ATV

Blog

  • Kristjan Asllani arrin marrëveshje për huazim tek Besiktas

    Kristjan Asllani arrin marrëveshje për huazim tek Besiktas

    Reprezentuesi i Kombëtares Shqiptare Kristjan Asllani karrierën pritet ta vazhdojë në Superligën e Turqisë.

    Sipas ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano Asllani ka arritur marrëveshje gjigantin turk Besiktas,ku pritet të huazohet deri në fund të sezonit.

    Përndryshe është e përfshirë edhe opsioni i blerjes së kartonit të Asllanit,por që nuk do të jetë e detyrueshme.

    Ndërkohë që huazimi tek Torino nuk doli i suksesshëm për Asllanin,duke shtuar faktin edhe që nuk pati marrëdhënie të mira me trajnerin  Marco Baroni të cilën e la në stol në shumë ndeshje.

    Në anën tjetër mbetet të shihet se nëse Asllani do të arrij që të tregoj vlerat e tij në Turqi apo jo,ose sërish do të ketë probleme sikurse që pati tek Torino.

    Kujtojmë që Kristjan Asllani deri më tani ka bërë 16 paraqitje për Torino duke mos arritur të shënoj asnjë gol.

  • Rinumërimi me 70% në Podujevë ua heq qindra vota kandidatëve të VV’së, situatë e njëjtë edhe në Obiliq

    Rinumërimi me 70% në Podujevë ua heq qindra vota kandidatëve të VV’së, situatë e njëjtë edhe në Obiliq

    Procesi i rinumërimit është duke vazhduar ende. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në faqen e saj, ka njoftuar se deri më tani janë rinumëruar rreth 88% e votave.

    Kësisoj, gjatë këtij procesi,ashtu si në shumë komuna, edhe në Podujevë janë identifikuar një numër i madh i votave që s’përputhen me procesin e numërimit, shkruan Gazeta Express.

    Në këtë komunë, ku deri tash janë rinumëruar 70,00% e votave, kandidatët për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke prirë me mospërputhje votash.

    Nga kjo parti, kandidatit Ejup Maqedoncit, i janë hequr -404 Vota. Vendenis Lahut -378 Vota, Adelina Stuballas -226 Vota, e Albin Kurtit -96 Vota.

    Tek partitë e tjera, në këtë komunë, krahasuar me VV’në, nuk ka një situatë të tillë me vota. Përveç kandidates Ditjona Statovci, nga PDK’ja, të cilës i janë hequr 187 vota, të tjerët, janë në shifrën e dhjetërave.

    Një situatë pak a shumë e ngjashme me kandidatët e VV’së është edhe në Obiliq. Aty Gazmend Krasniqit i janë hequr -362 Vota, Adelina Graincës -295 Vota, e Enver Dugollit -106 Vota.

    Ndërsa edhe në këtë komunë, tek partitë e tjera, mospërputhja e votave është shifrat e dhjetrave.

  • LA Lakers pëson humbje të thellë nga Cavaliers-San Antonio Spurs fiton në udhëtim ndaj Houston Rockets

    LA Lakers pëson humbje të thellë nga Cavaliers-San Antonio Spurs fiton në udhëtim ndaj Houston Rockets

    Janë zhvilluar ndeshje tejet interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Los Angeles Lakers pësoi humbje të thellë ndaj Cleveland Cavaliers me rezultat 129:99.

    Luka Doncic me 29 pikë ishte basketbollisti më efikas tek Lakers,teksa Lebron James dhe Gabe Vincent kontribuan me 11 pikë secili por këto shifra ishin të pamjaftueshme për të shmangur humbjen.

    Tek Cavaliers më i miri në parket ishte Donovan Mitchell me 25 pikë,teksa kontribut në fitoren e kësaj skuadre dha dhe Jaylon Tyson me 20 pikë të tjera.

    Në anën tjetër San Antonio Spurs mposhti në udhëtim skuadrën e Houston Rockets me rezultat 111:99.

    Victor Ëembanyama me 28 pikë e 16 kërcime ishte basketbollisti më i mirë tek Spurs,kurse De’Aron Fox me 18 pikë e 8 asistime kontribuoi në fitoren e Spurs.

    Tek Rokcets më i miri ishte Amen Thompson me 25 pikë e 7 kërcime,kurse kontribut dhanë dhe Kevin Durant me 24 pikë si dhe Alperen Sengun me 18 pikë e 10 kërcime.

  • KESCO dorëzon në ZRRE kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike

    KESCO dorëzon në ZRRE kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike

    Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21.4 për qind për vitin 2026.

    Pas dorëzimit të kërkesës, tani i takon ZRRE-së që të shqyrtojë aplikimin dhe të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo propozimin për rritjen e çmimit të rrymës.

    Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.

    Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro, shumë kjo e cila ishte aprovuar nga ZRRE-ja.

  • Pas humbjes së vëllait, Gjesti rikthehet me projekt prekës

    Pas humbjes së vëllait, Gjesti rikthehet me projekt prekës

    Pas disa muajsh largim nga vëmendja publike, reperi Gjesti ka bërë të ditur rikthimin e tij në muzikë, pas humbjes tragjike të vëllait, Elidon Kelmendi, i cili ndërroi jetë në një aksident të rëndë.

    Ngjarja e dhimbshme e shtyu artistin të shkëputej plotësisht nga skena dhe rrjetet sociale, duke anuluar koncertet dhe duke zgjedhur ta përjetojë dhimbjen në heshtje dhe privatësi.

    Së fundmi, Gjesti ka paralajmëruar një projekt të ri muzikor, i cili pritet të publikohet nesër në orën 18:00. Pamjet e para të shpërndara sugjerojnë një rikthim ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim nga ai.

    I veshur me të zeza dhe me një paraqitje të rënduar emocionalisht, reperi shfaqet i heshtur dhe reflektues, ndërsa melodia e trishtë në sfond lë të kuptohet se kënga do të jetë një rrëfim i dhimbjes dhe i periudhës së vështirë që ka kaluar.

    Fansat kanë reaguar menjëherë me mesazhe mbështetjeje, duke pritur që ky projekt të jetë një nga më personalët dhe më prekësit në karrierën e artistit.

  • Rritet çmimi i naftës pasi Trump paralajmëron Iranin se ‘po i mbaron koha’

    Rritet çmimi i naftës pasi Trump paralajmëron Iranin se ‘po i mbaron koha’

    Çmimet e naftës janë rritur pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Iranin se “koha po mbaron” dhe tha se një “armatë masive” po shkonte drejt rajonit nëse Teherani nuk arrinte të binte dakord për një marrëveshje për mospërhapjen e armëve bërthamore.

    Trump tha se një flotë më e madhe se ajo e dërguar në Venezuelë ishte gati të “përmbushte me shpejtësi misionin e saj, me shpejtësi dhe dhunë, nëse është e nevojshme” nëse Irani refuzonte të negocionte një marrëveshje që garantonte “pa armë bërthamore”.

    Çmimi i naftës së papërpunuar amerikane (WTI) u rrit me rreth 2.02%, duke u tregtuar në rreth 68.73 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane (WTI) mbeti rreth 2.15% më e lartë, në 64.57 dollarë për fuçi, shkruan euronews.

    Trump më parë kërcënoi se do të sulmonte Iranin nëse ai do të vriste protestues gjatë lëvizjes së vazhdueshme protestuese në të gjithë vendin.

    Vlerësimet e të vrarëve variojnë nga rreth 6,000 deri në 30,000, sipas raporteve të ndryshme.

    Nëse SHBA do të përshkallëzonte situatën ushtarakisht, kjo mund të prishte rrjedhën e naftës drejt vendeve që ende tregtojnë me Iranin.

    Bëhet e ditur se ekonomia e Iranit është tashmë nën presion të madh nga sanksionet dytësore financiare të SHBA-së mbi sektorët e saj bankarë dhe të energjisë, të përkeqësuar nga rivendosja e sanksioneve të marrëveshjes bërthamore (JCPOA).

    Këto masa e kanë kufizuar rëndë aksesin e Iranit në sistemin financiar perëndimor dhe aftësinë e tij për të tregtuar hapur.

  • Luana Vjollca pjesë e skenës ndërkombëtare të modës në Dubai

    Luana Vjollca pjesë e skenës ndërkombëtare të modës në Dubai

    Ikona shqiptare e stilit dhe bukurisë, Luana Vjollca, do të ngjitet në skenën e Dubai Mall për të marrë pjesë në Festivalin e Modës, duke sjellë eksperiencën dhe vizionin e saj drejt publikut ndërkombëtar. Ajo do të flasë në panelin “Nga Vizioni te Marka”, një diskutim që eksploron rrugët se si idetë kreative shndërrohen në marka të suksesshme dhe të qëndrueshme.

    Përtej ekranit dhe prezantimeve televizive, Luana është sot një forcë kreative dhe strategjike pas markës së saj LULU, duke treguar se si talenti dhe biznesi mund të bashkëjetojnë në një treg global të bukurisë dhe stilit.

    Pjesëmarrja e saj në këtë festival nuk është thjesht një prezencë, por një hap i madh drejt pozicionimit të saj si sipërmarrëse ndërkombëtare, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e modeleve dhe sipërmarrësve të rinj të industrisë së modës.

    Festivali i Modës në Dubai Mall pritet të sjellë emra të mëdhenj të industrisë, duke e kthyer këtë ngjarje në një nga momentet më të rëndësishme të vitit në rajon, ku Luana Vjollca do të jetë padyshim një nga figurat më të komentuar dhe të ndjekura nga publiku dhe media globale.

  • Llogaritja e votave pas rinumërimit, dy kandidatët e LDK-së në prag për të hyrë në Kuvend ndërrojnë vendet

    Llogaritja e votave pas rinumërimit, dy kandidatët e LDK-së në prag për të hyrë në Kuvend ndërrojnë vendet

    Në faqen e KQZ-së tek rezultatet e përmbledhura tashmë janë duke u ndryshuar edhe votat e kandidatëve për deputetë, pas procesit të rinumërimit që ende po vazhdon.

    Tek lista e LDK-së, kandidati për deputet, Paris Guri, e ka tejkaluar Arben Gashin dhe ndodhet vetëm 13 vota përpara.

    Guri ka rreth 400 vota më pak se Ermal Sadiku i cili renditet i 15-ti dhe është kandidati i fundit që hyn në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së.

  • Avokati i familjes Ademaj: Ka prova se Naim Murseli e ka tradhtuar Liridonën me gruan e të afërmit

    Avokati i familjes Ademaj: Ka prova se Naim Murseli e ka tradhtuar Liridonën me gruan e të afërmit

    Avokati i familjes së Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka komentuar deklaratat e dhëna sot nga Naim Murseli gjatë seancës gjyqësore, duke thënë se ato janë të vështira për t’u dëgjuar për familjen e viktimës dhe, sipas tij, nuk përkojnë me faktet e paraqitura deri më tani në proces.

    Syla në Tëvë1, ka deklaruar se Murseli në asnjë moment nuk e ka pranuar apo përmendur tradhtinë ndaj bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ndonëse sipas avokatit, kjo është e dokumentuar dhe e dëshmuar.

    “Për familjen është jashtëzakonisht e vështirë me i dëgju këto deklarata nga Naim Murseli, për shkak se ai asnjë moment nuk e ka deklaruar faktin se e ka tradhtuar Liridonën me grua të afërmit të tij. Me këto deklarime që po i bën sot, ai po mundohet me i dhënë vetes një lloj titulli, ndoshta edhe pompoz për media, por jo për të thënë të vërtetën”, ka thënë Syla.

    Sipas tij, jo vetëm deklaratat e Murselit, por edhe dëshmitë e personave të tjerë, përfshirë edhe babain e vetë Naim Murselit, e konfirmojnë ekzistencën e kësaj tradhtie.

    “Edhe nga deklarata e babait të Naim Murselit, por edhe nga dëshmitarë të tjerë, është plotësisht e qartë që ai e ka tradhtuar Liridonën. Mirëpo, këtë pjesë ai nuk e përmend fare, sikur të mos ekzistonte. Për këtë tradhti ka prova materiale, ka komunikime, ka mesazhe të shkëmbyera që janë pjesë e shkresave të lëndës”, ka shtuar avokati i familjes Ademaj.

    Syla ka theksuar se këto fakte janë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të rrethanave që kanë paraprirë vdekjen e Liridona Ademaj dhe se familja pret që drejtësia të trajtojë rastin mbi bazën e provave dhe jo narrativave publike.

  • Deva Cassel, vajza e Monica Bellucci, shkëlqen në Javën e Modës në Paris

    Deva Cassel, vajza e Monica Bellucci, shkëlqen në Javën e Modës në Paris

    Deva Cassel, vajza e aktorëve të famshëm Monica Bellucci dhe Vincent Cassel, shkëlqeu në sfilatën e Dior gjatë Javës së Modës në Paris, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve me elegancën dhe sharmin e saj natyral.

    Ajo kishte zgjedhur një kombinim chic: këmishë dhe pantallona të gjera nga Dior, të kompletuara me bizhuteri elegante nga Cartier. Flokët ishin modeluar nga John Nollet, ndërsa grimimin e kishte realizuar Letizia Carnevale. Pas paraqitjes, pamja e saj mori komplimente të shumta në rrjetet sociale. Monica Bellucci nuk ngurroi të ndante një foto të Deva-s nga sfilata në Instagram.

    Deva Cassel u lind në vitin 2004 dhe filloi të punonte në modë që në moshën 14 vjeç. Ajo ka xhiruar reklama për parfume si Dolce & Gabbana dhe ka ecur në pistat e tyre gjatë viteve 2021 dhe 2022, duke treguar se po ndjek me vendosmëri hapat e prindërve të saj në industrinë e modës dhe argëtimit.