ATV

Blog

  • Konfirmohet nga MSh-ja: Te pacientët në rastin e “Sach Pizza” u gjet Salmonella

    Konfirmohet nga MSh-ja: Te pacientët në rastin e “Sach Pizza” u gjet Salmonella

    Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se në mostrat e marra nga pacientët që dyshohet se u helmuan pas konsumimit të ushqimit në “Sach Pizza” është identifikuar bakteri Salmonella, ndërsa në mostrate të marra më pas nga ambientet e restoranteve nuk është gjetur prania e këtij bakteri.

    “Në mostrat e pacientëve është konfirmuar bakteria Salmonella Enteritidis. Mostrat e ushqimit dhe strishot e ambientit kanë rezultuar negative”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Megjithatë, MSH thekson se mungesa e Salmonellës në mostrat e ushqimit të marra gjatë kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët.

    “Mungesa e Salmonellës në mostra në momentin e kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët. Të dhënat epidemiologjike tregojnë lidhje të fortë me këtë operator”, thuhet në përgjigjen për Insajderin.

    Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës deri më 14 korrik janë identifikuar 74 raste helmimi të lidhura epidemiologjikisht me konsumimin e ushqimit në disa pika të “Sach Pizza’s”.

    Nga këto raste, 29 pacientë janë hospitalizuar, ndërsa 45 janë trajtuar në mënyrë ambulatore. Pacientët kanë shfaqur simptoma si barkqitje, të vjella, ethe, temperaturë dhe plogështi.

    Nga ana tjetër, Sach Pizza ka kundërshtuar pretendimet se ushqimi i saj ka qenë i kontaminuar. Në një deklaratë për media, kompania ka bërë të ditur se në mostrat ushqimore të analizuara nga institucionet kompetente nuk është identifikuar Salmonella.

    Ky rast është duke u hetuar nga Prokuroria dhe Policia.

  • Deklaratat e Paunoviqit kundër Kosovës, Marta Kos: E habitshme që vazhdon të jetë ministre

    Deklaratat e Paunoviqit kundër Kosovës, Marta Kos: E habitshme që vazhdon të jetë ministre

    Komisionarja për zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre.

    Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.

    “Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian.

    Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë serbe, Snezhana Paunoviq, duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo deklaroi më 11 korrik se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

    Kjo deklaratë u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Londrës, gjuha e përdorur nga Paunoviq është “e neveritshme” dhe referencat për spastrim etnik s’kanë vend në shoqërinë e sotme.

  • Skandal në Trepçë: Mbi 24.7 milionë euro pasuri pa dokumentacion, qindra parcela jashtë regjistrit

    Skandal në Trepçë: Mbi 24.7 milionë euro pasuri pa dokumentacion, qindra parcela jashtë regjistrit

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin e pasurive të Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh.A., duke ngritur shqetësime për administrimin dhe regjistrimin e aseteve të kompanisë.

    Sipas raportit të auditimit, ndërmarrja nuk ka dokumentacion mbështetës për 59 pasuri me vlerë mbi 24.7 milionë euro, ndërsa kjo situatë ka ndikuar që pasuritë të mos paraqiten në mënyrë të plotë dhe të saktë në pasqyrat financiare.

    Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se qindra parcela nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës të pasurive, pavarësisht se figurojnë në evidencat e komisioneve të inventarizimit ose në dokumentacionin kadastral.

    Raporti vë në pah edhe mungesën e një databaze të plotë për banesat e dhëna në shfrytëzim punonjësve, si dhe paqartësi pronësore për dhjetëra parcela që në regjistrat e Trepçës paraqiten si pronë e ndërmarrjes, ndërsa në evidencat kadastrale figurojnë si bashkëpronësi ose pronë shoqërore.

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që ndërmarrja të ndërmarrë masa për kompletimin e dokumentacionit, regjistrimin e saktë të pasurive dhe harmonizimin e evidencave me të dhënat zyrtare, në mënyrë që të sigurohet raportim financiar i besueshëm dhe administrim më efikas i aseteve publike.

  • LDK mban takim të brendshëm, verifikohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm

    LDK mban takim të brendshëm, verifikohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një takim të brendshëm në selinë e partisë, në mes të zhvillimeve të fundit që lidhen me nismën për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

    Në mbledhje janë parë duke hyrë disa prej zyrtarëve të lartë të partisë, përfshirë Xhafer Tahirin dhe Sokol Halitin, ndërsa para mediave është deklaruar edhe Shkëmb Manaj.

    Ai ka bërë të ditur se aktualisht po zhvillohet një takim i brendshëm i strukturave të LDK-së dhe se vendimi për thirrjen e Kuvendit do të merret vetëm pasi të përfundojë procesi i verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve.

    Sipas Manajt, procedura do të trajtohet me prioritet, duke pasur parasysh situatën politike në vend dhe procesin e formimit të institucioneve të reja.

    Nisma për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm vjen në një periudhë të ndjeshme për LDK-në, ndërsa pritet që pas përfundimit të verifikimeve partia të dalë me një vendim zyrtar për hapat e mëtejshëm.

  • Incident pas gjysmëfinales Argjentinë–Angli, Bellingham përfshihet në një përplasje me Barcon

    Incident pas gjysmëfinales Argjentinë–Angli, Bellingham përfshihet në një përplasje me Barcon

    Përfundimi i gjysmëfinales së Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Anglisë nuk kaloi pa tensione, pasi një incident mes Jude Bellingham dhe Valentin Barcos tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

    Teksa futbollistët argjentinas po festonin kualifikimin në finalen e Botërorit pas fitores dramatike 2-1, mesfushori anglez mbeti i zhgënjyer në fushë duke parë festën e kundërshtarëve.

    Pak çaste më vonë, situata u tensionua kur Bellingham iu afrua grupit të futbollistëve argjentinas dhe e goditi lehtë me shuplakë në pjesën e pasme të kokës mbrojtësin e majtë Valentin Barco. Veprimi shkaktoi reagime të menjëhershme nga lojtarët e të dyja skuadrave, por për fat situata u qetësua shpejt dhe nuk degjeneroi në një përleshje masive.

    Sipas raportimeve, reagimi i yllit anglez lidhej me një episod gjatë ndeshjes. Pas golit të barazimit të Enzo Fernandez në minutën e 86-të, ndërsa pjesa më e madhe e futbollistëve argjentinas festonin me autorin e golit, Barco u drejtua pranë lojtarëve anglezë dhe, sipas mediave, i provokoi duke festuar para tyre.

    Ky veprim duket se nuk u harrua nga Bellingham, i cili pas përfundimit të takimit reagoi ndaj mbrojtësit argjentinas, duke shkaktuar incidentin që tashmë po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale.

    Tashmë mbetet për t’u parë nëse FIFA do të ndërmarrë hapa disiplinorë. Në rast se hapet një procedurë dhe veprimi i Bellingham klasifikohet si “sjellje e dhunshme”, mesfushori i Anglisë rrezikon një pezullim prej të paktën tre ndeshjesh, sipas rregulloreve disiplinore të organit qeverisës të futbollit botëror.

    FIFA pritet të shqyrtojë pamjet e incidentit dhe më pas të vendosë nëse do të nisë një hetim zyrtar ndaj futbollistit anglez.

  • Netanyahu anulon vizitën në ShBA

    Netanyahu anulon vizitën në ShBA

    Zyra e Kryeministrit izraelit deklaroi se Netanyahu anuloi vizitën e tij në SHBA sepse funerali i senatorit amerikan Lindsey Graham ishte shtyrë për në fund të muajit.

    Netanyahu pritej të largohej nga Izraeli të shtunën në mbrëmje për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, raporton Anadolu.

    Gazeta Israel Hayom raportoi se pala izraelite ishte e angazhuar në një aktivitet të dendur diplomatik për të organizuar një takim midis Netanyahut dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump gjatë vizitës.

  • Shtypi britanik shpërthen pas eliminimit nga Argjentina, Tuchel dhe banderola për Ishujt Falkland në qendër të kritikave

    Shtypi britanik shpërthen pas eliminimit nga Argjentina, Tuchel dhe banderola për Ishujt Falkland në qendër të kritikave

    Eliminimi dramatik i Anglisë nga Argjentina në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ka shkaktuar reagime të forta në mediat britanike, të cilat janë fokusuar në dy tema kryesore: taktikat e trajnerit Thomas Tuchel dhe banderolën kontroverse të shfaqur nga futbollistët argjentinas pas ndeshjes.

    Shumica e gazetave dhe portaleve në Mbretërinë e Bashkuar kritikuan ashpër trajnerin gjerman, duke e fajësuar për mënyrën se si e menaxhoi ndeshjen pas golit të Anthony Gordon. Sipas analistëve, Anglia hoqi dorë nga loja sulmuese shumë herët, u tërhoq në mbrojtje dhe ia dorëzoi iniciativën Argjentinës, e cila e shfrytëzoi këtë qasje për të shënuar dy herë në minutat e fundit dhe për të siguruar finalen.

    Kritikave iu bashkuan edhe disa prej emrave më të njohur të futbollit anglez. Ish-kapiteni dhe legjenda e Anglisë, Gary Lineker, e cilësoi qasjen taktike të Tuchelit si “të pakuptueshme”, duke theksuar se ishte gabim t’i jepej kaq shumë hapësirë Lionel Messit, i cili asistoi në të dy golat e Argjentinës. Edhe Harry Kane pranoi pas ndeshjes se skuadra u tërhoq shumë herët dhe e lejoi kundërshtarin të merrte kontrollin e lojës.

    Në të njëjtën kohë, një pjesë e madhe e shtypit britanik u përqendrua te festimi i futbollistëve argjentinas pas ndeshjes. Lisandro Martinez dhe Giovani Lo Celso u fotografuan duke mbajtur një banderolë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinet janë argjentinase”), një mesazh që i referohet mosmarrëveshjes së gjatë mes Argjentinës dhe Britanisë për Ishujt Falkland. Veprimi u cilësua nga shumë media britanike si provokues dhe politik.

    Reagimet nuk mbetën vetëm në media. Ministri britanik Peter Kyle e quajti gjestin “krejtësisht të papërshtatshëm”, ndërsa kërkoi që FIFA të shqyrtojë rastin, pasi rregulloret e saj ndalojnë shfaqjen e mesazheve politike në stadiume dhe gjatë aktiviteteve zyrtare të turneut.

    Pavarësisht polemikave, kritikat më të mëdha në Angli vazhdojnë të drejtohen ndaj Thomas Tuchelit, i cili përballet me presion të madh pas një tjetër eliminimi në prag të finales. Përballë një Argjentine të udhëhequr nga Lionel Messi, strategjia mbrojtëse e teknikut gjerman u konsiderua nga shumë analistë si arsyeja kryesore që “Tre Luanët” humbën një avantazh të çmuar dhe mbetën jashtë finales së Botërorit 2026.

  • Kryeziu: Shtyrja e seancës konstituive është qesharake dhe e papërgjegjshme

    Kryeziu: Shtyrja e seancës konstituive është qesharake dhe e papërgjegjshme

    Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se mosthirrja e seancës konstituive të Kuvendit dhe arsyetimi i presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, se partive politike duhet t’u lihet edhe më shumë kohë për negociata është sa qesharak, aq edhe i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve.

    “Për më tepër, partitë kanë pasur kohë sa të duash për të negociuar dhe mund të vazhdojnë të negociojnë edhe pas konstituimit të Kuvendit. Nuk mund të mbahet peng përmbushja e një detyrimi kushtetues me arsyetimin se duhen edhe më shumë bisedime. Ndërkohë, vendi vazhdon, prej afro dy vitesh, të funksionojë me institucione në detyrë dhe me zgjidhje të improvizuara. Nëse gati dy vjet, së bashku me tri palë zgjedhje të mbajtura, nuk po mjaftojnë për të arritur qoftë edhe një marrëveshje minimale, sa kohë tjetër u duhet? Dhe me çfarë arsyetimi?”, ka shkruar ai në “Facebook”.

    Kryeziu ka thënë se po aq e papërgjegjshme është edhe qasja e partive opozitare. “Deri më tani, ato nuk kanë bërë asnjë kërkesë publike dhe asnjë veprim konkret për konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit. Kjo situatë, së bashku me paaftësinë për të tejkaluar interesat partiake dhe individuale, po e normalizon një perceptim, se kjo klasë politike, këta akterë aktual, nuk kanë as kapacitetin dhe as përgjegjësinë për të ndërtuar, funksionalizuar dhe mirëmbajtur institucionet e një shteti demokratik. Shkalla e zhvillimit demokratik nuk matet vetëm me organizimin e zgjedhjeve, por edhe me aftësinë për ta shndërruar vullnetin e qytetarëve në institucione funksionale, efektive dhe llogaridhënëse”, ka thënë Kryeziu.

  • Manaj: Po verifikohen nënshkrimet, ka urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së

    Manaj: Po verifikohen nënshkrimet, ka urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka deklaruar se takimi që po mbahet në selinë e partisë është një takim i brendshëm, ndërsa procesi i verifikimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm ende është në zhvillim, raporton Ekonomia Online.

    “Është takim i brendshëm. Është çështje e vendimit tash deri sa të verifikohen (nënshkrimet)”, tha Manaj.

    I pyetur nëse ekziston urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, për shkak të situatës politike në vend dhe zhvillimeve brenda partisë, Manaj u përgjigj shkurt: “Po”, tha ai.

  • ShBA vendos tarifa të reja ndaj Brazilit, masat hyjnë në fuqi javën e ardhshme

    ShBA vendos tarifa të reja ndaj Brazilit, masat hyjnë në fuqi javën e ardhshme

    Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e një tarife prej 25% për shumicën e importeve nga Brazili, masë që pritet të hyjë në fuqi më 22 korrik.

    Ky është veprimi i parë i madh i strategjisë së re tarifore të Trumpit, pas vendimit të Gjykatës së Lartë amerikane që rrëzoi tarifat e mëparshme të administratës së tij.

    Kjo gjithashtu vjen në mes të tensioneve midis administratës së Trumpit dhe presidentit të Brazilit, Luiz Inácio ‘Lula’ da Silva, jo vetëm për shkak të lidhjeve të Trumpit me ish-presidentin e ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, dhe familjen e tij.

    Brazili pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në tetor, duke e bërë këtë masë edhe më të ndjeshme në skenën politike të vendit, shkruan DW.