ATV

Blog

  • Skiatorë të papërgjegjshëm shkaktuan ortek në Brezovicë, njëri prej tyre u lëndua

    Skiatorë të papërgjegjshëm shkaktuan ortek në Brezovicë, njëri prej tyre u lëndua

    Tre skiatorë shkaktuan dje një ortek në Brezovicë pasi lëviznin jashtë pistave të shënuara të skijimit, njoftoi Qendra e Skive.

    Qendra e Skive Brezovicë njoftoi se tre skiatorë sot kanë filluar skijimin jashtë pistave zyrtare dhe të shënuara, çka ka shkaktuar një ortek.

    Dy prej tyre janë larguar nga vendi i incidentit, ndërsa një skiator ka mbetur i bllokuar në majë të një piste të pashënuar me lëndim në këmbë.

    Shpëtimtarët, siç thuhet, me një ndërhyrje të shpejtë dhe profesionale kanë arritur ta transportojnë në mënyrë të sigurt skiatorin e lënduar deri në ambulancë.

    Faqja në Facebook Brezovica Info thekson “se individë të papërgjegjshëm me këtë veprim kanë rrezikuar jetët e tyre, por edhe jetët e shpëtimtarëve, të cilët gjatë ndërhyrjes kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezikut shtesë”.

    Për incidentin është njoftuar policia.

    Nga Qendra e Skive është bërë thirrje për të gjithë skiatorët dhe snowboarderët që të respektojnë rreptësishtë rregullat dhe të përdorin ekskluzivisht pistat zyrtare dhe të shënuara, pasi skijimi jashtë tyre rrezikon seriozisht sigurinë si të skiatorëve ashtu edhe të shpëtimtarëve.

  • ZRRE shqyrton të hyrat dhe tarifat e NEMO për 2026–2028, thotë se nuk ka rritje të tarifave

    ZRRE shqyrton të hyrat dhe tarifat e NEMO për 2026–2028, thotë se nuk ka rritje të tarifave

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026-ë, në të cilën ka shqyrtuar kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028, duke theksuar se lista e tarifave për Kosovën propozohet të mbetet e pandryshuar dhe se nuk bëhet fjalë për rritje të tarifave të energjisë, raporton Ekonomia Online.

    Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE, ka deklaruar se të hyrat e lejuara të propozuara përfshijnë komponentët rregullatorë standardë, si kostot operative, kostot që lidhen me investimet kapitale, amortizimet, kapitalin e punës dhe tarifat e licencës, duke theksuar se për Kosovën vlerat e propozuara si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026, 712 mijë e 410 euro për vitin 2027 dhe 835 mijë e 613 euro për vitin 2028, ndërsa struktura e tyre dominohet kryesisht nga kostot operative.

    “ZRRE ka pranuar aplikimin e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe të tarifave të NEMO për periudhën 2026–2028. Pas analizimit dhe shqyrtimit të aplikacionit në aspektin teknik, financiar dhe ligjor, ZRRE ka zhvilluar edhe procesin e konsultimit publik, ku ka dalë me raportin konsultativ, i cili ka qenë i publikuar në uebfaqen e ZRRE-së. Ky raport ka dalë në muajin dhjetor të vitit 2025; gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur komente nga palët e interesit dhe as nga ALPEX-i. Shqyrtimi është realizuar në përputhje me Ligjin për Rregullatorin për Energji, Ligjin për Energji Elektrike dhe metodologjinë për përcaktimin e tarifave të operatorit të lejuar të tregut të energjisë elektrike NEMO. Kjo bazë ligjore i jep ZRRE-së kompetencë për miratimin e të hyrave të lejuara dhe të strukturës tarifore. Të hyrat e lejuara të propozuara furnizohen, ofertomi i tribunës së Kosovës përfshin komponentët rregullatorë standardë, siç janë kostot operative, kostot që janë të lidhura me investimet kapitale, amortizimet, kapitali i punës, tarifat e licencës. Vlerat e propozuara për Kosovën për vitin 2026 si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026. Për vitin 2027 janë 712 mijë e 410 euro dhe për vitin 2028 janë 835 mijë e 613 euro. Struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative. Kjo rritje nuk është si rezultat i rritjes së tarifave. Kjo buron nga rritja e kostos për njësi, është rritur volumi i energjisë”, ka thënë ai.

    Gashi ka shtuar se këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi çmimet e tregut formohen automatikisht nga platforma e tregtimit, bazuar në ofertat dhe kërkesat e pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë.

    “Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet që të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake, dhe vazhdon me u apliku për tregun… Tarifat e ALPEX-it duhet sqaruar se aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës, përfshirë tarifat vjetore, tarifat administrative, tarifat variabile të tregtimit, klerimit. Pra, këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi që këto çmime tregu formohen në mënyrë automatike nga platforma e tregtimit bazuar në ofertat e kërkesës së pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë”, tha ai.

  • Arrestohet 36-vjeçari kosovar në Durrës, vidhte targa të veturave

    Arrestohet 36-vjeçari kosovar në Durrës, vidhte targa të veturave

    Policia e Shtetit në Shqipëri ka zhvilluar një operacion policor të koduar ‘Targat’ që rezultoi me arrestimin e një kosovari, që dyshohet për vjedhje të targave nga veturat shqiptarë, por edhe ato të Kosovës.

    Sipas njoftimit, vjedhjet janë kryer në Durrës, ndërsa i dyshuari 36-vjeçar është E.Q.

    “Ky shtetas u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, Plazh-Durrës, me mjetin tip “Ford”, me targa të vjedhura në lagjen nr. 5, Durrës, në pronësi të shtetasit R. C.

    Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Ford”, në bagazh janë gjetur edhe dy targa të një automjeti nga Kosova, si dhe në sediljen e shoferit janë gjetur kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç (i ngjashëm me maskat).

    Mjete të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për kryerjen e vjedhjeve. Sendet e mësipërme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.” – njoftoi Policia.

    Gjithashtu, nga veprimet që ka ndërmarrë Policia, thuhet se kosovari i arrestuar është autor i vjedhjes së targave edhe në dy automjete të tjera, të ndodhura muajt e fundit.

  • Këngëtarja Fatlume Popovci ndahet nga burri: Nuk jam fajtore

    Këngëtarja Fatlume Popovci ndahet nga burri: Nuk jam fajtore

    Këngëtarja kosovare Fatlume Popovci ka konfirmuar lajmin që qarkullonte për ndarjen nga bashkëshorti i saj.

    Ajo i ka dhënë fund martesës 20-vjeçare.

    Ndër të tjerash theksoi se në këtë martesë është detyruar të jetë edhe burrë edhe grua.

    E pyetur mbi zhvillimin, Fatlumja u shpreh:

    “Një vit e gjysmë, ose dy vitet e fundit nuk është që ka qenë raporti siç e kemi pasë. Unë vetëm e di që nuk jam fajtore, jam munduar me çdo të mirë për të, djalin, familjen e tij. Qysh prej fillimit të lidhjes nuk e kam pasë stabilitetin 100% me të. Nuk e kam pasur sigurinë në shumë aspekte. Për këtë arsye jamë detyru me qenë edhe burrë edhe grua”, tha ajo në një intervistë për Prive by Liberta Spahiu.

  • Bie çmimi i arit

    Bie çmimi i arit

    Çmimi i arit ka rënë nga një rekord prej 5,600 dollarësh në 4,770 dollarë për ons. Kjo është rënia më e madhe në përqindje e çmimit që nga marsi i vitit 1980.

    Ari arriti një rekord të ri të enjten në 5600 dollarë për ons. Ndërsa, argjendi tregtohej me 120 dollarë për ons. Papritmas, çmimet e metaleve të çmuara filluan të binin. Deri të premten në mbrëmje, ari tashmë kushtonte 470 dollarë për ons.

    Ari mund të jetë i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm. Megjithatë, çmimet janë shumë më të larta se një vit më parë, raportoi të dielën “Euronews”.

    Çfarë po shkakton rritjen e çmimeve të arit dhe argjendit?

    Shumë gjëra varen nga pasiguria. Interesi për blerjen e arit – dhe metaleve të tjera të çmuara si argjendi – po rritet në kohë të trazuara.

    Çmimet e arit u rritën ndjeshëm në mbarë botën në kulmin e pandemisë COVID-19 dhe mes luftërave dhe trazirave të vazhdueshme të shkaktuara nga tarifat e presidentit amerikan, Donald Trump.

    Të dhënat e fundit përkuan me përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike në Venezuelë dhe Iran, thirrjet e përsëritura të Trumpit për marrjen e Grenlandës nga SHBA-ja dhe qëndrimin e tij gjithnjë e më agresiv ndaj aleatëve të Amerikës.

  • Pajisja e re e Apple do të funksionojë vetëm me modelet iPhone që kanë softuerin më të fundit

    Pajisja e re e Apple do të funksionojë vetëm me modelet iPhone që kanë softuerin më të fundit

    Përditësimi i fundit i iOS sjell kompatibilitetin për aksesorin e ri të Apple, me çmim 29 paund.

    Nëse keni një iPhone në dorë, ka shumë mundësi që të keni një përditësim softueri të pritur që mund ta instaloni menjëherë. Apple sapo ka lançuar versionin e fundit të iOS, iOS 26.2.1, dhe është e rëndësishme ta instaloni sa më shpejt nëse planifikoni të përdorni pajisjen më të re të kompanisë.

    Siç sugjerojnë dy pikët dhjetore, iOS 26.2.1 është një përditësim relativisht i vogël për softuerin e iPhone, por sjell kompatibilitet të plotë me AirTag-in e ri të Apple. Prezantuar të hënën, AirTag i ri kushton vetëm 29 paund dhe përmban përmirësime të rëndësishme krahasuar me gjeneratën e parë të këtij etiketi inteligjent, të lançuar nga Apple në vitin 2021.

    Nëse dëshironi të përdorni AirTag-un e ri dhe të shfrytëzoni rrezen më të gjerë falë çipit Ultra Wideband, si dhe altoparlantin më të fortë për të lokalizuar etiketën që tingëllon, duhet të instaloni iOS 26.2.1.

    Apple njofton se: “Ky përditësim sjell mbështetje për AirTag (gjenerata e dytë) si dhe korrigjime gabimesh.”

    AirTag i ri gjithashtu përmirëson mjetin e mençur Precision Finding, që tregon shigjeta në ekran për të lokalizuar etiketën, duke sjellë këtë funksionalitet, më parë ekskluziv për iPhone, edhe në ekranet më të vogla të modeleve të fundit të Apple Watch.

    Të gjithë iPhone-t, duke përfshirë serinë iPhone 11 dhe më të reja, janë të përputhshëm me iOS 26.2.1. Ju mund të shkoni te aplikacioni Settings > General > Software Update për të kontrolluar nëse ekziston një përditësim për t’u shkarkuar ose instaluar.

    Apple nuk ka dhënë shumë detaje për “korrigjimet e gabimeve” që përfshin ky përditësim, por gjithmonë rekomandohet të instaloni versionin më të fundit të softuerit – edhe nëse nuk keni plan të blini AirTag-un e ri.

    Ndërkohë, përditësime më të mëdha të iOS priten më vonë gjatë këtij viti. Sipas 9to5Mac, iOS 26.3 pritet të sjellë kriptim të plotë end-to-end për mesazhet RCS që dërgohen midis iPhone-ve dhe Android-ëve, një hap i madh drejt zëvendësimit të SMS-ve tradicionale.

    Për shumë vite, mesazhet e dërguara nga Android tek iPhone shfaqeshin si balona jeshile dhe dërgoheshin si SMS. Por së fundmi Apple ka pranuar kompatibilitetin me RCS (Rich Communication Services) për Android, që do të thotë se mesazhet tani dërgohen dhe merren përmes internetit në mënyrë më të sigurt, duke përfshirë mbështetje për foto me rezolucion të lartë dhe tregues të shkrimit.

    Shtimi i kriptimit të plotë është një hap i madh për të zbutur barrierat e komunikimit midis iPhone dhe Android, edhe pse kjo ndryshim është më i dukshëm në SHBA. Në Mbretërinë e Bashkuar, përdorimi i WhatsApp mbulon pjesën më të madhe, por nëse preferoni aplikacionin Messages në iPhone, iOS 26.3 është një përditësim që ia vlen ta prisni.

  • Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të zhdukurit në lumin Mat, edhe FSK-ja në terren

    Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të zhdukurit në lumin Mat, edhe FSK-ja në terren

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji ka njoftuar se Efektivë të B3K të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut së bashku me një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës, po vijojnë pa ndërprerje kërkimet në lumin Mat për gjetjen e trupit të një personi të shpallur të zhdukur pas një aksidenti automobilistik.

    Siç tha Kingji, ky operacion po dëshmon jo vetëm profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, por edhe një frymë e fortë solidariteti e bashkëpunimi.

    “Klos – Efektivë të B3K të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut së bashku me një ekip nga Forca e Sigurisë së Kosovës, po vijojnë pa ndërprerje kërkimet në lumin Mat për gjetjen e trupin e të ndjerit, i zhdukur pas një aksidenti automobilistik. Një operacion që dëshmohet jo vetëm profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, por edhe një frymë e fortë solidariteti e bashkëpunimi duke treguar mbështetje të plotë për familjen në këtë moment të vështirë”, ka shkruar ai.

  • Brenda katër vjetëve u lindën mbi 100 mijë fëmijë në Kosovë

    Brenda katër vjetëve u lindën mbi 100 mijë fëmijë në Kosovë

    Që nga viti 2022 e deri në fund të vitit 2025, në Kosovë kanë lindur 105 mijë e 671 fëmijë. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK).

    Sipas të dhënave të ASK-së në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë lindur gjithsej 27 mijë e 418 fëmijë. Prej tyre 14 mijë e 135 meshkuj dhe 13 mijë e 284 femra.

    Numri i fëmijeve të lindur në vitin 2025 ka pësuar një rritje, krahasuar me një vit më parë, pasi që gjatë vitit 2024 numri i fëmijëve të lindur ishte 26 mijë e 549 fëmijë. Prej tyre 13 mijë e 772 meshkuj dhe 12 mijë e 779 femra.

    E numër më i vogël i lindjeve ishte shënuar në vitin 2023, ku sipas të dhënave të ASK-së në Kosovë kanë lindur 25 mijë e 586 fëmijë. Prej tyre 13 mijë e 229 meshuk dhe 12 mijë e 357 femra.

    Ndërkaq numri i lindjeve në vitin 2022 ishte më i lartë, pais që gjatë këtij viti në Kosovë kanë lindur 26 mijë e 118 fëmijë. Prej tyre 13 mijë e 317 meshkuj dhe 12 mijë e 801 femra.

  • Sukses i papritur! Dokumentari ‘Melania’ kap 7 milionë dollarë

    Sukses i papritur! Dokumentari ‘Melania’ kap 7 milionë dollarë

    Dokumentari i Zonjës së Parë, “Melania”, grumbulloi 7.04 milionë dollarë gjatë fundjavës, duke tejkaluar pritshmëritë dhe duke shënuar fitimin më të madhe për një film në dhjetë vitet e fundit, sipas Deadline.

    Ky debutim tejkaloi rekordin e mëparshëm, të mbajtur nga filmi i vitit 2023, “After Death”, i cili kishte hapur me 5 milionë dollarë.

    Fitorja është edhe më e rëndësishme duke marrë parasysh se parashikimet fillestare ishin më modeste, disa analiza prisnin që filmi të fitonte midis 3 dhe 5 milionë dollarëve, ndërsa disa parashikime ishin edhe më të ulëta.

    “Melania” pati premierën të enjten në Qendrën Kennedy, përpara publikimit në kinema të premten.

    Filmi mbështetet nga një marrëveshje e raportuar prej 40 milionë dollarësh me Amazon MGM Studios, dhe një fushatë marketingu prej 35 milionë dollarësh.

    Dokumentari ofron pamje të përzgjedhura nga jeta e Melanias në javët përpara inaugurimit të dytë të Presidentit Donald Trump në janar 2025.

    Filmi shënon kthimin e regjisorit Brett Ratner në ekranin e madh, pas disa viteve largimit nga Hollywood-i pas disa akuzave për ngacmime seksuale gjatë lëvizjes #MeToo.

  • Egjipti ndalon Roblox-in për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e fëmijëve

    Egjipti ndalon Roblox-in për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e fëmijëve

    Autoritetet egjiptiane kanë vendosur zyrtarisht të bllokojnë platformën e njohur të lojërave online Roblox, duke argumentuar se ajo përmban përmbajtje që mund të ketë ndikim negativ te fëmijët. Vendimi është raportuar nga disa media vendore në Egjipt.

    Essam al-Amir, nënkryetar i Këshillit Suprem për Rregullimin e Medias, konfirmoi se është marrë një vendim për ndalimin e kësaj loje elektronike, e cila gëzon popullaritet të madh sidomos mes përdoruesve të rinj.

    Deklarata e tij u bë gjatë një seance të Senatit, ku u diskutuan rreziqet që lidhen me përdorimin e telefonave inteligjentë dhe aplikacioneve dixhitale nga fëmijët, sipas gazetës egjiptiane Youm7.

    Al-Amir theksoi se këshilli kishte rekomanduar masa ndaj faqeve dhe platformave që promovojnë sjellje të devijuara ose që kontribuojnë në përhapjen e tyre, si dhe ndaj lojërave elektronike që nxisin dhunën.

    Ai shtoi se institucioni që ai përfaqëson po bashkëpunon me Autoritetin Kombëtar Rregullator të Telekomunikacionit për të zbatuar procedurat teknike të nevojshme për realizimin e bllokimit.

    Vendimi i Egjiptit pason hapa të ngjashëm të ndërmarrë nga vende të tjera të rajonit. Gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2025, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Katari dhe Omani vendosën kufizime ndaj Roblox-it, pas paralajmërimeve për rreziqe të mundshme për fëmijët.

    Edhe në nivel ndërkombëtar, platforma ka qenë nën vëzhgim të shtuar. Në gusht të vitit 2025, shteti amerikan i Luizianës ngriti një padi ndaj Roblox-it, duke e akuzuar për “lehtësimin e shfrytëzimit të fëmijëve”. Kompania i mohoi akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta, sipas BBC-së.

    Roblox është një platformë falas lojërash interaktive, e krijuar afro dy dekada më parë, e cila ka fituar popullaritet të madh mes fëmijëve dhe adoleshentëve në mbarë botën.

    Ajo u ofron përdoruesve mundësinë të krijojnë dhe dizajnojnë botë virtuale përmes mjeteve të thjeshta të programimit, të ndërmarrin aventura, të luajnë së bashku me të tjerët dhe të komunikojnë në kohë reale pa kufij gjeografikë.

    Sipas një raporti të publikuar në maj të vitit 2025 nga gazeta britanike The Guardian, Roblox numëron rreth 85 milionë përdorues aktivë, nga të cilët rreth 40 për qind janë nën moshën 13-vjeçare.