ATV

Blog

  • Ardian Gjini: Kosova kurrë nuk ka pasur qeverisje të pastër të djathtë, ky model do ta bëjë kthesën që s’do të ndërrohet më

    Ardian Gjini: Kosova kurrë nuk ka pasur qeverisje të pastër të djathtë, ky model do ta bëjë kthesën që s’do të ndërrohet më

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në emisionin “Context” në ATV, ka deklaruar se Kosova në tërë historinë e saj politike nuk është udhëhequr asnjëherë nga një qeverisje e pastër e krahut të djathtë.

    Ai ka shprehur bindjen e plotë se qytetarët shumë shpejt do ta kuptojnë dhe do ta prekin ndryshimin që sjell ky model politik.

    Gjini ka sqaruar se përvojat e deritanishme kanë qenë vetëm pjesëmarrje të pjesërishme nëpër koalicione, por asnjëherë një mandat i plotë ideologjik.
    “Kosova në krejt historinë e vet, kurrë nuk ka pas qeverisje të pastër të djathtë, asnjëherë. Nuk ka pas. Ka pas parti të djathta në koalicion, po unë besoj që shumë shumë shpejtë Kosova ka me e kuptu çka nënkupton qendra e djathtë, e djathta e mirë,” ka thënë ai.

    Kreu i Aleancës ka dhënë një garanci të fortë se sapo vendi të eksperimentojë me këtë model të ri qeverisës, qytetarët do të kërkojnë që ai të zgjasë për një kohë shumë të gjatë.

    “Kanë me pa dallimin për një kohë shumë të shkurtë. E po ju garantoj që kanë me shku shumë vjet, e s’kanë me lyp me ndërru,” ka përfunduar Ardian Gjini.

  • Ardian Gjini: Kosova po futet në krizë të panevojshme, partia në pushtet s’ka ide shtetformuese

    Ardian Gjini: Kosova po futet në krizë të panevojshme, partia në pushtet s’ka ide shtetformuese

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në një intervistë në emisionin “Context” në ATV, ka folur pwr zhvillimet e fundit politike në vend. Ai ka deklaruar se Kosova po përballet me një situatë të komplikuar pa asnjë nevojë, duke bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje që shmang shkuarjen e sërishme në zgjedhje.

    Gjini ka prezantuar propozimin prej gjashtë pikave të Aleancës si rrugëdalje nga kjo krizë, duke thënë: “Ne mendojmë që gjashtë pikat që i kemi radhitë janë pika që janë jashtëzakonisht të nevojshme për Kosovën. Cilado qeveri që merr përsipër me i kry kish me i bo nder Kosovës, qytetarëve të Kosovës.”
    Sipas tij, problemi kryesor i udhëheqjes aktuale është mungesa e një projekti apo ambicieje të madhe që shkon përtej interesave partiake. Ai ka bërë një krahasim me të kaluarën, kur partitë arrinin kompromise sepse kishin synime më të larta se pushteti.

    “Ka pas periudha kohore kur ka qenë më lehtë me mbërri kompromise politike për shkak se Kosova i ka pasur caqet e veta. Kanë qenë shumë më të rëndësishme se me mbet në pushtet. Ka qenë koha e paraluftës, edhe pse një parti ka qenë shumë e madhe po caku ka qenë liria, pas luftës ka qenë pavarësia,” u shpreh Gjini.

    Kreu i Aleancës kritikoi partinë fituese të zgjedhjeve për qasje totalizuese dhe mungesë të ideve shtetformuese.

    “Partia që i ka fitu zgjedhjet nuk e ka një ide të madhe e cila është përtej partisë ose liderit. Sot nuk ka një cak të tillë, një ambicie të tillë. Ambicia është vetëm me kontrollu gjithçka. Për partinë politike që i ka fitu zgjedhjet gjëja më e rëndësishme është a e kontrollon kryeministri presidentin, edhe kaq.”

    Në përmbyllje, Gjini bëri të ditur se Aleanca po punon për të ofruar një alternativë konkrete për të ardhmen e qytetarëve.

    “Ne në Aleancë po e definojmë cakun e Kosovës në mënyrë që qytetarët e Kosovës me e pas një rrugë përpara, me e ditë ku po dojnë me shku, ku po dojmë me mbërri si vend. Cilat janë qëllimet tona, në mënyrë që me i mbërri ato fillimisht,” ka përfunduar Gjini.

  • Deklarata skandaloze e ministres serbe: Sot kallëzim penal në Speciale, kërkohet urdhërarrest

    Deklarata skandaloze e ministres serbe: Sot kallëzim penal në Speciale, kërkohet urdhërarrest

    Sot në Prokurorinë Speciale të Kosovës do të dorëzohet kallëzim penal ndaj ministres së Administratës Shtetërore në Serbi, Snezana Paunoviq, lidhur me deklaratat për ‘spastrim etnik në Kosovë’

    Avokati Gent Gjini ka bërë të ditur se përmes këtij kallëzimi penal do të kërkohet fletarrestim ndërkombëtar nga Interpolit.

    Sipas tij, deklaratat e ministres përbëjnë cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë juridike të Republikës së Kosovës.

    Avokati deklaron se deklarata e Paunoviqit, që thënë se “po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” është skandaloze dhe e rrezikshme.

    Gjini vlerëson se, për shkak të pozitës së saj si pjesë e qeverisë së Serbisë, ministrja paraqet rrezik potencial për sigurinë e popullatës shqiptare në Kosovë.

    Avokati ka bërë të ditur se përveç Prokurorisë Speciale, një kopje e kallëzimit penal do t’u dorëzohet edhe ambasadave të shteteve të huaja në Kosovë, si dhe zyrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

  • Aeroplanët që u nisën nga Prishtina u rrezikuan nga rreze laseri, Prokuroria nis hetimet

    Aeroplanët që u nisën nga Prishtina u rrezikuan nga rreze laseri, Prokuroria nis hetimet

    Policia e Kosovës është duke hetuar një rast “rrezikimi të sigurisë së aviacionit civil” pasi aeroplanë që fluturuan nga Aeroporti i Prishtinës të hënën në mbrëmje u rrezikuan nga rreze laseri. Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin dhe ka autorizuar të gjitha njësitet përkatëse të Policisë të mbledhin provat për rastin.

    Rasti është iniciuar te Policia tek të enjten, 16 korrik. Siç thuhet në raportin 24-orësh të PK-së, më 16 korrik në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti i lartcekur, “pasi Policia kishte pranuar një informatë se më 13.07.2026 kishte ndodhur rasti”.

    Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk u dhanë shumë informacione, por u tha se po grumbullohen prova e për zhvillime të mëtejmë do të njoftojë me kohë.

    “Pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin si ‘Rrezikimi i sigurisë së aviacionit civil’. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës dhe të gjithë njësitet e tjera përkatëse janë duke ndërmarr veprime për grumbullimin dhe mbledhjen e provave të nevojshme në lidhje me këtë rast. Për çdo zhvillim të mëtutjeshëm lidhur me këtë çështje, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

  • Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për identifikimin elektronik

    Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për identifikimin elektronik

    Kosova dhe Mali i Zi do të nënshkruajnë sot një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik, me synim lehtësimin e përdorimit të shërbimeve digjitale ndërmjet dy vendeve.

    Marrëveshja do të nënshkruhet nga ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, dhe ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj.

    Pas ceremonisë së nënshkrimit, të dy ministrat do të mbajnë deklaratë për media, ku pritet të prezantojnë rëndësinë e marrëveshjes dhe përfitimet e saj për qytetarët, bizneset dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

    Ceremonia zhvillohet në objektin e ish-Rilindjes, në katin e 18-të, në Sallën e Takimeve, me fillim në orën 14:00.

  • Lëvizja FOL: Qasja në dokumente publike vazhdon të jetë sfidë, transparenca larg nivelit të duhur

    Lëvizja FOL: Qasja në dokumente publike vazhdon të jetë sfidë, transparenca larg nivelit të duhur

    Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani ka vlerësuar se niveli i transparencës institucionale në Kosovë mbetet larg pritjeve, duke theksuar se, pavarësisht premtimeve për “transparencë radikale”, qytetarët dhe shoqëria civile vazhdojnë të përballen me vështirësi në sigurimin e qasjes në dokumente publike.

    Demolli-Nimani për Ekonomia Online tha se edhe për dokumentet më bazike nevojiten kërkesa për qasje dhe pritje të gjata, ndërsa shpesh është e domosdoshme të bëhen ankesa në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).

    “Fatkeqësisht jo në nivelin që do duhej të ishin. Mos të harrojmë ne kemi një qeveri që kishte ardhur para pesë-gjashtë viteve në pushtet duke thënë që do të ketë transparencë radikale, fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta. Në qoftë edhe për dokumentin më bazik ne vazhdojmë të bëjmë kërkesa për qasje në dokumente publike dhe të presim me javë e ndoshta edhe me muaj se duhet të bëjmë ankesa në AIP për të marrë qasje për një dokument, qoftë ndoshta edhe më bazik, që do duhej të publikohej në ueb-faqet e institucioneve, pa pasur nevojë të bëjmë kërkesë për qasje. Andaj duhet të punohet shumë në këtë drejtim, sepse në një kohë të digjitalizimit, në çfarë niveli ka arritur tani, ne të vazhdojmë të merremi me kërkesa për qasje për të pasur një dokument, vërtet është absurde”, tha ajo.

    Sipas saj, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka ndihmuar shoqërinë civile në sigurimin e qasjes në dokumente, por mungesa e kapaciteteve ndikon që trajtimi i ankesave të zgjasë.

    “Është më mirë në një anë që e kemi një agjenci, e cila në këtë aspektin se sa kërkon prej institucioneve, neve si shoqëri civile na ka ndihmuar shumë, sepse falë ankesave që aty i bëjmë dhe pas trajtimit nga ana e agjencisë ne arrijmë t’i marrim këto dokumente. Mirëpo a është niveli i dëshiruar? Nuk është, sepse të merr kohë, me javë, ndoshta edhe me muaj sepse agjencia s’i ka kapacitetet ndoshta sa do duhej t’i kishte që të trajtojë një ankesë në kohë më të shkurtër, prandaj edhe e them këtë që është, është një përmirësim. A duhet të bëhet më shumë? Duhet të bëhet më shumë nga vetë institucionet, pa pasur nevojë që t’i kontaktojë AIP dhe t’i tregojë që duhet të jepen këto informata, këto dokumente palës që i ka kërkuar. Mirëpo vazhdon të jetë në vullnetin politik të shumë institucioneve se çfarë duan të publikojnë dhe çfarë jo”, u shpreh ajo, për Ekonomia Online.

    Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL theksoi se transparenca dhe llogaridhënia janë elemente kyçe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe për parandalimin e keqpërdorimeve.

    “Do të thotë shumë. Aty ku s’ka transparencë, aty menjëherë lindin dyshimet për keqpërdorime, për korrupsion. Prandaj çelësi i krejt kësaj do duhej të ishte transparenca. Nëse çdo punë kryhet sipas procedurave të kërkuara apo sipas kërkesave që i ka vetë një ligj i caktuar, nuk do duhej të kishte frikë që ato të publikohen dhe të jenë, sepse veç transparenca dhe llogaridhënia karshi publikut do të rriste besimin e vetë qytetarëve në institucione dhe jo fatkeqësisht çfarë jemi duke parë, që kemi vetëm një rënie të besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës”, deklaroi ajo./EO/

  • Aksion policor në Skenderaj, sekuestrohen armë, thika dhe mjete të dyshimta

    Aksion policor në Skenderaj, sekuestrohen armë, thika dhe mjete të dyshimta

    Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh), në bashkëpunim me njësitë tjera policore, ka sekuestruar armë dhe mjete të tjera të kundërligjshme gjatë një aksioni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në zonën e Skenderajt.

    Gjatë kontrolleve të automjeteve dhe personave të dyshuar, policia thotë se ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tetë thika, një radiolidhje, një maskë, tri shufra metalike, si dhe sende të tjera që dyshohet se mund të jenë përdorur për kryerjen e veprave penale, transmeton Klankosova.tv.

    “Lidhur me këto raste, personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor, janë intervistuar dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprimet procedurale, në koordinim me prokurorët kompetentë. Policia, apelon te qytetarët që të vazhdojnë bashkëpunimin me Policinë, duke raportuar çdo rast të dyshimtë përmes numrit emergjent 192, aplikacionit mobil “Lajmëro Policinë”, ose përmes adresës elektronike [email protected]”, thotë Policia.

  • Rritet sërish çmimi i naftës, MINT publikon çmimet e reja të derivateve në Kosovë

    Rritet sërish çmimi i naftës, MINT publikon çmimet e reja të derivateve në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 60 centë, më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 43 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Zhduket një e mitur në Viti dhe një burrë në Gjakovë

    Zhduket një e mitur në Viti dhe një burrë në Gjakovë

    Dy persona janë raportuar të zhdukur në 24 orët e kaluara.

    Një vajzë e mitur është raportuar e zhdukur në Viti.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se vajza e tij e mitur, ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin policor.

    Ndërkohë një burrë është raportuar i zhdukur në Gjakovë.

    “Ankuesja ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij”, thuhet në raportin e Policisë.

    Të dyja rastet janë nën hetime.

  • Vushtrri: Dy vetura digjen në oborrin e një shtëpie, policia nis hetimet

    Vushtrri: Dy vetura digjen në oborrin e një shtëpie, policia nis hetimet

    Një person ka raportuar në polici se gjatë ditës së djeshme, në fshatin Begaj të Vushtrrisë, dy vetura janë përfshirë nga zjarri.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, veturat me targa vendore ishin të parkuara para shtëpisë së ankuesit kur kanë marrë flakë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe zjarrfikësit.

    “Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet”, thotë PK.