ATV

Blog

  • Raportohet i zhdukur një burrë në Suharekë

    Raportohet i zhdukur një burrë në Suharekë

    Një burrë është raportuar i zhdukur në Suharekë.

    Sipas njoftimit nga Policia, ai ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më.

    Rasti është raportuar më 15 dhjetor dhe është duke u hetuar.

    “Është raportuar se viktima ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer. Rasti në hetime”, thuhet në njoftim.

  • Pas kritikave FIFA ulë ndjeshëm çmimet e biletave për Botërorin 2026

    Pas kritikave FIFA ulë ndjeshëm çmimet e biletave për Botërorin 2026

    Na ndajnë edhe shtatë muaj nga fillimi i Kampionatit Botëror 2026, i cili do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Kjo do të jetë hera e parë në histori që tre shtete organizojnë së bashku këtë kompeticion madhor.

    Së fundmi, FIFA është përballur me kritika të shumta për shkak të çmimeve tepër të larta të biletave, të cilat për disa ndeshje kishin arritur deri në 10 mijë euro, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe te tifozët.

    Pas reagimeve të shumta nga opinioni publik, institucioni më i lartë i futbollit botëror ka vendosur të rishikojë politikën e çmimeve. Sipas çmimores së re, biletat do të jenë të disponueshme duke filluar nga 60 euro, çmim i vlefshëm për ndeshjet e këtij turneu.

    Kampionati Botëror 2026 do të nisë më 11 qershor dhe do të përfundojë më 19 korrik të vitit të ardhshëm, duke premtuar një spektakël historik në formatin më të madh të zhvilluar ndonjëherë. /ATVLIVE.TV

  • Akuza të rënda në Afrikë – Nigeria dërgon RD Kongon në FIFA

    Akuza të rënda në Afrikë – Nigeria dërgon RD Kongon në FIFA

    Një skandal i madh ka tronditur futbollin afrikan, vetëm pak muaj para ndeshjeve vendimtare eliminatore ndërkontinentale për Kupën e Botës.

    Federata e Futbollit e Nigerisë ka dorëzuar një ankesë zyrtare në FIFA, duke akuzuar Republikën Demokratike të Kongos për aktivizimin e lojtarëve të papërshtatshëm gjatë ndeshjeve kualifikuese.

    Sipas pretendimeve të palës nigeriane, deri në nëntë futbollistë të RD Kongos kanë ndryshuar shtetësinë sportivo-kombëtare vetëm pak para përballjes vendimtare ndaj Nigerisë. Mes emrave të përfshirë përmenden lojtarë të njohur si Axel Tuanzebe, Arthur Masuaku, Aaron Wan-Bissaka dhe Charles Pickel Sadiki.

    Nga ana tjetër, Federata Kongoleze ka pranuar se procedurat administrative për ndryshimin e shtetësisë nuk janë përfunduar brenda afateve, por ka theksuar se lojtarët në fjalë i kanë përmbushur kushtet e nevojshme për përfaqësim.

    Çështja bëhet edhe më delikate për shkak të ligjit kushtetues të Republikës Demokratike të Kongos, i cili nuk lejon shtetësi të dyfishtë. Sipas ankesës së Nigerisë, disa prej lojtarëve mund të kenë ruajtur shtetësinë e mëparshme, gjë që do t’i bënte ata të papërshtatshëm për të luajtur me fanellën e RD Kongos.

    Nëse këto akuza konfirmohen, FIFA mund të ndërmarrë masa drastike, përfshirë anulimin e rezultateve të ndeshjeve ku janë aktivizuar këta lojtarë, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin e RD Kongos në fazën finale të eliminatoreve ndërkontinentale.

    Pranimi i ankesës nga FIFA do të kishte pasoja të rënda për futbollin afrikan dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026. /ATVLIVE.TV

  • E ardhmja e Wirtz në pikëpyetje, Real Madridi gati të përfitojë nga dilemat e Liverpoolit

    E ardhmja e Wirtz në pikëpyetje, Real Madridi gati të përfitojë nga dilemat e Liverpoolit

    Florian Wirtz është rikthyer në qendër të vëmendjes së tregut europian të transferimeve, pas zhvillimeve të papritura që kanë shoqëruar aventurën e tij te Liverpooli.

    Mesfushori ofensiv gjerman, i afruar si figura kyçe e projektit të ri të “Të Kuqve”, nuk ka arritur të lërë gjurmën e pritur në “Anfield”. Paraqitjet e tij deri më tani kanë qenë larg pritshmërive, duke ngritur pikëpyetje serioze brenda klubit.

    Statistikat e Wirtz flasin për një sezon zhgënjyes: asnjë gol dhe vetëm pesë asistime në të gjitha garat kryesore, përfshirë Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Community Shield. Një bilanc i dobët për një lojtar që pritej të merrte rolin udhëheqës në ekip.

    Si pasojë, Liverpooli ka nisur të rishqyrtojë të ardhmen e tij, pavarësisht investimit të madh të bërë vetëm disa muaj më parë. Sipas raportimeve të Defensa Central, klubi anglez është i gatshëm të ulë ndjeshëm çmimin e kartonit të tij.

    Nga 150 milionë euro të paguara fillimisht, Liverpooli mund të pranojë tashmë rreth 110 milionë euro, një ulje prej 40 milionësh, e diktuar nga performancat jo bindëse të futbollistit.

    Në këtë situatë, Real Madridi rikthehet në skenë. Gjigantët spanjollë nuk e kanë humbur kurrë interesin për Wirtz, të cilin e kishin në radar edhe para transferimit të tij në Angli.

    Një rol kyç në këtë lëvizje mund ta ketë Xabi Alonso. Nëse trajneri spanjoll arrin të konsolidojë pozitat e tij dhe ta mbyllë sezonin me sukses, ai pritet të kërkojë afrimin e Wirtz, lojtarin që e shndërroi në yll absolut gjatë kohës së tyre te Bayer Leverkusen.

    Marrëdhënia mes Alonsos dhe Wirtz ishte shembullore, me trajnerin që e ndihmoi mesfushorin gjerman të rikthehej në nivelin më të lartë pas një dëmtimi serioz, duke e bërë protagonist në Bundesligë dhe në arenën europiane. /ATVLIVE.TV

  • Presidentja Osmani: Kosova në BE, imperativ strategjik për të gjithë kontinentin

    Presidentja Osmani: Kosova në BE, imperativ strategjik për të gjithë kontinentin

    Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për Euronews gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, ku shkoi për të marrë pjesë në samitin e sotëm BE-Ballkani Perëndimor.

    Ajo tha se është diçka për të cilën kanë punuar për një kohë shumë të gjatë.

    “Praktikisht kemi aplikuar vetëm disa vite më parë, shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të Këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si identitet, si shtet, si komb, ne kemi kontribuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian për shekuj me radhë. Dhe kështu besojmë fuqishëm se, ndonëse është një proces shumë kompleks, nëse do të përdorej kriteri i bazuar në meritë, Kosova në fakt do të kishte qenë një nga pararendëset deri tani”, tha ajo në intervistë për Euronews.

    Sipas saj, procesi është kompleks në rastin tonë edhe për shkak të pesë mosnjohësve të njohur, “për të cilët ne vërtet shpresojmë se do ta kuptojnë se Kosova si anëtare e Unionit nuk është vetëm në dobi të popullit të Kosovës, por është një imperativ strategjik, është një imperativ i sigurisë për të gjithë kontinentin”, tha ajo.

  • Sulm me dron në Sudan, OKB thotë se u vranë mbi 100 civilë në Kordofan

    Sulm me dron në Sudan, OKB thotë se u vranë mbi 100 civilë në Kordofan

    Të paktën 104 civilë, mes tyre 43 fëmijë, janë vrarë nga sulme ajrore me dron në rajonin e Kordofanit në Sudan që prej datës 4 dhjetor, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

    Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, deklaroi se është thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës në këtë zonë. Ai theksoi se përplasjet e ashpra po zhvillohen mes Ushtrisë Sudaneze, Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe Lëvizjes për Çlirimin e Popullit të Sudanit-Veri.

    Rajoni i Kordofanit përfshin tre rajone në Sudan qendror dhe jugor dhe është kthyer në një nga vatrat kryesore të konfliktit. Sipas OKB-së, sulmet me dron kanë goditur objekte civile, përfshirë spitale, një kopsht fëmijësh dhe edhe një bazë të Kombeve të Bashkuara.

    Turk nuk specifikoi se cila palë mban përgjegjësi direkte për këto sulme. Përplasjet aktuale burojnë kryesisht nga mosmarrëveshjet mbi integrimin e RSF-së në ushtrinë kombëtare. Një tjetër pikë tensioni mbetet roli i forcave ushtarake në qeverisjen civile pas grushtit të shtetit të vitit 2021, raporton Reuters.

    Luftimet janë përhapur në disa rajone të vendit, përfshirë Khartoumin, Darfurin, Kordofanin dhe Blue Nile. Të gjitha palët në konflikt po përdorin teknologji moderne ushtarake, si dronë dhe avionë të lehtë.

    Kjo ka sjellë rritje të numrit të viktimave civile dhe shkatërrime të konsiderueshme humanitare.

  • Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër, lëshohet sot për qarkullim

    Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër, lëshohet sot për qarkullim

    Sot do të hapet për qarkullim ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër.

    Lajmin e ka bërë të ditur U.D i Ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili e ka cilësuar këtë urë “si kryevepër”.

    Ai ka njoftuar në faqen e tij në Facebook se ceremonia e prerjes së shiritit të kësaj ure do të bëhet të mërkurën nga ai dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

  • Kosova nënshkruan kontratë për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye

    Kosova nënshkruan kontratë për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ka nënshkruar një kontratë kornizë me prodhuesin e njohur amerikan të industrisë ushtarake, AM General.

    Lajmin e bëri të ditur vetë Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

    “Kontrata përfshin blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS). Në kontratë gjithashtu përfshihen automjete moderne të mbështetjes, pjesë rezervë, mirëmbajtja si dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje”, ka shkruar ai.

    Ai ka vlerësuar se me këtë blerje, Forca e Sigurisë së Kosovës po kalon në një fazë tjetër të zhvillimit.

    “Atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”.

    Mqedonci theksoi se kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne.

    “Të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon”.

  • Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në Bruksel, Kosova përfaqësohet nga Osmani

    Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në Bruksel, Kosova përfaqësohet nga Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të përfaqësojë Kosovën në Samitin e Liderëve Bashkimi Evropian -Ballkani Perëndimor, së bashku me liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe ata të rajonit.

    Gjatë Samitit, pritet të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit. Osmani do të zhvillojë takime me liderë të institucioneve evropiane, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë, për të diskutuar çështje me interes për Kosovën.

    Sipas njoftimit të Presidencës, heqja e masave ndaj Kosovës dhe përparimi në rrugën e integrimit evropian do të jenë në mesin e prioriteteve kryesore gjatë diskutimeve në Samit.

    Në agjendë përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik të rajonit me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe temat që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat.

    Po ashtu, liderët do të diskutojnë edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, menaxhimin e migracionit, si dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.

  • I dyshuari për sulmin terrorist në Sydney akuzohet për 15 vrasje

    I dyshuari për sulmin terrorist në Sydney akuzohet për 15 vrasje

    Naveed Akram, i dyshuari i mbijetuar nga të shtënat masive të së dielës në Bondi Beach të Sidneit, është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për kryerje të një akti terrorist, sipas Policisë së Uellsit të Ri Jugor (New South Wales).

    Sulmuesi tjetër, babai i tij Sajid Akram, 50 vjeç, u vra gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në vendin e ngjarjes, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Nga sulmi humbën jetën 15 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Sulmi kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë, gjatë një aktiviteti që shënonte natën e parë të Hanukës.

    Ky ishte sulmi me armë më vdekjeprurës në vend që nga viti 1996.