ATV

Blog

  • Një detaj në telefonin e Netanyahut ndez rrjetet sociale

    Një detaj në telefonin e Netanyahut ndez rrjetet sociale

    Një foto e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një telefonate është bërë shpejt një temë e nxehtë diskutimi në mediat sociale dhe në qarqet ndërkombëtare. Një detaj që nuk i ka shpëtuar askujt është shiriti mbi kamerën e telefonit të tij celular.

    Edhe pse në shikim të parë duket e pazakontë për udhëheqësin e një vendi të përparuar teknologjikisht, ekspertët theksojnë se kjo është një masë e rreptë sigurie. Besohet se Netanyahu po e përdor shiritin për të parandaluar filmimin e paautorizuar në zona të ndjeshme, sulmet e hakerimit përmes të cilave kamera mund të aktivizohet nga distanca, si dhe mbikëqyrjen dixhitale dhe mbledhjen e të dhënave konfidenciale vizuale.

    Ky veprim nuk është një rast i izoluar. Një numër në rritje i politikanëve të lartë dhe zyrtarëve të sigurisë në të gjithë botën po përdorin metoda të ngjashme “analoge” të mbrojtjes në epokën dixhitale. Në një kohë kur spiunazhi i sofistikuar si Pegasus është bërë një kërcënim real, edhe pengesa më e thjeshtë fizike, siç është një copë shiriti, konsiderohet një barrierë efektive.

    “Në botën e politikës së lartë, privatësia e komunikimit është e paçmuar. Një kamera e mbyllur është një sinjal i qartë se askush, madje as kryeministri, nuk është imun ndaj ndërhyrjeve të mundshme dixhitale”, thonë analistët e sigurisë.
    Ndërsa disa e lavdërojnë kujdesin dhe ndërgjegjësimin e kryeministrit për sigurinë kibernetike, të tjerë në mediat sociale po komentojnë ironinë që udhëheqësi i një prej fuqive kryesore të teknologjisë kibernetike në botë duhet të përdorë shirit ngjitës për t’u ndjerë i sigurt.

    Kjo foto ka ringjallur një debat më të gjerë rreth cenueshmërisë së telefonave inteligjentë dhe rreziqeve për të dhënat personale të të gjithë përdoruesve, jo vetëm të zyrtarëve qeveritarë.

  • Hamza: Urrejtja dhe përjashtimi çojnë në tragjedi, nderime për viktimat e Holokaustit

    Hamza: Urrejtja dhe përjashtimi çojnë në tragjedi, nderime për viktimat e Holokaustit

    Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kujtuar viktima e Holokaustit në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

    Hamza ka thënë se kjo ditë na ‘’kujton se urrejtja dhe përjashtimi sjell tragjedi’’.

    Postimi:

    Çdo 27 janar na kujton se urrejtja dhe përjashtimi sjellin tragjedi. Nderime për çdo jetë të pafajshme të humbur gjatë Holokaustit.

    Kujtesa është përgjegjësi dhe çdo brez duhet të mbrojë dinjitetin, liritë dhe të drejtat e njeriut.

  • Svitolina dominon Gauff dhe kalon në gjysmëfinalen e Australian Open

    Svitolina dominon Gauff dhe kalon në gjysmëfinalen e Australian Open

    Elina Svitolina ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinalen e Australian Open, pas një fitoreje bindëse në çerekfinale ndaj tenistes amerikane Coco Gauff, duke triumfuar pastër 2-0 në sete.

    Tenistja ukrainase kishte nevojë për më pak se një orë lojë për ta mbyllur ndeshjen, duke dominuar plotësisht me rezultatet 6-1 dhe 6-2.

    Ishte një paraqitje shumë autoritare nga Svitolina, e cila e kontrolloi takimin që nga pikënisja, duke mos i lënë hapësirë reagimi kundërshtares së saj.

    Falë kësaj fitoreje, ajo jo vetëm që siguroi një vend në gjysmëfinale, ku do të përballet me numrin një të botës, Aryna Sabalenka, por gjithashtu konfirmoi rikthimin e saj në Top 10 të renditjes botërore WTA, duke filluar nga java e ardhshme.

    Në anën tjetër, Coco Gauff nuk arriti të përballojë intensitetin dhe ritmin e lartë të imponuar nga Svitolina. Tenistja amerikane u shfaq e pasigurt dhe e tensionuar gjatë gjithë ndeshjes, pa mundur të reagojë në momentet kyçe.

    Sipas mediave ndërkombëtare, pas përfundimit të takimit, Gauff ka shfaqur zhgënjim të madh në dhomat e zhveshjes, ku nervozizmi i ka çuar deri në thyerjen e raketës së saj.

  • Arrestohen tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës, dyshohen për marrje ryshfeti

    Arrestohen tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës, dyshohen për marrje ryshfeti

    Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar të martën, nën dyshimin për marrje ryshfeti.

    Lajmin e ka konfirmuar Zejnullah Gashi, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinës.

    “Janë shoqëruar tre persona për marrje ryshfeti. Janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës për marrje të ryshfetit, derisa njëri prej tyre është zënë në flagrancë”.

  • Dani Alves drejt një rikthimi surprizë në futbollin profesionist

    Dani Alves drejt një rikthimi surprizë në futbollin profesionist

    Braziliani 42-vjeçar Dani Alves po shqyrton mundësinë e një rikthimi befasues në futbollin profesionist, këtë herë në rolin e lojtarit-trajner te Sao Joao de Ver, klubi portugez ku ai është edhe bashkëpronar.

    Sipas raportimeve, Alves aktualisht po merret me përgatitjen e gjithë dokumentacionit të nevojshëm për regjistrim, me synimin që të jetë i gatshëm deri në fund të sezonit aktual.

    Mediat lokale bëjnë të ditur se ish-ylli brazilian nuk ka hequr dorë nga ëndrra për të përfaqësuar edhe një herë kombëtaren e Brazilit, duke synuar pjesëmarrjen në Kupën e Botës së ardhshme, që do të ishte e fundit në karrierën e tij.

    Dani Alves konsiderohet gjerësisht si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në historinë e futbollit, i njohur për teknikën e rafinuar, shpejtësinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm në fazën sulmuese.

    Gjatë një kariere brilante, ai fitoi një numër rekord trofesh me klube elitare si Barcelona, Sevilla, Juventus dhe Paris Saint-Germain. Me Barcelonën, Alves triumfoi tri herë në Ligën e Kampionëve, ndërsa me përfaqësuesen braziliane fitoi dy Kupa të Amerikës dhe dy Kupa të Konfederatave.

    Megjithatë, trashëgimia e tij sportive është zbehur ndjeshëm nga problemet serioze ligjore, pasi në vitin 2024 u dënua në Spanjë për përdhunim.

  • Kryeministri britanik tallet pak me Macronin, vendos një palë syze dielli dhe thotë “Bonjour”

    Kryeministri britanik tallet pak me Macronin, vendos një palë syze dielli dhe thotë “Bonjour”

    Presidenti francez Emmanuel Macron tërhoqi vëmendjen me syzet e tij blu të diellit që i mbante brenda në Forumin Ekonomik në Davos.

    Një koment për këto syze e bëri presidenti amerikan Trump në një fjalim në këtë forum, ndërsa Macron pas disa deklaratave të ashpra për kërcënimin e Trump me tarifa s’kishte qëndruar në Davos.

    Pa një shaka me këtë Macron s’shpëtoi as nga britanikët.

    Kryeministri Keir Starmer në një shfaqje komedie vendosi një palë syze dielli, duke e imituar Macron dhe tha “Bonjour”.

    Macron mbajti syzet për shkak të një skuqje që kishte në sy.

    Në një ngjarje në Francë derisa iu drejtonte trupave ushtarake ai e minimizoi gjendjen e tij dhe tha se ishte “krejtësisht beninje” dhe “krejtësisht e parëndësishme”, duke shtuar: “Ju lutem më falni për pamjen e shëmtuar të syrit tim”.

  • Vrasja e taksistit shqiptar në Belgjikë, arrestohen dy të rinj

    Vrasja e taksistit shqiptar në Belgjikë, arrestohen dy të rinj

    Dy të rinj, 20 dhe 24 vjeç, janë arrestuar dhe janë lënë në paraburgim në lidhje me vrasjen e një shoferi taksie në qytetin Geel të Belgjikës, bëri të ditur Prokuroria e Antverpit.

    Vendimi për masën e sigurisë u mor nga gjyqtari hetues, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, raporton Euronewsalbania.

    Viktima është shtetasi shqiptar Marko Beka, 45 vjeç, banues në Geel dhe me profesion taksist.

    Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00, pranë një parku pas kishës në fshatin Larum, teksa ndodhej në bisedë me disa pasagjerë. Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, Beka nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Ai la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.

    Sipas autoriteteve belge, dyshohet se ngjarja ka nisur pas një debati që ka dalë jashtë kontrollit. Prokuroria ka bërë me dije se viktima “nuk ishte zgjedhur rastësisht”, por motivi i saktë i krimit mbetet ende i paqartë. Nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për një përplasje spontane apo për një akt të paramenduar.

    Zona e ngjarjes u rrethua për disa orë, ndërsa në vend mbërritën hetuesit, laboratori kriminalistik dhe mjeku ligjor. Prokuroria e Antverpit ka deklaruar se hetimet po vijojnë intensivisht për të sqaruar rolin e secilit të dyshuar dhe rrethanat e plota të vrasjes.

  • Veliu kërkon reformim në degën e Podujevës: Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet  do të vazhdojnë

    Veliu kërkon reformim në degën e Podujevës: Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet do të vazhdojnë

    Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Agim Veliu, ka bërë thirrje për reformim të menjëhershëm të degës së partisë në Podujevë.

    Ai ka thënë se kjo degë Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative.

    “ Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi. Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës. Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj.Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ai ka thënë se nuk kërkon privilegje, por se do të angazhohet për reformim.

    “Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur. Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël. LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj. Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë”, ka shkruar Veliu.

  • Qyteti i Sarajevës i bashkohet procedurës penale në Milano kundër snajperistëve që qëlluan civilët gjatë luftës

    Qyteti i Sarajevës i bashkohet procedurës penale në Milano kundër snajperistëve që qëlluan civilët gjatë luftës

    Këshilli i Qytetit të Sarajevës pritet që nesër të marrë vendim për dhënien e pëlqimit që Qyteti i Sarajevës t’i bashkohet si palë e dëmtuar një procedure penale që po zhvillohet në Milano, kundër personave të përfshirë në të shtënat me snajper ndaj civilëve të Sarajevës gjatë luftës.

    Me këtë vendim, Qyteti i Sarajevës do t’i bashkohet zyrtarisht procedurës penale që po zhvillohet para organeve kompetente gjyqësore në Milano, e cila është iniciuar ndaj shtetasve italianë të dyshuar për pjesëmarrje në krime të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës.

    Vendimi parasheh gjithashtu autorizimin e kryetarit të Bashkisë së Sarajevës dhe Avokaturës së Qytetit që, brenda kompetencave të tyre, të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore, teknike dhe administrative për përfshirjen e Qytetit të Sarajevës në këtë procedurë penale në cilësinë e palës së dëmtuar.

    Procedura në Milano është konfirmuar përmes një shkrese zyrtare të datës 18 dhjetor 2025, të dërguar nga Konsullata e Përgjithshme e Bosnjë e Hercegovinës në Milano, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së, e cila i është dorëzuar Qytetit të Sarajevës më 29 dhjetor 2025.

    Në shkresë theksohet se para organeve kompetente në Milano është hapur një procedurë penale kundër shtetasve të Italisë, të dyshuar se kanë marrë pjesë në të shtënat me snajper ndaj civilëve në Sarajevë.

    Hetimi është iniciuar nga gazetari investigativ italian Ezio Gavazzeni, në bashkëpunim me ish-gjykatësin penal Guido Salvani, ndërsa procedurën hetimore e udhëheq prokurori Alessandro Gobbis. Palën e dëmtuar e përfaqëson avokati Nicola Brigida, i cili po e ofron përfaqësimin pro bono.

    Sipas Konsullatës së Bosnjë e Hercegovinës në Milano, avokati Brigida ka kërkuar zyrtarisht nëse Qyteti i Sarajevës dëshiron të përfshihet në këtë procedurë si palë e dëmtuar.

    Në përputhje me legjislacionin penal, pala e dëmtuar ka kompetenca të kufizuara procedurale, por edhe një rol të rëndësishëm, veçanërisht në fazën e hetimit, ku mund të paraqesë kërkesa për dëmshpërblim, të veprojë si ndihmëse e prokurorisë, të propozojë prova dhe të kontribuojë në zbardhjen e plotë të rastit.

    Po ashtu, gjatë shqyrtimit gjyqësor, pala e dëmtuar mund të thirret si dëshmitare, të paraqesë kërkesë pasurore-juridike, të mbajë fjalën përfundimtare dhe të ushtrojë të drejtën e ankesës ndaj vendimit.

    Në dokumentacion theksohet se veprimet e snajperistëve gjatë luftës, të cilët qëllonin mbi civilë të paarmatosur në Sarajevë, përbëjnë një traumë të thellë individuale dhe kolektive për qytetin, duke lënë plagë të përhershme. Gjatë rrethimit të Sarajevës, mbi 11 mijë civilë humbën jetën, mes tyre një numër i madh fëmijësh.

    Ndjekja penale dhe ndëshkimi i përgjegjësve konsiderohet si një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e vlerave themelore shoqërore, ruajtjen e rendit juridik, si dhe për drejtësinë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. /Vijesti

  • I zhdukur gjatë luftës, gjendet trupi i Rasim Mehmet Kocit

    I zhdukur gjatë luftës, gjendet trupi i Rasim Mehmet Kocit

    Pas 26 vitesh e 10 muajsh pritjeje, është gjetur trupi i pajetë i Rasim Mehmet Koci (i lindur më 1957), i cili ishte zhdukur më 1 prill 1999 në afërsi të fshatit Osek Hylë, gjatë luftës në Kosovë.

    Sipas familjarëve, Rasim Mehmet Koci ishte arrestuar nga forcat serbe, më pas ishte vrarë dhe trupi i tij ishte zhdukur.

    Pas rreth 27 vitesh ankthi dhe pasigurie, mbetjet mortore të tij janë identifikuar dhe do t’i dorëzohen familjes të premten, më 30 janar 2026.Familja Koci është një nga familjet që ka pësuar humbje të rënda gjatë luftës në Kosovë.

    Përveç Rasim Mehmet Kocit, kjo familje ka dhënë edhe dy martirë të tjerë:Afrim Idriz Koci dhe Besim Idriz Koci, të cilët u vranë brutalisht më 25 mars 1999 nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe.Homazhet për viktimën e luftës Rasim Mehmet Koci do të mbahen më 31 janar 2026, nga ora 12:00 deri në 13:00, në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 13:30, në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat.Familja Koci fton qytetarët, institucionet dhe mediat që të marrin pjesë në nderimin e jetës, sakrificës dhe kujtimit të martirëve të saj.Familja Koci – Gjakovë. /Indeksonline