ATV

Blog

  • IKD dorëzon kërkesë për debat parlamentar mbi moszbatimin e të drejtës për pension të moshës

    IKD dorëzon kërkesë për debat parlamentar mbi moszbatimin e të drejtës për pension të moshës

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë te Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe te kryetarët e grupeve parlamentare për inicimin e një debati parlamentar lidhur me moszbatimin e legjislacionit në fuqi për realizimin e të drejtës në pensionin e moshës krahas pensioneve dhe beneficioneve që u takojnë kategorive të dala nga lufta.

    Sipas IKD-së, legjislacioni aktual ua njeh këtyre kategorive të drejtën për përfitimin e dy pensioneve, megjithatë kjo e drejtë, sipas institutit, vazhdon të mos zbatohet në praktikë nga institucionet përgjegjëse, pavarësisht se është konfirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore deri në nivelin e Gjykata Supreme e Kosovës.

    Përfaqësuesja e IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se pas pranimit të shqetësimeve fillestare, instituti ka kryer analizë të detajuar juridike dhe ka konstatuar se legjislacioni në fuqi u lejon qytetarëve të këtyre kategorive përfitimin e dy pensioneve, duke shtuar se kjo e drejtë është konfirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore deri në Gjykatën Supreme.

    “Pas pranimit të informatave dhe shqetësimeve të para për këtë çështje, kemi kryer një analizë të detajuar juridike, përmes së cilës kemi konstatuar qartazi se legjislacioni në fuqi u lejon qytetarëve të këtyre kategorive të drejtën për përfitimin e dy pensioneve. Kjo e drejtë ishte konfirmuar dhe konsoliduar edhe përmes praktikës gjyqësore, deri në nivelin e Gjykatës Supreme. Që në fillim kemi sqaruar dhe vazhdojmë ta sqarojmë se Ligji Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, është ligj i veçantë në raport me Ligjin Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Si ligj special, në nenin 23 paragrafi 2, ai përcakton se “shfrytëzuesit e pensionit bazë mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet e përcaktuara me këtë ligj, nëse i përmbushin kushtet dhe kriteret sipas dispozitave të këtij ligji”, tha ajo.

    Ajo shtoi se asnjë dispozitë e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe as ndonjë akt tjetër normativ nuk e ka shfuqizuar këtë dispozitë, duke theksuar se për rrjedhojë përfituesit e pensionit të moshës kanë të drejtë edhe për pensionin nga ligji për kategoritë e dala nga lufta nëse i plotësojnë kushtet.

    “Nga ana tjetër, me asnjë dispozitë të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, ndonëse është ligj i mëvonshëm, dhe as me ndonjë akt tjetër normativ, nuk është shfuqizuar neni 23 i Ligjit 04/L-054. Për rrjedhojë, çdo përfitues i pensionit të moshës ka të drejtë ligjore edhe për pensionin që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta, nëse i plotëson kriteret përkatëse. Kjo qasje është konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga praktika gjyqësore e konsoliduar deri në Gjykatën Supreme. Rrjedhimisht, personat që arrijnë moshën e pensionimit nuk mund të detyrohen të zgjedhin ndërmjet njërit apo tjetrit pension dhe as nuk mund t’u mohohet e drejta për përfitimin e të dy pensioneve”, tha ajo.

    Rezniqi tha se megjithatë kjo praktikë vazhdon të zbatohet në departamentet e pensioneve, ku shumë qytetarë marrin vendime refuzuese për një të drejtë që sipas saj u takon qartë me ligj.

    “Megjithatë, edhe sot kjo praktikë vazhdon të zbatohet në departamentet e pensioneve, ku një numër i konsiderueshëm qytetarësh vazhdojnë të pranojnë vendime refuzuese për një të drejtë që u takon në mënyrë të qartë sipas ligjit. Gjatë më shumë se dy viteve, IKD ka ndërmarrë aktivitete të shumta me synim arritjen e një zgjidhjeje të përgjithshme, kolektive dhe të përhershme. Për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e ekzekutivit, jemi detyruar që paralelisht të ndjekim realizimin e të drejtave individuale përmes rrugës gjyqësore, nëpërmjet Qendrës për Ndihmë Juridike Falas. Vetëm gjatë kësaj periudhe kemi paraqitur rreth 700 padi të kësaj natyre”, tha ajo.

    Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, tha se duke qenë se bëhet fjalë për problem sistemik, institucionet nuk duhet ta shohin normën ligjore vetëm në mënyrë strikte për zbatim, por edhe në dimensionin social të saj.

    Ai tha se kërkohet zhvillimi i një debati parlamentar brenda një periudhe të shkurtër kohore, në mënyrë që institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministria e Financave e Kosovës, të sqarojnë arsyet pse nuk është nxjerrë akti nënligjor për realizimin e të drejtës për pension të dyfishtë dhe të adresohen pasojat juridike, sociale dhe financiare të kësaj situate.

    “Dhe duke pasur parasysh që ky është një problem sistemik, duke pasur parasysh që Kuvendi i Kosovës, ekzekutivi, nuk duhet me e pa normën ligjore vetëm kështu abstrakte dhe strikte për zbatimin e asaj, por ta shohë edhe dimensionin social të kësaj norme, ne kërkojmë që të zhvillohet një debat parlamentar brenda dy, tre ose tre javëve, ose brenda një muaji, në mënyrë që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve — tashmë si Ministri vetëm e Financave — dhe Ministria e Punës, të nxirret një rezolutë përmes të cilës Kuvendi i Kosovës tregon për cilat arsye nuk është nxjerrë ky akt nënligjor që e realizon këtë të drejtë për përfitim të pensionit të dyfishtë, për pasojat juridike, sociale dhe financiare të këtij mosveprimi dhe për nevojën për veprim urgjent të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në këtë rast Ministrisë së Financave”.

    “Pra, ne presim shumë shpejt që kryetarët e grupeve parlamentare… po kërkojmë edhe nga kryetarja e Kuvendit që ta ushtrojë autoritetin e vet — i lejohet me rregullore edhe me Kushtetutë që të thërrasë një seancë — duke pasur parasysh edhe prej partisë prej nga vjen, por edhe partitë e tjera të cilat kanë kontribuuar në miratimin e një ligji të tillë dhe në funksion të rritjes së kontrollit parlamentar, do të duhej që një seancë e tillë të thirret sa më shpejt”, tha ai. /eo

  • Refuzohet buxheti shtesë për Zyrën Kombëtare të Auditimit, reagon Hoti: Fillim i keq!

    Refuzohet buxheti shtesë për Zyrën Kombëtare të Auditimit, reagon Hoti: Fillim i keq!

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar mbi 654 mijë euro buxhet shtesë nga shuma e përgjithshme e paraparë në Projetkligjin për buxhetin e vitit 2026. Por Komisioni për mbikëqyrje të financave publike ka refuzuar kërkesen e ZKA-së.

    E në lidhje me këtë ka reaguar deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Abdullah Hoti.

    Hoti ka thënë se kjo sjellje e shumicës parlamentare është një fillim i keq i kësaj legjislature.

    “Në mbledhjen e sotme, deputetët e shumicës parlamentare në Komisionin për mbikëqyrje të financave publike votuan kundër kërkesës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për buxhet shtesë. Ky buxhet shtesë është i domosdoshëm në mënyrë që Zyra Kombëtare e Auditimit të arrijë të kryejë të gjitha auditimet e parapara në kohë dhe me cilësi të duhur. Kjo sjellje e shumicës parlamentare është një fillim i keq i kësaj legjislature. Ky veprim tregon tendencën se si pritet të menaxhohet paraja publike në vitet në vijim, duke bërë gjithçka që të pamundësohet mbikëqyrja adekuate e shpenzimeve buxhetore”, ka thënë Hoti..

    Hoti po ashtu ka pohuar se ka qenë praktikë e etabluar në të gjitha legjislaturat paraprake që kërkesat buxhetore të institucioneve të pavarura, të cilat burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta, siç është rasti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, të miratohen gjithmonë në komisionet parlamentare dhe në kuvend.

    Miratimi i kërkesave të tilla sipas tij është bërë nën supozimin se ato janë të bazuara në ligje dhe rregullore përkatëse.

    Ndërsa ka theksuar se një qasje e tillë e kuvendit dhe e komisioneve parlamentare sa i përket kërkesave buxhetore të institucioneve të pavarura kushtetuese siguron balancën e pushteteve dhe ruan pavarësinë e tyre nga qeveria.

  • Rrahu nënën dhe vëllanë, pejani sulmon edhe policët gjatë arrestimit

    Rrahu nënën dhe vëllanë, pejani sulmon edhe policët gjatë arrestimit

    Një person ka rrahur nënën dhe vëllanë në Pejë.

    Kështu njofton Policia e Kosovës përmes raportit ku thotë se i dyshuari ka qenë nën ndikim të alkoolit.

    I njëjti, duke mos iu bindur urdhrave të policisë gjatë arrestimit, i ka sulmuar fizikisht edhe dy policë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Policia e Kosovës evidenton gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës evidenton gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje në komuna të ndryshme të vendit.

    Prishtinë

    Në Prishtina janë raportuar dy raste.
    Në njërin, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj.
    Në rastin tjetër, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij dhe ka demoluar shtëpinë.

    Pas intervistimit, në të dy rastet është iniciuar procedurë e rregullt.

    Pejë

    Në Peja, një nënë dhe djali i saj raportuan se djali, përkatësisht vëllai i tyre, ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. I dyshuari, i cili sipas Policisë ishte nën ndikim të alkoolit, ka sulmuar fizikisht edhe dy zyrtarë policorë gjatë arrestimit. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

    Rahovec

    Në Rahovec është arrestuar një grua, e cila dyshohet se ka dëbuar nga shtëpia bashkëshortin dhe e ka kanosur atë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

    Gjakovë

    Në Gjakova janë shënuar dy raste.
    Në njërin, një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëjetuesen e tij, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Në rastin tjetër, një çift (të dashur mes vete) janë përleshur pas një mosmarrëveshjeje. Të dy kanë refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes është konfiskuar një thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

  • Deklarimet përmbyllëse në Speciale, Tahiri: Fjalimi i Thaçit ishte fjalim i një lideri të UÇK-së

    Deklarimet përmbyllëse në Speciale, Tahiri: Fjalimi i Thaçit ishte fjalim i një lideri të UÇK-së

    Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka komentuar fjalën përmbyllëse të Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara.

    Ajo është shprehur e emocionuar me deklarimit e ish-presidentit të Kosovës.

    Në profilin e saj në Facebook, Tahiri ka shkruar se fjalim i tij ishte fjalim i një lideri të UÇK-së.

    “E degjova fjalimin perfundimtar te Hashim Thaçi ne Gjykate – ashtu sic ishte lider i UCK-se edhe fjalimi ishte i tille!”, ka shkruar ai.

  • Digjet një shtëpi në rrugën B në Prishtinë, policia jep detaje

    Digjet një shtëpi në rrugën B në Prishtinë, policia jep detaje

    Sot në rrugën B në Prishtinë është djegur një shtëpi, si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer rreth orës 10:00 të paradites.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se policia ka pranuar informatën për incidentin dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes.

    “Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën B, në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një shtëpi. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Nga informatat fillestare nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar”, ka deklaruar Pllana.

    Njësitë relevante po vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e zjarrit, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente.

  • Ylli i FC Barcelona i përgjigjet interesimit të AC Milan

    Ylli i FC Barcelona i përgjigjet interesimit të AC Milan

    FC Barcelona pritet të ketë disa lëvizje gjatë afatit kalimtar veror, me disa lojtarë që mund të largohen nga “Spotify Camp Nou”. Mes emrave të përmendur janë Marc-Andre ter Stegen, Marc Casado dhe Gerard Martin.

    Ky i fundit ka pasur një rol të rëndësishëm këtë sezon, duke u aktivizuar më shpesh si qendërmbrojtës, ndonëse natyralisht është mbrojtës i majtë. Trajneri Hansi Flick e konsideron një alternativë të besueshme në repartin defensiv.

    Interesim për Martin ka shfaqur edhe AC Milan, që e sheh si përforcim të vlefshëm për sezonin e ardhshëm. Duke qenë se ai nuk është titullar i padiskutueshëm te Barcelona, në Itali besohej se një marrëveshje mund të ishte e arritshme.

    Megjithatë, sipas raportimeve të Mundo Deportivo, vetë lojtari nuk ka asnjë dëshirë të largohet. Martin thuhet se ndihet i lumtur në klubin katalanas dhe e konsideron këtë periudhë si realizim të një ëndrre.

    Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, gjasat për një transferim drejt Milanit në verë duken aktualisht të vogla.

  • Mbi 1,000 ushtarë amerikanë do largohen nga Siria pas misionit kundër ISIS-it

    Mbi 1,000 ushtarë amerikanë do largohen nga Siria pas misionit kundër ISIS-it

    SHBA-të kanë vendosur të tërheqin trupat e tyre të mbetura në Siri, të cilat numërojnë rreth 1,000, pas tërheqjeve graduale gjatë muajve të fundit, thuhet në një raport.

    Duke cituar zyrtarë amerikanë, The Wall Street Journal tha se tërheqja pritet të ndodhë gjatë dy muajve të ardhshëm. Raporti tha se Uashingtoni arriti në përfundimin se një prani ushtarake amerikane në Siri nuk është më e nevojshme, duke përmendur shpërbërjen pothuajse të plotë të YPG/SDF dhe integrimin e saj të mëvonshëm në strukturën shtetërore siriane, duke e bërë misionin origjinal të SHBA-së për të luftuar ISIS-in nëpërmjet partnerëve vendas praktikisht të përfunduar.

    Ushtria amerikane tashmë ka finalizuar tërheqjen e saj nga garnizoni Al-Tanf, një postë kyçe pranë kufijve të Sirisë, Jordanisë dhe Irakut, si dhe nga baza Al-Shaddadi në Sirinë verilindore në fillim të këtij muaji, vuri në dukje deklarata

    Raporti tha më tej se tërheqja nuk ishte e lidhur me vendosjet aktuale detare dhe ajrore të SHBA-së në Lindjen e Mesme, të cilat synojnë sulme të mundshme ndaj Iranit nëse bisedimet bërthamore dështojnë. Ai tha se Irani kishte paralajmëruar gjithashtu se do të synonte forcat amerikane në rajon në përgjigje të çdo sulmi ajror të SHBA-së.

    Duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, tha se tërheqja ishte duke u zhvilluar ndërsa qeveria siriane merr përsipër përpjekjet kundër terrorizmit, duke shtuar se forcat amerikane ende mund t’i përgjigjen çdo kërcënimi të ISIS-it.

    Sipas The Wall Street Journal, disa zyrtarë amerikanë dhe të huaj paralajmëruan se një prani e reduktuar amerikane mund të rrezikonte një prishje të armëpushimit dhe t’i lejonte ISIS-it të riorganizohej, ndërsa të tjerë thanë se trupat e mbetura shërbyen kryesisht si një sinjal politik dhe jo si një forcë e konsiderueshme kundër terrorizmit.

  • Pse bien më shumë flokët në dimër? Ekspertët shpjegojnë arsyet dhe si ta parandaloni!

    Pse bien më shumë flokët në dimër? Ekspertët shpjegojnë arsyet dhe si ta parandaloni!

    Shumë persona po vërejnë kohët e fundit rënie më të madhe të flokëve, duke parë më shumë qime në furçë, në vaskë apo në dyshemenë e banjës.

    Edhe pse zakonisht vjeshta konsiderohet stina me rënien më të theksuar të flokëve, ekspertët theksojnë se edhe dimri ndikon ndjeshëm në ciklin jetësor të tyre.

    Sipas specialistëve, çdo fije floku kalon në tre faza kryesore: fazën e rritjes, kur zhvillohet normalisht; një fazë të shkurtër kalimtare, ku rritja ndalet; dhe fazën e pushimit, gjatë së cilës floku qëndron për disa muaj në skalp para se të bjerë natyrshëm për t’i lënë vend një fijeje të re.

    Humbja e një sasie të caktuar flokësh çdo ditë konsiderohet proces normal.

    Megjithatë, gjatë dimrit më shumë folikula mund të hyjnë njëkohësisht në fazën e pushimit.

    Temperaturat e ulëta dhe reduktimi i orëve me dritë ndikojnë në ritmin e ciklit të flokëve, duke bërë që pas disa muajsh të vërehet rënie më e madhe se zakonisht.

    Një tjetër teori sugjeron se organizmi mban më shumë flokë gjatë muajve të ngrohtë si mbrojtje natyrale nga rrezet e diellit.

    Kur ekspozimi ndaj dritës zvogëlohet, një pjesë e flokëve përfundon ciklin e tyre dhe bie.

    Po ashtu, mungesa e dritës mund të ndikojë edhe në faktorë të rëndësishëm për rritjen e flokëve, si nivelet e vitaminës D.

    Kushtet e dimrit ndikojnë edhe përmes ambientit. Ajri i ftohtë jashtë dhe ngrohja në ambiente të mbyllura ulin lagështinë, duke shkaktuar tharje të skalpit dhe flokëve.

    Kjo çon në brishtësi dhe këputje më të lehtë të flokëve, e cila shpesh ngatërrohet me rënie.

    Flokët e këputur zakonisht janë më të shkurtër dhe nuk kanë rrënjë.

    Ekspertët paralajmërojnë se edhe përdorimi i shpeshtë i kapelave mund të ndikojë në dobësimin e flokëve, për shkak të fërkimit dhe grumbullimit të djersës apo yndyrës në skalp.

    Për të reduktuar efektet e dimrit, specialistët rekomandojnë kujdes të veçantë për skalpin, përdorimin e shampove të buta që ruajnë ekuilibrin natyral, aplikimin e balsameve hidratues dhe përdorimin e serumeve që ndihmojnë në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për rritjen e flokëve.

  • Mercedes-Benz ringjall “Red Pig”, homazh modern për një ikonë të garave

    Mercedes-Benz ringjall “Red Pig”, homazh modern për një ikonë të garave

    Prodhuesi gjerman Mercedes-Benz ka prezantuar një koncept të ri që sjell në vëmendje një nga modelet më legjendare të historisë së tij – Mercedes-Benz 300 SEL 6.8 AMG, i njohur ndryshe si “Red Pig”.

    Ky model bëri histori në vitin 1971, kur arriti sukses të madh në garën prestigjioze 24 Hours of Spa, duke e vendosur AMG-në në qendër të vëmendjes së botës së motorsportit.

    Dizajn që lidh të shkuarën me të ardhmen

    Koncepti i ri ruan profilin klasik të një sedani të madh, por e rishfaq atë me elemente moderne:

    • grilë të theksuar përpara,

    • ndriçim LED bashkëkohor,

    • linja më agresive dhe detaje aerodinamike sportive.

    Ngjyra ikonike e kuqe mbetet elementi dominues, duke e lidhur drejtpërdrejt me “Red Pig”-un origjinal.

    Sipas mediave gjermane, ky është një projekt dizajni dhe nuk është prezantuar si model për prodhim serik. Ende nuk ka detaje mbi specifikat teknike apo planet për prodhim në të ardhmen.

    Një kapitull i rëndësishëm në historinë e AMG-së

    “Red Pig” origjinal ishte i pajisur me motor 6.8-litër V8 dhe konsiderohet një pikë kthese për AMG-në, duke dëshmuar se një sedan luksoz mund të rivalizojë makinat sportive në pistë.

    Me këtë koncept, Mercedes-Benz nderon trashëgiminë e tij sportive dhe rikujton se ADN-ja e garave mbetet thelbësore në identitetin e markës.