ATV

Blog

  • Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari”

    Prokuroria e BeH-së hap hetim për “Sarajevo Safari”

    Në Departamentin e Posaçëm për Krime Lufte të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës është hapur një lëndë për rastin “snajperistë të fundjavës” gjatë rrethimit të Sarajevës, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë më 10 shkurt.

    Sipas Prokurorisë, me urdhër të prokurorit janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Në fund të vitit të kaluar, Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i ka dërguar një kërkesë zyrtare autoriteteve italiane dhe ka kontaktuar Mekanizmin Rezidual Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, me qëllim të verifikimit të informatave.

    Hetimet u nxitën pasi mediat italiane, në fillim të nëntorit 2025, raportuan se Prokuroria e Milanos kishte hapur një hetim mbi bazën e kallëzimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni. Ai pretendon se gjatë luftës në Bosnje, individë të huaj paguanin për të ardhur në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe për të qëlluar civilët e Sarajevës me snajper.

    Gavazzeni ka paralajmëruar gjithashtu botimin e një libri mbi “safari snajperësh”, duke u frymëzuar nga dokumentari “Sarajevo Safari” i autorit slloven Miran Zhupaniq.

    Në fund të janarit, Këshilli i Qytetit të Sarajevës ka dhënë pëlqimin që qyteti t’i bashkohet procedurës gjyqësore të nisur në Milano kundër të dyshuarve.

    Aktualisht, nën hetim është një shtetas italian 80-vjeçar, ish-shofer kamioni nga provinca Pordenone, i cili është marrë në pyetje më 9 shkurt. Prokurorët italianë e dyshojnë atë se, së bashku me persona ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në një plan kriminal të veprimtarisë snajperiste kundër civilëve të Sarajevës në periudhën 1992–1995.

    Sipas mediave, bëhet fjalë për një person me bindje ekstreme të djathta, i cili është deklaruar hapur si fashist.

    Gjatë afro katër viteve të rrethimit të Sarajevës, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo i dhjeti fëmijë i vrarë ka humbur jetën nga një plumb snajperi, ndërsa mbi 14 mijë fëmijë janë plagosur.

    Megjithatë, deri më sot, asnjë snajperist individual nuk është ndjekur penalisht as nga gjykatat vendore dhe as nga ato ndërkombëtare.

    Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në vendimet kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Sërpska, ka konstatuar se fushata snajperiste kishte për qëllim terrorizimin e civilëve të Sarajevës.

  • Kurti me bashkëpartiakë bëjnë homazhe për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn

    Kurti me bashkëpartiakë bëjnë homazhe për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë homazhe në Prishtinë, në 19-vjetorin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007, duke vendosur lule te pllaka përkujtimore në rrugën “Nënë Tereza”.

    Kryeminisri në detyrë, Albin Kurti, rikujtoi protestën kundër pakos së Martti Ahtisaarit, duke thënë se marshi i atëhershëm u ndalua me dhunë nga policia e UNMIK-ut, e cila, sipas tij, veproi përtej qëllimit të ndalimit të demonstruesve.

  • Pse falja është çelësi i qetësisë shpirtërore, edhe kur nuk ka kërkim ndjese

    Pse falja është çelësi i qetësisë shpirtërore, edhe kur nuk ka kërkim ndjese

    Që në fëmijëri mësohemi të falim. Kur dikush na merr lodrat ose na lëndon, kërkimi i faljes dhe falja shihen si hapa të domosdoshëm për të vazhduar lojën dhe jetën pa barrë. Por, me kalimin e viteve, falja bëhet shumë më e vështirë.

    Në moshë madhore, shpesh presim që dikush të na kërkojë falje për padrejtësitë apo dhimbjen e shkaktuar. Megjithatë, kjo ndodh rrallë. Edhe kur ndodh, kujtimet dhe emocionet negative shpesh mbeten, duke u shndërruar në peshë që e bartim për një kohë të gjatë.

    Pavarësisht kësaj, aftësia për të falur është thelbësore për mirëqenien tonë emocionale dhe mendore. Falja nuk do të thotë të justifikosh veprimet e dikujt tjetër, por të çlirosh veten nga inati dhe dhimbja.

    Mosfalja nënkupton mbajtjen e zemërimit brenda vetes, gjë që pengon ecjen përpara dhe na mban të lidhur me të kaluarën. Në shumë raste, falja është më shumë nevojë e jona sesa e atyre që na kanë lënduar.

    Kur presim falje, kjo tregon se jemi ndjerë të fyer ose të padrejtësuar. Por çlirimi vjen atëherë kur vendosim vetë të falim, pa kushte dhe pa pritje, duke i lënë pas ofendimet dhe duke mos jetuar më në të shkuarën.

    Falja nuk ndikon vetëm te dy palët e përfshira drejtpërdrejt. Ajo reflektohet në sjelljen tonë të përditshme, në marrëdhëniet me të tjerët dhe në mënyrën si e përjetojmë jetën.

    Të falësh do të thotë të pranosh të kaluarën, ta lësh aty ku i takon dhe të vazhdosh përpara me më shumë qetësi, forcë dhe pjekuri emocionale.

  • ZPS-ja përfundon deklaratën përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët, kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës

    ZPS-ja përfundon deklaratën përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët, kërkon dënim për të gjitha pikat e aktakuzës

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përmbyllur sot deklaratën e saj përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe tre të akuzuarve të tjerë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Në paraqitjen e saj përmbyllëse, ZPS-ja i kërkoi Trupit Gjykues që t’i shpallë fajtorë të katër të akuzuarit për të gjitha pikat e Aktakuzës, duke argumentuar se provat e administruara gjatë procesit gjyqësor vërtetojnë përgjegjësinë e tyre penale për krimet e pretenduara.

    Prokuroria kërkoi që secili prej të akuzuarve të dënohet me nga 45 vjet burgim.

    Pas përfundimit të deklaratës së Prokurorisë, fjala i kaloi Mbrojtësit të Viktimave, i cili ka nisur paraqitjen e deklaratës së tij përmbyllëse, duke përfaqësuar interesat dhe kërkesat e viktimave të përfshira në këtë proces.

    Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me deklaratat përfundimtare të palëve mbrojtëse në ditët në vijim, përpara se Trupi Gjykues të tërhiqet për vendimmarrje.

  • Google paralajmëron: Shtetet e huaja përdorin hakerë për të sulmuar punonjësit e mbrojtjes

    Google paralajmëron: Shtetet e huaja përdorin hakerë për të sulmuar punonjësit e mbrojtjes

    Raporti tregon sulme të personalizuara kundër punonjësve dhe procesit të rekrutimit, me grupe nga Kina, Koreja e Veriut dhe Irani që përdorin teknologji dhe IA për të vjedhur të dhëna dhe kredenciale.

    Google raporton se kompanitë e mbrojtjes dhe punonjësit e tyre janë bërë objektiv i fushatave të spiunazhit kibernetik të sponsorizuara nga shtetet. Sipas raportit, hakerët përdorin metoda të personalizuara dhe drejtpërdrejt për të sulmuar punonjësit, përfshirë shfrytëzimin e proceseve të rekrutimit dhe sistemet personale jashtë rrjetit të kompanive, shkruan The Guardian.

    Sulmet përfshijnë falsifikime të faqeve të internetit të qindra kontraktorëve kryesorë në SHBA, BE, Ukrainë, Turqi dhe Kore të Jugut. Grupi APT5 i lidhur me Kinën, si dhe hakerë nga Koreja e Veriut dhe Irani, kanë përdorur email-e dhe mesazhe të personalizuara për të marrë informacion ose për të vjedhur të dhëna financiare dhe kredenciale.

    Raporti tregon gjithashtu se hakerët synojnë edhe njerëz që përpiqen të punësohen në sektorin e mbrojtjes, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për të analizuar punonjësit dhe pagat e tyre të mundshme. Verën e kaluar, autoritetet amerikane zbuluan se disa koreanoveriorë kishin arritur të punësoheshin si “punonjës IT në distancë” për më shumë se 100 kompani amerikane për të financuar qeverinë e tyre.

    Autoritetet ukrainase raportojnë një rritje prej 37% të incidenteve kibernetike nga 2024 në 2025. Ekspertët paralajmërojnë se objektivat përfshijnë jo vetëm qytetarë ukrainas, por edhe punonjës të huaj, kontraktorë dhe konsulentë të përfshirë në projekte të lidhura me Ukrainën, duke e bërë kërcënimin një çështje të sigurisë transnacionale.

  • Mirë se vjen bashkëluftëtar/ OVL-UÇK reagon për lirimin e Shalës nga Haga

    Mirë se vjen bashkëluftëtar/ OVL-UÇK reagon për lirimin e Shalës nga Haga

    Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kanë uruar mirëseardhje ish-komandantit Haxhi Shala i cili tashmë është liruar nga Gjykata e Hagës.

    “Mirë se vjen, bashkëluftëtar! Të urojmë shëndet dhe gjitha të mirat në jetë pranë familjes dhe njerëzve të tu”, shkruhet në reagim.

  • Konjufca: Do të jem në Hagë në ditën përfundimtare, do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës

    Konjufca: Do të jem në Hagë në ditën përfundimtare, do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës

    Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se do të jetë i pranishëm në seancën kur do të jepet verdikti për ish-krerët e UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

    “Prapë do të shkoj në Hagë. Po, pra do të jem aty në ditën përfundimtare. Kam aplikuar për me qenë atje dhe do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në atë proces”, iu tha Konjufca gazetarëve sot.

    Ai u shfaq kritik për akuzat që rëndojnë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    “Unë pres që këto akuza të dështojnë. Janë të paqëndrueshme, shpifje, gënjeshtra që e ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare”.

    Konjufca tha se beson se të akuzuarit në Hagë do të dalin të pafajshëm.

  • AUV ndalon importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga rajoni Maramures i Rumanisë

    AUV ndalon importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga rajoni Maramures i Rumanisë

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, bazuar në raportet zyrtare të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe të Komisionit Evropian, të datës 09.02.2026, njofton se në një fermë familjare në rajonin Maramureș, në Republikën e Rumanisë, është konfirmuar prania e sëmundjes së tërbimit (rabies) te kafshët shtëpiake.

    Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV ka marrë vendim për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë.

    Kjo masë hyn në fuqi menjëherë.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri. AUV mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar”, thuhet në njoftim.

  • Cristiano Ronaldo pritet të rikthehet për ndeshjen e Al Nassr kundër Al-Fateh

    Cristiano Ronaldo pritet të rikthehet për ndeshjen e Al Nassr kundër Al-Fateh

    Ylli portugez Cristiano Ronaldo duket se do t’i japë fund bojkotit tek Al Nassr.

    41 vjeçari ka munguar në dy ndeshjet e fundit të Al Nassr,kjo për arsye të pakënaqësisë që pati me drejtuesit e klubit për politikën e transferimeve gjatë afatit kalimtar të janarit.

    Përndryshe Ronaldo pritet që gjatë kësaj fundjave të rikthehet në aksion kundër Al-Fetah në kampionatin saudit,ndërkohë që në mesjavë nuk do të luaj fare kundër Arkadag në kuadër të Ligës së Kampionëve të Azisë.

    Kujtojmë që Cristiano Ronaldo ndeshjen e fundit me Al Nassr e kishte luajtur me Al Taaëoun më 26 janar në kuadër të Superligës së Arabisë Saudite.

  • Nënat që ushqejnë me gji kanë më pak gjasa të vuajnë nga depresioni ose ankthi

    Nënat që ushqejnë me gji kanë më pak gjasa të vuajnë nga depresioni ose ankthi

    Nënat që ushqejnë me gji kanë më pak gjasa të vuajnë nga depresioni ose ankthi më vonë në jetë, sipas një studimi të ri.

    Hulumtimi sugjeron se ushqyerja me gji mund të ulë rrezikun e problemeve të shëndetit mendor te nënat deri në 10 vite pas shtatzënisë. Studime të mëparshme kishin treguar se ushqyerja me gji ul rrezikun e depresionit dhe ankthit pas lindjes, por deri tani nuk ishte e qartë nëse ky efekt zgjaste edhe në afat të gjatë.

    Studimi i ri, i botuar në revistën BMJ Open, ndoqi zakonet e ushqyerjes me gji dhe shëndetin e 168 nënave që lindnin për herë të dytë në Irlandë. Gratë u përfshinë që në fillim të shtatzënisë dhe u kontrolluan bashkë me fëmijët e tyre pas tre dhe gjashtë muajsh, si dhe pas dy, pesë dhe 10 vitesh nga lindja. Në kontrollin e fundit, mosha mesatare e nënave ishte 42 vjeçe.

    Në çdo kontroll, nënat plotësuan pyetësorë të detajuar për shëndetin, përfshirë nëse ishin diagnostikuar ose trajtuar për depresion apo ankth. Ato dhanë gjithashtu informacion për faktorë të tjerë ndikues, si dieta dhe aktiviteti fizik.

    Rreth 73% e pjesëmarrëseve raportuan se kishin ushqyer me gji të paktën një herë. Mesatarisht, ushqyerja ekskluzive me gji zgjati 5.5 javë, ndërsa ushqyerja me gji në total rreth 30.5 javë. Mbi një e treta e grave (37.5%) kishin ushqyer me gji për një periudhë totale prej të paktën 12 muajsh gjatë jetës së tyre.

    Pas 10 vitesh, 13% e grave raportuan se vuanin nga depresioni ose ankthi, ndërsa 21% kishin përjetuar këto probleme në ndonjë moment gjatë periudhës së studimit. Analiza tregoi se gratë me depresion ose ankth kishin më pak gjasa të kishin ushqyer me gji dhe për periudha më të shkurtra.

    Çdo javë ushqyerjeje ekskluzive me gji lidhej me një ulje prej 2% të gjasës për depresion dhe ankth, edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë si konsumi i alkoolit.

    Studiuesit theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon shkak-pasojë, por nënvizojnë se ushqyerja me gji mund të ketë një efekt mbrojtës afatgjatë në shëndetin mendor të nënave, duke forcuar argumentet për promovimin e saj nga politikat publike. / TalkerNews