ATV

Blog

  • Komuna e Prishtinës njofton për aktivitetet në 18-vjetorin e Pavarësisë

    Komuna e Prishtinës njofton për aktivitetet në 18-vjetorin e Pavarësisë

    Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë,Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka organizuar sot një seri aktivitetesh për të nderuar këtë ditë të rëndësishme.

    Sipas njoftimit për media, agjenda e aktiviteteve parashikon:

    09:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova

    09:15 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi

    09:30 – Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kryeqytetit

    10:30 – Seancë solemne e Kuvendit të Kryeqytetit.

  • Demelezi i dorëzon detyrën ministrit të ri të Bujqësisë, Armend Muja

    Demelezi i dorëzon detyrën ministrit të ri të Bujqësisë, Armend Muja

    Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u zhvillua ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri në detyrë, Imri Demelezi, i dorëzoi zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Armend Muja.

    Gjatë ceremonisë, ministri Demelezi e njoftoi Muja për zhvillimet kryesore në sektorin e bujqësisë, për reformat e ndërmarra dhe për projektet dhe programet mbështetëse të realizuara gjatë mandatit katërvjeçar, me theks të veçantë te rritja e subvencioneve, investimet në infrastrukturën rurale dhe mbështetja për fermerët dhe agro-përpunuesit.

    Ministri i ri, Armend Muja, falënderoi Demelezin për kontributin e tij dhe u angazhua të avancojë politikat bujqësore dhe zhvillimore.

    “E falënderoj ministrin Demelezi për punën dhe përkushtimin e tij. Do të angazhohem maksimalisht që politikat bujqësore dhe zhvillimore të avancojnë edhe më tej, duke fuqizuar sektorin e bujqësisë. Prioritet i yni do të jetë mbështetja e qëndrueshme për prodhimin vendor, modernizimi i sektorit dhe zhvillimi i projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e zonave rurale”, tha Muja.

  • Pse rripat e sigurimit kanë një lak prej pëlhure?

    Pse rripat e sigurimit kanë një lak prej pëlhure?

    Në të gjithë rripat e sigurimit, përveç atij të shoferit, ekziston një lak prej pëlhure që ndodhet relativisht afër kapëses.

    Rripi i sigurimit i shoferit nuk ka lak, por një buton të vogël menjëherë poshtë kapëses. Arsyeja e vendosjes së këtij laku është siguria.

    Laku prej pëlhure në rripat e sigurimit quhet lak për menaxhimin e energjisë. Ky element është projektuar të çahet nën stres të madh, pra mund të zbusë forcat e krijuara gjatë një përplasjeje dhe të ndihmojë që pasagjerët të jenë edhe më të sigurt.

    Kur laku hapet, ai zgjat rripin e sigurimit për disa centimetra, duke shpërndarë goditjen, gjë që parandalon këputjen e rripit dhe dëmtime më të rënda.

    Një tjetër funksion i këtij laku është të parandalojë goditjen e pakëndshme të kapëses në anën e makinës gjatë lëvizjes, kur në ulësen e përparme të pasagjerit nuk ka askënd.

    Ai gjithashtu mban kapësen në një lartësi të përshtatshme për përdorim, duke parandaluar që të rrëshqasë poshtë rripit dhe të përfundojë në dysheme.

    Rripi i sigurimit në anën e shoferit nuk ka lak, sepse pozicioni i drejtimit është i optimizuar në raport me timonin dhe “airbag”. Gjithashtu, kur vetura është në lëvizje, shoferi duhet të jetë gjithmonë i lidhur me rrip, kështu që nuk ka nevojë për material shtesë për të parandaluar goditjen e kapëses në anën e automjetit.

  • Kurti ikë në mes të debatit për buxhetin: Më duhet të shkoj e të rikthehem, do të marr pjesë pas një ore

    Kurti ikë në mes të debatit për buxhetin: Më duhet të shkoj e të rikthehem, do të marr pjesë pas një ore

    Kryeministri Albin Kurti e ka lëshuar seancën ku po diskutohet buxheti për vitin 2026.

    Kurti ka thënë se është i detyruar të shkojë, meqë do të marrë pjesë në një aktivitet të Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK) dhe bankës së Shqipërisë, në nderim të 100-vjetorit të themelimit të kësaj të fundit.

    Kësisoj, Kurti ka thënë se kthehet pas një ore për të diskutuar për buxhetin.

    “Më duhet të shkoj dhe të rikthehem meqë BQK dhe Banka e Shqipërisë kanë një organizim të përbashkët se është 100 vjetori i Bankës së Shqipërisë dhe unë do vij të marr pjesë në debat pas një ore. Dua ta ritheksoj se të gjitha kundërshtimet e argumentet e opozitës do të jenë plotësisht të vlefshme, nëse janë të arsyeshme, kur ta sjellim rishikimin e buxhetit pas disa muajve”, deklaroi ai, shkruan Insajderi.

    Kurti gjatë ditës së sotme pritet të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

  • Opozita kritikon prezantimin e buxhetit 2026, Kurti: Ka rritje në të gjithë sektorët

    Opozita kritikon prezantimin e buxhetit 2026, Kurti: Ka rritje në të gjithë sektorët

    Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për miratimin e buxhetit të vendit 2026, derisa aktualisht po zhvillohen debate rreth tij.

    Opozita ka bërë të ditur se duhen ndryshime në këtë buxhet, madje ky buxhet para tyre është paraqitur i njëjti me atë të tetorit të kaluar.

    Në fjalën e tij, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se fillimisht u dashtë të paraqitje programi qeveritar, më pas buxheti.

    “Më 31 tetor të vitit 2025, ne e patëm miratuar buxhetin për vitin 2026, por siç e dimë, legjislatura e nëntë përfundoi ashtu siç përfundoi, mirëpo tani kemi legjislaturën e dhjetë dhe nuk mund të quhet i njëjtë projekt-buxheti i këtij viti”, tha Kurti.

    “Nuk do të ishte normale që ne ta sjellim buxhetin, para se ta bënim ekspozenë, andaj në këtë buxhet që kemi paraqitur tek ju kryefjala është shifra prej katër miliardë euro”.

    “Risi e këtij buxheti është paga e 13-të, andaj kjo nuk do të jetë në fund të vitit, por në pranverë. Po ashtu edhe ligji për 15 vitet e para të përvojës së punës, andaj kemi dyfishim të pagës mbi përvojën e punës”.

    “Buxheti për vitin 2026 përfshinë edhe shtesat për fëmijë, për gratë lehona, për pensionistët dhe shumë e shumë rritje të tjera”, potencoi më tej ai.

    Kurti shtoi më tej se ky buxhet u paraqit si një status-quo, por që ky buxhet ka një rritje në të gjithë sektorët sipas tij.

  • Maqedonci reagon ndaj deklaratave të gjeneralit serb: FSK nuk paraqet kërcënim për komunitetin serb

    Maqedonci reagon ndaj deklaratave të gjeneralit serb: FSK nuk paraqet kërcënim për komunitetin serb

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, reagoi pas deklaratave të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Mojsiloviq, i cili tentoi ta paraqesë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si një kërcënim për komunitetin serb në Kosovë.

    Në një deklaratë publike, Maqedonci tha se pretendimet e gjeneralit janë të pavërteta dhe në kundërshtim me realitetin.

    “Deklaratat e bëra nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Mojsiloviq, të cilat tentojnë ta paraqesin Forcën e Sigurisë së Kosovës si kërcënim për komunitetin serb në Kosovë, janë të pavërteta, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me realitetin në terren”, ka shkruar Maqedonci.

    Ai theksoi se FSK është një forcë profesionale, që vepron nën kontroll civil dhe sipas ligjeve të Kosovës.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike. Mandati i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, tha ai.

    Maqedonci shtoi se modernizimi i ushtrisë nuk ka karakter kërcënues.

    “Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, theksoi ministri.

    Ministri apeloi gjithashtu kundër narrativeve që synojnë tensione dhe frikësim të komuniteteve:

    “Narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes, e jo deklarata që nxisin tensione”, tha Maqedonci.

    Ministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe ndërtimit të një mjedisi të sigurt.

    “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Kosova ndërton ushtri për mbrojtje. Kosova ndërton siguri për të gjithë”, u shpreh ai.

  • Përfundon restaurimi i shtëpisë së Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës

    Përfundon restaurimi i shtëpisë së Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës

    Ministria e Kulturës ka njoftuar përmbylljen e punimeve të restaurimit të shtëpisë së Jusuf Ademit në fshatin Leshtar të Kamenicës.

    Shtëpia, e cila ka mbi 150 vjet jetë, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të arkitekturës tradicionale kosovare dhe ruan vlera të mëdha historike dhe kulturore.

    Restaurimi synon të sigurojë ruajtjen e saj për brezat e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në gjithë territorin e vendit.

    Ministria e Kulturës thekson se përmes këtij projekti vazhdon angazhimi për ruajtjen dhe promovimin e pasurisë historike dhe arkitektonike të Kosovës.

  • Kurti paralajmëron se sot do të nisin bisedimet për “Presidentin apo Presidenten”

    Kurti paralajmëron se sot do të nisin bisedimet për “Presidentin apo Presidenten”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se do të fillojnë diskutimet për çështjen e Presidentit.

    Pak para se të hynte në Kuvend ku po mbahet një seancë e jashtëzakonshme për buxhetin e këtij viti, Kurti tha:

    “Brenda ditës do të fillojmë edhe bisedimet për Presidentin apo Presidenten e Kosovës”.

    Në mbledhjen e parë të qeverisë së re të enjten, Kurti tha se është i gatshëm të bisedojë me partitë e tjera për çështjen e Presidentit.

    “Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë, votimin e buxhetit të vitit 2026 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”.

  • ​Të akuzuarit për sulmin në “Ibër- Lepenc” deklarohen të pafajshëm

    ​Të akuzuarit për sulmin në “Ibër- Lepenc” deklarohen të pafajshëm

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, të akuzuar për sulmin në kanalin e “Ibër- Lepencit” në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024, u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare, raporton KosovaPress.

    Ata u deklaruan pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu.

    Të pyetur nga kryetari i trupit gjykues,Vesel Ismajli, se a ndihen fajtorë për veprat, për të cilat akuzohen, Jovan dhe Jovan Viqentijeviq thanë se nuk ndihen fajtorë: “Jo, për asnjërën”.

    Edhe Igor Dimoviq u deklarua njëjtë.

    “Dëshiroj të deklaroj se nuk ndihem fajtor për veprën penale, e cila më vihet barrë”, tha ai.

    Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se të akuzuarit kanë kohë 30 ditë që të ushtrojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

    “Seanca e shqyrtimit fillestar me kaq përfundon. Të akuzuarit që nga sot, ju njoftoj, pasi të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për veprat penale që akuzohen, ju keni të drejtë ligjore që nga sot të ushtroni në formë të shkruar kërkesë për hedhjen e aktakuzës, kundërshtimin e provave brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Gjykata do t’i shqyrtojë, do t’i analizojë dhe do marrë një vendim lidhur me kërkesat tuajaj”, tha Ismaili.

    Por, avokati i Jovan Viqentijeviqit, Nebojsha Vllajiq, kërkoi nga trupi gjykues që të bashkohen procedurat penale ndaj klientit të tij, që po zhvillohet edhe në Gjykatën Themelore në Pejë, ku së bashku me vëllain e tij, akuzohet për vrasje.

    “Lidhur me kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ne do t’i parashtrojmë në këtë gjykatë në formë të shkruar brenda afatit, por njëkohësisht do ushtrojmë kërkesë për bashkimin e procedurës penale ndaj të mbrojturit që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Pejës”, tha ai.

    Porse, prokurori special, Bekim Kodraliu shtoi se nuk mund të ndërhyjnë në kompetencat e Gjykatës Themelore në Pejë, ngase do të pengonin hetimet ndaj të akuzuarve për vrasje.

    “Ai (avokati) është profesionist dhe duhet t’i kuptojë disa çështje juridike. Procedura penale në Pejë është duke u zhvilluar, është procedurë nën hetim dhe nuk ka mundësi ligjore që e njëjta lëndë të bashkohet me lëndën që është vetëm duke u zhvilluar. Ne nuk mund të ndërhyjmë në kompetenca të Gjykatës Themelore në Pejë, ngase do të pengonim hetimin në Pejë”, tha ai.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër- Lepencit”, infrastrukturë publike, e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzën, të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- “Ibër- Lepencit| i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

    Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

    Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

    Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes. /KP/

    Vëllezërit Viqentijeviq të akuzuar për sulmin në Ibër-Lepenc me duar të lidhura para gjykatës në Prishtinë

  • Hamza dhe Abdixhiku kërkojnë që Prishtina të përfshihet në buxhetin e Kosovës

    Hamza dhe Abdixhiku kërkojnë që Prishtina të përfshihet në buxhetin e Kosovës

    Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet rreth miratimit të buxhetit të vendit, derisa nga opozita ka vërejtje rreth tij.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ndal edhe tek pjesa e buxhetit të Prishtinës, ku kërkoi nga Hekuran Murati, si ministër i Financave që ta bëjë pjesë të buxhetit.

    “Buxheti i Komunës së Prishtinës nuk është pjesë e këtij buxheti, andaj po i drejtohem ministrit të Financave që të bëhet pjesë e këtij buxheti”, tha Hamza.

    “Për disa çështjeve teknike, nuk duhet që Prishtina të mbetet jashtë këtij buxheti, andaj hapeni sistemin dhe të bëhet pjesë e tij”, shtoi ai.

    Edhe Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjës Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që Prishtina të përfshihet në buxhetin e vendit.

    E treta, shumë e rëndësishme për LDK-në që buxheti të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetushmërinë

    “Fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht ky buxhet i Kosovës nuk e merr parqasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jashtëzakonisht shqetësuese që Kuvendit i sillet një dokument që se respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet, dhe së këndejmi bëhet menjëherë jokushtetues”, potencoi ai.

    “Prishtina e ka miratuar buxhetin me 6 shkurt 2026, buxheti është sjellë në kuvend për herë të parë më 13 shkurt. Nuk ka asnjë arsye as ligjore as logjike e as kushtetuese që një buxhet nacional të mos e merr parasysh vendimin e kuvendit komunal të Prishtinës”, shtoi më tej Abdixhiku.

    Opozita ka kërkuar më shumë kohë që ta trajtojë buxhetin, që sipas tyre një dokument prej 700 faqesh, do të duhej të analizohej më gjatë nga ta dhe jo të kërkohej miratimi me urgjencë.

    Nga Qeveria u bë e ditur se për shkak të bllokadës njëvjeçare, kjo urgjencë ka bërë që të kërkohet votimi sa më i shpejtë.