ATV

Blog

  • Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, Shoqata e Pacientëve me reagim për rastin e Arianit Sllamnikut

    Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, Shoqata e Pacientëve me reagim për rastin e Arianit Sllamnikut

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar rreth rastit të konspiracionistit Arianit Sllamniku, i cili pretendon se ‘shëron’ autizmin tek fëmijet.Sllamniku ndonëse nuk është mjek, ka pretenduar se e ka ilaçin për këtë, por dyshohet se fëmijëve iu jepte barëra që janë për kafshët.

    PRAK thekson se ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në situata të ndjeshme emocionale dhe sociale.

    “Së pari, ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve të mjaftueshme, të qasshme dhe të integruara për fëmijët me çrregullime të zhvillimit, përfshirë autizmin. Kur sistemi publik nuk ofron mbështetje të strukturuar, terapi të vazhdueshme, orientim profesional dhe informim të saktë, qytetarët mbesin të vetmuar dhe të dëshpëruar duke u bërë lehtësisht pre e pretendimeve të rreme dhe mashtruese.

    “Së dyti, kemi të bëjmë me mungesë të kontrollit efektiv institucional dhe mbikëqyrjes së praktikave pseudo-mjekësore, veçanërisht në hapësirat informale dhe online, ku individë pa licencë dhe pa përgjegjësi profesionale promovojnë “trajtime” të rrezikshme, pa u ndëshkuar në kohë”.

    “Së treti, niveli i ulët i edukimit shëndetësor dhe informimit publik mbi çrregullimet e spektrit të autizmit krijon terren për dezinformim. Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por një gjendje që kërkon ndërhyrje multidisiplinare, mbështetje afatgjate dhe respektim të dinjitetit të fëmijës dhe familjes”, theksohet në reagimin e kësaj shoqate.

    PRAK njëherësh thekson se e mirëpret reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe konfirmimin e Policisë së Kosovës se rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Këto hapa janë të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm nëse mbesin vetëm reagim pas faktit.

  • Kamerat e sigurisë “kapin” mbi 1 mijë e 300 shkelje në trafik për një javë në Prishtinë

    Kamerat e sigurisë “kapin” mbi 1 mijë e 300 shkelje në trafik për një javë në Prishtinë

    Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka njoftuar se po vazhdon zbatimi i masave për rritjen e sigurisë në trafik, përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe shqiptimit të gjobave ndaj kundërvajtësve.

    Sipas Policisë, në kuadër të këtyre aktiviteteve, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit po realizon shqiptimin e gjobave bazuar në monitorimin e kamerave të sigurisë, si dhe gjatë zbatimit të detyrave të rregullta në terren.

    Nga data 13 deri më 19 janar 2026, kjo njësi ka shqiptuar gjithsej 1.369 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë edhe përdorimin e telefonit mobil gjatë vozitjes. Shkeljet janë evidentuar përmes kamerave të sigurisë dhe kontrolleve direkte në komunikacion.

    Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë shoferët që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve.

  • Peticioni danez për të blerë Kaliforninë nga Trumpi është nënshkruar nga mijëra njerëz

    Peticioni danez për të blerë Kaliforninë nga Trumpi është nënshkruar nga mijëra njerëz

    Një peticion satirik që i bën thirrje Danimarkës të “blejë” Kaliforninë ka kaluar mbi 200,000 nënshkrime, si një përgjigje e dukshme ndaj thirrjeve të ripërtërira të administratës Trump që SHBA-të të blejnë Grenlandën.

    Fushata – e organizuar në Denmarkification.com – imagjinon një botë ku Danimarka blen shtetin më të populluar të Amerikës, e riemërton atë “Danimarka e Re” dhe madje e riemërton Disneylandin si “Hans Christian Andersenland”.

    Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar përsëri një paralajmërim në lidhje me rëndësinë strategjike të Grenlandës, duke thënë se SHBA-të kanë nevojë për ishullin për t’iu kundërvënë ndikimit rus dhe duke pohuar se “tani është koha” për të vepruar, megjithëse komentet e tij janë kritikuar ashpër nga udhëheqësit evropianë.

    Të shtunën, mijëra banorë të Grenlandës marshuan nëpër kryeqytetin Nuuk, në protestë kundër kërcënimeve në rritje të qeverisë Trump për të blerë territorin vetëqeverisës.

    Në përgjigje, Trump ka kërcënuar të vendosë tarifa prej 10 përqind duke filluar nga 1 shkurti, duke u rritur në 25 përqind më 1 qershor për vendet që kundërshtojnë përpjekjen e Uashingtonit për të kontrolluar Groenlandën – përfshirë Danimarkën dhe disa nga aleatët e saj më të ngushtë evropianë – dhe t’i mbajë këto tarifa në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për Grenlandën.

    Udhëheqësit në të gjithë Evropën kanë reaguar fort ndaj kërcënimit të Trump për të vendosur tarifa ndaj vendeve aleate që kundërshtojnë përpjekjet e Amerikës për të marrë kontrollin e Grenlandës, duke paralajmëruar se ky veprim rrezikon të minojë bashkëpunimin e NATO-s dhe të tendosë lidhjet transatlantike, ndërsa mbron të drejtën e Grenlandës për të përcaktuar të ardhmen e saj.

  • Shkatërrohet organizata shqiptare e drogës në Itali, 8 urdhër arreste

    Shkatërrohet organizata shqiptare e drogës në Itali, 8 urdhër arreste

    Një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar në orët e para të mëngjesit nga Policia e Shtetit italiane, duke çuar në arrestimin e nëntë personave, tetë me origjinë shqiptare dhe një shtetas italian, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale të strukturuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

    Operacioni, i koduar “STURL ONE”, u zhvillua nga Policia e Reggio Emilias, nën koordinimin e Prokurorisë së Bolonjës-Drejtoria Distriktuale Antimafia, dhe përfshiu ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të miratuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake në Bolonjë. Arrestime dhe kontrolle janë kryer në disa provinca të Italisë, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit me autoritetet policore të huaja dhe Policinë Kriminale Shqiptare.

    Hetimet janë vijim i operacioneve të mëparshme “TREXIT 2019” dhe “BLACK MAMBA”, të cilat në vitet 2021 dhe 2022 kishin çuar në arrestimin e 35 personave. Nga hetimet rezulton se organizata kishte kapacitet të lartë logjistik dhe financiar, duke importuar sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marijuane nga Amerika e Jugut, Europa Veriore dhe Spanja, të fshehura në kamionë me ngarkesa perimesh.
    Vetëm në gjashtë muaj, grupi kriminal dyshohet se ka shpërndarë mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1 ton hashash e marijuanë, duke gjeneruar fitime në miliona euro. Anëtarët e organizatës komunikonin përmes platformës së koduar “SkyECC”, e cila u çkodua nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, duke i hapur rrugë zbardhjes së aktivitetit kriminal.

    Në total, janë 15 persona nën hetim, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan drogë, para cash dhe mjete komunikimi. Gjatë një kontrolli në Brescia, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë me mbi 3 kg drogë dhe 5.800 euro. Autoritetet italiane e cilësojnë operacionin si goditje të fortë ndaj kupolës së organizatës kriminale.

  • Njësitë B2 dhe A3 pritet të rikthehen në operim gjatë mbrëmjes

    Njësitë B2 dhe A3 pritet të rikthehen në operim gjatë mbrëmjes

    Dy njësitë e Korporatës Energjetike të Kosovës B2 dhe A3, priten të kthehen në operim gjatë mbrëmjes, ka thënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Ai këtë e ka bërë të ditur pas një takimi që ka zhvilluar me menaxhmentin e KEK-ut mbrëmë, ndërsa që në operim janë tri njësi (B1, A4 dhe A5) të Korporatës Energjetike të Kosovës ndërsa ekipet teknike janë të angazhuara me tri ndërrime, 24 orë pandalur, për t’i rikthyer sa më shpejt në operim edhe njësitë B2 dhe A3.

    “Nga KEK-u presim që gjatë kësaj periudhe të ftohtë kur kërkesa është e lartë, të punojë me 5 blloqe. Ndonëse kjo është sfiduese, TC Kosova A ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë që nga 19 dhjetori deri më sot, për çfarë i jemi falënderues secilit punëtor e menaxher, që janë shtylla e sistemit tonë elektroenergjetik. Për krahasim, për 25 vitet e kaluara KEK ka punuar me 5 njësi vetëm 55 ditë në total. Nga menaxhmenti dhe nga çdo punonjës i KEK-ut pres angazhim dhe përgjegjësi maksimale për t’i sjellë të gjitha njësitë në operim dhe për t’i mbajtur në operim gjatë këtyre muajve të ftohtë”, ka shkruar ajo.

    Ndërsa të hënën ka publikuar një video ku shihen punëtorët e KEK-ut duke punuar dhe ka bërë thirrje për kursim të energjisë.

    KOSTT ka paralajmëruar reduktime të energjisë elektrike gjatë ditës për shkak të kërkesës së madhe me furnizim me energji elektrike.

  • Skandaloze – Djali i madh i Victoria dhe David Beckham, akuzon nënën e tij për kërcim “të papërshtatshëm” MBI të…

    Skandaloze – Djali i madh i Victoria dhe David Beckham, akuzon nënën e tij për kërcim “të papërshtatshëm” MBI të…

    Imazhi perfekt i familjes Beckham sapo mori një goditje tronditëse. Brooklyn Peltz Beckham, djali i madh i çiftit Beckham, ka zbuluar një moment befasues e tejet shokues nga dasma e tij luksoze me Nicola Peltz, duke pretenduar se nëna e tij, Victoria Beckham, vallëzoi mbi të në një mënyrë që ai e përshkroi si “shumë të papërshtatshme”.

    Rrëfimi i papritur ndezi menjëherë rrjetet sociale. Gjatë një feste që supozohej të ishte plot elegancë dhe dashuri, Brooklyn thotë se nëna e tij tronditi të ftuarit duke u çliruar në pistën e vallëzimit, pak më shumë sesa pritej. Të pranishmit në dasmën plot yje thonë se momenti ishte i pamundur për t’u injoruar, me sytë e ngulur dhe telefonat që dolën menjëherë.

    Victoria, e njohur për imazhin e saj të ftohtë dhe elegant në tapetet e kuq, duket se harroi çdo kufi ndërsa muzika shpërthente dhe shampanja rridhte pa ndalur. Burime pranë eventit thonë se vallëzimi nisi si lojë, por shpejt u bë i sikletshëm, duke lënë të ftuarit të pavendosur nëse duhej të qeshnin apo të largonin shikimin.

    Rrjetet sociale shpërthyen, me fansa të ndarë në dy kampe. Disa e mbrojtën Victorian, duke thënë se ishte thjesht një nënë krenare që po festonte lumturinë e të birit. Të tjerë e quajtën momentin “cringe”, “të pakëndshëm” dhe vunë në dyshim kufijtë, sidomos para kamerave, të famshëmve dhe nuses së Brooklyn-it duke parë gjithçka.

    Ndërkohë, Nicola Peltz ka qëndruar plotësisht e heshtur për incidentin, duke shtuar edhe më shumë spekulime. A po e merr me sportivitet apo ishte e shokuar nga ajo që ndodhi?

    Edhe pse familja Beckham është mësuar me titujt e lajmeve, ky zbulim familjar i papritur tregon se edhe mbretëria e pop-kulturës nuk i shpëton dramës virale të dasmave. Qoftë një moment i pafajshëm që shkoi shumë larg apo një kujtim që Brooklyn nuk do ta harrojë kurrë, një gjë është e sigurt, kjo histori për opinionin publik sapo ka filluar…

  • NBA, Fitore të ngushta dhe spektakolare në ndeshjet e fundit

    NBA, Fitore të ngushta dhe spektakolare në ndeshjet e fundit

    Janë zhvilluar katër ndeshje shumë interesante në mëngjesin e sotëm në kuadër të NBA, liga më e fortë e basketbollit në botë.

    Detroit Pistons ka vazhduar me fitore, duke mundur Boston Celtics me vetëm një pikë diferencë, 104-103.

    Më efikasë në këtë sukses ishin Tobias Harris me 25 pikë dhe Jalen Duren me 18 pikë. Nga ana tjetër, përkundër paraqitjes spektakolare të Jalen Brown, i cili shënoi 32 pikë dhe mori 11 kërcime, Celtics nuk arriti të triumfonte.

    Aktualisht, Celtics renditen vetëm një pozitë më poshtë se Pistons në Konferencën e Lindjes.

     

    Golden State Warriors kanë regjistruar fitoren e katërt radhazi, duke mundur Miami Heat me rezultat të thellë, 135-112.

    Brandin Podzimeski udhëhoqi skuadrën drejt fitores me 24 pikë dhe 8 kërcime, ndërsa Stephen Curry shtoi 19 pikë dhe 11 asistime. Te skuadra humbëse, spikati Norman Powell me 21 pikë.

    Warriors renditen në vendin e tetë në Konferencën e Perëndimit, ndërsa Heat ndodhen në vendin e tretë në Lindje.

     

    Phoenix Suns ka shënuar fitoren e dytë radhazi, duke mundur Brooklyn Nets me rezultat 126-117. Dillon Brooks shkëlqeu me 27 pikë, ndërsa Devin Booker shtoi 24 pikë dhe Collin Gillespie 22 pikë për fitoren e Suns.

    Te Nets, më i dalluari ishte Michael Porter Jr. me 23 pikë, por nuk mjaftuan për triumf.

    Suns renditen në vendin e shtatë në Perëndim, ndërsa Nets në vendin e 13 në Lindje.

     

    Philadelphia 76ers e mbylli me fitore këtë seri ndeshjesh, duke mundur Indiana Pacers me 113-104. Joel Embiid me 30 pikë dhe Tyrese Maxey me 29 pikë ishin protagonistët kryesorë të këtij triumfi.

    Te Pacers, më efikasi ishte Andrew Nembhard me 25 pikë.

    76ers renditen në vendin e pestë në Lindje, ndërsa Pacers ndodhen në fund të tabelës.

  • Spekulime për Megan Fox – MGK, burri i saj, u kundërpërgjigjet thashethemeve

    Spekulime për Megan Fox – MGK, burri i saj, u kundërpërgjigjet thashethemeve

    Drama në Hollywood nuk fle kurrë dhe Machine Gun Kelly sapo i shtoi një kthesë tjetër telenovelës së fundit të famshme. Reperi, këngëtari dhe aktori, i njohur për hitet si Emo Girl, publikoi një mesazh misterioz në Instagram Story që i la fansat dhe portalet duke kërkuar përgjigje…

    Më 18 janar, MGK shkroi thjesht: “Mediet e thashethemeve janë shumë 🌽🤮…”, një goditje e drejtpërdrejtë, plot emoji, ndaj mediave që ai duket se i konsideron si përhapëse të titujve të rremë ose të ekzagjeruar. Postimi i shkurtër dhe i koduar erdhi pikërisht në mes të spekulimeve intensive rreth statusit të marrëdhënies së tij me Megan Fox.

    Çifti, që për vite me radhë ka qenë në qendër të vëmendjes për marrëdhënien e tyre të zjarrtë, me ndarje dhe ribashkime, tani po përballet me thashetheme se romanca e tyre është shndërruar në një lidhje thjesht bashkë-prindërore. Ata ndajnë një vajzë, Saga Blade, e lindur në mars 2025 dhe burime pranë tyre thonë se edhe pse shihen bashkë dhe janë të bashkuar në rritjen e vajzës, lidhja romantike ka përfunduar.

    Sipas burimeve pranë situatës, Megan Fox është e përqendruar te familja, stabiliteti dhe fëmijët e saj dhe dinamika romantike mes tyre “ka marrë fund”, me të dy tani duke u përqendruar në një kapitull më të pjekur të bashkë-prindërimit. Por kjo nuk e ka ndalur aspak zhurmën mediatike, përkundrazi…

    Këtu hyn në lojë postimi i koduar i MGK-së. Në vend që të mohojë apo konfirmojë drejtpërdrejt thashethemet, ai zgjodhi të sulmojë burimin e tyre, duke i quajtur mediat kryesore të thashethemeve “të neveritshme”, me emoji misri dhe të vjelle, një shenjë e qartë se ai po refuzon narrativën që po ndërtohet rreth jetës së tij personale.

    Fansat kanë nisur ta analizojnë postimin rresht për rresht, a është i lodhur nga titujt e pafund për ndarje dhe ribashkime, a po sinjalizon se historia që po qarkullon nuk është e vërtetë apo thjesht po mbron privatësinë e tij nga cirku mediatik?

    Cilado qoftë e vërteta, mesazhi ndezi rrjetet sociale. Disa fansa besojnë se MGK dhe Fox po gjejnë rrugën e tyre drejt një forme të re marrëdhënieje, duke kaluar kohë si familje dhe duke ripërcaktuar lidhjen e tyre. Të tjerë mendojnë se postimi është një mburojë, një mënyrë për t’u përballur me tabloidet dhe për të zhvendosur fokusin te ajo që ka më shumë rëndësi për të si muzika, vajza e tij dhe privatësia.

    Por MGK nuk po lejon që thashethemet të kalojnë pa reagim dhe përgjigjja e tij, e shkurtër, e drejtpërdrejtë dhe plot nënkuptime, flet vetë. Nëse kjo do të ndezë edhe më shumë spekulime apo do t’i heshtë ato, mbetet për t’u parë. Por në Hollywood, dramat e tilla rrallëherë largohet nga titujt…

  • Prishet teleferiku, qindra turistë mbetën te ‘varur’ në acar në Lanzhou të Kinës

    Prishet teleferiku, qindra turistë mbetën te ‘varur’ në acar në Lanzhou të Kinës

    Mbi 100 turistë mbetën të varur në temperatura të ulëta për orë të tëra pasi një teleferik u prish.

    Skiatorët, kryesisht turistë, mbetën të bllokuar në teleferikun e dëmtuar për gati tre orë. Një person tha se ishte “i ngrirë”.

    Teleferiku u prish në resortin ndërkombëtar të skive Longshan në Lanzhou, Kinë, rreth orës 16:00 të shtunën.

    Një zëdhënës i resortit tha se problemi u shkaktua fillimisht nga një ndërprerje e energjisë elektrike, transmeton Telegrafi.

    Energjia elektrike u rikthye pas rreth 20 minutash, por kutia e shpejtësisë së teleferikut u bllokua, duke bllokuar 104 skiatorë në ajër.

    Pamjet filmike treguan turistët e bllokuar në ajër ndërsa një punëtor u tha atyre përmes altoparlantit: “Ju lutem mos i hapni kangjellat mbrojtëse dhe qëndroni të qetë”.

    Deri në orën 18:47, turistët e bllokuar ishin shpëtuar dhe operacionet normale rifilluan. Ata konfirmuan se askush nuk ishte lënduar rëndë.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Daily Star (@dailystar)

  • Për herë të parë pas 21 vitesh, LeBron James nuk është titullar në All Star Game

    Për herë të parë pas 21 vitesh, LeBron James nuk është titullar në All Star Game

    Pas 21 sezonesh radhazi, LeBron James nuk do të jetë titullar në All Star Game 2026. Pesëshet startuese për ndeshjen e yjeve janë bërë publike, dhe mungesa e 41-vjeçarit të Los Angeles Lakers është lajmi kryesor.

    LeBron po luan sezonin e tij të 23-të në NBA, dhe që nga sezoni i dytë kishte qenë gjithmonë pjesë e pesësheve të para në All Star. Ndeshja e yjeve do të zhvillohet më 15 shkurt në “Intuit Dome” në Ingleëood, shtëpi e Los Angeles Clippers.

    Edhe pse nuk është titullar, James ka mundësinë të zgjidhet si rezervë, pasi trajnerët e NBA-së do të zgjedhin 14 lojtarë të tjerë, nga shtatë për secilën Conference. Lista e plotë e ekipit do të bëhet publike më 1 shkurt.

    Këtë sezon, LeBron ka luajtur 24 ndeshje, mesatarisht duke shënuar 22.6 pikë, 6.9 asistime dhe 5.9 ribaunde për ndeshje. Ai ka fituar 3 herë çmimin MVP në All Star Game dhe mbetet një nga yjet më të mëdhenj të NBA-së.

     

    Përndryshe, titullarët e All Star 2026 janë:

    Nga Konferenca e Lindjes: Cade Cunningham (Detroit), Jalen Brunson (New York), Tyrese Maxey (Philadelphia), Jaylen Brown (Boston), Giannis Antetokounmpo (Milwaukee).

    Derisa në Konferencën e Perëndimit: Stephen Curry (Golden State), Shai Gilgeous-Alexander (Oklahoma City), Luka Dončić (Los Angeles Lakers), Victor Wembanyama (San Antonio), Nikola Jokić (Denver).

    Edhe pse nuk është titullar për herë të parë pas dy dekadash, LeBron pritet të marrë pjesë në spektaklin e All Star dhe të tregojë akoma një herë pse është një legjendë e NBA-së.