ATV

Blog

  • Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën pas mospërputhjeve të evidentuara

    Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën pas mospërputhjeve të evidentuara

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas gjetjeve nga rinumërimi i pjesshëm i votave, duke i cilësuar si tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të evidentuara gjatë këtij procesi.

    Në një reagim publik, Hamza ka vlerësuar se në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

    Ai ka theksuar se institucionet përgjegjëse kanë obligim kushtetues të veprojnë pa vonesë për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve, duke paralajmëruar se çdo hezitim apo vonesë në veprim cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

    Sipas Hamzës, transparenca dhe veprimi i menjëhershëm institucional janë thelbësore për ruajtjen e besimit publik dhe funksionimin demokratik të vendit.

  • Osmani solidarizohet me popullin e Spanjës pas aksidentit tragjik hekurudhor

    Osmani solidarizohet me popullin e Spanjës pas aksidentit tragjik hekurudhor

    Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet dhe është solidarizuar me popullin e Spanjës, pas një aksidenti të rëndë mes trenave, ku mbetën të vdekur së paku 39 persona.

    Përmes një postimi në X, Osmani uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

    “Lajm i dhimbshëm nga Spanja jugore pas një aksidenti tragjik hekurudhor që ka marrë shumë jetë dhe ka lënë shumë të tjerë të plagosur”.“Ngushëllimet tona të sinqerta për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe urimet tona për shërim të shpejtë të të gjithë të lënduarve. Kosova solidarizohet me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar e para e vendit.

  • “The Housemaid” kalon 200 milionë dollarë fitime në arkën globale

    “The Housemaid” kalon 200 milionë dollarë fitime në arkën globale

    Trilleri psikologjik “The Housemaid” ka shënuar një sukses të madh në kinematë botërore, duke tejkaluar shifrën prej 200 milionë dollarësh në fitimet globale nga shitjet e biletave.

    Filmi, me protagoniste Sydney Sweeney dhe Amanda Seyfried, ka arkëtuar rreth 100 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe po aq në tregjet ndërkombëtare, vetëm katër fundjava pas publikimit. Këto shifra janë veçanërisht mbresëlënëse, duke marrë parasysh se buxheti i filmit ishte vetëm 35 milionë dollarë, sipas studios Lionsgate.

    “The Housemaid” pati premierën më 19 dhjetor dhe debutoi me 19 milionë dollarë gjatë fundjavës së parë në Amerikën e Veriut. Filmi është i klasifikuar si i papërshtatshëm për personat nën moshën 18 vjeç pa shoqërimin e një prindi apo kujdestari.

    Falë reagimeve pozitive të publikut dhe rekomandimeve të forta, trilleri pritet ta përmbyllë shfaqjen kinematografike me fitime që variojnë nga 225 deri në 275 milionë dollarë në nivel global, raporton Variety. Ky rezultat shihet si një sukses i rëndësishëm në një periudhë sfiduese për filmat me buxhet të mesëm.

    Me regji të Paul Feig dhe i bazuar në romanin bestseller të autores Freida McFadden, filmi ndjek historinë e një gruaje të re me një të kaluar të trazuar, e cila punësohet si shërbëtore në shtëpinë e një familjeje të pasur, por shumë shpejt zbulon se pas fasadës perfekte fshihen sekrete të errëta.

  • Peaky Blinders vazhdon pas filmit, ja çfarë ndryshon në sezonin e ri

    Peaky Blinders vazhdon pas filmit, ja çfarë ndryshon në sezonin e ri

    Pas përfundimit të sezonit të gjashtë, u mendua se historia e Peaky Blinders do të mbyllej përfundimisht me filmin e gjatë “The Immortal Man”. Megjithatë, krijuesi i serialit, Steven Knight, ka konfirmuar se saga e famshme do të vazhdojë edhe me dy sezone të reja, përfshirë sezonin e shtatë dhe të tetë.

    Që nga debutimi në vitin 2013, Peaky Blinders u kthye në një nga dramat më të dashura televizive, duke ndjekur historinë e Tommy Shelby-t, të interpretuar nga Cillian Murphy, dhe bandës së tij kriminale në Birminghamin e pas Luftës së Parë Botërore. Gjatë gjashtë sezoneve, seriali ndërtoi një univers të errët, plot pushtet, tradhti dhe ambicie.

    Filmi “The Immortal Man” do të vazhdojë menjëherë pas finales së sezonit të gjashtë dhe është përshkruar si një përfundim i denjë për kapitullin aktual të historisë. Megjithatë, Knight ka bërë të ditur se pas filmit do të hapet një “epokë e re” e Peaky Blinders, e vendosur në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore.

    Sezoni i shtatë do të fokusohet te brezi i ri i familjes Shelby, në një Birmingham që po rindërtohet nga shkatërrimet e luftës. Sipas përshkrimit zyrtar, qyteti do të shndërrohet sërish në një fushëbetejë për pushtet, me familjen Shelby ende në qendër të ngjarjeve.

    Sa i përket rikthimit të Tommy Shelby-t, Cillian Murphy është konfirmuar si producent ekzekutiv i sezoneve të reja, por pjesëmarrja e tij përpara kamerës mbetet ende e paqartë. Duke qenë se ngjarjet zhvillohen rreth 20 vjet më vonë, mundësia e një rikthimi nuk përjashtohet plotësisht.

    Kasti i ri pritet të përfshijë edhe fytyra të reja, përfshirë personazhe të prezantuar në film, ndërsa Barry Keoghan shihet si një figurë kyçe në drejtimin e brezit të ri të Peaky Blinders.

    Xhirimet për sezonin e shtatë ende nuk kanë nisur dhe data e publikimit nuk është bërë publike. Dihet vetëm se sezoni i ri do të vijë pas daljes së filmit “The Immortal Man”, i cili do të shfaqet në kinema më 6 mars 2026 dhe më pas në Netflix më 20 mars 2026.

    Me sezonin e tetë tashmë të konfirmuar, duket se historia e Peaky Blinders është ende larg fundit. Siç u shpreh vetë Steven Knight:
    “E ndjemë se kishte ende dëshirë për më shumë.”

  • Gjithçka që dimë deri më tani për përplasjen mes trenave – nga ku mbetën disa të vdekur në Spanjë

    Gjithçka që dimë deri më tani për përplasjen mes trenave – nga ku mbetën disa të vdekur në Spanjë

    Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë në kujdes intensiv pasi dy trena u përplasën në Spanjën jugore të dielën në mbrëmje, në atë që kryeministri, Pedro Sánchez, e quajti “një natë dhimbjeje të thellë për vendin”.

    Sipas raportimeve, një tren me shpejtësi të lartë i Iryo që udhëtonte nga Malaga në Madrid doli nga binarët pranë komunës Adamuz në provincën e Kordobas rreth orës 7.40 të mbrëmjes së së dielës, duke kaluar në shinën tjetër ku goditi një tren që po vinte përballë.

    Treni i dytë, i cili operohej nga kompania shtetërore hekurudhore, Renfe, gjithashtu doli nga shinat dhe ra në një argjinaturë, thanë autoritetet.

    “Rreth 300 persona ishin në bord në kohën e aksidentit”, ka thënë Iryo.

    Guardia Civile dhe zjarrfikësit po punojnë intensivisht në vendngjarje për të evakuuar të gjithë pasagjerët dhe kanë ngritur një ekip të përbashkët reagimi ndaj emergjencave.

    Të hënën në mëngjes, shërbimet e emergjencës në Andaluzi thanë se 122 persona ishin trajtuar për lëndimet e tyre dhe 48 persona ishin ende në spital, nga të cilët 12 ishin në njësitë e kujdesit intensiv, përcjell Telegrafi.

    “Ka shumë të lënduar – ende po dridhem”, ka thënë për El País, María San José, 33 vjeçe, një pasagjere në trenin që doli i pari nga shinat.

    Një dëshmitar tjetër i tha transmetuesit publik RTVE se një nga vagonët e trenit të parë ishte përmbysur plotësisht.

    Një pasagjer i paidentifikuar në trenin e dytë – i cili po shkonte nga Madridi në Huelva – i tha transmetuesit publik TVE: “Kishte njerëz që bërtisnin, çantat e tyre ranë nga raftet. Po udhëtoja për në Huelva me vagonin e katërt – të fundit, për fat të mirë”.

    Shefi i zjarrfikësve të Kordobas, Paco Carmona, i tha TVE se ndërsa Iryo ishte evakuuar brenda pak orësh nga aksidenti, vagonët e Renfe ishin dëmtuar rëndë, me metal dhe sedilje të shtrembëruara.

    “Ka ende njerëz të bllokuar. Operacioni po përqendrohet në nxjerrjen e njerëzve nga zonat që janë shumë të ngushta”, tregoi ai. “Duhet të nxjerrim trupat për të arritur te kushdo që është ende gjallë. Po rezulton të jetë një detyrë e ndërlikuar”.

    Ndërsa ministri i transportit i Spanjës, Óscar Puente, theksoi se shkaku i aksidentit ende nuk ishte përcaktuar.

    Duke folur në një konferencë për shtyp në stacionin Atocha në Madrid, ai shtoi se ishte “shumë e çuditshme” që një dalje nga shinat të kishte ndodhur në një pjesë të drejtë të binarit. Ky seksion i binarit u rinovua në maj, tregoi ai.

    Puente bëri të ditur se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve kishin qenë në dy vagonët e parë të trenit të dytë.

    Ndërkohë, një gazetar nga transmetuesi publik RNE, i cili po udhëtonte në një nga trenat, tha se impakti ishte ndjerë si një tërmet.

    Pasagjerët kishin përdorur çekiçë emergjence për të thyer xhamat e vagonëve dhe për të dalë jashtë, tha ai.

    Raportet e mediave spanjolle sugjeruan se 400 persona kishin qenë në dy trenat.

    Imazhet televizive lokale treguan një qendër pritjeje të ngritur për pasagjerët në Adamuz, një qytet me 5,000 banorë, me vendasit që sillnin ushqim dhe batanije ndërsa temperaturat e natës luhateshin në rreth 6 gradë Celsius.

    Adif ka pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore midis Madridit dhe Andaluzisë.

    Aksidenti hekurudhor më vdekjeprurës në Spanjë këtë shekull ndodhi në korrik 2013, kur një tren që udhëtonte me 179 km/orë doli nga shinat në një pjesë të binarëve me një shpejtësi maksimale prej 50 km/orë në rajonin veriperëndimor të Galicisë, duke vrarë 80 persona.

  • Zendaya rikthehet në “Euphoria”: publikohet traileri i sezonit 3

    Zendaya rikthehet në “Euphoria”: publikohet traileri i sezonit 3

    Traileri zyrtar i sezonit të tretë të serialit të shumëpritur “Euphoria” është publikuar, duke rritur pritjet e fansave për rikthimin e tij më 12 prill në HBO dhe HBO Max. Sezoni i ri sjell sërish në ekran kastin kryesor, përfshirë Zendaya, Sydney Sweeney, Hunter Schafer, Jacob Elordi, Eric Dane, Alexa Demie, Maude Apatow, Chloe Cherry, Colman Domingo dhe Dominic Fike.

    Disa personazhe nga sezonet e mëparshme nuk do të jenë pjesë e këtij kapitulli të ri, përfshirë Barbie Ferreira, Storm Reid, Javon Wanna Walton dhe Austin Abrams. Ndërkohë, aktori Angus Cloud, i njohur për rolin e Fez, ndërroi jetë në korrik të vitit 2023 në moshën 25-vjeçare.

    Ngjarjet e sezonit të dytë u mbyllën me tensione të forta dramatike, duke lënë shumë linja të hapura për zhvillime të reja. Sezoni i tretë nis pesë vjet më vonë, duke sjellë ndryshime të mëdha në jetët e personazheve kryesore, nga zhvendosje gjeografike deri te përballje të reja personale dhe emocionale.

    Kasti i këtij sezoni pasurohet edhe me emra të rinj të njohur, si Sharon Stone, Rosalía, Trisha Paytas, Natasha Lyonne, Danielle Deadwyler, Eli Roth, Marshawn Lynch dhe Adewale Akinnuoye-Agbaje, duke premtuar një sezon edhe më të errët, më intensiv dhe plot surpriza për fansat e serialit.

  • Perrie Edwards dhe Alex Oxlade-Chamberlain bëhen prindër sërish

    Perrie Edwards dhe Alex Oxlade-Chamberlain bëhen prindër sërish

    Këngëtarja britanike Perrie Edwards dhe i fejuari i saj, futbollisti Alex Oxlade-Chamberlain, janë bërë sërish prindër. Çifti ka mirëpritur në jetë fëmijën e tyre të dytë, një vajzë.

    Edwards, 32 vjeçe, e ndau lajmin e bukur me ndjekësit në Instagram, ku zbuloi edhe emrin e veçantë të së voglës: Alanis Valentine. Njoftimi u shoqërua me një foto bardhë e zi, ku këngëtarja shfaqet duke mbajtur në krahë foshnjën e porsalindur.

    Në imazh shihen gjithashtu Alex Oxlade-Chamberlain dhe djali i tyre katërvjeçar, Axel, teksa mbajnë dorën e vogëlushes. Postimi u mbush me komente urimi nga fansat dhe miqtë e çiftit, mes tyre edhe këngëtarja Pixie Lott, e cila shkroi: “Urime, sa bukur!”.

  • Aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë, Kurti: Jemi thellësisht të prekur

    Aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë, Kurti: Jemi thellësisht të prekur

    Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë ku raportohet se vdiqën të paktën 39 persona.

    Përmes një shkrimi në X, Kurti shprehu pikëllimin e thellë për ngjarjen.

    Ai deklaroi se mendimet e tij janë me viktimat dhe familjet e tyre në këto momente të vështira.

    “Jemi thellësisht të pikëlluar nga lajmet që vijnë nga Spanja për aksidentin tragjik të trenit që mori shumë jetë. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ekipeve të shpëtimit u urojmë forcë në përpjekjet e tyre,” shkroi Kurti.

    Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe më gjerë, ndërsa autoritetet përkatëse po vazhdojnë operacionet e shpëtimit dhe hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

  • Trump “kërcënon” CBS News: “Do t’ju padisë nëse redaktoni fjalët e mia!”

    Trump “kërcënon” CBS News: “Do t’ju padisë nëse redaktoni fjalët e mia!”

    Presidenti Donald Trump nuk po largohet nga titujt dhe këtë javë në një përplasje të madhe me një ndër mediet më të mëdha në botë.

    Në një paralajmërim të zjarrtë drejtuar drejtpërdrejt “CBS News”, Trump thuhet se ka kërcënuar me veprim ligjor, duke deklaruar se “do t’ju padisë” nëse fjalët e tij redaktohen ose nxirren jashtë kontekstit.

    Deklarata shpërthyese ka shkaktuar tronditje në qarqet politike dhe mediatike, duke ringjallur luftën e gjatë të Trump me mediet kryesore. Burime pranë tij, sipas TMZ, thonë se Presidenti është i zemëruar për atë që ai e konsideron “mbulim të paragjykuar” dhe “redaktim selektiv” që synon të deformojë mesazhin e tij.

    Trump ka akuzuar vazhdimisht rrjetet e mëdha se manipulojnë intervistat për të promovuar narrativat e tyre, e ky shpërthim i fundit tregon se ai nuk po luan më butë. Aleatët thonë se ai po vendos një vijë të qartë, duke kërkuar transparencë të plotë dhe klipet pa redaktim ose ndryshe…

    “CBS News” nuk ka reaguar publikisht ndaj kërcënimit, por kritikët dhe mbështetësit janë përplasur menjëherë online. Disa e shohin paralajmërimin e Trump si një sulm ndaj lirisë së shtypit, ndërsa të tjerët e përkrahin, duke thënë se ai po qëndron përballë “lajmeve të rreme.”

    Përplasja Trump kundër medieve, nuk do të përfundojë apo ftohet kurrë. Nëse ky paralajmërim është ndonjë tregues, kapitulli i ardhshëm mund të përfundojë në gjykatë.

  • Studimi: Kuajt nuhasin frikën e njeriut

    Studimi: Kuajt nuhasin frikën e njeriut

    Kuajt janë në gjendje të nuhasin frikën e njeriut dhe të reagojnë ndaj saj, tregon një studim i ri shkencor. Sipas studiuesve, era e trupit të personave të frikësuar ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e kuajve, duke i bërë ata më të trembur dhe më pak të afrueshëm.

    Hulumtimi u zhvillua nga shkencëtarë francezë, të cilët analizuan reagimin e kuajve ndaj erës së djersës njerëzore pas shikimit të filmave të frikshëm dhe atyre me përmbajtje pozitive.

    Gjatë eksperimenteve, vullnetarët panë skena nga filmi horror Sinister ose pamje të gëzueshme nga filma si Singin’ in the Rain, ndërsa mbanin copa pambuku nën sqetulla për të mbledhur erën e trupit. Këto mostra u vendosën më pas pranë hundës së kuajve.

    Rezultatet treguan se kuajt që u ekspozuan ndaj erës së frikës u trembën më lehtë, patën rritje të rrahjeve të zemrës dhe iu afruan më rrallë kujdestarëve të tyre, krahasuar me rastet kur ndienin erën e personave në gjendje të qetë ose të gëzuar.

    “Pa e kuptuar, ne u transmetojmë emocionet tona kafshëve”, tha Dr. Léa Lansade nga Universiteti i Tours. “Ky studim tregon se sa e fortë është lidhja mes njeriut dhe kafshëve.”

    Studiuesit theksojnë se nuhatja është një mjet i rëndësishëm komunikimi te kafshët, ndërsa ky studim tregon se sinjalet emocionale mund të kalojnë edhe mes specieve të ndryshme.

    Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Plotine Jardat, kalorësit dhe personat që kujdesen për kuajt duhet të jenë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre emocionale.

    “Nëse njeriu është i qetë dhe pozitiv, edhe kali reagon më mirë. Por nëse je i frikësuar, kali e ndien këtë dhe mund të reagojë më fort ndaj situatave stresuese”, tha ajo.

    Studimi është publikuar në revistën shkencore PLOS One dhe i shtohet kërkimeve të mëparshme që tregojnë se edhe kafshë të tjera, si qentë, janë në gjendje të ndiejnë frikën e njeriut përmes erës.