ATV

Blog

  • Mot i vranët e me reshje shiu sot

    Mot i vranët e me reshje shiu sot

    Për ditën e enjtë parashihet mot kryesisht me vransira, por i butë, me temperatura mbi mesatare.

    Më vonë pasdite dhe gjatë mbrëmjes, priten reshje të kohëpaskohshme shiu, derisa zonave malore edhe dëbore. Minimalet zbresin në 2C e 5C, derisa maksimalet luhaten ndërmjet 10C e 12C.

    Era qetësohet gradualisht, e ndryshon drejtimin nga juglindore në veriore, dhe frynë e lehtë 1-4m/s.

    Mot kryesisht me vransira dhe kohëpaskohe me shi parashihet ditën e premtë, ndërsa temperaturat zbresin në 7C. Mundësi për ndonjë rigë shiu parashihet ditën e shtunë, ndërkohë që qielli mbetet më i mbuluar me vrasnira, por që nuk mungojnë intervale me diell.

    Të dielen, sipas parashikimeve më të fundit, mund të pritet një rënie më e ndjeshme e temperaturave në 3C e 0C, me ç’rast reshjet e shiut shndërrohen në dëborë dhe frynë erë mesatare verilindore 5-10m/s. Reshjet e borës lokalisht mund të vazhdojnë përgjatë ditës së hënë, me ç’rast edhe minimalet zbresin në -3C, njofton Mendimi për Motin.

  • Tyson Fury zyrtarizon rikthimin e tij në boksin profesionist

    Tyson Fury zyrtarizon rikthimin e tij në boksin profesionist

    Tyson Fury ka konfirmuar rikthimin në boksin profesionist,dhe kjo pritet të ndodhë më se largu në muajin prill.

    Shumë emra të ndryshëm janë përfolur si kundërshtarë potencialë për Fury-in,dhe madje është përfolur për një duel me Anthony Joshuan por një gjë e tillë duket se nuk do të realizohet.

    Përndryshe Fury pritet që të zhvillojë meçin me Arslanbek Makhmudov më 11 maj,i cili ka fituar tituj në pesha të rënda e cila mund të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar,dhe Fury është shprehur i emocionuar për rikthimin e tij.

    “Jam i emocionuar që po rikthehem. Zemra ime ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në boks. Dikush le t’ia thotë mbretit se asi është rikthyer”

    Kujtojmë që meçi i fundit në boksin profesionist Tyson Fury e humbi ndaj ukrainasit Oleksandr Usyk.

  • Real Madrid e gatshme për të paguar 65 milionë euro për Nico Schlotterbeck

    Real Madrid e gatshme për të paguar 65 milionë euro për Nico Schlotterbeck

    Klubi mbretëror spanjoll Real Madrid mund të bëjë goditje e cila mund të ndryshojë krejtësisht repartin e mbrojtjes tek “Los Blancos”.

    Qendërmbrojtësi gjerman Nico Schlotterbeck pritet të jetë një ndër emrat më të përfolur në afatin kalimtar veror,dhe Real Madrid pritet që të jap një ofertë prej 65 milionë euro Borussia Dortmundit për shërbimet e Schlotterbeck.

    Përndryshe Schlotterbeck po kërkohet me mjaft ngulm nga rivali i Real Madridit Barcelona,të cilët e konsiderojnë si një nga emrat që mund ta përforcojë mbrotjen e cila pati mjaft problem gjatë sezonit.

    Në anën tjetër edhe gjiganti gjerman Bayern Munich po synon që të përforcohet me Schlotterbeck,por mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në muajt në vazhdim.

    Kujtojmë që Nico Schlotterbeck ka kontratë me Borussia Dortmund deri në qershor të vitit 2027.

  • Pse çaji jeshil konsiderohet një nga pijet më të shëndetshme

    Pse çaji jeshil konsiderohet një nga pijet më të shëndetshme

    Çaji jeshil, i njohur për vetitë e tij dobësuese, po përdoret gjithnjë e më shumë si një përbërës natyral me ndikim pozitiv në shëndet. Përveç ndihmës në kontrollin e peshës trupore, ai kontribuon edhe në parandalimin e disa sëmundjeve.

    Falë përmbajtjes së lartë të antioksidantëve, substancave antiinflamatore dhe vetive diuretike, çaji jeshil ndihmon organet të eliminojnë toksinat nga trupi dhe përmirëson funksionimin e përgjithshëm të organizmit.

    Mbron shëndetin e zemrës
    Antioksidantët që përmban çaji jeshil ndihmojnë në parandalimin e akumulimit të kolesterolit të keq në arterie, duke ulur rrezikun e formimit të pllakave dhe përmirësuar qarkullimin e gjakut. Po ashtu, ai ndihmon në rregullimin e lipideve dhe redukton rrezikun e tensionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve kardiake kronike.

    Ndihmon në luftën kundër mbipeshës
    Katekinat që gjenden në çajin jeshil ndikojnë pozitivisht në metabolizëm, duke rritur djegien e kalorive. Kjo pije ofron edhe ndjenjë ngopjeje, duke ndihmuar në kontrollin e oreksit dhe reduktimin e konsumit të tepërt të ushqimit.

    Ngadalëson plakjen e parakohshme
    Si një burim i pasur me antioksidantë, vitamina dhe kripëra minerale, çaji jeshil ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ dhe plakja e parakohshme. Flavonoidët dhe vitamina E kontribuojnë në rigjenerimin e qelizave dhe mbrojtjen e organeve nga sëmundjet që lidhen me moshën.

    Ekspertët sugjerojnë se konsumimi i rregullt i çajit jeshil, si pjesë e një stili jetese të shëndetshëm, mund të sjellë përfitime të shumta për organizmin.

  • Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit është anti-kushtetuese

    Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit është anti-kushtetuese

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka marrë sot një vendim në lidhje me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga minoriteti serb, nuk përputhet me Kushtetutën.

    Përmes një njoftimi për media Gjykata ka bërë të ditur se pozita e nënkryetarit serb, i takon grupit parlamentar me më së shumti deputet nga komunitetet.

    “Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse. Aktgjykimi thekson se, ky standard është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë edhe në kuptim të kërkesave të paragrafit 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, ngase është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit. Njëkohësisht, është përgjegjësi e komuniteteve që nuk janë shumicë, që në realizimin e të drejtave kushtetuese, të sillen në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gjykata Kushtetueses.

    Gjithashtu, në aktgjykim thuhet se mekanizmat e debllokimit, përfshirë që votimi për kandidatin/en e njëjtë mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për të njëjtin kandidat, dhe procedura e shortit duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh edhe afatet kohore të përcaktuara në Kushtetutë, në mënyrë që organi legjislativ të bëhet funksional brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, sikurse përcaktohet me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës.

    “Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

    Njoftimi i plotë

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 28 janar 2026, ka vendosur në rastin KO325/25, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve nga seanca e Kuvendit të Kosovës”, e mbajtur më 10 tetor 2025, të parashtruar nga Igor Simić dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Gjykata, ka vendosur: (i) të deklarojë, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër, që Vendimi [Nr.09-V-071] i Kuvendit të Republikës së Kosovës i 10 tetorit 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me 5 (pesë) vota për dhe 2 (dy) kundër që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues; si dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme.

    Aktgjykimi fillimisht sqaron se parashtruesit e kërkesës kontestuan “procesverbalet nga seanca e Kuvendit të Kosovës”, e mbajtur më 10 tetor 2025, për të cilat pretenduan se janë në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, pikën 1 të paragrafit 6 të nenit 12 [Zgjedhja e Nënkryetarëve të Kuvendit] të Rregullores së Kuvendit, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës, përfshirë Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO265/25. Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata të vendosë masë të përkohshme.

    Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se pas hyrjes në fuqi të Aktgjykimit të saj në rastin KO265/25, më 10 tetor 2025, vazhdoi Seanca Konstitutive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit të fundit të Kuvendit, gjegjësisht nënkryetarit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb. Kryetari i zgjedhur i Kuvendit ftoi përfaqësuesin e shumicës së deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb që të propozojë me shkrim dhe verbalisht kandidatin apo kandidaten për nënkryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ky i fundit propozoi deputetin Slavko Simić. Duke qenë se votimi dështoi për 3 (tri) herë radhazi për kandidatin e propozuar, për shkak se i njëjti nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, procedura e propozimit dhe votimit për nga 3 (tri) herë u përsërit edhe për 8 (tetë) prej deputetëve tjerë të propozuar nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, votime këto të cilat dështuan në secilin rast. Në të njëjtën ditë, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit kërkoi nga përfaqësuesi i shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb që të propozojë deputetin e radhës të pakandiduar deri në atë moment nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, respektivisht, deputetin Nenad Rašić. Megjithatë, si rezultat i refuzimit për të propozuar të njëjtin nga radha e shumicës së deputetëve të komunitetit Serb, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit vlerësoi se deputetët e këtij komuniteti po “refuzojnë” që të propozojnë kandidatin e pakandiduar deri në ato momente, prandaj vazhdoi me procedurën e shortit të përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, me ç’rast, konstatoi se ka mbetur vetëm një kandidat pa u votuar 3 (tri) herë radhazi dhe hodhi në votim emrin e tij. Deputeti Nenad Rašić mori 71 (shtatëdhjetë e një) vota për, 9 (nëntë) kundër dhe 24 (njëzet e katër) abstenime. Me këtë rast, Kryetari i zgjedhur i Kuvendit konstatoi se ishte zgjedhur edhe nënkryetari i fundit i Kuvendit, përkatësisht nënkryetari nga komuniteti Serb, dhe e përmbylli Seancën Konstituive të Kuvendit, e cila kishte filluar më 15 prill 2025.

    Në meritat e kërkesës, Gjykata konstatoi se objekt i vlerësimit në këtë rast, është çështja nëse procedura për zgjedhjen e deputetit Nenad Rašić si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, nëpërmjet Vendimit [Nr.09-V-071] të Kuvendit të 10 tetorit 2025, është në kundërshtim me paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 dhe paragrafin 7 të nenit 12 (Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit.

    Duke iu referuar parimeve të përgjithshme që burojnë nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, të cilat janë të përcaktuara në praktikën gjyqësore të Gjykatës, e që janë relevante në rrethanat e rastit konkret, rezulton se: (i) Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe 5 (pesë) nënkryetarë, të cilët formojnë Kryesinë e Kuvendit; (ii) 3 (tre) nënkryetarë propozohen nga 3 (tri) grupet më të mëdha parlamentare; ndërsa 2 (dy) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend, përkatësisht komunitetin Serb dhe komunitet tjera që nuk janë shumicë; si dhe (iii) në mënyrë që të zgjedhën kandidatët për Kryetar/e dhe nënkryetarë, kërkohen votat e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht 61 (gjashtëdhjetë e një) vota.

    Në kontekst të procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e deputetëve që nuk janë shumicë, Aktgjykimi nënvizon se e drejta e propozimit, sikurse që është përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit dhe në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës, të konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i takon shumicës apo numrit më të madh të deputetëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, të zgjedhur sipas nënparagrafëve 1 dhe 2 të paragrafit 2 të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës, të cilët gëzojnë legjitimitetin më të madh demokratik brenda komuniteteve përkatëse. Aktgjykimi thekson se, ky standard është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen kushtetuese të të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë edhe në kuptim të kërkesave të paragrafit 7 të nenit 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] të Kushtetutës, ngase është përgjegjësi e shumicës që të sigurojë përfaqësim efektiv të komuniteteve që nuk janë shumicë në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, gjegjësisht në Kryesinë e Kuvendit. Njëkohësisht, është përgjegjësi e komuniteteve që nuk janë shumicë, që në realizimin e të drejtave kushtetuese, të sillen në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.

    Aktgjykimi më tutje sqaron se mekanizmat e debllokimit, përfshirë (i) që votimi për kandidatin/en e njëjtë mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për të njëjtin kandidat; dhe (ii) procedura e shortit, duhet të vijnë në shprehje vetëm në rrethana përjashtimore dhe për qëllimin për të cilin ato janë përcaktuar, përkatësisht në funksion të konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh edhe afatet kohore të përcaktuara në Kushtetutë, në mënyrë që organi legjislativ të bëhet funksional brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh, sikurse përcaktohet me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës.

    Siç është elaboruar në Aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve.

    Ky parim ka rëndësi veçanërisht duke pasur parasysh përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilët nuk i kanë votat e nevojshme për të siguruar zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në Kryesinë e Kuvendit.

    Në aplikimin e parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, siç ka sqaruar në Aktgjykim, arriti në përfundimin se shumica e deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, duke propozuar 9 (nëntë) kandidatë. Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rašić në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit Serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit Serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë.

    Gjykata në fund sqaron që, bazuar në parimin e sigurisë juridike, ky Aktgjykim në rrethanat e rastit konkret nuk ka efekt prapaveprues.

  • Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, bastisje në Prishtinë dhe Dragash

    Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, bastisje në Prishtinë dhe Dragash

    Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar më 22 janar një operacion policor në kuadër të hetimeve të koordinuara ndërkombëtarisht, përmes EUROPOL-it dhe Prokurorisë Distriktuale të Republikës së Katanias. Operacioni, i njohur si “Switch Off”, që synon goditjen e krimit financiar dhe piraterisë audiovizive.

    Gjatë aksionit në Kosovë, janë bastisur dy lokacione – një në Prishtinë dhe një në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit – nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Cenim i të drejtave të autorit” dhe “Shpëlarja e parave”.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në dy lokacione, ku është sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të implikuar”, thuhet në njoftim.

    Sipas Prokurorisë, në mesin e të dyshuarve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicialet P.B.

    Operacioni është zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali dhe Rumani, duke çrrënjosur një infrastrukturë informatike që shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, përmes një sistemi sofistikuar IPTV. Në hetim kanë bashkëpunuar gjithashtu Kanadaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara.

    “Operacioni tregon përkushtimin tonë të palëkundur në luftën kundër krimit financiar dhe ekonomik. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sundimin e ligjit”, thuhet në njoftim.

    Sekuestrimi i paisjeve kompjuterike dhe bazave të të dhënave ka ndërprerë aktivitetet e paligjshme të këtij grupi në Kosovë dhe në disa shtete të tjera, duke dërguar një mesazh të qartë për goditjen e krimit financiar dhe piraterisë audiovizive.

  • Chelsea me thirrje për tifozët:Jeni të kujdesshëm gjatë ndeshjes kundër Napolit

    Chelsea me thirrje për tifozët:Jeni të kujdesshëm gjatë ndeshjes kundër Napolit

    Gjiganti londinez Chelsea ka bërë një thirrje për tifozët e saj në ndeshjen kundër Napolit në Ligën e Kampionëve.

    Klubi ka kërkuar që tifozët të kenë kujdes maksimal,kjo për faktin se dy tifozë londinez morrën trajtim mjekësor pas një përleshje me disa tifozë napolitanë një ditë më parë.

    Përndryshe Chelsea iu kërkoi që të kenë kujdes kur të ecin në qytet,në mënyrë që të mos kenë probleme dhe t’i marrin parasysh këshillat përpara ndeshjes.

    Kujtojmë që ndeshja Napoli-Chelsea pritet nis në ora 20:45,ndeshje e vlefshme për xhiron e fundit të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

  • Trump paralajmëron Iranin: Bëj marrëveshje ose goditja e radhës do të jetë më e keqe

    Trump paralajmëron Iranin: Bëj marrëveshje ose goditja e radhës do të jetë më e keqe

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit të mërkurën që të ulet në tryezën e negociatave për armët bërthamore, duke paralajmëruar se një sulm i ardhshëm amerikan do të jetë shumë më i ashpër nëse Teherani nuk pranon të arrijë një marrëveshje.

    “Shpresojmë që Irani të ulet në tryezë shpejt dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – jo armë bërthamore – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, është vërtet thelbësore”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.

    Presidenti republikan, i cili gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë u tërhoq nga marrëveshja bërthamore shumëkombëshe e vitit 2015 me Iranin, paralajmëroi se sulmi i ardhshëm amerikan do të jetë më i ashpër. “Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq! Mos e bëni këtë të ndodhë përsëri”, shtoi ai, duke njoftuar gjithashtu se një tjetër “armadë” po lundron drejt Iranit.

    Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se nuk kishte qenë në kontakt me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, ditët e fundit dhe nuk kishte kërkuar negociata, sipas raportimeve të mediave shtetërore të mërkurën.

    Ndërkohë, SHBA-ja ka njoftuar nisjen e stërvitjeve ushtarake në Lindjen e Mesme, në një moment kur tensionet me Iranin po rriten. Një ditë më parë, në rajon ka arritur edhe aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln”.

    LEXONI EDHE:

    Turqia i dërgon mesazh të qartë ShBA-së: Gaboni nëse e sulmoni Iranin

     

  • 10 ekspozita dhe fokus në artin bashkëkohor, MKRS prezanton programin e GKK-së për 2026

    10 ekspozita dhe fokus në artin bashkëkohor, MKRS prezanton programin e GKK-së për 2026

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka shpallur programin e Galerisë Kombëtare të Kosovës për vitin 2026, i cili përfshin gjithsej 10 ekspozita me theks të veçantë në tema bashkëkohore si gjinia, klasa, migrimi dhe raporti me të kaluarën.

    Sipas njoftimit zyrtar, programi synon të reflektojë mbi politikat shoqërore dhe kulturore që ndikojnë praktikat artistike sot, duke forcuar rolin e Galerisë Kombëtare të Kosovës në ndërtimin e narrativave kritike, gjithëpërfshirëse dhe bashkëkohore.

    Viti 2026 konsiderohet si një kapitull i ri për këtë institucion, si në aspektin e zgjerimit të kapaciteteve fizike, ashtu edhe në përpjekjet për të sfiduar narrativat margjinalizuese dhe patriarkale që kanë shoqëruar historinë e tij.

    Programi i këtij viti karakterizohet nga një përfaqësim i theksuar i artisteve gra, përfshirë disa ekspozita personale që do të prezantohen për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

    Në hapësirat e Galerisë Kombëtare do të prezantohen rihapja e Koleksionit të GKK-së, ekspozita retrospektive e artistit Xhevdet Xhafa, ekspozita personale e Doruntina Kastratit, si dhe edicioni i 15-të i Ekspozitës Ndërkombëtare “Muslim Mulliqi”.

    Ndërkohë, në hapësirën GKK QAFA do të mbahen ekspozita personale të Bora Baboçit, Laureta Hajrullahut, Albe Hamitit, Anita Muçollit dhe Stephanie Rizajt, si dhe ekspozita grupore “Shtëpi”, Edicioni II.

    Përveç ekspozitave, Galeria Kombëtare e Kosovës do të vazhdojë edhe programet e edukimit dhe hulumtimit përmes punëtorive, ligjëratave, diskutimeve dhe programeve të ndërmjetësimit, me qëllim afrimin e publikut me artin bashkëkohor.

  • Shembja e dheut shkakton mungesë uji në disa fshatra të Shtimes

    Shembja e dheut shkakton mungesë uji në disa fshatra të Shtimes

    Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Komunës së Shtimes do të përballet sërish me furnizim të kufizuar dhe presion të ulët të ujit të pijshëm, për shkak të problemeve teknike në stacionin e pompimit në Rashincë.

    Sipas njoftimit të KRU “Prishtina”, shembja e vazhdueshme e dheut në ujërat nëntokësore ka shkaktuar turbullira në stacion, konkretisht në pusin nr. 2 të nënstacionit të Rashincës. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe sasinë e ujit të furnizuar për konsumatorët.

    “Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Komunës së Shtimes, përkatësisht fshatrat Davidovc, Rashincë, Muzeqinë, Gjurkovc, Vojnovc dhe Gllavicë, do të përballen sërish me furnizim të kufizuar dhe presion të ulët të ujit të pijshëm”, thuhet në njoftim.

    Banorëve të këtyre zonave u rekomandohet të shfrytëzojnë ujin me kujdes deri në normalizimin e gjendjes.

    “Furnizimi do të përmirësohet menjëherë sapo shërbimet laboratorike të konstatojnë se uji është i pijshëm dhe i përshtatshëm për përdorim”, thekson KRU “Prishtina”.