ATV

Blog

  • Përparim Rama betohet sot si i pari i Prishtinës

    Përparim Rama betohet sot si i pari i Prishtinës

    Përparim Rama sot do ta bëjë betimin si kryetar i Prishtinës, duke shënuar nisjen zyrtare të mandatit të tij të ri.

    Seanca inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të mbahet të martën, nga ora 10:00, ku krahas Ramës do të betohen edhe anëtarët e tjerë të Kuvendit Komunal.

    Rama fitoi zgjedhjet lokale në kryeqytet duke mposhtur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çekun.

  • ZRRE i përgjigjet OEK-ut: Kthimi i bizneseve në tarifa të rregulluara dëmton konsumatorët familjarë

    ZRRE i përgjigjet OEK-ut: Kthimi i bizneseve në tarifa të rregulluara dëmton konsumatorët familjarë

    Oda Ekonomike e Kosovës ka deponuar kallëzim penal ndaj kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë.

    Sipas OEK-ut, kryesuesi Ymer Fejzullahu dhe anëtarët e tjerë të Bordit të ZRRE-së nuk kanë zbatuar vendimin e Gjykatës, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, shkeljen e detyrave zyrtare, mashtrim në detyrë dhe cenim të interesit ekonomik publik.

    “Ky veprim pason kërkesën e OEK-ut drejtuar Bordit të ZRRE-së për reflektim dhe fillimin e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me qëllim kthimin e bizneseve të nxjerra me dhunë në tregun e lirë me çmimet e rregulluara. Megjithatë, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të injorojë dhe keqinterpretojë këtë aktgjykim, duke dëmtuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës, me fatura energjetike më të lartat në historinë e Republikës”, thuhet në njoftim.

    Dorëzimi i kallëzimit, sipas OEK-ut, mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar. Sipas OEK-ut, bizneset po paguajnë 200 për qind më shtrenjtë për energjinë në tregun e lirë.

    Por, në përgjigjen e ZRRE-së për OEK-un që e ka siguruar KOHA thuhet se Gjykata në aktgjykimin e saj nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

    “Gjykata në aktgjykimin e saj nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nuk ka konstatuar të drejtë të re për furnizim universal dhe nuk ka urdhëruar rikthimin e konsumatorëve në shërbimin universal. Po ashtu Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për shfuqizimin e njoftimit publik të 12.3.2025, duke vërejtur se ky njoftim nuk ka qenë akt normativ që krijon të drejta të reja apo detyrime të reja për konsumatorët”, thuhet në letër-përgjigjen e ZRRE-së.

    Sipas ZRRE-së, kthimi i këtyre konsumatorëve në tarifa të rregulluara do të dëmtonte rreth 750 mijë konsumatorët familjarë me rritjen e tarifave të energjisë.

    “ZRRE sqaron se kontratat e furnizimit të lidhura në treg të hapur ndërmjet Furnizueseve dhe konsumatorëve jofamiljarë janë marrëdhënie të rregullta civile-tregtare të lidhura në bazë të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe të dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e detyrimeve. Aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk ka konstatuar asnjë parregullsi, mospërputhje apo element të pavlefshëm në këto kontrata dhe nuk ka dhënë asnjë urdhër që cenon vlefshmërinë ose ekzekutimin e tyre. Për pasojë, kontratat mbeten plotësisht të vlefshme dhe prodhojnë të gjitha efektet e tyre juridike”, thuhet në letrën e ZRRE-së.

    Sipas ZRRE-së, prishja eventuale e njëanshme e kontratave nga ana e konsumatorëve jofamiljar nuk krijon dhe nuk mund të krijojë të drejtë për rikthim në shërbimin universal, pasi një efekt i tillë do të ishte në kundërshtim të hapur me ligjin dhe me interpretimin e dhënë nga Gjykata Supreme.

    “ZRRE vlerëson se pretendimet për pezullim të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, anulim kontratash, rikthim kolektiv në shërbimin universal dhe rishikim retroaktiv të faturimit nuk gjen mbështetje në Ligji për Energjinë Elektrike, Direktivën 2009/72/EC apo në aktgjykimin e Gjykatës Supreme”.

    Gjykata Supreme ka shfuqizuar nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, që kanë të bëjnë me kriteret e daljes në treg të hapur. Por, në ZRRE kanë thënë se vendimi i saj për tarifa me pakicë për vitin 2025 nuk është i bazuar në dispozitat e shfuqizuara të udhëzuesit.

    Rregullatori në mars të këtij viti ka njoftuar për daljen e detyrueshme në treg të lirë të energjisë të rreth 1.300 bizneseve, duke detyruar që të zgjedhin vetë furnizuesin. Vendimi ka prekur bizneset me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë.

  • Mëngjes me mjegull, gjatë ditës diell e vranësira

    Mëngjes me mjegull, gjatë ditës diell e vranësira

    Nga sot po parashihet të mbretëroj mot më i qëndrueshëm. Mjegulla që formohet ultësirave, ka të ngjarë të qëndrojë më gjatë, vende-vende ndoshta edhe pas mesdite.

    Pjesëve më të larta të vendit do të ketë më shumë diell, megjithëse kalojnë vransira shtresore në lartësi. Temperaturat parashihet të shkojnë deri në 7C e 9C, mirëpo që zonave ku mbetet më shumë mjegulla mund të jenë mjaft të ulëta, 2C e 5C. Temperaturat minimale zbresin në -1C e 2C. Do të dominojnë qetësitë. Ditën frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-2m/s.

    Ditën e mërkurë kalojnë herë pas here vransira, derisa ultësirave vazhdon të shfaqet mjegulla, që ka gjasa të qëndrojë më gjatë. Prej ditës së enjte parashihet mot kryesisht me kthjellime e diell. Ultësirave ende mbesin kushte për formim të mjegullës, që mund të mbetet më shumë pjesëve të Dukagjinit.

    Temperaturat në kushte të motit me diell shkojnë deri në 12C e 13C, derisa pjesëve ku qëndron mjegulla më gjatë, mbesin të ulëta, 2C e 5C. Minimalet zbresin edhe deri në -1C e 0C. Do të dominojnë qetësitës. Orëve të pasdites frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-3m/s.

  • Ulutaş e pret në takim Kurtin me dy ministra, KFOR jep detaje nga takimi

    Ulutaş e pret në takim Kurtin me dy ministra, KFOR jep detaje nga takimi

    Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas, është takuar sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

    Për këtë takim ka njoftuar KFOR’i në faqen zyrtare, ku ka bërë me dije se bashkë me Kurtin kanë qenë edhe Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci si dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Sipas njoftimit, Ulutas dhe Kurti kanë shkëmbyer mendime mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet KFOR’it dhe institucioneve të Kosovës.

    “ Gjeneral Ulutaş theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar kontributin e tij në sigurinë në gjithë Kosovën dhe rajonin më të gjerë”, theksohet në njoftim.

    Në fund të njoftimit thuhet se KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

  • Tërmet me magnitudë 7.6 në Japoni, paralajmërohet cunami deri në 3 metra

    Tërmet me magnitudë 7.6 në Japoni, paralajmërohet cunami deri në 3 metra

    Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) ka lëshuar paralajmërim për cunami deri në 3 metra në bregdetin verilindor të vendit, pas një tërmeti të fortë me magnitudë 7.6 që goditi detin të hënën.

    Paralajmërimi vlen për prefekturat Hokkaido, Aomori dhe Iwate. Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë të veriut dhe lindjes së Japonisë rreth orës 23:15 me orën lokale.

    Sipas JMA-së, epiqendra e tërmetit ndodhej rreth 80 kilometra larg bregut të prefekturës Aomori, në një thellësi prej 50 kilometrash.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve përgjatë vijës bregdetare të evakuojnë menjëherë zonat e rrezikuara.

  • Ambasada e Kosovës në Paris do t’i ndërpres shërbimet konsullore për mbi 2 javë

    Ambasada e Kosovës në Paris do t’i ndërpres shërbimet konsullore për mbi 2 javë

    Ambasada e Kosovës në Paris ka njoftuar se nga data 20 dhjetor deri më 6 janar, nuk do të ofrohen shërbime konsullore, përveç në raste urgjente (vetëm rastet e vdekjes).

    Në njoftim thuhet se kjo ndërprerje e përkohshme e shërbimeve bëhet për shkak të mbylljes së vitit fiskal për vitin 2025, gjatë së cilës nuk do të jetë e mundur kryerja e pagesave për shërbime konsullore, sipas udhëzimit të Departamentit të Financave në MPJD.

    Ambasada ka udhëzuar ata që kanë nevojë për shërbime konsullore, ta kontaktojnë para 19 dhjetorit.

    “Ju njoftojmë se, nga data 20 dhjetor 2025 deri më 06 janar 2026, shërbimi Konsullor në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris nuk do të ofrojë shërbime konsullore, përveç në raste urgjente (vetëm rastet e vdekjes). Kjo ndërprerje e përkohshme e shërbimeve bëhet për shkak të mbylljes së vitit fiskal për vitin 2025, gjatë së cilës nuk do të jetë e mundur kryerja e pagesave për shërbime konsullore, sipas udhëzimit të Departamentit të Financave në MPJD. Ju lutemi që, nëse keni nevojë për shërbime konsullore, të na kontaktoni para datës 19 dhjetor 2025. Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe ju urojmë Festat e fundvitit!”, thuhet në njoftim.

  • Kërkojnë rritje të pagave, punëtorët e KEK-ut në protestë

    Kërkojnë rritje të pagave, punëtorët e KEK-ut në protestë

    Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë më 12 dhjetor, me fillim nga ora 11:00, para ndërtesës qendrore të kompanisë në Prishtinë.

    Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Re e KEK-ut përmes një njoftimi të publikuar në “Facebook”.

    Sipas sindikatës, protesta do të jetë paqësore dhe ka për qëllim adresimin e disa kërkesave urgjente, të cilat, siç është thënë janë të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të punës dhe dinjitetin e punëtorëve.

  • Vëllaznimi zyrtarizon largimin e Marques Warrick, lojtari transferohet në një ligë të fortë evropiane!

    Vëllaznimi zyrtarizon largimin e Marques Warrick, lojtari transferohet në një ligë të fortë evropiane!

    Klubi i basketbollit Vëllaznimi ka njoftuar sot se ka arritur marrëveshje për largimin e yllit të skuadrës, Marques Warrick, duke përfituar kompensim financiar nga transferimi i tij. Klubi gjakovar konfirmon se basketbollisti do të vazhdojë karrierën në një prej ligave më të forta në Evropë, megjithëse destinacioni i tij i ri nuk është bërë ende i ditur.

    Në komunikatën zyrtare, Vëllaznimi bën të ditur se oferta për transferimin e Warrick ishte “e parefuzueshme” si për klubin, ashtu edhe për vetë lojtarin, ndërsa shuma e marrëveshjes mbetet konfidenciale.

     

    Njoftimi i klubit: “Rrugët tona ndahen me marrëveshje”

    “Për shkak të marrëveshjes kontraktuale me Marques Warrick, rrugët tona ndahen këtu. Ai do të transferohet në një ligë të fortë evropiane dhe, me marrëveshje të dyanshme, kemi vendosur ta lëmë të shkojë. Falënderojmë Marques për kontributin e tij gjatë kohës te Vëllaznimi dhe i urojmë suksese në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftimin e klubit.

     

    Kujtojmë që, Warrick, la gjurmë të forta në ndeshjen e tij të fundit me fanellën e kuqe. Kundër Trepçës, ai spikati me 28 pikë, 2 kërcime dhe 2 asistime, duke dëshmuar vlerën dhe ndikimin që pati në skuadër.

    Largimi i tij përbën një humbje të ndjeshme për Vëllaznimin, por njëkohësisht një hap të rëndësishëm për karrierën e basketbollistit amerikan, i cili tani do të matet me basketbollin elitar evropian.

  • FIFA prezanton risi historike për Kupën e Botës 2026, spektakël në stilin e Super Bowl dhe rregulla të reja për mediat!

    FIFA prezanton risi historike për Kupën e Botës 2026, spektakël në stilin e Super Bowl dhe rregulla të reja për mediat!

    Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, pritet të sjellë ndryshimet më të mëdha në historinë e turneut, duke transformuar mënyrën se si tifozët në mbarë botën e përjetojnë ngjarjen më të madhe sportive.

    Gjatë shortit përfundimtar të mbajtur në Washington D.C., FIFA konfirmoi dy risi madhore:

    Një shfaqje gjigante në pushimin e finales, e frymëzuar nga Super Bowli, si dhe rregulla të reja të detyrueshme për komunikimin me median, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt trajnerët dhe lojtarët.

    FIFA njoftoi se finalja e Kupës së Botës 2026 do të shoqërohet me një spektakël të madh argëtues në pjesën e parë, ashtu si tradita e Super Bowlit në SHBA.

    Raportime të Inside World Football theksojnë se FIFA u frymëzua nga sukseset e NFL-it, ku pushimi i ndeshjes është kthyer në një event kulturor me performanca të artistëve botërorë.

    Kjo qasje u testua me sukses në finalen e Kupës së Botës për Klube 2025, ku në skenë u ngjitën J Balvin, Doja Cat dhe Coldplay, duke tërhequr audiencë rekord dhe reagime masive në rrjetet sociale.

    Spektakli pritet të sjellë përfitime të mëdha komerciale dhe kohë televizive premium, ndonëse mbetet të shihet si do të harmonizohet me pushimin tradicional 15-minutësh të futbollit.

    Po ashtu, FIFA, ka prezantuar edhe ndryshime thelbësore në mënyrën e mbulimit mediatik të turneut.

    Sipas All Football, këto janë rregullat e reja kryesore:

    Trajnerët dhe lojtarët do të japin intervista televizive menjëherë pas pjesës së parë, një praktikë që nuk është aplikuar kurrë në Kupën e Botës.

    Intervista të detyrueshme edhe pas përfundimit të çdo ndeshjeje.

    Konferencë shtypi dy ditë para çdo ndeshjeje për secilin ekip.

    Qëllimi i FIFA-s është rritja e transparencës, afrimi i tifozëve me ekipet dhe krijimi i një përvoje më interaktive.

    Me zgjerimin në 48 ekipe dhe me këto risi të mëdha, Kupa e Botës 2026 premton të jetë turneu më inovativ dhe më i ndjekur ndonjëherë.

    FIFA synon të bashkojë futbollin, argëtimin dhe median në një format që pasqyron epokën moderne dhe kërkesat e tregut global.

    Ky edicion do të jetë jo vetëm garë për titullin, por një spektakël botëror që synon të ndryshojë përgjithmonë standardet e organizimit të Kupës së Botws.

  • Hansi Flick pas humbjes së Real Madridit nga Celta Vigo: Nuk e pashë ndeshjen, isha në shtrat!

    Hansi Flick pas humbjes së Real Madridit nga Celta Vigo: Nuk e pashë ndeshjen, isha në shtrat!

    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka komentuar situatën në garën për titull pas humbjes së Real Madridit ndaj Celta Vigos, por ka befasuar me deklaratën se nuk e kishte ndjekur fare ndeshjen e rivalëve të përjetshëm.

    “Më është thënë se Real Madridi ka humbur, unë nuk e pash ndeshjen, isha në shtrat”, tha Flick me qetësi, duke lënë të kuptohet se rezultatet e tjerëve nuk e shqetësojnë aspak.

    Humbja e Real Madridit nga Celta Vigo ka trazuar garën për titull, por trajneri i Barcelonës insiston se skuadra e tij nuk e humb fokusin.

    I pyetur për raportin e vazhdueshëm të krahasimeve mes dy gjigantëve, Flick u përgjigj shkurt dhe prerë:

    “Dallimi mes Barcelonës dhe Real Madridit? Ne gjithmonë fokusohemi te vetja.

    Nuk i shikojmë kundërshtaret dhe nuk duam të flasim për ta. Jemi të përqendruar dhe e dimë që rruga është e gjatë.”

    Me këto deklarata, Flick ka dërguar një mesazh të qartë për lojtarët dhe tifozët, Barcelona nuk do të ndikohet nga luhatjet e rivalëve dhe do të ecë përpara duke ndërtuar lojën e saj.

    Trajneri gjerman duket se po synon të mbajë presionin larg ekipit, duke i dhënë përparësi stabilitetit dhe vazhdimësisë, pavarësisht humbjes befasuese të Real Madridit ndaj Celta Vigos.

    Barcelona vazhdon rrugëtimin e saj, me Flick që kërkon qetësi dhe fokus maksimal.