ATV

Blog

  • Lamine Yamal tregon pas 18 vitesh: Ishte pranë përfaqësimit të Marokut, por zemra e çoi drejt Spanjës

    Lamine Yamal tregon pas 18 vitesh: Ishte pranë përfaqësimit të Marokut, por zemra e çoi drejt Spanjës

    Lamine Yamal ka zbuluar se në fillimet e karrierës ka marrë seriozisht në konsideratë mundësinë për të luajtur për përfaqësuesen e Marokut, vendin e origjinës së nënës së tij. Super ylli i Barcelonës dhe Spanjës, sot një nga talentet më të mëdhenj në botë, pranoi se sukseset e Marokut në Botërorin e Katarit e kishin bërë të mendonte gjatë për këtë zgjedhje.

    “Po, e konsiderova mundësinë të luaj për Marokun,” tha Yamal.

    “Thellë në vetvete mendoja për Marokun. Në atë kohë, ata kishin arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës…”

    Megjithatë, në momentin e vendimit final, Yamal thotë se gjithçka u bë e qartë për të:

    “Në momentin e së vërtetës, nuk dyshova kurrë. Me gjithë dashurinë dhe respektin që kam për Marokun, gjithmonë kam dashur të luaj në Europian dhe në Europë.”

    Ai theksoi se futbolli europian i ofronte një platformë më të madhe ndërkombëtare:

    “Besoj se futbolli europian shikohet më shumë dhe është më pranë nivelit më të lartë ndërkombëtar.”

    Dhe vendimi i tij, sipas Yamal, i ka hapur dyert drejt ëndrrës më të madhe:

    “Falë Zotit, e arrita këtë. Më afron edhe me Kupën e Botës, me shanse reale për ta fituar…”

    Deklaratat e tij kanë rikthyer në vëmendje debatin e vjetër mbi zgjedhjet e lojtarëve me dyshtetësi, por edhe kanë nxitur respekt për sinqeritetin dhe vlerësimin që Yamal ka për të dy vendet që e përfaqësojnë. Spanja sot gëzon një nga talentet më të jashtëzakonshëm të gjeneratës së re, ndërsa Maroku vazhdon të mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së tij personale.

  • Vrasja e biznesmenit, automjeti i autorëve ishte në emër të kompanisë së viktimës

    Vrasja e biznesmenit, automjeti i autorëve ishte në emër të kompanisë së viktimës

    Detaje të reja janë mësuar mbi vrasjen e biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla në Elbasan.

    Dyshohet se makina tip “Audi” me të cilën lëviznin autorët ka qenë në pronësi të kompanisë së tij.

    Edmond Mëhalla u ekzekutua mbrëmjen e së dielës, pranë karburantit në pronësi të tij.

    Një prej autorëve e ka qëlluar biznesmenin me pesë plumba, dy prej të cilëve në kokë dhe një në trup.

    Pas vrasjes, autorët e dyshuar janë larguar drejt aksit Elbasan-Librazhd ndërkohë, këtë të hënë u gjet një makinë e djegur në fshatin Mirakë.

  • Kjo maskë koreane po bën mrekulli për flokët dhe mund ta bësh në shtëpi

    Kjo maskë koreane po bën mrekulli për flokët dhe mund ta bësh në shtëpi

    Ritualet koreane të bukurisë kanë sjellë një qasje të re edhe në kujdesin për flokët: trajtimi fillon nga skalpi.

    Maskat koreane nuk hidratojnë vetëm gjatësinë, por forcojnë rrënjët dhe qetësojnë lëkurën e kokës.

    Ja një maskë perfekte në kushte shtëpie:
    – 2 lugë xhel Aloe Vera
    – 1 lugë mjaltë natyral
    – 1 lugë vaj kokosi ose vaj argani

    Aplikoje maskën në skalp dhe gjatësi, masazho lehtë dhe lëre të veprojë 20 minuta. Shpëlaje me ujë të vakët dhe laje me shampo të butë.

    Rezultati: flokë më të hidratueshëm, më të fortë dhe me shkëlqim.

  • Ndodhë edhe kjo: Punoi me 2 turne për të krijuar agjentë me AI, pushohet nga puna dhe zëvendësohet nga krijesa e tij

    Ndodhë edhe kjo: Punoi me 2 turne për të krijuar agjentë me AI, pushohet nga puna dhe zëvendësohet nga krijesa e tij

    Donald King, 26 vjeç, është bërë simbol i mënyrës se si kompanitë e mëdha po përdorin inteligjencën artificiale, shpesh në dëm të punonjësve të tyre. I diplomuar në Universitetin e Teksasit në Austin në vitin 2021, King u punësua në PëC në Nju Jork si bashkëpunëtor në konsulencën teknologjike, duke punuar me klientë të rëndësishëm si Oracle. Pasi kompania njoftoi një investim prej 1 miliard dollarësh në IA, ai u bashkua me një ekip kërkimi që punonte 60–80 orë në javë.

    I talentuar dhe ambicioz, King programonte dhe drejtonte ekipe brenda dhe jashtë SHBA-së. Projekti i tij kryesor ishte zhvillimi i agjentëve të AI që mund të automatizonin procese të tëra pune, madje edhe departamente të kompletuara. “Na u desh të pyesnim: çfarë po ndërtojmë? Ishte si t’i trajtoje makinat si njerëz,” rrëfen ai për Fortune.

    Tetë muaj pas marrjes së rolit të ri, King prezantoi te PëC projektin e tij fitues në “hackathon”-in e OpenAI: një flotë agjentësh AI që bënin automatikisht punët më të lodhshme të njeriut. I bindur se ky sukses do t’i sillte ngritje në detyrë, ai nuk e priste atë që do të ndodhte më pas. Vetëm dy orë pas prezantimit, nga PëC e morën në telefon: Je i pushuar!

    I tronditur, ai regjistroi momentin e njoftimit dhe e publikoi në TikTok, ku videoja u bë virale me mbi 2 milionë shikime. King thotë se e kishte të pamundur të besonte se do të humbte punën pikërisht për teknologjinë që vetë kishte ndërtuar. “Mendova se isha i sigurt, sidomos pasi fitova vendin e parë. Më kapi krejt papritur,” thotë ai.

  • Filmi “Rush Hour” do të realizohet me kërkesë të Trumpit

    Filmi “Rush Hour” do të realizohet me kërkesë të Trumpit

    Sipas mediave ndërkombëtare, studioja “Paramount Pictures” do të publikojë filmin “Rush Hour 4”, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar personalisht rikthimin e vazhdimit të katërt të serisë së njohur komedi-aksion.

    Besohet se Trump i ka kërkuar Larry Ellisonit, themelues miliarder i kompanisë “Oracle”, e cila zotëron studion “Paramount”, të nxjerrë versionin e ri të filmit me aktorët protagonistë, Jackie Chan dhe Chris Tucker.

    Kanë kaluar pothuajse dy dekada që nga publikimi i “Rush Hour 3”, dhe nuk ka pasur lëvizje për vazhdimin e katërt, që kur “Warner Bros” ndërpreu bashkëpunimin me regjisorin Brett Ratner në vitin 2017, pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale. Ndër vite, disa studio janë kontaktuar për realizimin e filmit të ri, për të cilin tashmë ekziston skenari, por përfshirja e Ratner-it thuhet se ka pezulluar projektin.

    Filmat “Rush Hour” janë ndër të preferuarit e presidentit Trump, së bashku me tituj të tjerë si “Goodfellas”, “Godfather”, “The Good, the Bad and the Ugly” dhe “Citizen Kane”.

    Ndërsa shumë yje të Hollywood-it kanë qenë kritikë ndaj Trumpit, aktorët Jackie Chan dhe Chris Tucker nuk e kanë sulmuar publikisht udhëheqësin republikan.

  • OEK i jep ZRRE-së 5 ditë afat: Zbatoni vendimin e Supremes ose do të dorëzojmë kallëzim penal

    OEK i jep ZRRE-së 5 ditë afat: Zbatoni vendimin e Supremes ose do të dorëzojmë kallëzim penal

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke e akuzuar për keqinterpretim të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025 dhe duke paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të këtij institucioni, nëse vendimi nuk zbatohet brenda pesë ditësh.

    Në njoftimin e saj, OEK thekson se Gjykata Supreme ka konfirmuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit.

    Sipas OEK-ut, vendimi i Supremes është “i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm”.

    Oda kritikon ashpër komunikatën e ZRRE-së të datës 18 nëntor, duke e cilësuar si tentim për të “relativizuar këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme”.

    Në reagim thuhet se: “Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik. Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi. Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës.”

    Sipas OEK-ut, bizneset janë dëmtuar rëndë nga procesi i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm, duke u përballur me rritje çmimesh, kontrata të imponuara dhe depozita të pajustifikuara.

    OEK kërkon nga ZRRE që brenda pesë ditësh kalendarikë të ndërmarrë hapat e detyrueshëm.

    “Të publikojë një komunikatë të re dhe të korrigjuar mbi vendimin e Gjykatës Supreme, të ndalojë çdo interpretim të pasaktë të vendimit, të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal, të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm dhe të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

    Nëse këto veprime nuk ndërmerren brenda afatit, OEK paralajmëron se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryetarit të Bordit të ZRRE-së, si përgjegjës për pengimin e zbatimit të një vendimi të formës së prerë.

    Sipas njoftimit, moszbatimi i vendimit dëmton rëndë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore, besueshmërinë e investitorëve, stabilitetin ekonomik, sigurinë juridike në sektorin energjetik dhe imazhin e vendit si destinacion për investime.

    OEK shton se procesi i paligjshëm ka “krijuar kosto të larta operative, ka cenuar planifikimin financiar dhe ka pamundësuar investime të reja, duke rrezikuar mijëra vende pune”.

    Në fund të njoftimit, OEK garanton se do të vazhdojë mbrojtjen juridike të bizneseve të prekura, dhe se nuk do të lejojë që vendimet e formës së prerë të injorohen.

    “Shteti ligjor funksionon vetëm kur vendimet e gjykatave zbatohen. Asnjë institucion nuk mund të qëndrojë mbi ligjin,” përfundon njoftimi i OEK-ut.

  • Sergio Ramos në radarin e gjigantit italian Milan

    Sergio Ramos në radarin e gjigantit italian Milan

    Mbrojtësi spanjoll Sergio Ramos mund të rikthehet në elitën e futbollit evropian.

    Eksperti i transferimeve Fabrizio Romano bën të ditur se Ramos do të largohet nga klubi meksikan Monterrey,dhe se mund t’i bashkohet gjigantit italian Milan.

    Përndryshe Romano bën të ditur se Ramos është në kërkim të një përvoje të re në karrierën,dhe se nuk e ka ndërmend që t’i jap fund karrierës.

    Ndërkohë Ramos synon që të jetë pjesë e Spanjës për Kupën e Botës në vtin e ardhshëm,dhe se transferimi i tij tek Milan mund të jetë një mundësi për ta realizuar këtë gjë.

    Tek Milan Ramos shihet si njeri ideal për repartin e mbrojtjes,dhe me përvojën e tij mund t’i ndihmojë rossonerët në arritjen e objektivave.

  • Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

    Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përgatitet fuqishëm për zgjedhje.

    Partia e Ramush Haradinajt do të futet në zgjedhje me dy ish-kryeministra, liderin Haradinaj dhe ish-kryeministrin Agim Çeku.

    Ky i fundit do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Më 2 mars të vitit 2006, pas dorëheqjes së kryeministrit Bajram Kosumi, partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e propozoi Çekun për kryeministër.

    Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi atëbotë ushtarakun si kryeministër të vendit.

  • Vrasja makabre e blogeres austriake, trupi i saj gjendet në një valixhe

    Vrasja makabre e blogeres austriake, trupi i saj gjendet në një valixhe

    Një ngjarje e tmerrshme ka tronditur publikun në Austri dhe Slloveni. Trupi i Stefanie Pieper, blogeres austriake 31-vjeçare e zhdukur më 23 nëntor nga Graz, u gjet të premten e kaluar i fshehur në një valixhe në një pyll në Slloveni.

    Autoritetet njoftuan se ish-i dashuri i saj, gjithashtu 31-vjeç, ka pranuar se e ka mbytur duke e shtrënguar dhe më pas i ka treguar policisë vendin ku e kishte fshehur trupin.

    Pieper ishte zhdukur pas kthimit nga një festë e Krishtlindjeve. Fillimisht ajo i kishte dërguar miqve një mesazh për të njoftuar se kishte mbërritur e sigurt, por më pas shprehu frikën se dikush e kishte ndjekur deri te shkallët e ndërtesës ku banonte. Kur nuk u paraqit për një sesion fotografik të planifikuar dhe nuk u gjend më, familjarët dhe kolegët e saj njoftuan menjëherë policinë.

    Hetimet zbuluan gjurmë gjaku në kornizën e një dere, ndërsa dëshmitarët raportuan një grindje midis Pieper dhe ish-i dashurit të saj të dielën e zhdukjes. Pas debatit, ish-i dashuri u largua me një objekt voluminoz, kaloi kufirin drejt Sllovenisë dhe më pas u kthye në Austri. Ai u ndalua të hënën, më 24 nëntor, pasi kishte tentuar të digjte makinën e tij të kuqe, Volkswagen Golf, pranë kazinosë Mond në Sentilj, afër kufirit me Austri.

    Ish-i dashuri, Patrik M., u ekstradua më pas në Austri, ndërsa babai dhe vëllai i tij janë arrestuar. Qentë e policisë sllovene gjithashtu kanë kontrolluar prona pranë Mariborit që i përkisnin familjes së dyshuarit.

    Ngjarja dramatike ka shkaktuar tronditje të madhe në publik dhe po hetohet intensivisht nga autoritetet e të dy vendeve.

  • Gjashtë të vdekur këtë vit në Kosovë si pasojë e HIV-AIDS, 31 raste të reja

    Gjashtë të vdekur këtë vit në Kosovë si pasojë e HIV-AIDS, 31 raste të reja

    Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë së HIV/AIDS, megjithatë vetëm gjatë këtij viti sipas statistikave janë regjistruar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e saj.

    Këto të dhëna janë prezantuar në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Botërore kundër AIDS.

    Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, Merita Vuthaj, u shpreh se përballja me HIV/AIDS-in mbetet një sfidë globale. Ajo theksoi angazhimin e këtij dikasteri për të forcuar sistemin shëndetësor, në mënyrë që shërbimet shëndetësore për këtë sëmundje të jenë të qasshme për të gjithë.

    Vuthaj njoftoi se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nisë shpërndarja e terapisë PrEP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.

    “Në fillim të vitit 2024… kemi filluar dhe në vazhdimësi të vitit 2025 po vazhdon MSh me implementimin dhe funksionalizimin me sukses të sistemit të digjitalizimit për mbikëqyrjen e sëmundjeve ngjitëse që tashmë është i njohur SMSN, një nismë e rëndësishme për përmirësimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të sëmundjeve ngjitëse. Ky sistem i kohës e modern po ofron mundësi për mbledhje dhe analizim të të dhënave në kohë reale, element i rëndësishëm për luftimin e kësaj sëmundje ngjitëse….. Në fillim të vitit 2026, Ministria e Shëndetësisë do të filloj pilotimin e shpërndarjes së terapisë së PrEP-it(profilaksia para-ekspozimit për HIV) në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, aktivitet ky i cili ka rrjedh nga një nismë për hartimin dhe hulumtimin e PSO-së për shpërndarjen e PREP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor dhe kjo do t’i hap rrugë parandalimit dhe përhapjes së HIV, sidomos në grupet me rrezik të lartë“, tha ajo.

    Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Ardita Baraku tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale karshi HIV/AIDS për shkak të kufizimit të fondeve.“Viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale për HIV/AIDS sepse në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet tjera të botës është bërë kufizimi i fondeve me të cilat është rrezikuar përparimi për kontrollin e kësaj sëmundje gjegjësisht arrija e asaj që është planifikuar deri në vitin 2030. Prandaj, shumë njerëz po përballen me rreziqe edhe me cenueshmëri për të drejtat që i kanë për shëndet dhe dinjitet, prandaj nevojitet prioritizimi dhe integrimi i shërbimeve…..Këto terapi që janë pa pagesë edhe testimet janë pa pagesë ndihmojnë që të mos kemi të këtyre llojeve sa i përket pabarazisë, por ende mbetet sfida e dinjitetit dhe jetës normale apo dinjitoze në shoqëri”, deklaroi Baraku.

    Udhëheqësi i programit për rini në UNFPA, Besnik Sherifi tha se sëmundja HIV mbetet problem global i shëndetit publik duke marr mbi 44 milionë jetë deri sot.

    Sherifi potencoi se si UNFPA në Kosovë kanë kontribuar në parandalimin e HIV/AIDS përmes programeve të shumta.

    “Në fund të vitit 2024 rreth 40.8 milionë njerëz jetonin me HIV shumica në rajonin afrikan dhe vetëm gjatë vitit 2024 630 mijë persona humbën jetën nga shkaqet e lidhura me HIV, ndërsa 1.3 milionë u infektuan. Përparimi në parandalimin e HIV është çelësi për një brezë të lirë nga SIDA…megjithatë, shkurtimet e mëdha të fondeve kanë goditur rëndë programet e parandalimit duke lënë milionë njerëz pa qasje në ilaçe jetike dhe duke rritur rrezikun e infeksioneve të reja veçanërisht tek vajzat dhe gratë e reja….Në Kosovë UNFPA ka përkrahur programe të shumta në fushën e parandalimit të HIV që nga viti 1999 duke punuar me qindra e mijëra të rinj”, theksoi ai.

    Luljeta Gashi nga Departamenti i Epidemiologjisë pranë IKSHPK-së, u shpreh se Kosova ka shkallë të ulët të epidemisë me HIV, megjithatë vetëm vitin aktual janë raportuar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë vdekur.

    Sipas Gashit, moshat më të prekura janë ato 25-35 vjeç, derisa meshkujt janë më të infektuar me HIV me gjithsej 82%.

    “Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë ku prevalenca e HIV në mesin e popullatës së përgjithshme është nën 1% dhe në subpopullata nën 5%. Të dhënat ekzistuese dëshmojmë se ne nuk kemi epidemi të koncentruar apo gjeneralizuar të HIV-infeksionit. Që nga viti 1986 deri në vitin 2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej 246 raste me HIV/AIDS. Deri më tani 57 persona kanë vdekur si pasojë e HIV/AIDS dhe gjatë këtij viti 2025 janë raportuar 31 raste me HIV/AIDS dhe 6 raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it. Rastet me HIV/AIDS në Kosovë që nga viti 1986 deri në vitin 2025 shohim një rritje të rasteve nga viti 2022 kur i kemi 21 raste, në vitin 2023 20, në vitin 2024 i kemi pas 34 raste….Numri më i madh i rasteve është shënuar në komunën e Prishtinës janë 76 raste me 12 raste t] vdekjes si pasoj e AIDS. Pastaj, është komuna e Prizrenit me 32 raste me 5 të vdekur. HIV/AIDS mbetet një sëmundje akoma me mbizotërim urban….Sipas gjinisë 82% i përkasin gjinisë mashkullore dhe 18% janë të gjinisë femërore. Numri i rasteve sipas grup-moshës. Shpërndarja sipas grup-moshës tregon se në vendin tonë dominon grup-mosha 25-34 vjeç me 35% e ndjekur nga grup-mosha 35044 vjeç me 23%”, tha ajo.

    Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës rrugët e përhapjes së HIV-AIDS-it, janë heteroseksuale me 48%, e pasuar nga 35% homoseksuale

    Prej vitit 1988, 1 Dhjetori njihet në të gjithë botën si dita kundër virusit vdekjeprurës, HIV/AIDS.

    Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.