ATV

Blog

  • Gjermania me paralajmërim zyrtar për udhëtimin drejt SHBA-së

    Gjermania me paralajmërim zyrtar për udhëtimin drejt SHBA-së

    Gjermania ka lëshuar një paralajmërim për udhëtimin për qytetarët e saj që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, duke përmendur rreziqet që lidhen me zbatimin e ligjit për imigracionin dhe situatat e rendit publik.

    Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë tha në një njoftim të martën, se qytetarët gjermanë duhet të jenë të vetëdijshëm për demonstratat dhe përplasjet me autoritetet amerikane të migracionit dhe sigurisë.

    “Në Minneapolis dhe qytete të tjera, demonstratat ndonjëherë çojnë në përplasje të dhunshme me autoritetet e migracionit dhe sigurisë”, thuhet në deklaratë.

    “Jini vigjilentë dhe qëndroni larg turmave ku mund të ndodhë dhunë”, thuhet në të.

    Protesta janë mbajtur në Minneapolis, Minesota dhe qytete të tjera kundër veprimeve të oficerëve të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Patrullës Kufitare që zbatojnë masat e presidentit Donald Trump për goditjen e imigracionit. Të shtunën, agjentët federalë qëlluan për vdekje Alex Pretti në Minneapolis.

    Gjermania tashmë kishte një njoftim për udhëtimin për stuhinë e rëndë që godet SHBA-në.

  • Komuna e Kamenicës ofron kurse profesionale falas për të papunët

    Komuna e Kamenicës ofron kurse profesionale falas për të papunët

    Komuna e Kamenicës njofton se Qendra për Aftësim Profesional – QAP Gjilan, në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës / MFPT, ofron kurse profesionale intensive, të certifikuara dhe falas, të përshtatura sipas kërkesave të tregut të punës.

    Pjesëmarrësve u mundësohet:

    Pjesëmarrje pa pagesë
    Pjesëmarrje për persona të papunë
    Mundësi reale për integrim në tregun e punës

    Regjistrimi mund të bëhet përmes Zyrave të Punësimit në Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

    Për më shumë informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Zyrën e Punësimit përkatëse.

  • BE-ja dhe India arrijnë marrëveshje tregtare

    BE-ja dhe India arrijnë marrëveshje tregtare

    Bashkimi Evropian dhe India njoftuan për arritjen e asaj që po konsiderohet si marrëveshja më e madhe tregtare – pakt që krijon një treg për 2 miliardë njerëz, i cili u arrit pas dy dekadash negociata.

    Shefat e BE-së dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, thanë se shpresojnë që marrëveshja do të ndihmojë në mbrojtjen ndaj sfidave që vijnë nga dy ekonomitë kryesore të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

    Marrëveshja do të ulë ose eliminojë tarifat për pothuajse 97 për qind të eksporteve evropiane, duke kursyer deri në 4 miliardë euro në vit nga detyrimet doganore, njoftoi blloku evropian prej 27 shtetesh, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Nëna e të gjitha marrëveshjeve”, tha Modi në Nju Deli, kur u takua të martën me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

    “Kjo marrëveshje do të sjellë shumë mundësi për 1.4 miliard banorët e Indisë dhe për miliona njerëz në BE”, tha Modi, duke shtuar se marrëveshja “paraqet rreth 25 për qind të GDP-së globale dhe një të tretën e tregtisë globale”.

    BE-ja e ka parë Indinë – vendin më të populluar në botë – si një treg të rëndësishëm për të ardhmen.

    “Evropa dhe India po bëjnë histori sot”, tha von der Leyen përmes një deklarate.

    “Kemi krijuar një zonë të tregtisë së lirë me 2 miliardë njerëz, nga e cila do të përfitojnë të dyja palët”.

    Zyrtarët e BE-së thanë se marrëveshja ishte më ambiciozja që India ka pranuar ndonjëherë, dhe se kompanitë evropiane do të përfitojnë nga i ashtuquajturi “avantazh i hyrjes në treg si të parët”.

    Sektorët kryesorë evropianë të bujqësisë, industrisë automobilistike dhe shërbimeve pritet të përfitojnë nga marrëveshja.

    Megjithatë, sektorët e ndjeshëm bujqësorë, si ai i mishit të viçit, orizit dhe sheqerit – përfshirja e të cilave në një marrëveshje të mëhershme mes bllokut evropian dhe Amerikës së Jugut, Mercosur, nxiti zemërim në mesin e fermerëve evropianë – u lanë jashtë kësaj marrëveshjeje.

    Nju Delhi e sheh bllokun evropian si një burim të rëndësishëm të teknologjisë dhe investimeve shumë të nevojshme për të rritur infrastrukturën e saj dhe për të krijuar miliona vende të reja pune.

    Marrëveshja përfshin gjithashtu një partneritet në fushën e sigurisë, duke ofruar “mundësi të reja” për kompanitë e mbrojtjes, tha Modi.

    Tregtia dypalëshe e mallrave mes BE-së dhe Indisë arriti në 120 miliardë euro në vitin 2024, një rritje prej gati 90 për qind gjatë dekadës së fundit, sipas të dhënave të BE-së, ndërsa edhe 60 miliardë euro të tjera ishin në tregtinë e shërbimeve.

    Sipas bllokut, në kuadër të marrëveshjes, India pritet të lehtësojë qasjen në treg, ndërsa kompanitë evropiane do të kenë qasje të privilegjuar në tregun e Indisë për shërbime financiare dhe të transportit detar.

    Tarifat për makinat do të ulen gradualisht nga niveli maksimal prej 110 për qind në deri në 10 për qind, ndërsa tarifat për verërat do të bien në mënyrë progresive nga 150 për qind në deri në 20 për qind.

    Sipas BE-së, tarifat aktuale prej 50 për qind për ushqimet e përpunuara – përfshirë makaronat dhe çokollatën – do të hiqen plotësisht.

    Marrëveshja vjen në kohën kur Brukseli dhe Nju Deli po synojnë të hapen ndaj tregjeve të reja në dritë të tarifave amerikane dhe kontrolleve të vendosura nga Kina për eksportet.

    India pritet të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë gjatë këtij viti, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

    Nju Delhi, që për dekada është mbështetur te Moska për pajisje kryesore ushtarake, vitet e fundit është përpjekur ta ulë varësinë nga Rusia duke diversifikuar importet dhe duke nxitur prodhimin e vet vendas.

    Evropa po bën të njëjtën gjë sa i përket Shteteve të Bashkuara./REL

  • Francë: Ndalohet përdorimi i mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Francë: Ndalohet përdorimi i mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Ligjvënësit francezë kanë miratuar një projektligj që ndalon përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Ligji pritet të hyjë në fuqi në shtator, në fillim të vitit të ri shkollor.

    Masa, e mbështetur fuqimisht nga presidenti Emmanuel Macron, ndalon gjithashtu përdorimin e telefonave celularë në shkollat e mesme dhe konsiderohet një hap për mbrojtjen e fëmijëve nga efektet e dëmshme të rrjeteve sociale, përfshirë uljen e vetëvlerësimit dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të rrezikshme.

    Projektligji është në përputhje me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të Bashkimit Evropian dhe vjen në një kohë kur edhe vende të tjera evropiane, si Britania, po shqyrtojnë masa të ngjashme.

    Raportet shëndetësore në Francë tregojnë se shumica e adoleshentëve përdorin çdo ditë smartphone për të hyrë në internet, ndërsa disa familje kanë paditur TikTok për raste vetëvrasjesh të lidhura me përmbajtje të dëmshme.

    Ndalimi nuk prek platformat edukative apo shkencore, ndërsa shembuj si ai i Australisë, ku rrjetet sociale janë ndaluar për përdoruesit nën 16 vjeç dhe janë mbyllur miliona llogari, tregojnë se kjo është një çështje që po fiton vrull globalisht.

  • Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e arrestuar të Komunë së Prishtinës

    Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e arrestuar të Komunë së Prishtinës

    Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orë, tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të arrestuar të martën për ryshfet.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    “E konfirmoj se prokurori i shtetit ka marrë aktvendimin për ndalimin e tre personave në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bazë të nenit 414 të KPRK-së, dhe veprën penale “Marrje e ryshfetit” sipas nenit 421 të KPRK-së”, tha Shala.

    Prokuroria ka bërë të ditur se njëri nga të arrestuarit është kapur në flagrancë.

    Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe telefona që sipas Prokurorisë do të shërbejnë si prova.

    “Janë sekuestruar edhe telefona si prove e cila di të shërbejnë në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës hetimore. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroje kërkesë me shkrim gjykatës kompetente për caktimin e ndonjë prej masave ndaj te dyshuarve”, ka thënë Shala.

    Për rastin ka reaguar edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama. Ai ka thënë se kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.

  • BE ndan 171 milionë euro për rajonin, Kosova nuk përfiton për shkak të mungesës së ratifikimit

    BE ndan 171 milionë euro për rajonin, Kosova nuk përfiton për shkak të mungesës së ratifikimit

    Komisioni Evropian ka njoftuar ndarjen e 171 milionë eurove për mbështetjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe forcimin e sektorit privat në vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, Kosova nuk do të përfitojë nga këto fonde.

    Sipas Komisionit Evropian, Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor.

    “Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet së shpejti”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

    Nga shuma e përgjithshme e ndarë, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë. Këto projekte synojnë përgatitjen e investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.

    Sipas KE-së, fondet për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë rreth 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë prioritarë, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.

    Projektet konkrete përfshijnë shtrirjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.

    Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar se investimi në vendet e Ballkanit Perëndimor është kyç për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian, duke shtuar se këto projekte krijojnë mundësi konkrete për qytetarët dhe forcojnë ndërlidhjen rajonale.

    Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute nga Instrumenti për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorë bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje.

    Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet do të kalojnë në fazën e zbatimit, duke përfshirë finalizimin e marrëveshjeve përkatëse, nisjen e studimeve përgatitore dhe përmbushjen e procedurave të nevojshme për realizimin e investimeve.

  • ShBA do të dërgojë agjentë të ICE në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano

    ShBA do të dërgojë agjentë të ICE në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano

    Agjencia amerikane e imigracionit, oficerët e së cilës kanë qenë të përfshirë në dy të shtëna fatale në Minneapolis, ka thënë se po dërgon agjentë për të ndihmuar në mbështetjen e operacioneve amerikane të sigurisë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat fillojnë në Itali më 6 shkurt.

    Konfirmimi i rolit të agjencisë erdhi Immigration and Customs Enforcement (ICE), pasi raportet shkaktuan alarm dhe zemërim në Itali.

    “Kjo është një milici që vret… sigurisht që nuk janë të mirëpritur në Milano”, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Beppe Sala, për radion italiane të martën.

    Një zëdhënës i ICE theksoi se “të gjitha operacionet e sigurisë mbeten nën autoritetin italian”.

    Burime të ambasadës amerikane në Romë kishin shpjeguar tashmë për mediat italiane se agjenci të ndryshme federale kishin punuar në lojërat e mëparshme në të kaluarën, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ICE kishte marrë pjesë vetë.

    Deklarata e agjencisë të martën shpjegoi se “Hetimet e Sigurisë Kombëtare (HSI) të ICE po mbështesin Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe kombin pritës për të verifikuar dhe zbutur rreziqet nga organizatat kriminale transnacionale”.

    Ajo “natyrisht” nuk do të kryejë operacione zbatimi të imigracionit jashtë SHBA-së, tha ajo.

    Deklarata iu dha agjencisë së lajmeve AFP dhe u konfirmua nga burime të ambasadës për Associated Press. BBC gjithashtu i është drejtuar Departamentit të Sigurisë Kombëtare për koment.

    Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Pantedosi, fillimisht dukej i painformuar se zyrtarët amerikanë të imigracionit do të vinin në Lojërat Olimpike Milano-Cortina dhe tha se edhe nëse do të vinin, delegacionet e huaja mund të zgjidhnin vetë sigurinë e tyre, duke thënë: “Nuk e shoh se cili është problemi dhe është shumë normale”.

  • Kurti, Osmani dhe Basha përkujtojnë viktimat e Holokaustit në Prishtinë

    Kurti, Osmani dhe Basha përkujtojnë viktimat e Holokaustit në Prishtinë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit së bashku me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetarin në detyrë të Kuvendit, Dimal Basha kanë vënë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Kurti ka thënë se këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit.

    “Pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, e cila ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha vumë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë me plumba dhe gaz, që u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes së cilit ne sot i emërtojmë aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • Arrestohet një person i dyshuar për vjedhje të rëndë në Prishtinë

    Arrestohet një person i dyshuar për vjedhje të rëndë në Prishtinë

    Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka arrestuar sot një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale vjedhje e rëndë, e cila dyshohet se ka ndodhur më 28.02.2025 në fshatin Sharban të Prishtinës.

    I dyshuari ishte identifikuar më herët falë veprimeve operative dhe hetimore të Sektorit të Hetimeve të Kryeqytetit dhe ishte shpallur në kërkim policor. Si rezultat i këtyre veprimeve, ai është ndaluar dhe arrestuar gjatë ditës së sotme.

    Personi i dyshuar: M.M., 31 vjeç, shtetas i Malit të Zi, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

  • José Mourinho vazhdon pa humbje te Benfica dhe sfida ndaj Real Madridit ndez kuriozitetin

    José Mourinho vazhdon pa humbje te Benfica dhe sfida ndaj Real Madridit ndez kuriozitetin

    Që nga ardhja e tij te Benfica, trajneri portugez José Mourinho ka shënuar një start fantastik në kampionatin portugez, duke mbajtur ekipin të papërmbysur, ku në 15 ndeshje nuk ka ansjë humbje.

    Por emocionet nuk ndalen këtu. Nesër, Benfica do të presë në shtëpi ish-skuadrën e Mourinhos, Real Madrid, në një ndeshje të rëndësishme për Champions League. Ky duel ka një rëndësi të veçantë për trajnerin portugez, i cili mund të provojë edhe një herë aftësitë e tij taktike kundër klubit që e bëri të famshëm në Evropë.

    Me formën fantastike që po kalon, pyetja që lind natyrshëm është: A do të vazhdojë Mourinho pa humbje edhe pas sfidës ndaj Real Madridit dhe a mund të regjistrojë një fitore historike kundër ish-skuadrës së tij?

    Tifozët dhe mediat janë të gjithë në pritje të një ndeshjeje spektakolare që mund të bëhet një moment vendimtar për karrierën e Mourinhos dhe sezonin e Benfica-s.