përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke cenuar bashkëjetesën ndërfetare në Republikën e Kosovës dhe duke rrezikuar rendin dhe qetësinë publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Çështja penale do të shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila do të vendosë lidhur me akuzat e ngritura.

  • Komuna e Kamenicës ndan 13 pako “Baby Box” për familjet me foshnja të porsalindura

    Komuna e Kamenicës ndan 13 pako “Baby Box” për familjet me foshnja të porsalindura

    Komuna e Kamenicës ka vazhduar mbështetjen për familjet me foshnja të porsalindura, duke shpërndarë 13 pako “Baby Box” me vlerë të përgjithshme prej 4,452.50 euro.

    Sipas njoftimit të komunës, pakot janë ndarë nga nënkryetarja e Komunës, Arta Bajralija, në kuadër të programit të mbështetjes për familjet dhe të porsalindurit.

    Komuna bëri të ditur se secila pako përmban produkte cilësore dhe të nevojshme për nënën dhe foshnjën, të mjaftueshme për përdorim deri në moshën njëvjeçare të fëmijës.

    Gjatë ceremonisë së shpërndarjes, Bajralija uroi familjet për lindjen e 13 foshnjeve të të dy gjinive, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale në këtë periudhë.

    “Komuna mbetet e përkushtuar në mbështetjen e familjeve dhe mirëqenien e fëmijëve, duke vazhduar iniciativa që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, ka deklaruar nënkryetarja Bajralija.

    Sipas Komunës së Kamenicës, iniciativa “Baby Box” synon të lehtësojë kujdesin për foshnjat në vitin e parë të jetës dhe të ofrojë mbështetje konkrete për familjet në fazat e para pas lindjes së fëmijës.

  • Doli me Golf 3 nga shtëpia dhe s’u kthye më, raportohet i zhdukur një 55 vjeçar nga Gjakova

    Doli me Golf 3 nga shtëpia dhe s’u kthye më, raportohet i zhdukur një 55 vjeçar nga Gjakova

    Një 55-vjeçar nga Gjakova është raportuar i zhdukur, ndërsa familjarët kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për të siguruar informacione që mund të çojnë në gjetjen e tij.

    Bëhet e ditur se Shani Krasniqi është larguar nga shtëpia dje rreth orës 09:00, me një veturë të tipit Golf 3, me ngjyrë të kaltër, dhe nuk është kthyer më.

    Sipas familjarëve, ai është larguar pa telefon, dokumente personale dhe para.

    Rasti është paraqitur në Policinë e Gjakovës, e cila ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e personit të zhdukur dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Familja u ka bërë apel qytetarëve që kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e Shani Krasniqit që të lajmërojnë Policinë e Kosovës ose familjarët./Syritv/

  • Një gabim që shumë njerëz bëjnë mes orës 11:00 dhe 18:00 mund ta bëjë shtëpinë më të ngrohtë

    Një gabim që shumë njerëz bëjnë mes orës 11:00 dhe 18:00 mund ta bëjë shtëpinë më të ngrohtë

    Gjatë ditëve të nxehta të verës, shumë njerëz përpiqen të freskojnë shtëpitë e tyre, por një zakon i zakonshëm midis orës 11:00 dhe 18:00 mund të ketë efekt të kundërt.

    Në vend që ta mbajë hapësirën të freskët këndshëm, përdorimi jo i duhur i dritareve mund ta shndërrojë një shtëpi në një sauna.

    Gabimi më i madh që bëjnë shumë njerëz është mbajtja e dritareve hapur gjatë pjesës më të nxehtë të ditës. Edhe pse duket sikur kjo lejon hyrjen e ajrit të pastër, në fakt lejon hyrjen e ajrit të nxehtë të jashtëm, veçanërisht kur temperaturat jashtë janë dukshëm më të larta se brenda. Nxehtësia e diellit më pas ngroh shpejt muret, mobiljet dhe dyshemetë, duke e bërë të vështirë që hapësira të ftohet më vonë.

    Periudha nga ora 11:00 deri në orën 18:00 është zakonisht koha kur dielli i ngroh objektet më fort. Nëse dritaret janë të hapura pa nevojë, ajri i ngrohtë hyn vazhdimisht në dhomë, ndërsa ftohja me ventilatorë ose kondicionerë bëhet më pak efikase.

    Ekspertët rekomandojnë mbajtjen e dritareve të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, veçanërisht në anën me diell të shtëpisë ose apartamentit. Kohët më të mira për të ajrosur janë herët në mëngjes dhe vonë në mbrëmje, kur temperatura e jashtme është më e ulët dhe ajri më i freskët mund t’i freskojë natyrshëm dhomat.

    Një tjetër gabim i zakonshëm është neglizhimi i mbrojtjes nga dielli. Roletat ose perdet e hapura gjatë ditës lejojnë që rrezet e diellit të ngrohin drejtpërdrejt pjesën e brendshme të shtëpisë. Duke ulur mbrojtjen në dritare, është e mundur të zvogëlohet ndjeshëm sasia e nxehtësisë që hyn në dhomë.

    Ndryshime të vogla në zakonet tuaja të përditshme mund të bëjnë një ndryshim të madh. Mbajtja e dritareve të mbyllura gjatë orëve më të nxehta, mbyllja e perdeve dhe ajrosja e duhur në mbrëmje do të ndihmojnë në mbajtjen e shtëpisë tuaj më të rehatshme edhe gjatë ditëve më të nxehta të verës.

  • Murati: Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje

    Murati: Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje

    Profesori universitar i shkencave politike, Valon Murati, ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit nuk ka sjellë zgjidhje për ngërçin politik në Kosovë, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të reja parlamentare.

    Në një prononcim për Ekonomia Online, Murati tha se zhvillimet paszgjedhore dhe takimet ndërmjet partive politike nuk kanë prodhuar optimizëm për krijimin e institucioneve të reja.

    “Rezultati i zgjedhjeve më ka bërë që të vazhdoj të jem skeptik për mundësinë e një zgjidhjeje, pra të ngërçit të cilin e kemi kaluar. Dhe po ashtu, bisedimet në njëfarë forme më shtuan këtë, ta them, pesimizëm për shkak të faktit se si u zhvilluan dhe çfarë prodhuan ato. Ishte e natyrshme që takimi mes Partisë Demokratike të Kosovës të përfundojë ashtu siç përfundoi, me një mundësi për të diskutuar për presidentin dhe jo për qeverinë. Kjo është krejtësisht e natyrshme sepse nuk ka kuptim që të ketë një koalicion qeveritar në këtë fazë mes zotit Kurti dhe PDK-së, ajo është ndërtuar si figurë politike mbi dikotominë kundër PDK-së dhe asaj fryme”, tha ai.

    Sipas Muratit, as takimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, dhe tani situata në të cilën ndodhet LDK-ja, nuk ka shpresa për një marrëveshje eventuale politike.

    “Në anën tjetër, edhe takimi me LDK-në nuk ishte shumë shpresëdhënës, sepse vetë situata në të cilën ndodhet Lidhja Demokratike e Kosovës nuk jep shumë shpresë që aty ka një unitet dhe kohezion që të vazhdohet me ndonjë koalicion. Pra, edhe po të ketë kohezion, edhe po të ketë unitet, numrat janë shumë të brishtë, ta them ashtu, e për më tepër zoti Kurti prapë i vë kushtet e veta mbi 84-85 deputetë, të cilat pastaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës asesi nuk i zhvilluan. Dhe e kishim situatën me Aleancën, e cila i kishte kushtet e veta dhe nuk shkoi në takim duke thënë që ‘ne vijmë në seancë nëse ato plotësohen’”, tha ai.

    Murati tha se zgjidhja e vetme do të ishte një marrëveshje për një kandidat për president që do të ishte i pranueshëm për të gjitha palët.

    “Kjo është një situatë e cila nuk jep, për mendimin tim, shumë shpresë se do të kemi një dalje nga ky ngërç. Daljen e shoh në një mënyrë të thjeshtë: nëse thjesht partitë opozitare pranojnë një kandidat që mund të jetë nga Vetëvendosja, apo një kandidat që do të jetë jo një kandidat i fortë politik. Për aq sa e njoh mendësinë politike të zotit Kurti, atë që e tregoi tash edhe ndaj presidentes Osmani, nuk është se ai do të pranojë ndonjë figurë të fuqishme, qoftë politike apo qoftë nga bota akademike dhe nga shoqëria civile, i cili mund t’i mbushë, ta them, ‘këpucët’ e presidentit. Të cilat realisht në sistemin tonë politik, juridik e kushtetues, nuk janë të lehta. Presidenti, ashtu siç po tregon edhe krejt ky ngërç politik, ka kompetenca. Është një balancues i pushteteve, por që ka kompetenca në disa fusha, sidomos në fushën e politikës së jashtme – ku mund ta hijezojë zotin Kurti, aty ku ky dëshiron të shkëlqejë – dhe po ashtu në fushën e sigurisë, e pamë edhe tash me emërimet në AKI, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Pra, janë dy fusha në të cilat presidenti ka forcë reale. Natyrisht që ka dhe të tjera, e pastaj varet edhe prej personazhit dhe prej personalitetit politik”, tha ai.

    Profesori i shkencave politike ngriti edhe mundësinë e një situate të paprovuar më parë në Kosovë, ku do të zgjidhej qeveria pa u zgjedhur paraprakisht presidenti.

    “Kështu që, duke pasur parasysh këtë situatë, nuk jam shumë optimist që në këtë kontekst mund të vijmë te një situatë ku do të kemi një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë. Kurti është në një pozicion komod, është kryeministër në detyrë, këtë situatë ai mund ta vazhdojë. Mund të futemi në një terren tjetër të pashkelur deri tash, ku partia në krye me Kurtin mund të vazhdojë të procedojë me zgjedhjen e kryeministrit pa zgjedhjen e presidentit, që jemi në një situatë të pashkelur, ku tash kryetarja e re e Kuvendit bëhet e para ushtruese e detyrës së presidentit, një situatë që nuk kemi qenë më herët. Edhe kjo mund të na fusë në një tjetër ngërç juridik-kushtetues, sepse partitë opozitare mund ta dërgojnë lëndën në Kushtetuese, se a do të duhej të zgjidhej së pari presidenti apo jo. Në këtë kontekst është vështirë të parashikohet, nuk jam optimisti më i madh se do të kemi ndonjë zgjidhje, mund të ketë gjasa se mund të shkojmë prapë në zgjedhje. Në anën tjetër, kjo situatë neve po na kushton, sepse këtë duhet ta themi. Po na kushton në planin financiar, të integrimeve, të zhvillimeve, të politikave. Ne nuk po e shohim që jemi duke jetuar në status quo dhe duke jetuar në status quo ne po shkojmë mbrapa. Shqipëria i mbylli tre kapituj dhe ne tash, në vend se të futemi në lokomotivën e Shqipërisë, po mbesim fatkeqësisht me Serbinë, e cila po e shohim çfarë ministrash pati në këtë deklaratën fashiste të fundit. Pra, edhe në këtë procesin e integrimeve jemi mbrapa, e kjo po them, do të na kushtojë shumë edhe në jetën e përditshme”, tha ai për Ekonomia Online.

    Mbi 500 persona dyshohet se kanë humbur jetën pasi anijet me refugjatë u mbytën pranë Mianmarit
    Read more

  • (VIDEO) Arrestim si në filma në tunelin e Skërficës – 31 vjeçari kapet me 4 pistoleta në veturë

    (VIDEO) Arrestim si në filma në tunelin e Skërficës – 31 vjeçari kapet me 4 pistoleta në veturë

    Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Mekanizmi” në Sarandë, ku është arrestuar një 31-vjeçar i dyshuar për transportimin e armëve të zjarrit.

    Sipas njoftimit të Policisë, operacioni u zhvillua si rezultat i një hetimi me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave që dyshohet se përbëjnë rrezik për sigurinë publike.

    Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet K. B., 31 vjeç, banues në Tiranë.

    Policia bëri të ditur se automjeti që drejtonte i riu ishte mbajtur nën vëzhgim dhe ndalimi i tij u krye në tunelin e Skërficës.

    “Nga kontrollet në automjet u gjetën të fshehura në dysheme 4 armë zjarri (pistoleta), që dyshohet se janë trafikuar në Shqipëri në pjesë dhe janë montuar më pas, me qëllim shitjen te një grup kriminal në Sarandë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

    Sipas hetimeve paraprake, armët dyshohet se ishin destinuar për t’u shitur te një grup kriminal në zonën e Sarandës.

    Gjatë operacionit janë sekuestruar armët e zjarrit dhe automjeti i të arrestuarit, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë.

    Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

  • Pas emërimit të Gashit si Kryeprokuroror, reagon Ambasada britanike: Të siguroj një sistem prokurorial të pavarur, transparent dhe llogaridhënës

    Pas emërimit të Gashit si Kryeprokuroror, reagon Ambasada britanike: Të siguroj një sistem prokurorial të pavarur, transparent dhe llogaridhënës

    Ambasada e Britanisë në Kosovë, ka reaguar pas emërimit të Zejnulla Gashit si Kryeprokuror i Shtetit.

    Ata i kanë uruar Gashit, sukses në zbatim të masave që sistemi prokurorial në Kosovë të jetë i pavarur transparent dhe llogaridhënës.

    “Mirëpresim emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, pas një periudhe disa vjeçare pa këtë pozitë të plotësuar. I urojmë Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, sukses në zbatimin e masave të nevojshme për të siguruar që sistemi prokurorial i Kosovës të funksionojë si një institucion i pavarur, transparent dhe llogaridhënës, që ushtron funksionet e tij prokuroriale në mënyrë efektive dhe efikase, forcon sundimin e ligjit dhe kontribuon në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në dobi të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Ambasada e Britansië.

    Gashi është dekretuar si Kryeprokuror i Shtetit nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu pasi i ka marrë shumicën e votave nga KPK.

    Ai ka marrë mandatin e tij dje nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj ndërsa ka thënë se “do të jetë Kryeprokuror i të gjithëve”.

  • Nga skenat botërore në Sunny Hill Festival – Katy Perry dhe hitet që e bënë yll global

    Nga skenat botërore në Sunny Hill Festival – Katy Perry dhe hitet që e bënë yll global

    Tashmë dihet se një nga yjet më të mëdha të muzikës pop në botë, Katy Perry, do të vijë në Kosovë më 31 korrik.

    Artistja amerikane do të performojë në Sunny Hill Festival, festivalin më të madh muzikor në vend, ku është konfirmuar si emri kryesor i natës hapëse.

    Njoftimi për ardhjen e saj u prit me entuziazëm të madh nga publiku, ndërsa fansat tashmë mezi presin ta shohin nga afër dhe të dëgjojnë hitet që e kanë bërë një nga artistet më të suksesshme të gjeneratës së saj.

    Katy Perry ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në industrinë e muzikës, ndërsa këngët e saj kanë grumbulluar miliarda shikime në YouTube dhe miliarda transmetime në platformat muzikore në mbarë botën.

    Mes hiteve më të njohura të saj janë “Firework”, “Roar”, “Dark Horse”, “California Gurls”, “Teenage Dream”, “I Kissed a Girl”, “Hot N Cold”, “Last Friday Night (T.G.I.F.)”, “E.T.” dhe “Part of Me”.

    Po ashtu, këngë si “Wide Awake”, “The One That Got Away”, “Unconditionally”, “Chained to the Rhythm” dhe “Never Really Over” kanë qenë ndër projektet më të suksesshme të artistes, duke e konsoliduar statusin e saj si një nga këngëtaret më të rëndësishme të muzikës pop.

    Me një katalog të pasur me hite globale dhe performanca që kanë mahnitur publikun në të gjithë botën, Katy Perry pritet të jetë një nga atraksionet kryesore të edicionit të ardhshëm të Sunny Hill Festival, i cili do të mbahet në Prishtinë nga 31 korriku deri më 2 gusht.

    Përveç karrierës së saj muzikore, artistja tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare edhe vitin e kaluar, kur iu bashkua një ekuipazhi tërësisht me gra në një fluturim hapësinor të organizuar nga kompania e Jeff Bezos. Udhëtimi suborbital zgjati rreth 10 minuta dhe u bë viral në rrjetet sociale, duke zgjuar interesim të madh në mbarë botën.

    Tani, pas aventurës së saj në hapësirë, Katy Perry po përgatitet për një tjetër ndalesë të veçantë në karrierën e saj – Prishtinën, ku pritet të sjellë një spektakël të paharrueshëm për publikun kosovar.

  • Sveçla: Deklaratat e ministres serbe janë kërcënime, Shqipëria duhet të reagojë më fuqishëm

    Sveçla: Deklaratat e ministres serbe janë kërcënime, Shqipëria duhet të reagojë më fuqishëm

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendhsme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka komentuar deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, mbi spastrimin etnik të Kosovës.

    Në një bisedë për “Euronews Albania”, ai ka kërkuar një reagim më të madh nga Shqipëria.

    “Patjetër, duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, siç e thashë, shumë të dhimbshme tonën, edhe në sjelljen e Serbisë”, tha Sveçla në këtë intervistë.

    Ai shtoi se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv.

    “Kjo ka qenë deputete, ku ka qenë pjesë e grupit të miqësisë Serbi–Shqipëri, në të cilin, fatkeqësisht, kanë marrë pjesë shovinistë serbë. Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, tha ministri në detyrë i Brendshëm.

  • Njollat dhe gërvishtjet në laminat mund të zhduken me këto truqe të thjeshta

    Njollat dhe gërvishtjet në laminat mund të zhduken me këto truqe të thjeshta

    Mjafton të dini cilin veprim ta bëni të parin, sepse një gabim i vogël mund ta bëjë dëmtimin edhe më të dukshëm

    Laminati kushton më pak se druri, ndërsa sipërfaqja e tij është e mbuluar me një shtresë të fortë mbrojtëse, rezistente ndaj gërvishtjeve dhe njollave. Megjithatë, nëse gërvishtjet shfaqen, ato mund të jenë shumë të dukshme. Nëse nuk jeni gati ta zëvendësoni dyshemenë e laminatit, mund ta riparoni me disa metoda të thjeshta.

    Dyshemetë e laminatit nuk mund të lustrohen dhe të rinovohen si dyshemetë prej druri, ndërsa një gërvishtje e thellë ose një gropëzim në laminat vërehet lehtë. Megjithatë, pastrimi dhe lustrimi mund t’i fshehin gërvishtjet sipërfaqësore, ndërsa ato më të thella mund të riparohen me materiale mbushëse.

    Ekspertët e pastrimit të shtëpisë theksojnë se pastrimi i dyshemesë së laminatit mund të ndihmojë në fshehjen e gërvishtjeve të lehta sipërfaqësore. Së pari, është e dobishme ta fshini dyshemenë me fshesë me rrymë, në mënyrë që të largoni papastërtitë që janë grumbulluar brenda gërvishtjeve, shkruan Southern Living.

    Më pas, lëmoni lehtë vendet e gërvishtura me një leckë të thatë. Gjurmët e gërvishtjeve mund t’i hiqni edhe me një gomë të pastër, që nuk lë shenja. Në këtë rast, goma e bardhë është zgjidhja ideale.

    Pasi ta keni lëmuar sipërfaqen, përdorni një mjet pastrues për dysheme laminati, në mënyrë që ta pastroni dhe ta lustroni dyshemenë. Kjo duhet t’i mbulojë gërvishtjet sipërfaqësore, duke i kthyer ato në vija shumë të zbehta.

    Gërvishtjet më të mëdha mund të lënë një vijë të bardhë ose të çelët, e cila është e vështirë të mbulohet. Nëse lustrimi nuk e përmirëson gërvishtjen, mund ta maskoni me një laps për mbulimin e njollave.

    Gërvishtjet e thella dhe gropëzimet mund të riparohen me bojë për dru ose me dyllë të veçantë për riparime. Duke i trajtuar gërvishtjet me kohë, mund t’ia zgjasni jetëgjatësinë dyshemesë së laminatit, para se të vijë momenti për ta zëvendësuar me një të re.