ATV

Blog

  • Kosovarët u fokusuan vetëm tek disa emra, Troi, Nil dhe Dua e Ajla emrat më të përdorur

    Kosovarët u fokusuan vetëm tek disa emra, Troi, Nil dhe Dua e Ajla emrat më të përdorur

    Zgjedhja e emrit të fëmijës mbetet një nga vendimet më të rëndësishme për prindërit, dhe tendencat e fundit tregojnë një ndryshim të dukshëm.

    Në momentin kur prindërit duhet të zgjedhin emrin, natyrisht se duhet pasur parasysh edhe kuptimin që bart ai emër, e natyrisht që pastaj fëmija do e kompletoj gjatë rrugës së jetës.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2025, prindërit kosovarë po preferojnë emra të shkurtër, modernë dhe me kuptim të veçantë.

    Emrat më të përdorur për gjininë mashkullore mbeten edhe këtë vit: Nil dhe Troi

    Emri më i popullarizuar për djem këtë vit ishte Nil, i zgjedhur për 276 foshnja. Pak pas tij renditet Troi, me 260 regjistrime. Të dy emrat janë të shkurtër, por pa ndonjë kuptim të theksuar.

    Përveç tyre, emrat Amar, Jon, Rejan dhe Malik janë gjithashtu shumë të preferuar, me mbi 200 regjistrime secili. Ky trend tregon se prindërit po zgjedhin emra me identitet të fortë, të thjeshtë dhe të veçantë.

    “Ndonjëherë zgjedhja e emrit është më e vështirë se çdo vendim tjetër. Ne deshëm diçka të shkurtër, por me kuptim dhe që tingëllon bukur edhe jashtë Kosovës,” tha një prind nga Prishtina.

    Vajzat: Dua, Ajla dhe Hana në krye të listës

    Edhe për vajza, emrat e shkurtër janë më të preferuar. Emri më i zgjedhur ishte Dua, me 399 vajza që morën këtë emër gjatë vitit. Pas saj renditen Ajla (317), Hana (292) dhe Inara (234).

    Ky trend tregon një kërkesë të qartë për emra që janë të thjeshtë për t’u shqiptuar dhe modern, duke ruajtur një identitet të veçantë dhe harmonik.

    “Dua ishte zgjedhja jonë sepse është e shkurtër, e bukur dhe ka një kuptim të veçantë për ne. Është diçka që do ta mbajë gjithmonë fëmija jonë,” tha një nënë nga Ferizaj.

    Trendet tregojnë thjeshtësi dhe modernitet

    Ekspertët vlerësojnë se zgjedhja e emrit për fëmijët nuk është vetëm një traditë, por edhe një reflektim i shijeve dhe aspiratave të prindërve.

    “Prindërit po preferojnë emra që janë të shkurtër, modernë dhe të lehtë për t’u përdorur, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mjedise ndërkombëtare,” shpjegon një analist i kulturës së emrave.

    Opsioni “kërko emrin” – një mundësi për qytetarët

    ASK ka futur gjithashtu opsionin “kërko emrin”, që lejon qytetarët e regjistruar si nënshtetas të Kosovës të krahasojnë shpërndarjen e emrit të tyre në qytete të ndryshme të vendit. Ky instrument interaktiv u jep mundësinë qytetarëve të kuptojnë se sa unik është emri i tyre dhe sa i përhapur është në mbarë Kosovën.

    “Ishte interesante të shikoja se sa persona të tjerë në qytetin tim kanë të njëjtin emër. Na ndihmon të kuptojmë më mirë se sa i veçantë është emri i fëmijës tonë,” tha një prind nga Gjakova.

    Emra të shkurtër dhe modern, trendi i vitit 2025

    Tendencat e vitit 2025 tregojnë qartë se prindërit kosovarë po orientohen drejt emrave të shkurtër, modernë dhe me kuptim, duke krijuar një listë të re preferencash që do të ndikojë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Nga Nil dhe Troi tek Dua dhe Ajla, këta emra janë bërë simbol i një gjenerate të re prindërish që kërkojnë thjeshtësi dhe identitet unik për fëmijët e tyre.

    Ky trend nuk është thjesht një modë e përkohshme, por një pasqyrë e qartë e shijeve dhe aspiratave të prindërve kosovarë në këtë dekadë.

  • Vdes fëmija 2 vjeç që u godit nga një plumb qorr në natën e Vitit të Ri në Shkup

    Vdes fëmija 2 vjeç që u godit nga një plumb qorr në natën e Vitit të Ri në Shkup

    Mëngjesin e sotëm në Qendrën Klinike në Shkup ka ndërruar jetë fëmija dyvjeçar i cili u plagos gjatë natës së Vitit të Ri, pasi, sipas informacioneve fillestare, ishte goditur nga një plumb qorr.

    “Në lidhje me fëmijën dyvjeçar që ka ndërruar jetë, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit”, thonë nga Prokuroria./Alsat-M/

  • Mbi 90% e votave të numëruara për deputetë, ja kush po prin në lista

    Mbi 90% e votave të numëruara për deputetë, ja kush po prin në lista

    Numërimi i votave për deputetë është duke vazhduar, deri tani janë numëruar mbi 91% e votave.

    Në faqen e Komisionit Zgjedhor të Kosovës janë vazhdimisht duke u publikuar të dhënat e reja për kandidatët për deputet të partive politike.

    Në Lëvizjen Vetëvendosje në pesëshen e parë të deputetëve më të votuar janë, Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati dhe Donika Gërvalla.

    Te Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza kryeson listën, pas tij janë Arian Tahiri, Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

    Në listen e Lidhjes Demokratike të Kosovës të renditur janë: Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami, Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili.

    Ndërsa tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Agim Çeku.

  • Policia arreston një shtetas turk të dyshuar për vrasje, ishte në kërkim nga Maqedonia e Veriut

    Policia arreston një shtetas turk të dyshuar për vrasje, ishte në kërkim nga Maqedonia e Veriut

    Policia e Kosovës ka vënë në pranga një person që ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht njësiti FAST, pas identifikimit të të dyshuarit.

    “Sot me datë 02.01.2026 rreth orës 00:30, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare, kanë bërë identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘Vrasje’ e ndodhur një ditë me herët në qytetin e Shkupit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me vendim të prokurorit kompetent, personi i arrestuar është dërguar në ndalim policor për një periudhë prej 48 orësh, gjatë së cilës do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në përputhje me ligjin.

  • Reagim i shpejtë i policisë, shpëtohet një qytetare nga lumi Ibër

    Reagim i shpejtë i policisë, shpëtohet një qytetare nga lumi Ibër

    Një grua është shpëtuar mbrëmë nga lumi Ibër falë reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

    Rreth orës 22:00, policia u njoftua se një femër kishte rënë në lumin Ibër, në afërsi të urës së re në rrugën “Lah Nimani”.

    Njësitet policore intervenuan menjëherë dhe e gjetën qytetaren në shtratin e lumit, në gjendje të rënduar shëndetësore, duke arritur ta nxjerrin nga uji dhe ta shpëtojnë.

    Ajo u dërgua në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku gjendja e saj është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Sipas deklaratës së saj, rënia kishte ndodhur si pasojë e rrëshqitjes. Policia po heton rrethanat e rastit.

  • Rikthehen kolonat në pika kufitare, deri në 80 minuta pritje

    Rikthehen kolonat në pika kufitare, deri në 80 minuta pritje

    Janë krijuar sërish kolona në vendkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, mëngjesin e sotëm pritjet për dalje nga Kosova në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë arrijnë deri në 80 minuta.

    Në Merdarë, kolona e automjeteve është rreth 600 metra, ndërsa te Dheu i Bardhë rreth 400 metra.

    Në pikat tjera kufitare, pritjet mbeten normale, nga 3 deri në 5 minuta.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit akademikut Nexhat Daci

    Sot i jepet lamtumira e fundit akademikut Nexhat Daci

    Akademiku Nexhat Daci, do të varroset sot me nderime shtetërore në varrezat e Dragodanit.

    Familja ka publikuar agjendën zyrtare të ceremonive mortore.

    Homazhet do të mbahen nga ora 09:00 deri në 11:45 në hollin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa akademia përkujtimore nga ora 12:00 deri në 12:45 në sallën plenare.

    Varrimi do të bëhet nga ora 13:40 deri në 14:20.

    E pamja mbahet nga 3 deri më 5 janar në Hotel Sirius.

  • Vdes Daci, Kurti: Do të mbetet figurë me rëndësi në shtetndërtimin e Kosovës

    Vdes Daci, Kurti: Do të mbetet figurë me rëndësi në shtetndërtimin e Kosovës

    Pikëlluese ka ardhur lajmi se Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka ndërruar jetë në ditën e parë të vitit 2026.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e Dacit.

    “Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 200”, shkroi Kurti.

    Daci, i lindur më 26 korrik 1944 në Tërnoc të Bujanocit, pati një karrierë të pasur akademike dhe shkencore, duke u zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe duke drejtuar këtë institucion dy herë.

    Daci, një nga figurat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës, la pas një trashëgimi të shquar si politikan, akademik dhe lider institucional.

  • Pas vdekjes së Dacit, Osmani: U angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi

    Pas vdekjes së Dacit, Osmani: U angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur trishtimin e saj për humbjen e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci, duke e cilësuar atë si një personalitet të veçantë. Ajo theksoi se Daci dha një kontribut të madh në krijimin e shtetit të Kosovës me dijen, maturinë dhe vizionin e tij.

    “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit, akademikut dhe profesorit të nderuar Nexhat Daci. Ai ishte një personalitet i jashtëzakonshëm që bashkoi dijen shkencore me angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit”, ka shkruar Osmani.

    Ajo po ashtu ka theksuar rolin e Dacit gjatë periudhës më të vështirë për Kosovën, sidomos gjatë viteve të nëntëdhjeta, ku ai kontribuoi aktivisht në kauzën për liri dhe pavarësi si një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova. “Kontributi i tij shumëdimensional në ndihmën e shtetit, zhvillimin e arsimit të lartë dhe avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë,” përfundoi Osmani.

  • Vdes Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës

    Vdes Nexhat Daci, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës

    Ka ndërruar jetë politikani kosovar, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.

    I ndjeri ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit dhe edhe si President në detyrë të Kosovës pas vdekjes së Rugovës në vitin 2006.

    Ai është themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ka qenë aktiv në politikë edhe pas mandatit të tij si kryeparlamentar.