ATV

Blog

  • Lista Serbe ankohet në PZAP pasi nuk iu miratua lista e kandidatëve nga KQZ

    Lista Serbe ankohet në PZAP pasi nuk iu miratua lista e kandidatëve nga KQZ

    Dy ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lista Serbe ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të këtij institucioni për mosmiratimin e listës së kandidatëve të saj.

    Në një deklaratë për media, Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe, e ka cilësuar vendimin si “të paligjshëm, anti-serb dhe diskriminues” dhe ka thënë se KQZ-ja ka mohuar “42.759 vota të serbëve”, duke u munduar të pengojë komunitetin serb të zgjedhë përfaqësuesit e tij.

    “Presim që PZAP-ja ta shfuqizojë vendimin e turpshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të marrë një vendim në përputhje me ligjin, me ç’rast do të mbrojë të drejtat e popullit serb, ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, tha Simiq.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se është duke ndjekur këto zhvillime dhe ka theksuar nevojën për “përputhje të plotë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, veçanërisht publikimin transparent dhe të plotë të rezultateve zgjedhore”.

    Gjatë fundjavës, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka dënuar gjithashtu vendimin e KQZ-së, duke e cilësuar si një sulm të ri ndaj të drejtave politike të popullit serb në Kosovë.

    Ai tha se heqja e të drejtës së votës së serbëve nuk duhet të jetë praktikë dhe se Serbia do të insistojë bashkë me partnerët ndërkombëtarë për respektimin e të drejtave politike dhe elektorale të komunitetit serb.

    KQZ-ja kishte përfunduar të premten procesin e rinumërimit të votave, i cili u krye pas dyshimeve për manipulime gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.

    Pas rinumërimit, disa vota ndryshuan deri në 6 mijë për një kandidat, por rezultatet për partitë nuk u prekën.

    Anëtarët e KQZ-së i miratuan listat e kandidatëve të të gjitha partive përveç Listës Serbe, ku tre anëtarë votuan për, dy kundër (nga Lëvizja Vetëvendosje) dhe të tjerët abstenuan.

    Sipas KQZ-së, rezultatet përfundimtare janë:

    Lëvizja Vetëvendosje: 51.10% të votave, 57 ulëse

    Partia Demokratike e Kosovës: 20.19%, 22 ulëse

    Lidhja Demokratike e Kosovës: 13.24%, 15 ulëse

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 5.50%, 6 ulëse

    Nga ulëset e rezervuara për komunitetin serb, Lista Serbe fitoi nëntë ulëse dhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë një ulëse.

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar shpalljen e rezultateve “të pjesshme” dhe veprimet e KQZ-së, duke thënë se situata nuk mund të zgjidhet me votim politik brenda institucionit dhe se vendimi për mosmiratimin e Listës Serbe është i pakuptimtë. /REL/

  • Dion Gallapeni në radarin e klubit italian Bologna

    Dion Gallapeni në radarin e klubit italian Bologna

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës Dion Gallapeni po shkëlqen me skuadrën polake Widzew Lodz.

    Mediat italiane raportojnë se klubi nga Serie A Bologna ka shprehur interesim për Gallapenin,dhe klubi italian synon ta transferojë gjatë afatit kalimtar veror.

    Përndryshe klubi polak nuk ka lejuar që Gallapeni të largohet në janar,kjo pasi reprezentuesi dardan konsiderohet si një lojtar tejet i rëndësishmë për Widzew Lodz sidomos në repartin e krahut të majtë të mbrojtjes.

    Në anën tjetr polakët për ta lënë të lirë Gallapenin po kërkojnë rreth 8 milionë euro,shumë kjo e përballueshme për Bolognan si dhe poashtu edhe për klube të tjera që synojnë të sigurojnë shërbimet e reprezentuesit dardan.

    Kujtojmë që Dion Gallapeni është shëndrruar në një nga lojtarët kryesorë tek skuadra e Widzew Lodz që prej transferimit nga FC Prishtina verën e kaluar,kurse në 10 ndeshje të zhvilluara deri më tani ka arritur të shënoj vetëm 1 gol.

  • Jahjaga merr pjesë në konferencën përtolerancë globale në Abu Dhabi

    Jahjaga merr pjesë në konferencën përtolerancë globale në Abu Dhabi

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me ftesë të Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, mori pjesë në Konferencën për Tolerancë Globale dhe Vëllazëri Njerëzore, ku mbajti një fjalë rasti me temën “Vëllazëria Njerëzore në Epokën e Inteligjencës Artificiale.”

    “Abu Dhabi është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme të dialogut global, reflektimit dhe bashkëpunimit, ku inovacioni dhe ambicia ecin paralelisht me vlerat njerëzore. Andaj, duke u bazuar në përvojën time personale dhe në rrugëtimin e Kosovës — nga një shoqëri e shtypur drejt një demokracie ambicioze që feston diversitetin — theksova se ndryshimet e shpejta globale dhe përparimi teknologjik duhet t’i shërbejnë gjithmonë zhvillimit njerëzor, dinjitetit dhe drejtësisë”, ka shkruar ajo në Facebook’.

    Sipas saj, Inteligjenca artificiale dhe teknologjia mund të jenë mjete të fuqishme për të mirën e përbashkët, por ato nuk mund të zëvendësojnë dialogun, empatinë, përgjegjësinë morale dhe guximin njerëzor për të zgjedhur atë që është e drejtë.

    “Ngjarje si kjo konferencë janë thelbësore për të reflektuar jo vetëm mbi atë që teknologjia mund të bëjë, por edhe mbi mënyrën se si ajo përdoret, kë shërben dhe çfarë të ardhmeje po ndërtojmë. Vetëm duke e lidhur inovacionin me vlerat themelore të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, mund të sigurohemi se përparimi i shërben vërtet njerëzimit. Po ashtu, vetëm duke ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet e mira me shtetet mike, mund të sigurojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë për qytetarët tanë”, tha ajo.

  • Mozaiku i Tiranës në garë për çmimin prestigjioz të ArchDaily për vitin 2026

    Mozaiku i Tiranës në garë për çmimin prestigjioz të ArchDaily për vitin 2026

    Mozaiku i Tiranës është përzgjedhur si një nga të nominuarit për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”, i ndarë nga revista prestigjioze ndërkombëtare e arkitekturës, ArchDaily.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se ky nominim e vendos Tiranën në hartën botërore të arkitekturës bashkëkohore.

    Sipas Gonxhes, Mozaiku i Tiranës përfaqëson një shembull të suksesshëm të bashkëjetesës mes trashëgimisë historike dhe arkitekturës moderne.

    “Ky monument është një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, raporton KosovaPress.

    Mozaiku i Tiranës daton që nga shekulli i tretë dhe është zbuluar gjatë viteve ’70 të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për ndërtimin e një kompleksi banesor.

    Sot, kjo hapësirë funksionon si një ambient modern ekspozimi, i dedikuar prezantimit të mozaikëve më të rëndësishëm, duke u shndërruar gradualisht në një destinacion të rëndësishëm kulturor për kryeqytetin.

    Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative të dedikuara për fëmijë dhe të rinj, Mozaiku i Tiranës ofron një qasje të re bashkëkohore në interpretimin e trashëgimisë arkeologjike shqiptare, shkruan ATSH, transmeton KosovaPress.

    Përveç vlerës historike, godina shërben edhe si një pikë informative vizuale, duke pasqyruar pasurinë e madhe të mozaikëve që gjenden në nëntokën arkeologjike të Shqipërisë

  • Abdixhiku reagon pas rizgjedhjes në krye të LDK-së: Ecim bashkë për një fillim të ri

    Abdixhiku reagon pas rizgjedhjes në krye të LDK-së: Ecim bashkë për një fillim të ri

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rizgjedhjes së tij në krye të partisë, duke falënderuar delegatët dhe strukturat e LDK-së për besimin e dhënë.

    Përmes një statusi të shoqëruar me një video nga Kuvendi i Punës së LDK-së, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e vullnetit, durimit dhe demokracisë së brendshme në parti.

    “Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj. Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër; dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani!”, ka shkruar Abdixhiku.

    Rizgjedhja e Abdixhikut në krye të LDK-së vjen pas mbajtjes së Kuvendit të Punës së partisë, ku ai mori mbështetjen për të vazhduar drejtimin e partisë edhe në mandatin e ardhshëm.

  • Manipulimi me vota në Podujevë, Prokuroria e autorizon policinë të mbledhë prova

    Manipulimi me vota në Podujevë, Prokuroria e autorizon policinë të mbledhë prova

    Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të mbledhë prova lidhur me dyshimet për manipulimin me vota.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka autorizuar Policnë e Kosovës, respektivisht, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të Drejtave të Votimit.”

    Sipas njoftimit, gjatë numërimit ka pasur “dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.”.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre qe bien ndesh me ligjin.”

  • Haxhiu dorëzon dy ankesa në PZAP: Nuk kërkoj privilegj, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit

    Haxhiu dorëzon dy ankesa në PZAP: Nuk kërkoj privilegj, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit

    Ish deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu dhe njëherit kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka dorëzuar dy ankesa në PZAP.

    Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ankesat kanë të bëjnë me fletëvotimet me postë nga votimi jashtë Kosovës dhe llogaritja e gabuar e rezultatit përfundimar.

    “Sot kam dorëzuar dy ankesa zyrtare në PZAP kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Ankesat lidhen me: 1. Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme; 2. Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025. Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

    Tutje ai ka shkruar se asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën.

    “Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.

  • “Shatërvani i Trevit” nuk do të jetë më falas, bashkia e Romës vendos biletë 2 euro për të frenuar turistët

    “Shatërvani i Trevit” nuk do të jetë më falas, bashkia e Romës vendos biletë 2 euro për të frenuar turistët

    Shatërvani i Trevit, një nga simbolet më të njohura të Romës dhe një ndalesë e domosdoshme për çdo turist, nuk do të jetë më plotësisht falas për t’u vizituar nga afër.

    Duke nisur nga e hëna, 2 shkurt, autoritetet italiane do të aplikojnë një biletë prej 2 eurosh për aksesin pranë monumentit, me qëllim menaxhimin e fluksit të madh të vizitorëve.

    Vendimi vjen në një kohë kur Roma, ashtu si Venecia dhe Firence, po përballet me rekorde vizitorësh, duke shkaktuar mbipopullim, rrugë të bllokuara dhe vështirësi për banorët vendas.

    Shatërvani i Trevit tërheq çdo ditë dhjetëra mijëra turistë për foto dhe për hedhjen tradicionale të monedhave, duke e kthyer zonën përreth në një hapësirë shpesh kaotike.

    Sipas autoriteteve të qytetit, tarifa synon të përmirësojë cilësinë e vizitës dhe sigurinë.

    “Qëllimi është të përmirësojmë përvojën e vizitorëve dhe përdorimin e trashëgimisë sonë kulturore, duke luftuar njëkohësisht mbipopullimin”, deklaroi kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri.

    Bileta prej 2 eurosh do të vlejë për aksesin në shtegun e ngushtë pranë ujit, ndërsa sheshi i madh përpara shatërvanit do të mbetet i hapur falas për të gjithë. Sistemi i ri do të zbatohet shumicën e ditëve nga ora 09:00 deri në 22:00, ndërsa të hënave dhe të premteve nga ora 11:30 deri në 22:00.

    Biletat do të mund të blihen paraprakisht online ose në vend, vetëm me kartë krediti. Do të krijohen dy radhë të ndara për vizitorët me bileta të parablera dhe për ata që blejnë në vend, ndërsa hyrja do të kontrollohet nga kujdestarë.

    Për më shumë se një vit, numri i vizitorëve pranë shatërvanit ka qenë i kufizuar në maksimum 400 persona në të njëjtën kohë, megjithatë qyteti raporton se deri në 30 mijë persona e vizitojnë çdo ditë dhe deri në 70 mijë në ditë me fluks të lartë.

    Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në qytete të tjera italiane. Venecia ka futur tarifë për turistët ditorë dhe pritet ta aplikojë sërish këtë verë, në përpjekje për të kontrolluar mbiturizmin.

  • Ushqime të shëndetshme që mund t’i konsumoni edhe gjatë dietës

    Ushqime të shëndetshme që mund t’i konsumoni edhe gjatë dietës

    Shumë persona lodhen nga dietat strikte, të cilat shpesh i detyrojnë të heqin dorë nga ushqimet që i pëlqejnë më së shumti. Megjithatë, nuk është e nevojshme që të privoheni plotësisht nga ushqimi për të mbajtur peshën nën kontroll.

    Ekzistojnë disa ushqime që mund t’i konsumoni pa ndjenja faji, pasi kanë pak kalori dhe ofrojnë vlera të rëndësishme ushqyese. Këto produkte janë ideale për t’u mbajtur gjithmonë në frigorifer, veçanërisht për momentet kur ndjeni uri të shtuar ose dëshironi një snack të shëndetshëm.

    Boronicat
    Boronicat janë të pasura me antioksidantë dhe përmbajnë vetëm rreth 85 kalori, duke mos ndikuar në shtimin e peshës. Ato mund të konsumohen të kombinuara me jogurt ose me pak lëng limoni për shije më të freskët.

    Të bardhët e vezëve
    Të bardhët e vezëve janë një burim i shkëlqyer proteinash dhe kanë vetëm 17 kalori. Për këtë arsye, mund të përdoren lirshëm në dietë pa frikë për kaloritë e tepërta.

    Portokajtë
    Portokalli nuk duhet të konsumohet vetëm në formë lëngu. Ai është i pasur me fibra, vitaminë C, vitaminë B12 dhe minerale të rëndësishme si acidi folik. Një portokall me madhësi mesatare përmban rreth 62 kalori.

    Patatja e ëmbël
    Patatja e ëmbël konsiderohet një ndër ushqimet më të vlefshme për organizmin. Ajo është e pasur me beta-karoten, i cili në trup shndërrohet në vitaminë A. Një patate e ëmbël mesatare përmban afërsisht 112 kalori dhe ofron ndjenjë ngopjeje për një kohë më të gjatë.

  • Laura Fernandez shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale në Kosta Rikë

    Laura Fernandez shpall fitoren në zgjedhjet presidenciale në Kosta Rikë

    Kandidatja e djathtë Laura Fernandez ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale të Kosta Rikës, pasi rezultatet paraprake i dhanë një epërsi të qartë dhe kundërshtari i saj kryesor pranoi humbjen.

    Sipas Tribunalit Suprem Zgjedhor, me 81 për qind të votave të numëruara, kandidatja e Partisë së Popullit Sovran ka siguruar 48.9 për qind të votave, mbi pragun prej 40 për qind të nevojshëm për të shmangur balotazhin,

    Në fjalimin e fitores në kryeqytetin San Hoze, Fernandez deklaroi se vendi po hyn në një epokë të re politike, duke premtuar ndryshime të thella dhe të pakthyeshme dhe respektim të sundimit të ligjit.

    Rivali i saj më i afërt, ekonomisti Alvaro Ramos nga Partia e Çlirimit Kombëtar, mori rreth 33 për qind të votave dhe pranoi humbjen, duke u zotuar për një opozitë konstruktive.

    Në vendin e tretë u rendit Claudia Dobles me rreth 5 për qind.

    Fernandez, pasardhëse e zgjedhur e presidentit aktual Rodrigo Chaves, ka bërë fushatë me theks në politikat e ashpra të sigurisë, përfshirë ndërtimin e një burgu të sigurisë së lartë dhe dënime më të rënda penale.