ATV

Blog

  • Vjedhja e votave në Prizren, reagon Shaqir Totaj

    Vjedhja e votave në Prizren, reagon Shaqir Totaj

    Shaqir Totaj ka reaguar për herë të parë për manipulimet zgjedhore në Prizren. Kryetari i komunës ka thënë se do të kërkojë llogaridhënie për çdo shkelje të bërë.

    “Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me parregullsitë e evidentuara nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren. Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake.

    Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona.

    Siguroj qytetarët se Partia Demokratike e Kosovës di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij. Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partië, diku me shume e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të terësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbaravajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, shkruan Totaj në reagim.

  • Dita e shtatë: Rinumërohen 558 nga 914 vendvotime

    Dita e shtatë: Rinumërohen 558 nga 914 vendvotime

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 19 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 61% apo 558 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave:

    Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (50/72).

    Sipas të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 20 komuna.

    Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

  • Vazhdon mbledhja dhe ruajtja e dëshmive mbi krimet e luftës në Kosovë

    Vazhdon mbledhja dhe ruajtja e dëshmive mbi krimet e luftës në Kosovë

    Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka njoftuar se po vazhdon me mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive autentike mbi krimet e luftës në Kosovë, duke pasuruar vazhdimisht fondin arkivor me materiale të vlefshme.

    “Fotoreporteri i njohur, Ridvan Slivova, ka bërë dorëzimin zyrtar të materialeve dokumentuese, të cilat përbëjnë dëshmi të çmuara që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e së vërtetës historike dhe drejtësisë”, thotë ky institut.

    Po ashtu Shefki Mexhuani, ish-drejtor Ekzekutiv i Fondit “Vendlindja Thërret”, me vendqëndrim në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe sigurojnë ruajtjen e dëshmive të rëndësishme për gjeneratat e ardhshme.
    “Në kuadër të këtij angazhimi, Gani Vila, drejtor i televizionit Albanian TV of America në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve mediatike, të cilat kontribuojnë në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në ruajtjen e informacionit historik për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

    Ndër të tjera theksohet se stafi i IKKL-së zhvilloi gjithashtu një takim me gazetaren Ilire Zajmi, e cila u njoh nga afër me punën e Institutit, vizitoi arkivin dhe përgëzoi stafin për kontributin e vazhdueshëm, duke shprehur gatishmërinë për t’i dorëzuar Institutit materialet e saj dokumentare që pasqyrojnë krimet e luftës.

    Po ashtu, Selatin Novosella priti stafin e IKKL-së në Shoqatën e të Burgosurve Politikë në Prishtinë, ku i dhuroi Institutit pesë libra dhe nënshkroi procesverbalin e bashkëpunimit duke shprehur vullnet dhe gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë dhe për dorëzim të dokumenteve që dëshmojnë torturat, burgosjet dhe persekutimin e shqiptarëve nga represioni serb që nga viti 1945.

    Ndërkohë, Fadil Curri, publicist dhe aktivist, së bashku me Sadullah Krasniqin nga Komuna e Obiliqit, vizituan Institutin dhe dorëzuan botime librash që pasqyrojnë represionin e regjimit serb ndaj popullatës civile, duke kontribuuar në dokumentimin e luftës dhe ruajtjen e kujtesës historike.

    IKKL-ja ka shprehur mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut, sepse çdo material i ruajtur është një hap më afër së vërtetës, drejtësisë dhe pasuron kujtesën kolektive.

  • Për një javë, Policia në rajonin e Prishtinës sekuestroi 9 armë zjarri

    Për një javë, Policia në rajonin e Prishtinës sekuestroi 9 armë zjarri

    Policia në rajonin e Prishtinës javën e kaluar ka realizuar 141 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 38 për vepra penale.

    “Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 141 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 38 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj. Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.”

    Po ashtu janë sekuestruar 9 armë zjarri dhe janë shqiptuar mbi 5 mijë gjoba në trafik.

    “Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 9 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”

    “Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 5398 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 753 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.”

  • KEITH URBAN 6 MUAJ PAS DIVORCIT ME NICOLE KIDMAN – E VËRTETA PËR LIDHJEN ME KARLEY SCOTT COLLINS

    KEITH URBAN 6 MUAJ PAS DIVORCIT ME NICOLE KIDMAN – E VËRTETA PËR LIDHJEN ME KARLEY SCOTT COLLINS

    Fansat janë të etur për të ditur se a po jeton ylli i muzikës country, Keith Urban, me modelen Karley Scott Collins pas divorcit të tij nga Nicole Kidman?

    Thashethemet kanë shpërthyer në rrjetet sociale, duke bërë që portalet nderkombëtare të shkojnë në ekstreme me spekulime.

    Burime pranë çiftit, sipas TMZ, thonë se e vërteta është shumë më e thjeshtë. Keith dhe Karley nuk po bashkëjetojnë, marrëdhënia e tyre është ende në fazë të hershme, dhe kurioziteti i publikut e ka ekzagjeruar situatën. Ata po kalojnë kohë së bashku, por nuk jetojnë nën të njëjtën çati.

    Ndërkohë, Keith duket i fokusuar tek muzika dhe familja, duke ruajtur ekuilibrin mes jetës publike dhe asaj private. Ndërsa mediat vazhdojnë të spekulojnë, realiteti duket më i qetë se sa titujt dramatikë sugjerojnë, nuk ka bashkëjetesë të fshehtë, vetëm miqësi dhe një lidhje që po zhvillohet ngadalë, sipas njerëzve ngat çiftit në krijim…

    Fansat mbeten kuriozë, por gjithçka tregon se historia është shumë më pak skandaloze sesa disa portale po e paraqesin. Keith po ecën përpara, duke i dhënë jetës personale hapësirën që meriton.

  • Shfaqja “Gërrdia”, premiera e parë e 2026-ës në Teatrin Kombëtar

    Shfaqja “Gërrdia”, premiera e parë e 2026-ës në Teatrin Kombëtar

    Premiera e shfaqjes “Gërrdia”, me regji nga Astrit Kabashi, do të jepet sot nga ora 20:00, me këtë rast Teatri Kombëtar i Kosovës hap vitin artistik 2026, me dramën fituese të konkursit të dramës origjinale shqipe “Katarina Josipi” 2023.

    Në këtë shfaqje interpretojnë aktorët: Bujar Ahmeti, Maylinda Kosumovic dhe Rebeka Qena. Skenografia është realizuar nga Arben Shala, kostumografia nga Yllka Brada, ndërsa kompozitori i muzikës është Memli Kelmendi.

    Për realizimin e shfaqjes kanë kontribuar gjithashtu: asistent regjisor Lendi Aliu, ispicient Mursel Haziri, ndriçimi nga Bujar Bekteshi, tonisti Avdi Gervalla, dhe fotografitë nga Kushtrim Haxha.

    Gjatë shfaqjes do të ketë krisma armësh, ndaj publiku njoftohet për masat e sigurisë.

    Repriza e shfaqjes “Gërrdia” jepet më 20, 21 dhe 22 janar 2026.

  • Mbi 700 raste të thyerjes së rregullave rrugore u evidentuan nga veturat inteligjente në Prishtinë

    Mbi 700 raste të thyerjes së rregullave rrugore u evidentuan nga veturat inteligjente në Prishtinë

    Brenda një jave, në Prishtinë u shqiptuan 5398 masa administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, derisa 753 prej tyre u evidentun nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.

    Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi të Policisë rajonale të Prishtinës, ku ndër të tjera, theksohet se gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 141 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 38 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime.

    Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.

    Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.

    Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar nëntë armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

    Njoftimi i plotë:

    Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 141 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 38 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.

    Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.

    Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.

    • Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 9 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

    Ndërkaq aktivitetet policore në sferën e sigurisë në trafikun rrugor.

    • Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 5398 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 753 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.

  • Hapet afati për subvencione në blegtori dhe akuakulturë për vitin 2025

    Hapet afati për subvencione në blegtori dhe akuakulturë për vitin 2025

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur zyrtarisht thirrjen për aplikim për gjashtëmujorin e dytë të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025.

    Sipas njoftimit, edhe këtë vit do të vazhdojë mbështetja për sektorin e blegtorisë dhe akuakulturës, përmes pagesave direkte për kategori të ndryshme, në përputhje me programin e miratuar për vitin 2025.
    Përkrahja financiare përfshin këto aktivitete bujqësore:

    Pagesa Direkte për qumësht;
    Pagesa Direkte për therjet e raportuara të gjedhit;
    Pagesa Direkte për viçat për majmëri;
    Pagesa Direkte për zogj për majmëri (brojlerë);
    Pagesa Direkte për akuakulturë.
    Afati për aplikim fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, deri në orën 16:00.

    Nga MBPZHR bëhet e ditur se të gjithë aplikuesit duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara në program, ndërsa detajet e plota mbi kushtet dhe dokumentacionin e nevojshëm mund të gjenden në uebfaqen zyrtare të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

    Institucionet ftojnë fermerët që të aplikojnë me kohë dhe të përfitojnë nga mbështetja financiare për zhvillimin e aktivitetit të tyre bujqësor.

  • Apple planifikon katër modele të reja iPhone për vitin 2026

    Apple planifikon katër modele të reja iPhone për vitin 2026

    Apple po përgatit një vit të rëndësishëm për linjën e saj të iPhone, me katër modele të reja që pritet të lansohen gjatë 2026-s, sipas analistëve si Ming-Chi Kuo dhe burimeve të besueshme si MacRumors, 9to5Mac dhe Tom’s Guide.

    Ky zgjerim i gamës vjen pas suksesit të iPhone 17 në 2025 dhe shënon për herë të parë hyrjen e Apple në tregun e telefonave të palosshëm.

    Modeli më i përballueshëm, iPhone 17e, pasardhës i iPhone 16e, pritet të dalë në treg gjatë muajve të parë të vitit, me një çmim rreth 599 dollarë. Ai sjell përmirësime të dukshme, duke e bërë një opsion tërheqës për përdoruesit që duan një iPhone modern pa shpenzuar shumë.

    Në vjeshtë, si zakonisht në shtator, Apple do të prezantojë iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max. Këto modele kryesore do të ruajnë dizajnin e mëparshëm, por me përmirësime të rëndësishme: bateri më të fuqishme, çip A20 Pro, Face ID nën ekran, xham të pasmë të ridizajnuar, kamera të avancuara dhe modem të ri C2 të zhvilluar nga Apple. Edhe pse ndryshimet nuk janë radikale, suksesi i iPhone 17 sugjeron se këto pajisje do të jenë shumë të kërkuara.

    Pika kulmore e vitit do të jetë iPhone Fold (ose iPhone Ultra/Foldable), telefoni i parë i palosshëm i Apple. Ai pritet të dalë gjithashtu në vjeshtë 2026, me dizajn “book-style” që paloset si një libër, dhe çmimi i tij mund të kalojë 2,000 dollarë./albinfo.ch

  • Fenerbahce ofron zyrtarisht miliona për Muriqin, e ardhmja e kosovarit vendoset këtë javë

    Fenerbahce ofron zyrtarisht miliona për Muriqin, e ardhmja e kosovarit vendoset këtë javë

    Vedat Muriqi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes gjatë janarit, jo vetëm për golat e shënuar.

    Sulmuesi kosovar është duke pasur oferta të vazhdueshme, përkundër që ka shprehur dëshirën për të mbetur te Mallorca.

    Ish-klubi i Muriqit, Fenerbahce po insiston për ta rikthyer në Stamboll sulmuesin dardan.

    Mediumi turk, FotoMac ka raportuar se gjiganti nga Stambolli ka bërë një ofertë të parë në drejtim të Mallorcas prej 12 milionë eurove dhe dy klubet janë duke negociuar.

    Mallorca synon të përfitojë 16 milionë euro nga shitja e Muriqit i cili këtë edicion ka shënuar 14 gola në La Liga, por dëshira e tij është të mbetet në klubin aktual.

    “Jam i lumtur këtu dhe kam një kontratë. Kur një sulmues shënon shumë gola, vijnë oferta. Klubi do të vendos për të ardhmen time, pastaj unë do të marr vendimin tim”, tha Muriqi të shtunën pasi shënoi het-trik ndaj Athletic Bilbaos.

    Gjithnjë sipas mediave turke, e ardhmja e Muriqit pritet të vendoset deri në fund të kësaj jave nëse do të largohet nga Mallorca apo do të qëndrojë për ta thyer rekordin e Samuel Eto’o-s si golashënuesi më i mirë në histori të klubit.

    Aktualisht Muriqi ka shënuar 48 gola dhe ndodhet vetëm gjashtë gola larg rekordit të kamerunasit i cili është golashënuesi më i mirë në histori të Mallorcas me 54 gola.