ATV

Blog

  • Fatmir Spahiu ka dilema për rastin e dhunës në shkollë: Ka skena që i mungojnë totalit!

    Fatmir Spahiu ka dilema për rastin e dhunës në shkollë: Ka skena që i mungojnë totalit!

    Aktori, Fatmir Spahiu ka reaguar pas rastit të dhunës së një profesori ndaj një nxënësi në Prishtinë, duke e cilësuar atë të denueshme nga ligji, rregulloret dhe morali.

    Ai ka theksuar se barra e vetëkontrollit i takon mësimdhënësit dhe se çdo rast i tillë duhet të trajtohet sipas ligjit.

    Megjithatë, Spahiu shprehet se problemi është më i gjerë:

    “Po rrisim brez te frikshem, me doren tone! Ka shume faktor. Nuk po i numerojme sot se i kemi numeru ne te kaluaren masivisht. Femijet jane e ardhmja, jane yje qe po ju humbisim shkelqimin me doren tone, me doren e shoqerise! Jemi ne krize!”, ka shkruar mes tjerash ai.

    Ai shton se mesimdhënësit dhe mësimnxënësit po përballen me sfida të mëdha, ndërsa thekson nevojën për reflektim dhe përkujdesje ndaj fëmijëve si pjesë e shoqërisë.

  • Prokuroria e Hagës: Jakup Krasniqi s’ishte thjesht zëdhënës në UÇK

    Prokuroria e Hagës: Jakup Krasniqi s’ishte thjesht zëdhënës në UÇK

    Prokurori i Hagës, Matthew Howling po vazhdon me fjalët përmbyllëse, tani për Jakup Krasniqin.

    Ai pretendon se Krasniqi nuk ishte thjesht zëdhënës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    “At që ka bërë, i përket më shumë sesa i një zëdhënësi. Në librin e tij, Krasniqi e pranon që i ka shkruar rregullat për UÇK-në”, tha Howling.

    Siç thotë Howling, Krasniqi nuk ishte thjeshtë përçues i mesazheve, por, sipas tij, ai ishte pjesë e po atyre mesazheve.

    “Ishte nevoja e nënshkrimeve të Krasniqit për të ecur para me planet e tyre”, tha tutje prokurori.

  • Koci lajmërohet nga Serbia për rastin e Mithat Lozhanit, ka një kërkesë për Kurtin e Osmanin

    Koci lajmërohet nga Serbia për rastin e Mithat Lozhanit, ka një kërkesë për Kurtin e Osmanin

    Avokati Arianit Koci ka reaguar pasi BE tha se arrestimi nga Serbia i veteranit të UÇK’së është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.

    Ai ka ftuar Kurtin dhe Osmanin të reagojnë.

    “Ftoj Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti të reagojnë pas konstatimit zyrtar të bërë dje nga Komisioni Evropian – se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015.”

    Koci ka thënë se Serbia nuk ka të drejtë të arrestojë asnjë ushtar të UÇK-së për vepra të pretenduara të kryera në Kosovë.

    “Prandaj, arrestimet dhe ndjekjet penale ndaj shtetasve të Kosovës, pa kërkesë të institucioneve tona, bien ndesh me obligimet e pranuara në kuadër të dialogut.”

    Ai ka bërë të ditur se është në Serbi për rastin e arrestimin e Mithat Lozhanit.

    “Sidoqoftë, mos kaloni nëpër Serbi, nëse keni qenë pjestarë i UÇK-së, apo i organeve të Sigurisë së Kosovës.”

  • “720 euro për bursistë”, Peci: Komuna e Mitrovicës mbështetë 350 studentë

    “720 euro për bursistë”, Peci: Komuna e Mitrovicës mbështetë 350 studentë

    Komuna e Mitrovicës ka mbështetur 350 studentë bursistë me nga 720 euro.

    Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, kryetari i kësaj komune, Faton Peci.

    Sipas tij, komuna ka rritur mbështetjen mujore të bursistëve.

    “Përveç që kemi rritur mbështetjen mujore të bursistëve, gjithashtu kemi rritur edhe numrin e studentëve përfitues. Rritja e mbështetjes në arsim është një prej prioriteteve tona që do të vazhdojë edhe në forma të tjera”, ka shkruar Peci.

  • Jose Mourinho pritet të bëhet trajner i Portugalisë

    Jose Mourinho pritet të bëhet trajner i Portugalisë

    Jose Mourinho thuhet se do të jetë trajner i ri i Kombëtares së Portugalisë, duke pasuar Roberto Martinezin pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

    Sipas mediumit ESPN, Portugalia është gati t’i drejtohet trajnerit të Benficas, Mourinho, për rolin e trajnerit kryesor.

    Kombëtarja portugeze e ka zgjedhur ish-trajnerin e Chelseat dhe Real Madridit si pasardhësin e Roberto Martinez, kontrata e të cilit skadon pas Kupës së Botës 2026.

    E ardhmja e Mourinhos te Benfica ka qenë tashmë subjekt i spekulimeve të forta, me thashetheme që e lidhin atë me një largim.

    Klubi portugez do të ndjekë Ruben Amorimin nëse Mourinho pranon punën në ekipin kombëtar.

    Portugalia do të hyjë në Kupën e Botës 2026 si një nga favoritët e fortë nën drejtimin e Martinez pasi ka bindur edhe në kualifikuese. /Telegrafi/

  • Manipulimi i votave, Prokuroria nis hetime edhe në Suharekë

    Manipulimi i votave, Prokuroria nis hetime edhe në Suharekë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime me lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Suharekë, pas dyshimeve për manipulim të votave.

    Në një njoftim për media, Prokuroria bën të ditur se hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, me autorizim të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu.

    Sipas Prokurorisë, aktualisht po ndërmerren veprime hetimore në territorin e Komunës së Suharekës, ndërsa rasti lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale që parashihen në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilat ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.

    Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, duke marrë parasysh interesimin e shtuar të opinionit publik dhe mediave, gjatë ditës do të lëshohet një komunikatë shtesë pas përfundimit të intervistimit të të dyshuarve në polici, ku do të jepen më shumë informacione për veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore.

  • Nagavci reagon pas rastit në shkollën “Pavarësia”: Dhuna në shkolla është e papranueshme

    Nagavci reagon pas rastit në shkollën “Pavarësia”: Dhuna në shkolla është e papranueshme

    Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas rastit të dhunës të ndodhur në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke theksuar se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është plotësisht e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.

    Sipas Nagavcit, shkollat duhet të jenë hapësira të sigurta, ku mbizotërojnë respekti, dialogu dhe mirëkuptimi, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit.

    Ajo theksoi se rasti i fundit, sikurse edhe raste të tjera të mëparshme, dëshmon se dhuna në shkolla nuk prek vetëm nxënësit, por edhe mësimdhënësit, stafin tjetër, prindërit dhe të gjithë komunitetin shkollor, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve. Sipas saj, asnjë rast dhune nuk duhet të anashkalohet apo relativizohet.

    Ministrja në detyrë nënvizoi se përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve nuk i takon vetëm shkollës, por është një proces i përbashkët që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes prindërve dhe institucionit arsimor. Vetëm përmes komunikimit të hapur, mirëkuptimit dhe angazhimit të ndërsjellë, tha ajo, mund të krijohet një mjedis i sigurt, mbështetës dhe motivues për nxënësit.

    Nagavci rikujtoi se Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla, ndërsa shkollat janë të obliguara që çdo rast dhune ta trajtojnë me seriozitet maksimal dhe ta raportojnë në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA). Ajo theksoi se mosraportimi i rasteve përbën shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve institucionale.

    Në këtë kontekst, ministrja vuri theksin te roli i Drejtorive Komunale të Arsimit, të cilat, sipas saj, mbajnë peshën kryesore të llogaridhënies. Ajo theksoi se Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka obligim ligjor të sigurojë zbatimin e rregullores për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme, e miratuar që nga viti 2016, si dhe të akteve të Ministrisë së Arsimit. Çdo neglizhencë, vonesë apo mosveprim, sipas Nagavcit, nënkupton dështim institucional dhe bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pasojat në shkolla.

    Pas raportimeve mediatike për rastin në shkollën “Pavarësia”, ministrja bëri të ditur se Inspektorati i Arsimit ka vepruar menjëherë duke dalë në terren dhe duke realizuar inspektim. Ajo shtoi se, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera përkatëse, të gjitha gjetjet që bien në kompetencë të Inspektoratit do të trajtohen pa kompromis dhe do të pasohen me veprime konkrete.

    Në fund, Nagavci theksoi se parandalimi i dhunës në shkolla nuk është çështje deklaratash, por veprimi. Ajo bëri thirrje që Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtorët e shkollave, prindërit dhe të gjithë akterët përgjegjës të veprojnë me përgjegjësi të plotë, duke nënvizuar se siguria në shkolla nuk është opsion, por obligim.

    “Vetëm përmes reagimit të menjëhershëm dhe zbatimit rigoroz të ligjit mund të garantojmë mjedise shkollore të sigurta dhe dinjitoze për të gjithë”, theksoi ministrja në detyrë e Arsimit, duke shtuar se Ministria mbetet e përkushtuar për parandalimin e dhunës dhe forcimin e mekanizmave që promovojnë komunikimin, menaxhimin e konflikteve dhe mbrojtjen e mirëqenies së të gjithë pjesëmarrësve në procesin arsimor.

  • Përmbyllet deklarimi për Rexhep Selimin në Hagë

    Përmbyllet deklarimi për Rexhep Selimin në Hagë

    Prokurori i Specializuar në Hagë, Matthew Howling, ka përmbyllur deklaratat përfundimtare në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke folur për Rexhep Selimin pas Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.

    Howling theksoi rolin e Selimit në heqjen nga pozita e komandantit të Ekrem Rexhës dhe në planifikimin e goditjes më të madhe të koordinuar që UÇK-ja kishte kryer deri në atë kohë. Ai gjithashtu vuri në dukje se Selimi ishte personi i parë që pati folur në paraqitjen e parë publike të UÇK-së në vitin 1997.

  • Prokurori për Rexhep Selimin: Luajti rol kyç në planifikimin e sulmit të vitit 1997

    Prokurori për Rexhep Selimin: Luajti rol kyç në planifikimin e sulmit të vitit 1997

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka vazhduar ditën e dytë të deklaratave përfundimtare në gjyqin ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Pas fjalës për Thaçin dhe Veselin, prokurori Matthew Howling ka nisur prezantimin e rolit të Rexhep Selimit. Ai ka përmendur planifikimin e sulmit të vitit 1997 ndaj stacionit të Policisë, duke theksuar se Selimi veproi me qëllim të kontribuonte për “qëllimin e përbashkët kriminal” të UÇK-së.

    “Rexhep Selimi ishte jashtëzakonisht i qartë në planifikimin e sulmit. Ai konfirmoi pjesëmarrjen e tij dhe u caktua përgjegjës për goditjen më të madhe të koordinuar që UÇK kishte bërë deri atëherë. Selimi veproi përmes pozitave që mbante gjatë periudhës së mbuluar nga aktakuza, duke ndarë qëllimin e përbashkët kriminal”, tha prokurori Howling.

  • Tronditëse në Durrës: 74-vjeçari humb jetën pas rënies nga shkallët

    Tronditëse në Durrës: 74-vjeçari humb jetën pas rënies nga shkallët

    Një 74-vjeçar ka ndërruar jetë pas një aksidenti të rëndë në Durrës, ku dyshohet se është rrëzuar nga shkallët e banesës së tij.

    Policia Shqiptare njofton se i moshuari, identifikuar me inicialet H.D., ndërroi jetë gjatë transportimit me autoambulancë nga spitali i Durrësit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

    Sipas njoftimit zyrtar: “Më 09.02.2026, ka humbur jetën gjatë transportimit me autoambulancë shtetasi H.D., 74 vjeç, i cili dyshohet se u dëmtua pas rrëzimit nga shkallët e banesës.”