ATV

Blog

  • Limaj kujton 20-vjetorin e lirimit nga Haga: Trishtuese që edhe sot testohet lufta jonë çlirimtare

    Limaj kujton 20-vjetorin e lirimit nga Haga: Trishtuese që edhe sot testohet lufta jonë çlirimtare

    Më 30 nëntor 2005, Gjykata e Hagës e shpalli të pafajshëm ish-luftëtarin e UÇK-së, Fatmir Limaj-Çeliku, lidhur me akuzat për krime lufte.

    Sot, në 20-vjetorin e atij vendimi, Limaj ka reaguar me një postim të gjatë në Facebook.

    Ai shkroi se aktgjykimi lirues i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës e vërtetoi edhe një herë drejtësinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Sot bëhen 20 vjet nga aktgjykimi lirues i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila foli qartë: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, e pastër dhe në mbrojtje të një populli që luftoi për të jetuar i lirë.

    Gjykimi ndaj meje dhe dy bashkëluftëtarëve të mi, Isakut dhe Haredinit, fatkeqësisht doli të jetë aktakuza e parë gjyqësore në Hagë kundër pjesëtarëve të UÇK-së”, shkroi Limaj.

    Ai u shpreh i zhgënjyer që edhe sot, pas dy dekadash, lufta çlirimtare vazhdon të vihet në pikëpyetje në Hagë, ndërsa bashkëluftëtarët e tjerë po përballen me procese të reja.

    “Ballafaqimi ynë gjyqësor në Hagë ishte i gjatë dhe sfidues. Në atë kohë Kosova nuk ishte shtet dhe ne ishim pa asnjë përkujdesje institucionale, pa mbrojtje të organizuar, ashtu siç do të duhej ta kishim në një proces të tillë gjyqësor.

    Edhe ne si individë, edhe e vërteta e luftës sonë çlirimtare, për herë të parë po sfidoheshin në nivelet e drejtësisë ndërkombëtare në Hagë.

    Në gjithë këtë proces e kishim të vërtetën e UÇK-së dhe mbështetjen e popullit.

    Është trishtuese që edhe sot, pas 20 viteve, lufta jonë çlirimtare vazhdon të testohet e sfidohet po në Hagë, në gjykimin e bashkëluftëtarëve tanë.

    Akuzat, shpifjet dhe fabrikimet kundër UÇK-së nuk kanë të ndalur edhe pas 20 viteve”, u shpreh ish-komandanti i UÇK-së.

    Limaj u shpreh njëherësh kritik ndaj institucioneve të Kosovës, duke thënë se shteti po bën shumë pak për mbrojtjen e historisë dhe së vërtetës mbi të cilën është ndërtuar.

    “Po ashtu, është trishtuese kur sheh tani që Kosova, edhe pse është shtet, po bën fare pak në mbrojtje të historisë dhe së vërtetës së vet, mbi të cilën është ndërtuar ky shtet.

    Përjetësisht krenar me luftën tonë çlirimtare; ajo nuk mund të njolloset; ajo është e pastër si loti.

    Rroftë UÇK-ja!

    Lavdi dëshmorëve të kombit!”, shkroi ish-komandant Çeliku.

  • “Zoti e shpërbleftë me parajsë”, Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit me duartrokitje

    “Zoti e shpërbleftë me parajsë”, Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit me duartrokitje

    Ceremonia përkujtimore në nder të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi është përmbyllur mes emocioneve të forta dhe duartrokitjeve të gjata nga të gjithë të pranishmit.

    Salla e Pallatit të Kulturës në Tetovë, e mbushur deri në vendin e fundit me familjarë, miq, kolegë, figura publike dhe qytetarë, u ngrit në këmbë në shenjë respekti për artistin që la gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

    Në mbyllje të ceremonisë, ndërsa arkëmorti i Shpatit ishte i vendosur në skenë i mbuluar me flamurin kombëtar, u dhanë fjalët e fundit para nisjes drejt varrezave: “Zoti e shpërbleftë me parajsë, dalëngadalë, po nisim rrugën për tek varrezat”.

    Atmosfera në sallë ishte e rënduar nga dhimbja, por e mbushur edhe me mirënjohje për jetën dhe veprën e artistit.

    Duartrokitjet e pranishmeve zgjatën për minutë të tëra, ndërsa shumë prej tyre nuk i përmbajtën lotët.

  • Daut Haradinaj: U dëmtuam nga koalicioni me Limajn

    Daut Haradinaj: U dëmtuam nga koalicioni me Limajn

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të garojë si subjekt i vetëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka deklaruar nënkryetari i kësaj partie, Daut Haradinaj.

    Nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, deklaroi se koalicioni në zgjedhjet e 9 shkurtit me Nismën nuk rezultoi i suksesshëm dhe, sipas tij, madje shkaktoi edhe dëm.

    Zgjedhjet më 28 dhjetor u caktuan nga presidentja Vjosa Osmani, më 20 nëntor, pasi shpërndau legjislaturën e nëntë, meqë gjatë tetë muajve nuk arriti të funksionalizohet puna e kuvendit dhe dy herë dështoi edhe zgjedhja e qeverisë.

    Fushata zgjedhore do të fillojë me datën 17 dhjetor, ndërkaq periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës ka nisur me datën 26 nëntor dhe përfundon me 6 dhjetor.

  • Partia e Drejtësisë arrin koalicion me LDK’në për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Partia e Drejtësisë arrin koalicion me LDK’në për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Partia e Drejtësisë ka njoftuar se kandidatët e saj do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së.

    Përmes një njoftimi kjo parti ka treguar se kjo marrëveshje është miratuar edhe nga kryesia e partisë.

    “Zgjidhjen më të përshtatshme për përfaqësimin dinjitoz të vlerave, programit dhe përvojës shtetëndërtuese të Partisë së Drejtësisë në këto zgjedhje, duke siguruar qasje të përbashkët drejt përgjegjësisë publike dhe qeverisjes qendrore cilësore”, është thënë në njoftim, duke dhënë detaje tjera.

    “ Partia e Drejtësisë thekson se ky vendim reflekton orientimin tonë të qartë drejt unitetit e bashkëpunimit politik, stabilitetit institucional dhe rritjes së mundësive për përfaqësim të vlerave të mirëfillta qytetare me profesionalizëm dhe integritet”, është thënë në njoftim.

  • Nuk i dha përparësi në semafor, plagoset një person në Fushë Kosovë

    Nuk i dha përparësi në semafor, plagoset një person në Fushë Kosovë

    Një person është lënduar dje nga të shtënat me armë zjarri në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë.

    E gjithë ngjarja kishte nisur pasi që viktima nuk i kishte dhënë përparësi kalimi në sefamorë të dyshuarit, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë.

    I dyshuari kishte dalë nga vetura e tij e tipit Audi A3, duke e ofenduar viktimën verbalisht e më pas duke shtënë me armë zjarri në tokë ku plumbi e ka goditur në këmbë.

    I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur, ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Sipas Policisë, në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar predha dhe gëzhoja.

  • Dafina Zeqiri së bashku me Kreshnikun po marrin pjesë në ceremoninë mortore për Shpat Kasapin

    Dafina Zeqiri së bashku me Kreshnikun po marrin pjesë në ceremoninë mortore për Shpat Kasapin

    Arkivoli i këngëtarit Shpat Kasapi, i mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar po qëndron në Pallatin e Kulturës në Tetovë – qytetin e tij të lindjes.

    Atje do të mbahet një mbledhje komemorative për këngëtarin.

    Në sallë, nëna dhe familjarë të këngëtarët po presin njerëz që kanë shkuar për t’i ngushëlluar.

    Për t’i ngushëlluar ka shkuar edhe këngëtarja, Dafina Zeqiri me bashkëshortin e saj, Kreshnikun.

  • Netanyahu i kërkon publikisht presidentit izraelit faljen

    Netanyahu i kërkon publikisht presidentit izraelit faljen

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili po përballet me një gjyq të gjatë për korrupsion, i ka paraqitur një kërkesë zyrtare presidentit të vendit për ta falur atë.

    Netanyahu , i cili është i vetmi kryeministër në detyrë në historinë e Izraelit që del në gjyq, tha se çështja e kishte ndarë vendin dhe një falje do të ndihmonte në rivendosjen e unitetit kombëtar.

    Ai tha gjithashtu se kërkesa për t’u paraqitur në gjykatë tri herë në javë është një shpërqendrim që ia vështirëson atij udhëheqjen e vendit.

    Zyra e Presidentit Isaac Herzog tha se ishte “një kërkesë e jashtëzakonshme” që mbart “implikime të rëndësishme”.

    Por, presidenti do ta “shqyrtojë me përgjegjësi dhe sinqeritet kërkesën” pas konsultimit me “autoritetet përkatëse” në ministrinë e drejtësisë dhe departamentet ligjore, sipas zyrës së tij, shkruan skynews.

    Kjo vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi një letër Herzog duke i kërkuar atij që ta “falte plotësisht” Netanyahun në fillim të këtij muaji.

    Ndryshe, gjyqi i Netanyahut, i cili filloi në vitin 2020, nuk ka përfunduar ende.

    Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, të cilat përfshijnë ryshfet dhe mashtrim.

    Netanyahu u padit në vitin 2019 në tre raste, duke përfshirë akuzat për marrjen e dhuratave nga përfaqësuesit e biznesit.

    Benjamin Netanyahu këmbëngul se do të lirohet nga akuzat, edhe nëse gjyqi përfundon.

    Argumenti i tij, i paraqitur në 111 faqe, është se gjyqi është një shpërqendrim i tillë saqë po dëmton interesin kombëtar dhe po ndikon në aftësinë e tij për të qeverisur.

    Ai gjithashtu pretendon se hetimi u nxit nga qëllimi keqdashës për ta inkriminuar atë “me çdo kusht”, pavarësisht dekadave të tij në shërbim publik.

  • Varroset Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas

    Varroset Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas

    Të dielën, në fshatin Gllanasellë të Drenasit, është varrosur Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës, i cili ndërroi jetë të martën.

    Topilla ishte i vetmi që i kishte shpëtuar masakrës së 1 majit 1999, në të cilën u vranë mbi 40 civilë shqiptarë.

    Historia e tij u bë e njohur në mbarë botën përmes gazetës amerikane The Salt Lake Tribune, e cila në atë kohë botoi artikullin me titullin “Sole Survivor” – “I mbijetuari i vetëm”.

    Ai kishte mbetur i plagosur dhe i fshehur nën trupat e viktimave, derisa arriti të shpëtonte.

    Behar Topilla mbeti dëshmitar kyç i një prej krimeve më të rënda të luftës së fundit në Kosovë.

  • Dëshmia e frikshme: Naimi ia la Granitit armën me 20 fishekë për ta vrarë Liridonën

    Dëshmia e frikshme: Naimi ia la Granitit armën me 20 fishekë për ta vrarë Liridonën

    Naim Murseli ishte personi që ia kishte siguruar armën me plot 20 fishekë Granit Plavës për natën kritike të 29 nëntorit 2023, kur Liridona Ademaj u vra para syve të dy fëmijëve të saj.

    Kështu thuhet në dokumentin e Forenzikës Psikiatrike.

    Sipas dëshmisë së Granit Plavës, Naim Murseli ia kishte lënë armën me “5 fishekë në shanzher”, plus 15 të tjerë.

    “Dy ditë më herët, nëpërmjet Kushtrimit, unë u pata taku me Naimin, patëm dalë natën edhe patëm pi. Ditën kritike unë u zgjova në mëngjes, edhe Naimi kah ora 9:30 – 10:00 ka ardhë më ka marrë edhe jena nis për në Prishtinë. Ai ka ec përpara me kerr, unë përmas. Jemi ndal të pompa … edhe aty ma ka lonë allatin e 5 fishekë në shanzher dhe 15 fishekë të tjera. Tani jemi nis për në Prishtinë, ndërkohë ma ka qitë ni kafe edhe mu më ka ardhë qajo energjia madhe”, ka thënë Granit Plava në dëshminë e tij, njofton Klankosova.tv.

    Ndryshe, tw shtunën u shwnua përvjetori i dytë i vrasjes së 30-vjeçares Liridona Ademajt, një ngjarje që pati tronditur Kosovën.

    Vëllai i saj, Leonard Ademaj, përmes një postimi në Facebook, shprehi dhimbjen dhe mallin për motrën, duke theksuar se familja nuk mund të pajtohet me mungesën e saj dhe kërkon drejtësi.

    “Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote vërehet në çdo kohë. Këto dy vite nuk ishin të lehta për ne si familje. Nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin që ti nuk je më në mesin tonë. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty, motër”, shkroi ai.

  • ‘Jeta ime’, Selvija i jep lamtumirën Shpatit, nëna Gjylymsere e ngushëllon

    ‘Jeta ime’, Selvija i jep lamtumirën Shpatit, nëna Gjylymsere e ngushëllon

    Arkivoli i këngëtarit Shpat Kasapi, i mbuluar me flamurin kombëtar shqiptar po qëndron në Pallatin e Kulturës në Tetovë – qytetin e tij të lindjes.

    Atje do të mbahet një mbledhje komemorative për këngëtarin.

    Në sallë, nëna dhe familjarë të këngëtarët po presin njerëz që kanë shkuar për t’i ngushëlluar.

    Në një video shihet edhe bashkëshortja e të ndjerit, Selvija, e cila me lotë në sy i jep lamtumirën e fundit, babait të djalit të saj.

    Shpat Kasapi vdiq më 26 nëntor në moshën 40-vjeçare pas një sulmi në zemër.

    Ai do të varroset sot në orën 14:00 në varrezat e qytetit në Tetovë.