ATV

Blog

  • Pse vitamina D ndonjëherë nuk vepron? Ndoshta po e merrni në kohën e gabuar

    Pse vitamina D ndonjëherë nuk vepron? Ndoshta po e merrni në kohën e gabuar

    Ushqimi, koha e marrjes dhe mënyra e kombinimit mund të përcaktojnë sa vërtetë përthithet vitamina D

    Vitamina D është thelbësore për shëndetin, por shpesh është e vështirë të merret në sasi të mjaftueshme vetëm përmes ushqimit. Prandaj suplementet janë bërë kaq të përhapura. Megjithatë, që vitamina D të përthithet si duhet dhe të ketë efekt maksimal, është e rëndësishme jo vetëm sa e merrni, por kur dhe si e merrni. Ndërsa disa preferojnë ta marrin në mëngjes dhe të tjerë në mbrëmje, çelësi qëndron te mënyra e duhur e përthithjes.

    Pse vitamina D duhet marrë me ushqim?

    Vitamina D është vitaminë e tretshme në yndyrë. Kjo do të thotë se nuk përzihet mirë me ujë, por përthithet më efektivisht kur merret së bashku me ushqime që përmbajnë yndyra të shëndetshme. Për këtë arsye, rekomandohet që suplementet e vitaminës D të merren gjatë një vakti, në mënyrë që absorbimi të jetë sa më i lartë.

    Studimet e mëparshme kanë treguar se: Marrja e vitaminës D gjatë vaktit më të madh të ditës rriti nivelet e saj në gjak me rreth 50% pas 2-3 muajsh.
    Një studim i vitit 2014 ndaj 50 të moshuarve tregoi se marrja e vitaminës D me një vakt të pasur me yndyrna rriti nivelet në gjak me 32% brenda 12 orësh, krahasuar me një vakt pa yndyrë.

    Burime të mira yndyrnash për absorbim më të mirë: avokado, arrat, farat, peshqit e yndyrshëm (si salmoni dhe sardelet), qumështi dhe produktet e plota, vezët, transmeton Telegrafi.

    A është më mirë ta merrni në mëngjes?
    Shumë njerëz zgjedhin mëngjesin sepse është më praktike dhe më e lehtë për t’u mbajtur mend. Nëse merrni disa suplemente gjatë ditës, marrja e vitaminës D me vaktin e mëngjesit mund të ndihmojë në krijimin e një rutine të qëndrueshme.

    Si ta mbani mend më lehtë?

    – përdorni kuti të përditshme për tableta
    – vendosni një alarm
    – mbajeni pranë tryezës së ushqimit si kujtesë vizuale
    A prish gjumin nëse merret në mbrëmje?

    Këtu rezultatet janë të përziera:

    Disa studime të vitit 2021 sugjerojnë se vitamina D mund të ndikojë në prodhimin e melatoninës, hormon që rregullon gjumin. Marrja e vitaminës D para gjumit mund të ulë përkohësisht nivelet e melatoninës dhe potencialisht të ndikojë tek disa njerëz.

    Studime më të reja (2024) tregojnë se suplementimi me vitaminë D në fakt mund të përmirësojë cilësinë e gjumit te shumë individë.
    Përfundimi: Ndikimi në gjumë është individual. Disa flenë më mirë, disa më keq.

    Pra, cili është koha më e mirë?

    Nuk ka një përgjigje absolute. Megjithatë:

    ▪ Më e rëndësishme se koha është ta merrni rregullisht.
    ▪ Merreni gjithmonë me një vakt që përmban yndyrna të shëndetshme.
    Ky kombinim është ai që siguron përthithjen dhe efektin më të mirë.

    Qoftë me mëngjes, qoftë me darkë, rëndësi ka që ju të ndiheni mirë, gjumi të mos prishet dhe rutina të jetë e qëndrueshme.

    Nëse keni paqartësi rreth dozës apo llojit të suplementit, gjithmonë konsultohuni me mjekun ose farmacistin.

  • Vëllai i Festim Isufit thotë se autopsinë e tij do ta çojnë në Gjermani

    Vëllai i Festim Isufit thotë se autopsinë e tij do ta çojnë në Gjermani

    Më 9 maj të këtij viti, dizajneri i njohur Festim Isufi, u gjet i vdekur në banesën e tij në rrugën B, në Prishtinë.

    Familja e të ndjerit, po dyshon se më i dashuri i tyre është vrarë nga një person i tretë, pasi në momentin kritik, pranë tij gjendej edhe bashkëshortja, Rina Maloku, e cila kishte pësuar plagë.

    Por, një dyshim i tillë, nuk është përmendur nga organet e rendit.

    Ndërkohë, vëllai i Festimit, Lulzim Isufi, ka bërë të ditur se autopsinë e vëllait të tij, do ta dërgojnë edhe në Gjermani.

  • Jehona Kicaj – laurate e Çmimi Letrar i Qytetit të Hannoverit për vitin 2025

    Jehona Kicaj – laurate e Çmimi Letrar i Qytetit të Hannoverit për vitin 2025

    Shkrimtarja nga Kosova, Jehona Kicaj e cila jeton prej kohësh në Gjermani është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Hanna” – Çmimi Letrar i Qytetit të Hannoverit për vitin 2025.

    Kjo vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm, me romanin e saj „ë“ të përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit 2025.

    Romani „ë“, i cili i solli këto dy vlerësime të mëdha brenda një viti, sjell rrëfimin prekës të një familjeje nga Kosova e cila, gjatë luftës detyrohet të shpërngulet në Gjermani.

    Historia rrëfehet përmes syve të një fëmije, duke e bërë tregimin edhe më emotiv dhe të fuqishëm.

  • Bedri Hamza i kërkon BE-së t’i heqë sanksionet pavarësisht se kush do ta udhëheqë Kosovën

    Bedri Hamza i kërkon BE-së t’i heqë sanksionet pavarësisht se kush do ta udhëheqë Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ia ka dërguar një letër zyrtare presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ku kërkon heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave të BE-së ndaj Kosovës. Në tekstin e letrës bie në sy një qasje që shkon përtej interesit partiak dhe zgjedhor, duke e vendosur perspektivën europiane të Kosovës mbi çdo rivalitet politik.

    Në qendër të mesazhit të tij, Hamza thekson se Kosova duhet trajtuar si çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se sanksionet po e dëmtojnë vendin në momente kyçe për integrimin europian dhe euroatlantik.

    “Vendit tonë duhet t’i jepen të njëjtat mundësi, mjete dhe mbështetje si të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së dhe NATO-s”, shkruan ai.

    Duke reflektuar mbi vitin sfidues që ka kaluar Kosova, me tri procese zgjedhore brenda një viti, Hamza shpjegon se këto janë dëshmi të “qëndrueshmërisë dhe pjekurisë së demokracisë së Kosovës”.

    Ai thotë se proceset zgjedhore janë zhvilluar “demokratikisht, me transparencë dhe paqësisht”, pavarësisht bllokadës së mëvonshme politike.

    Në letrën e tij, Hamza risjell në vëmendje sakrificat dhe obligimet që Kosova ka marrë përsipër në rrugën e integrimit, përfshirë edhe krijimin e Dhomave të Specializuara. Ai e quan këtë një kërkesë të imponuar vetëm mbi Kosovën, e cila “fatkeqësisht është shndërruar në një instrument monoetnik”.

    Por, pjesa më shprehëse e letrës është thirrja e tij për unitet dhe qasje të përbashkët shtetërore ndaj interesave strategjike.

    “Pavarësisht se kush do t’i udhëheqë institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve, vendi ynë duhet të ketë të njëjtat mjete dhe mbështetje si të gjitha të tjerat në rajon. Vazhdimi i masave e privon Kosovën nga këto mundësi dhe rrezikon të minojë vlerat demokratike dhe proevropiane”.

    Kjo fjali e përmbledh filozofinë e letrës: çështja e sanksioneve nuk është e një qeverie apo partie, por e vetë shtetit të Kosovës.

    Në përmbyllje, Hamza i bën thirrje BE-së që të dërgojë një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar vendimin që do t’i hapte rrugë një faze të re të marrëdhënieve.

    “Kërkoj me respekt heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha masave të BE-së ndaj Kosovës”.

    Letra reflekton një pozicion që Hamza e paraqet jo vetëm si lider partie, por edhe si një figurë burrështetasi që synon stabilitet, partneritet dhe trajtim të drejtë të Kosovës në proceset euroatlantike.

  • PDK dështon ta zgjedhë kryesuesin e Kuvendit në Kaçanik – opozita braktis sallën

    PDK dështon ta zgjedhë kryesuesin e Kuvendit në Kaçanik – opozita braktis sallën

    Është betuar kryetari i ri i komunës, Sabedin Vishi, seanca e Kuvendit të Kaçanikut u shndërrua në skenë tensioni politik, pasi PDK nuk arriti ta sigurojë zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit.

    Pikërisht në momentin kur duhej të procedohej me votimin, partitë opozitare reaguan ndaj propozimit të PDK-së dhe braktisën sallën, duke e lënë subjektin fitues pa kuorum dhe duke e pamundësuar procesin.

    Kështu, PDK pati dështimin e parë institucional pas zgjedhjeve, duke mos arritur të konsolidojë udhëheqjen e kuvendit, ndërkohë që seanca u ndërpre dhe pritet të thirret përsëri në ditët në vijim.

  • KQZ-ja mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    KQZ-ja mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mban mbledhjen e radhës.

    Kjo mbledhje do të mbahet nga ora 13:30.

    Ky është rendi i ditës:

  • Napoli mposht Juventusin, Spalletti sqaron pse Zhegrova luajti pak minuta!

    Napoli mposht Juventusin, Spalletti sqaron pse Zhegrova luajti pak minuta!

    Napoli ka marrë një fitore të rëndësishme në derbin e fundjavës së Serie A, duke triumfuar 2:1 ndaj Juventusit në një ndeshje me ritëm të lartë dhe emocione deri në fund.

    Edon Zhegrova u paraqit sërish vetëm në minutat e fundit të takimit, duke pasur mundësi të kufizuara për të ndikuar në lojë. Aktivizimi i tij i vonshëm nxiti pyetje për formën dhe gjendjen e tij, të cilave trajneri Luciano Spalletti iu përgjigj pas ndeshjes.

    Spalletti bëri të ditur se reprezentuesi i Kosovës ka vuajtur shqetësime fizike gjatë javës, çka ka ndikuar që ai të mos jetë i disponueshëm plotësisht në stërvitje.

    “Edoni po vjen nga një periudhë e gjatë mungese. Ai është një lojtar shkatërrues në 15 metrat e fundit, por këtë javë ka pasur shqetësime dhe ka qenë jashtë stërvitjes. I duhet kohë që të rikthehet në ritmin e duhur. Do të doja ta përdorja më shumë, por ai duhet të rifitojë formën e tij fizike,” deklaroi Spalletti.

    Zhegrova pritet të rikthehet gradualisht në formën optimale në javët në vijim, ndërsa Napoli vazhdon luftën për pozitat e para në tabelën e Serie A-së.

  • Ishte planifikuar të luftonte herpesin, zbulohet vaksina që ndihmon në betejën kundër demencës

    Ishte planifikuar të luftonte herpesin, zbulohet vaksina që ndihmon në betejën kundër demencës

    Me rreth 10 milionë raste të reja të demencës çdo vit në mbarë botën, komuniteti shkencor po intensifikon kërkimet për mënyra efikase që mund të parandalojnë ose ngadalësojnë zhvillimin e saj.

    Përveç faktorëve të njohur të stilit të jetesës, të dhëna të reja shkencore kanë nxjerrë në pah një armë të papritur mbrojtëse: vaksinën kundër herpesit zoster.

    Vaksina që mund të mbrojë trurin

    Një analizë e kryer nga studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Stanfordit zbuloi se të moshuarit e vaksinuar kundër herpesit zoster kishin 20% më pak gjasa të zhvillonin demencë brenda shtatë viteve, krahasuar me personat e pavaksinuar. Studimi, i botuar kohë më parë në ‘Nature’, mbështetet në hipotezën se viruset që prekin sistemin nervor mund të rrisin rrezikun e demencës.

    Në vazhdim, një studim tjetër i botuar në ‘Cell’ nxori në pah se e njëjta vaksinë mund të ngadalësojë përparimin e demencës edhe tek ata që janë tashmë të diagnostikuar.

    Herpes zoster, i shkaktuar nga virusi varicella-zoster, është një infeksion i dhimbshëm që rikthehet vite pas infeksionit fillestar me variçelë. Ndërkohë, demenca prek mbi 55 milionë njerëz globalisht, duke e bërë kërkimin për faktorët që ndikojnë në zhvillimin e saj një përparësi ndërkombëtare.

    Studime të mëhershme kanë sugjeruar një lidhje midis vaksinës dhe uljes së rrezikut të demencës, por nuk mund të përjashtonin ndikimin e stilit të jetesës së njerëzve të vaksinuar.

    Një përparësi e madhe kërkimore erdhi nga programi i vaksinimit në Uells, i cili më 1 shtator 2013 vendosi të vaksinojë vetëm personat që ishin saktësisht 79 vjeç. Ata që ishin 78 ose 80 vjeç nuk u përfshinë menjëherë.

    Kjo krijoi një mundësi të rrallë: krahasimin e dy grupeve pothuajse identike, sikur të ishin pjesë e një prove klinike.

    Analiza përfshiu të dhënat e më shumë se 280,000 të moshuarve dhe dha rezultate të qarta.

    Çfarë zbuluan studiuesit pas 7 vitesh?

    Rënien e rasteve të herpesit zoster me 37% te të vaksinuarit.

    20% ulje të rrezikut të demencës në krahasim me të pavaksinuarit.

    Më pak raste të dëmtimit të lehtë njohës brenda 9 viteve.

    Tek personat tashmë të diagnostikuar me demencë, vaksina ishte e lidhur me mbijetesë më të lartë dhe përparim më të ngadalshëm të sëmundjes.

  • Makazze dhe NaVi sfidohen nga Furia në çerekfinalet e CS2 Major

    Makazze dhe NaVi sfidohen nga Furia në çerekfinalet e CS2 Major

    Janë përcaktuar çiftet e çerekfinaleve në play-offin e CS2 Majorit që po zhvillohet në Budapest.

    Natus Vincere, ku bën pjesë edhe ylli kosovar Drin “makazze” Shaqiri, do të ketë sfidën më të vështirë, duke u përballur me ekipin më në formë të turneut, Furia. NaVi humbi ndaj Furias në ndeshjen hapëse të fazës së tretë dhe tani synon hakmarrje për t’u kualifikuar më tej në turneun më të rëndësishëm të CS2 në botë.

    Një tjetër përballje interesante pritet të jetë ajo mes Spirit dhe Falcons.

    Të gjitha çiftet e çerekfinaleve:

    • Spirit – Falcons

    • Vitality – The Mongolz

    • Furia – NaVi

    • Mouz – Faze

    Dy çerekfinale do të luhen të enjten dhe dy të premten, ndërsa gjysmëfinalet janë programuar për të shtunën. Finalja do të zhvillohet të dielën dhe për herë të parë në histori do të luhet në formatin “BO5”.

  • Taksat doganore po e rrisin koston e porosive ndërkombëtare në Kosovë

    Taksat doganore po e rrisin koston e porosive ndërkombëtare në Kosovë

    Kostoja e produkteve të blera online jashtë Kosovës, që kushtojnë mbi 35 euro, shpesh dyfishohet ose edhe trefishohet për qytetarët.

    Kjo ndodh sepse ata duhet të paguajnë taksën doganore dhe TVSH-në, e cila llogaritet edhe mbi koston e transportit, pavarësisht nëse porosia vjen me aeroplan apo me transport tokësor.

    Zëdhënësi i Doganës…, Adriatik Stavileci, thotë se taksat janë të njëjta për të gjitha porositë, por, sipas tij, çmimi i taksës dallon varësisht nga kostoja e transportit.

    “Fillimisht duhet të sqarojë se taksat që aplikohet në import janë të njëjta nuk kanë dallim, por nëse një produkt ka një vlerë prej 50 eurosh si produkt dhe vlera e transportit nga vendi i dërgesës është 15 apo 30 euro atëherë baza për kalkulimin e taksave bëhet vlera e produktit plus vlera e transportit. Vlera e produktit 50 euro plus vlera e transportit 10 euro si shembull mbërrin në 60 euro dhe këtu janë ato dallimet… Dogana nuk ka interes personal ka interes publik dhe aplikon taksa të njëtrajtshme, por, varësisht nga vlera e produktit apo transportit i cili kryhet për atë produkt lëvizin edhe taksat që aplikohen në vlerë të produkteve…”, tha Stavilevci për rtv21.

    Porositë online u shtuan gjatë pandemisë, tregon ish-drejtori i Doganës Lulzim Rafuna, tani kryetar i Odës Ekonomike. Rafuna thotë se sasia e mallrave ndikon në shtrenjtim të çmimeve

    “Sipas statistikave tona 99% e porosive online janë nga qytetarët që blejnë me pakicë dhe natyrisht se ndikon shpenzimet e transportit dhe natyrisht është ligj në ekonominë e tregut të lirë, sepse sasia ndikon në çmim”, tha Rafuna.

    Nëse qytetarët nuk e marrin porosinë në ditën kur ajo arrin në Kosovë, ata duhet të paguajnë edhe tarifë për qëndrimin e produktit në terminalet doganore. Ndërkohë, nga dogana flasin për lirimet që përfitojnë qytetarët gjatë udhëtimeve të tyre nëpër Evropë apo gjetiu. Megjithatë, Dogana… arsyeton taksat aplikohen për produktet online për siç u tha mbrojtjen e tregut vendor.

    “Tashti duhet të bëhet dallimi kur flasim për udhëtar, udhëtar nënkupton ai që bartë me vete mallra, ndërsa porositë online janë të natyrës komerciale dhe prape porositë nuk tatohen për mbi 35 euro, por ajo bëhet edhe për ta mbrojtur tregun vendor…”, tha Stavilevci.

    Ndërkohë, vetë Bashkimi Evropian nuk ka taksë doganore për produktet që blihen brenda vendeve të BE-së, pavarësisht vlerës së tyre. Shtetet e BE-së aplikojnë vetëm TVSH, ndërsa taksa doganore për produktet që blihen jashtë BE-së aplikohen vetëm kur produkti kushton mbi 150 euro, limit ky shumë më i lartë se limiti në Kosovë.