ATV

Blog

  • Nis auditim i performancës për lejet e ndërtimit në Ferizaj

    Nis auditim i performancës për lejet e ndërtimit në Ferizaj

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, ka njoftuar se ka filluar auditimin e performancës me temën “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt”, i cili përfshin periudhën 2021–2025.

    Sipas njoftimit, auditimi synon të vlerësojë efikasitetin dhe efektivitetin e procesit të dhënies së lejeve për ndërtime të larta, duke filluar nga paraqitja e kërkesës për leje ndërtimore e deri në lëshimin e certifikatës së përdorimit.

    Po ashtu, përmes këtij procesi do të vlerësohet nëse mekanizmat ekzistues institucionalë sigurojnë transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik gjatë zhvillimit të projekteve ndërtimore.

    ZKA thekson se ky auditim është vazhdimësi e auditimeve të ngjashme të realizuara më herët në Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Fushë Kosovës, komuna këto që karakterizohen me zhvillim të hovshëm të ndërtimeve të larta.

  • Komandanti i FSK-së priti në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe Atasheun e Japonisë

    Komandanti i FSK-së priti në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe Atasheun e Japonisë

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në një takim zyrtar të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki dhe atasheun Kolonel Tomofumi Iwasaki.

    Fillimisht Gjeneral Jashari i njoftoi zyrtarët Japonez për situatën e sigurisë në rajonin tonë dhe për zhvillimin e Forcës së Sigurisë Kosovës. Gjatë takimit u diskutuara për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Japonisë. Gjeneral Jashari vlerësoi lart marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe falënderoi shtetin japonez për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, veçanërisht përmes programeve të trajnimit dhe shkollimit.

    Në përmbyllje, të dyja palët shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh, duke konfirmuar përkushtimin për forcimin e partneritetit dhe sigurisë.

  • Prezantohet automobili vendas i Turqisë

    Prezantohet automobili vendas i Turqisë

    Automobili do të prodhohet në dy kategori, njëri do të mund të arrijë shpejtësinë 100 km. në orë në 4,8 sekonda, si dhe tjetri në 7,6 sekonda. Bateria e tij do të mund të ngarkohet deri në 80 për qind në më pak se 30 minuta

    Turqia prezantoi sot prototipin e automobilit vendas, të zhvilluar nga Grupi i Iniciativës së Automobilit të Turqisë (TOGG), raporton Anadolu Agency (AA).

    Ceremonia u realizua në Luginën e Informatikës në rrethin Gebze të provincës industriale Kocaeli, me pjesëmarrjen e shumë zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdoğan, krerët e projektit, inxhinerë, ekspertë dhe të ftuar të tjerë.

    Në fjalën e tij në ceremoni, Erdoğan tha se Turqia sot po përjeton një ditë historike.

    “Sot po dëshmojmë një ditë historike për vendin tonë, realizimin e ëndrrës 60-vjeçare”, tha presidenti turk.

  • Garë e fortë për “Këpucën e Artë”, Mbappé dhe Kane kryesojnë, Muriqi në TOP 10

    Garë e fortë për “Këpucën e Artë”, Mbappé dhe Kane kryesojnë, Muriqi në TOP 10

    Kylian Mbappé është ngjitur në krye të renditjes së “Këpucës së Artë” për këtë sezon, duke barazuar numrin e golave me Harry Kane. Sulmuesi francez shënoi dy gola fundjavën e kaluar në ndeshjen e zhvilluar në Estadio de la Cerámica, duke e çuar kuotën e tij në 21 gola, po aq sa anglezi i Bayern Munich.

    Falë kësaj paraqitjeje ndaj Villarrealit, Mbappé ka kaluar Erling Haaland në renditjen e golashënuesve. Norvegjezi nuk u aktivizua në fitoren e Manchester Cityt kundër Wolves këtë fundjavë dhe mbetet me 20 gola.

    Nga ana tjetër, edhe Harry Kane nuk arriti të shënojë në humbjen befasuese të Bayernit ndaj Augsburgut, çka bëri që gara për “Këpucën e Artë” të mbetet plotësisht e hapur.

    Në dhjetëshen e parë të renditjes gjendet edhe ylli kosovar i Mallorcas, Vedat Muriqi, i cili ka grumbulluar 28 pikë, falë 14 golave të shënuar këtë sezon në La Liga.

    Duhet theksuar se në kampionatet kryesore evropiane – La Liga, Premier League, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1 – çdo gol vlerësohet me dy pikë, ndërsa në ligat e tjera të Evropës golat kanë koeficient më të ulët, që varion nga 1 deri në 1.5 pikë për gol.

    Renditja aktuale e “Këpucës së Artë”: Harry Kane (Bayern Munich), Kylian Mbappé (Real Madrid), Erling Haaland (Manchester City), Igor Thiago (Brentford), Darko Lemajic (RFS), Vangelis Pavlidis (Benfica), Vedat Muriqi (Mallorca), Ibrahim Diabaté (GAIS), Daniel Karlsbakk (Sarpsborg 08), August Priske Flyger (Djurgårdens IF) dhe Ayase Ueda (Feyenoord).

  • BE-ja forcon kontrollin ndaj WhatsApp, Çfarë ndryshon për përdoruesit?

    BE-ja forcon kontrollin ndaj WhatsApp, Çfarë ndryshon për përdoruesit?

    WhatsApp i kompanisë Meta do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes më të rreptë nga Bashkimi Evropian, pasi Brukseli e ka klasifikuar shërbimin si Platformë Shumë e Madhe Online, në përputhje me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së.

    Vendimi, i shpallur të hënën, ka të bëjë konkretisht me Kanalet WhatsApp, të cilat u mundësojnë administratorëve të transmetojnë njoftime për një numër të madh përdoruesish. Ky funksion i ri e vendos WhatsApp-in në të njëjtën kategori rregullatore me platforma si Facebook, Instagram, X dhe TikTok.

    Si rezultat, WhatsApp do të jetë përgjegjës për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve sistemike, përfshirë përhapjen e përmbajtjes së paligjshme, ndikimin në debatin publik, proceset zgjedhore dhe të drejtat themelore. Shërbimi i mesazheve private mbetet i përjashtuar nga kjo rregullore.

    Meta ishte njoftuar paraprakisht për këtë vendim, pasi që nga gushti kishte raportuar se Kanalet WhatsApp numëronin mbi 51.7 milion përdorues në BE, duke kaluar pragun prej 45 milionësh të përcaktuar nga rregullorja evropiane.

    Kompania tani ka afat katër muaj për të vlerësuar dhe zbatuar masa që reduktojnë rreziqet dhe përputhen me kërkesat e BE-së.

    Në një reagim zyrtar, zëdhënësi i WhatsApp, Joshua Breckman, tha se kompania mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të sigurisë dhe integritetit të platformës, duke respektuar standardet rregullatore dhe përgjegjësinë ndaj përdoruesve.

  • Bjordi Mezini hap kartat për filmin e Luiz Ejllit dhe Kiara Titos

    Bjordi Mezini hap kartat për filmin e Luiz Ejllit dhe Kiara Titos

    Bjordi Mezini ka ndarë detaje interesante nga prapaskenat e filmit më të ri ku protagonistë janë Luizi Ejlli dhe Kiara Tito, projekt në të cilin ai mban rolin e regjisorit.

    I ftuar në emisionin “Më prit të dielën” me Ermal Peçin, Bjordi tregoi se xhirimet kanë qenë intensive dhe jo pa vështirësi, ndërsa u shpreh se pret me shumë interes reagimin e publikut ndaj filmit.

    Ai zbuloi se gjatë realizimit të disa skenave, Luizi pësoi edhe lëndime fizike, çka detyroi ekipin të ndërpriste përkohësisht xhirimet. Pa dhënë shumë detaje për të mos zbuluar pjesë nga filmi, regjisori tha se aktori u lëndua në krah dhe pësoi një prerje të thellë.

    Duke folur për Kiarën, Bjordi u shpreh se ajo e ka surprizuar pozitivisht me përkushtimin dhe seriozitetin në punë, pavarësisht angazhimeve të shumta që ka jashtë filmit. Sipas tij, ajo ka qenë shumë e përqendruar në skenar dhe e gatshme për çdo skenë.

    Regjisori ndau edhe një moment më të lehtë nga seti i xhirimit, duke treguar se gjatë disa skenave intime, Luizi shpesh bënte shaka për të thyer tensionin, duke kujtuar me humor se ishte “burri i saj”.

    Filmi pritet të publikohet së shpejti, ndërsa fansat e çiftit janë tashmë në pritje për t’i parë së bashku edhe në ekranin e madh.

  • Tatuazhi, vargjet biblike dhe një buzëqeshje ndryshe: Bes Kallaku më i lumtur se kurrë

    Tatuazhi, vargjet biblike dhe një buzëqeshje ndryshe: Bes Kallaku më i lumtur se kurrë

    Pas vëmendjes së madhe që mori në rrjetet sociale ditët e fundit, Bes Kallaku duket se po jeton një periudhë të re emocionale. Aktori i njohur i humorit ka shtuar dyshimet për një romancë të re, duke u shfaqur më i qetë dhe më i buzëqeshur se kurrë.

    Së fundmi, Besi ka ndarë me ndjekësit një fotografi bardhë e zi, ku shfaqet i relaksuar dhe me një buzëqeshje të lehtë, shoqëruar me një citim domethënës nga Psalmi 30:11:
    “Ti më ke kthyer vajtimin në valle, më ke hequr rrethin e fatkeqësisë dhe më ke mbushur me gëzim!”

    Postimi erdhi vetëm pak ditë pasi aktori “trazoi rrjetin” me një tjetër imazh simbolik, ku shfaqeshin dy duar të lidhura fort, ndërsa në parakrahun e tij dallohej qartë një tatuazh i ri: emri “Ejona”, data 25.12.2025 dhe shprehja “Trëndafil në kohë lufte”.

    Kjo datë duket se ka një rëndësi të veçantë për Bes Kallakun, duke u interpretuar nga ndjekësit si momenti i nisjes së kësaj historie të re dashurie. Edhe pse aktori nuk ka dhënë ende detaje konkrete, postimet e tij flasin qartë për një gjendje shpirtërore pozitive dhe një kapitull të ri në jetën personale.

    Bes Kallaku, i njohur për natyrën e tij të rezervuar sa i përket jetës private, duket se këtë herë ka zgjedhur ta shprehë lumturinë përmes simbolikës dhe fjalëve të zgjedhura me kujdes.

  • Oscar 2026: Mungesa e nominimeve për Ariana Grande dhe Cynthia Erivo ndez debat në Hollywood

    Oscar 2026: Mungesa e nominimeve për Ariana Grande dhe Cynthia Erivo ndez debat në Hollywood

    Shpallja e nominimeve për Çmimet Oscar 2026 ka sjellë reagime të forta, veçanërisht pas mungesës së emrave të Ariana Grande dhe Cynthia Erivo nga kategoritë kryesore të aktrimit. Të dyja aktoret interpretuan rolet ikonike të Glindës dhe Elphabës në adaptimin kinematografik të muzikorit “Wicked: For Good”, një projekt që u prit pozitivisht nga publiku.

    Megjithë vlerësimet për performancat vokale, prezencën skenike dhe kiminë mes tyre, Akademia nuk i përfshiu në listën e të nominuarve, duke nxitur diskutime të shumta brenda industrisë dhe në rrjetet sociale.

    Sipas burimeve të brendshme të Akademisë, ndonëse interpretimet u konsideruan mbresëlënëse, filmi në tërësi nuk arriti të krijojë peshën artistike të nevojshme për të mbështetur nominime individuale në kategoritë kryesore. Një votues anonim është shprehur se rolet “ishin të forta në nivel performativ, por jo vendimtare për garën e Oscar-it”.

    Një tjetër element që përmendet si ndikues është fushata intensive promovuese. Disa anëtarë të Akademisë thuhet se e kanë parë prezencën e shpeshtë të dyshes në evente, intervista dhe performanca si të tejkalkuluar, duke krijuar perceptimin e një strategjie të fortë PR-je që nuk u prit mirë nga të gjithë votuesit.

    Ndërkohë, në rrjetet sociale debati mori edhe një tjetër dimension, ku u diskutua presioni estetik në industrinë e filmit, pas komenteve për ndryshimet fizike të dy aktoreve gjatë turneut promovues – një çështje që ngjalli reagime të ndjeshme mes fansave.

    Mungesa e nominimeve ka rihapur diskutimin mbi kriteret e Akademisë, rolin e marketingut gjatë sezonit të çmimeve dhe balancën mes performancës artistike dhe perceptimit publik.

    Pavarësisht zhgënjimit të fansave, Ariana Grande dhe Cynthia Erivo vazhdojnë të konsiderohen ndër emrat më të rëndësishëm të muzikaleve bashkëkohore, ndërsa shumë kritikë janë të mendimit se kjo mospërfshirje nuk do të ndikojë negativisht në karrierat e tyre afatgjata.

  • Filma që sjellin në ekran tmerrin e Holocaust-it dhe duhen parë patjetër

    Filma që sjellin në ekran tmerrin e Holocaust-it dhe duhen parë patjetër

    Më 27 janar shënohet Holocaust Memorial Day, dita kur bota përkulet përpara kujtimit të rreth 6 milionë hebrenjve të vrarë gjatë një prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore. Kjo datë përkon edhe me përvjetorin e çlirimit të kampit famëkeq Auschwitz-Birkenau, simbol i gjenocidit nazist.

    Kinematografia ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike, duke sjellë histori prekëse, tronditëse dhe thellësisht njerëzore nga ajo periudhë. Më poshtë janë 7 filma dhe mini-seriale që trajtojnë Holocaust-in dhe që vlejnë të shihen të paktën një herë në jetë.

    1. The Pianist (2002)
    Një rrëfim i dhimbshëm për mbijetesën e pianistit hebre-polake Władysław Szpilman, i cili përpiqet të shpëtojë mes shkatërrimit të Varshavës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një histori e heshtur, por jashtëzakonisht e fuqishme.

    2. La Vita è Bella (1997)
    Një film që kombinon dramën me humorin e hidhur, duke treguar për një baba që përpiqet ta mbrojë djalin e tij nga realiteti brutal i kampit të përqendrimit, duke e shndërruar tmerrin në një “lojë”.

    3. Schindler’s List (1993)
    Drama epike e Steven Spielberg rrëfen historinë e Oskar Schindlerit, një industrialist gjerman që shpëtoi mbi një mijë hebrenj duke i punësuar në fabrikat e tij.

    4. The Boy in the Striped Pajamas (2008)
    Historia e miqësisë së pafajshme mes dy djemve tetëvjeçarë, të ndarë nga një gardh kampi përqendrimi. Një film që godet fort emocionalisht dhe nxjerr në pah absurditetin e urrejtjes.

    5. Holocaust (1978)
    Mini-serial që ndjek fatin e dy familjeve gjermane – njëra hebreje dhe tjetra jo – duke treguar se si ideologjia naziste ndikoi në jetën, zgjedhjet dhe shkatërrimin e tyre.

    6. Train of Life (1998)
    Një qasje ndryshe, tragjikomike, që ndjek një komunitet hebre nga Europa Lindore në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për t’i shpëtuar deportimit.

    7. Anne Frank: The Whole Story (2007)
    Mini-serial i bazuar në ditarin e famshëm të Anne Frank, që sjell historinë e saj dhe të familjes nga momenti i fshehjes deri te fundi tragjik.

  • KQZ: Rinumërimi mbi 75 për qind, procesi pritet të përfundojë deri në fund të muajit

    KQZ: Rinumërimi mbi 75 për qind, procesi pritet të përfundojë deri në fund të muajit

    Mbi 75 për qind e vendvotimeve janë rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Elezi tha për Ekonomia Online se që nga 13 janari në QNR po zbatohen dy vendime të KQZ-së për rinumërimin e gjithsej 2 557 vendvotimeve, ku është zhvilluar procesi zgjedhor më 28 dhjetor.

    “Që nga data 13 janar dhe deri më sot, kur ka filluar dita e 15, në QNR është duke vazhduar zbatimi i dy vendimeve të KQZ-së, për rinumërimin e 914 vendvotimeve dhe ai për rinumërimin edhe të 1.643 vendvotimeve, që në përgjithësi kemi të bëjmë me rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2.557, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor. Numri i vendvotimeve që janë rinumëruar, kur shënon pak pas mesditës, është më shumë se 75 për qind dhe sigurisht se këto të dhëna do të ndryshojnë deri në orën 16:00, kur do të përfundojë orari i punës për ndërrimin e parë”, tha ai.

    Sipas Elezit, procesi po zhvillohet sipas planit të paraparë dhe në QNR janë të angazhuara 76 ekipe numërimi.

    “Fillimisht procesi i rinumërimit, i cili ka filluar me datë 13 janar, është duke vazhduar sipas planifikimeve të KQZ-së. Në përgjithësi në QNR janë 76 ekipe numërimi të cilat angazhohen gjatë gjithë ditës. Sipas planifikimeve dhe dinamikës që është duke u zhvilluar këtu në QNR, atëherë KQZ planifikon që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, që i bie ditë e shtunë”, tha ai.

    Ai sqaroi se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të shkurtit, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa para certifikimit të zgjedhjeve.

    “Fillimisht pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të muajit shkurt, KQZ planifikon që të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme. Shpallja e rezultatit nuk nënkupton certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, sepse sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtij rezultati fillimisht në PZAP dhe pastaj palët mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme nëse janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së. Pra, KQZ duhet të presë të kalojnë këto afate kohore para se të bëjë procedime të tjera. Koha se sa duhet që KQZ ta certifikojë rezultatin përfundimtar pasi të bëjë shpalljen e këtij rezultati varet krejtësisht nga ankesat të cilat mund të paraqiten ndaj rezultatit përfundimtar”, tha ai.