ATV

Blog

  • Komisioni Evropian propozon paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

    Komisioni Evropian propozon paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

    Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të 20-të sanksionesh kundër Rusisë që synojnë energjinë, shërbimet financiare dhe tregtinë, me qëllim miratimin e saj para përvjetorit të katërt të luftës, më 22 shkurt.

    “Komisioni po propozon një paketë të re sanksionesh, të 20-tat që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës”, tha Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

    Kufizime në sektorin e naftës dhe energjisë në Rusi

    Paketa e re propozon një ndalim të plotë të shërbimeve detare për transportin e naftës bruto ruse me qëllim uljen e mëtejshme të të ardhurave nga shitja e produkteve energjetike dhe vështirësimin e gjetjes së blerësve për naftën ruse.

    “Meqenëse transporti detar është një biznes global, ne propozojmë që ky ndalim i plotë të miratohet në koordinim me vendet me të njëjtat mendime pas vendimit të G7”, tha Presidentja e Komisionit.

    Paketa e re përfshin shtimin e 43 anijeve të tjera nga e ashtuquajtura flotë në hije e Rusisë në listën e anijeve të sanksionuara. Numri i përgjithshëm i anijeve të tilla, të cilat Rusia i përdor për të anashkaluar sanksionet, tani rritet në 640. Ajo gjithashtu propozon masa për ta bërë më të vështirë për Rusinë të sigurojë cisterna për flotën në hije, dhe një ndalim gjithëpërfshirës për ofrimin e mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera për cisternat e LNG-së dhe akullthyeset.

    Kufizimet në sistemin financiar rus

    Pjesa e dytë e sanksioneve ka të bëjë me masat për të kufizuar sistemin bankar rus dhe aftësinë e tij për të krijuar kanale alternative pagesash për të financuar aktivitetin ekonomik. 20 banka të tjera rajonale ruse i shtohen listës së sanksionuar, si dhe disa banka në vende të treta të përfshira në lehtësimin e tregtisë së paligjshme të mallrave të sanksionuara.

    Gjithashtu propozohen masa kundër kriptovalutave, kompanive që i tregtojnë ato dhe platformave që mundësojnë tregtimin e kriptovalutave për ta bërë më të vështirë anashkalimin e sanksioneve.

    Kufizimet e importit dhe eksportit

    Pjesa e tretë e paketës së re të sanksioneve i referohet masave që shtrëngojnë kufizimet në eksportin e mallrave dhe shërbimeve në Rusi – nga gomat te traktorët dhe shërbimet e sigurisë kibernetike.

    Gjithashtu propozohet një ndalim i ri për importin e metaleve, kimikateve dhe mineraleve kritike, të cilat ende nuk janë nën sanksione, si dhe kufizime të mëtejshme për eksportin e artikujve dhe teknologjive të përdorura për përpjekjet e Rusisë në fushën e betejës, të tilla si materialet e përdorura për prodhimin e eksplozivëve.

    Presidenti i Komisionit u bën thirrje shteteve anëtare që ta miratojnë këtë paketë sanksionesh sa më shpejt të jetë e mundur “në mënyrë që të dërgohet një sinjal i fortë në prag të përvjetorit të zymtë të katërt të kësaj lufte”.

    Von der Leyen thotë se të ardhurat fiskale të Rusisë nga nafta dhe gazi ranë me 24 përqind në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar, niveli më i ulët që nga viti 2020.

    “Të ardhurat nga nafta dhe gazi në janar do të jenë më të ulëtat që nga fillimi i luftës. Kjo konfirmon atë që e dinim tashmë – se sanksionet tona po funksionojnë dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato derisa Rusia të fillojë negociata serioze me Ukrainën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha von der Leyen.

  • Abdixhiku pret në takim ambasadorin gjerman, theksohet nevoja urgjente për stabilitet politik

    Abdixhiku pret në takim ambasadorin gjerman, theksohet nevoja urgjente për stabilitet politik

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën paszgjedhore.

    Gjatë takimit, Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rudolph me qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me rrethanat politike aktuale, duke theksuar domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, stabile dhe funksionale.

    Kryetari i LDK-së vuri në pah nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar se qytetarët presin një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale.

    “Po ashtu, kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj, duke e cilësuar Gjermaninë si një partnere kyçe dhe aleate të rëndësishme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Piranjat sulmojnë pushuesit në një plazh në Argjentinë, 40 të lënduar

    Piranjat sulmojnë pushuesit në një plazh në Argjentinë, 40 të lënduar

    Sulme masive nga piranjat janë regjistruar në një plazh në Argjentinë, duke shkaktuar shqetësim tek autoritetet.

    Sipas mediave vendase, incidentet ndodhën pranë qytetit të Victorias, në provincën e Entre Rios. Dhjetëra persona mësohet se hynë në ujë për t’u freskuar për shkak të temperaturave të larta.

    Më shumë se 40 persona pësuan lëndime në krahë dhe këmbë, ndërsa një burri iu amputua krahu. Sipas autoriteteve lëndimet varionin nga kafshime të thella deri në humbjen e një gishti.

    Fëmijët dhe të rriturit u dërguan në spitalin lokal, të gjithë me plagë nga dhëmbët e mprehtë të peshkut, ndërsa incidente të reja ndodhën gjatë së hënës me të paktën pesë të plagosur të tjerë.

    Rojet bregdetare ngritën flamuj të kuq dhe urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të plazhit, duke paralajmëruar për rrezik.

  • Ndërrim komandash në Task Forcën amerikane të Aviacionit në KFOR, ambasada e ShBA-së jep detaje

    Ndërrim komandash në Task Forcën amerikane të Aviacionit në KFOR, ambasada e ShBA-së jep detaje

    Ambasada Amerikane ka njoftuar se i Ngarkuari me Punë, Josh Peterson, mori pjesë të premten në ceremoninë e Transferimit të Autoritetit të Aviacionit të Task Forcës së KFOR-it, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Ambasada bëri të ditur se falënderime iu shprehën komandantit në largim, nënkolonel Snook, dhe Task Forcës Griffin, për shërbimin dhe kontributin e tyre të përkushtuar në ruajtjen e sigurisë në Kosovë.

    Po ashtu, u mirëprit komandanti i ardhshëm, nënkolonel Bryant, dhe Task Forca Blackjack, të cilët marrin përgjegjësinë për mbështetjen e aviacionit të KFOR-it, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

  • Ndihmëstrajneri i Hoffenheimit me fjalë të mira për Fisnik Asllanin

    Ndihmëstrajneri i Hoffenheimit me fjalë të mira për Fisnik Asllanin

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Fisnik Asllani është duke kaluar një sezon mjaft të mirë tek ekipi gjerman Hoffenheim.

    Kjo formë e mirë e Asllanit nuk u kalua pa u vërejtur edhe nga shumë klube në Evropë,të cilat dëshirojnë të kenë shërbimet e sulmuesit dardan.

    Përndryshe ndihmëstrajneri i Hoffenheimit Moritz Volz ka thurur lavde për Asllanin,duke thënë se është kënaqësi ta shohësh jo vetëm në fushë por edhe në stërvitje.

    Ndërkohë ai ka folur edhe për interesimet e klubeve për Asllanin,duke shtuar se prioritet për të është të ketë një sezon të mirë në Bundesligë.

    Kujtojmë që Fisnik Asllani në 21 ndeshje ka shënuar 7 gola e bëri 4 asistime për Hoffenheimin këtë sezon.

  • Sandro Tonali objektivi i Juventus për merkaton e verës

    Sandro Tonali objektivi i Juventus për merkaton e verës

    Gjiganti italian Juventus po synon që gjatë verës të bëjë ndryshime në repartin e mesfushës gjatë verës.

    Sipas “Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër e kanë vënë objektiv mesfushorin e Neëcastle United Sandro Tonali,dhe se italiani dëshiron që të rikthehet në Serie A.

    Përndryshe tek Juve vetëdijshëm se një operacion i tillë do të kërkonte një investim të konsiderueshëm financiar,ndërkohë kjo varet se nëse Neëcastle United kualifikohet në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.

    Në anën tjetër nëse larasakat nuk sigurojnë Championsin në fund të këtij sezoni atëherë Tonali do të largihet,dhe ekziston mundësia që ajo të detyrohet të shesë një nga yjet e saj për të respektuar rregullat e Fair Play-it Financiar për të hapur kështu derën për një rikthim të Tonalit në Serie A.

  • Truku i thjeshtë me dy përbërës që largon erën e keqe nga lavamani

    Truku i thjeshtë me dy përbërës që largon erën e keqe nga lavamani

    Edhe kur kuzhina duket e pastër, lavamani mund të jetë burimi i erërave të pakëndshme. Tubat e shkarkimit grumbullojnë yndyrë, mbetje ushqimi, qime dhe sapun, që krijojnë kushtet ideale për myk dhe baktere.

    Pastruesi profesionist Jason (@jason.cleans) sugjeron një zgjidhje të thjeshtë me dy përbërës që gjenden në çdo shtëpi: sodë buke dhe uthull të bardhë.

    Si ta bëni:

    1. Hidhni ujë të nxehtë në tub për të shkrirë yndyrën dhe papastërtitë.

    2. Hidhni gjysmë filxhani sodë buke në tub.

    3. Shtoni një filxhan uthull të bardhë dhe lini të veprojë 10–15 minuta.

    4. Shpëlani me ujë të nxehtë.

    Jason rekomandon ta bëni këtë procedurë një herë në muaj për të mbajtur lavamanin dhe kuzhinën freskët.

    Ekspertët e Plumbworld shtojnë se erërat mund të vijnë edhe nga uji i mbetur në pjesën U të lavamanit ose nga mbetje të vogla ushqimi dhe yndyra në sipërfaqe. Një pastrim i thellë me sodë buke dhe uthull ndihmon për të eliminuar këto burime të erës.

  • Si ndikon pirja e ujit në rregullimin e tensionit të gjakut

    Si ndikon pirja e ujit në rregullimin e tensionit të gjakut

    Menaxhimi i tensionit të gjakut është kyç për një jetë të shëndetshme dhe të gjatë. Tensioni i lartë i gjakut, nëse zgjat për një kohë të gjatë, rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe mund të dëmtojë organe jetike, përfshirë zemrën.

    Ky problem shpesh zhvillohet ngadalë dhe pa simptoma, ndaj quhet edhe “vrasësi i heshtur”. Sipas Institutit Kombëtar të Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut, rreth gjysma e amerikanëve kanë tension të lartë, por shumë prej tyre nuk e dinë këtë.

    Ushqyerja luan një rol të rëndësishëm, duke përfshirë shmangien e pijeve të gazuara, alkoolit, mishrave me yndyrë dhe ushqimeve me shumë kripë, si dhe konsumimin e frutave, perimeve, drithërave integrale, proteinave bimore, mishit pa yndyrë dhe yndyrave të shëndetshme. Por një faktor shpesh i nënvlerësuar është pirja e ujit.

    Si ndikon ujit në tensionin e gjakut:

    • Hidratimi i mirë ndihmon zemrën të mos lodhet dhe lehtëson qarkullimin e gjakut.

    • Përmirëson funksionin e veshkave dhe ekuilibrin e elektroliteve, të rëndësishme për shëndetin kardiovaskular.

    • Zvogëlon rrezikun e mpiksjes së gjakut, duke lehtësuar rrjedhjen dhe ulur tensionin.

    Personat me sëmundje të zemrës, diabet, ose mbi moshën 50 vjeç duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj hidratimit. Një mënyrë e thjeshtë për të kontrolluar është ngjyra e urinës: e verdhë e hapur tregon hidratim të mirë, ndërsa e errët tregon nevojën për më shumë ujë.

    Si ndikon dehidratimi:

    • Ngadalëson qarkullimin e gjakut dhe zvogëlon oksigjenin për organet, duke shkaktuar marramendje ose dobësi.

    • Ul përkohësisht tensionin, por e detyron zemrën të rrahë më shpejt dhe ngushton enët e gjakut, gjë që rrit tensionin.

    • Në raste të rënda, mungesa e ujit aktivizon hormone që mbajnë kripë dhe lëngje, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të tensionit.

    Pirja e ujit është një zakon i thjeshtë, por jetik për shëndetin e zemrës dhe për kontrollin e tensionit të gjakut. Hidratimi i duhur është një pjesë kyçe e kujdesit për trupin dhe parandalimit të komplikimeve.

  • Tacchinardi kritikon Zhegrovën pas humbjes së Juventusit ndaj Atalantës

    Tacchinardi kritikon Zhegrovën pas humbjes së Juventusit ndaj Atalantës

    Ish-mesfushori i Juventusit, Alessio Tacchinardi, ka kritikuar Edon Zhegrovën pas humbjes 3-0 të Juventusit ndaj Atalantës në Kupën e Italisë të enjten.

    Përveç Zhegrovës, Tacchinardi i ka dhënë kritika edhe lojtarëve Teun Koopmeiners dhe Lois Openda. “Koopmeiners, Openda dhe Zhegrova nuk po japin asgjë, por i duhen Spallettit para muajit shumë të vështirë,” tha ai në një intervistë për “SportMediaset”.

    Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka theksuar pas ndeshjes se lojtarët e tij shpesh morën vendime të gabuara gjatë lojës.

    Tacchinardi shtoi: “Rezultati ishte shumë i rëndë për Juventusin, pasi ekipi luajti mirë dhe krijoi shumë shanse, veçanërisht para penalltisë që për mua nuk ekzistoi. Juventus luan futboll të mirë, por e pagoi shtrenjtë çmimin pasi nuk arriti të finalizonte sulmet.”

    Në Serie A, Juventus do të përballet së pari me Lazion të dielën, ndërsa më pas do të jetë mysafir te Interi.

  • Besiane Musmurati në Parlamentin Evropian: Shqetësim për rritjen e tendencave autoritare në Kosovë

    Besiane Musmurati në Parlamentin Evropian: Shqetësim për rritjen e tendencave autoritare në Kosovë

    Gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian, në konferencën e organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe, Besiane Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur shqetësime për “nevojën e monitorimit të rreptë të tendencave autoritare” të qeverisë aktuale në Kosovë.

    “Po instalohet një mendësi qeverisëse e rrezikshme në vend,” tha Musmurati, duke përmendur disa problematika kryesore:

    • Minimi i rendit kushtetues: “Më shumë se 15 shkelje të Kushtetutës tregojnë qartë synimin për të shndërruar institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore në vegla për përndjekjen e kundërshtarëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile.”

    • Liria e medias në rënie: “Sulmet sistematike ndaj gazetarëve dhe përpjekjet për mbylljen e mediave na kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike sipas raportimeve të ‘Reporters Without Borders’.”

    • Presioni mbi gjyqësorin: “Ndërhyrjet direkte dhe linçimet publike ndaj prokurorëve e gjyqtarëve po cenojnë rëndë shtyllën e shtetit të së drejtës.”

    Musmurati theksoi se “Republika e Kosovës është arritja jonë më e madhe historike. Liria brenda saj është po aq e shenjtë sa liria e vetë shtetit. Rruga jonë është ajo e vlerave perëndimore dhe e lirisë, jo e autoritarizmit.”