ATV

Blog

  • Lisandro Martínez: Fitorja ndaj Cityt ishte dhurata më e mirë e ditëlindjes

    Lisandro Martínez: Fitorja ndaj Cityt ishte dhurata më e mirë e ditëlindjes

    Lisandro Martínez e ka përjetuar në mënyrë të veçantë fitoren e Manchester United ndaj Manchester Cityt, duke e cilësuar atë si dhuratën më të mirë të ditëlindjes së tij.

    Mbrojtësi argjentinas, i cili është një nga liderët e prapavijës së “Djajve të Kuq”, foli pas triumfit ndaj rivalit lokal, duke theksuar rëndësinë e fitores, por edhe nevojën për të qëndruar me këmbë në tokë.

    “Dhurata më e mirë e ditëlindjes ishte fitorja ndaj Cityt. Tani duhet të qëndrojmë të përulur”, deklaroi Martínez.

    Fitorja në derbi vjen në një moment të rëndësishëm për Manchester United, që po kërkon stabilitet dhe rikthim të besimit pas një periudhe me rezultate të paqëndrueshme. Paraqitja e fortë e skuadrës dhe sidomos soliditeti në mbrojtje, ku Martínez luajti rol kyç, u vlerësuan lart nga tifozët dhe analistët.

    Megjithatë, argjentinasi bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se një fitore e madhe nuk duhet të largojë fokusin nga objektivat afatgjata të skuadrës në Premier League dhe garat e tjera.

    Manchester United synon ta ndërtojë këtë sukses për vazhdimësinë e sezonit, ndërsa fitorja ndaj Cityt shihet si një shtysë e madhe morale për ekipin.

  • Trabzonspor synon blerjen e kartonit të Ernest Muçit

    Trabzonspor synon blerjen e kartonit të Ernest Muçit

    Sulmuesi anësor i Kombëtares shqipare Ernest Muçi po kalon formë fantastike me klubin turk Trabzonspor.

    7 herë kampioni i Turqisë po synon të blejë kartonin e Muçit nga Besiktas disa javë para përfundimit të afatit kalimtar të janarit,dhe drejtuesit e Trabzonspor kanë bërë të ditur se do të pagujanë rreth 10 milionë euro për reprezentuesin e Shqipërisë.

    Përndryshe presidenti i Trabzonspor-it Ertugrul Dogan ka deklaruar se do të pagujnë së pari 8 milionë euro,teksa do të japin edhe këtin e parë prej 2 milionë euro në muajin maj.

    “Lojtari na pëlqen shumë dhe do të paguajmë këstin e parë 2 milionë në muajin maj”

    Kujtojmë që Ernest Muçi në 18 ndeshjet e zhvilluara për Trabzonsporin ka shënuar 10 gola këtë sezon,qëkur është i huazuar nga rivali i mirënjohur Besiktas në afatin kalimtar veror.

  • Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosje në Ferizaj, ishte dorëzuar dje në polici

    Një muaj paraburgim për të dyshuarin për plagosje në Ferizaj, ishte dorëzuar dje në polici

    Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Argjent Ramës, të dyshuarit për plagosjen e ndodhur në Ferizaj, i cili një ditë më parë është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

    Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, masa e paraburgimit është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës nga gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Ilir Bytyqi.

    Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri Argjent Rama, me qëllim që ta privojë nga jeta viktimën A.D., ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të tij.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 21.12.2025, rreth orës 23:20, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një konflikti verbal, i pandehuri me qëllim që të privoj nga jeta ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës A.D., duke i shkaktuar plagë nga arma e zjarrit në abdomen, dorë dhe regjion femoral, për pasojë i dëmtuari i`u është nënshtruar operimit në QKUK -Prishtinë. Si dhe se i pandehuri me datë, kohë dhe vend të shënuar si më lartë tek pika e parë e dispozitivit, në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm lidhur me armët ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën e zjarrit të llojit CZ, modeli 70, kalibri 7.65 MM”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

  • Macja juaj bën këto gjëra çdo ditë? Ja pse nuk janë aspak të rastësishme

    Macja juaj bën këto gjëra çdo ditë? Ja pse nuk janë aspak të rastësishme

    Nga shtyrja e sendeve te vrapimet e papritura nëpër shtëpi – ja 7 sjellje të maceve që kanë shpjegim logjik.

    Macet njihen si krijesa misterioze dhe shpesh duken të paparashikueshme. Herë na bëjnë të qeshim me veprimet e tyre të çuditshme, herë na lënë të habitur duke reaguar ndaj gjërave që ne as nuk i vërejmë.

    Megjithatë, pas pothuajse çdo sjelljeje të tyre fshihen instinktet natyrore, shqisat shumë të zhvilluara dhe mënyra se si macet janë formuar ndër shekuj si gjuetare të shkathëta. Kur sjellja e tyre shihet nga ky këndvështrim, shumë veprime që duken të çuditshme bëhen plotësisht të kuptueshme.

    1. Shtyjnë sendet nga tavolina
    Macet e eksplorojnë botën me putra. Shtyrja e objekteve i ndihmon të testojnë peshën, lëvizjen dhe reagimin e mjedisit. Shpesh kjo është edhe një mënyrë për të tërhequr vëmendjen ose për të larguar mërzinë.

    2. Papritur vrapojnë nëpër shtëpi
    Këto shpërthime të papritura energjie, të njohura si “zoomies”, lidhen me energjinë e grumbulluar dhe instinktin e gjuetisë. Ato shfaqen më shpesh te macet që jetojnë vetëm brenda në shtëpi.

    3. Sjellin “prenë” te pronari
    Edhe pse për njerëzit kjo mund të jetë e pakëndshme, kjo sjellje buron nga instinkti i gjuetisë dhe lidhja shoqërore. Macja ju sheh si pjesë të grupit të saj dhe “ndan” prenë ose tregon aftësitë e veta gjuetare.

    4. Flinë pjesën më të madhe të ditës
    Macet janë natyrshëm më aktive në muzg dhe në agim. Gjumi i gjatë u shërben për të ruajtur energjinë për periudha të shkurtra aktiviteti intensiv, një sjellje e trashëguar nga paraardhësit e tyre të egër.

    5. Masazhojnë me putra (bëjnë “brumin”)
    Kjo sjellje vjen nga fëmijëria e maces, kur kotelet me masazhimin e barkut të nënës stimulojnë rrjedhjen e qumështit. Te macet e rritura, kjo është shenjë rehatie, kënaqësie dhe ndjenje sigurie.

    6. Shikojnë në “asgjë”
    Macet kanë dëgjim dhe shikim shumë më të ndjeshëm se njerëzit. Ato shpesh reagojnë ndaj tingujve, lëvizjeve ose ndryshimeve të dritës që ne nuk i perceptojmë.

    7. Fshihen kur janë nën stres
    Fshehja është një mekanizëm mbrojtës. Në situata të panjohura ose stresuese, macet instinktivisht kërkojnë strehë për t’u ndier më të sigurta dhe për të pasur kontroll mbi mjedisin.

    Edhe pse sjellja e maceve ndonjëherë duket e paparashikueshme, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për reagime natyrore dhe plotësisht të kuptueshme. Kuptimi i këtyre modeleve i ndihmon pronarët të kujdesen më mirë për macet e tyre dhe t’u ofrojnë atyre një jetë më cilësore.

  • Rinumërimi i votave vazhdon, rreth 45% e tyre janë përfunduar

    Rinumërimi i votave vazhdon, rreth 45% e tyre janë përfunduar

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve për disa vendvotime, ku deri tani janë rinumëruar 44.66%.

    Sipas rezultateve të përditësuara, LVV ka 48%, PDK 23.84%, LDK 10.11% dhe AAK 2.99%. Procesi është përfunduar plotësisht në 9 komuna.

     

  • Dalin pamje të rënda të dhunës ndaj Lim Hotit

    Dalin pamje të rënda të dhunës ndaj Lim Hotit

    Ndërsa reperi Lim Hoti po tërheq vëmendjen e publikut me paraqitjen e tij brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova”, jashtë kësaj eksperience kanë nisur të qarkullojnë pamje shqetësuese që lidhen me një ngjarje të ndodhur para hyrjes së tij në reality show.

    Në rrjetet sociale është bërë virale një video ku Lim Hoti shihet duke u dhunuar fizikisht në mes të rrugës. Pamjet kanë shkaktuar reagime të shumta dhe debat të gjerë në opinionin publik, për shkak të natyrës së rëndë të incidentit.

    Sipas raportimeve të mediave, dyshimet kryesore për autorin e këtij sulmi bien mbi reperin Finem, një emër i njohur i skenës muzikore. Madje, raportohet se vetë Finem nuk e ka mohuar përplasjen fizike, duke konfirmuar se mes tij dhe Limit ka pasur konflikt.

    Videoja në fjalë ka ndezur diskutime të forta mes fansave të dy artistëve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo ngjarje do të ketë ndikim në imazhin apo rrugëtimin e Limit brenda shtëpisë më të famshme në Kosovë.

    Për momentin, palët e përfshira nuk kanë dhënë deklarata zyrtare të detajuara lidhur me incidentin.

  • Mirlind Daku mungon për shkak të dëmtimit, Rubini i Kazanit fiton në Turqi

    Mirlind Daku mungon për shkak të dëmtimit, Rubini i Kazanit fiton në Turqi

    Sulmuesi kosovar Mirlind Daku nuk u aktivizua në daljen e parë të vitit të Rubinit të Kazanit, për shkak të një dëmtimi të lehtë, që e pengoi të jetë në fushë gjatë fitores 3-1 të skuadrës ruse ndaj ekipit serb IMT Beograd. Ndeshja u zhvillua në Antalia, ku Rubini po zhvillon fazën përgatitore për pranverën, ndërsa në Rusi dimri i ashpër e detyron ekipin të punojë në stërvitje jashtë vendit.

    Trajneri i ri katalanas, Frans Artiga, në një deklaratë për televizionin e klubit, theksoi se Daku ka disa shqetësime shëndetësore dhe nuk mund të rrezikohej, por shtoi se futbollisti kosovar do të rikuperojë sa më shpejt për t’u bashkuar me ekipin në rinisjen e kampionatit në Premier Ligën ruse më 28 shkurt.

    “Mirlind është futbollisti më i mirë i skuadrës dhe do të na ndihmojë shumë në pranverë,” deklaroi trajneri Artiga, duke qetësuar tifozët se lëndimi nuk është serioz.

    Daku po zhvillon një sezon shumë të mirë me 9 gola në kampionat, vetëm dy më pak se shënuesi më i mirë Aleksei Batrakov. Sulmuesi nga Kosova ka premtuar se nuk do të largohet nga Rubini deri në përfundim të sezonit.

    Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë ndeshjen e radhës më 26 mars në Varshavë ndaj Polonisë, duke i dhënë Dakut kohë të mjaftueshme për të rikuperuar dhe për t’u rikthyer në formën më të mirë.

  • Scarlett Johansson dhe artistë të tjerë kundër përdorimit pa leje të punës së tyre nga inteligjenca artificiale

    Scarlett Johansson dhe artistë të tjerë kundër përdorimit pa leje të punës së tyre nga inteligjenca artificiale

    Rreth 800 artistë nga fusha të ndryshme të artit kanë nënshkruar një letër të hapur, duke akuzuar kompanitë e teknologjisë për përdorim të paautorizuar të veprave të mbrojtura me të drejta autoriale për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale. Mes nënshkruesve janë emra të njohur botërorë si Scarlett Johansson, Cate Blanchett, grupi REM dhe krijuesi i serialit “Breaking Bad”, Vince Gilligan. Letra është publikuar nga lëvizja “Vjedhja nuk është inovacion”, pjesë e Fushatës Human Artistry, dhe kërkon partneritete etike dhe ligjore nga kompanitë e IA-së, në vend të përdorimit të përmbajtjeve kreative pa autorizim.

    Artistët theksojnë rëndësinë e komunitetit krijues amerikan, duke shpjeguar se ai kontribuon ndjeshëm në punësim, rritje ekonomike dhe eksporte. Sipas letrës, disa nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë po përdorin punën e krijuesve pa respektuar ligjin e të drejtave të autorit. Aktualisht, në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë rreth 60 padi aktive kundër kompanive të inteligjencës artificiale, ndërsa procese të ngjashme ligjore janë duke u zhvilluar edhe në Evropë.

    Debati për të drejtat autoriale dhe inteligjencën artificiale u përforcua në vitin 2024, kur Scarlett Johansson reagoi ndaj OpenAI, pasi një nga zërat e funksionit “Advanced Voice” u duk shumë i ngjashëm me zërin e saj në filmin “Her” (2013). Pas ndërhyrjes ligjore, kompania ndaloi përdorimin e zërit “Sky”. Çështja e të drejtave autoriale ndaj IA-së po bëhet një nga debatet më të mëdha globale midis industrisë kreative dhe teknologjisë.

  • Kufjet Sony LinkBuds Clip vijnë me dizajn me kapëse dhe jetëgjatësi baterie nëntë orëshe

    Kufjet Sony LinkBuds Clip vijnë me dizajn me kapëse dhe jetëgjatësi baterie nëntë orëshe

    Sony ka prezantuar kufjet e saj më të fundit, të quajtura LinkBuds Clip, të cilat sjellin një dizajn me kapëse, trend ky që po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar në tregun e kufjeve wireless.

    Ashtu siç sugjeron edhe emri, LinkBuds Clip janë dizajnuar për t’u kapur në vesh, duke mos e mbyllur plotësisht kanalin e dëgjimit. Avantazhi kryesor i këtij dizajni është mundësia që përdoruesit të dëgjojnë muzikë, podkaste apo telefonata, pa u shkëputur nga ambienti përreth, gjë që i bën ato të përshtatshme për përdorim të përditshëm, shëtitje apo aktivitete në natyrë.

    Sipas Sony-t, kufjet ofrojnë një jetëgjatësi baterie deri në nëntë orë me një karikim të vetëm, ndërsa kutia e karikimit siguron energji shtesë për përdorim më të gjatë gjatë ditës. Përveç kësaj, LinkBuds Clip pritet të vijnë edhe me teknologji të avancuara të zërit, duke ruajtur cilësinë karakteristike të markës japoneze.

    Me këtë model të ri, Sony synon të ofrojë një alternativë praktike dhe moderne për ata që duan të shijojnë audion pa u izoluar plotësisht nga mjedisi rreth tyre.

  • BMW Seria 4 e re po vjen: gjithçka që dihet deri më tani

    BMW Seria 4 e re po vjen: gjithçka që dihet deri më tani

    BMW Seria 4 do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e gamës së prodhuesit gjerman edhe në të ardhmen. Këtë e ka konfirmuar së fundmi Joachim Post, kreu i departamentit të kërkim-zhvillimit në BMW, i cili ka deklaruar se Seria 4 “do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në të ardhmen”.

    Ky lajm është pritur shumë mirë nga adhuruesit e modelit sportiv me dy dyer, i cili prej vitesh konsiderohet si një nga alternativat më elegante dhe dinamike në segmentin e vet. Megjithatë, edhe pse konfirmimi për vazhdimësinë e modelit është i qartë, ende nuk dihen detaje konkrete se çfarë ndryshimesh apo risish do të sjellë gjenerata e re.

    Pritet që BMW Seria 4 e re të vijë me përmirësime në dizajn, teknologji dhe performancë, duke ndjekur strategjinë e markës për elektrifikim dhe efikasitet më të lartë. Nuk përjashtohet mundësia që modelet e ardhshme të përfshijnë versione hibride ose elektrike, krahas motorëve tradicionalë me benzinë dhe naftë.

    Për momentin, BMW nuk ka dhënë një afat zyrtar për prezantimin e Serisë 4 së re, por deklaratat e fundit tregojnë qartë se modeli do të mbetet një pjesë kyçe e identitetit sportiv të kompanisë.

    Mbetet të shihet se si do të evoluojë Seria 4 në vitet e ardhshme dhe çfarë surprizash do të rezervojë për fansat e saj.