ATV

Blog

  • 51 aksidente dhe mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku për një ditë në Kosovë

    51 aksidente dhe mbi 2 mijë e 100 gjoba trafiku për një ditë në Kosovë

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka bërë të ditur se 2 mijë e 107 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, janë shënuar edhe 17 aksidente trafiku me persona të lënduar, si dhe 34 aksidente me dëme materiale.

    Në aspektin e sigurisë publike, janë arrestuar 16 persona, ndërsa 10 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Ndërsa, një person është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • Arrestohet shtetasi i huaj në Kamenicë, hyri përmes rrugëve ilegale

    Arrestohet shtetasi i huaj në Kamenicë, hyri përmes rrugëve ilegale

    Një shtetas i huaj është ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka hyrë ilegalisht në Kosovë.

    Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 të së shtunës, në fshatin Rogaqicë të komunës së Kamenicës.

    Gjatë patrullimit rutinë, policia ka ndaluar një automjet, ngasësi i të cilit dyshohet se ka kaluar kufirin përmes rrugëve ilegale.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ndërsa i dyshuari është dërguar në gjykatë për kundërvajtje.

  • Lamar Odom në pranga në Las Vegas, kapet i dehur në timon!

    Lamar Odom në pranga në Las Vegas, kapet i dehur në timon!

    Ish-ylli i NBA-së Lamar Odom, 46 vjeç, është arrestuar herët të shtunën në mëngjes në Las Vegas, nën dyshimin për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit, sipas të dhënave zyrtare të arrestimit dhe gjykatës.

    Odom u ndalua më 17 janar, pasi policia dyshon se ai po drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe po kryente disa shkelje të rënda trafiku, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë me më shumë se 41 milje në orë mbi kufirin e lejuar si dhe ndryshime të rrezikshme korsie.

    Sipas raportimeve, ish-kampioni i NBA-së ndodhet ende në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit të Qarkut Clark, ndërsa seanca gjyqësore është planifikuar për 17 mars 2026.

    Ky arrestim hap një kapitull tjetër shqetësues në jetën e Odom-it, i cili prej vitesh ka qenë në qendër të vëmendjes për luftën e tij me varësinë dhe problemet ligjore. Ish-basketbollisti i Los Angeles Lakers dhe ish-bashkëshorti i Khloé Kardashian ka pasur edhe më parë probleme me ligjin, përfshirë një arrestim për të njëjtën arsye në vitin 2013, dhe ka folur hapur për betejat e tij personale me varësitë.

    Fansat dhe ndjekësit e historisë së Lamar Odom-it pritet të ndjekin nga afër zhvillimet e mëtejshme.

  • Reagojnë “Plisat” pas dorëheqjes së Bekë Berishës

    Reagojnë “Plisat” pas dorëheqjes së Bekë Berishës

    Tifo-grupi “Plisat” kanë dalë me reagim pas dorëheqjes së Bekë Berishës nga posti i kryetarit të klubit Sigal Prishtinës.

    “Plisat” në faqen zyrtare kanë shkruar se e mirëpresin vendimin e Berishës. Në njoftim tutje “Plisat” kanë falënderuar Berishën për bashkëpunimin dhe që është hapur rruga që klubin ta drejtojnë njerëz profesionistë.

    “Pas zhvillimeve të fundit në Klubin e Basketbollit Prishtina, për shkak të interesimit të lartë të qytetarëve të Prishtinës dhe ndjeshmërisë së situatës, ndjejmë obligimin të ju informojmë që më në fund gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë. Për t’i arritur qëllimet tona kemi hasur në gatishmërinë e Bekë Berishës, të cilin e falënderojmë për bashkëpunimin me ne, duke hapur rrugë që klubi të kalojë në duar të Plisave dhe njerëzve profesionistë, gjendje kjo që ka munguar tash e sa kohë në këto ambiente.

    Sportit dhe qytetit të Prishtinës po i vinë ditë më të mira ndërsa për detalet tjera ju informojmë ditëve në vijim. Për fund, një rikujtim të gjitha palëve të përfshira e të interesuara, uniteti te Plisat është i pathyeshëm”.

  • Bekë Berisha jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Sigal Prishtinës

    Bekë Berisha jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Sigal Prishtinës

    Bekë Berisha nuk do të vazhdojë detyrën si kryetar i Sigal Prishtinës. Ai raportohet se ka dhënë dorëheqje.

    Berisha ishte emëruar kryetar i Sigal Prishtinës më 14 janar, ndërsa dorëheqja e tij ka ardhur pas vetëm tri ditësh në këtë post.

    Vendimi lidhet edhe me reagimet institucionale, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte theksuar se mbajtja njëkohësisht e postit të deputetit dhe e drejtimit të një klubi sportiv përbën konflikt interesi, duke kërkuar që Berisha të zgjedhë njërën prej tyre.

  • Nesër më shumë intervale me diell, parashikimi i motit për të dielën

    Nesër më shumë intervale me diell, parashikimi i motit për të dielën

    Nesër pritet të ketë më shumë intervale me diell dhe më shumë kthjellime, duke u shpërndarë vranësirat.

    Kështu ka njoftuar Mendimi për Motin.

    Aty shtohet edhe se, mot i kthjellet parashihet të jetë edhe gjatë javës tjetër, edhe pse, temperaturat do të jenë më të ulëta.

    Postimi:

    Më shumë vranësira përgjatë fundjave. Temperaturat në rënie. Minimale prej -8C në fillim të javës vijuese.

    Mendimi për motin – 16.01.2026

    Përgjatë ditës së shtunë vransirat do të mbulojnë pjesën më të madhe të vendit,  Herë herë vransirat largohen për të lejuar rreze dielli të depërtojnë në sipërfaqe.  Nuk përjashtohen mundësi që përreth zonave malore të ketë edhe ndonjë rrebesh të dobët dëbore më vonë duke shkuar nga mbrëmja.  Temperaturat në rënie, minimalet zbresin në -2C e 2C, e ato maksimale shkojnë deri në 4C e 6C.  Frynë erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 3-8m/s.

    Me kalimin në ditën e diel, vranësirat parashihet të shpërndahen, e të ketë më shumë kthjellime dhe intervale me diell. Mot stabil me më shumë kthjellime po parashihet ditëve të para të javës vijuese, megjithëse me temperatura të ulëta. Minimalet zbresin deri në -7C e -8C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 3C e 4C. Ditën e mërkurë shfaqen kushte për reshje të dobëta dëbore, ndërkohë që temperaturat po mbesin të ulëta. Frynë erë e lehtë dhe mesatare verilindore e lindore 3-8m/s, nga dita e martë me hove mbi 10m/s.

  • Kongresmeni amerikan flet për “hapin e radhës” që ShBA duhet ta marrë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor

    Kongresmeni amerikan flet për “hapin e radhës” që ShBA duhet ta marrë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor

    Kongresmeni amerikan, Mike Turner, në një intervistë për Balkan Debrief ka folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për involvimin e SHBA-së dhe administratës aktuale për zgjidhjen e disa problemeve në rajon.

    Turner ka thënë se SHBA-ja s’është larguar nga rajoni, por s’ka qenë aktive dhe se kjo administratë dëshiron vërtetë që të aktivizohet për të zgjidhur disa çështje në rajon të cilat mund të rezultojnë në konflikte. Sipas tij, kjo është shumë pozitive.

    “Ne s’jemi larguar, por në të njëjtën kohë s’kemi qenë aktiv. Kjo administratë dëshiron që të jetë aktive në zgjidhjen e disa çështjeve që mund të rezultojnë në konflikte. Kjo është shumë pozitive. Sepse sapo kemi pasur 30 vjetorin e marrëveshjes së Dejtonit”, ka thënë ai.

    Turner ka thënë se SHBA duhet të marrë hapin e radhës për të parë mundësitë për të ndihmuar rajonin për të ecur përpara.

    “Por ka pasur edhe ngecje në rajon. Duhet të marrim hapin e radhës, për të parë se cilat janë mënyrat që mund të ndihmojmë komunitetet në rajon për të lëvizur përpara”, ka thënë ai.

  • Vazhdon procesi në QNR, rinumërohen 382 nga 914 vendvotime

    Vazhdon procesi në QNR, rinumërohen 382 nga 914 vendvotime

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. 

    Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 17 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 382 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (109/235).

    Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë gjatë ditës së sotme është duke vijuar rinumërimi i vendvotimeve që i takojnë komunës së Prizrenit dhe më pas, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces.

    Nga fillimi i ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është shtuar numri i ekipeve për rinumërim, nga 20 në 26 sosh.

    “Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR> Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi”.

    Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

  • Brukseli i bën sërish thirrje Serbisë të hetojë pretendimet për përdorimin e topit zanor

    Brukseli i bën sërish thirrje Serbisë të hetojë pretendimet për përdorimin e topit zanor

    Komisioni Evropian ka përsëritur kërkesën ndaj autoriteteve të Serbisë që të hetojnë nëse gjatë protestës antiqeveritare në Beograd më 15 mars 2025 është përdorur top zanor.

    “Ashtu siç është theksuar tashmë, presim një hetim të shpejtë, transparent dhe të besueshëm mbi pretendimet për përdorimin e armëve zanore kundër demonstruesve”, thuhet në deklaratën e shërbimit për shtyp të Komisionit Evropian.

    Thirrja e re e institucioneve në Bruksel lidhur me përdorimin e mundshëm të topit zanor, të cilin autoritetet në Beograd e mohojnë, erdhi pasi mediat evropiane e aktualizuan sërish këtë çështje.

    Portali Politico publikoi më 15 janar se shërbimet sekrete serbe, në bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), kanë testuar topa zanorë mbi qen, në kuadër të hetimit të pretendimeve të demonstruesve se gjatë protestës së 15 marsit ishte përdorur armë zanore.

    Zyrtarë të Komisionit Evropian konfirmuan se janë në dijeni të “raporteve shqetësuese”.

    “Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen si zakonisht, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë”, u tha nga shërbimi për shtyp i Komisionit Evropian, duke rikujtuar se, sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga lëndimet dhe dhuna.

    Radio Evropa e Lirë shkroi në prill 2025 për raportin e FSB-së, të cilin atëherë e prezantoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Vuçiq tha se hetimi i shërbimit rus, i cili për eksperiment “përdori qen”, kishte përfunduar se gjatë protestës në Beograd nuk ishte përdorur armë e ndaluar “top zanor”.

    Në raportin që u publikua atëherë në faqen e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), thuhet se pajisjet zanore që zotërojnë organet policore serbe janë testuar mbi qen në poligonin e BIA-s.

    Në raport theksohet se gjatë testimeve “objektet biologjike nuk kanë shfaqur shqetësim”, si dhe se tri ditë pas testimit nuk janë vërejtur ndryshime në gjendjen e tyre.

    “Në bazë të rezultateve të marra, mund të nxirret përfundimi kategorik se pajisjet zanore nuk janë përdorur gjatë protestës së 15 marsit”, deklaroi presidenti i Serbisë duke prezantuar raportin, për të cilin shërbimi rus nuk u deklarua publikisht.

    Autoritetet serbe, pas dëshmive të demonstruesve dhe akuzave se gjatë protestës së 15 marsit në Beograd ishte përdorur armë zanore e ndaluar, kërkuan që hetuesit rusë të zhvillonin një “hetim të pavarur”.

    Përveç FSB-së ruse, autoritetet e Serbisë ftesë për një hetim të pavarur i bënë edhe Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI). Megjithatë, nuk ka informacione se si FBI u është përgjigjur autoriteteve serbe.

    Studentët në bllokadë, të cilët që nga vdekja e 16 personave në Novi Sad udhëheqin protesta masive në Serbi duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për tragjedinë, e kanë përfshirë hetimin e incidentit në demonstratat e 15 marsit në listën e kërkesave zyrtare.

    Deri më sot, megjithatë, nuk ka informacione zyrtare se çfarë shkaktoi frikën dhe panikun e mijëra demonstruesve që, gjatë nderimit të viktimave të aksidentit në Novi Sad, u shpërndanë papritur nga rruga — përballë, siç e përshkruan, tingujve dhe dridhjeve të forta dhe të pazakonta.

    Pasuan gjithashtu dëshmi të shumta për probleme shëndetësore në ditët pas protestës — si marramendje, humbje ndjenje, të përziera, tension i lartë i gjakut dhe probleme me dëgjimin.

    Autoritetet fillimisht mohuan se posedonin top zanor, por më vonë pranuan se policia ka pajisje sonike, duke pretenduar se ato “nuk janë përdorur kurrë”.

    Bashkimi Evropian kërkoi hetim menjëherë pas ngjarjes lidhur me pretendimet e demonstruesve.

    Hetim për incidentin po zhvillon edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, institucion gjyqësor i Këshillit të Evropës.

    “Topi zanor” bën pjesë në grupin e armëve jo-vdekjeprurëse që mund të përdoren për qëllime policore dhe ushtarake – për kontroll të trazirave, zmbrapsje të sulmeve ose komunikim në distanca të mëdha.

  • Real Madrid fiton mes vërshëllimave kundër Levantes

    Real Madrid fiton mes vërshëllimave kundër Levantes

    Real Madrid ka shënuar fitore të rëndësishme në La Liga,duke mundur Gergen me rezultat 2:0.

    Pjesa e parë nuk solli gola,por ajo që u karakterizua ishin vërshëllimat ndaj lojtarëve gjatë gjithë kohë,kjo edhe për shkak të dy humbjeve në ndeshjet e fundit.

    Në pjesën e dytë Reali arriti të shënoj dy gola,ku së pari ku Kylian Mbappe shënoi nga penalltia për 1:0 në minutën e 58-të,teksa Asencio realizoi për 2:0 në të 65-tën që në fund doli të jetë rezultati përfundimtar dhe Alvaro Arbeloa shënoi fitoren e parë si trajner i “Los Blancos”.

    Real Madrid tani 48 pikë në pozitën e dytë në La Liga,1 më pak se Barcelona që është lider në tabelë.