ATV

Blog

  • Me 21 vota para, Afërdita Bytyqi zgjidhet anëtare e KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Apelit

    Me 21 vota para, Afërdita Bytyqi zgjidhet anëtare e KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Apelit

    Gjyqtarja Afërdita Bytyqi është zgjedhur anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale.

    Mandati i saj do të jetë 5-vjeçar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në procesin zgjedhor që u zhvillua të martën, Afërdita Bytyqi mori votat e 42 gjyqtarëve. Kurse, kandidatja tjetër Mirlinda Bytyqi-Rexhepi mori 21 vota.

    Me të drejtë vote në këtë proces ishin 65 gjyqtarë, të cilët shfrytëzuan të drejtën e votës.

    Prej tyre, 63 fletëvotime u shpallën të vlefshme, ndërsa dy të tjera të pavlefshme.

    Kujtojmë se në takimin 357-të, KGJK kishte vendosur të shpallej konkurs për një pozitë të anëtares nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.

  • Vëmendja te Forumi i Davosit 2026

    Vëmendja te Forumi i Davosit 2026

    AKADEMIK PROF ANASTAS ANGJELI

    Forumi i Davosit, i njohur zyrtarisht si Forumi Ekonomik Botëror (WEF), mbledh çdo vit udhëheqës nga biznesi, politika, akademia dhe sektorë të tjerë për të adresuar sfidat urgjente globale.

    FORUMI I DAVOSIT 2026-VECORITE

    Forumi i Davosit i këtij viti dallohet për shkak të një bashkimi tensionesh të vazhdueshme gjeopolitike, paradigmave ekonomike në zhvillim dhe ndryshimeve të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara nën një administratë të dytë të Presidentit Trump. Nën temën, “Shpirti për Dialog”, “A Spirit of Dialogue”, Davos 2026 synojë të projektojë idenë se dialogu, bashkëpunimi dhe qasja shumëpalëshe mund të ofrojnë rrugëdalje nga një botë e kontestuar, e fragmentuar dhe e polarizuar. Por prania këtë vit e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e zhvendosi peshën e debatit nga gjuha konsensuale e dialogut drejt një agjende të hapur transaksionale dhe unilaterale. Forumi i kësaj radhe (19–23 janar 2026) dallohet nga konvergjenca e turbulencave gjeopolitike, ndryshimeve të paradigmave ekonomike dhe riorganizimeve ndërkombëtare – më së shumti nga rikthimi i Donald Trump në presidencën e SHBA-së, i cili ka riformësuar diskutimet mbi tregtinë, aleancat dhe qeverisjen globale. Disa nga arsyet kryesore mund të përmenden:

    Thyerja e rendit global: Udhëheqësit në Davos 2026 u përballën me një botë të përshkruar si “duke u balancuar në një greminë” në Raportin Global të Rreziqeve të WEF-it. Konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, së bashku me rivalitetin SHBA-Kinë, dominuan agjendën.

    Presionet me tarifat: Theksi i ripërtërirë i Presidentit Trump mbi tarifat dhe nacionalizmin ekonomik ka rritur shqetësimet në lidhje me luftërat tregtare, veçanërisht me Evropën dhe Kinën.

    Mosmarrëveshjet mbi qeverisjen e Inteligjencës Artificiale: Përtej gjeopolitikës tradicionale, përplasjet mbi rregullimin e inteligjencës artificiale dhe sovranitetin digjital dolën si arena të reja të konkurrencës globale. Forumi theksoi bashkëpunimin në një botë të kontestuar, duke theksuar nevojën për të zhbllokuar burime të reja rritjeje dhe për të investuar në kapitalin njerëzor. Sesionet u përqendruan në shmangien e një “recesioni klimatik” dhe ndërtimin e prosperitetit brenda kufijve planetarë, duke reflektuar tensionin midis qëndrueshmërisë dhe rritjes. Analistët krahasuan vitet 2020 me vitet 1920, duke paralajmëruar për pabarazi, populizëm dhe paqëndrueshmëri financiare.

    Ajo që e bëri më të veçantë këtë Forum ishte prezenca dhe fjalimi i Presidentit Trump. Trump mbajti një fjalim të veçantë në Davos 2026, duke nënvizuar me vendosmëri qëndrimin e tij “Amerika e Para”. Retorika e fortë e tarifave e Trump ka shqetësuar njëkohësisht aleatët dhe kundërshtarët, duke sinjalizuar një tërheqje nga globalizimi bashkëpunues. Trump mbajti një fjalim, duke u pozicionuar kundër etosit globalist të Davosit dhe duke e bërë pjesëmarrjen e tij si sfiduese, ashtu edhe përcaktuese. Udhëheqësit evropianë shprehën shqetësim në lidhje me besueshmërinë e SHBAsë në NATO dhe angazhimet për klimën, duke përforcuar ndjenjën e ndryshimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Fjalimi i Donald Trump në Davos për vitin 2026 ishte një ndryshim nga theksi i zakonshëm i Forumit mbi bashkëpunimin shumëpalësh dhe qëndrueshmërinë. Fjalimi i tij u përqendrua rreth një agjende amerikane, e përshtatur përmes referencave të përsëritura ndaj Groenlandës si një çmim strategjik për Shtetet e Bashkuara. Ai e portretizoi çështjen e Groenlandës si thelbësore për sigurinë e SHBA-së, pavarësinë energjetike dhe dominimin gjeopolitik.

    Trump e pozicionoi Amerikën si fuqinë e domosdoshme, duke theksuar se prosperiteti global varet nga forca e SHBA-së. Ai i kritikoi ashpër aleatët e NATO-s për dështimin në përmbushjen e angazhimeve për shpenzimet e mbrojtjes, ndërsa njëkohësisht shtoi presionin me tarifa për vendet evropiane derisa ato mbështetën ambiciet e tij për Groenlandën. Kjo retorikë përforcoi qëndrimin e tij më të gjerë “Amerika e Para”, ku mjetet tregtare si tarifat u paraqitën si leva të negociatave gjeopolitike. Politika e energjisë ishte një tjetër pikë e nxehtë. Trump e hodhi poshtë tranzicionin e energjisë së pastër të Evropës si “të dobët dhe të pabesueshëm”, duke mbështetur në vend të kësaj lëndët djegëse fosile si shtyllën kurrizore të qëndrueshmërisë së SHBA-së. Fjalimi kishte edhe nuanca historike, ku më saktësisht Trump përmendi Luftën e Dytë Botërore për t’u kujtuar aleatëve sakrificat e së kaluarës së Amerikës, duke i paraqitur kërkesat aktuale si njohje të vonuar të lidershipit amerikan. Një nga boshtet kryesore të fjalimit të Presidentit Trump ishte kritika ndaj Evropës. Ai i përshkroi disa rajone evropiane si “të panjohshme” krahasuar me të shkuarën dhe deklaroi se kontinenti “nuk po ecën në drejtimin e duhur”, duke e shoqëruar këtë me pohimin se “e do Evropën” dhe dëshiron suksesin e saj. Në të njëjtën kohë, ai bëri të qartë se e sheh BE-në si konkurrent serioz ekonomik, jo vetëm si aleat politik. Por, ai kritikoi edhe presidentët e mëparshëm të SHBA-së për “marrëveshje të këqija” dhe e pozicionoi veten si forca korrigjuese që po rivendoste dominimin amerikan. Në fakt, qëndrimi i Trump kristalizoi tre elementë përcaktues:

    1.Ashpërsi gjeopolitike përmes retorikës së Groenlandës dhe NATO-s.

    2.Nacionalizmi ekonomik nëpërmjet tarifave dhe kërcënimeve tregtare.

    3.Divergjenca e energjisë me një refuzim të energjisë së pastër në favor të lëndëve djegëse fosile.

    Implikimet ishin të menjëhershme: Udhëheqësit evropianë mbetën të shqetësuar, mediat dhe analistet e gjeopolitikës dhe gjeoekonomisë reaguan, tregjet globale “reaguan nervozisht” dhe vetë Davosi u bë një skenë për përplasjen midis populizmit nacionalist dhe etosit të Forumit për globalizim bashkëpunues. Si përfundim, fjalimi i Trump në Davos 2026 ishte dominim i filozofisë” Amerika e Para” duke u ankoruar në ambiciet e Groenlandës, presionet tarifore dhe mosmarrëveshjet energjetike, duke zotëruar dhe u vendosur në qendër të vëmendjes së Forumit.

    Shtypi botëror dhe tregjet financiare pas fjalimit të Presidentit Trump

    Fjalimi i Presidentit Trump në Davos (janar 2026) ka krijuar dy narrativa krejtësisht të ndryshme, duke u përshtatur me mjeshtëri sipas audiencës, që synon: nga njëra anë zgjedhësit e tij në përballjen e afërt për votimet e mesmandatit dhe nga ana tjetër, liderëve europianë për bashkëpunimin ndërkombëtar. Analizat e mediave botërore (si “The Guardian”, “Time”, “Washington Post” dhe BBC) e ndajnë këtë fjalim në dy plane kryesore: për zgjedhësit amerikanë u përqendrua tek “Mrekullia Ekonomike dhe Siguria”. Në prag të zgjedhjeve të mesmandatit (Midterms 2026), Trump e përdori tribunën e Davosit jo si një forum diplomatik, por edhe si një platformë elektorale. Gazetat amerikane vërejnë se mesazhi i tij ishte i qartë: “Unë e rregullova atë që të tjerët e prishën”. Në këtë aspekt, ekonomia u paraqit si fitore dhe Trump proklamoi “fundin e inflacionit” dhe një “mrekulli ekonomike” pas vetëm një viti në detyrë. Ai premtoi dhe siguroi se “Amerika është sërish motori i botës”. Lufta ndaj korporatave (Banesat) ishte një lëvizje që tërhoqi vëmendje e publikut amerikan. Ishte urdhri i tij ekzekutiv, që ndalon korporatat e mëdha të blejnë shtëpi familjare, mjeti kryesor që do të rivendoste ekuilibrin në tregun e pasurive të paluajtshme. Mesazhi: “Amerika nuk do të bëhet një komb qiramarrësish” ishte slogani bazë i kësaj politike. Kjo tezë synon drejtpërdrejt shtresën e mesme, që vuan nga kriza e banimit. Sulmet ndaj “burokratëve të korruptuar” dhe mediave “fake news” shërbejnë për të mbajtur të mobilizuar bazën e tij elektorale, duke u paraqitur si i vetmi që guxon t’u thotë të vërtetat në sy elitave globale në Davos. Në politikën kundër emigracionit, premtim i fortë elektoral, ai e cilësoi kufirin jugor si “të pakalueshëm” dhe përdori çështjen e Groenlandës si simbol të rritjes së fuqisë amerikane. Për bazën e tij, blerja e Groenlandës nuk është çmenduri, por një “marrëveshje e madhe pasurie” që do të garantojë sigurinë ndaj Kinës dhe Rusisë. Për politikanët e BE-së, mesazhi ishte sa i guximshëm, por edhe një paralajmërim i rëndë: “Presioni dhe Pavarësia e Detyruar” ishte elementi bazë i raporteve reciproke. Mediat europiane e përshkruajnë atmosferën si “një zgjim të dhimbshëm” për Brukselin. Reagimet e mediave në fuqitë kryesore europiane (Angli, Francë, Gjermani dhe Itali) pas fjalimit të Trump në Davos (janar 2026) pasqyrojnë një miksim mes alarmit për sigurinë dhe një përgatitjeje pragmatike për një “luftë të ftohtë” tregtare. Kështu, “Shtypi italian karakterizohet nga ‘Pragmatizmi dhe Ankthi’”. Ai luhatet mes nevojës për të mbajtur marrëdhënie të mira me Uashingtonin dhe frikës nga tarifat që godasin produktet “Made in Italy”. Shtypi italian raporton shqetësimin e Romës se çdo luftë tregtare me SHBA-në do të çonte në një recesion të pashmangshëm për ekonominë italiane. Mesazhi kryesor është: “Marrëdhënia transatlantike është në reanimacion, Italia duhet të gjejë një rrugë të mesme mes Brukselit dhe Uashingtonit”. Duhet theksuar se të gjitha këto media që përpunojnë opinionin në vendet kryesore të BE bien dakord në një pikë: Ekonomikisht, Europa po përgatitet për “Luftën e madhe të Tarifave”, ndërsa ushtarakisht po diskutohet seriozisht për herë të parë një Europë pa mbrojtjen e SHBA-së.

    Analiza e ecurisë së tregjeve financiare në këtë javë historike:

    Siç e dimë, bursat u paraprinë fenomeneve dhe deklaratave se kanë antenat shumë më të ndjeshme se publiku normal gazetaresk, prandaj në analizën e tyre do ta bëjmë si pritshmëri para fjalimit dhe si reagim pas tij. Fjalimi i Presidentit Trump në Davos (janar 2026) u prit nga bursat botërore si një “shkundje elektrike” që kaloi përmes dy fazave dramatike: një paniku fillestar të ndjekur nga një frymëmarrje e pasigurt lehtësimi.

    “E marta e Zezë” dhe Tronditja e Parë. Përpara se Trump të ngjitej në podium, tregjet përjetuan atë që analistët e quajtën “agresioni i parë i vitit 2026”. Vendimi i tij për të vendosur tarifa 10% (që do të rriten në 25% në qershor) ndaj tetë vendeve aleate të NATOs si ndëshkim për “çështjen e Groenlandës” shkaktoi një shitje masive (sell-off). Wall Street regjistroi ditën më të keqe që nga tetori, me S&P 500 që ra me 2.1% dhe Nasdaq që humbi 2.4%. Gjigantët teknologjikë si Nvidia dhe Tesla panë miliarda dollarë të fshiheshin nga vlera e tyre brenda pak orësh, ndërsa investitorët filluan të trembeshin nga një luftë globale tregtare.

    Kur Trump mori fjalën të mërkurën në mbrëmje, toni i tij ishte befasues për shumë kontabilistë të bursave. Duke përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për blerjen e Groenlandës, ai hoqi nga tryeza skenarin e një konflikti të armatosur brenda NATO-s. Kjo deklaratë u përkthye menjëherë në një “relief rally” (rritje nga lehtësimi) në bursat amerikane. Dow Jones u rrit me rreth 1% të nesërmen, ndërsa yield-et e obligacioneve ranë, duke treguar se investitorët po u ktheheshin aseteve më pak të rrezikshme.

    Për dallim nga New York-u, bursat në Londër, Paris dhe Frankfurt mbetën të ngrira. Megjithëse fjalimi nuk ishte “militar”, kërcënimi i tarifave mbeti real. FTSE 100 i Londrës qëndroi pothuajse i pandryshuar, ndërsa DAX gjerman ra me 0.58%, i goditur nga frika se industria e makinave do të jetë viktima e parë e mureve tregtare të Trump. Për Europën, “paqja ushtarake” nuk do të thotë “paqe ekonomike”.

    Gjatë gjithë kësaj jave, fituesi i madh mbeti ari, i cili arriti rekorde të reja historike (mbi 4,600 dollarë për onz). Ky është sinjali më i qartë se, pavarësisht qetësisë momentale në Wall Street, besimi i investitorëve te stabiliteti afatgjatë është tronditur. Ari po shërben si një bunker financiar ndaj paparashikueshmërisë së politikës “America First”. Tregjet aktualisht po luajnë një lojë pritjeje. Analistët e Goldman Sachs dhe BlackRock paralajmërojnë se optimizmi i Wall Street mund të jetë i shkurtër. Nëse negociatat me BE-në dështojnë dhe tarifat hyjnë në fuqi më 1 shkurt, bursat mund të hyjnë në një spirale të re rënëse. Për momentin, tregu ka blerë “kohë diplomatike”, por çmimi i kësaj kohe po paguhet me një paqëndrueshmëri (volatility) që nuk ishte parë prej vitesh.

    TRUMP DHE BORDI I PAQES

    Forumi i Davosit u bë edhe një tribunë e Bordit të Paqes të iniciuar nga Presidenti Trump dhe të përuruar në këtë Forum.

    Forumi i Davosit shërbeu si një platformë kritike për palët e interesuara për të diskutuar strategjitë për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e bashkëpunimit mes këtyre pasigurive, duke eksploruar potencialisht korniza alternative për qeverisjen globale, që akomodojnë dinamikën në zhvillim të fuqisë dhe interesat kombëtare. Koncepti i “Bordit të Paqes” që Presidenti Trump prezantoi pasqyronte të njëjtën logjikë transaksionale: paqja si një marrëveshje e ndërmjetësuar nga fuqia e SHBA-së, duke përdorur jo vetëm diplomacinë kolektive, por edhe stimujt financiarë. Kjo pasqyronte përdorimin e tij të tarifave si mjete gjeopolitike – si ndëshkim, ashtu edhe nxitje.

    Duke përmendur Luftën e Dytë Botërore, Trump e pozicionoi Amerikën si garantuesen e domosdoshme të lirisë, tani të drejtë për të vendosur kushtet e paqes. Në thelb, fjalimi i tij kristalizoi tri tema: vendosmërinë gjeopolitike, nacionalizmin ekonomik dhe divergjencën e energjisë, ndërsa Bordi i Paqes shërbeu si një zgjatim simbolik i vizionit të tij “Amerika e Para”. Së bashku, ato zbuluan paqen jo si bashkëpunim të përbashkët, por si një transaksion të kontrolluar nga SHBA-ja, duke u përplasur drejtpërdrejt me idealet globaliste të Davosit.

    Krijimi i Bordit të Paqes nga Presidenti Donald Trump, i zyrtarizuar në janar 2026 në Davos, shënon mbase transformimin më të madh të kësaj kohe diplomacisë botërore në një model të ri transaksional. Më poshtë është analiza e reagimeve të shteteve dhe interesave të thella ndaj këtij organizmi.

    Deri në ceremoninë e nënshkrimit në Davos (22 janar 2026), rreth 60 vende kanë marrë ftesa, por reagimet janë ndarë në tri kampe të qarta:

    -Ata që kanë konfirmuar (Përqafimi i modelit të ri) dhe si te parët firmëtarë hodhën themelet e një “institucioni të ri dhe ndryshe”, që pritet të rritet.

    -Ata që kanë refuzuar dhe që për momentin konsiderohen (Rezistenca Europiane).

    -Ata që kanë marrë kohë (që presin si do shkojë ecuria e forumit e që mund të konsiderohen si pragmatistët)

    Nga një këndvështrim akademik, Forumi i Davos-it është më shumë se një forum idesh; është pasqyrë e një bote në tranzicion nga një globalizim relativisht i hapur dhe i rregulluar drejt një realiteti të ri dhe rivaliteti të ashpër gjeoekonomik. Tensioni midis agjendës zyrtare të Forumit – bashkëpunim, investim në njerëz, inovacion i përgjegjshëm – dhe diskursit të Presidentit Trump – prioritet kombëtar, diplomaci tarifash, objektiva territorialë – e bën këtë edicion të Davosit një pikë referimi analitike për vitet që vijnë, vite këto që për Evropën, për ekonomitë në zhvillim dhe për vende të vogla (si Shqipëria) do të bëjnë që të përballen me sfidat e se ardhmes.

  • Kolla te fëmijët? Ekspertët sugjerojnë këtë ilaç natyral

    Kolla te fëmijët? Ekspertët sugjerojnë këtë ilaç natyral

    Një ilaç natyral i përgatitur me banane po rekomandohet nga shumë ekspertë si ndihmues në lehtësimin e kollit të vazhdueshëm dhe te personat që vuajnë nga bronkiti. Ky preparat përdoret veçanërisht te fëmijët, por është i përshtatshëm edhe për të rriturit.

    Përveç efektit qetësues për kollin, ky ilaç është edhe shumë i shijshëm, i shëndetshëm dhe i pasur me vlera ushqyese. Ai ndihmon gjithashtu edhe në përmirësimin e funksionimit të lukthit.

    përbërësit, Dy banane,Dy lugë gjelle mjaltë, 400 ml ujë të vakët

    Kurse procesi i përgatitjes është, Bananet qërohen dhe shtypen me pirun derisa të bëhen masë homogjene. Më pas vendosen në ujin e vakët dhe lihen të qëndrojnë për rreth 30 minuta. Pasi përzierja të ftohet, shtohet mjalti dhe përzihet mirë.

  • Ambasada e ShBA-së në Prishtinë kujton viktimat e Holokaustit: Angazhohemi për të vërtetën

    Ambasada e ShBA-së në Prishtinë kujton viktimat e Holokaustit: Angazhohemi për të vërtetën

    Ambasada e Amerikës në Prishtinë ka përkujtuar 6 milionë hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit dhe miliona viktimave të tjera të persekutimit nazist në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

    Përmes një postimi në Facebook, ambasada tha se kjo ngjarje mbahet mend, nderohet dhe angazhohet për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

    “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë kujtimin e 6 milionë hebrenjve të vrarë gjatë Holokaustit dhe miliona viktimave të tjera të persekutimit nazist. E mbajmë mend. E nderojmë. Ne i angazhohemi të vërtetës dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet në njoftim.

  • Edi Rama nga Izraeli: Unë jam katolik, gruaja myslimane, fëmija i vogël mund të bëhet hebre

    Edi Rama nga Izraeli: Unë jam katolik, gruaja myslimane, fëmija i vogël mund të bëhet hebre

    Është e njohur harmonia fetare për shqiptarët, ndërsa një e tillë është përshkruar nga kryeministri Edi Rama, teksa mediat greke i kanë bërë jehonë vizitës së tij zyrtare në Jerusalem

    “Askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një ‘regjistër’ kaq të pastër historikisht, pa asnjë hebre të vetëm që t’i dorëzohet nazistëve”, tha Kyeministri i Shqipërisë Edi Rama në Knesset teksa foli me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu në krah të tij, raporton mapo.al

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një fjalim në Knesset në Jerusalem të hënën (26.01.2026), duke lavdëruar Benjamin Netanyahun. “Mund t’ju ​​them se gjunjët më dridhen pranë tij”, tha Rama, duke e përshkruar kryeministrin izraelit si një nga pesë folësit më të mirë në botë.

    Gjatë fjalimit të tij në Knesset , Edi Rama theksoi marrëdhënien historike midis dy vendeve, duke deklaruar se Shqipëria shërbeu si një “strehë” për mijëra hebrenj gjatë periudhës naziste.

    Personalisht, ai iu referua edhe çështjeve fetare të familjes së tij:

    “ Unë jam katolik, gruaja ime është myslimane, dy fëmijët tanë më të mëdhenj janë ortodoksë dhe më i vogli mund të zgjedhë një ditë të bëhet hebre… dhe kjo do të ishte një gëzim për ne. Familja jonë nuk është unike… Është një histori e zakonshme shqiptare. Shqiptarët festojnë së bashku ditët e rëndësishme fetare të njëri-tjetrit.”

    “Kur të tjerët i dorëzuan hebrenjtë e tyre autoriteteve, shqiptarët i dorëzuan ata në një vend të sigurt. Kjo histori nuk është një zbukurim, është një busull që duhet ta ndjekim, nëse duam të mbetemi të denjë për dhuratën e jetës që na dha vetë Zoti dhe të krijojmë diçka të denjë për këtë dhuratë në këtë tokë, në mënyrë që fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre të mos vuajnë nesër për shkak të asaj që nuk kemi guximin të përballemi sot ose nuk mësojmë nga dje. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ishte ndër vendet e para në Evropë që miratoi legjislacion të ri të përparuar kundër antisemitizmit”, shtoi ai.

    Pastaj, duke bërë një retrospektivë historike, Rama theksoi:

    “Askush tjetër në Evropë nuk mund të pretendojë një ‘regjistër’ kaq të pastër historikisht, pa asnjë hebre të vetëm – asnjë – që t’u dorëzohet nazistëve. Dhe askush më mirë se Shqipëria nuk mund të dëshmojë për një të vërtetë të thjeshtë, se të qenit mysliman dhe të qenit antisemit nuk lidhen së bashku nga besimi në Zot, por nga tradhtia më e neveritshme e Zotit.”

    Duke iu referuar lajmeve ndërkombëtare, Rama u përqendrua te përfshirjen e Shqipërisë në Këshillin e Paqes të Donald Trump, ndërsa drejtoi shigjeta edhe ndaj Hamasit , duke i përshkruar civilët palestinezë si “të burgosur” të organizatës.

    Së fundmi, duke komentuar protestat e fundit në Iran , Kryeministri i Shqipërisë tha:

    “Pyetja ime këtu është kjo: Si është e mundur që media botërore flet për 30,000 të vdekur në tre ditë në Iran, por nuk ka asnjë tubim në asnjë shesh në Evropë kundër Ajatollahëve që bëjnë thirrje për fundin e këtij regjimi?”

  • Kurti priti në takim të përbashkët ambasadorin e Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar

    Kurti priti në takim të përbashkët ambasadorin e Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një takim të përbashkët me Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Sipas komunikatës, çështjet aktuale, përmbyllja e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit dhe formimi i institucioneve në vijim, prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, ishin ndër temat kryesore të këtij diskutimi të përbashkët.

    “Në takim kryeministri theksoi përkushtimin ndaj sundimit të ligjit gjithandej Kosovës pa diskriminim e privilegje për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, rritjen e vazhdueshme ekonomike dhe progresin shoqëror e avancimin demokratik, si dhe angazhimin për paqe e siguri me rend publik dhe kufij të mbrojtur dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO”, thuhet në komunikatë.

    Siç ka njoftuar Qeveria, Kurti të hënën ka zhvilluar takim të veçantë me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

  • Shtatë mjekë të rinj i bashkohen stafit të Spitalit të Gjakovës

    Shtatë mjekë të rinj i bashkohen stafit të Spitalit të Gjakovës

    Ekipi shëndetësor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës është forcuar sot me shtatë mjekë të rinj specialistë, të cilët do të kontribuojnë në zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët.

    Specialistët e rinj që iu bashkuan spitalit janë:

    Dr. Lorena Rruka – Specialiste e Dermatologjisë
    Dr. Fahruk Iljazi – Specialist i Endokrinologjisë
    Dr. Arton Hoti – Specialist i Pulmologjisë
    Dr. Halit Delija – Specialist i Pulmologjisë
    Dr. Durim Nuza – Specialist i Pulmologjisë
    Dr. Lisa Qurdina – Specialiste e Oftalmologjisë
    Dr. Fatbardh Kadrija – Specialist i Gastroenterologjisë

    Spitali i Gjakovës thekson se angazhimi i këtyre profesionistëve do të rrisë ndjeshëm kapacitetin dhe cilësinë e kujdesit mjekësor, duke mundësuar shërbime më të specializuara për pacientët.

    Me këtë përforcim, institucioni shëndetësor synon të ofrojë trajtim më të avancuar dhe të plotë, duke i shërbyer më mirë nevojave shëndetësore të komunitetit.

  • Flutura Kusari propozon që edhe në Kosovë të ndalohen me ligj rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Flutura Kusari propozon që edhe në Kosovë të ndalohen me ligj rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Ashtu sikurse Franca dhe Australia duhet të veprojë edhe Kosova.

    Kështu tha juristja e mediave, Flutura Kusari, referuar nismave ligjore të Francës dhe Australisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijë nën 16 vjeç.

    “Në Kosovë, ashtu si edhe në Francë dhe Australi, duhet me e ndalu me ligj përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeçare”, ka shkruar Kusari.

    Mbrëmë presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi që edhe senati francez i ka dhënë dritën e gjelbërt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijë nën 15 vjeç.

    “Kështu na kanë rekomanduar shkecëtarët dhe kështu po na kërkojnë francezët masivisht”, shkroi Macron në Facebook.

  • Pozicioni i gabuar i dorës gjatë matjes së tensionit jep rezultate të rreme: Kjo është e vetmja mënyrë e saktë

    Pozicioni i gabuar i dorës gjatë matjes së tensionit jep rezultate të rreme: Kjo është e vetmja mënyrë e saktë

    Mjekët thonë se ky detaj vendos nëse rezultati është i saktë apo i gabuar

    Mënyra se si e mbani dorën gjatë matjes së tensionit të gjakut është vendimtare për rezultatin përfundimtar, sepse nëse dora ndodhet në një pozicion të gabuar, kjo mund të çojë në vlera jo të sakta dhe të gabuara. Si pasojë, pacienti mund të marrë terapi të panevojshme për hipertension, por gjithashtu mund të ndodhë që tensioni i lartë i gjakut te disa persona të mbetet i paidentifikuar për shkak të matjeve të pasakta dhe monitorimit të dobët të vlerave.

    Si duhet ta mbani dorën gjatë matjes së tensionit të gjakut
    Pozicionet e pasakta, por shumë të shpeshta të dorës gjatë matjes së tensionit, si mbajtja e dorës në prehër ose e lëshuar përgjatë trupit, çojnë në lexim të dukshëm më të lartë të tensionit të gjakut. Udhëzimet për matjen e tensionit rekomandojnë që dora të mbështetet mbi tavolinë dhe që mesi i krahut të jetë në nivelin e zemrës. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse mbivlerësimi i tensionit mund të çojë në ndjekje të panevojshme të pacientit, si edhe në terapi të panevojshme, transmeton Telegrafi.

    – Është interesante që tensioni shpesh matet jashtë udhëzimeve edhe në kujdesin shëndetësor parësor, kryesisht për shkak të ngarkesës dhe nxitimit, vëren dr. Donald DiPette, profesor i shkencave mjekësore në University of South Carolina School of Medicine.

    Dr. DiPette paralajmëron gjithashtu se pozicione të ndryshme të dorës, të cilat nuk rekomandohen nga udhëzimet, mund të çojnë potencialisht në nënvlerësim të hipertensionit.

    – Do të dëshironim që matja e tensionit të gjakut të ketë të njëjtën saktësi si analizat e gjakut apo ekzaminimet imazherike. Për këtë arsye, nevojitet edukim si i punonjësve shëndetësorë, ashtu edhe i pacientëve, pasi shumë prej tyre e matin tensionin në shtëpi. Gjithashtu, është e këshillueshme që matja të përsëritet, sepse leximi i parë zakonisht jep vlera më të larta se matjet pasuese, gjë që është e kuptueshme, pasi personi gradualisht përshtatet me ambientin, thekson dr. DiPette.

    Pozicione të ndryshme të dorës, vlera të ndryshme
    Një studim i Shkollës së Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg School of Public Health në Baltimor, i publikuar në vitin 2024 në revistën shkencore JAMA Internal Medicine, tregoi se mbajtja e dorës në prehër, krahasuar me dorën e mbështetur mbi tavolinë, e mbivlerëson presionin sistolik (të sipërmin) për 3,9 mmHg dhe atë diastolik (të poshtmin) për 4 mmHg. Në rastet kur dora varej poshtë përgjatë trupit, presioni i sipërm ishte më i lartë për 6,5 mmHg, ndërsa ai i poshtmi për 4,4 mmHg.

  • Ekspertët ngrenë alarmin, kjo sëmundje e re po prek pothuajse 90% të të rriturve!

    Ekspertët ngrenë alarmin, kjo sëmundje e re po prek pothuajse 90% të të rriturve!

    Pothuajse 9 në 10 të rritur kanë shenja të një sëmundjeje të re dhe të rrezikshme që po përhapet në heshtje, paralajmërojnë mjekët në SHBA. Bëhet fjalë për sindromën kardiovaskulare-renal-metabolike, e njohur si CKM. Sipas të dhënave, më shumë se 80% e të rinjve dhe të rriturve në moshë të mesme shfaqin shenja të hershme të kësaj sindrome, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të infarktit, insultit, dështimit të zemrës dhe vdekjes së parakohshme nëse nuk merren masa në kohë.

    Sindroma CKM nuk është një sëmundje e vetme, por një zinxhir problemesh shëndetësore që lidhen mes tyre, përfshirë tensionin e lartë, sheqerin në gjak, kolesterolin e pashëndetshëm, mbipeshën, obezitetin dhe funksionin e dëmtuar të veshkave. Kur një prej këtyre faktorëve përkeqësohet, ai ndikon drejtpërdrejt edhe te të tjerët, duke rritur ndjeshëm rrezikun për pasoja fatale.

    Ekspertët theksojnë se trajtimi i këtyre problemeve të ndara nuk mjafton më dhe se qasja e re synon zbulimin e hershëm dhe një kujdes të koordinuar mes mjekëve të familjes, kardiologëve, nefrologëve dhe endokrinologëve.Të dhënat tregojnë se rastet e tensionit të lartë dhe diabetit janë në rritje, ndërsa obeziteti po shtohet veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët.

    Në të njëjtën kohë, rreth gjysma e të rriturve kanë tashmë një formë të sëmundjes kardiovaskulare, e cila mbetet shkaku kryesor i vdekjeve. Megjithatë, mjekët thonë se situata mund të përmbyset. Ndryshimet në stilin e jetesës, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, gjumi i mjaftueshëm dhe kontrolli i peshës konsiderohen armët kryesore për të frenuar këtë kërcënim të heshtur. Studimet tregojnë se zbatimi i këtyre masave mund të parandalojë deri në 40 për qind të vdekjeve të lidhura me zemrën dhe sëmundjet metabolike.