ATV

Blog

  • Vritet me thikë 22-vjeçari shqiptar në Londër, arrestohen dy vajza dhe një djalë

    Vritet me thikë 22-vjeçari shqiptar në Londër, arrestohen dy vajza dhe një djalë

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në jug të Londrës, ku një i ri shqiptar është goditur me thikë dhe ka humbur jetën.

    22-vjeçari, Lorik Abazi u gjet i plagosur në Hesterman Way, të dielën dhe, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, ai vdiq në spital, shkruan BBC.

    Familja e Lorikut ka shpërndarë një deklaratë të ndjerë, duke përshkruar të riun si “një person të kujdesshëm, të zgjuar, me një sens të bukur humori dhe me një të ardhme të ndritur përpara, por që iu pre në mes”.

    Pas ngjarjes, dy vajza, të dyja 25 vjeçare, dhe një djalë 28 vjeçar u arrestuan si të dyshuar për vrasje. Njëra nga vajzat u lirua me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.

    Kryeinspektori Nick Blackburn ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e Lorikut, duke thënë: “Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e Lorikut, të cilët kanë pësuar një humbje të paimagjinueshme.”

  • Osmani: Pavarësia e Kosovës është realitet falë UÇK-së

    Osmani: Pavarësia e Kosovës është realitet falë UÇK-së

    Për nder të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, është mbajtur ceremonia zyrtare e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë, një ngjarje që simbolizon forcën dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës.

    Gjatë kësaj ceremonie, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sakrificat e brezave të tërë për lirinë dhe mëvetësinë e vendit.

    Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani theksoi se askush nuk mund ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ajo e përshkroi luftën e UÇK-së si një luftë të drejtë dhe çlirimtare, që ishte e udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet. Osmani theksoi se pa kontributin dhe sakrificat e jashtëzakonshme të UÇK-së, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realiteti që shqiptarët e Kosovës po festojnë sot.

    “Ajo ishte një luftë e drejtë, një luftë çlirimtare, një luftë mbrojtjeje e udhëhequr nga e drejta për liri dhe shtet. Pa këtë kontribut të jashtëzakonshëm të UÇK-së dhe pa këtë sakrificë, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte realiteti që e festojmë sot,” tha Presidentja Osmani.

  • 10 fakte për Pavarësinë e Kosovës: Flamujt e parë ishin shtypur në Turqi

    10 fakte për Pavarësinë e Kosovës: Flamujt e parë ishin shtypur në Turqi

    Kosova sot feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e cila është shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe është njohur nga 121 shtete.

    Kosova e shpalli pavarësinë duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.

    Këto janë 10 faktet që lidhen më 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë të Kosovës:

    1) Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

    2) Kryeministri Hashim Thaçi është lexuesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

    3) Dizajnuesi i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi

    4) Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin presidenti Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi

    5) Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

    6) Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

    6) Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

    7) Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë!

    8) Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

    9) Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    10) Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.

  • Rifat Jashari nderohet me brohoritje e duartrokitje gjatë parakalimit të FSK-së dhe Policisë

    Rifat Jashari nderohet me brohoritje e duartrokitje gjatë parakalimit të FSK-së dhe Policisë

    Brohoritje e duartrokitje, u dhanë teksa Rifat Jashari po kalonte rrugën nëpër të cilën do të kalojnë trupat e ushtrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe policët e Kosovës në shënim të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, raporton EO.

    Jashari si përfaqësues i familjes legjendar të komandantit Adem Jashari me duar lart përshëndeti qytetarët, të cilët sikur dhe çdo vit tjetër tradicionalisht, nga afër shohin parakalimin e FSK-së dhe Policisë, që jep ndjenjë krenarie.

     

  • ‘‘Skenderaj drejt Marshit për Drejtësi’’, pamje të autobusëve që janë nisur drejt Prishtinës

    ‘‘Skenderaj drejt Marshit për Drejtësi’’, pamje të autobusëve që janë nisur drejt Prishtinës

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ndarë pamje të ku shihen autobusë e vetura të shumta që janë nisur drejt Prishtinës ku do të mbahet marshi në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Sot në 18 vjetorin e pavarësisë, do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” , i cili është organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.

    Ky manifestim ka për qëllim të shprehë qëndrimin kundër procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe do të jetë një tubim paqësor dhe gjithëpërfshirës, me kërkesën për drejtësi të paanshme.

    Për mbarëvajtjen e tubimit janë angazhuar njësitë policore, zjarrfikësit dhe strukturat emergjente, ndërsa transporti i organizuar me autobusë nga të gjitha komunat pritet të lehtësojë ardhjen e qytetarëve në kryeqytet.

  • Vinícius zbulon prapaskenat: I shkruaja çdo verë Mbappés, doja ta sillja te Real Madridi”

    Vinícius zbulon prapaskenat: I shkruaja çdo verë Mbappés, doja ta sillja te Real Madridi”

    Ylli brazilian i Real Madrid, Vinícius Júnior, ka zbuluar se ka luajtur një rol aktiv në përpjekjet për të bindur Kylian Mbappé që t’i bashkohej gjigantit spanjoll.

    Në një deklaratë që ka bërë xhiron e mediave, Vinícius ka pranuar se e kontaktonte rregullisht sulmuesin francez gjatë merkatos verore.

    “Çdo verë i dërgoja mesazh: ‘Kur po vjen?’ Ishte si të isha agjenti i tij,” ka thënë braziliani me humor, duke lënë të kuptohet se dëshira për ta parë Mbappén në “Santiago Bernabéu” ka qenë e kahershme.

    Por Mbappé nuk ishte i vetmi objektiv i Viníciusit. Ai zbuloi se ka bërë të njëjtën gjë edhe me mesfushorin anglez Jude Bellingham, i cili tashmë është një nga figurat kyçe të skuadrës madrilene.

    “Dua të luaj me më të mirët për të pasur më shumë mundësi për të fituar,” theksoi Vinícius, duke konfirmuar ambicien e lartë që ekziston brenda dhomave të zhveshjes së Real Madridit.

    Deklarata e tij dëshmon jo vetëm mentalitetin fitues të brazilianit, por edhe frymën e unitetit dhe projektin ambicioz të klubit madrilen për të mbledhur talentet më të mëdha të futbollit botëror në të njëjtën skuadër.

  • Homazhe te memoriali “Heroinat” për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

    Homazhe te memoriali “Heroinat” për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj,me kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti kanë bërë homazhe te Monumenti Heroinat, raporton Ekonomia Online.

    Kurora lulesh u vendosen në këtë monument në nder të  18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

  • Kuvendi i Gjilanit me seancë solemne për 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

    Kuvendi i Gjilanit me seancë solemne për 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

    Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, ka mbajtur seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku pos përfaqësuesve institucionalë, morën pjesë edhe përfaqësues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e familjarë të dëshmorëve.

    Kryesuesja Latifi-Kqiku tha se sot jetojmë me dinjitet në shtetin e lirë për të cilin kontribuan dhe sakrifikuan breza të tërë me dekada e shekuj.

    “Për këtë ditë u dha shumë mund, shumë sacrifice e u derdh shumë gjak, që Kosova të bëhej e lirë dhe e barabartë me shtetet tjera të botës”, ka thënë ajo.

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se 17 shkurti është dita kur u realizua ëndrra shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran.
    “Kjo ditë mishëron sakrificën, guximin dhe idealin e brezave për liri. 17 shkurti është dita kur u realizua ëndrra shekullore për një shtet të pavarur dhe sovran. Është dita ku përulemi me respekt para dëshmorëve të kombit, para familjeve që dhanë më të shtrenjten për lirinë tonë, para të gjithë atyre që kontribuan në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt pavarësisë”, ka theksuar përveç tjerash, kryetari Hyseni.
    Ndërkaq, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se 17 shkurti është një përpjekje shekullore e popullit të Kosovës, ku gjenerata të tëra sakrifikuan për të ardhur deri te akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    “Lufta jonë çlirimtare i ka vu kurorën lirisë, në saje të angazhimit të njerëzve të devotshëm e patriotëve të vërtetë e luftëtarëve”, ka thënë Isufi.

    Në këtë seancë solemne, kanë adresuar mesazhet e tyre edhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Komunës, përkatësisht Muhadin Haziri (LDK), Riad Rashiti (PDK) dhe Nazim Gagica (AAK).

  • Gold Ag uron Pavarësinë e Kosovës me një foto të veçantë

    Gold Ag uron Pavarësinë e Kosovës me një foto të veçantë

    Këngëtari shqiptar Arian Agushi, i njohur me emrin e artit si Gold Ag, ka uruar Ditën e Pavarësisë.

    Për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ai vendosi të ndaj një fotografi të ëmbël të djemve.

    Të veshur me logo të UÇK-së, ata u shfaqen të përqafuar me njëri-tjetrin.

    “Urime pavarësia Kosovë”, shkroi krahas fotografisë.

  • Mozzik për protestën në Prishtinë: Ky popull frymon UÇK, sot nuk ka mungesa

    Mozzik për protestën në Prishtinë: Ky popull frymon UÇK, sot nuk ka mungesa

    Këngëtari Mozzik ka bërë një thirrje të fuqishme për ndjekësit e tij në lidhje me protestën e paralajmëruar për ora 14:00 në Prishtinë.

    Ai ka publikuar një fotografi me Kadri Veselin, duke shprehur mbështetjen e tij për ish-krerët që aktualisht ndodhen në Hagë.

    Mozzik gjithashtu i bën thirrje publikut të kujtojë historinë e sakrificës së popullit shqiptar dhe të nderojë ata që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës, duke përmendur rëndësinë e vazhdimit të qëndrimit dhe solidaritetit për vendin.

    Artisti ferizajas shton se kjo nuk është vetëm një protestë, por një mesazh për të gjithë ata që mund të harrojnë historinë dhe sakrificën e kombit shqiptar, duke inkurajuar pjesëmarrjen në Marsh.

    Postimi i plotë i reperit (pa ndërhyrje):

    “Nuk kam krenari ma të madhe që m’ka falë Zoti i Madh Shqiptar.

    Nuk kam krenari ma të madhe që kombi jem dhe ushtria e vatanit tem — Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) — e ka mbrojtë konakun e vet me gjak e me plumba.

    Nuk kish pas krenari ma të madhe se mu rreshtu n’at rrugëtim ku nuk e din a ki me u kthy n’shpi si kufomë a si trup i gjallë… e ndoshta as trupi mos me t’u gjetë kurrë.

    E mbi të gjitha, për çlirimin e vendit.

    Ky vend është i mbjellun me gjak, me shumë njerëz të vrarë, me shumë gra, nana e vajza të dhunuara.

    Ky vend është foleja jonë — këtu jemi e këtu vazhdojmë me qëndru.

    Sot e merr përgjigjen kushdo që anon kah dëshirat e armikut — nga Serbia, nga Rusia, apo çdo shqipfolës tjetër që harron kah e ka gjakun.

    Ky popull frymon UÇK!

    Sot nuk ka mungesa.

    Ora 14:00, Sheshi Skënderbeu — Prishtinë”.