ATV

Blog

  • KFOR njofton se mbi 12,000 eksplozivë janë sekuestruar që nga 1999-ta

    KFOR njofton se mbi 12,000 eksplozivë janë sekuestruar që nga 1999-ta

    Komandanti i KFOR-it, Gjenerallejtënant Ozkan Ulutash, vizitoi dje organizatat Ndihma Popullore Norvegjeze (NPA) dhe HALO Trust në Mitrovicën e Jugut, të cilat janë të pavarura dhe të specializuara në çështjet e shpërthimit të minave.

    Gjatë vizitës, Ulutaş mori një pasqyrë të aktiviteteve të tyre aktuale dhe u prezantua me pajisjet dhe municionin eksploziv të përdorur për trajnime dhe ndërgjegjësim publik.

    Sipas njoftimit për media thuhet se që nga viti 1999, HALO Trust dhe NPA kanë pastruar më shumë se 40 milionë metra katror tokë dhe kanë sekuestruar mbi 12,000 eksplozivë të paplasur, duke kontribuuar ndjeshëm në sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Përveç kësaj, organizatat kanë ndihmuar në sigurinë ushqimore, qasjen në tokë, si dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe energjisë.

    “KFOR ka mbështetur punën e HALO Trust dhe NPA-së, përfshirë edhe neutralizimin e eksplozivëve të hasur në terren, së bashku me personelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatet e tyre për mbrojtje civile”, thuhet në njoftim.

    Komandanti Ulutaş nënvizoi rëndësinë që këto aktivitete të vazhdojnë të financohen si duhet, në mënyrë që Kosova të shpallet e sigurt nga eksplozivët e paplasur në të ardhmen e afërt.

  • Partitë kanë afat deri më 7 dhjetor për dorëzimin e listave të kandidatëve

    Partitë kanë afat deri më 7 dhjetor për dorëzimin e listave të kandidatëve

    Qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen kutive të votimit më 28 dhjetor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

    Ndërkohë, partitë politike kanë filluar njoftimet për aderime të reja dhe prezantimin e kandidatëve të rinj.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Insajderin se subjektet politike kanë afat deri më 7 dhjetor 2025 për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë përmes platformës zyrtare të KQZ-së.

    Ai tha se ky afat vlen për të gjitha partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që kanë aplikuar për certifikim.

    “Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”., tha ai.

  • Nesër varroset vëllai i Lutfi Hazirit, i cili vdiq pas një sëmundje të rëndë

    Nesër varroset vëllai i Lutfi Hazirit, i cili vdiq pas një sëmundje të rëndë

    Vëllai i Lutfi Hazirit, Bedriu, do të varroset të enjten me fillim nga ora 14:00 në varrezat e qytetit në Gjilan.

    Kështu ka bërë të ditur vet Lutfi Haziri, i cili po ashtu njoftoi se familja pranon ngushëllime të premten, të shtunën dhe të dielën, nga ora 10:00 – 16:00.

    “Ju falënderojmë shumë që e keni ndarë dhimbjen me ne, në këto ditë të rënda!”, ka shkruar ai.

    Bedri Haziri vdiq të martën në spitalin universitar të Zurichut në Zvicër, pas një sëmundje të rëndë

  • Mënyra më e lehtë për të shkrirë xhamat e veturave

    Mënyra më e lehtë për të shkrirë xhamat e veturave

    Xhamat e mjegulluar të veturave janë dukuri e zakonshme në dimër dhe vjeshtë. Por cila është mënyra më e lehtë për ta zgjidhur këtë problem?

    Më efikase është të vendosni ngrohjen në temperaturën më të lartë dhe ventilimin në nivelin maksimal, pasi rrjedha e fortë e ajrit vepron ngjashëm me tharësen e flokëve.

    Ajri dhe ngrohja duhet të drejtohen drejtpërdrejt te xhami i përparmë.

    Ekspertët shpjegojnë se edhe sistemi i kondicionimit ndihmon në largimin e lagështisë nga ajri, madje edhe kur është i aktivizuar për të fryrë nxehtë.

    Një gjë tjetër shumë e rëndësishme është që të siguroheni gjithmonë që brendësia e xhamit të përparmë të jetë e pastër.

    Kjo është e rëndësishme për largimin më të lehtë të lagështisë, por edhe për dukshmëri më të mirë – sidomos gjatë natës ose kur vozitni në shi.

  • Haradinaj për “Sarajevo Safari”: Nëse Serbia dënohet për gjenocid, për ne është fitore

    Haradinaj për “Sarajevo Safari”: Nëse Serbia dënohet për gjenocid, për ne është fitore

    Ish-nënkryetari i OVL – UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka komentuar detajet e reja që janë publikuar nga gazeta gjermane Frankfurter Sonntagszeitung (FAS) rreth fenomenit “Sarajevo Safari”, ku përmendet edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Haradinaj tha se nëse Serbia dënohet si shtet për gjenocid, kjo do të ishte fitore për vendin tonë.

    Sipas tij, pavarësisht mundësisë së dënimit, mendësia e serbëve nuk ndryshon.

    “Nëse Serbia dënohet për gjenocidin në Kosovë, për ne do të jetë fitore. Mendësia e serbëve nuk ndryshon, se ata qysh në djep mësohen me qenë njerëz okupues, me pushtu e sidomos në urrejtje. Por, politikat ndryshojnë nëse Serbia dënohet për gjenocidin” – tha Haradinaj.

  • Astronauti rus përjashtohet nga misioni hapësinor për shkak të dyshimeve për spiunazh

    Astronauti rus përjashtohet nga misioni hapësinor për shkak të dyshimeve për spiunazh

    Astronauti rus Oleg Artemyev është larguar nga ekuipazhi kryesor i misionit Crew-12 të SpaceX në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) pas akuzave se ai ka fotografuar teknologji të klasifikuar në shkelje të rregulloreve të kontrollit të eksportit të SHBA-së.

    Vendin e tij e ka zënë kolegu i tij i Roscosmos, Andrei Fedyaev, raportoi The Insider më 2 dhjetor, siç citohet nga United24 Media.

    Sipas burimeve, Artemyev u largua nga trajnimi në objektin e SpaceX në Hawthorne, Kaliforni, javën e kaluar. Ai dyshohet se ka bërë fotografi të motorëve të raketave dhe materialeve të tjera të brendshme me telefonin e tij dhe i ka marrë ato jashtë vendit. Të njëjtat burime pohojnë se NASA nuk donte që incidenti të bëhej publik për të shmangur polemikat.

    Nga ana tjetër, agjencia hapësinore ruse Roscosmos ofroi një shpjegim të ndryshëm. Në një deklaratë zyrtare, ata deklaruan se zëvendësimi ndodhi “në lidhje me transferimin e [Artemyev] në një punë tjetër”, pa përmendur shkeljet e supozuara të rregulloreve të SHBA-së.

    Faqja e internetit e Qendrës së Trajnimit të Astronautëve Gagarin tani e liston Andrei Fedyaev si anëtar të ekuipazhit kryesor të misionit Crew-12. Misioni Crew-12, i cili po kryhet në kuadër të programit Commercial Crew të NASA-s dhe një marrëveshjeje për shkëmbim hapësinor me Roscosmos, është planifikuar të niset në anijen kozmike Crew Dragon më 15 shkurt 2026.

    Oleg Artemyev, 54 vjeç, është një astronaut me përvojë me tre fluturime hapësinore dhe një total prej 560 ditësh në orbitë. Ai ka qenë gjithashtu deputet në Dumën e Qytetit të Moskës si anëtar i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar që nga viti 2019.

    As SpaceX dhe as NASA nuk kanë komentuar ende publikisht mbi hetimin. Shkelja e Rregulloreve Ndërkombëtare të Trafikut të Armëve të SHBA-së (ITAR), të cilat rregullojnë në mënyrë strikte eksportin dhe aksesin në teknologjitë e ndjeshme hapësinore dhe të mbrojtjes të SHBA-së, mund të ketë pasoja serioze ligjore dhe diplomatike.

  • Si u krijuan fishekzjarret, si bëhen me ngjyra dhe forma të ndryshme?

    Si u krijuan fishekzjarret, si bëhen me ngjyra dhe forma të ndryshme?

    Në mbarë botën, njerëzit mblidhen për të parë shfaqje vezulluese fishekzjarresh në raste të veçanta, si në orën 12:00 pas mesnate kur bëhet ndërrimi i mot-moteve, e me 4 korrik për pavarësinë e SHBA-së, kur qielli duket plot ngjyra.

    Por e keni pyetur ndonjëherë veten çfarë fshihet pas shpërthimeve të fuqishme dhe ngjyrave të mrekullueshme që ndriçojnë qiellin? Pse disa shkëlqejnë, disa kërcasin e disa të tjera krijojnë edhe figura në qiell?

    Alkimistët kinezë krijuan barutin midis viteve 600 dhe 900 pas Krishtit, duke hapur rrugën për fishekzjarret shumëngjyrëshe. Ekspertët besojnë se forma më e hershme e fishekzjarreve daton rreth vitit 200 para Krishtit, në Kinën e lashtë, transmeton KOHA.net.

    Me kalimin e kohës, megjithatë, fishekzjarret u zhvilluan dhe u kthyen në një formë të njohur argëtimi. Si rezultat, ato u përfshinë në festivale dhe ceremoni, shkruan The Fact Site.

    Një vit pas nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, Philadelphia organizoi festimet e para të Ditës së Pavarësisë me fishekzjarre, më 4 korrik 1777.

    Çfarë u jep fishekzjarreve ngjyrat e tyre spektakolare?

    Në fillim, fishekzjarret kishin kryesisht vetëm ngjyrën portokalli. Me kalimin e viteve, alkimistët zbuluan mënyra për të shtuar ngjyra të tjera. Kur i ekspozon në temperatura të larta, shumë metale prodhojnë flakë me ngjyra. Kështu që piroteknikët thjesht duhej të shtonin metalet e duhura në përzierjen me barut për të marrë efektin e dëshiruar.

    Ngjyra klasike e argjendtë ose e bardhë vjen zakonisht nga titani, magnezi dhe zirkoni. Stronciumi i jep fishekzjarreve ngjyrë të kuqe të ndezur, natriumi ngjyrë të verdhë, dhe bakri ngjyrë blu.

    Por këtu bëhet më interesante. Përzierja e fishekzjarreve me ngjyra është pak a shumë është si të përziesh bojërat për të marrë ngjyrën perfekte.

    Por, si krijohen format specifike në qiell?

    Fishekzjarret që krijojnë forma si zemra, yje apo fytyra në qiell janë shumë mbresëlënëse. Por magjia qëndron te mënyra se si ndërtohen. Sekreti është te struktura e fishekzjarrit. Këto fishekzjarre të veçanta përmbajnë disa grimca të vogla me material shpërthyes, të vendosura në një formë të caktuar brenda predhës.

    Shpesh përdoren edhe pjesë kartoni për t’i mbajtur yjet në vend. Kur fishekzjarri lëshohet dhe shpërthen në qiell, yjet shpërndahen në të njëjtën formë në të cilën ishin vendosur.

    Që të sigurohen që të gjithë ta shohin formën, piroteknikët zakonisht i lëshojnë fishekzjarret nga kënde të ndryshme.

    Ka edhe një mënyrë të dytë, më komplekse, për të krijuar figura me fishekzjarre. Ato ndërtohen në tokë me shumë fishekzjarre të vogla të vendosura në një model të caktuar. Kur vjen momenti i shfaqjes, të gjitha ndezen njëkohësisht dhe krijojnë një figurë të madhe.

    Kjo teknikë, megjithëse më e lodhshme, preferohet për modele komplekse, sikurse krijimi i një figure gjigante të flamurit amerikan.

    A mund të shpërthejnë fishekzjarret vetvetiu?

    Fatmirësisht, jo. Fishekzjarret janë të dizajnuar që të kërkojnë një burim të jashtëm ndezjeje, si flakë apo një pajisje që aktivizon fitilin.

    Për sa kohë që i ruani larg shkëndijave, nxehtësisë apo çdo burimi të mundshëm ndezjeje ose materiali të djegshëm, ato janë të sigurta.

    Fishekzjarret na kanë mahnitur për shekuj, falë një kombinimi të zgjuar të kimisë, mjeshtërisë dhe traditës. Kur ndizen, përbërjet metalike prodhojnë ngjyra ndërsa vendosja e grimcave shpërthyese krijojnë forma.

    Herën tjetër që shihni një shfaqje madhështore fishekzjarresh, mund t’i impresiononi miqtë duke u shpjeguar se si funksionon.

  • 3 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara

    3 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara

    Sot është dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, andaj Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë një postim mjaftë emocionues:

    “Sot është një ditë reflektimi dhe respekti për personat me aftësi të kufizuara – për forcën e tyre të jashtëzakonshme, talentin dhe vlerën që sjellin çdo ditë në shoqërinë tonë.

    Kjo ditë na kujton se barazia dhe gjithëpërfshirja nuk janë thjesht ideale, por përgjegjësi e përbashkët.

    Federata e Futbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë. Përmes programeve “Grassroots” dhe “FSR”, FFK punon që futbolli të jetë hapësirë e hapur, e sigurt dhe inspiruese për personat me aftësi të kufizuara.

    Falë angazhimit të tyre, sporti shndërrohet jo vetëm në aktivitet, por edhe në urë lidhëse që sjell bashkim, dinjitet dhe motivim.

    Le të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri ku secili ndihet i vlerësuar, i përfshirë dhe i fuqizuar.
    Diversiteti na bashkon. Përkrahja na fuqizon. Përfshirja na nderon.”

  • BE-ja arrin marrëveshje për heqjen graduale të gazit rus deri në vitin 2027

    BE-ja arrin marrëveshje për heqjen graduale të gazit rus deri në vitin 2027

    Përveç takimit të vazhdueshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s, institucionet e BE-së kanë njoftuar në orët e para të mëngjesit se kanë rënë dakord për një marrëveshje që blloku të heqë plotësisht importet e gazit rus, të cilat nxisin pushtimin e Moskës.

    Përfaqësimi i shteteve anëtare, Këshilli Evropian, tha se arriti një marrëveshje me Parlamentin Evropian për të ndaluar të gjitha importet e gazit deri në shtator 2027.

    Afati mund të zgjatet me një muaj tjetër për shtetet anëtare që kanë vështirësi në arritjen e niveleve të kërkuara të magazinimit.

    Përdorimi i gazit rus ka rënë nga 45% e importeve të BE-së para fillimit të pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022, në rreth 12% në tetor.

    Hungaria, Franca dhe Belgjika janë ndër vendet e BE-së që ende marrin gaz rus.

  • Pas fitores 3-1 ndaj Atletico Madrid, Hansi Flick lavdëron Raphinhan: “Me të gjithçka është më e lehtë”

    Pas fitores 3-1 ndaj Atletico Madrid, Hansi Flick lavdëron Raphinhan: “Me të gjithçka është më e lehtë”

    Barcelona mori një fitore të rëndësishme mbrëmë duke mposhtur Atletico Madrid me rezultatin 3-1, ndërsa një nga protagonistët kryesorë ishte Raphinha, i cili zhbllokoi sfidën me golin e parë në minutën e 26-të.

    Pas ndeshjes, trajneri Hansi Flick nuk i kurseu lëvdatat për lojtarin brazilian, duke theksuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në lojën e Barcelonës.

    “Kur kemi Raphinan, gjithqka është më e lehtë. Të gjithë ndikohen prej tij,” deklaroi Flick, i entuziazmuar nga paraqitja e sulmuesit.

    Teksa Raphinha vazhdon të tregojë formë të lartë me gola, dinamizëm dhe punë të pakursyer në të dyja fazat e lojës, Flick theksoi se energjia e tij është ajo që i jep Barcelonës ritmin dhe agresivitetin që kërkon.

    Goli i brazilianit hapi rrugën drejt fitores, ndërsa Barcelona kontrolloi ndeshjen me besim dhe e mbylli me një rezultat bindës 3-1, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme në garën për kreun e La Ligas.