ATV

Blog

  • Sindikata e Punëtorëve Privat: Shumë kompani nuk po e respektojnë rritjen e pagës minimale prej 425 euro

    Sindikata e Punëtorëve Privat: Shumë kompani nuk po e respektojnë rritjen e pagës minimale prej 425 euro

    Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), ka njoftuar se edhe pse paga minimale prej 425 euro bruto, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026 sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, në shumë raste nuk po respektohet.

    Sipas FSPTSPK-së, shumica e punëtorëve teknikë në institucione publike përmes kompanive private kanë marrë rritje pagash, por në disa raste ka kompani që ende nuk kanë kryer pagesën për muajin Janar dhe për këto raste ende nuk kemi informata të plota se sa po zbatohet ky vendim.

    “Ekzistojnë raste konkrete, si në Shkollën e Mesme Teknike dhe Gjimnazi në Drenas, ku punëtorët teknik vazhdojnë të marrin pagë prej 237 euro neto, pa asnjë ndryshim apo zbatim të vendimit për rritjen e pagës minimale”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu, sipas FSPTSPK-së në disa shkolla të Prishtinës, punëtorët teknik ende nuk kanë marrë pagat dhe nuk do të ketë rritje të pagës.

    Ndërkaq, punëtorët teknik në Qendrën e mjekësisë familjare në Prishtinë marrin pagë 370 euro, që është nën pagën minimale të parashikuar.

    Federata bën thirrje të fortë për kompanitë që nuk po e respektojnë vendimin.

    “Kërkojmë nga të gjitha kompanitë që nuk po e respektojnë vendimin për pagën minimale, të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe ta zbatojnë atë sa më shpejt, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Sot mblidhet kryesia e Kuvendit për përgatitjen e seancës konstituive

    Sot mblidhet kryesia e Kuvendit për përgatitjen e seancës konstituive

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbahet mbledhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha bashkë me kryetarët e subjekteve politike.

    Sipas njoftimit, mbledhja e kryetarit të Kuvendit do të fillojë në ora 17:00.

    Sipas Kuvendit, në rend dite është përgatitja për seancën konstituive të Legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

  • Ushtria izraelite kryen shkatërrime të gjera në jug dhe veri të Gazës

    Ushtria izraelite kryen shkatërrime të gjera në jug dhe veri të Gazës

    Ushtria izraelite po kryen operacione shkatërrimi në shkallë të gjerë, duke synuar shtëpitë palestineze në territoret e pushtuara në jug dhe veri të Gazës, raportojnë mediat ndërkombëtare, duke përfshirë Anadolu Agency.

    Sipas dëshmitarëve okularë, forcat izraelite kanë shkatërruar në mënyrë të konsiderueshme zona në lindje të Khan Yunis. Gjithashtu, në zonën e Jabaliya, dronë kuadkopterë përdorën eksplozivë kundër shtëpive që ishin në prag të shembjes.

    Forcat izraelite kanë hapur gjithashtu zjarr në bregdetin e Rafah dhe Khan Yunis, ndërsa palestinezët janë qëlluar nga automjetet ushtarake të stacionuara në këtë zonë.

    Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi viktimat ose lëndimet nga sulmet.

  • Incidenti në shkollë, Gold AG: Edukoni fëmijët e mos thuani profesori nuk ka të drejtë të prek me dorë fëmijën tim

    Incidenti në shkollë, Gold AG: Edukoni fëmijët e mos thuani profesori nuk ka të drejtë të prek me dorë fëmijën tim

    Gold AG ka reaguar pas lajmit që tronditi vendin ditën e djeshme (e hënë), ku një arsimtar në Shkollën e Mesme të Ulët “Pavarësia” në Prishtinë sulmoi fizikisht një nxënës.

    Sipas asaj që u raportua, mësimdhënësi është provokuar fizikisht dhe verbalisht nga nxënësi në fjalë duke përdorur metoda të ulta ndaj tij.

    Nxënësi 15 vjeçar dyshohet se kishte plan të përgatitur me një grup shokësh, të cilët i qëndronin prapa për të incizuar në të vetmen sallë ku nuk kishte kamera.

  • Prokurorja e ZPS-së: Mbi 5 mijë prova dhe dëshmi të dhëna gjatë 140 ditëve gjykim

    Prokurorja e ZPS-së: Mbi 5 mijë prova dhe dëshmi të dhëna gjatë 140 ditëve gjykim

    Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West, në deklaratën e saj përmbyllëse para trupit gjykues, theksoi përmasat dhe rëndësinë e procesit gjyqësor që ka zgjatur më shumë se 140 ditë.

    Sipas saj, gjatë këtij procesi janë aprovuar mbi 5 mijë prova materiale, ndërsa dëshminë e kanë dhënë më shumë se 130 dëshmitarë, përcjell Telegrafi.

    “Ka qenë privilegj për mua të takoj njerëzit që kanë qenë të përfshirë në këto ngjarje – njerëz që kanë jetuar për më shumë se 20 vite me pasojat e krimeve”, deklaroi West.

    Ajo theksoi se Zyra e Prokurorit Special ka punuar pa ndërprerje për t’u siguruar që viktimat të marrin drejtësi dhe që individët përgjegjës të mbajnë llogari për veprimet e tyre.

    Sipas saj, këto përpjekje përfaqësojnë parimet themelore të shtetit ligjor.

    “Shteti i së drejtës është më i rëndësishëm se kurrë, veçanërisht në kohë lufte”, u shpreh prokurorja, duke shtuar se kërkesa e Prokurorisë bazohet në provat e paraqitura gjatë gjykimit.

  • Ndërpritet uji në disa pjesë të Gjakovës, KRU “Gjakova” del me një njoftim

    Ndërpritet uji në disa pjesë të Gjakovës, KRU “Gjakova” del me një njoftim

    Kompania rajonale ujësjellësi KRU “Gjakova’’ ka bërë të ditur për intervenime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, që për pasojë, gjatë realizimit të punimevem furnizimi me ujë të pijshëm në disa zona.

    Bazuar në njoftimin e KRU-së, punimet në rrjetin e ujësjellësit do të kryhen në këto rrugë.

    Postimi i plotë:

    Ju njoftojmë se më datë 11.02.2026 (e mërkurë) do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në disa pjesë të qytetit të Gjakovës.

    Zonat që do të preken nga ndërprerja janë:

    – Rruga transite

    – Rruga “Mbretëresha Teutë” me rrugët anësore

    – Rruga “Musa Zajmi” me rrugët anësore

    – Rruga “Ali Pashë Tepelena” me rrugët anësore

    – Rruga “Petro Nini Luarasi” me rrugët anësore

    – Rruga “Bihije Dashi” me rrugët anësore

    Koha: nga ora 08:00 deri në 15:00.

    Ndërprerja vjen si pasojë e vazhdimit të punimeve në rrugën transite, projekt i realizuar si bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe KRU “Gjakova”, ku operatori i kontraktuar ka arritur në fazën e realizimit të lidhjeve kryesore të ujësjellësit.

    Për shkak të rëndësisë dhe kompleksitetit të lidhjeve së degëzimeve kryesore, te Pallati i Sporteve, te pompa “IP Petrol”, si edhe në afërsi të objektit të gjykatës, ndërprerja e përkohshme e furnizimit me ujë është e domosdoshme.

  • Sa duhet të zgjasë një përqafim për t’u ndjerë vërtet? Studimet tregojnë përgjigjen

    Sa duhet të zgjasë një përqafim për t’u ndjerë vërtet? Studimet tregojnë përgjigjen

    Pa filtra, pa teknologji, pa komplikime. Në një kohë kur komunikimi gjithnjë e më shumë po ndodh përmes ekranit, nevoja për kontakt fizik mbetet po aq themelore sa dikur, ndoshta edhe më e madhe.

    Psikologët dhe neuroshkencëtarët e kanë theksuar prej dekadash: afërsia fizike nuk është luks emocional, por nevojë biologjike. Vetëm disa sekonda prekjeje mund të sjellin më shumë ngushëllim sesa dhjetë mesazhe mbështetjeje, ndërsa një përqafim i vërtetë shpesh flet më shumë se çdo fjalë.

    Terapistja e njohur familjare Virginia Satir thekson se përqafimet janë një nevojë themelore emocionale, po aq të rëndësishme sa ushqimi apo gjumi. Numri i përqafimeve nuk është vendimtar; më e rëndësishme është cilësia, prania dhe kohëzgjatja e tyre.

    Pse 20 sekonda bëjnë ndryshimin

    Studimet tregojnë se një përqafim rreth 20 sekonda aktivizon sekretimin e oksitocinës, hormonit të lidhur me besimin, qetësinë dhe lidhjen emocionale, dhe njëkohësisht ul nivelin e kortizolit, hormonit të stresit.

    Në eksperimente ku pjesëmarrësit përballeshin me situata stresuese — si fjalim publik, intervistë pune apo presion social — ata që kishin marrë një përqafim të shkurtër dhe të ngrohtë nga një person i afërt shfaqnin më pak ankth dhe ritëm më të qëndrueshëm të zemrës. Trupi ndjehej më i sigurt.

    Kjo shpjegon pse përqafimet janë veçanërisht të fuqishme në momente krize, pikëllimi apo pasigurie: ato dërgojnë sinjalin e thjeshtë, por jetik: “nuk je vetëm”.

    Çfarë ndodh në tru dhe trup gjatë një përqafimi

    Përveç oksitocinës dhe kortizolit, përqafimi ndikon edhe në:

    • Aktivizimin e sistemit nervor parasimpatik, i cili ul ritmin e zemrës dhe nxit relaksimin

    • Ndjesinë e lidhjes sociale, e cila ka ndikim afatgjatë në shëndetin mendor

    • Uljen e ndjenjës së vetmisë, edhe nëse përqafimi zgjat vetëm disa çaste

    Në thelb, përqafimi funksionon si një “mikro-terapi” natyrale, menjëherë e disponueshme dhe pa kosto.

    Kur përqafimi nuk është opsion

    Studimet nga Japonia tregojnë se edhe vetëpozicioni i trupit, si hapja e krahëve dhe mbështjellja e trupit, mund të ketë efekt qetësues. Pjesëmarrësit që mbanin një jastëk të butë në formë figure njerëzore gjatë bisedave stresuese shfaqnin nivele më të ulëta të hormoneve të stresit. Edhe përqafimi i vetes mbajtja e duarve mbi gjoks apo mbështjellja me një batanije të ngrohtë ofron ndjesi sigurie.

    Përqafimi: luks i përditshmërisë moderne

    Në një botë ku luks shpesh nënkupton gjëra materiale, përqafimi shfaqet si një nga format më të pastra të tij. Nuk kushton asgjë, nuk kërkon planifikim dhe sjell menjëherë ndjenjën e pranisë, qetësisë dhe lidhjes.

    Përqafimi si kujdes për shëndetin mendor

    Edhe pa ditë të veçanta, përqafimi mbetet një mjet i fuqishëm për mirëqenien emocionale. Në momente pasigurie, stresi apo vetmie, ai ndihmon rikthimin e ekuilibrit. Disa 20 sekonda janë shpesh të mjaftueshme për të kthyer ditën në drejtimin më të mirë dhe për t’i kujtuar vetes se lidhja njerëzore mbetet një nga burimet më të forta të forcës sonë.

  • Renovimi i objektit të Ministrisë së Bujqësisë, ngritet aktakuzë nga Prokuroria Speciale

    Renovimi i objektit të Ministrisë së Bujqësisë, ngritet aktakuzë nga Prokuroria Speciale

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj B.D., L.Z. dhe personit juridik “L.P.” SH.P.K, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

    Kjo dosje lidhet me tenderin për renovimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë në Ulpianë.

    Sipas Speciales, R B.D., në cilësinë e personit zyrtar, menaxherit të kontratës “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Prishtinë”, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës nga 19 gushti 2024 deri në fund të atij viti, ka miratuar dhe vërtetuar në kundërshtim me ligjin realizmin e plotë të punimeve dhe pagesave për largimin e inventarit.

    Ndërkohë, aktakuza e ngarkon L.Z., si person përgegjës i “L.P.” Sh.P.K., se gjatë ekzekutimit të kontratës ka paraqitur fakte të rreme, duke deklaruar realizim të plotë të punimeve, ndonëse punët ishin kryer vetëm pjesërisht.

    Për pasojë, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm financiar prej 36,000 euro, raporton Klankosova.tv

    Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohen edhe dënime plotësuese: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, si dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës.

  • Gjermania do të porosisë dronë sulmues me vlerë mbi 500 milionë euro

    Gjermania do të porosisë dronë sulmues me vlerë mbi 500 milionë euro

    Qeveria gjermane planifikon të porosisë dronë sulmues me vlerë 536 milionë euro (638 milionë dollarë) nga startup-et gjermane Helsing dhe Stark Defense.

    Dhe këto porosi, thuhet se janë pjesë e një shtytjeje për riarmatim pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

    Kontratat për municione – dronë që qëndrojnë pezull mbi një zonë të mundshme sulmi përpara se të fluturojnë drejt objektivave – janë pjesë e një marrëveshjeje më të madhe kornizë me vlerë 4.3 miliardë euro.

    Kontratat, të përshkruara në dokumentet e para nga Reuters, pritet gjerësisht të miratohen nga komiteti i buxhetit të dhomës së ulët të parlamentit.

    Ato u raportuan për herë të parë nga revista Spiegel.

    Dronët fillimisht synojnë të mbështesin Brigadën e 45-të të Tankeve të Gjermanisë, e cila është e vendosur në Lituani.

    Sipas dokumenteve, kontratat me dy kompanitë do të kenë një afat prej shtatë vjetësh dhe grupi fillestar është planifikuar të dorëzohet deri në fillim të vitit 2027.

  • Opera kosovare “Goca e Kaçanikut” sonte për herë të parë në Shkup

    Opera kosovare “Goca e Kaçanikut” sonte për herë të parë në Shkup

    Skena e Operës dhe Baletit Kombëtar në Shkup do të mirëpresë sonte operën e parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”.

    Kjo vepër madhështore, e kompozuar nga Rauf Dhomi, me regji të mjeshtrit Nikolin Gurakuqi dhe nën dirigjimin e Edon Ramadanit, do të interpretohet me emocion të veçantë nga solistët, kori dhe orkestrës së Operës së Kosovës, si dhe nga Baleti Kombëtar i Kosovës.

    Ngjarja kulturore pritet të dhurojë një mbrëmje të paharrueshme publikut në Shkup, duke sjellë artin e operas kosovare në një skenë ndërkombëtare.

    Me ftesë nga Komuna e Çairit, prezantimi mbahet sonte, duke filluar nga ora 19:30, në objektin e Operës dhe Baletit Kombëtar në Shkup.